Poezi nga Myrteza Mara

 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
KËNGËT E POETIT
 
Ah, këto këngët e poetit si fole zogu në shkëmb
Vijnë përlotur duke qeshur, shërojnë plagën që dhemb
Kënga-shpirti, lot i diellit, psherëtima ndezur zjarr
Pasqyrë si kristal i qiellit, ëndrra me vello të bardhë!
 
Ju që dini të këndoni, ju që këngë keni në shpirt
Hyni tek zemër e poetit, nuk ka çmim, ka veç dritë!
Shpirt i endur me muzë në tezgjahun e çdo ëndrre
Rrënj’e fjalës mbirë në buzë, është vallja e çdo kënge.
 
Ju që zjarrin keni mall, mos kërkoni vatër tjetër
Vetëm kënga është zjarr, zjarr nga shpirti i poetit
Loti i nënës, lot i syrit e gjen veten në çdo varg
Është fllad i ngrohtë i gjirit, guri me rrënjë në prag.
 
Dhe ju vajza, oh ju vajza, tërbim i syrit të detit,
Ju që dallgët bëni varka, dehur nga këng’e poetit
Ju sirena, ju dhe nimfa nëpër dridhmat e tërmetit
Dhe aty ku mungojnë dritat ndrisni si yje profeti
 
Udhët tona nëpër mote, nëpër këngët e kësaj jete
Janë sa pesha e kësaj bote, janë sa brengat e poetit
Kur koha pikon gjak dhe kur tymi mbulon diellin
Ndez poeti këngën flakë, vetëtimë piskam’e qiellit.
 
Edhe fjala, dhe bekimi mbajnë aromë poezie
Kënga është firmë betimi, është frymë dashurie.
Dëgjoni zërin e këngës, zëri i jetës dhe në acar,
Ajo flet gjuhën e zemrës, ajo shpirtin mbanë gjallë.
 
 
MES DY DASHURIVE
 
Të jem xheloz kam njëmijë arsye,
Ndaj marrosem si gurët e ortekut
Sa herë në qiell shkëlqejnë yjet
Ti shkon mes tyre dhe më le vetëm!
 
Se qielli nuk ndriçon dot pa ty,
Yjet s’kanë ku e marin shkëlqimin
Si unë dhe ata, dehur në dashuri
Me ata e kemi firmosur betimin!
 
Mes dy dashurive nuk mungoj,
Qielli është dashuria jonë e parë.
Të dy dashuritë unë i adhuroj
Të dyja më falin dritë edhe zjarr!
 
Sa herë kthehesh nga qielli i artë
Shkund copa yjesh mbi supet e mi
Ma djeg xhelozinë nëpër natë
Me puthje qielli më fal lumturi!
 
Në bukurinë tënde humbas përherë
Humbas unë, edhe yjet humbasin
Me fat jam unë, dhe yjet në qiej
Me ty dhe yjet e kam lidhur fatin!
 
***
Do bëhem i tëri si gurë orteku,
Nëse del hëna dhe të rrëmben
Pa ty dhe yjet më mirë i vdekur
Të jem xheloz?…Pse mos të jem?
 
 
FALEMINDERIT QË JE
 
Ti më thua e para “mirëmëngjes”,
Dhe “natën e mirë” ti e fundit
Edhe zjarrin e zjarrit ti e ndez
Ti më përhumb në lëndinat e gjumit.
 
“Ditën e mirë” dhe “mirë se të vish”
Dhe gazin e përcjelljes nga ti e marr
Je ti e para që m’i deh sytë me dritë
Ndaj edhe rruga më bëhet e bardhë.
 
Je ti që m’i lidh duart rreth qafe
Dhe ma heq lodhjen si me magji
Me një filxhan pimë të dy kafe
Duam të ndihemi edhe pak fëmij!
 
Me emrin dhe shpirtin tënd
Kam lidhur gjithë fijet e jetës
Çdo fjalë e jotja më bëhet këngë
Me ty ngjit shkallët e së vërtetës!
 
Që herët jam lutur në sy të qiellit
Për gjysmën e vetes, munguar
Por kur m’u bëre ikonë e diellit
Ndihem me krahë për të fluturuar!!
 
Faleminderit që je! Nuk di pa ty,
Në do kish ajër dhe dritë kjo botë,
Ndoshta s’do dija ç’është një dashuri
Pa ty, edhe të dua, nuk jetoj dot!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s