Sterjo Spasse

Sterjo Spasse (lindi më 1914 në Gollomboç, vdes në 1989 në Tiranë) është shkrimtar shqiptar me origjinë maqedonase. Sterjo shkollën fillore e kreu në Korçë, ndërsa shkollën Normale në Elbasan. Një kohë punoi si mësues. Më vonë vazhdoi studimet e larta për pedagogji në Firencë të Italisë dhe mandej për letërsi në Bashkimin … Continue reading

Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli)

Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967 në Tiranë. Ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar nga Shqipëria. Familja e Mitrush Kutelit, rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli, i shpërngulur në Mokër e pastaj në … Continue reading

Nonda Bulka

Nonda Bulka Nonda Bulka është një ndër shkrimtarët e parë të viteve `30 që me krijimet e tij solli kritikën e protestën e hapur kundër regjimit të Zogut, demaskimin e shoqërisë së prapambetur feudale, një qëndrim të prerë antiklerikal si dhe denoncimin e … Continue reading

Motivi patriotik në veprimtarinë e Josif Bagerit

Motivi patriotik në veprimtarinë e Josif Bagerit

Qëllimi ynë âsht për shëndritjen,

vllazënimin, bashkimin, kjytetnimin,

dhe kullturimin e shqyptarëvet”

Josif Bageri

rami

nga Rami Kamberi

Motivi patriotik mes shqiptarëve është i dukshëm dhe i shkruar në të gjitha periudhat historike. Motivi patriotik i atdhedashurisë, nuk ka lënë pa prekur të gjithë po­etët shqiptarë, kështu që një ngritje cilësore të vetëdijes kombëtare poezia patriotike atdhetare e pati që në kohën e Rilindjes Kombëtare, por, edhe më tutje nuk mbeti jashtë rrjedhave të përgjithshme letrare dhe poetike, duke u kultivuar mbi gjeografinë e gjakut, guximit, vdekjes dhe, edhe sot e kësaj dite mbetet si e vetmja gjuhë brenda hapësirës të tokës pikë e pesë, që njeriu shqiptar e quan Atdhe.

I tillë ishte edhe moti i vetëdijes kombëtare, mot i shpresës dhe i vendimmarrjes për një qëllim: Shqipëria e Shqiptarëve, qëllim, kur mes figurave qendrore të letërsisë shqiptare të Rilindjes, në maje të pirgut të piramidës kombëtare dukej gjuha patriotike e Naimit, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit, bilbili i gjuhës shqipe, në rrugëtim të lirisë, që i mungonte atdheut, me një gjuhë kushtrimi dhe me forcën e dijes dhe dëshirës për bashkim mes shqiptarëve, për t’i bërë ballë gjuhës së forcës që nga dita në ditë shtonte peshën e robërisë, do të duket edhe atdhetari i flaktë Josif Bageri, i cili deri në frymën e fundit shkriu çdo gjë që kishte për një Shqipëri siç duhej të ishte mes shteteve, që lindeshin mbi dheun e atdheut te tij.

1. Portreti i veprimit dhe i krijimit patriotik

Josif Bageri motin e gjysmë shekullit të dytë dhe vitet e para të shekullit XX ishte mes figurave të përpjekjeve patriotike dhe zotëruese të letërsisë shqipe, të cilët kishin si motiv patriotizmin, vetëdijesimin dhe mbi të gjitha lirinë dhe bashkimin e atdheut, mes tyre Josifi i ri, do të jetë i gjithanshëm në krijimtari, si: publicist, poet e në veçanti si kambanë e lirisë ngase e ndjen dhe e kupton se për çlirimin e Shqipërisë vetëm kultura nuk mjafton, se për këtë çështje do të jetë nevoja për një forcë më të fuqishme, si: shkollimi në gjuhën amtare dhe, forcën e armëve.

Ai është njëri nga të parët shkrimtar shqiptar, që gjithë shekullin e vet krijues e kaloi në kërkim të lirisë, duke u përballur edhe me gjuhën e skamjes. Fama e tij kombëtare nisi në fillim të rinisë, duke ecur andej nga e shpinte gjuha e kombëtares. Si publicist dhe si aktivistë i Shoqatës “ Dëshir “ në Sofje dhe, si Botues i Gazetës “ Shqypeja e Shqypënis“, por, ajo që do ta bëjë më madhor mes atdhetarëve të vet dhe, të pa vdekshëm është vendosmëria e tij për hapjen e shkollës shqipe në fshatin e lindjes, në Nistrovë.

