Aspektet e motiveve persiane në poezinë e Ardi Omerit.
( Shkëputur nga Libri Eseistik ” Ngjyrime Universale (Ese-1) me autor Agron Shele )
Duke lexuar një artikull letrar në lidhje me publikimet më të suksesshme në Amerikë, më tërhoqi vëmendjen se lexuesi amerikan i është rikthyer sërish letërsisë së orientit (motiveve persiane). Sigurisht që kjo lloj letërsie ka shërbyer si inspirim për shumë poetë të mëdhenj globalë, dhe për më tëpër si art lirik i shkruar me ndjenjat më të thella estetike, me elokuencë dhe përndritje vargjesh është shndërruar, jo vetëm në burim frymëzimi, por dhe model udhëheqës për poezinë e sotme bashkëkohore.
Në këtë prizëm dhe si pjesë e pandarë e zhvillimeve më të reja të kësaj tradite letrare do e shikoja dhe poezinë e Ardi Omerit, poezi që duket sikur del nga llavat më të nxehta të shpirtit, poezi që prek me frymë dhe hyjnizon, që vjen si muzë e përtej kostelaioneve sentimentale edhe të drithëron. Në paralelizëm të plotë me simbolizuesit e kësaj fryme: Sadiu, Omar Khajam dhe përvijuesit e kësaj shkolle Sergei Esenini, Adolf Shvjedchikov, etj., vë re një pezm fluid tejet ikadeshent, që si tis i hollë shpërndahet dhe dallgëzon valët e jetës, rizgjon ujëvarat e fjetura. Madje, përthyen kolorite, kapërcen pragun e përflakjes dhe zhytet në botën magjike të ëndërrimeve, ngjitet në kulmet e yjeve galaktikë dhe shkrumbohet territ natë-përvëlim, duke kumbuar në përhapje tingujsh nga partiturat e shpirtit.
Kaq mistike dhe harbuse, kaq e çmendur dhe e pafajshme, kaq tronditëse dhe rrëzëlluse është ndjenja e verbër e dashurisë sa penelatat më të ndritshme përhumbin dhe mbeten, ringrihen dhe treten, shkrihen dhe rikthehen me të njëjtën përmasë, në të njëjtën formë, me të njëjtën farfurimë, si lulja e parë që çel petalet e saj në më të egrin thëllim.
Ardi Omeri
Lirizmi i A. Omerit nuk është vetëm nocion dhe kuptim poetik, por vjen si detratim i një shpirti të trazuar, ku filozofia e gjithë mendimit përafron metabolikat spirituale me ato kohore, të ndjenjës me vlerat jetësore dhe i gjithë ky koncept, kjo grafikë e përshkallëzuar në këtë tematikë zbardh konfiguracione shprehëse, nga ornamente të botës përjetuese dhe prelud të fjalës artistike.
“Unë poet mjeran,
rrija me Elitën e Qiellit!
Unë një i thjeshtë njeri,
por putha dritën e Diellit!“.
Tek poezia “Dialog me Omar Khajam“ ka një paralelizëm figurativ dhe parantezë referuse (e njëjtë me referimin e Esenint ndaj Sadiut), konvonuese dhe konvergjuese në të njëjtën pikë, e cila nëpërmjet stilistikës ruan të njëjtën frymë dhe tempo, si dhe për më e tepër e lançon edhe më shumë puthjen si shije dhe ndjenjë dashurie (puth çupa – puth dritën e diellit). Lirika shqiptare ka korifenj si Lasgush Poradeci, Skënder Rusi, etj., të cilët sigurisht kanë patur ndikimet e veta ndaj orientit dhe kanë zhvilluar artin e tyre poetik, por tek poezia e këtij autori ka një pikëpamje më të drejtpërdrejtë, gati të shkrirë në të njëjtin union, po kaq të brishtë dhe po kaq shpërthyes si vetë tradita e motiveve perse.
“Po mua përse sytë më mbetën aty,
Përse në qenie të denja për një Perëndi!?
