Poezi nga Nikollë Loka

 
Poezi nga Nikollë Loka
 
 
Naimi dhe Migjeni
 
Shpetimtari mungon, male ka gjithandej,
frone që u zunë gabimisht,
heronj pa piedestale mbi kuaj
personifikojnë epoka,
dhe në dy horizonte të mëdha,
diku larg, aty ku takohen qielli e toka,
Naimi dhe Migjeni pasi heshtën gjatë,
pyesin njëri-tjetrin ku e lamë!
 
Përmendet Naimi te malet famëlartë,
te fushat e gjëra që i kam ndërmend ditë e natë.
 
Përgjigjet Migjeni e gati e lëshon zemra:
O si nuk e kam një grusht të fuqishëm,
malit që hesht mu në zemër me ia ngjeshë
dhe vuan nga brenga.
 
Po flisnin ata
pa asnjë keqkuptim në mes vetes,
me malet,
që t’i dëgjonin njerëzit.
 
 
Ujë i mirë
 
Thonë nuk rrjedh i njëjti ujë,
po s’ke si ta njohësh atë ujin që doje,
në mbrëmje prroj kapërcen në delir,
dhe merr pak diell,
pak perëndim
dhe një premtim e një fjalë goje,
 
Thonë se në darkë rrjedh ujë i mirë,
dhe krejt brishtësi e bjeshkës,
kushdo e bën një lutje,
e shpreh një dëshirë
dhe pa pas etje….
 
Pastaj ikin të gjitha,
si hije e minutave të ëmbla,
shpirti noton në rrjedhë,
përthyer në mijëra ëndrra.
 
 
Loz me tinguj dhe ngjyra
 
Loz me tinguj dhe ngjyra
si fëmijë,
loz me ajër dhe me ujë
e zbavitem,
meditoj
mbi një vepër arti të pa bërë,
me një fantazi të pa bindur.
 
Ndryshimi vjen si erë që fryn,
si tinguj të ri që ngjallin shpresë,
si ëndrra të hijëshme mbi një pentagram,
duhet dhe pak dhunti
për t’i ikur të djeshmes…
 
 
Shenjtërimi i mëkatit
 
Askush s’ia numëron mëkatet botës së pas Adamit,
edhe pse ankohemi për mëkatin e parë…
Zbritëm nga pemët dhe iu larguam qiellit,
duke u bërë më tokësorë.
U rritëm
dhe krijuam secili për vete,
nga një kopësht virtual,
ku shija kalon përmes pamjes,
shih e mos prek me dorë!
Shihi pemët si vishen pa shije me gjeth,
në kohën kur çvishen krizantema dhe zambakë,
vetëm për qejf!
 
E kështu, pa e kuptuar, e shenjtëruam mëkatin,
që e nxori botën nga kllapia ku ishte,
dhe tash, gjithkush kërkon rrobe për shtatin,
kur padashje zbulon tërë ndijimet që kishte.
 
Sot i lumtur është kushdo që ndjen uri dhe etje,
e s’i kujtohet çfarë bëri Adami dikur,
gjarpërin që mbylli Eva në një shishe,
e shohim si një lodër të bukur.
 
Dhe mendojmë,
si do të ishte bota pa e njoh lakuriqësinë,
pa e njoh urinë dhe as etjen!
Si do të ishte njeriu që ndrydh ndjesitë e tij,
dhe në botën e pas mëkatit,
nuk e njeh as vetveten!
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s