Poezitë konkuruese të Çmimit Letrar “Frang Bardhi – 2016”

14369879_1147110188717431_4301049682424783394_n-1

Poezitë konkuruese të Çmimit Letrar “Frang Bardhi – 2016”

 

 

 

Poezia Nr 1

 

ATI YNË,  PSE NA KE BRAKTISUR?

 

Nuk dua të luftoj me ty Zoti im,

bota ka ngelur pa mëngjes,

nata mban peng yjet,

sy të dehur gromësijnë në kazane plehrash,

shitësin e luleve po e dëbojnë nga qyteti,

miza si vampire pështyjnë vagina qorre,

mbi plagë qensh ulet urrejtja e lotit.

 

Zoti im,

bota ka ngelur pa nerv, pa muskul,

ujqërit shëtisin serbes në piaca dëshmish,

pirgje me kocka thatanike zihen me gurë,

prifti dhe një hoxhë i moçëm

mbajnë shenim emrat e vdekjes,

qielli nga lart vajton psalmet e shenjtërve.

 

Zoti im,

Kurvëria dendet me mish e raki,

kamja e mullirit bluan pantallona burrash,

korbat ngushëllojne kamxhikët e lodhur,

nuk gjendet balsam për jetën që dergjet,

turma të kërrusura presin lindjen e diellit.

 

Zoti im,

nuk mundem të luftoj me ty,

bota po zhegërlitet nga pabesia,

po zbres poshtë,

shumë poshtë tokës së errët,

të pres Zotin e fjalës,

për 7 ditë Zotin e zjarrit.

 

 

 

Poezia Nr 2

 

Kur të  ik

 

Kur  të  ik  një  mëngjes

Dua  ta  marr  më vete

Vetëm  këngën  e  dhembjes

që  më  përcolli  gjithnjë

hap  pas  hapi’’besnikërisht-miqësisht’’

telat  e  instrumenteve

ishin  të  shumtë

asnjërit  s’ia  dita

cfarë  timbri  po  nxirrte

cfarë  melodie  po  lëshonte

edhe  pse ‘’melodia’’shtrinte krahët

mbi  qiellin  e  fatit  tim

ani,s’ka  gjë!

lë  të  më  përcjellë  edhe  n’amshim

ndoshta  atëherë  kur  të  ik

thashethemet  e  lagjeve  tona

a  do  të  vdesin  bashkë  më  mua?!

Apo vargu  do t’u  mbetet

Gjithnjë  temë  diskutimi

Dhe unë  i lumtur  do të  pranoj

këtë  formë  për- kujtim- I …

 

 

 

Poezia Nr 3

 

Pranvera

 

Gonxhet e luleve erëmira puthin tokën

Drita e hënës ëmbëlsuar me mjaltë,

Përzihet brenda çdo pike hyjnore

Deti i dashurisë mbushet me rreze drite

Çdo degë e pemës fillon të vallëzojë

Qielli është i qeshur e plotë ngjyra

Gishtat luajnë në flautin hyjnor

Shirat e dashurisë lehtë janë përhapur

Edhe hëna na bekon

Në këtë bekim të pavdekshëm.

 

 

 

Poezia Nr 4

 

KAFE ME NUSEN

 

Agimeve të ditëve pranverore,

Shtërngatave dimërore,

Shiu rebesh, ftohti,

Asgjë nuk i ndalë…

Tavolina buzë Lumbardhit,

kamerierët e përgjumur në qetësi,

sjellin pijen e kënaqësinë të ekstazës…

djelmoshat e Club Cornerit të buzëqeshur,

gjithmonë butësisht urojnë, mirëseardhje,

Dhe,

… një ditë

Një ditë kur nuk do frymoj më,

do pyetet kafja e mëngjesit e çuditur,

ku janë, pse ende nuk erdhën?

Kroi do pretë me kërshëri ,

gazeta ditore,

faqja e parafundit,

in memoriam pa foto,

u preftë në paqe Profi ynë…

 

Dashnoret tonë Marashi, Rrapi, Keji e Corneri,

do pyeten ,

ç’ndodhë, ku janë?

Profi dhe Zonja e tij..

 

Do vëzhgojnë-kërkojnë ethshëm sylotur,

simbolet e qytetit ku vajtën?

 

Nga lartë retë e tubuar,

lëshojnë pika dhembëshurie,

ndërsa zogjtë,

nën dritaren e dhomës,

do presin,

të uritur dhe të çuditur,

do cicërojnë të habitur,

ku është, tregoni se jemi duke e pritur.

kërkojnë troshat në vendet e mësuara…

heshtur dritëzat e diellit do shkrepin mbi kala,

rrugët ende duke u pastruar,

do pyesin,

kush do pij kafen e hershme të mëngjesit?

 

Presin ardhjen,

ndëgjohet heshtja,

rrezet e diellit do anashkalojnë tavolinën …

 

E di, Nusja ime e dashur.

sytë do lotojnë, duhani do bëj shoqëri,

emocionet e gjynjëzuara,

ofshamat më se të dhimbshme,

do të të mundojnë…

 

Por,

do presin kalldrëmat,

Lumbardhi do përmallohet.

Shadërvani, dashuria e pashuar,

Kështjella do kërkoj shikjimet,

e Historisë Lidhja,

ikona qytet, nuk do haroj çiftin,

verbërisht të dashuruarit…

 

Të lutem,

trego qytetit të zotnive,

perlës së kënaqësisë,

mbretëreshës, mistreses, princeshës,

kurrë nuk do e haroj…

 

Nuse, ke një emanet,

në katin e dytë të Cornerit,

vend i pëlqyer dhe i dashur,

lexo këtë poemë …

 

Më kujto,

le të rrjedhin shkronjat poshtë Lumbardhit të qetë,

puhia të përcjellë fjalët e shkruara,

poshtë në errësirë,

unë do i pres i etur dhe i përmalluar…

 

Lartë fotoja e Hemingway, pianoja Steinway,

tingujt e kitarës, poetët e mbledhur,

ndëgjohen në heshtje poezitë…

 

 

 

Poezia Nr 5

 

Dashuri e nënës

 

Duart e rritës time

treten bashkë me dheun

Kujtesë ëmbëlsia e fjalës,

as ëndërr, as vdekje

Vetëm trupi është tretur

dhe ka mbetur dashuri e nënës,

dashuri e nënës

Ëmbëlsi e fjalës , kur luteshe për mua

Para Shën Mërisë,

për të  shëndetshmen e rritës  time

Ngrohtësi e kësaj bote

Lulëzon e vetëm , lulëzon

Dashuri e nënës.

 

 

 

Poezia Nr 6

 

Mëmëdheut !

 

Mbresa që djeg me pishtarë të shuar udhëve

me hënë të ngulfatur brezash

rrënime kështjellash e kullash

djegie të jehonave të gjallërimit

çdo ditë, muaj, vit e shekuj

Evropa frymë shteruar,

e uritur,

nën varfërinë e mendjes

mos ik në mbyllje të horizontit!

 

Kapërdisur nê degë të krimbur të drurit të thatë

Dini, ju të uritur ç’ farë po ndodh me Tokën time

Në çdo pllëmb është Arë – më gjak

me qirinj dëshmorësh ndezur,

se zhdukjes së territ i duhet drita.

 

Jo, ofshamë e dhemjes ,jo brenga e pikëllim

Lotin e rënkimit me jehonë

Amaneti të parëve:Jo, hutini kujën

e qyqja për gjëmën qyqon!

 

Tokën e lashtë dielli do ta mbante për vete

Me epilogët të humbësit

Në një muzg të vetmuar,

Por jooo, jooo, jooo!

Tek varri dëshmorëve do lulëzoj

e madhërishme, Pema e Jetës!

 

Unë … Unë ushqehem me energji të besimit.

Ti digju nën ndergjiegje  të ndërgjegjes.

Shkëndit e bardha në kohë të zezë

në ditë me diell e natë me yje

në netët ndriçuar me qirinjtë lirije

Lind kënga e madhe:

Shqipëria e tokëzuar përjetësi!

 

Mallkimi i saj i thërret vdekësisë

mos e lëngo Mëmëdheun tim

Kosova, kopsht fanarësh të ndezur mrekullisht

N’ tokat Iliro- Dardane të rënët gjumë të qetë përjetësie,

por ngrihen, nëse duhet ngrihen nga vari

Kujdes tradhti: Jo, toka nuk falet,

mbi gjakun mos bëni lëshim!

 

 

 

Poezia Nr 7

 

KOHA SI ZBRAZËSI!…

 

Në kohë verë

dëgjohen më shumë thirrjet e turmës.

Ato tingëllojnë nëpër ajër,

ku endacakë pushues,

pa skuadra futbolli në skeda llotosh,

këndojne të lehtësuar

dhe i japin tjetër ngjyrë ditës.

Për ca të tjerë,

koha zbrazet në  zbrazëti,

ku askush s’mendon,

veç vrapon pa kundërvenie,

drejt formash konturehumbura bulevardeve,

e jo buzë detit,

ku topi luhet si në fëmini.

Atje, lojtarë të Legjionit te Verës, të vjetër, të rinj,

me sy e pa sy,

të dëshpëruarit me kapele verore,

të gjithë të trullosur, vërdallosen e sulen,

harruar pas topit.

Vjen një çast që kujtohen

dhe shfrejnë  me britma keqardhjen e tyre për stinën e verës,

që nuk u dhuroi pak guxim

të ëndërrojnë më shumë  se zotërinjtë,

që lojën e kanë gjithnjë të fituar

dhe pse në të njëjtën zbrazësi.

 

Të tjerë,

përsëri në turma

largohen mëngjeseve nga shtëpitë

arratisen të marrin ca frymë lehtësuese

me rroba banjoje veshur herët të jenë gati,

që kur dielli të nxehet, t’i gjejë në det

të zhytur e freskuar thellësish.

Të tjerë akoma,

fotografohen  nudo bregut të plazheve,

se”deti s’do lecka”, do trup, rini…

ndërsa të “marrët”,

që shkruajnë dhe në verë,

fshijnë e grisin puthjet e vargjeve,

pa klithma pulëbardhash, pa det në det,thjesht në zbrazësi

ndaj janë të pakuptueshëm nga turma,

nga unë po e po,njëlloj si ti.

Ç’kërkoni më tepër nga stina e verës?..

diell ka shumë , ka dhe lule që ujë duan dhe ato,

si njerëzia,

që ethet e nxehta të futbollit botëror,

i shuajnë thellësive të detit

dhe pa dallim nga unë e ti,

s’duan të thartojnë trutë

me koncepte kohe,

e zbrazëti…

 

 

 

Poezia Nr 8

 

Tablo

 

S’ mu desh sot as bojë e as penë,

as letër sot, jo  nuk mu desh,

mora veç një stendë qielli

pak blut të tij dhe copëza resh.

 

Mblodha tinguj dhimbje që klithnin ajrit

dhe lotë që derdheshin tokës rrëmbim

Kryqëzova më pas rrugët e fatit

dhe  me bojërat e mallit e tërë u shkriva.

 

E pak e nga pak tablon e thura,

si trikon në vjeshtë me ngyrat vjollcë

shikoj  imazhin copëzuar nga jeta

me notat e trishta mbushur pentagram.

 

 

 

Poezia Nr 9

 

MË VJEN TË PËLCAS

 

Më vjen të pëlcas këtu në vend të huaj,

këtu ku gjuhën njerkë,  nëpër dhëmbë mezi e bluaj,

Më vjen të pëlcas…,

këtu, dhe pse ajri më ushqen e e rrjedh  si vaj,

këtu,veç  jeta është pa shije, ku edhe vitet flasin gjuhën e huaj,

Pavarësisht se më ushqejnë dhe më shtrojnë të fle si në parajsë.

Me vjen ta shqyej ferexhenë e emigrantit,

dhe të hidhem e të luaj si dikur,  i lirë në vendin tim

Ndonjëherë më thotë ç’ menduria, që ta shqyej natën e t’ ia mbath  vrapit

të fluturoj i lirë në Shqipërinë time, pa epitetin emigrant.

Më vjen të pëlcas…,

sepse kohën nuk e kthej dot,

këtë kohë gjigande të universit,

këtë kohë që tallet me ne e shkrihet gazit.

Më vjen të pëlcas…!

Ahh, nuk mundem jo, nuk mundem që ta kapërcej dot…,

sepse koha që iku, është kaq e madhe, sa një univers i tërë,

dhe unë veç i kruaj kurrizin asaj dhe ajo qesh me lot.

Më vjen të pelcas…

sepse nuk jam  asnjë gjysmë Davidi,

dhe në këtë kohë që kaloi, humba mes vitesh.

Jam veç një dordolec që tremb zogjtë përmbi garth

dhe kurrë s’ ka për të më kthyer më pas.

Koha që kaloi, s’ është as mur e as gur, që t’ a rrëzoj e të bjerë si një Goliath.

Më vjen  të pëlcas…,

që jam larguar prej vendit tim,

atje ku edhe gjuha ka shije, gjuha shqipe që po flas.

dhe për këtë ikje, fajin kujt t’ ja vë?

 

 

 

Poezia Nr 10

 

Në dritën e saj…

 

Tinguj epokash

në melodi vazhdimësie,

zgjuar në vizione

e kështjellash antike,

që mbretërojnë legjendash

mes ngyrash mistike

në nuanca fluide

rrugicës bardhë,

që gjymtyrët zgjat larg..

 

Aroma të shpërndara myshqesh

…dhe zogj shtegëtarë në ikje,

që fluturojne lart …

e rrëzohen papritur,

si një vello e mëndafshtë

në frymëmarrje ere,

që hap porta qiellore

prizmit shpirt në përthyerje.

 

Shëtit dhomave Kleopatra …

ditës më të zbehtë , vjeshtës,

ku kohët deshifrojnë hieroglife…

dhe kode…

pasqyryar në mure të lagështa,

me imazhin e saj…

Trokitje hapash të largëta , zgjojnë ofshama

në pyje të heshtura

zhveshur mëkatesh …

 

E padukshmja endet shtjellash të trishta

botës pakuptimësi,

ku iluzioni humbet

hapësirës pa zë…

Ndalet pragut harresë

të mjegullës argjend.

