Poezi nga Eva Kacanja
Të përpëlitesh nga dhimbja…
Të përpëlitesh nga dhimbja,
do të thotë,
të mos ndjesh kurrizin
të djegë prej tehut t’thikës,
Do të thotë,
Të mos ndjesh shpirtin flutur,
tmerruar n’krah t’frikës,
Do të thotë,
të mos ndjesh syrin e kripur,
përzhitur prej errësirës,
do të thotë,
të mos ndjesh lëkurën,
Parfumin e së mirës,
Do të thotë,
Të mos ndjesh
zemrën,
kockat,
Urat,
ku shklet bota,
të mos ndjesh asgjë,
që më parë,
qe jotja!
Të përpëlitesh nga dhimbja,
Do të thotë,
ta shohësh trupin
dhe shpirtin tënd,
në mijëra copa copëtuar,
braktisur,
në at’Hon…
E ti,
Të përpëlitesh,
Pa ndjerë,
Fare pa kuptuar,
që edhe kështu,
Jeton!