
Poezi nga Vullnet Mato
KTHIM TE DASHURIA E VËRTETË
Të pres me adhurim, në gjithë ditë-netët e mia,
në njëzetekatër orët e gjata, të vetmisë ditore,
shoh veç fytyrën tënde, vezulluar nga largësia,
siç shoh xixëllimin e një ylli, në kupën qiellore.
Imagjinoj se tradhtia, të ka vrarë shpirtërisht,
kthehu të lutem, të frymojmë, ku e kemi lënë!
Kthehu, jam penduar mendërisht e shpirtërisht,
gabimin rastësor, nga truri im kam përzënë.
Mendoja se bota kishte plot femra elegante
dhe te secila gjendej, ç’i duhej burrit dashnor.
Por kuptova, mbi të gjitha, është bota e madhe,
në dimensionin e një trupi të vetëm femëror.
Ndoshta, si unë për ty, ndjen edhe ti për mua,
kur ndarja, vijon lëkundjet, siç ndodh në tërmet.
Falja, forcon shtyllat, për dashuri të betonuar,
të përballojmë lëkundjet shumëballëshe në jetë;
Magjistaret, që i marrin peng Penelopës, burrin,
janë shfaqur herë pas here, nëpër mijëra vjet.
Kur u kthjellova, një e tillë më kish hequr trurin,
fillova të kthehem i penduar, te dashuria e vërtetë.
Ashtu si dielli tradhtoi Tokën, për Venerën,
dhe e la, ta mbulojnë akullnajat nga Jugu në Veri,
më pas i penduar, e mbolli me blerim të tërën,
pendimi im, do mbjelli blerim fëmijësh, tek ty.
Balli yt i ngushtë, mbuluar me krela bionde,
është një arë me grurë të pjekur, që valëzon,
nga frymëmarrja e ngrohtë e flladeve gojore,
sa herë u fryn flokëve dhe prej syve i largon.
Gjinjtë e tu të bardhë, janë dy fole të pushta,
ku zogjtë e puthjeve tona çuçurisnin ëmbëlsisht.
Koha është duke pritur, të vijnë aty vogëlushët,
të thithin nektarin, që do pikojmë bashkërisht.
Duart e tua ledhatare, me falanga të gjata,
oh, ishin për mua, dy valë të freskëta lumore,
që më mbështillnin trupin e zhuritur nga vapa,
pres të më freskojnë sërish, zagushinë kohore.
Të pres me adhurim, në gjithë ditë-netët e mia.
të pres, të fillojmë së mbari, të duhemi sërish,
të pres, siç pret nata e zezë, të agojë bardhësia.
Deri në ditën e vdekjes, të pres të më vish!…
Kthehu, të bëhemi engjëj, flatrash fluturimtare,
se me dashuri dhe vdekja, do na gjejë buzagaz!
Pa ty, më kalon jeta, si në një akullnajë polare,
pa ty, s’dua të shkoj i vetëm, as në parajsë!…
.
ATAVIZMA NGA LASHTËSIA PRIMITIVE
Në mugëtirën e lashtësisë, njerëzit nuk zinin pusira,
për të vrarë njëri-tjetrin, pa lindur mosmarrëveshje.
Por sajonin armë primitive, të vrisnin vetëm egërsira,
t’u hanin mishin, t’u rripnin lëkurat e ngrohta për veshje.
Vrasjen e njeriut të egrit e mësuan pa shkaqe armiqësie,
por se u lindi lakmia, për rezerva ushqimesh e lëkurash.
Atëherë përsosja e armëve nevojitej për dy lloj gjuetie,
për vrasje kafshësh, dhe për shfarosje burrash.
Teksa njeriu e shihte veten paralel me rangje kafshërie,
vrasja u bë puna parë në tërë veprimtaritë gjakësore.
Gratë nuk i vrisnin, se u duheshin, veç lindjes së fëmijëve,
për të pjekur shpellave mishin dhe rrënjët barishtore.
Kur mbuluan shenjat e trupit me lëkura sorkadhesh,
gratë u bënë të bukura dhe hyri krimbi i xhelozisë në burra.
Kureshtja si mund t’i kishte femra e tjetrit nishanet,
bëri meshkujt të vërsuleshin për të rrëmbyer gra të huaja.
Vrasja e grave filloi të dukej në komunitetin e skllavërisë,
kur ato u bënë pronë vetjake, për burrat me fuqi muskulore,
që ndonëse me punë të barabartë, në aktivitetin e shtëpisë,
zunë të ushtrojnë forcën fizike, kundër dobësisë femërore.
Egërsia vrastare e burrave, në jetën e sotme të modernizuar,
ka mbetur trashëgim i egërsisë nga mugëtira e lashtësisë,
si atavizëm turpi, i njerëzve, me agresivitet të shëmtuar,
që vijon të shfaqet te disa të formuar me gene të kafshërisë.
Burrat modern me intelekt të zhvilluar të kohës mondane,
kanë gruan bashkëshoqe jete, krijesë të bukurisë delikate,
nënë, edukatore të fëmijëve, zonjë shtëpie dhe kapedane,
për të ngritur përjetësinë e brezave, në lartësi me shumë kate.