
Refleksiviteti metafizik në poezinë e Panajota Hristopulu – Zalloni.
( Shkëputur nga Libri Eseistik ” Ngjyrime Universale (Ese-1) me autor Agron Shele )
Poetja greke Panajota Hristopulu – Zalloni, vjen nga vendi i traditës së mitologjisë dhe zanafillës së Letërsisë botërore, sikurse është Greqia. E frymëzuar në një mjedis të tillë, ajo rrezaton vlera poetike sa estetike po kaq dhe filozofike, vlera të cilat janë të publikuara dhe të njohura në arenën letrare ndërkombëtare.
Personaliteti i saj krijues është i lidhur me figurshmërinë shumëplanëshe, si: poete, prozatore, ikonografe, publikuse revistash letrare, organizuese eventesh ndërkombëtare dhe tërë kjo përvojë ka ndikuar në konsolidimin dhe përsosmërinë e mëtejshme të artit të saj, art që përkon me universin e mendimit dhe ideve më përparimtare të letërsisë bashkëkohore.
Vlerësimet për poezinë e kësaj autoreje kapin referenca nga shumë pëersonalitete letrare, të cilët me të drejtë shikojnë tedencat e zhvillimit si art synimi (Odise Tiligadhis), poezi e tezave të dashurisë (Dragan Dragojloviç), art i rimës dhe profeksionit metrikë (Tulla Butu), art i kullimit përgjegjësi (Valavanis Apostolopulos), poete e këndvështrimit tridimesional (Antonis Simiotakis), art i ringjalljes së shpirtrave (R K. Singh), etj.

Panajota Hristopulu – Zalloni
Depërtimi në poetikën e Panajotës është njëlloj si të endesh në një det të pafund, ku tallazet e tij janë pasthirrmat poetike që herë valëzojnë shpërthimet e shpirtit, herë masin me kaltërisnë e dashurisë, herë priten shiritave të muzave, herë gulçojnë poshtë prushit të yjeve…, kështu i humbur dhe rilindur pas vargëzimeve pa fund, kupton mrekullinë që di të falë vetëm fjala artistike. Në poezinë e saj ndesh prekjen e disa tendencave letrare, me abstraksionin, me frymën impresioniste, hermetizmin, ekzistencializmin. Etj., forma të cilat herë të ndërthurura, herë të shkëputura shprehin ngjyrimet e përmasës së veprës letrare, përmasë e cila nuk vjen e fokusuar dhe ngurtësuar pas fanatizmit të një rryme, por e unjësuar me universin e mendimit koherent dhe egzigjent të së nesërmes së artit. Duhet theksuar se, te kjo autore, është shumë e zhvilluar intuiata e ndërthurjes së antikës me modernen, mitologjisë me bashkëkohoren dhe si në mistizëm të fut në një botë sugjestionuse, botë përafruese me imazhe që ngelin gjatë në kujtesë, duke kumbuar përherë e më kuptimshëm.
“O ti, Promethe,
ja drita!
Pishtari i shenjtë ndriçon dhe rrezaton.
Ne me Apollonin, me lirën
Këndojmë ardhjen e formës së re”.
Këto vargje janë sigmatizues, simbolizojnë me gjuhën e dritës që Prometeu ua fali njerëzve, simbolizojnë me tingujt e hyut Apollon, lira e tij i këndon edhe sot, dhe ashtu të endur në shekuj, njeriu arriti të projektojë dhe ngrejë formën e re.
“Kufijtë botërorë të shuhen,
të gjithë në një të njehësohen,
një festë ndërnjerëzore! …“
Referimi i vargjeve përmbyllëse është edhe më domethënës dhe e bën idenë e autores më sinjikative, për vetë mesazhin poetik të sjellë, i cili nuk dallon ngjyra dhe kufij, por njehson diversitetet dhe kulturat. Koceptualitete të tilla zotërohen vetëm nga mendësi progresive dhe tejet civilizuese, të cilat në sinkron të plotë me vullnetin e zotërave i bëjnë thirrje njeriut që të kapet dhe të rend pas përsosjes dhe harmonisë kaq të munguar.
“Ushtroj shpirtin tim
në sportin e vjershërimit
duke u përpjekur të ndriçoj
dhe të lëkundem në hapësirë“.