Mbështjell ajrin e mbrëmjes

të sapo rënë ..

Ngjitet lart

poltronit Andromedë

në dhoma kujtese

zbehur nga nata ,

e fiket

në dritën e saj…

 

 

 

Poezia Nr 11

 

SHOQËRI BRILANTE

 

Brilant e quaj shoqërinë,

se s’ u zhgënjeva kurrë prej saj.

E tillë kam mbetur e di mirë

Prandaj me respekt e mbaj.

 

Se shpirti im është i madh,

gjithë botën mban brenda.

Me dritën e shpirtit e zgjedh,

Të jetë besnike ma ka ënda.

 

Se kalova kohë të vështira,

Shumë kam shkruar për shoqërinë,

Vërtetë u lodha, por s’ u dorëzova,

E sot mbledh frytet e mundit tim.

 

Si çdo njeri të mirë, Zoti mua,

Me një dorë më hedh, me tjetrën më pret,

Lum kush ka shoqëri të zgjeruar,

Jeta e kthen në trëndafil me fletë…

 

 

 

Poezia nr 12

 

Lutje e lypun,  Dantes.

 

A!…  Munemi pas me  t’ardhun, kur kthimi prej Ferrit

T’nisë bardhjen vet’dijshme, ag dbore, jo

Veç teje Dante?!

Po duem me t’kqyrun do vené  kthina t’rrugta,

e pyje t’gurtë, egërsina-degë,  ku e përtejmja,

lëvoret eshtnore përtyp.

Ne njerëzimet e t’sotmes menojm shka munet

T’vuejmë ma tepër se ferri yt?!…

Jemi t’sotmit e shumëngjyresh.

Reja vedit ,e shiu shëtit  n’ trupime  zhveshuna.

Ide …post filozofinash,e gulshime të tjena

Mllefun!

Pas nesh, dorën mësuesit Virgjil i mshteti grushtshëm…

E n’gjoks tue i thanun: “Këta duen një njeri a figurë,

veç prej ferri?!

E Virgjili kryet uli ma randë se vetë errësinat…

Sot!

S’kuptohen n’kërkesa kur trup e shpirt; janë vétmi e

Përtejme!…

Njérëzi! Krijuesi ka ngecun n’bora prej andrrash tuaja.

Oh,ç’rrëfim për mue!

At i dijes sime,

m’fal! rrugtimi duket si fije e leshit në tezgjah…

E nana eme duert si ka ma për mue…

 

E ne, n’kor llambash t’muzta n’digjuem

Nji koritje besëdhanun;”

t’kam falun!…

n’tundime çiftnash,

Paola e Françeska………..Farinata e Kavalkantesh…

Kam dyshuè për ty biri em i epërm,

Në t’përtejmen krye ngritun,

me ranë ràndë…

JE NJERIU,  MA  PREJ  NJERIU!!!

Pllangat e tua janë shuplakë e pashpagueme.

E morti modern, ku vdekatarët luten për pakësi

Fondesh t’frymta hyjnish,e profecitë janë nënnene

Ligjsish; menoj ! :Dante,t’fal ngasje tundimesh,veç

E zeza mbi të zhveshunën faj àsht kurmi drejtësis…

E fundi Dante!Lutju njerëzisë mbas sotmi mos

Diellin pyllëzojnë me dru terrinash-instikte t’pagjuma,

Se mandej agèt ditni do lartsohen me sklepa bame prej

Trupna egërsinash…E dielli mos u kollittë bashkë me dritën.

Se qiellnisë do i mungojë nji prej mushkërive…e ditës…

Mos e thanun e natës!

Hije trupnish, me eshtra lyer me terrina!

Lutem e t’lutem i jemi At,e biri im i epërm!

Ma prej njeriu, je njeriu i të vetmes…Dante!

 

 

 

Poezia  Nr 13

 

PRITJA

 

Pritja, është nata,

që derdhet në qiell

dhe yjet ndezin sytë për të përgjuar hënën.

 

Është dita, që heshtet,

në prag të dhimbjes,

kur dielli kafshon me dhëmbë kalldrëmet.

 

Pritja, është syri i nënës,

në udhë që s’ ka fund e s’ ka anë..

 

Është loti i fshehtë i atit,

që gërryen zemrën ngadalë…

 

Pritja është psherëtima e pemës,

në thëllimin e akullt të dimrit,

sa dridhen dhe rrënjët…

 

Gjethërimi ngjyror i pranverës,

kur zogjtë ngrenë folenë

dhe dehen prej këngës…

 

Pritja është koha,

që ikën dhe bën gjyqin e kohës…

Janë buzët mbi buzë, si vlaga e tokës…

 

Pritja është letër e pashkruar,

fjalë e pathënë…

Mendimi që ngrihet

dhe s’ rri dot në këmbë.

 

 

 

Poezia Nr 14

 

ATDHEUT TIM

 

 PËR KËTË DITË TË BEKUAR!? NGA HYJI DARDAN

 (Poemë )

 

PROLOG

 

Po të mos ishe Ti,

Unë do isha ankth në zemrën e gurit,

Atdheu im,

Do isha një askush,

Pa trastë e pa një kacidhe buke.

 

Ti linde,

Para njëqind e katër viteve,

Kur babai im ishte një pjesë,

E ashtit të babagjyshit.

 

Thonë se për shtatë ditë,

I shkeli, me shputat e ngrira,

Ashpërsinë e maleve shqiptare,

Dhe ditën e tetë, e zuri me dorë,

Diellin në Vlorë.

 

Im gjysh,

Atë ditë i kalëronte vetëtimat,

Kur u përqafua me plakun,

Mjekër-dëborë.

U gjunjëzua,

Dhe e puthi shpendin e shenjtë,

Para dhjetë dekadave,

Dikur, atje… në Vlorë.

 

 

 PËR ÇDO DEKADË NGA NJË BALADË

 

1.

 

Përtej gërmadhave të këtyre fjalëve,

Nuk kam se ku të shkoj.

Më vranë,

E më kafshuan çakajtë.

Akoma pa i çelur sytë,

Lotoi guri.

 

Im at’,

Në gjumin e brejtësve,

Përkund’te djepin,

Duke mos e ndalur këngën,

Majëkrahut.

U këndoj zanave,

Që e mëkonin atdheun e grisur.

 

Me qindra vite nuk e rroki kazmën,

U ngjiz me dyfekun,

Lisave  u bënte shoqëri.

Dhe i thërriste baladat,

T’i japin ujë gjokut.

Edhe foshnjat,

Akoma pa lindur,

Përpëlitnin,

Në zemrat e nënave.

 

S’kishin durim të presin,

Deri sa të burrërohen.

Rriteshin para kohe,

T’u ndihmojnë baballarëve,

Me nga një krismë pushke.

 

2.

Ishin kohërat e vështira,

Sa që barra na e thyente ashtin.

Nuk kalonte asnjë këlthitje,

Këlthitje çafkash,

Pa i shkulur lisat.

 

Dikush mallkoi Zotin,

E tjetri Atdheun.

Kur qepallat u sterrën,

Dita lindi nga loti i mjegullave.

 

Kudo qielli u nxi.

Në lotin e Shën-Mërisë,

Derdhej balsami i trishtimit,

Derdhej një gjak  kuq e zi.

 

Vetëm për Ty,

O Atdhe i vrarë,

E i bluar në dhëmballa djajsh,

I lëmë peng eshtrat tona.

 

Ky truall i grisur e i çar,

Nga kafshimet e ujqërve,

Përjetoi golgotën e dhembjeve,

një trishtim të paparë.

 

Ky tregim biblik ,

Zvarritet që nga mosha e re.

Ne s’deshëm,

Ose s’patëm kaçik.

O veç një djall na ndau,

Dhe na copëtoi,

Kur dhelpërisht hyri ndër ne.

 

3.

 

Disa lloje veladonësh,

Hynë në vallen e mortit,

Dhe na i shembën murishtat,

kudo gur muri,

Kodo ogur i zi.

 

Eh ç’të gjeti kështu,

Moj nënë Shqipëri?

Të katandisën bejlerët,

Të copëtuan agallarët!

 

Sa mallkime në shpirt,

E sa plagë i ke në trup,

S’di a të mburrem,

Apo nga ti të kem turp.

 

O fati im i drunjtë,

Mbi ty kalëruan shekujt.

Ti, kali im i zbrazët,

Kryqi im i akullt.

 

4.

 

Këtu përjetuan shumë trishtime,

Kur netët ballkanike,

Kur s’patën çka të han,

I pjekën lisat për së gjalli.

 

Kafshuan palcën e dheut,

Për ca pika shiu,

Dolën matanë lumit,

Dhe atje e keqja mbiu

 

Ishin të gjata netët,

Kur nëpër kusia bakri,

Për mysafirët e paftuar,

Zihej guri i strallit.

 

Për një bisht cigareje,

Eshka kallej flakë,

Drunjtë thyheshin nga acari,

Me qindra vite,  këndej ,

Nuk mbiu bari!

 

5.

 

Më është shterë truri.

Asnjë pikë loti,

Nuk lëshon kafka ime,

E rrjepur.

 

Drurët qajnë.

Lisat lotojnë pika kryqesh.

Ky mallkim i shekullit ulërinë,

Në lotin e Shën-Mërisë.

 

Jam ulur mbi një kërcu,

Dhe tallem me vdekjen,

Si vdekja që tallet me ne,

Kur lehin daullet e luftës.

 

Tej shkurreve të zeza,

Përdridhen disa hije,

Gërmadhe njerëzish te murishtat,

Bartin kryqin e ditës.

 

Më duket se sot është tepër vonë,

Siç ishte dje tepër herët.

Asnjë këmishë si fle trupit tonë,

Jakat e palara i ndërsejnë qentë.

 

Lehjet s’janë duke pushuar,

Po çohen peshë!

Netët e mrrolura aziatike,

Në majat e minareve lozin shpirtrat.

 

Diku ngre kokë kryqi,

E diku gjysmëhëna!

Loti im mes kudhrës dhe çekanit,

Dielli i përskuqur shikon me pabesi.

 

6.

 

Sa herë që hymë,

Nëpër rrugët e baladave,

U takuam me lashtësinë e trishtuar.

Gjergji akoma s’qenka zgjuar.

Çfarë është ky gjumë?

Çfarë arome paska vdekja?

 

Nëna ime,

Nënëlokja e ime e mjerë!

Ku të katandisën djajtë,

Në duart e kujt,

I lë peng,

Këmishët e gjakosura!

 

Nën trapazan,

Kanë heshtur pushkët.

Meshkujt, ecin kokulur nëpër lamë.

Për qumështin e kërthinjve,

Nuset lërojnë tokën,

Tokën e pazot,

Nënëlokja e ime e mjerë!

 

Deri kur do të kurrizemi?

Kjo ecje nuk i përngjan fisit tonë!

Jemi apo nuk jemi askurrkund?

Atdheu do flijim,

Atdheu do të mos flemë,

E të mos jetojmë,

Kështu në trishtim

 

7.

 

Kjo fushë nekrologësh,

Paska mbirë për së mbrapshti.

Asnjë kalli misri,

Në rrënjët e mështeknave.

 

Kaluan disa vite të vështira,

Nëpër varre mbollëm pemë tropikale.

Mermerët s’duronin rrënjët,

Që përtypin dheun e shkriftë.

 

Një kolonë gurësh çapitej,

Tej hurdhave.

Motet e përjargura shtypeshin,

Nga një forcë e padukshme bizantine.

 

Kur dolëm në sheshin e kujtesës,

Asgjë s’kishte mbetur në këmbë.

Vitet mbyteshin në dallgët e turbullta,

Peshqit këndonin me nostalgjinë.

 

Në kundërshtimin e gjetheve,

Nuk kuptove se si rritet mështekna.

Ato vite ishin të egra,

Kur dhëmballët kafshonin dhëmballën.

 

8.

 

Kur u takuam me vetveten,

Ishim larg nga ëndrrat.

Shumë vonë u zgjuam,

Për tu këndellur si duhet.

 

Ky gjumë që fle,

Nëpër sirtarët biblike ,

Nuk ka asnjë qëllim përpos,

Ta kafshoj vetveten.

 

Kur u zgjuam pamë se kishim fjetur,

Gati një shekull.

Akoma po flemë, si i dehuri,

Dhe në brendinë tonë ,i mëkojmë gjarpinjtë.

 

Atdheu s’ka nevojë për premtime,

Në syrin e Tij, rriten plepat.

Vetëm zogu i shenjtë mund të ulet,

Në prehrin e këtyre gjetheve.

 

Sot ky shi i furishëm gjelbërimi,

I zgjon baladat epike.

Nëpër telat e qemanes,

Zbresin yjet në dasmën e madhe.

 

9.

 

Nuk di se ç’ka do të isha,

Po mos të kishe qenë Ti,

Atdheu im.

Këto gurë,

Që më njohin,

Kujtesën e kanë më të lashtë,

Se sa lashtësia e tokës.

 

Një mori historish,

Dhe prostitutash kaluan mbi Ty.

Veladonët e zinj t’i kafshuan germat.

Nëpër kolonada çapitën,

Të kërrusurit,

Dhe akoma mbete,

Sa i egër po aq edhe krenar,

Atdheu i im  i vrarë.

 

 

Nuk di,

Edhe sa do të ecim në këtë mënyrë,

Por rruga e jonë është e gjatë.

Do të mbërrijmë një ditë,

T’i djegim këmishët gjarpinjve.

 

Këtë ta kemi borxh Ty, Atdhe,

Bastunëve të gjyshërve.

Një borxh i papaguar,

Për të nesërmen e madhe.

 

10.

 

Sikur ta kisha kapelën tënde,

Atdhe,

Do isha mbret ,

Mbi mbretër,

Do i zhdukja të gjitha yjet,

Që nuk vezullojnë,

Në detin e shpirtit tënd.

