Poezi nga Brahim (Ibish) Avdyli

 

Poezi nga Brahim (IbishAvdyli

Brahim AVDYLI

Brahim (IbishAvdyli

 Shënime biografike për autorin

 

Brahim (Ibish) Avdyli (1960), është poet i cili i takon plejadës së krijuesve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). I lindur dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në këtë vend me tradita të njohura kulturore dhe kombëtare, që në vitet e hershme të rinisë së tij u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar.

 

 

Pas përfundimit të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Gjakovë i filloi studimet në Fakultetin Teknik, dega e arkitekturës, të cilat nuk i përfundoi, ngase, për shkaqe ekonomike, por edhe politike u detyrua të emigrojë në Zvicër. Dy herë ka qenë me vendim federal i përjashtuar prej Zvicrës. Më vonë, si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik i kreu studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë së madhe shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet postdiplomike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike- Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, ku në tetor të vitit 2010 ka mbrojtur temën e magjistraturës.

 

 Ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 ka udhëhequr revistën “Qëndresa“ në Zvicër.

 

 

Pos botimeve në periodikun shqiptar, ka publikuar këto libra:

 

Në hijen e Alpeve”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983;

 

Buka e kuqe”, poemë, Atdheu, Cyrih, 1990;

 

Kur zgjohet Dodona”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992;

 

Pasqyrë e përgjakur”,poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994;

 

Klithje nga fundi i ferrit”,poezi, Onufri, Tiranë, 1997;

 

Gjuha e dheut tim”,poezi, Albin, Tiranë, 1999;

 

Klithje nga fundi i ferrit”, botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000;

 

Baraspesha e humbur”,poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003;

 

Vragat e një kohe”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005;

 

“Lëvozhga e vdekjes”,prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007;

 

Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë”, Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008;

 

Zogu i këngës”, poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009;

 

– “Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj”, politikë-publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011;

 

-“Qielli i paprekur”, poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012.

 

“Vetëvrasja e një poeti”, dramë, Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, Gjakovë, 2013;

 

 

Është i prezantuar edhe në këto libra:

 

Rrjedhë e lë gjurmë”, poezi e studentëve të Kosovës, Bota e Re, Prishtinë, 1983;

 

– Nebil Duraku, “Shkrimtarët e Kosovës, 1945-1985″, Rilindja, Prishtinë, 1985;

 

Poezia dal Kossovo”, Antologji e poezisë kosovare, Besa Editrice, Nardò, (Lecce), Itali,1999;

 

– Hasan Hasani: “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar, 1501- 2001″, Faik Konica, Prishtinë 2003;

 

Vulcanul răbdării/Vulkani i durimit”, Poeme traduse în limba română de Baki Ymeri, Editura Do-Minor, Bukureşti (Bukuresht), 2008;

 

– Halil Haxhosaj: “Përkushtime/Poezi kushtuar Din Mehmetit”, KL “Gj.N.Kazazi”, Gjakovë, 2009;

 

– Agim Vinca: “Muza e Mëmëdheut/Njëqind poetë për Atdheun”, Antologji, SHB “Eugen” Tiranë dhe “Botomet Artini” Prishtinë, 2012;

 

– Betti Fichtl, “Bahnhof der Träume”, Edition Wendepunkt, Weiden/D, 2013;

 

– Lulzim LOGU, Muharrem KURTI: “Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës”, Klubi Letrar “Gjon N. Kazazi”-Gjakovë dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe artistëve-Tropojë, Gjakovë, 2013; etj…

 

 

Libri i tij i parë poetik „Në hijen e Alpeve“ ka hyrë në zgjedhje të ngushtë për shpërblimin “Hivzi Sulejmani“ që filloi të jepej në vitin 1983 për librin më të mirë të autorëve të rinj.

