Rrëfimet e një kompozitori shqiptar
Autobiografia e Aleksandër Vezulit: Rruga e vështirë muzikore dhe largimi nga atdheu
Parathënie
Të gjithë e dimë shprehjen “Varrit t’ia tregoj se ç’kam hequr”, kur kujtojmë dhimbjet apo vuajtjet që kemi kaluar gjatë jetës.
Për mua ato dhimbje dhe vuajtje kanë qenë të panumërta, të cilat ve ndosa t’i rrëfej në këtë autobiografi para se dhe ato të bëhen pjesë e atij varri.
Kuptohet që unë, nuk jam Mozarti, por edhe unë kam pasur Salierin tim. Kuptohet që unë, nuk jam Cezari, por edhe unë kam pasur Brutin tim. Do të dëshiroja të isha Davidi e të mundja
Goliatin tim, por fatkeqësisht nuk jam. Nuk jam unë ai që shkru- aj, por shpirti im, i cili kishte kohë që më fl iste: “Shkruaj! Çfarë ka ndodhur në tokë, duhet të mbetet në tokë, e çfarë është nën të, lërja zbuluesve ta zbulojnë.” Nuk dua të iki nga kjo botë, pa shprehur atë të vërtetë që më mundon në shpirt.
E vërteta në këtë libër, mund të jetë e hidhur për disa, por mos harroni se këta “disa”, më hidhëruan dhe mua për së gjalli në vitet e rinisë, kur si xhelatë të pamëshirshëm, u prenë kokën “fëmijëve të mi”, krijimeve të mia. Këta “disa”, lënduan zemrën time, kafshuan shpirtin tim, më kafshuan aq fort me dhëmbët e tyre të fuqishëm, sa më bënë copë e plagë… plagë që lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time.
Ata xhelatë, ato “kafshë të egra artistike”, vranë që në bark të nënës, pa lindur akoma, këngët e veprat e mia, duke mos e lënë publikun t’i njohë ata fëmijë. Këtë krim ndaj “fëmijëve të mi”, muzikës sime, nuk do t’ua fal kurrë.
Ai hidhërim i atyre viteve, për një arsye a për një tjetër, më ndoqi si një re e zezë dhe në vitet e mëpasme jashtë atdheut, re, e cila zinte dhe atë copë diell, që dilte herë pas here e mundohej të ndriçonte sadopak jetën time, ai hidhërim që mori trajtën e një mallkimi, arriti në pikën e tij më të lartë gjatë viteve të mia të leucemisë, ai hidhërim, ajo dhimbje, ajo brengë e ndrydhur për vite të tëra, më së fundi gjeti mënyrën të dalë e të marrë kurajën të shkruajë këtë libër.
Autori: Aleksandër Vezuli