 

Edhe vashat më të bukura,

Do të kishin zili,

Se unë do isha Atdhe,

Kurse ti poeti,

Që i këndon bukurisë.

 

Do kalonim dorë përdore,

Deri te burimet e yjeve,

Do na mëkojnë meteorët,

Me qumështin e lopëve të diellit.

 

Do ishim flutura,

E me një mall të zjarrtë,

Do i përqafonim,

Brigjet e ëndrrave e tua,

Atdheu im i vrarë,

Atdheu im i kafshuar!

 

 

EPILOG

 

Sonte, kur kjo dëborë e kuqe,

I mbulon flokët e shprishura,

O atdheu i im,

Ti , diku larg, në brigjet e Jonit,

E end pëlhurën e Penelopës.

 

Në këtë çast,

Sa qenkan të brishta kujtimet,

Kur derdhen mes këtyre gjetheve,

Nga lotët e kukullave sybajame,

Këputen yjet e vendlindjes.

 

Njëkohësisht, paskam uri,

Dhe etje.

Si të ngopem me kujtimet për Ty,

Çezma ime e drunjtë,

Si ta shuaj etjen,

Me mallin tënd të paçmuar,

Ooo  Atdhe!

 

Kalldrëmet janë shkulur nga kujtesa.

Si ta shuaj zjarrin,

Që nuk e shuajnë me vite të reshurat.

Ky rrap i uritur,

Paska mbetur pa fije loti.

 

Të lutem më fal,

Por vajet  i përkasin burrave.

(Besa, edhe kuajve,

Kur i humbin dizgjinët).

 

Një mall që nuk shuhet,

Me vite ndizet në brendinë kraharorit.

Po kam frikë,

Se sonte,  do bëhet vonë,

Tepër vonë ,

Për të t’i mëkua plagët.

 

Më ndje Atdheu im i grisur:

-Të lutem, më fal për këto dhembje!

Edhe sikur të kisha qenë gur,

Do të pikonin si përherë,

Këta lot të hidhur,

Nga syri i shkëmbit strall,

Strall e mall.

 

 

 

Poezi Nr 15

 

Sonatë

 

O ëndrra ime e bukur,

që vezullon  më të bardhën dashuri

ti që qiejt e shpirtit farfurin

mos më braktis netëve errëti.

 

Falma qeshjen ujëvarë

Sytë mbushëm me  më të ndritshmit yje

Zemrën me trëndafila të kuq!

E botën me aromë magjike dashurie!

 

Çdo natë do të hap derën e shpirtit

e zemra të gufojë prej të madhit gaz

Dhuromë ngjyra dhe tingujt më të ëmbël

Çdo çast për mua të jetë një sonatë.

 

 

 

Poezia Nr 16

 

TI, O POPULLI IM

 

Ta them hapur, pa dilemë:

Mos më lexo, se do më urresh

Kur unë të vërtetën do të themë,

“Ç’të duhet ty, o trap”, do ma kthesh.

Po mo po, ti, populli im,

Shoku, miku, i afërmi, vartës e shef!

E mori dreqi e mori, jam gjaku yt legjitim

Dhe më bëre të shkruaj me kaq mllef!

Ti, i çuditshmi, populli im,

Kaq i zhgënjyer, i influencuar përherë!

Ti, që m’i cingëris nervat sa hap sytë

Me atë të troshiturin karakter!

Sot ankohej se ke lakun në fyt

Nesër brohoret se punët të venë vaj

Më je bërë si politka pa kokë e pa bisht

Po jo edhe shteti, ta hajë dreqi ta hajë!

Ti, o populli im i ri

Me depresion e drama që në lulen e rinisë,

Me mua je, krejt tjetër njeri

Dhe botës i shitej si dhuratë e perëndisë;

Ti, që veten shan e urren,

Që s’lexon një libër, nëpër kafe ditën ngrys

Të fyhet qytetaria e ndërgjegjja të bren

Kur vriten gazetarët në Paris…

Ndodh që vritet një turist i huaj

Ti mohon veten, kriminel i thua, për ibret

Me injorancën tënde tallesh kur burri vret gruan

Në zgryp është rritur, thua, dashka dhe qytet!

Ti, që intelektin ke në gen

Rropatesh për një falco-diplomë

Për të qënë thjesht ushtar i kavies

Që bota eksperimenton në planetin tonë.

Ti, o populli im vital

I pastër si bora në kreshtat e maleve

Kujton ti se unë përherë do të fal

Të mbushësh me plehë edhe baltën e varreve?…

 

As pushtuesi, as diktatura as demokracia

S’patën këllqe të të ndryshonin ty

Unë jo se jo, as Perëndimi, mos nesër rinia?

As Zoti as dreqi s’e di.

 

 

 

Poezia Nr 17

 

KOPSHTI  I  QIPARISAVE’’

 

Në juglindje të vëndlindjes time,

shtrihet rrëzë malit, oborri i engjëjve,

rrethuar cep më cep  me qiparisë.

me mure të ulta e të bardhë.

 

Kërkoje dielli im, “Kopshtin e qiparisave”!

Në të hyrë, do gjesh një  nënë,  duke pritur

një nënë  me lot të ngrirë përmbi faqe

mbi buzë, emrin tim duke thirrur !

 

Në frymën e saj do ndjesh shpirtin “nënë”

dashurinë e mallin e  përjetshëm,

dhimbjen e ikjes,

agoninë për fëmijët,

do dëgjosh, lutje pas lutje, ditë e natë !

 

Kur me dritë t’ja prekësh ballin,

fshija lotët përmbi faqe,

hidhja krahun përmbi shpatulla,

thuaji:

vi nga rrugë e largët.

 

Mos i trego:

Sytë e mi të gjakosur!

Sa shumë më mungon!

Netëve kur e kërkoj nëpër ëndrra!

 

Kur e putha herën e fundit

aromën esaj  vodhën buzët e mia,

si një nimfë,

e mbështollën brenda  shpirtit tim,

si deti perlat e vyera.

 

Mbi buzët e mia, e gjallë, të rrijë.

 

 

 

Poezia Nr 18

 

Valixhja e vjetër

 

Të shikoj valixhe e vjetër.

Dru me vrima, krimba shpuar.

Je kujtim nga një kohë tjetër,

Kur im atë qe i dënuar.

 

Ç’të kujtoj më parë, moj mike!?

Gjithmonë gati në korridor.

Herë më erdhe, herë më ike.

Jeta jonë një fat mizor.

 

Burg i mbyllur tek qelia,

Ndaj për mua ke kaq vlerë.

Brenda më kish mbetë rinia.

Bëj t’a nxjerr e dot s’e nxjerr.

 

Brenda teje flinin ëndrra,

Ngatërruar bukë e gjellë.

As u ndala as u trëmba.

Burg më burg i kam përcjellë.

 

Nuk të flas valixhe e rrjepur.

Nuk ke veshë e nuk ke gojë.

Si relike më ke mbetur.

Dua vite të t’zbuloj.

 

Hap e mbyll, gjithnjë pas fatit,

Rroba burgu, mall dhe lot,

Të mungon kostumi i Gabit*,

Shkoi me atin tim n’atë botë.

 

 

*Gabi – Tregu i shitjes së rrobave të përdorura.

 

 

 

Poezia Nr 19

 

Lotin e përpiva

 

I mbylli sytë

Dëgjoj melodinë  e vargjeve të vjetër

Më thërrasin me zë të çuditur

Gjallëro gjallërinë e jetuar

Kërko më shumë nga dita e sotme

 

Unë  lotin e përpiva

Zërin dua  ta lëshoj

Të dridhet e tërë bota përreth meje

Nga jehona  pres shiu të bëhet

Të lag çdo pëllëmbë të tokës që kam shkelur

Dua të fluturoj

Të zvarritem

Të vrapoj

Të gjitha në të njëjtën kohë

Me duar ta kapi hapësirën dhe ta puthi

Jam loti i hapur i jetës

Sot dua ta thithi  gjallërinë e momentit

Të dashuroj  dritën dhe terrin.

 

 

 

Poezia Nr 20

 

Ikën Yjet

 

Ikën yjet ikën….

nga galaktikat, u fikën !

Neoni i hënës

mbi fytyrën time

u zbeh, u zbeh..

unë fjeta në bregun

e ëndrrës që pashë,

fjeta në kujtesën tënde

të lashtë, të lashtë.

Nga aty ika …

të harroja gjumin sakaq,

koha para meje ndali

brenda këngës sate

brenda qiellit tim.

Po Jetoj,  shko e thuaj atyre,

që përbri teje po rri!

Në kujtesen time të bëj vend

në të gjitha rruget shoh

mungesën tënde.

O shtrëngata e gjakut

në pulsin tim të kaltër

dëgjova rënkimin tënd

si thikë, nga xhelozia

ika larg nga qielli yt,

ike larg, ike …

nga galaktika,

ika …..

Ti fli te qafa ime përnatë

dhe merr frymë në peisazhin

e gjinjëve të diellt’ të

imazhit tim.

 

 

 

Poezia Nr 21

 

VARKA E RE E NOES

 

Mbrëmë më erdhi në shtëpi Noeja,

(mbase Zoti vetë e kish dërguar,)

me varkën e tij që tani lundron qiejve,

të zbresë më në tokë s’ka pranuar,

se ujrat e lumenjve e deteve i ndotëm,

i bëmë si shpirtrat tanë njerëzor…

 

E njihja Noen që Zoti e zgjodhi,

të shpëtonte nga Përmbytja e Madhe

gjënë e gjallë e farën njerëzore,

me varkën e famshme që lundron kohërave,

në orbitën e shpresës hyjnore…

 

E gdhimë gjithë natën me Noen

dhe Noeja ishte shumë i shqetësuar,

për shpirtrat tanë njerëzor të turbullt

nga e keqja e madhe sot të pushtuar…

 

Një tjetër Fund po vjen, – më tha,

më i madh se imi, me ujë e stuhira,

ndaj erdha të të them e t’u thuash,

ndërtoni “varkën“ e shpëtimit të shpirtrave.

 

Çdo të mirë që në shpirt e keni akoma,

vureni në këtë varkë të madhe rreziku,

po vjen Përmbytja e Madhe e Shpirtit.

këtë amanet të lë, – më tha …Dhe iku…

 

Njerëz, s’ka kohë për të humbur, nxitoni,

varka e Re e Noes duhet bërë,

secili të bëjë “varkën” e tij të shpirtit

ndryshe do mbytemi, si rracë, të tërë…

 

… Unë timen e nisa, kam hipur në të,

mos më thoni nesër, që s’ju bëra një zë…

 

 

 

Poezia Nr 22

 

TË MALLKOJ ME DASHURI

 

Si arrita të bëj këtë gabim,

lejova të hysh në shpirtin tim.

Besova se më doje si dhe unë

kuptoj, ishe një gabim asgjë më shumë.

 

Do kisha dashur që shpirti mos të më linte,

të provoja një ndjenjë që më solli dhimbje.

Më mirë një jetë të tërë në vetmi,

sesa të mësoja sa dhemb një dashuri.

 

Nuk mund të harroj dhe lutem për ty,

çdo ditë të mallkoj me shumë dashuri.

Vetëm atëherë kur ti do duash kaq shumë,

do kuptosh sa vuajta, sa të desha unë.

 

 

 

Poezia Nr 23

 

KUSH E MUNDI FATKEQSINË…

(Motiv popullor)

 

I ra kangës preu kushtrimin

I ra bjeshkës thau blerimin

I ra zemrës copë u plas

I ra detit ktheu tallaz !…

I ra trimit humbi shokë

I ra malit e u ba gropë

I ra lisit u kalb e u tret

I ra tokës e shmoj termet

I ra qiellit e ndezi rrufetë

I ra jetës e u ba kurbet !…

…………………….

I ra të bardhës e u nxi

I ra gurit e u ba hi

I ra frutit e gjymtoi farat

I ra korbit zbuloi varret

I ra zogut e u ba qyqe

I ra natës e mbeti pa hanë

I ra dasmës e u ba gjamë

I ra diellit e i mori dritë

I ra besës e polli pabesitë

I ra nanës – Ajo rriti fëmitë…

 

(Kjo poezi asht nji përkushtim për gjitha nanat tona)

 

 

 

Poezia Nr 24

 

Mungesa jote

 

Mungesa jote ma ka kthyer jetën përmbys.

Ma ka ndarë trupin nga mendja,

Trupin kam me vete, mendja është tek ti.

Mungesa jote shkelmon çdo ditë qenien time,

Derisa më le të dergjem e pafuqishme.

Vetëm gjumi më çliron nga mungesa jote.

Ai më përkund, më sjell tek ti.

Dhe nata kalon pa kuptuar

e vjen mëngjesi sërish.

Mendja më trazohet, kuptoj kurthin

Që errësira më ngriti një natë më parë,

Duke më bërë të besoj se të kisha.

Dhe ja ku rikthehet mungesa jote,

Me hapa të rëndë çeliku,

Me duart si darë,

Dhe me një ngërdheshje idiote,

Sikur kërkon t’më thotë: “Mendove se shpëtove”?

Unë s’kam forca, dorëzohem, e lëshoj veten,

Në darët e mungesës tënde.

“Shkelmo e poshtër!”, kaq mundem të them.

Dhe mungesa jote nis ritualin e shkelmimit.

 

 

 

Poezia Nr 25

 

ME KUAJT E ERËS PËRTEJ DETIT

 

Merreni dashurinë

Çojeni përtej detit

Për ta murosur në vendlindje.

Nuk do të vonohet shumë për trupin tim,

Ndoshta njëqind vjet,

Ndoshta një mijë vjet…

 

Trupi im, nga vonesa

I gjysmëmbetur rrugëve të botës,

Baladë e heshtur,

Do të qëndiset në pëlhurën e hijes sime

Për të ardhur me kuajt e erës

Përtej shtatë maleve,

Përtej shtatë deteve,

Përtej shtatë kontinenteve.

