Poezi nga Astrit Balliu / Shkëputur nga Vëllimi Poetik “Princesha ime”

 

astrit 1

 

         Poezi nga Astrit Balliu

 

 Shkëputur nga Vëllimi Poetik “Princesha ime”

 

 

 

 

PRINCESHA IME

 
Sa shpejt vitet le mënjanë
Dhe thua se koha kundër më shkon
Tashmë u rrite, je bërë si një Zanë
Ndaj mendja gjetkë më shkon

Pak nga pak po më hyn dhe frika
Të shoh tek rritesh dhe hedh shtat
Trembem, e di që do të vijë dita
Dhe sytë e mi do mbeten thatë

Ç’ndjenja të turbullta më pushtojnë
Sa herë-herë nuk di as se ç’dua
Habitem, vitet kaq shpejt kalojnë
dhe ti m’u rrite, u bëre grua

S’ka gjë, veç rritu bija ime
Fat e shëndet të më kesh
Je dritë ngado të shkosh
Princesha ime gjithmonë do të jesh

 

 

 

 

A MË DO?

 
Nëse ndodh të t’humbas,
e qetë ti mund të flesh
S’do të dëgjosh më të t’thërras,
A më do, a më ke jetë?!

Nuk do të ndodhë më
që në mëngjes t’më shohësh mua
Duke pritur që të zgjohesh
për të të thënë sa shumë të dua

Nëse ndodh dhe të humbas
ankth, s’do të kesh më
Që përpara se të flesh
të të pyes: A më do?!

Nuk do të më kesh më pranë
të dëgjosh tek flas përçart
Duke pëshpëritur nëpër dhëmbë
në monotoninë e bezdisshme:A më do?

 

 

 

 

NDOSHTA

 
Vërtet është turp
Por ç’të bëjmë, s’kemi
Në zemër të Evropës
Një hap përpara gomarit jemi

Gati t’i hamë ushqimin lopës
I kujt qe faji, askush vesh s’mori
Kërkuam, por nata na qëndroi pranë
Dielli të na shihte syrin s’e nxorri

Na tërhoqi një dritë e largët
S’dimë sa larg, por do ta ndjekim
S’dimë n’është ëndërr që shton veç plagët
Ne do të vrapojmë, ndoshta e prekim.

 

 

 

 

LAMTUMIRË

 
Pas xhamave të shoh të mbetesh prapa
pa lëvizur, aty…
Ndoshta me shpresën që edhe mund të kthehem,
por më kot…
Treni u nis, bashkë me të dhe unë
Ndaj mos prit, mos qaj, u bë ç’deshe ti

Harroji puthjet, harroje, të dua
Harro gjithçka, harromë dhe mua
More ç’dëshirove, por s’të shoh të gëzohesh
Ndoshta se nga lamtumira
Askush nuk lumturohet

 

 

 

 

NATA

 
Është nata shumë e gjatë
Dhe orët fund nuk kanë
Se më mungon ti, ndaj dhe dita është natë
Dhe orët në dymbëdhjetë ndalur janë

Se nata është si akull e ftohtë
Dhe mua më ka mbështjellë mirë
Nga mërzija nuk ndiej ftohtë
Loti në faqe më ka ngrirë

Nata është e mbushur plot me ëndrra
të frikshme, që tmerr më ndjellin
Ëndrra që frikësojnë dhe vetë natën
Që këtu më korrin, por gjetkë më mbjellin

Kjo natë është varr për mua
Aq sa dhe ditën frikën e kam
Më ka futur tmerr, por prapë e dua
Sa të jetoj diellin në gjendje s’jam

 

 

 

 

JAM LARG

 
Tek vështron hënën të kalojë në dritaren tënde
Kujtime të vjetra, të rizgjohen
Papritur, humbet toruan ashtu, pa asnjë shkak…
Por unë vogëlushe jam larg, mos më kërko, jam larg!

Dy fletushka, më kujdes mbështjellë,
këngë të ngulitura në mendjen tënde
Befas kthehesh në të kaluarën dhe pyet
Se cila këngë nga ata i ngjan këngës sate

Nuk është asgjë vogëlushe
Një mendim, një lot i nxehtë në shpirtin tënd
Ndaj më kot në hënën jashtë dritares
Hijen time vizaton me mendje

Më kërkon të zgjohem brenda teje
Në një kënd të errët, më kot kërkon
Nuk janë veç një ëndërr
Mos u mundo, unë jam larg, shumë larg
Më kot kërkon ende diçka që të t’përkasë
Më kot unë jam larg, shumë larg…

 

 

 

 

NËNË

 
Më linde një herë
Dhjetë, ty të mundova
Njëqind, më këshillove
Dhjetë të dëgjova

Unë të lëndoj,
Dhe ti më bekon
Të kthej shpinën e shkoj
Ti veç më uron

Nuk kam turp të të them,
Më fal, njëmijë herë
Buzëqeshja jote, që kur linda
Më dhuroi pranverë…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s