 

 

Është fitues i vendit të dytë në konkursin letrar me rastin e 28 Nëntorit, më 1997, të organit të LPK „Zëri i Kosovës“; i Penës së Artë në takimet pranverore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001. Me 25 prill 2009 ka marrë shpërblimin e parë “Agim Ramadani” në Konkursin e hapur pranë Qendrës Kulturore Shqiptare për poezi në Cyrih të Zvicrës. Shpërblimin e dytë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar dhe të lexuar me 1.5.2010, si dhe Shpërblimin e parë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar, të lexuar me 25.4.2011, e ka marrë në Orët e mëdha Tradicionale Letrare për Pavarësinë e Kosovës, të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarëve të Gjermansë, në Koblenz të Gjermanisë. Nga e njëjta “Lidhje…”, në të njëjtin vend, e ka marrë Çmimin e e parë për poezitë e konkuruara dhe të lexuara atje, më 23.03.2013 në të cilën e ka prezentuar edhe Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës.

 

Shpërblimin e tretë “Azem Shkreli” për librin më të mirë të poezive “Qielli i paprekur”, të ndarë për tërë mërgatën shqiptare, e ka marrë poeti në Eneppetal të Gjermanisë, me 1.06.2013.

 

 

Shkrimi i parë që e ka shkruar ky autor ka qenë një dramë. Ajo nuk është botuar. Nga vendstrehimi nëntokësor në shtëpinë e tij në Morinë të Gjakovës është marrë apo është djeguar drama e tij e veçantë “Gremina”, e cila ka pasur si temë fundosjen e Jugosllavisë, së bashku me 1500 faqe prozë A4. Vepra e parë i është botuar më 1983, me dy vite vonesë, nga Ali Podrimja. Tani po mbushen 30 vite nga botimi i veprës së parë.

 

 

Brahim Avdyli është njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); anëtar i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës (SHKSHZ), dhe i disa organizatave të tjera.

 

 

Poezia e tij është përkthyer në italisht, gjermanisht, rumanisht, anglisht. etj.

KTHIMI I PËLLUMBIT

U kthyen pëllumbat

nga fundi i shekujve

nga fillimi i shekujve

nga Drita dhe Qielli

duke pëshpëritur

dhembjen e tyre pëllëmbore.

Nuk e di cilën ngjyrë e kishin

herë më dukeshin të bardhë deri në të zi

herë më dukeshin të zi në të bardhë

e herë ndërronte rreze dielli në sy

deri sa e mbulonin Qiellin

me krahët e përpëlitjeve.

A e dini ndokush dhembjen e tyre

apo dhembjen time të ma tregoni,

nuk kam fjalë për këtë këngë përpëlitëse

me ajrin e mbarsur të lindjes

me ajrin e mbarsur të jetës!

Ejani pëllumba, ejani gjatë dhembje

me gugutë e juaja të këndshme

nuk më jeni ndarë prej fëmijërisë sime,

dhembjen tuaj të qetë e të butë

e kam qarë në qendër të vrapimit

rreth Diellit edhe pse i zjarrtë,

kur ta pushtoni rrezen e shkruar

nga Dodona e parë

na e sillni atë fjalë

tërë njerëzimi do ta kuptojë

pëshpëritjen e kthimit tuaj-

jeni tre kujtoj apo tre miliardë

që lëshoheni nga Degët e Lisit

të zgjatura nëpër hapësirën e Diellit

pëllumb i pandalur i shpresave

pëllumb i fatthënave!…

LEJLEKU I ËNDËRRAVE

Çdo gjë fillon me ëndërren

edhe kur nuk mund t`u bëjmë

me stërmundimin jetësor

si diçka të qenë,

kur hapen krahët e hapësirës

u nxjerrin juve në sipërfaqe

si pjesë e reales që vjen

me ngjyra të paqes,

ne u përkulemi përpara

sikur në vendlindje

edhe në Zvicër-

sytë e dritës ua ruajmë,

u thërrasim përtej fjalës

na e sillni një dhëmb të ri

kur ua hedhim të vjetrin…

dhe çdo gjë fillon me juve

lejlek të ëndrrave tona.

SHTEGËTAR I LIRISË

 Me flatrat e qiellit

udhëtoni largë

për të ikur nga dhuna

për të gjetur pranverën,

ne jemi lelekët1 e parë

prej emrit të Karianëve-

pellazgëve parahelen

dhe paralajmëtarëve

të ditëve më të mira.