 

Dashuria ime

Është bar i gjelbër.

Mbin aty ku nuk shkelet.

 

 

 

Poezia Nr 26

 

PINGUL

 

Lutem ndonjëherë hijes time,

sikur të isha  galaktikash tani

e përherë  pyes,  nëse do vije

tek i fundit yll, rreze vezullim

e shpesh e më shpesh, natës më të vonë,

ku ëndrra ndjek ëngjëjt flurturim

më rishfaqet agimi i bardhë si bora

dhe një ditë e re që rilind në agim.

 

Jetë e fshehur pakuptimësisë kohë

Gjysmë gjurmë që humbet  ngjyrash pa fund

E unë pyes për atë që vjen,

me zërin jehonë

ngreniash të shpirtit.

 

E ç’mund të them këtë natë të vonë,

ku shirat litraë varen dritaresh

një ëndërr e lënë në shtratin e fjetjes,

një ëndërr e ndjekur plot ankt pas të  nesërmes.

 

Ngrihem sërish dhe gjej një hije,

Hijen- jetë, hijen- njeri,

ashtu përhumbur vetevetes së largët

rrezesh plot dritë,  ngulur pingul.

 

 

 

Poezia Nr 27

 

KONFUZION

 

Sy  të vrenjtur,

qepallat të rënduara,

si gjethet e pemës,

të ngarkuara me dëborë,

herë ngrijnë dhe  shkrijnë,

nga konfuzioni…

 

Kërkon të fluturosh,

mbi detin egërsuar

dhe fjalët i tret me oshtimën,

që trondit dhe malet,

ata male që  i kanë bërë ballë

tërmetit shkatërrues.

 

Ti, që fluturon,

mbi krahë të hekurt shqetësimi,

e drejtuar nga mendimi i kthjelltë.

Ti, që e di se ç’vjen më pas,

me sytë e dhimbjes më sheh,

me sytë e trishtimit të shoh,

si të gjithë… ndoshta,

kur koha të humbas vlerën dhe arsyen…

 

 

 

Poezia Nr 28

 

BOTA PO NDIHET E TEPERT

 

Bota po ndihet e tepert,

shkretetire ne amulli,

po vdes nga gezimi i verber,

Shkelqimi s po gjen shtegun te arrije,

jane ngritur pluhurat e rruges,

po joshin nje blerim,

nga dritarja plakat e mocme,

luten per kryqe e xhami.

Po shperbehet platforma,

po ikin ngjyra e forma,

po tretet e verteta,

ylli prek humnerat e botes.

Kur te gumezhije pranvera,

do shfaqen spirale magji,

do kete dhimbje te zoti,

stuhia do harkoje qiellin e zi….

 

 

 

Poezia nr 29

 

Engjëlli i flirtimit

 

Ti këngën e gjetheve e merr në krahë

Dhe fëshmërimën e fshehtësisë e njeh mirë,

Në degën e heshtjes ke ngritur një   çark

dhe e di se dhelpërushja bie vështirë.

 

Nuk ke as flakën e ngjyrës së vjeshtës,

As peshën e dëborës, që humbet degëve,

Zërit ia njeh madhësinë e kreshtës,

Rrënjët ke thepisur në pusin e vjetëve.

 

Ëndrrat si lastarët ia zgjat pranverës,

Me fllad përqafuar shtriqesh agimit,

Muzat i mbledh me krahët e erës,

Më merr me vete engjëll i flirtimit.

 

 

 

Poezia Nr 30

 

Këmisha

 

I

 

Këmishën tënde mbaj,

Këmishën,

që ka strehuar zëmrën tënde.

Aromën  tënde

me  vete e mbaj

Këmishën tënde

Nga vetja se ndaj:

Këmisha që ngre

një çerdhe zogjësh

tek xhepi i vogël,

Këmisha,

që mban një komçë të këputur

ndërsa e hape vrulltaz.

 

II

 

Këmisha,

që ruan qafën tënde të lodhur

dhe një buzëqeshje

të përgjumur mbas puthjes,

Këmisha

që mbjell lulet e prillit,

për të mos t’u vyshkur në dimër,

Këmisha

e shndërruar në çarçafë të shprishur

nga një kacafytje e lumtur,

Këmisha,

që vesh pemët,

ku ne do të hipim

të vishemi me fruta,

aty frymon fryma tënde

dhe një fëmijë i nesërm,

që lëviz doçkat ta marrësh…

Këmishën tënde e mbaj me vete,

si dhe byzylykun,

duke më shoqëruar në brigjet e Brindisit..…

Këmishën tënde mbaj

dhe hyj në shtatin e Mona Lizës

të të ndjek

në brigjet e Vlorës…

Këmishën tënde mbaj

të mos të shikoj se si trëmben nimfat,

nga rrëzimi i pallateve nën

egërsinë e dinamitit.

 

III

 

Këmisha jote

i ngjan një parashyte,

që më mban të zbres në Llogara,

gjer në tërë brigjet e Himarës,

Këmisha jote

është membranë e detit,

ku Jesu Krishti kaloi tejë për tejë

me shputat e këmbëve.

Këmisha jote

vesh një pemë në dimër,

që të mos të thahet

e të nxisë limfën

në pranverën e ardhëshme,

Këmisha jote,

i hidhet mbi shpatulla Milosaos e Rinës

dhe puthen e martohen

mbas një tsunami në rruzull…

 

IV

 

Këmisha jote

shoqëron një konteshë në Apenine

duke konturuar

tërë gadishullin,

Këmisha jote

ka magjinë të mi shërojnë

plagët ….,

Pa këmishën tënde

s’ do ta kisha duruar “arratisjen”

e vëllait tim në Komunizëm,

Këmisha jote

më rri mbi ballë

me kujdesin e nënës

e na bekon për Parajsën…

 

V

 

Këmishë hyjnore

është këmisha jote,

ndaj nënat e marrin

e ua afrojnë buzëve

në maternitete…

Këmishë hyjnore

është këmisha jote,

ndaj vajzat e prekin

para se të shkojnë

unazën e fejesës.

Këmishë hyjnore

është këmisha jote,

ndaj fshatrat e braktisura

bekohen me të,

sapo ikin banorët,

Këmishë hyjnore është këmisha jote,

Ndaj e veshi Petro Markua

U bë shekull

e u rezistoi burgjeve,

si Jesusi gozhdëve.

 

VI

 

E mban pranë këmishën tënde,

si anija velën,

për të ardhur tek ty

e të bashkoj brigjet…

 

 

 

Poezia Nr 31

 

Dritë e syve të Tu

 

E fsheha të djeshmen në

errësirën e brengës,natën,

kur ajo e mbulon dritën e hënës

dritë e syve të tu sjell hijen tënde

në shikimin tim pa dritë,

e bën të bukur natën e errët

 

Dritë e suve të tu

flakë nëpërmes ngjyrave qiellore,

ndriçon të fshehtat e syve

përshpëritur përallën e dashurisë

e thyer mori udhëtimin e gjatë

flakë vetetime e ndau dysh lotin

me kujtime trëtura në qiellin errësirës.

 

Drita e suve të tu sa mall e lot ..

kujtimet qiri ndezur

nën tingujt e heshtjes

vetëtimat e natës ti shuaj

me lotin e malit tim

mbi ëndrrën e trishtuar ..

të kaloj shiu,shfaqet dielli,

ti buzëqesh vetëtimës.

 

 

 

Poezia Nr 32

 

Valsi i lumturisë

 

Kërkova valsin e lumturisë

Moxarti, Bethoveni, pentagramin

E fshehën

Tingujt e pianos ndaluan

Dielli rrezet i fshehu

Hëna nurin nuk ma fali.

Pse vallë?

A mos u ndëshkova

Nga perëndia ?

E di !

Kërkova shpirtin binjak

Në adresë të gabuar…

Valsi i lumturisë

Kërkohet në KOPSHTIN E EDENIT

Jo  në shpirtra të djallëzuar.

 

2.

 

Nuk kam frikë nga ëndrrat

Janë iluzion

Nuk kam frikë nga stuhitë

Janë nga Zoti

Trembem nga djallëzitë e panjerëzve

Nga këmbanat e rreme

Nga fjalët e ngjyrosura me mirësi

Nga  demonët që enden jetërave të huaja

Nga prangat e djallëzive njerëzore

Trembem ..

 

 

 

Poezia Nr 33

 

SHI

 

Shi tetori, gjetheartë

Nuk durove, erdhe prapë

Më përqafove fort e fort

Dhe më qulle me ca lotë

 

Mik i vjetër, i harruar

Hermafrodit i përvëluar

Me gji jashtë, në re-ballkon

Rrjedh për mua e s’përton

 

Pentagramë nostalgie

Zgjon kujtime vajzërie

Mërzitjet nga unë i fsheh

Dhe më bën sërish të fle

 

Mantel i vakët me rigon

Që gjithë trupin ma mbulon

Më bën të ndjej dhe njëherë

Dashurinë, si atëherë.

 

 

 

Poezia Nr 34

 

Materia hyjnore!

 

Universi më përshëndet

në format e saj mundohem ty te gjej,

nën dritën e hënës ëndrrat e tua nis e kërkoj, zaptoj…

yjet me copa drite më spërkasin

figurë hyjnore ndërkaq të marr

pika argjendi më mbulojnë dhe mëkatin lajnë

në agim si dy trupa nën epshin e tyre lëshohen

të dlirë në perëndimin e ngjyrave

fantazia kulmin arrin

natyra në horizont orgazma nuancash i përpin,

Qëniet qiellore zilinë duan të fshehin,

retë në panik konkurojnë,

sytë mbyll të ëndërroj

turbullt në hapësirën boshe

tërhiqem, shtrihem, por s’te arrij.

 

 

 

Poezia Nr 35

 

KUR TË IKI…

 

Më thoni, çfarë të marr nga kjo botë,  kur të iki?

Çfarë?

Flokët thinjur e rrudhat si rripa;

mallin mal, sytë shteruar;

kujën e nënave, nga zija.

 

Do më mungojë kënga e zogjëve ,

ngjyrë e ylberit, tablo bukurie  në natyrë  veshur.

Do marr me vete  dhimbjen, shprehjen e vargut,

rënkimin e tokës sime, copëtuar në shekuj!

 

Më djeg loti, që detin ka shtuar,

vaji i nënave, humbur sytë nga verbimi.

Nuk dua te iki nga kjo botë, si qyqe,

korbës nuk dua t’i ngjaj.

Mjellmë e bardhë liqeni dua të mbetem,

me vete të marr këngë e jo vaj.

 

 

 

Poezia Nr 36

 

UNË TI DHE POEZIA

 

E imja e bukura poezi

Sonte në tavolinë

Dua të jem i vetëm me Ty

Nën tingujt e kitarës

Do i thurim metaforën vargut

Unë dhe Ti

Duke pirë verë të kuqe

Dhe duke ngritur dolli

 

Poezia ime e dashur

Çfarë më fsheh sonte n’qepallë

Një rubin të rrjedh poshtë faqes

Ç’të ka njomur buzën e tharë

Fol moj mike fol mos hesht

Fjala dhimbjen se fsheh dot

Nën këta tinguj melodie

Nuk është mekat të derdhësh lot

 

A s’më thua moj muza ime

Pranë kësaj gote në tavolinë

Çfarë  t’i dhuroj poezisë sonte

Përveç  fjalës dhe dollinë.

 

 

 

Poezia nr 37

 

FOLEJA

 

…, sikur një ditë

lodhur nga fluturimet

rrugëve të gjata,

rrebeshesh a  furtunash,

përhumbur lartësive

në kërkim të diellit,

krahët të këputen

e honesh të rrëzohem

në krahët e erës më vini

dhe këtu ,

tek ky vend ,

tek ky lis

ku nisa cicërimat…

në të bukurën fole

të më bini !

 

 

Poezia Nr 39

 

TROKTH CIGAN

 

Toka ritmin i dha zjarrit

Zjarri flakë e ndezi natën

Trok’i kalit zgjoi zemrën

Zemra vallen e ciganes

 

Flokët e derdhur prekën tokën

Trupi digjej porsi flakë

Tok me tingujt rrihte zemra

Trimin priste këtë natë

 

Dhe kur reve fshihet hëna

Seç përndizet flak’e zjarrit

Ndriçojnë sytë e ciganes

Peshë e ngrenë zemrën e djalit

 

Eh sa ritëm ka kjo natë

Hëna. Troku dhe cigania

Bashkon zemrën kjo muzikë

Me lot digjet puthja e mallit

 

Feksi agu , u fik zjarri

Ndali hapin trok’ i kalit

Ndali vallen dhe cigania

Fjetur mbi trupin e djalit.

 

 

 

Poezia Nr 40

 

Vera në ledhatimin e dekadave

 

Kur stina e verës hap flatrat e dëshirave,

Shpirti fryn si suferinë e pangopur,

Për të shijuar në fluturim, çdo pore të saj,

Si një vals me bebwza rikujtese,  aty ku jeta gjallon,

Ku ëndrra nuk të gënjen dhe shpresa ringjall dashurinë.

E ditwt valëzojnë me detin në ledhatim të njerëzve,

Me fërshëllimwn e puhizës së liqeneve e të Alpeve,

Në një refren kënaqësie me cicërimat vëzhguese të fëmijëve.

përjetimi i currilave të verës pwrherw në dorën tuaj.

Syri mbetet gjysëm i mbyllur kur gjallesave u pritet shumëzimi,

Lumturia e njerëzve venitet nga harresa e  viteve që pasojnë,

Industria galopante zbardh dhëmbët bashkë me dashakeqësinw njerëzore,

Bëhen peshkaqen i egër, i brishtësisë së Faunës e Florës që rilind,

Shpirti djeg si në një hapësirë përbindshash,

Nga klithma e bimëve, vezëve të zogjve apo peshqve që në hapin e parw,

Vitet pasojnë pa pyetur askënd ndërsa karremi do ju kthehet bosh,

Si pakuptuar qenia njerëzore do plazhitet cektwsisw mbetur,

Shtëpizën “relaksuese” që vet ka përgatitur.