Edhe fjalët edhe tekstet e gazetave dhe letërkëmbimet mes miqve si dhe poezia e Josif Bagerit, janë gjuha e thirrjes nga zemra e një patrioti për një bashkim, që të mos mbetemi natyrë e inferioritetit dhe asimilimit.

A nuk na lejon të kuptojmë se sa madhore janë rreshtat e një poezitë, ku autori shpreh revoltën e tij kundër atyre që e harrojnë gjuhën shqipe dhe, i mbeten gjeografisë që vetëm e rrudhte atdheun nga çdo anë:

O,sa tash na turpnuet

Se gjuhën e vet mohuet!

Dhe serbishten zut ta mesoni ,

Vake-take”- të na thoni !

Nji pal thon ”jemi taljan”!

Disa:”Turq”,”Grek” e ”Sllavjan”!

Tjerët mbahen shumë të mençëm,

Si doi fmi i përkëdhelçëm”1

Josif Bageri, si patriot që ishte, nuk ka lënë pa prekur as edhe gjuhën e forcës së padrejtësive që bëheshin ndaj shqiptarëve, qoftë atë otomane e qoftë atë evropiane, në një tekst të gazetës “Shqipja e Shqipënis” na shkruan:

mekjon pra, se fuqiat Evropjane kan interesat e veta në Shqypëni, kurri këta nuk dot miren për shpëtimin e kombit Shqypëtar, se verbojn adepte për vethen e tynej, tuj shpresue, se një dit dot ken fatin e mîr për me nda Shqypënin dhe me e shti në kufiat veta për me mbretënue dhe mbi shqypëtar. Përande shqipëtari lypën të shpresojne vetëm në Perëndim dhe në fuqiat e veta për shpëtimin e vet dhe të ton kombit…”,

A nuk shihet hapur se si u flet atdhetarëve për qëllimin plëngprishës të Fuqive të Mëdha kundër Shqipërisë dhe, duke e ndjerë këtë rrezik i fton shqiptarët për syçelëti, si dhe fuqive të mëdha u fletë me gjuhën lutëse, që të kenë mëshirë për një popull, që e meriton lirinë ngase nuk kërkon më shumë se sa i takon:

Shqypëtari lypën të çgjumet dhe të bashkohet e të vllazënohet për me mund të thejne ata verigat e hekurta, në të cilat e kan mbërthye senitësit e fês, ata zotënijt e politikës, cilët i nkrehin në krahet kryqit e t’hënës dhe nisin me kryelidhunit dhe me kapelzit për me ndenj në votrët tjetrit, në ata votrat e robëvet të pa mburshëm, cilët menxi mundin të ngren kryet prej zgjedhës rend“. 2

Se sa largpamës dhe se sa i vendosur në veprimin patriotik ka qenë Josif Bageri, na dëshmojnë letërkëmbimet me miqtë dhe patriotët e kohës:

Nuk dashka pra me ba protesta Bullgaria para Portës s’Nalt, por u dashka t’ngrihejt gjith Shqypënia n’kamb për me përzen si Firmilianin, ashtu pra dhe Turqinë, e cila na shet e na ka marr nder kamb e pa ma thot dhan liri ktynaj për me na da e me na përda, t’cilët nan dullakun e fes po kqyrin punet e kambasis, për nji Serbi t’madhe….

Është një letër ku Josif Bageri i drejtohet patriotit dhe kombëtarit Shahin Kolonjës, duke qenë brenda hapësirës shqiptare, që me të pa drejtë i falej Serbisë nga Porta e lartë dhe, nga Perandoria Otomane.

Do të na duhej një radhë në shënimet tona dhe të pyesim se: a është e mundur që brenda disa faqeve të shkruhet veprimtaria e patriotit të madh të Josif Bageri, i cili po të studiohet brenda faktorit kohë dhe gjeografi, lirshëm mund të themi se ka qenë një metamorfozë e tillë tekstuale, një shpatë në gjykimin e veprimit kombëtarë.

Dhe, më tej: kush është ky shqiptar, mbi të cilin bën fjalë shekulli. Po të fillojmë me këtë pyetje, do të kuptojmë se: Veprimtaria patriotike e Josif Bagerit është një piramidë më vete e, në veçanti mes nesh, të cilët kemi mbetur jashtë kufijve të shtetit, për të cilin shtet Bageri e dha edhe jetën.