Bëhemi së bashku

me lejlekët e sotshëm

e dalim kudo

nëpër botën e dhembjeve

për ta mundur dimrin

nëpër Evropë

dhe dëshirojmë Lirinë,

bëhemi shtegtarë

me ngjyrën e bardhë

si drita e Diellit

që vizëllon të buzëqeshë

larg, përtej shekujve!

Nuk e di nëse jemi

në jug-perëndim të Azisë

apo njeriut me qime

të rruzullit tokësor-

lelegë apo lejlekë

duke ikur nga vuajtjet

me flatrat e lirisë!

ENIGRMË E PËRJETSHME

1.

 O gjarpër i shenjtë,

mblidhesh në spirale

ethesh për ne

e ngritesh

me kokën e goditjeve

në bishtin

e dhembjeve.

2.

 Kur të shoh

më thahet pa shpirt

një fjalë në gojë

e regëtimat e qenies

ndrydhen të heshtura-

mitologjitë e botës

mblidhen sertë

ku do të jetë

dënimi i Zotit.

3.

 Herë bëhesh

shtagë e gjatë

dhe mbi ty mbahet bota

për të mos rënë

skrupull

me dhembjet e viteve

 e herë-herë

sa qel e mbyll sytë

bie mbi jetën

e shpërfillur

aty ku nuk të mendon njeriu

dhe e ka lëshuar

rrugën e zotit!…

4.

 Qindra poezi

mund të shkruheshin për ty

 edhe po të gënjenim

për të paqenën me fjalë

apo të përkryerën

kur të takojmë

të mbledhur lakuriq

rreth pritjes-

ti ngjitesh më lartë

me kokën përmbi heshtje

e hidhesh si shpatë

prandaj na rrëqeth

me ngjyrat e tmerrit

ngadalë

pështillemi larg

e largohemi

përtej vdekjes.

5.

 Njëmijë vjet

jeton me dhembjet

e vetminë

të ka plasur gjuha

nën gur

nën dushk e shi

nën dhé

duke pritur jetën

të soset

nën helmin tënd-

helm është jeta vetë

katran

i mbyllur në gur

enigmë e përjetshme!…

ORA E SHTËPISË

1.

 Ora e shtëpisë

ka trajtën e gjarpërit,

nën trarin kryesor

e vëzhgon shtëpinë.

Fishkëllima e tij

është thirrje kushtrimi

që përbanë

në tri ndarje

vlerat e familjes.

2.

 Është shpirt

i mbetur gjallë

Fi-Fi-Fiu,

ndër vite dhe shekuj

për të mbrojtur mikun

e për të shkatërruar armikun,

edhe pjesëtarët

që shpërfillen

nën kaptimin e djallit

nderin e moralin

e dhunojnë pafalshëm!

3.

 Atëherë zbresin

sa çel e mbyll sytë

 e zeza është kob për ata

që dhunojnë bukurinë

dhe armiqtë e tjerë

që vinë të porositur

edhe nga Iblisi

për të zhdukur prore

shembullin e mirë,

e bardha është paqe

për të gjithë shenjëtorët

dhe për fëmijët-

lulen e përtërirjes.

4.

 Në tulla të oxhakut

mund të qëndrojë ora

 në djep të fëmijve

kur nuk janë të lidhur

që ta mbrojnë

nga Satani

 ata që nuk kanë fuqi

vetë të mbrohen…

5.

 Ora e shtëpisë

i ngjanë hyjneshës së vatrës

 është gjarpër i veçantë

që i ndjekë brejtësit

 ata që zhbirojnë

nga kërshëria e tyre

dhe dëmtojnë…

6.

 mund të kthehen

në një qenie

mitologjike

 në formën e gruas

t`i ngjajë Zanës-

 është pra

gjarpëri i shtëpisë

bardhë e zi

 deri sa nuk shuhet

shtëpia!…

SUFERINAT E DHEMBJES

Gjurma e shkrimeve niset nga lashtësia

me kalanë që nuk rrëzohet aspak me fjalë

por kënga të pavdekshme e ringjallë ndër ne,

energjia e pashtershme e kësaj mbijetese

pikon me qumështin e viteve të dhembjes

nëpër gjëmën e djalit të vogël e bonjak,

nuk ka si ta lëmojë gjysmën e trupit

derisa nuk flet dhe është i ftoftë si vdekja

kështu që vjen nëpër legjendën e stërlashtë

dhe na e rritë prore mbi gur një lule-pemë.

