Intervistë me shkrimtarin Petraq Zoto. / Bisedoi: Raimonda Moisiu

 

petraq zoto

                Petraq  Zoto

Intervistë  me shkrimtarin Petraq  Zoto

 

 

raimonda

Bisedoi:  Raimonda Moisiu

 
Ajo ç’ka e bën edhe më interesante jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit të mirënjohur korcar Petraq Zoto, është se ai në radhë të parë i përket binomit jetësor Njeri & Shkrimtar. Njeriu që transmeton mesazhin hyjnor të dashurisë njerëzore. Kjo, jo për shkak se ka lindur në Ziçishtin e dashurisë e të traditës kulturore, por sepse ai sjell për lexuesin tregime e romane me dashurinë e një zemre humane. Me një mënyrë tepër ndjesore të këndvështrimit personal e origjinal të botës e njerëzve që e rrethojnë, ka pasur arritje dhe suksese në karrierën e tij, por dhe i vëmendshëm ndaj kritikës letrare e kërkesave gjithnjë në rritje. Zoto është një rrëfimtar I talentuar dhe krijon karaktere realiste bazuar në përvojën e tij personale, por edhe në eksperiencat jetësore, në vazhdën e paraardhësive të tij, elitën e shquar korçare të letrave shqipe, si Sterjo Spasse, Sotir Andoni, Teodor Laco, e cila vijon më tej më të rinjtë Thani Naqo, Andon Andoni,Gjergji Dushku, etj, Tregimtar terrifik, midis të mundshmes e të paparashikueshmes, zotëron një ndjeshmëri mahnitëse në transformimin e një subjekti të vështirë në një subjekt të dritës e shpresës. Ai shkruan tregime e romane. I pëlqen të eksperimentojë me prozën, i paparashikueshëm në ambicien e tij krijuese, sjell në vazhdimësi vlera të reja artistike. Për këtë flet shumë krijimtaria e tij dhjetravjecare. Ai vazhdon të shkruajë e të na befasojë në udhëtimin e gjatë të krijimtarisë e tij…

Për më tepër ndiqni bisedën që unë bëra me shkrimtarin e shquar Petraq Zoto.

Kur e mësuat se lindi pasioni e dëshira për të shkruar? Si keni mundur të arrini deri këtu?
– Fillimin zor ta ketë kush qartësisht të përcaktuar. Në rininë e hershme isha i pranishëm në një takim të Sterjo Spasses me lexuesit. Trupmadh, me flokë të gjatë e të dredhur përfund, e shihja me kërshëri të zbuloja ç’gjë të veçantë kishte ai njeri që tashmë ishte shkrimtar i mirënjohur. Gjeta rastin e i thashë se kisha lexuar një roman të tij dhe se bëja përqasje ndërmjet personazheve e njerëzve që njihja. Ai më pa me vëmendje. Lexo sa më shumë, më tha. Dhe provo të shkruash…Që atë ditë bëra një shkrim me mbresa nga takimi me të, e dërgova në gazetën “Zëri i rinisë” e prisja të botohej. Nuk u botua, po ndërkohë nisa të shkruaja tregimet Bëra disa, dy ia çova Sotir Andonit, ai më tha si punonte me tregimin. Pastaj frekuentova rrethin letrar pranë pallatit të kulturës në Korçë, një rreth tejet aktiv, bënim diskutime të shumta krijuese, ia lexonim krijimet njëri-tjetrit e bisedonim për to, një shkollë e vërtetë letrare. Në atë kohë shokët e mi të afërt ishin Teodor Laço e Koçi Petriti. Mbaj mend se Andon Mara më përzgjodhi një tregim për almanakun “Korça letrare”, një tjetër m’u botua në gazetën “Pionieri”, pastaj dhe një në faqen letrare të revistës “Ylli” e kështu në vijim. U inkurajova e shkruaja vazhdimisht, pas një kohe tregimet për fëmijë i mblodha në një libër me titullin “ Tirka” e i dërgova në konkursin kombëtar të vitit 1966, ku u vlerësua me çmimin e tretë. Kështu qe fillimi.

 

Ku qëndron forca juaj për të ecur përpara? Është ambicje , sfidë apo të dyja bashkë?

 

Më tepër dëshira për të bërë sa më shumë, për t’ia vjelë të gjitha frytet e mundshme jetës e për të shtuar vlera të reja.

 

Cili është elementi më i rëndësishëm dhe interesant për të shkruar prozë të suksesshme?

Përveç talentit, të kesh jetë të pasur dhe kulturën e nevojshme letrare. Këto jo përherë varen nga autori, por ai mund e duhet t’i kompletojë vazhdimisht.

Kur e mësuat se mund të shkruani prozë? Si ju lindi ideja të bëni novelë dhe roman?