Do presin të sfilitur e me ankth rritjen e bimëve dhe frutave.

Ku jeta ekziston lotfshehur, se vdekja me ashpërsi përplaset në të,

Stërnipat e ardhur do ofshajnë e  godasin me çfarë kanë.

Rrëshqitja e dekadave do marrë atë pak frymë që të ka mbetur.

Por Natyra me dashamirësinë e saj përsëri të thërret,

T’i hedh mbi tavolinë  flatrat e mikes “Shpresë”

Të kapësh momentin në ndalesë të kanalit  ‘lot’  pasardhës,

Të këndon melodinë e ndjenjës në çdo frymëmarrje,

Ta shkelmosh në brinjë terrin e çastit që të ka plasaritur,

Prish muret brenda mendjes dhe i thotw shkatërrimit ”NDAL”

Të zgjon ndjenjën e gjallë, si mbretëreshë,

Pasuar nga vizione  duke shkruar  fjalën “JETË.”

 

 

 

Poezia Nr 41

 

MALL I QYTETIT TIM

 

Qyteti im

vite larguar prej teje,

harruar larg,

shpesh për ty kam mall.

Dashurinë e parë ta rrëmbeva

ashtu fshehur mos bëhesha me fjalë.

Puthjeve mbrëmjeve,

pa hëne e yje

larg shikimeve

kusur nuk  j’ u lashë.

Ndaj të bukura mbeten ditnetët

jetuar rrugëve  të tua.

Ka kohë

Tiranës puthem, dashurohem

smogut e rrëmujës pa anë

pa pyetur me frikën se më panë.

Jetoj shpenguar jetën time

“Lirinë”, që vitet e tua s’ ma dhanë

e prapë për ty më zë mall.

Qyteti im,

ëndërrvrarë larguar prej teje

me shpresën se diku tjetër do ti ngjall.

Të mallkova ditën që u largova,

por dije, pa shpirt, veç me fjalë.

Kryeneçe tek ty mesova të jem

e të mos i bindem fatit tim,

shpesh mjeran

dhe dinjitetin, dinjitetin që më dhe

me vete mora

e para të panjohurave, vështiërsive

siç më mësove, s’ u gjunjëzova.

Kam mall për ty qyteti im.

 

 

 

Poezia Nr 42

 

VDIQËN…

 

Vdiq një dallëndyshe që folenë sapo ndërtoi,

një pyl,  që sapo gjelbëroi

një lule, ku petalet tek këmbët tona i ranë

nje lot, që nga syri u shkëput

nje këngë,  që askush nuk e këndoi

një pasqyrë ra në tokë e u coptua

dhe një ëndërr e sapo ëndërruar

 

Vdiqën…

edhe unë vdiqa, por ju nuk kishit

si të më vinit në varrim,

se vdekja ka ndodhur brenda shpirtit tim.

 

 

 

Poezia Nr 43

 

SHQIPËRIA IME

 

Vëndi im! Në zemrën time thahesh e mbin i gjelbër e i ri,

E unë mbetem tokë pjellore

Për dashurinë e urrejtjen, virtytet e veset e tua,

Por malli u bë erë e kërkon të kthehet atje, tek ti,

Ndaj pritmë me ajër e ngrohtësi duarësh dhe mua.

 

Ai s’e di se barërat që u kujdesa me përkushtim

Janë tharë, e barërat e rinj s’më njohin më asnjë çikë,

E atje jam i papunë, i pabukë, anonim,

Në punë janë vetëm ata që merren me politikë!

 

Po malli do të kthehet, i përmallur pranë  tokës

Si fëmija që s’jeton dot pa erën e nënës së vet,

Pa prehërin e saj, pa ia përkëdhelur fytyrën

Dhe pse e rrudhur, e plakur nga hallet, është tok’e shkretë.

 

…Ai s’e di, se shokët, atje, u ngjajnë kuajve të bukur e fisnikë,

Që duan t’i kashaisësh me kujdes e nge,

E t’ua krehësh bishtin duke ua përkëdhelur me kashai

E thënë: -Oh, sa bisht të bukur që ke!

 

Por, po t’u kërkosh të bëjnë një nder të thonë:

-S’kam kohë të bëhem shërbëtor i një poeti!

Dhe vrapojnë pas thesit të tagjisë si gjithmonë,

E bëhen shërbëtorë të një shteti…!

 

Po ata që tërhoqën zvarrë diktatorin e vdekur,

Përgjërohen për një deftesë, a dekoratë,

Si ato që jepte diktatori, kur qe gjallë dhe i hekurt,

Një lavdëratë, a qytetar nderi i x qyteti barkëthatë!

 

Ka të tjerë që shkojnë më tej në absurditet,

Kërkojnë të bëhen të pavdekshëm, perëndi,

Megjithse janë thjesht qytetar, shkrimtarë, a poet,

Duan patjetër të jenë qiellor si zoti, si ai,

 

Po malli do të kthehet… dhe pse vëndi im

I ngjan një molle të kuqe, të bukur,

Me goxha krimb brenda që i ha tulin, shpirtin,

Dhe në të i qetë qëndron i strukur…!

 

Dhe pse smira, zilia, e keqja, është futur tek ne

Si në trup e në shpirt, e gjarpri

Të kafshon pas shpinës me dhëmbët plot helm,

E pa të helmuar si del inati,

 

E njerëzit u ngjajnë deteve,

Kanë krijuar kufi,

Nuk mund të bashkohen me ujërat e njëri-tjetrit,

Se janë në dy të ndryshme parti…

 

…Mbi gjëmbat e tua e atë pak lumturi

Do vij ta shpoj, e ta mbush trupin, shpirtin, si dikur në rini

Me vatra zjarresh, që përgjaken qiejve në perëndim,

E me muret e diellit tënd, të bëj varrin tim.

 

 

 

Poezia Nr 44

 

Përqafoje jetën.

 

Mos e lër mërzinë

Të ulet këmbëkryq në zemrën tënde

Shpirtin tënd mos e mbulo me pelerinë të zezë

Trurin mos e prangos me zinxhirë të rëndë.

Mos lejo që të të vrasë trishtimi

Mendimet të ti thajë

Dhe nëse rrëzohesh

Gjej forcë

Ringrihu prapë.

Përqafoje jetën

Lodro me optimizmin

Puth gëzimin

Kapu fort pas saj

Mos prano që hije të zeza

Të vendosin fatin tënd

Të të gllabërojnë

Të të shkatërrojnë

Retë e zeza davariti

Për agime të bardha shpreso

Dhembjet e shpirtit sfidoji

Të nesërmes mos iu frikeso.

Çaje mjegullnajën

Ti mos u dorëzo

Vlerëso jetën ,veten

Mëshirë mos prano

Mos u mbyt në lotët e tu

Kur ndjehesh bosh

Përhumbjen flake tutje

Kurrë mos u përpëlit

Fluturo

Jetën veç bardhë e zi mos e shiko.

Iki harresës

Në kllapi mos jeto

Mos i rrëno ndjenjat

Gjakun mos e prish

Thithe aromën e jetës

Zemra le të të këndojë

Lëre dhembjen

Ta marrë era

Larg prej teje le ta shpjerë

Zemrën mos të ta çjerrë

Ndriçoji skutat e shpirtit

Shkule me rrënjë zymtësinë

Mbill farën e dashurisë për jetën

Hidh krahëve mantelin e gëzimit

Mos mendo fundin

Lart sa më lart vështro

Ndjeje gjallërinë e jetës.

 

 

 

Poezia Nr 45

 

E grisa terrin

 

Në thellësi të natës futem symbyllur

Do e grisë terrin të hap një të vetme udhë

Do e marr natën do e shtrojë si pëlhurë

Të derdh ngjyrat e të bëjë dëshirat pikturë

Buzëqeshjen tënde do e bëjë rreze dielli

Njërin sy do e bëjë valë lumi të qetësoj detin

Tjetrin kaltërsi t’i fal qiellit

Ballin tënd do e bëjë hënë të plot

Vetullat dy horizonte ëndrrash me krah

Flokun erë të ledhatojnë tingujt e gjetheve

Njërin gji do e bëjë maj bjeshke si borë

Të më shuaj zjarrin që kam në buzë

Tjetrin do e marr në shtratin e bërë nga retë

Të më ruaj nga bubullima dhe rrufet

Kur të zgjohesh do ma shohësh shkëlqimin në sy

E grisa terrin, e grisa vetëm të jem më ty.

 

 

 

Poezia nr 46

 

Delikatesa e të dashuruarit                                              

 

Ti…,

me fytyrën tënde të ëmbël

hyre ashtu beftas në jetën time,

në mendimet e mia

e çdo pore sot mbart erën e lëkurës tënde,

plot aroma

dhe pse bota shpesh duket e shëmtuar,  pa ngjyra

ti sërish rikthen harqe ylberësh.

 

Çfare ëndrre je,

ti  pjesë e përtëritur gjer në  përjetësi

dëshirë e heshtur që depërton kurmit

e zjarre ndez dhe dimrit plot thëllim

Çdo fjalë e jotja, më shumë se pëshpërimë

përzierje drithmash, si në herezi

dy trupa që vjedhin delikatesën dashuri !!!

.

 

 

Poezia Nr 47

 

DRITHËRIMË

 

Do të pushtoja veç ty kafshitë e jetës sime,

Etja e një shkretëtire të dëbuar në qeli të marrëzisë,

Do të klithja në gijotinën e tmerrit dhe të vdekjes,

Kapërthim yjesh, si një lule veç në lulëzim,

Do të përmbysja Qiej,

Me gjakun e dhimbjes,

Do të gërvishtja në fletën e testamentit,

Një poezi, ku veç shtrëngimin e shpirtit tim do te rrëfej,

Lotët ta thithnin duke i përcjell në lotët e tu,

Me gjakun e dhimbjes, si një ujkonjë plagosur të rendja

Nëpër pyje, ku drita lë gjurmët e fatit.

Ndër buzët e tua të thara,

Të mbështesja buzët e mia, mall shekullor,

E mes lotëve që rrëshqasin ndër qerpikët e ngrirë,

Të shndërrohem në një Zanë,

Ku, fluturimthi të rrëmbej yjet,

Të mbart ndër krahë zjarrin e tyre,

Dritë shkëlqimi për sytë e tu…

Ku unë të zhytem mes kësaj magjie,

Si një varr i hapur i harresës,

Gëlltitur mëngjeseve me vesin e trishtuar,

Ku kullon, si një ujëvarë drejt amshimit shtazarak

Të perëndive ku luajnë me drithërimat,

Si kërcinj të thyer, me zemërimin e galaktikës,

Ku ikën e ikën në pafundësinë e hiçit,

Duke tërhequr shpirtin tim,

Nga, ku, unë mbështillem me universin vetëm për ty,

Drithërimë e shpirtit, ku jetoj kaq gjatë,

Dhe, jeta ime merr formën e një engjëlli

Që po të pret të tretet, me pafajësinë, për ty..!!

 

 

 

Poezia Nr 47

 

TRIMI I VOGËL

|-POEMË PËR KOSOVËN –

 

Ishte një periudhë e paqartë

në anën e majtë të tokës-mëmë

dhe buron dhimbja, si sot e freskët

Lufta e errët pinte gjak engjëjsh pinte:

Çdo perëndim gosti kufomash harbuar,

porsi hiena Serbia s’ gërdhihej,

kur shkelte mbi eshtrat e njoma

e ngrohej me klithma të pafajshme,

e parakalonte në sytë e Evropës,

kur dëbonte me dhunë karvane yjesh,

me atë zërin e çjerrur e të ashpër

dridhte dheun nga ligësia,

prej urrejtjes gjer në shpirt.

Kaq e pafytyrë, kaq e egër,

Armike e betuar, e vjetër gjithnjë,

kur permës shiut të furishëm

veshur me mburojë kokë e këmbë.

Katilë..katilë..me armë në dorë..

kjo pjellë ziliqare në ballkan

mbillte veç vdekje ky dreq soji.

 

Shqipet e gjakosur në fluturim

mbi malet e fushat plot jetë

dhe këndonin solemnish himnin,

sikur mos kishte ndodhur asgjë,

atje larg në kulla, prej fisnikësh,

ku nunulla vazhdon të këndojë

Mbrritën me dritë në mëmëdhe

të uritur, të zhveshur, të përlotur,

Fjalë prerë në vesh më kumbojnë.

 

Jam aty në një dyqan të vogël

në një fshat të qarkut të Durrësit,

ku, shitësja një grua humane, engjëllore

behare nga mendja, behare nga trupi,

bëhej më katërsh,  të bëjë ç’ ka mundë.

Flutur-nënë-dhembura

nga raftet nxirte frymë të shenjtë.

Jam në mes zërash e dialektesh,

si një zogëz në botën e huaj

Dëgjoj gjithçka, shikoj gjithçka

dhe dua të pyes për kalimtarët,

kur një djalosh pak a shume dhjetë vjeç,

në një qoshe, si i trembur

zemrën e shpirtin ma tronditi,

që shpresat gjetkë kishte humbur.

Medet, e toka nën vete më shkiti!

U afrova, hap lehtë e plot ëmbëlsi.

Me gjithë ëndje e pyeta: nga je?

por uli kokën zemër e gjorë,

si me përçmim gjestet e pa valë

dhe retë turbulloheshin brenda tij.

Perëndi e zot kishte nemitur

atë që jep krahë, atë që ti pret.

 

Moment i heshtur mes turmës

gojët e uritura, pa larë;

në mish ngjizur tatu, Shqipërinë e madhe,

O Zot mendova, ç’dashuri që kanë!

Ditë pa ngrënë, ditë që ecin

e kaq krenari e kaq hyjni.

Herë buzëqeshja ndiçonte beftas

në fytyrat me forma e vite vrarë.