Poezia, për autoren, është fryma, është pasioni i jetës dhe rrugëtimi rreth dritës së pashtershme të shpirtit, i cili ndriçon dhe i jep kuptim gjithë dimesionit të qënies, i fal emocion dhe e bën që të ndjejë lëkundjet drithmuese të hapësirës, të prekë horizontet dhe të shkrihet një me shiritat më të ndritshëm të perëndimit plakur mbi Egje, të përhumbur dallgëzimeve – jetë dhe të mundet të lërë mbi yllin më të shndritshëm, shenjën e rrezatimit të vet.
“Rreth e qark gjëmojnë
copëza të Diellit coptuar
Ulërima… Zëra…
Ndiqem e frikësuar nga Parajsa
Gjykohem
Nuk më lejohet të përgjigjem
Burgosem
Ekzekutohem …, por nuk vdes… “
Poezia “Duhet të jetoj“, është një poezi me mesazh të thellë filozofik, e cila perifrazon gjithë jetën njerëzore, ashtu sikurse vjen, plot zhurmë, klithma, endur përpara rregullash të një modeli të cunguar, ku gjykimi bëhet nga ata që janë për t’u gjykuar dhe ekzekutimi (mohim kategorik i asaj ç’farë përfaqëson) bëhet nga vetë të akuzuarit. Shoqëria është zhytur në kaosin e lakmisë dhe veseve më të këqija, aq sa simbolika e jetës krahasohet me copëzimin e diellit dhe në mënyrë ironike përndiqet e frikësuar simbolikisht nga Parajsa (pafajësi njerëzore që nuk mund të përndiqet nga ferri). Në planin metafizik, mendimi shkon deri në apoliptikën e ndërgjegjies (Ekzekutohem…, por nuk vdes…), e cila si në një përmbysje të madhe gjendjesh dhe transformimesh, të një ringritjeje mbi ekuilibrat e deformuar, parashtron paratezat e të kundërtave, gati paradoksale, për të sjellë tablonë e gjallë të kohezionit të krijuar dhe për të profetizuar misionin drejt vlerës dhe qëllimin e lartë të mendësisë dhe gjurmimeve të mbetura si refleksion i së nesërmes. Duhet theksuar se, fryma e thellë artistike përshkohet nga elementet figurative dhe ideimi universal, si paraprirje mesazhi dhe botëkuptimi, si nocion filozofik dhe fuqi shprehëse, si shtjellim poetik dhe ngjyrim dhe në themel të gjithë kësaj strukture është elokuenca e vargut dhe stilistika që e veçon, por dhe indetifikon.
“Në mes të thelbit të Globit,
përmbytem dhe flas…
Flas, flas,
Mundohem edhe të prek.
Pastaj, hidhem…
dhe yll i ri bëhem…
Dhe vrapoj, vrapoj
vrapoj.
Lart mbi rrethet e mendimit,
në mes të ëngjëjve dhe Ideve”.
Poezi me mesazh të qartë filozofik vjen si prelud i procesit të thellë meditues, si dimension dhe përmasë e koncepteve të mëdha ideore, qendërson intuitën krijuese (përmbytet, flet, prek, hidhet, rend) dhe përjetësohet tek vizualiteti kozmik i rrathëve të memories. Metafizika e këtyre vargjeve, në referim të rrethit si hapësirë dhe gamë universale (jo viciozitet), të ngre në poltronet më të larta të vetëdijes (ndërgjegje dhe produktivitet idesh) dhe e imazhizuar me botën engjëllore, shpreh por dhe profetizon idilën që e karakterizon ç’do poet.
Panajota Hristopulu – Zalloni ka shkëlqimin e saj në poezinë e sotme bashkëkohore greke, vjen natyrshëm dhe rishfaqet në universin poetik, herë si deshifrim i dhimbjes njerëzore, herë si Safo, por ajo që përbën bazën dhe gjithë substraktin e veprës së saj, është mendimi si mesazh filozofik, ndjesia e thellë si përjetim, si dhe idetë për një botë sa më të ndritshme. Endur nëpër këto kufij dhe kulme estetike, ajo përvijon artin e saj, si art kontemporan dhe postmodern.