– Besoj se kjo ka të bëjë me prirjet krijuese. Krijimtarinë e mirëfilltë letrare e nisa me tregime, më vonë erdhi edhe romani. Atëherë isha mësues e shkrova romanin “ Verka”, në të cilin pasqyroja jetën e një klase të shtatë. Mësuesit e pritën me kënaqësi, bënin lexime jashtë klase me të e shpreheshin me entuziazëm. Në atë kohë jo unë, por as letërsia jonë s’kishte përvojë në prozën e gjatë për fëmijë e të rinj ( dy romane të mëparshëm, “Debatiku” i S. Vaqarit dhe “ Shpella e piratëve” e P.Markos ishin hequr nga qarkullimi për shkak të autorëve). “Verka” pra, ishte përvojë e inkurajim.

 

 Sa kohë ju merr shkrimi i një libri?

Nuk është diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë. Librin “Gjahu i së dielës” e kam shkruar brenda një muaji, romanin në punim e hodha në letër gjatë dimrit 2005-2006, iu riktheva në fillim të vitit 2009 e them ta përfundoj brenda gushtit 2010.
Si ka mundësi që ju shkruani kaq shumë dhe nuk konfuzoheni aspak në shkrimet tuaja?

Më parë shkruaja shpejt dhe po shpejt i çoja për botim. Me fitimin e përvojës, mënyra e të shkruarit s’ka ndryshuar; kur jam i frymëzuar, shkruaj vrullshëm, shpesh trembem se mos më zbehen a më shuhen ato që kam në mendje, mirëpo prej kohe nuk ngutem më për botim, krijimet i mbaj gjatë në dorë e iu rikthehem e i ripunoj vazhdimisht. Po të mos ndihem mirë e s’më ecën, nuk shkruaj, por bëj punë përgatitore ose merrem me ndonjë rishikim të krijimeve në proces.
Në fillim kam shkruar vetëm tregime, më pas edhe romane, pra kam qenë i qartë në prirjet e mia e s’kam ndier kurrfarë konfuzioni.

 

A keni bërë poezi?

Kam shkruar edhe poezi, po s’pata nxitje për t’i botuar, as për t’iu kushtuar poezisë.

 

Si e balanconi jetën midis të qenit shkrimtar dhe familjar?

Njerëzit e mi përherë kanë qenë të përkushtuar ndaj meje, pasi puna si drejtues i institucioneve kulturore e artistike më merrte shumë kohë. Punoja para e pas dite, krijimtarisë i kushtohesha kryesisht kur e merrja lejën krijuese. Tani ndihem mjaft i qetë në këtë aspekt.

 

Kur shkruani një libër, ç’ aspekt është më i vështirë, shtjellimi i personazheve apo i ngjarjes në tërësi? 
Asnjëherë s’ndodh të kem një rend të caktuar. Bëj kujdes t’i hedh sa më parë ato që më shtjellohen në kokë, pastaj vijoj me çfarë kam më të qartë. Qysh herët përvijohet një piketim i librit e i personazheve, punoj qetësisht kur arrij ta fiksoj hyrjen dhe fundin. Shpesh një gjetje e bukur të bën me krahë. Fjala vjen, para se të shkruaja romanin “Genta”,e kisha të qartë mesazhin, i cili thotë se sa keq është kur mendohet për martesën pas martesës. Si krejt të veçantë do të përmendja ciklin me tre romane fantastike, ideja për të cilët më lindi menjëherë, pasi lexova librin e Thimi Mitkos “ Bleta Shqiptare”.

 

Jam impresionuar sa mirë i trajtoni personazhet në tregimet dhe romanet tuaja. Si ia arrini kësaj?

Sado e fuqishme qoftë, fantazia e shkrimtarit nuk i krijon dot gjithë ata tipa që na ofron me bujari jeta njerëzore. Krijuesi zgjedh ndër tipat e përafërt që ka njohur e i plotëson sipas synimeve të tij artistike. E rëndësishme është të ketë jetë aktive, pra t’i njohë njerëzit.

Cilët janë librat që ju keni punuar në të njëjtën kohë?

Nuk punoj me dy a më tepër libra njëherësh. Madje më duket disi e çuditshme që një autor të lëvrojë disa gjini e lloje letrare. Krijimtaria e suksesshme do përqendrim sa më të plotë. Vetëm në dy raste më ka ndodhur të merrem me dy libra në të njëjtën kohë, më mirë të them njëri i hyri në hise tjetrit. Në verën e vitit 1984 isha me lejë krijuese e po punoja për vëllim me tregime “Nesër bëhet vonë”. Befas, një mëngjes vetiu nisa të shkruaja diçka tjetër, një tregim për fëmijë. E shkrova me një frymë e vazhdova tregimet me personazhe kafshë e mbresa gjuetie. Në 24 ditë shkrova 18 tregime. E përfundova edhe librin për të rritur, të dy fituan çmim të dytë në konkursin letrar të atij viti, ditën e fundit u vendos që një autor të mos merrte më shumë se një çmim, kështu m’u dha vetëm ai për “ Nesër bëhet vonë”. Por tjetri, “Gjahu i së dielës”, e nisi mbarë dhe në vitin pasues u vlerësua si libri më i mirë i viti 1984 në prozën shqiptare për fëmijë e të rinj. Një gjë e ngjashme më ka ndodhur edhe me romanin “Kali fluturues”.