Aty ngryseshin nga lodhja, aty kapërdisur,

që gjallëronte vështrimet e ndrojtura,

ashtu siç valvitet flamuri Ilire në erë

të ruajtur në gjoks pranë zemrës

me mëndafsh e temina-qëndisur,

nga duart prej fate ëndërr e mburojë

në hidhërim e në gëzim kudo!

Trashëguar etërisht mijëra breza,

që gjakun shkrin nën dritën e hënës.

Betejë me beteje martesë me martesë.

 

Në qoshe, rënuar..si një kishë shekullore

udhëtari i vogël më shikon tmerruar

Unë i afrohem, ndërsa ai largohet,

kështu i dridhur, kështu i fikur.

Pyeta, shtegëtarin- pse trembet pëllumbi?

Pse nuk dëgjon, nuk sheh, e nuk flet?

Por ish kaq e dhimbshme jeta e tij

Fati i zi dhe ora e keqe,

si një përrallë pa fund të bukur

po përplasej në valët e detit.

Sa bishat e egra veshur me urrejtje,

dhunuan fushat e rrëzuan malin

e kërciste kallashi, plumbi në brinjë

një natë nxihej më tepër, një ditë vdiste.

Ç’ të kishte bërë kaq keq?

E pa kasaphanën e frymës së fundit

vazhdonte të fliste burri i lartë, pa ndalur…

e shikonte djaloshin e gjakosur…

Por unë? unë? kisha humbur, humbur unë.

dhe isha mpiksur si gjaku përtokë

Dëgjoja nëpër mjegull, e përfytyroja ngjarjen,

Sa që një çast kur theva heshtjen

e bërtita: bastardët! basdardët!

 

 

 

Poezia Nr 48

 

VETËVETËS I VËMI KUSHINETË

– Mitrovica veriore

 

I thashë vëllautim tim mos e shit banesën o njeri i mire, paah përendinë

Dhe pse cegma na ngrinë në veri, ky hileqar i ri

E di, mbase e di s’do t’shesë kjo punë s’do meçuri

Dhe heshti si bulkthi ne vërri.

 

Premtimet u shkrinë si akullore

e kishte shitur banesën dhe doctor Fevziu

po, po, pasatj Naseri, Skënderi

eh syve më kaploi terri

Unë në betime besova,

dhe ngula guri në mezhde

Pa ferexhe

Atje ne veri

ku mollotovet bëjnë zhurmë

autumatiket bubullijnë

Fitili i dritës u dogjë

qielli që përshkëllirë tmerr ërrsirë

Erdhi dhe kjo e pa mire ngjyrë në këllirë

I shitën Drita e para e dyta Nerxhivani

na e vyshkën shpresën

Si të ma venin në fyt kmesën

Kur i s’dhitën dyrët e konakut,

pritja qe ishte aq e përzemërt

Ne bisht trakut mu zë fryma,

djersitëm dridhëm kërcellijë dhëmbeti,

qartur tamli, a hije vatani, unë mjerani

Kot kishim folurë për qendresë,

gjithçka e përthekoi e pa dukshmja kmesë.

 

Po more a e dini ju

se fëmijët tanë aty lëshonin shtat,

e ne Plëqëri te thinjosur, agraisur e sosurë.

Po a tregohet përallë secila ngjarje e vërtetë,¨

vetëvetës i vemi kushinetë,

po tani si të fëmijët tanë

për lojra ne Kala

Vetë frikacakë, hata,

e hëna na përqesh pa nda

S’do të këtë ënderrë kush po e çel atje

më as musafir s’jemi më tjetër veç gabel,

rrush qeni i kalbur nëpër zabel.

 

A ka Rashka hise këtu

a ne jemi trumcakë atje,

këtu pëherë

Hej flokët na i qeth secili bërber,

po djersa na mbetet në atë preg tonin,

në atë derë,

dhe prapë se prapë potere

Kthehuni se tjetër kund si aty nuk ka pranverë,

veç fantazma e mjerë

U shit u stërshit,

u dogj skelet nga kjo verë

varret e tanëve, eja atje

na i vrasin sketerrë,

droj ato varre

do i heqin me bulozherë

– o të mjerë.

 

-S’ LIHET KONAKU

 

Si duket ura e veriut po kërkon erë dheu,

kokë njerzish, frymë e tymë

Sërish hapat trokasin rrugëve në asfalt mbi dritare

Si duket s’lihet konaku, oborri, kështjellë bëhet shpirti,

pa kur fare zori

Erë dheu si pas orëve të fat thënave,

do gufojë parmakëve te dritarëve, koridorëve

 

 

Se assesi e jona s’bët kurrë e huaja, sarkazme,

tenxhere tjetër serirëtfrymë, tym,

dikuj do i hapë sytë, dikën do ta qorrojë te vona.

 

Se frusturimet s’falen, s’mashtrohet sa kërthia vë kot thërrasin

Të mykyrat te mjerat mendje Se shqip lind foshnja,

shqip ecën kërthia

Ne u deshtë erë dheu jemi ne gati e gjithë Shqipëria…

            

 

 

Poezia Nr 49

 

Gjethet e rrëzuara

 

Po bien gjethet e vjeshtës

nëpër degë, egër fryn veri.

Ah, ky thëllim therrës

më gjen befas e pa fuqi!

 

Këto gjethe kuqërimverdhë

diellin e verës mbajnë mëri,

mbetur kujtimi i luleve erëmirë

thellë në të mjerin shpirtin tim.

 

Në dritare po troket shi i imët,

si mysafir i vonuar, a mik i ri.

Derën i hap, i marr kapelen,

bisedën nis si një degë në blerim.

 

E harruar, e vetmuar, plot pikëllim

marr atë hov të mbetur me vërtik

të më ngrohet vlagë, pikë e gjakut,

vallen e gjetheve e përbuz si vajtim!

 

 

 

Poezia Nr 50

 

Simfoni kohe

 

Vjeshtë,

…si një gërvishtje trotuari,

zhurmë gjethesh të thata,

ritëm i gabuar që ngatërron hapat e kalimrareve,

dhe kthehet në simfoni kohe rrugëve të vjeshtës,

pa emër

me akorde që puthin ajrin

dhe përqafojnë imazhet,

pa nur

tretur me ngjyrat e dheut

bërë njësh me mua

njësh me ty

njësh me universin

duke pritur perëndimin dhe lindjen

nën shijen e një cigareje,

që mjegullon ajrin  ashtu kot.

Ishte si një lutje e murmuritur në grup

meshave ,

zhurma  gjethesh

pa kortezh,

pa kryqe të verdha

pa burka,

pa duar të zgjatura qiellit

Ishte vetëm një serenate vjeshte pa dashuri.

 

 

 

Poezia Nr 51

 

ETYD NATE

 

Vë koken në jastëkun e kuq

zgjuar në dihatjet e nates…

yjet valsojnë në ajrin e dhomes time të bardhë,

duket se duan të bindin qetësinë time !

Hëna pushton edhe ketë natë

E une kam humbur

duke vizatuar portretin tënd

më avullin e hukames sime!

.

 

 

Poezia Nr 52

 

Të përcjell!

 

Të përcjell përtej detit, siç përcjell hëna natën,

deri sa zhduket drita e anijes së fundit,

e ndërsa lotët e tu bien mbi valët,

të miat i vendos, në fund të atij shkëmbi!

Dhe aty më zinte nata e gjatë,

çdo herë që vije dhe ikje,

me duart e mia të lëshoja mbi valë,

e ndërsa zemra ime, e tëra ,..fikej!

Të përcolla një jetë të tërë,

pas teje renda, e dot s’ të arrija,

më vinte ti hyja atij deti me pëllëmbë,

deri sa të thahej e tek ty të mbrrija!

Të përcjell dhe hesht…!

Do hesht pafundësisht, e di,

atje në fund të atij shkëmbi,

mos harro…janë lotët e mi!

 

 

 

 

Poezia Nr 53

 

TI JE REAL,DHE ËNDËRR E BUKUR

 

Sonte të gjitha violinat luajnë muzik,

Ne të dy vallëzojm mbi telat e tyre.

Vrapojm në një koncert ndjenjash zhytur,

Thërmojm yjet në grimca shumë ngjyrshe.

 

Ti je real,dhe një ëndërr e bukur shijuar,

Thurur ndjenjat zinxhir s’ka kush ti këpusi.

Vrapojm lëndinave me lule e aromë pishe.

Dashuria jonë një roman i vjetër fantazie.

 

Buzët e tua më penetronin trupin e nxeht.

Buzëqeshja në majë të shpirtit të shpërthen.

Ajo buzëqeshje burim i pagjumësis së syve,

Pronar i netëve te mia,ushqen botën time!

 

 

 

Poezia Nr 54

 

Çast i dehur

 

Rrahje budallaqe të kësaj zemrës time,

udhëtoni shtruar ndenjës plot mundime

 

Në dridhje qerpiku loti është fshehur

ka frikë që të rrjedhë në këtë çast të dehur

 

Vënë e ka përpara ndjesi e mendim,

dihatje e shpejtuar s’e mbyt dot këtë trishtim

 

Dhimbja kalëron në stuhi të shpirtit,

Don Kishot i mbetur drejt infinitit

 

Ju rrahje të zemrës zini çastin rob,

këtë herë trishtiminnuk e mbysni dot.

 

Vijoni fluturimin mbi lum të trishtimit,

ju rrahje naive të çastit të gëzimit

 

 

Le të jetë ky çast vesë mëngjesore,

lëreni kujtimin le ta zërë për dore!

 

 

 

Poezia Nr 55

 

GRUA, JE PARAJSA E TOKËS…

 

Një grua ta ndryshon jetën, në çast,

dashurinë e shpirtit ta qëndis si frak,

të thotë butësisht: Parajsa fshihet lart.

E ti puth kolonat e mermerit si i marrë.

 

Një grua ta rrëmben zemrën me takt,

të lidhë skllav, pas bukurisë së saj

dhe krejt papritur, harron të bësh një pakt,

sipër lëkurës sharmante humbet si valë.

 

Një grua në çast, bëhet engjëll e djall,

të fut ndër kthetra si zogun e ngratë,

me qerpikun e afshtë kurmin ta përflak,

e ti pa kuptuar pëshpërit; Oh gratë!…

 

Një grua ta ndryshon jetën në çast,

nëse je vagabond, të bën qengj manar,

të rrëmben, me ritmin e zemrës së saj,

e ti zbret memec drejt lëkurës së bardhë.

 

Një grua ta qep vdekjen, me syn’e vrazhdë,

supeve të vesh të hollën pëlhurë merimangë,

pastaj, buzës së tharë pikon gjoksin me afsh,

e ti thua: “Ah,grua, që mbyll e hap plagë!”

 

Një grua bëhet zanë e heshtur nëpër natë,

bëhet vesë që rrëshqet mbi barin e thatë,

e ti ngjallesh qeshur, trishtuar vdes ngadalë,

mbi fytyrën e rrudhur, a pikturën e artë.

 

Një grua të bënë dashnor, për një natë,

kur lëkurën zhvesh, si shega në fllad,

ta servir gjithë qejf lakuriqësinë e saj,

e ti, i rraskapitur pyet: Zot,ku jam vallë?!

 

Një grua të bënë të derdhësh lot në çast,

Të ndjell me frutat e kopshtit parajsë,

dhe lotin puthëron me çmendurinë e saj,

çel sensualisht, pavarësisht moshës që ka.

 

Një grua mund të bëj të çmendesh në çast,

të pushtosh Edenin, nga ngrica në vapë,

me mollëzën e gishtit lyen buzën avash,

e rrëkezës së saj, vdes e ngjallesh prapë.

 

Ah, një grua ta ndryshon jetën në çast,

dashurinë e shpirtit ta qëndis si frak,

të thotë me butësi: Parajsa fshihet lart.

E ti puth kolonat e mermerit, si i marrë.

 

 

 

Poezia Nr 56

 

QYTETE LETRE

 

Qytete letre!

Ndoshta janë qytetet që shkëmbejnë letra dashurie

Edhe në këtë shekull teknologjie kibernetike

Lajmërohen dhe gjallojnë ende prej tyre

Dhe jetën s’e kuptojnë dot pa këto letra.

 

Qytete letre!

Ndoshta janë qytetet që pasi kanë kryer misionin e qytetërimit

Janë ulur në gjunjë të lodhur nga  tërmetet, pa frymë njerëzish.

Janë zhdukur, nën pluhurat e kohës si rrënoja.

 

Qytete letre!

Ndoshta janë qytetet që në hartat e botës u projektuan si të tillë

Por nuk u ndërtuan kurrë, jashtë mendjes  së arkitektëve

Që nxituan ti pagëzojnë e ti shënojnë mbi harta

Pa e ditur se do mbeten fëmijë të abortuar.

 

Qytete letre!

Ndoshta janë edhe librat  e shkruar nga unë

Me godina shumëshkronjëse si përdhesa a gradaçela

Në pyje ndjesish harlisur shëndetshëm

Presin të përfillen e banohen prej  lexuesve

Prej syve të tyre të ngrohen si prej diejsh.

 

Qytetet e mija që rriten, edhe më rrisin

Ndjesitë mi shumojnë  në shpirtin-shtet

Frymëzueshëm, sa herë nis mbi një letër, një qytet…

Më pushtojnë duke më dhënë pushtet…

 

 

 

Poezia Nr 57

 

SHEKUJVE VONUAR.

 

I zbehtë zëri im në përmbysje

të madhështisë

dhe fjalës Migjeniane, më përul.

Përulem!…

Vargut,… të njerëzve dhe ngjarjeve

kur zbehin, forcën?…

Forcës së vargut dhe nëse ndjej

jetën, jetës I ndjej

trysnitë e mjerimit që na mbytin

dhe mbytur!…

Në rreshta të përçara pa ide

pa bukurinë

e shkrimit, mbi një ritëm nuk qëndroj.

Oh!… Si të qëndroj

Mbi jetën e mjerimit, zbrazur

nuk e shoh!…

Ç’do  lartësi të shpirtit e gjej

heshtjeve dhe

heshtjet?…Heshtjet na vjedhin

vdekjen.