Ç’të bëj, jam një i mjerë poet i marrë,
që edhe hyjnoreve u këndoj poezi…“.
“Kur putha jetën!“ është një tjetër gjetje, është po kaq grishëse, po kaq impresionuese, e cila me të njëjtin ritëm strofik ndjek kurbaturë edhe më të lartë, gati proverbial, duke shprehur çmendurinë e dashurisë si poet dhe duke e ngritur fuqinë e saj, gati në sublimitetin më të lartë, në mitikën e hyjnizuar, si zjarr dhe profeci perëndie.
Duhet theksuar se, mesazhi lirik i poetit nuk aborgon ose trajton sentimentin dhe thelbin e ndjenjës si orgji, kënaqësi njerëzore, por si ovacion estetik dhe frymë sensuale që kuptimëson, por dhe dritëson shpirtin etik njerëzor. Sensi dhe nuancat janë kaq të holla sa ndodh shpesh që vështrimet përgjithësuese i tejkalojnë këto elemente sinjikative dhe paralelizojnë midis këtyre të kundërtave, por tedencat përshkuse, fjalët e përzgjedhura dhe mesazhi i përcjellur bëjnë kategorizimet dhe indeksojnë formatin lirik, si frymë dhe ndjesi dhe jo si aktraktivitet ndryshimesh në gjini.
“Frymë më dha, dhe e ndjeva në shpirt…
Shpirt i fala dhe aty, peng mbeta…
Hirushja veshur pluhur zanash tërë dritë,
më tha dhe emrin por unë i thirra Jeta! “
Barasvlerësimi i dashurisë me jetën është tipizuese për elemntet lirike të këtij autori dhe kjo jo pa qëllim, por si simetri e plotë që impulson dhe harmonizon frymën me shpirtin, shpirtin me fjalën, fjalën me përjetimin (peng mbeta), përjetimi me aparencën fanitëse (hirushe), e cila e zbritur si zanë nga ëndrrat më të bardha magjeps, trondit dhe inspiron me zjarre pasionante. Poezia lirike ose motivet e zhanrit që përfaqëson poeti kanë për stilistikë alternimin muzë (frymëzim) dhe ndjenjën si referim (përtejndjenjësi) dhe në gjithë këtë prognozë rrjedhshmëria dhe përzgjedhja e fjalëve, muzikaliteti i vargjeve dhe forma strukturale, ndërthurja e elementëve shpirtërore me apologjinë dhe postulimin e sezonës së vetë filtrit jetë, definon në këto kristale për të risjellë apo për të rindezur më shumë flakadanin e perlave rubaire.
“Ti, nën streha të përkohëshme ndaluar,
Ndërsa unë shpirt lagur nën shi!
Që kur u ndamë, qielli së qari s’ka pushuar,
Njëlloj si paqetësia jonë në shpirt!“.
Poezia “Pa lamtumirë“ sjell nota të trishta, të humbjes së beftë të dashurisë, largimit pa kthim dhe e natyralizuar me elementet shi (lot qiellor), i bën vargëzimet poetike më prekëse, më figurative dhe më dramatike, duke percepetuar gjendjet e dyanshme, si gjendje që përjetojnë dhimbshëm dhe në pakuptimësinë e asaj çfarë kanë humbur. Edhe në këtë poezi, motivet ndjekin të njëjtin bosht, e cila pavarësisht notave dhe akuartitetit përcjellës, paraqitet si vlerë, e cila bart gjurmë të forta dhe pështjellon gjithë qënien kur mungon.
Risia krijuese e Ardi Omerit përbën një botë të thellë impresionuese dhe kreativitet që zbret nga subkoshienca dhe muzgjet e shpirtit, vjen për të shtuar dhe një ngjyrim më tepër në telajon e madhe të poetikës së sotme bashkëkohore, bart shenjat autentike dhe përthyen prizmat shumëdimesionale të hapësirave që afron muza e pafundme dhe kështu i ngritur mbi motivet më të bukura të perlave botërore, sikurse janë motivet persiane, mrekullon dhe deshifron me mprehtësinë e gjuhës letrare.