 A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot? Ç’ mund t’u thoni kritikëve të sotëm?
Tani kritika është sporadike, s’ka më institucion kritike, dua të them s’ka ndonjë organizëm që të inkurajojë kritikën. Bëhen promovime, shpesh të bujshme, ku shokë e miq të autorit flasin për librin që promovohet, pastaj mendimet e tyre i publikojnë në shtyp e media televizive si arritje të veçanta në letrat shqipe. Kohët e fundit lexova dy shkrime vërtet cilësore nga Gëzim Alpion, njëri për një libër të Thanas Jorgjit, tjetri për romanin e fundit të Visar Zhitit, dhe një shkrim mbresues nga Ardian Kyçyku kushtuar një novele të Istref Haxhillarit. Përveç nivelit të lartë të trajtimit, është kënaqësi të vëresh se të dy studiuesit nuk druhen aspak të bëjnë vlerësime të larta edhe për autorë që s’janë aq shumë të njohur.
Të largohemi paksa nga tema. Jeni nga Korça. Çfarë nënkupton vendlindja për ju? 

Unë kam lindur në Ziçisht, një fshat me shtëpi dykatëshe e rrugë të shtruara me kalldrëm ku që në vitet ’30 bëheshin mbrëmje vallëzimi e këndoheshin serenata dhe martesat lidheshin përmjet dashurisë. Fshat arsimdashës e me kulturë të hershme, ka nxjerrë vazhdimisht personalitete të spikatura. Nga Ziçishti kanë qenë Evllogjio Kurila, doktor i shkencave në filologji e histori që në fillim të shekullit të kaluar, mitropolit i Korçës në vitet ’30; Kosta Çekrezi, një ndër personalitetet më të shquar shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX; Vasil Xhaçka, Sotir Andoni, mjaft shkrimtarë të rinj si Thani Naqo, Andon Andoni, Gjergji Dushku, Llaqi Zoto, profesorë e doktorë shkencash, artistë. Nga Ziçishti qe Llambi Andrea, i cili solli automobilin e parë në Korçë.
Në Korçë kam kaluar pjesën më të rëndësishme të jetës sime. Korça u bë qyteti im dhe unë qytetari i saj i përkushtuar. Më bëri për vete qysh herët qyteti që i priu lëvizjes kombëtare dhe kulturës e artit shqiptar, Korça e shkollës së parë shqipe dhe e Liceut me kontribut universiteti, qyteti i serenatave e i korit pasionant karakteristik dhe i teatrit brilant, sikurse i një aradhe shkrimtarësh e artistësh me emër në mbarë vendin, ndërmjet të cilëve punova e pata mirëkuptim, dhashë e mora mirënjohje. Korça më afirmoi si shkrimtar e si drejtues në sferën e kulturës e të artit, për më se 30 vjet kam qenë drejtor i Pallatit të Kulturës, pastaj i Teatrit, kryetar i degës të Lidhjes së shkrimtarëve e të Artistëve me 120 anëtarë. I inspiruar nga patriotët Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno,Vani Kosturi, Sevasti Qiriazi e të tjerë në vitin 1981 botova një libër me tregime historike. Për Korçën refuzova dy emërime të konsiderueshme në Tiranë.Bashkëshortja ime është po ashtu korçare, qytetin e magjishëm e kemi përherë me vete, në trevën e saj e ka marrë dhe e merr nektarin krijimtaria ime letrare.
Cili është shkrimtari Petraq Zoto për lexuesin shqiptar?

Autor i disa librave të vyer për fëmijë, mosha e adoleshencës së hershme. Një cikël prej tre romanesh me pikënisje nga përrallat e hershme shqiptare dhe “ Gjahu i së dielës” po ribotohen shpesh, çka dëshmon vlera të qëndrueshme artistike e jetëgjatësi, gjë fort e dëshiruar për çdo shkrimtar. Me botimet e fundit, ( romani “Genta” e libri me tregime “Universi njeri”), dhe me romanin në përfundim e tregimet e zgjedhura që synoj t’i përgatit së shpejti, them se sjell kontribut dhe në prozën për të rritur.

A jeni zhgënjyer ndonjëherë?