            2. Lirika patriotike brenda një libri

          Josif Bageri, ndonëse botonte shkrime politike me motiv patriotik, ai poezinë e kishte gjatë gjithë shekullit të vet krijues si shikim, ku dukej dielli i lirisë për atdheun. Dhe, me një mund të madh arriti që të na e lenë si amanet të vetmen vepër ” Kopshtë malësori “, ku poeti i shprehu në mënyrë të plotë e me forcë artistike idealet më të përparuara të Rilindjes, idetë patriotike, demokratike e iluministe, që do të bëhen ushqim për shumë shqiptarë për të dalë nga errësira mesjetare në dritën e lirisë e të përparimit. Ndaj lirsh#m mund të themi se si poet e veprimtar kombëtar, Bageri qëndroi me dinjitet në lartësinë e këtyre kërkesave historike.

Dashuria për atdhetarët si dhe popullin dhe njeriun shqiptarë, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin e lirikës të veprës” Kopshtë Malësori”. Bageri e afroi penën me popullin, duke trajtuar tema të ndryshme, temat e problemet e kohës. Ndaj, gjeografia e poezisë së Bagerit mund të shihet si:

  1. Lirika e vendlindjes – atdheut dhe,

  2. Lirika e figurave kombëtare.

2. Lirika e vendlindjes – Atdheut

Sa me mall e këndon dashurinë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe bukurisë së natyrës shqiptare më një patos aq të zjarrtë e me një gjuhë poetike aq të ëmbël e të bukur:

Rekë, o zembra e Shqypnis!

Ti je vendi i trimnis.

Ndon se je kodra e vrima, –

Besa ti ke rrit shum trima:

Burra t’fort e të moshëm ..

Me këtë poezi Bageri krijoi poezinë e madhe të Atdheut e të natyrës shqiptare, Nistrovës. Kjo vepër jo vetëm u bë e dashur për shumë bashkatdhetarët, dhe krijoi një traditë të pasur edhe për vetëdijesim për gjeneratat që erdhën më pas.

Siç e tregon edhe titulli, poezia përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë flitet për pamjen dhe bëmat e Nistrovës, për jetën dhe burrërinë e shqiptarit të Rekës kurse në pjesën e dytë sikur poeti i qorton bashkëvendësit për mos unitet dhe për mosveprime kombëtare:

Shum të pasun tregëtar,

Po s’kan zon udhën e mbar!…

Prej vendlindjes poeti vetëm sa merr pikënisje për të shprehur ndjenjat e flakta patriotike në mbarë gjeografinë shqiptare:

Shkup, or’kjytet i ndëgjuet!

Me ta bijt e tu shqyptar…

Shum provime ki provuet,-

Po tash ke nis udhë të mbarë.

Bijt e tu tash kan fillue,

Gjith te zonat me i lon’-

Dhe kan nis me u vllaznue!…

Amës nderim për me i dhon.”

Poezia Shqiptarët e Shkupit, a nuk qëndron mes veprës si një himn poetik i frymëzuar, kushtuar Atdheut, natyrës dhe njerëzve të tij, a nuk hapet me një apostrofë madhështore, e cila me një qartësi të habitshme na sjell para syve se si dukej Shkupi moteve kur shqiptarët ishin në kërkim të lirisë, a nuk duken bukuritë e natyrës shqiptare, larminë dhe ngjyrat e saj, që na e tregojnë se si qëndronte si qendër shqiptare Shkupi, a nuk është një peizazh i pafund plot dritë e gjallëri në kërkim të natyrës shqiptare.

Varianti himnizues si dhe optimizmi, është zemra e librit me një tufë poezish ku lavdërohet atdheu fizik, trashëgimia morale e tij, etosi i traditës shqiptare. Bageri këndon i ngazëllyer me një solemnitet të pazakonshëm Shqipërinë, Gjuhën shqipe, shqiptarin e Flamurin shqiptar:

Gzohu Shqypni amë e dashun! …

Se nji koh të mir ke mbrrit;

Bijt e tu s’te lon përmbysun…

Ky himnizim i vendit kalon kohë e hapësirë, duke u shprehur me figura të amshimit, kurse vendi merr karakterin e përsosjes morale e fizike për t’u përcaktuar me figurën e madhe kombëtare. Kjo valë e lavdërimit tani kalon në fushën shpirtërore të identitetit të shqiptarëve, te Gjuha shqipe, bukuria dhe fuqia e saj mahnitës, ku shihet qartë në poezinë ” Kushtrimi i shqiptarëvet në Manastir”:

Dhe në Monastir kta djem u kan mledh;

N’kushtrim me kushtruem në kët mujë sivjet

Dhe me kuvendu për gjuhën e vet.