Vdekur mes heshtjesh?…

O shpirt shkatërrimtar që na prodhon

armët. Me armët

na krahasojnë lojën, e të fuqishmëve

ngado

në horizont me mjerimin përmbysin

jetën!…

Për jetën a mund të hesht!…

Si mund të hesht

të heshturës, më ngjallet!… Vdekja.

Më vret

na vret, me bukurinë tej heshtjeve

përplasur

dallgësh, që vocërrak, një vocërrak

i grisur, reckosur

shekujve pllenuar, e grisura e shpirtit

të mjeruar

na ngitet në shkallët e mjerimit!…

Një piedestal

përkundur, veç dallgëve ngarkuar

si udhëkryqe

semaforësh aty, qëndrova dhe gëzova

çastin!…Me udhët

shtroja të rejat dhe të renë kërkova

shtigjeve

të hapura por jo të mbyllura kohës!…

I nderonin, dritat.

Mbi ndalesa dhe dritat?…Mendimit

të projektuesit

gërshetonin herë njëra ngjyrë herë

tjetra. E verdha!…

Çasti, parapërgatitës, ç’do ndodhi vallë?…

Në ç’ ngjyrë

goditur do qëndroj?… Sa shumë ngjyra.

Sa shumë!… Zbehje.

Shumë zbehje ka kjo jetë, në thyerjet

e dritës

munduar të mundojnë, si ngjyrat!…

Po cila ngjyrë më ndjek?…

Në pasthirrmat e trishtuara lija hapësirat.

Ato të shpirtit

duket se kanë pritje mbi emocion, fillova

të përzgjedh!…

Jeshilen apo… të kuqen do ngarkoj

ky semafor?…

Jeshileeeen, thirra pasionit  për ti dhënë jetës

shpresën e humbur.

A po ma jep kjo përparësi, të hap udhët?…

Me udhët e dritës

hapem dhe njoh, shtigjet i kaloj.

Ashtu kalova

shkujdesur destinacionit ai dhe ne

kaluam

cilin destinacion?…Mendimit, stepur

zjarresh shpirtit

prisja dhe prisja të kuqen. Oh!… Ajo

ajo më tundon

dhe më ndalon. Më pikon, frenimin!…

Gjithë kontinentit

shikoj udhëkryqe dhe vështrime semaforësh

mbyllur dhe mbytur

të vrarë, papunësi dhe mjerim mbushur

Mesdheu?!… Oh, kjo varrezë

e tej skajshme ujore e të pafajshmes

jetë!…

Pse ma dhunojnë?!… Acari jetësor

në udhëkryqe

trotuaresh ngarkuar mjerimit dhe mëshirës

ngritur

mëshirës dhe lëmoshës jetë dhunojnë

frik. Kjo frikë

ka thellësi dhe irritim dhimbjes, na tremb

si skutat

gojët e shqyera, peshkaqenë, shikoja

dhe ëndrrat?…

Edhe ato, frikës, udhëtonin, kaltërsive

merrnin udhën

e rrokullisjeve në një varrezë të ndërthurur

ndërtuan, ligjet

cilin mbrojnë?… Të më të fortit, emocion apo

të shekujve

vonuar njerëzores që dhunojnë?!…

Temperaturat e larta

të ndërhyrjeve kirurgjikale, operojnë.

Më dhimbset

kjo varkë e jetës. Varkat, e mbushura

anije!… Që zbrazin

kufomat dhe lundrojnë edhe ato

mes frikës

dhe dallgëve si njerëzit koloviten

avionët?!…

Ngjisin lartësitë dhe kaltërsi qiellore

në sy të përlotura

parajsave, udhëtojnë të na dhurojnë

“kaltërsitë”  e tyre!…

Humnera, shpirti dominojnë.

Me errësirat dominojnë, në qielloren

e udhëtimeve

udhëtojnë, ministra, kryetarë… shtetesh

deputet

të mbledhur kokë me kokë në emrin

e së drejtës

shtypin dhe përcjellin mjerimin e tyre

kemi përvojë!…

Vitesh, na ngrinin grushta, mjerimit

dhe të dhimbjes

Millosh!…Kjo Migjeniane forcë më jep dritën.

Dritës përkulur

dhimbjen dhe dhimbjes, godisja liturgjinë

e hekurt që na ngrën

mes malesh dhe malet, s’  jepnin shpirt.

O prozator!…

Poet i shpirtit të ringjallur shpirtit!… Më le

që të përballem

në gojë të shqyera,  vocërrakët dhe sot

mes vocërrakësh

nuk u lodha mjerimin të shpërfill që na ndjek

dhe e ndajmë si “thesar”

thelash, mbi thelat…e mjerimit ulur perdet

e udhëve

të gjetura sofrës tone si t’i përkul, si t’i shpor?…

Si po përkulet

ky mjerim mbi vargun tim, dërmova, karvanet

e vargut ikin

me vargun tënd të madhështisë, më gjen

dhe  s më përul

vargut!… Gërryej jetën dhe me jetën prek

këmbënguljet

e vocërrakëve të dhimbjes, i përjetoj!…

“Bijtë, e shekullit të ri”  ngrirë

mes vargjesh dhe vuajtjes stolisur na ngarkuan

ankthe, mjerimi!…

Nuk ngrihet jeta as zbardhet dita

e mjerimit dhe drita?!…

Kjo madhështi që na zbërthen dremitjet

e natës

dhe të shekujve me jetën!…  Varrmihës

po të gjej ç’do ditë

të flijuar “madhështisë së hekurt”  të  ndryshonim

ëndrrat!…

Nuk i flijoj, as në krijime të shpirtit,  zgjuar

mes dritës dhe drita?!…

Dijes harruar ç’farë i kumbon? Një i paditur

i të paditurve

i shurdhët, të vobektë që triumfojnë. Sa jetë

të tilla ka kjo jetë  “e dritës?”…

Dritën e epokave akumuloj si mes triumfeve

le ta provojnë

dhimbjen, zgjoj dhe unë?… Pranë teje jetë

e dritës.

Me jetën të afroj dhe le të dhunohem!…

Dritës.

 

 

 

Poezia Nr 58

 

FRYMË GRUAJE

 

Dikur,

dashurinë e ëndërroja të ngrohtë,

të përhapej aromë e saj,

skaj më skaj,

si lum i nëndheshëm të rridhte,

si zjarr i padukshëm,

ta fshija thellë në gji,

pa faj!

 

Shpesh

mes të qeshurave,

mendoja,

të pija një gllënjkë verë,

me dashurinë përballë.

E ëndërroja

dashurinë,

si kordë shpirti,

si hënëz që mbi tryezë,

do më pikonte mallë.

 

Fati më bëri të gjeja,

një dashuri si askush,

pse duhet të trilloja,

kur ajo më digjte

prush!?

 

E ndjeva se më prisje,

po ky s’është faj,

ndjeva pjesën tënde,

të pa ndjerë më parë,

nuk kam më zë,

e fjalët m’u shteruan,

siç shterohet kroi,

pikë loti harruar.

 

Brenda teje hyra,

pa u ndjerë, në heshtje,

si shpirt i bukur gruaje,

si frymë poetike,

si fllad, si lule,

më bukur, më ngrohtë,

si diell, si hënë ndoshta…

po ti më mbaj fort,

më mbaj fort e fort…

 

 

 

Poezia Nr 59

 

IMAZHE ËNDËRRIMI

 

N`vend se përkëdheljen falur pamundësisë

një portret shpërfaqet, dehur m`lë pa frymë

m`nemitet shikimi nga shkëlqimi n`kornizë

dridhje mahnitëse më përshkonë si rrymë

 

 

Në fytyrë t`përndriten skicat e buzëqeshjes

në linja t`përkryera t`vijëzohet shëmbëllimi

nga ten i përflakur ndrinë tundim i pleksjes

rrjedh aroma joshëse n`fantaksje fiksimi

 

 

Ngazëllimi i shpirtit m`rrëmben befasishëm

vrullësimin e hodha n`ofshama patrajtësie

n`përhumbje ndijimi zhytem pavetëdijshëm

në shtigjet iluzive vërshojnë dallgë lakmie

 

 

Ndër damarë të jetës rrjedha ndalon një çast

vështrimi i lodhur seç trandet n`përshkundje

afshe prushërimi m`përcëllojnë në këtë rast

pashitje t`ëndërrimit m`gremisin në mundje

 

 

Shkullme pasioni vijnë si llavë vullkanesh

nga fundi i shpirtit grykën më mbërthejnë

ëndjet hardalisen nga imagjinata azatesh

ca mbërthecka hojesh lehtas i zbërthejnë…

 

 

 

Poezia Nr 60

 

Ma baj nji dhuratë nanë

 

Nanë fol mos ke frikë

nuk jam me ai fëmiu, që klithma e saj

rënkonte me ç’ vaj….

Nanë jam rrit’ jam ba nanë edhe Unë

femijet e mi, shumë her’ nuk me lan të shkruaj poezi,

për andrrat e mia….,

por buzëqeshja e tyre asht ma e bukur se Poezia,

Nanë!

Mos e degjo vajin tim

e mos ke frikë

asnjë qenie mos e mallko,

por zgjate dorën, jam afër teje

m’perkdhel flokun tim

dhe më ofro zemrën ta n’degjoj’..

Nana ime, e shtrejt sa fryma që e marr.

 

 

 

Poezia Nr 61

 

GJENDJE

 

Një fëshfërimë peme,

me gjuhë gjethe folur

Një gumëzhimë deti,

nga gjuhë dallge dalë

Një breg zhytur në heshtje,

me frymë dimri ftohur

Një trup fjalën s’e gjeti,

në shpirtin e pafjalë.

 

Një cicërimë zogu,

gëzuar fluturimit

Gërhitje letargjike

në dimëra arinjsh

Krakrau i një korbi,

mbi kokën e varrmihësit

Orkestra simfonike

përcjell trupin pa shpirt.

 

Një gjysmë qiell i kaltër

I zi në tjetrën gjysmë

Një shpirt me gjysmë natën

Kërkon ditën tek unë.

 

 

 

Poezia Nr 62

 

LOTË QË S’RRJEDHIN

 

Kur sytë,

vdesin në boshin e mungesës

ngjethen edhe heshtjet

vdesin edhe çastet,

ngelin vetëm rrahjet…

 

Nga të gjitha mundësitë

Unë zgjodha të vuaj me ty

Të gjej

në muzgun e errët të trishtimit tënd,

një xixëllonjë të vogël

në vend të yjeve  të largët,

që kurrë si zë me dorë…

 

Lotëve

Ti di t’u vësh një emër,

Emrin e tëndit lëng

E ti të dridhesh lehtë, fshehur

të mbyllësh synë e limontë,

si mbyll rëniedielli

Një ditë…

 

Një bulëzim

nis e mbaron në vështrimin e pjerrët,

kur loti kthehet thellë teje,

ndërkohë që duhet të rrëzohet

E megjithatë

mjekrra të dridhet…

 

Nuk thashë,

por e mendova

vetëtimthi,

si fluturim shqarthi,

kur të vijë ai çast, për sytë

Nuk dua më të shoh!

 

 

 

Poezia Nr 63

 

Njeriu

 

Njeriu qëkur ëndërron lumturinë e madhe

Njeriu sot vdes për një orë liri

Njeriu, të vetën pronë, mund ta bëjë hënën

Njeriu, zvarriset i mjerë , në uri

 

Njeriu, vuan, për të bukurën dhe shpresën

Korret nga sida dhe vdes me drogë

Njeriu, për atdhe mund ta bëjë dhe marsin

Njeriu kryqëzohet si lypsar në botë

 

Njeriu, sot matet me kohën, ta mundë atë

Njeriu, diku në glob, rrethohet me tel si kafshë

Beson pafund, shan pafund zotin

Dhe  se ndan dot ferrin me parajsë

 

Njeriu, qëkur, ëndërron lumturinë e madhe

Njeriu, sot vdes, për  një orë liri

Njeriu, pareshtur thyen mite, piedestale

Dhe kurrë s’gjen qetësi

 

Ah, njeri!

 

 

 

Poezia Nr 64

 

VDEKJA NA LIDHET KËMBËVE

 

Vdekja keq-keq na lidhet këmbëve,

sikur litar kusarësh në mesjetë,

këtu asgjë që vjen, më dot të ik,

piramidë gjer në qiell. Gota e zbrazët himn.

 

Nuk desha këtë, nuk prita, nuk e shoh me sy,

të tjera gonxhe që çelin, përkëdhel, m’përkëdhelin.

Këmbët e karriges, halat e pishës më shqyejnë

dhe nuk sheh askush përfundimin e botës, si nxinë.

 

Harresa dhe kujtimi, dy barishte në humnerë,

as vijnë ditën të përshëdesin jetën time katran varri,

as ikin natën, të mbes qepur për shpirt yjesh humbur larg.

Pse kaq baltë fytyrat që tmerrojnë dhe mbi kokë mbajnë

aureola të ndryshkut të zi?

 

Vdekja keq-keq na lidhet këmbëve,

blegërimat nuk janë më, nuskat nuk bëjnë një punë.

Hapen konditat librave të bakallit, turfullojnë lehtë

dhe masin me gishta, me gramë mishin e trupit tim,

sa do kushtoj këtë verë në secilin ankand.

 

Piramidë gjer në qiell. A ka Kërçovë dikund,

Filat, Shkup, Prishtinë, Tiranë?!…

Nëse do më shihni duke tërhequr zvarrë-zvarrë veten,

trupin, zemrën, shpirtin, fletën e bardhë të shkrimit,

mos besoni se unë paskam ikur nga dheu, mosni,

se unë kaherë isha kështu, e pakallur nën dhé,

gjithë diell ëndrre jetën duke zënë me dhëmbë e duar.

