Poezi nga Hana Xhihani
***
Dikur,
Era ishte aq e butë,
Qielli ishte kaq i kthjellët …
Hijet e pemëve rreth shtëpisë
Bënin vizatime në mure.
Zëri përshëndetës i fqinjëve bëhej muzikë.
Drurët e lagur bëheshin mjegull
Dhe kafeja piqej nga duart e nënës.
Oborri i madh plot aromë fëmijësh lulëzonte në çdo stinë.
Papritur, dielli u hidhërua.
Një shi i madh lagu themelet, çatinë, pemët …
Kolona vertebrale e shtëpisë u thye.
Në shtratin e dhembjes nuk kishte më zë.
Një kutizë e mbyllur me një trup të bukur shkonte drejt një makine të zezë
Atë çast breshëri filloi të qepte horizontin
E si një vello mbuloi makinën, rrugët …
Nëna më mbërtheu në gji të më mbronte.
Atë moment një zë shpirti foli :
Bijëza ime e bukur, të shkula buzëqeshjen !
Asaj kohe
Nuk dija ta zbërtheja atë formulë,
Ndaj nëna ngriti një pus vaji.
***
Lermë, lermë, vendi im,
Lërmë të vij bashkë me pranverën,
Lërmë të shoh qiellin, agun …
Me mall të puth pragun!