Shkronja për me zgjedh, se shum na duhen, –

Se kombi dhe gjuha besa me kta ruhen !…

Me kta shkruhen fjalët: “Liri dhe bashkim’’

Dhe, kështu autori lidh figurat e holla lirike me figurat trazuese e dramatike përbrenda zjarrmisë së portretizimit të gjuhës shqipe, duke nxjerrë në pah konceptin e vet për gjuhën shqipe dhe, gjuhën e poezisë së vet.

Në këtë portret të brendshëm më shumë duket pikëpamja e Bagerit për veçantitë e veta poetike, që njësohen me karakterin e gjuhës amtare. Prandaj, tingëllon i fuqishëm mallkimi për ata që nuk e duan e nuk e njohin këtë vlerë kombëtare.

3. Lirika e figurave kombëtare

Dashuria për atdhetarët si dhe popullin dhe njeriun shqiptarë, krenaria e veprimeve kombëtare të figurave të kombit dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin e lirikës të figurave kombëtare.

Apostrofat drejtuar kombëtarëve, enumeracionet e shumta që japin larminë e saj dhe të punëve, krahasimet dhe semilitudat e goditura, epitetet e thjeshta dhe metaforat e bëjnë atë një nga poetët më të frymëzuara të letërsisë sonë:

Heshtje! Heshtje mbi ty o Natyrë,

Se ay që ty shumë të lavdëronte,

Ra si fill bari mbi kosën e vdekjes ndyrë.

Dhe lyra e tij që kurrë nuk pushonte,

Po këndonte bukurinë tënde që ke,…”

Duke u nisur nga jeta dhe vepra patriotike e Naimit, duke lexuar veprat e tij ku vargjet e fuqishme naimjane fillojnë nga përshkrimi i pamjes baritore, nga loja e qengjave rreth mëmave të tyre, duke krijuar dhe simbole shprehëse për atdheun, sa që bëhet simbol, që përgjithëson përkushtimin e poetit të ri, ndaj tokës mëmë, Shqipërisë.

Me vargjet në fjalë të poezisë kushtuar Naimit të madh, Bageri mbi të gjitha, arrit të zbulojë me forcën e talentit poetik vlerat dhe mundësitë e mëdha shprehëse, që lanë për shqiptarët poezitë e Naimit. Ai, e ngriti atë në rrafshin e gjuhës së poezisë së vërtetë, që mund të shprehte ndjenja nga më të hollat ndaj një atdhetari dhe mësuesit të kombit:

Ah, nuk i qesh buza, si q’i qeshte një here,

Po fort të helmuar duket që ta ketë,

Se dëshirën që kish për Mëmëdhen’ e mjerë,

S’mundi ta mbarojë sa që kishte jetë!”

Dhimbja për humbjen e Naimit, kënga e urimit kthehet në këngë të mallkimit, kënga kthehet në vaj. Në qoftë se urimet e tij shqiptare lidhen me idealiste e me një përhershmëri, mallkimet lidhen me një realitet e konkretësi jetësore të shqiptarëve të nëpërkëmbur dhe, si njerëz që e humbën dritën e rrugës që do t’i shpinte drejt bashkimit dhe lirisë.

Kurse te poezia “ Një piramidë dëshmorëvet”, poezi që u kushtohet tre dëshmorëve të kombit, që ranë nga masakrat greke, poeti do të jetë më një gjuhë sa kombëtare po aq edhe kryengritëse duke bërë edhe thirrje për hakmarrje ndaj armiqve:

Na kanë vra grekët andarë!

Tre të vërtet shqypëtarë:

Një tregtar e dy priftërinj,-

Se perdykonin shqyp feen.”

Është poezi ku  nuk kemi vargje zemërbutë dhe gojëmbël, por një poezi ku njeriu shqiptar bën thirrje për unitet dhe syçelëti se çka e pret nga armiku i tokave shqiptare. Shtrohet pyetja se kujt i thërret Bageri këtu?

U thërret të vdekurve, sepse heronjtë kanë vdekur apo të gjallët janë të vdekur. Ironia e tij është therëse dhe e dyfishtë. Kjo bëhet më e qartë në vargje:

Cila ne na ka mallkuet,-

Gjuhën shqype të bekuet…

Për kët gjuh kta binj Shqypnie,

I kanë vra andarë grekie;..”

