
Poezi nga Alketa Ilia Caca
ATI YNË, PSE NA KE BRAKTISUR?
Nuk dua të luftoj me ty Zoti im,
bota ka ngelur pa mëngjes,
nata mban peng yjet,
sy të dehur gromësijnë në kazane plehrash,
shitësin e luleve po e dëbojnë nga qyteti,
miza si vampire pështyjnë vagina qorre,
mbi plagë qensh ulet urrejtja e lotit.
Zoti im,
bota ka ngelur pa nerv, pa muskul,
ujqërit shëtisin serbes në piaca dëshmish,
pirgje me kocka thatanike zihen me gurë,
prifti dhe një hoxhë i moçëm
mbajnë shenim emrat e vdekjes,
qielli nga lart vajton psalmet e shenjtërve.
Zoti im,
Kurvëria dendet me mish e raki,
kamja e mullirit bluan pantallona burrash,
korbat ngushëllojne kamxhikët e lodhur,
nuk gjendet balsam për jetën që dergjet,
turma të kërrusura presin lindjen e diellit.
Zoti im,
nuk mundem të luftoj me ty,
bota po zhegërlitet nga pabesia,
po zbres poshtë,
shumë poshtë tokës së errët,
të pres Zotin e fjalës,
për 7 ditë Zotin e zjarrit.

Çmimi I ” Frang Bardhi- 2016″

Alketa Stefania Caca