Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 
Poezi nga Rudina Muharremi Beja
 
 
***
 
Zogj që beftas braktisin stinën,
rrahje flatrash që drithërojnë qiejt,
dhembje që mbivendosen e therin gjer në asht.
Ndërsa ti, 
përditë pranverës ia zbeh ngjyrat,
e shtin në dhe të gjallë një narçiz…!
 
 
***
 
Sa herë që një ëndërr soset,
ulem tehut të mendimeve
e shkund krejt dremitjen e shpirtit që vetëdigjet.
 
Fajkua ringritur kurmit për së ngjalli,
Ç’të jetë vallë më keq se një fije e zhbërë,
përveç se humbjes së dëshirës për të ëndërruar sërish…?!
 
 
Bien…
 
Të pafajshëm në egzistencën e tyre të vockël,
ata, zgjedhin të bien
 
Bien e fshehen si thëngjij,
memecërisë së hirit të tyre,
si një e keqe e padukshme
humbin privilegjin e një zemre
dhe si tymi i zjarrit që shuhet
arratisen andej nga erërat fryjnë.
 
 
***
 
Brishtësia e një ëndërre,
shpërfill skllavëritë,
lakmitë që botën lidhin
e shndërrohen përditë në altar!
 
 
 
***
 
As fjalë, as lajm
teksa dëgjoheshin;
përmes rrezes së ngrohtë
përmes shiut që njomte buzën
përmes erërave që kaherë ia përkëdhelnin flokët.
 
 
 
Të kërkoj!
 
Fletët e ditëve do të zbehen
dhe kryet tulipanët do të përkulin nga trishtimi
atë ditë,
kur portat të pluhurosen nga harresa
e kanatet të përplasen mëkot nëpër erë.
 
Kangjellat, do t’i hajë ndryshku,
oborrit grahma gjithkund do të mbijë,
ndërkohë që ne,
rënë grackës ku na flaku jeta,
botës do të vazhdojmë t’ i biem qark
me sfilitjen dhe premtimet e pambajtura
e zemrën që shkulmon në kraharor.
 
Atëherë,
udha që gjarpëron kodrës do të tkurret
për të fshehur përgjithmonë nostagjinë e kohës
sythin e një buzëqeshje
e tis i trishtimit do të mbulojë horizontin
qiellin, gjer skajeve të fundit,
ndërsa loti i kripur do rrjedhë
dhe një tjetër brazdë do e bëje më të thellë.
 
Me sy do të kërkoj përtej të pamundurës
ndoshta një lule ka çelur avllisë,
ndoshta një flutur krahët ka shtrirë
erërave që loznin me flladin e stinës
këngës së zogjve të agut,
apo shkretëtirës së shpirtit tim
mbuluar cohës së hollë të një dhembjeje.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s