Fati i Rozës kthehet fuqishëm në Rozafat

dhe ushqehet prore i biri me lot në sy

e neve na jep të thithim gjithë atë helm

brez pas brezi duke e përkundur rriten

nëpër regëtimat e heshtura flijuar në kohë.

Kambana e vargjeve ushton nëpër shekuj

nëpër sytë e nënës – zanë e qenies sonë

që gjithnjë na e jep qumështin e viteve…

Gurëzimi na rritet dikur në Urën e Fshejtë

dy brigjet e këngës sonë të na i përputhë

me jehonë të pashtershme të shkëmbinjve

në pikë të Qiellit mbërrijnë të na kthehen

derisa thithim nektarin e lulebjeshkëve…

 dhe çdo gjë fillon me gurët e kalave tona

që mbetën gjellë me fëmijë dhe rindërtohen

nëpër suferina e pambaruara të Këngës!

PUSHTETI I NDJENJAVE

 Njerëzit dhe grupet

klanet dhe klasat

të gjithë popujt

të gjitha shtetet

i tërheqin zvarrë

vargonjtë e pushtetshëm

e ëndrrat e therura

antagonizmash të ndërsjellë

nëpër zgavrat e kafkës

tërë qelbin e njerëzimit

e kullojnë…

e kullojnë!

 Askush se kupton

çka i tërheq vazhdimisht

kundër njëri-tjetrit

në rropullitje

copë-copë,

 është pushtet i pafund

pushteti i ndjenjave!

KAM ZBRITUR NGA YJET2

E shoh veten fëmijë nëpër arat me misër

jam në Zvicër por kujtoj se jam në Morinë

dhe loz me rrezet e ngrohta të Diellit

qe rriten në bukë të kallinjve.

Kalliri zgjatet e buzëqesh me vesën e mëngjeseve

sikur më përshëndet dhe dua ta përqafoj

jam edhe vet fëmijë që loz me Diellin mbi tokë.

Herë në Einsiedeln3 bëhesh birrë e misrit të artë

e herë bëhesh miell i bluar dhembjesh

për tu bërë misërnike

që e blej në shitoret e vogla të mallit

nëpër kodrinat e diellit

dhe vjen dita kur konzervohesh e grirë

për të ushqyer sërish Lopët e Diellit!…

Tani nuk e di mirë se në cilën kohë jetoj

në cilin shekull-

mijëra herë paskam zbritur rastësisht nga Yjet!

Thurau, 21.06.2013

 PIKËLLIMI

Kur ndodhesha larg nga këtu

kur ndodhesha në perëndim

kur vërdallesha rrugëve të botës

për një metelik

ju, të ulur mbi fron

ndoshta ëndërronit llullën e fildishtë

gjarprin e verdhë të perëndimit

 e përmalloheshit për mua

në pamundësi për të më gjetur.

Tani,

jam në vendlindjen e përbashkët

aty ku e kam harruar një varg

me ëndrrën e madhe të Atdheut,

më kot ëndërroj që tu shoh

pikëllohem, besoni!

1 Lelekët e parë janë fis i pellazgëve të vjetër në jug të Meadrit, një nga shtatë mrekullitë e botës, që janë shuar nga „grekët“. Poeti i bashkon me lejlekët si lajmëtarët e parë të pranverës, pra të lirisë.

2 Mbiemri „A-v-d-yl (l)“ do të thotë person i zbitur nga Ylli. Nuk është i njëtë me emrin Abdyl, e cila është shkurtesë e emrit Abdullah.

3 Vend i lartë në Kantonin e Schwizit, në Zvicër.

Dëshira Haxhi

   Dëshira Haxhi Dëshira Haxhi ka lindur në Zhulat të Gjirokastrës më 28.8.1976. Shkollën fillore dhe tetëvjeçare i mbaroi në vendin e lindjes për të vazhduar më tej në shkollën pedagogjike “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër dhe Universitetin “Eqerem Cabej” po … Continue reading