Poezi nga Petraq Risto

 
Poezi nga Petraq Risto
 
 
Zogjtë
 
Rastësisht u ndodha pranë dy zogjve në grindje
po s’bëja dot gjykatësin
si zgjidhje përplasa pëllëmbët
zogjtë të trembur përplasën krahët
të bindur se veprimi im një ditë do gjykohej
në kolegjin ajror të zogjve.
 
Fjala e zogjve:
Kur avionët ulen në tokë
…se natyrisht gjithkush që ngrihet, ulet
kur ulen avionët në tokë njerëzit duartrokasin jo nga gëzimi po frika
…se natyrisht gjithkush që ngrihet, ulet
Dhe ne që qiellin e kemi gëzim kur ulemi në tokë dridhemi nga frika.
…se natyrisht gjithkush që ngrihet, ulet.
 
Qielli ynë është më i pastër se i njerëzve
jemi më pranë Zotit: Ai duke qenë lart
ka krahë si ne dhe çukit yjet.
Ne i kemi krahët lart si engjëjt
njerëzit i përplasin pëllëmbët poshtë
i përplasin për të na trembur
pastaj nga frika e Zotit
ngrijnë përplasjen
dhe bëjnë sikur luten…
 
 
Kur vdes një dashuri…
 
Kur vdes një dashuri vërtitet nëpër ajër atje ku brof ylberi
Kthehet në pluhur mbi supet e dashurive të reja
Bëhet pjalm në lule nderi
Ku pagëzohet bleta e marramendet rrufeja.
 
Kur vdes një dashuri nën borë zgjohen fidanet
Bien shirat – shkronja nga një abetare blu
Dhe një skenë e madhe ngadalë i ngre siparet
Ëndrrat ngrenë qepallat thellë në sytë e tu.
 
Kur vdes një dashuri natyrshëm lind një tjetër
Veç Dashuria s’mplaket: mbetet dritë e re
Vdes një dashuri po dhe syri i verbër
Pikon lot të ngrohtë: veç loti na njeh, veç loti na njeh…
 
 
Më mungon, u them…
 
Kur ti mungon trëndafili më tërheq për mënge
Kështu ndihmojnë të verbërin nga rrëzimi. Më mungon, i them.
Zemra jehon si bastuni në rrugicat e brinjëve: më mungon, i them.
 
Mungesa ka qiell të zymtë me re mëllenjash
Horizonti është bletë balsamosur në dyll
Qyteti më duket absurd: libër rrëfenjash
Ku përpëlitet e digjet një yll. Më mungon, i them.
 
Dal në breg, albatrosët e hirtë me kamat e krahëve
Presin ca koka te padukshme mungese
Oqeani me dallgë si gjuhët e kambanave
Në kulmin e një meshe… Më mungon, u them.
 
Po si mund t’i mungoj oqeanit – bregu
Drerit – shtegu, mëllenjave – qielli …
Eja dhe horizonti do gjallërohet si një bletë
S’do më tërheq për mënge trëndafili…
 
Eja dhe në qytetin e madh do hepohen rrëfenjat
Si velat kur anija merr nga bregu
Eja… gjer tek unë do të shoqërojnë zgalemat
Dhe dreri për dy orë s’do kaloj te shtegu…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s