S’besoj të ketë njeri pa zhgënjime, veçanërisht një shkrimtar. Sapo del nga shtypi një libër i ri, bëhem kritik i vetes. Por kam edhe libra që, edhe pas botimit, vijoj t’i dua e s’resht së ripunuari, fjala vjen, romani “ Burimi i drerit” këtë vit pati botimin e 8-të të përmirësuar.

 Sot vemë re një mërgim të inteligjencës shqiptare. Si e shikoni ju të ardhmen e Shqipërisë?

-Mërgimi i postdiktaturës ishte tronditës. Është e dhimbshme të mendosh sa shumë intelektualë e lanë vendin e bëjnë punë të rëndomta, por dhe kënaqësi që shkrimtarët e vazhdojnë me sukses krijimtarinë e tyre, sikurse brezi i ri po shkollohet e afirmohet në vende të zhvilluara. Nga ana tjetër, kombi ynë është vital, gjeneron vlera. Në fillimet e demokracisë kujtonim se do të qe e lehtë, s’na doli kështu, kemi pësuar mjaft zhgënjime, por e ardhmja tashmë s’vihet në dyshim, besoj në një të ardhme evropiane.

 

 Ç’është dashuria për ju? Cilat janë dashuritë tuaja? Sa i ruani ato brenda shpirtit ? Kur e ndjen se një burrë ka të tilla në jetë?

Dashuria në kuptimin e gjerë të fjalës, për njeriun e jetën, natyrën, të bukurën e të mirën dhe të drejtën, po edhe në kuptimin më të ngushtë, është pjesë e jetës. Duke pasur një ndjeshmëri të lartë, krijuesit janë më të prekshëm prej saj. E jetuar a virtuale, kalimtare apo jetëgjatë, sido qoftë, dashuria injekton prushitjen e shpirtit krijues dhe të vetë krijimtarisë. Kur privohet nga një dashuri, njeriu bëhet edhe më i dëshiruar ndaj dashurisë. Njëzet vjet që jetoj me Tatianën, herë më duket se tani sapo jemi njohur, herë të tjera se së bashku kemi qenë gjithnjë. Lexuesja e parë e krijimeve të mia, prej saj e pres miratimin e parë, sikurse edhe sugjerimet për përmirësime të mëtejshme. Ajo bën përkujdesjen letrare të librave të mi. Dhe e bën me zell e dëshirë, me dashuri.

Si jeni ndjerë përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit ?

Prej vitesh nuk përzihem shumë në mjediset krijuese, le që tashmë thuajse mungojnë krejt. Në këtë vështrim klubi Bota e Re përbën oazin e një klime të frytshme bashkëpunimi, ndoshta i vetmi mjedis krijues me vazhdimësi, ku publikohen krijime e debatohet rreth tyre.

 Ç’ synime keni për më tej?

– Ju s’e bëtë pyetjen e rëndomtë ç’po shkruaj, e cila më parë qe grahje për të shkruar sa më shumë. Nxitja bëhej me konkurset letrare, me dhënien e lejëve krijuese, oraret e reduktuara, me informimet mbi krijimtarinë që kërkonte LSH e organizma të tjera. Për pasojë shtohej sasia e krijimtarisë dhe ulej cilësia e tyre artistike. Tani kemi shpëtuar nga kjo lloj nxitje e bezdisshme, secili shkruan kur të dojë e çfarë të dojë, ekziston realisht mundësia që krijimtaria letrare të jetë e lirë e vetjake. Jam duke përfunduar një roman mbi raportin ndërmjet fajit dhe pranimit të tij, në kushtet e mjedisit dhe gjyqësorit tonë që e ndërlikojnë problemin dhe e vështirësojnë zgjidhjen. Pas kësaj do të përgatit një përmbledhje me tregime të zgjedhura. Projektet krijuese nuk reshtin, njëherë tjetër për libra të tjerë.

 

Çfarë ju ka mbetur peng?

Sikur ta nisja nga e para, do të isha më racional në raportin ndërmjet punës për të tjerët e për veten si shkrimtar, pasi kjo është puna që s’e fshin koha e ndihmesën s’ta mohon dot askush. Peng e kam, gjithashtu, ndikimin e keq të grahjeve krijuese, sidomos në periudhën e parë të krijimtarisë. Nga viti 1966 deri në fillim të viteve ’80 botova 11 libra, për disa prej të cilëve s’jam dhe aq krenar.

 Hobi e pasioni juaj .

Kohë më parë pata pasion gjuetinë e pokerin. I përhershëm e i pareshtur ka qenë e mbetet pasioni ndaj librave, sidomos letërsia artistike. Kam lexuar shumë e lexoj vazhdimisht.

 Mesazhi për inteligjencën shqiptare dhe talentet e reja.
Të bëjnë më të mirën e mundshme. Të shkruajnë kur e ndjejnë se kanë vërtet për të thënë diçka të vlertë.