Duke krahasuar figurat kombëtare shqiptare, me figura të tjera, ndërmjetshëm, lirshëm mund të krahasojmë Bagerin si krijues me krijuesit e mëdhenj të letërsisë shqipe, nëse poezia e bageriane lexohet si: krijimi i kultit të bukurisë e të dashurisë, si një sprovë për agresivitetin e shëmtitë në botën shqiptare, të cilat i satirizon në vepra të tjera.

Përmbledhje

            Duke ecur vertikalisht dhe duke vepruar kombëtarisht bashkë me epopenë kombëtare në shekullin e Rilindjes Kombëtare, Josif Bageri është konsideruar edhe rilindësi i fundit. Ndonëse shkroi, pak dhe me tema kombëtare, ku sundon tema e lirisë kolektive e etnike, sidomos në lirikë, shpaloi preokupime kombëtare gjithnjë me një temperament vullkanik.

Dhe, lirshëm mund të themi se Josif Bageri është një nga figurat e mëdha të Kolonisë Shqiptare të Sofjes. Vepra e tij bën pjesë në fondin e asaj krijimtarie intelektuale që le gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen morale estetike, politike e shoqërore të popullit.

Veprimtaria e tij që përfshinë diapazon të gjerë politik, ideologjik, publicistik, artistik, arsimor, kulturor e organizativ, ndonëse e vogël në vëllim, ajo është me vlera të mëdha dhe, e një natyre të veçantë krijuese.

Gjatë tërë jetës së tij iu përkushtua atdheut, çështjes sonë kombëtare, gjuhës shqipe, arsimimit etj.

U lind në fshatin Nistrovë të Rekës në vitin 1868, dhe vdiq 1915 në Prishtinë.

Për shkak të kushteve të rënda ekonomike nuk ka mundur ta ndjek mësimin, por më vonë ka mësuar të shkruajë e të lexojë si autodidakt. Bullgaria, respektivisht Sofja ishte vendi ku shkoi të sigurojë kafshatën e gojës. Profesioni që e ushtroi deri në fund të jetës ishte këpucëtar, me të ardhurat e së cilës siguroi mirëqenien e familjes dhe, krijoi mundësi për t’u marrë me çështje kombëtare.

Në Koloninë Shqiptare të Sofjes shumë shpejt ra në kontakt me atdhetarë të tjerë, u njoh me programin e platformën e Rilindjes sonë Kombëtare për çlirimin e atdheut nga robëria osmane. Më 1988, në Stamboll takoi Naim Frashërin, të cilin e quan shpirtndrituri i kombit shqiptar, plaga e përbashkët e të dyve ishte që Shqipëria sa më shpejt të çlirohet nga Perandoria Osmane.

Mendimi politik i Josif Bagerit, kryesisht mbështetet në themelimin e qeverisë shqiptare; kryengritjen e armatosur kundër Turqisë; miqësinë me shtetet fqinje për zgjidhjen e shpejt të çështjes shqiptare; krijimin e institucioneve shtetërore të mbështetur në librin e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.

Ishte njëri ndër themeluesit e Shoqërisë Dëshira (Sofje 1893), bashkëpunëtor dhe mik i Jashar Erebarës, Dervish Himës, Ibrahim Temos, Nikollë Ivanajt, Ibrahim Shytit, Shahin Kolonjës, Luigj Gurakuqit, Asdrenit, etj.

Idetë patriotike i ka shprehur në gazetat: Drita, Sofje; Shpresa e Shqypënis, Raguzë; Liria, Selanik dhe ishte themelues i gazetës Shqypeja e Shqypënis, që botohej në Sofje, në vitet 1909-1911.

Në këtë gazetë, siç e quante vetë Bageri ”organ për politikë dhe dituni” i ka botuar të gjitha shkrimet me përmbajtje politike, krijimet poetike ashtu edhe ato didaktike-publicistike.

Më 1910 e botoi librin e tij të vetëm Kopësht Malësori, mesime t’shqyptarueta dhe Vjersha, për të cilin kërkonte ndihmë materiale nga bashkatdhetarët e tij. Bageri kontribuoi edhe në fushën e gjuhës. Në gazetën e tij vazhdimisht kishte një rubrikë Gjuha shqype dhe shkronjësit e saj, ku vlerësonte Kongresin e Manastirit dhe alfabetin që u zgjodh aty, andaj thërret në njësimin e gjuhës.

 

1 Albania” 16.IV.1899,Bukuresht.

2 Josif Bageri, Shqypeja e Shqypënis, 14 qershor 1910, Sofje.