Poezi nga Sabit IDRIZI

 
Poezi nga Sabit IDRIZI
 
 
NGATËRRIM ËNDRRASH
 
Kur të ngatërrohen shumë ëndrrat
Vështirë ta gjesh burimin e lumit
T’i gjesh brigjet e etura
 
E si t’i bësh pastaj zap dallgët
Kur të çmenden ndonjëherë
E të bëjnë turr të dalin ndoresh.
 
 
PËRGOJUESIT
 
Përherë më kanë përgojuar
Edhe kur kam urrejtur diçka
Edhe kur kam dashuruar
 
Nëse e keqja dhe e mira
S’kanë për ju dallim
Kanë në zemrën time
Kanë në shpirtin tim
 
 
SIZIFI
 
U mërzit dikur Sizifi i gjorë
U lodh së tepërmi nga ai gur
Që s’ po ndalej asnjëherë së rrokullisuri tatëpjetë bjeshkës
 
Më mirë të isha njeri i zakonshëm
Mendoi
Të isha i vdekshëm
E t’i ndaja këto vuajtje me të tjerët
Se kështu i vuajtur përgjithmonë
Në mesin e perëndive “të mëshirshëm”
 
 
KALBJA E MESAZHEVE
(Kujtime nga djalëria e hershme)
 
Asokohe s’kemi pasur as telefona të mençur
As telefona budallenjë
 
Kemi pasur vetëm porosi të përcjella përmes dikujt
Me anë të ndonjë simboli
 
Hall i madh ky për të dashuruarit
Sidomos për vajzat
Ato na dërgonin ndonjë pemë
(Zakonisht ndonjë mollë a ftua)
Përmes dikujt shumë të besueshëm
Për ta dëshmuar dashurinë e tyre ndaj nesh
Apo më mirë të themi simpatinë
Sepse kemi qenë ende shumë të rinj
Për ta kuptuar se ç’është dashuria
 
Në vend se t’i hanim ato mesazhe të ëmbla
Sa ishin ende të freskëta
Ne i puthnim dhe u merrnim erë vazhdimisht
Derisa kalbeshin nëpër ato arka të drunjta
Ku i ruanim gjërat më të vlefshme të jetës
 
Mitrovicë, më 22 prill 2022

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s