 

 

 

Poezia Nr 65

 

Lotë nën shkëmb…

 

Rastisa të kaloja me mjetin tim andej,

Kur në rini patëm punuar si vullnetarë;

Qëndrova aty, tek dy gurët e mëdhenj,

Sqetullës atij shkëmbi, ku rrinim më parë.

 

I preka si dikur, kur ledhatoja atë vashë,

Me sy jeshilë si lëndina tutje atij zalli;

Kur pré e atij gjelbërimi mahnitës rashë,

Copat e shkëbit na ngjiteshin te shalli…

 

Paskam mall për dashurinë time të parë,

Ndaj zbrita poshtë të ndjeja zërat rinorë;

Kur doja të prekja dy shinat mbi binarë,

U shtanga!… Kishte mbetur pak zhavor!?

 

-Çpo kërkon zotëri këtej në monopate?

Më pyet një burrë i moshuar me krrabë.

-Shinat zotëri i shkulën si t’ishin patate,

I merrte një tregtar, i shiste për skrap…

 

Nuk e lëshova veten sa ndenji bariu plak,

Më pas ai trishtim më nxori disa lotë;

Gjysmat për vajzën që jetonte larg, larg,

Gjysmat për atë djersë të shkuar më kot…

 

 

 

Poezia Nr 66

 

KRYENGRITJE DASHNIE

 

Shoh veten n’pasqyrimin tem

E due me shikim me hy n’thellsi t’trupit,

N’thellsi t’trupit tem,

N’thellsi t’trupit e t’turpit t’botës,

Me dur t’mia due me zhvesh lëkurën,

Andrrat e jetës,

Me kafshue botën due

Dhe m’e lanë me kajtë,

Ditën kur fillon stina e luleve,

Që me lot t’veta me ia la m’katet

E me ia përplas derën:

Ti nuk mundish me dashnue sa unë,

Ti nuk mundish kurrë

M’u ringjallë nga dashnia si unë,

Botë e lanun pas dore,

Vetëm unë munda me ikë

Nga lkura jote me zhubra,

Si lvore lisi,

Kur dola nga mitra jote e kalbun,

Shterpë për me lindë sojin tem.

Ja, e sheh!

Ti as sy me m’shikue n’sy s’ke!

Merre ikjen tâne

Dhe rrëshqit turpit e trupit tân,

Kot i fryn gacave t’dashnisë

Me qitë zjerm,

Ti e di mirë

Se unë sa herë marr frymë,

Jo ajër, por dashni marr,

Në çdo fillim dashnie,

Des për m’u ringjallë.

Laj tani m’katet me lotët e tu!

Qepe gojën mos t’shpëtojn’ jargë

Dhe theje pasqyrën mos me t’pa ma.

As e fjetun,

As e zgjume,

As me jetë t’marume.

 

 

 

Poezia Nr 67

 

DHEMBJE KOLEKTIVE

 

Një mërzi përmbi këtë nën qiell,

fshikullon kaq trishtë.

 

Trishtimi plumb i rëndë,

ka rënë njësoj për gjithkënd.

 

Një zë i trishtë si në kor,

përkujton plagët e një dhembjeje kolektive.

 

Fjalët janë tretur, në heshtje,

harqet psherëtijnë.

 

Muzika retro nën tinguj,

Dikton fatin tonë të hidhur.

 

 

 

Poezia Nr 68

 

Bija ime

 

Shihi yjet se si përflakën

Si do të shuhen para këmbeve të tua

Ashtu duke ndjerë melodinë e hënëplotës

Mblidhi copëzat e vendit tënd

Ëndërr gjymtuar nga shekulli i deformuar

 

Shkrirë në lot lumenjsh

Nëpër kohëra mos u dorëzo

Mbi kreshta stuhish nuhate qetësinë

Thaje lotin e ngecur në qerpik

Lundro bregut të ëndrrës tënde

 

Kur të rriten gjethet e mendimeve të tua

Mos i krasit me draprin e huaj

Lejojë të thahen dhe ripërtëriten natyrshëm

Se erërat qajnë me të madhe

Kur ti braktisë malin e mendimeve të tua.

 

Lufto për atë që e do edhe nëse bota përmbyset

Thuaje atë që  ndjen

Edhe nëse magjia e fundit e fjalës vdes

Bija ime, rreze dielli ne agimet e mija

Me rroba idealesh vishe rrugëtimin tënd.

 

 

 

Poezia Nr 69

 

Kufoma lirie

 

Minosin e vizitoj shpesh .

Herë në labirinthin e tij të pafund

Herë në qytetin e tij të pavdekshëm,

Fshehur mes ngjyrave të kaltra.

Të eci rrugëve të tij të magjishme

Të fshehura në lakuriqësi vajzash të brishta .

Të fshehur nën pëlhurën e tij të tejdukshme

Me thonjtë që dalin nga lashtësia

Të përpiqem ti çjerr maskën .

Për ti thënë se mizoria jeton bashkë me lavdinë .

Jeton, në mitra të lashta e të reja .

E di, në rrënojat e tua skeletet jetojnë përqafuar .

Nuk më vjen frikë nga kockat e fosforizuara

Oh jo! Sa shumë dashuri ka në ato duar të shtrënguara

Aq të shtrënguara, sa kanë mijëra vjet,

që sfidojnë dheun e labirinthin.

Askush nuk mund të luajë me ty .

As turistët që vrasin kohën,

Bëjnë sikur të vizitojnë .

As gotat e thyera mbi mozaikët e tu,

ku dikur luanin tragjedinë e rilindjes, epokat .

As ky çift që nxjerr epshin mbi gurë ,

mu në syrin tënd .

O sa shumë me trazon prania jote!

Prania e të varrosurve për së gjalli .

Mos mendo! Mos u ndiej fajtor !

Sot varrosen popuj. Thjesht për qef !

E qytetet nuk janë asgjë ,

Një bombë e hedhur në mes tyre .

Sa shumë jaseminë ka në këtë vend .

Vendasit e quajnë: ”lulja e natës! ”

Duhet të vish natën ,ajo veç natën mban erë !

Është era e kurmeve të vashave flijuar në labirinth .

Është erë jete ,është era e …

Nga deti anijet ngren e ulin flamuj

Në breg të ishullit, kufoma !

As unë nuk fola, si emigrante e pashpresë,

që lufton për të shpëtuar koken .

Ashtu siç jetojnë të gjithe emigrantët e këtij

globi të pjerdhur, e të padrejtë .

Thjesht unë pata fatin ta kaloj detin

pa u shënëruar në kufomë,

e sot të jem një spektatore e pacipë

kufomash emigrantësh …

Askush nuk foli ! As ti i nderuar Minos !

Çdo gjë në emër të lirisë !

 

 

 

Poezia Nr 70

 

KUR  VRITET  FJALA

 

Filloi kjo natë pa përshëndetje…

Pagjumësia do zaptojë qiellin përsëri.

Nga dera e mbyllur prej një thyerje zemre

Somnambul  dashuria ka marrë arratinë.

 

I lidha carcafët pas fajit pa faj ,

Yjet në qiell s’i kap dot dora ime.

Kjo botē   noprane  ka egon e saj,

Regëtimat e fundit për të le te bien.

 

Dhe zgjatem vezullimesh në ëndrra gjithfarësoj

Në udhë që më lodhin në natën pa krye,

Besimin dhurova ,dikush s’e besoj

Oshëtinte e qeshura mbi shpirtin thërrime.

 

Mëngjesi im ,nëse prapë do të vish,

Me kurorë dielli a fustan prej shiu,

E pafjale do jem këtë herë,ta dish,

Se fjala vritet vetëm nga nga njeriu.

 

 

 

Poezia Nr 71

 

PA TITULL

 

(Mjerimi asht një njollë e pashlyeshme

në ballë të njerëzimit që kalon nëpër shekuj)

Me të takohem çdo mëngjes

në po atë rrugë me pemë të thara

Me trup kërrusur si dënesë,

më dhimbset kur e shoh përpara.

Mbi supe vitet i përthyhen

ngadalë lëkundet si degë e tharë.

Në shpirt një dhimbje i gjëmon,

zemra e plasur si shegë e çarë.

Çdo ditë mbështetur tek një selvi,

të shes diçka ikën me shpresë,

tek sytë e tij një hije rri,

një hije morti e pabesë.

Kështu është dita për të ngahera,

çdo muzg për të një psherëtimë.

S’ka diell për të më, as pranvera,

mbi të çdo stinë pikon mjerim….

 

 

 

Poezia Nr 72

 

ME DHE TË MISHIT TIM

 

Kujtimet lahen në katranin e ëndrrave,

E pastrohen me mallin e lotëve,

Rojë e shpirtit bëhen,

Tek shterojnë gurrat e shpresave,

E në bebëza të shkrumbuara të syve

Po gropoj ëndrrat,

Janë ëndrrat e para,

Që nuk i mbuloj me dhe atdheu,

Por me dhe të mishit tim,

Tani kur muranat e mia

Janë lodhur nga dheu i gurëve

E kur vaji u jep gji zanave të malit

Kalëruar nëpër gjëmën e Bjeshkëve të Nëmuna,

Në legjendën e gjallë të kohës sime,

Prapë e kërrusur nga gjëma e paqes,

Po marr një grusht dhe nga mishi im,

A dëgjoni ju gurët e muranave të mia?

Dhe një herë ju kam folur nga varri,

Kur ua solla cunamët

Dhe në grusht mbërtheva botën,

Të shtrydh njeriun tim,

Kërkuar prej shekujsh që shkuan,

Kërkuar prej shekujsh që po vijnë,

Në çdo zanore

Të urimit tim,

Sa herë thyen qafën një vit,

Sa herë vjen një vit tjetër i vjetër.

 

 

 

Poezia Nr 73

 

Harruar kujtimesh

 

Mbasditë dhe shiu filloi të bjerë

Xhamave troket e bëhet litarë

Lotët e mi s’ paskan të shterë

E diku larg dëgjohet një kitarë

 

Jasht shikimin hedh fryn stuhi

Pemët nga gjethet kjo erë i rrwzoi

Me orë të tëra unë dritareve rri

E heshtur kërkoj një muzë poeti

 

Pareshtur shiu vazhdon të bjeri

Dhe trumcakët dridhen nga i ftohti

E trishta ditë pranverë ç’ më kujtoi

Takimin tonë të harruar që moti;

 

Një ëndërr dikur jetuam të dy

Emigruar aq larg këtij realiteti

Një këngë e shkruajta sot për ty

Që pa refren çuditërisht më mbeti.

 

 

 

Poezia Nr 74

 

Asgjë s’ka ndodhur

 

Prapa, këtyre erërave që fryjnë,

prapa, kësaj furtune që vjen,

prapa qiellit, që mbledh e zbret retë,

fshihet, arsyeja e vërtetë .

 

Fshihen arësyet pa arësye,

të dukjes dhe çbërjes fatale .

Fshihen dështimet e qiejve të mundur,

që shfaqen, pas gotitjes së madhe .

 

Kur qielli godet me zjarr vetëtimash,

asgjë s’ka ndodhur, ta dini .

Janë thyer caqet e durimit, pa skaj

dhe fillon, tjetërsimi .

 

 

 

Poezia Nr 75

 

I shtrirë në gjysmëhije

 

I shtrirë në gjysmëhije

mbi një stol të gjatë ende të nxehur nga dielli

I përhumbur nën peshën e vetmisë së rëndë

dridhet psikika

nga rropama shumëngjyrëshe e pushuesve

e shoqëruar nga bishti histerik

i përqethjes endacake

ndaj joshjes transgresive

në kopshtin e ndjesive

Në folenë e joshjeve të rastit

mes një gllënjke dhe një kafshate

grupe mendimtarësh fillestarë mendjelehtë

që merren me filozofime fodulle

si vegimtarë

arsyetojnë pa lidhje

mbi shpirtin primitiv dhe misterin e padepërtueshëm

Nëpër ëndrra ndjekin natyrën e tyre

të dominuar nga enigma e zhvillimit të pasigurt.

Skllav andrallash intime

befasohem me vetminë e mbytur

e natës së gjatë të shqyer.

 

 

 

 

Poezia nr 76

 

FLETËT VITET SHFLETUAN…!

 

Sot jam ulur prehërit të vjeshtës ,

e fletëzës së bardhë kujtimet shushurijnë,

ca pikla loti shpërfytyrojnë shkronjëzat,

shiu më vjen vërdallë…më duket gjeti shtëpinë.

 

Para meje shfaqem unë dhe ti ,

Ti , që sot je atje lart në qiell,

Ti dhe unë para ca viteve përqafuar,

Sot kujtimet të mbajnë të gjallë, mes nesh !

 

Sot jam ulur prehërit të vjeshtës dhe …

nuk di sesi fletët vitet shfletojnë,

Shumë njerëz shtegtuan me dallëndyshet…

Disa u kthyen…të tjerë jo …!

 

Përpara meje shfaqen përparëse të bardha ,

Disa ishin te bardha vërtet…

Disa më mësuan veç teorira,

Disa m’u bënë ”frymëzim në jetë”…

 

Sot jam ulur prehërit të vjeshtës,

paska filluar shiu…dhe unë s’po e kuptoj..

Sot , ca fletë ditari vitet shfletuan,

Lot dhe buzeqeshje më gumëzhijnë në kokë..!

 

 

 

Poezia Nr 77

 

MALL

 

Brodha botën pa mbarim,

Plot helm e brengë në shpirt,

Para syve të mi, s’ mu nda asnjë çast,

më i bukuri portret, imazhi yt.

 

Brenda mallit tim të fshehur,

kur mbrëmjeve sodis qiellin,

më shfaqesh me hënën,  që çan retë,

më i ndritshmi yll, rrëzëllim.

 

Në çast, malli më pushton ngadalë,

sa lotët nën qerpik i ndiej

e rrjedhin ashtu pa kuptuar

Veç,  kush mallin nuk e njeh.

 

Ç’lëndim shkakton brenda meje,

sa zemra, jo, nuk duron

Lot të hidhur  rrjedhin shpirtit

për paskohët kthyer kujtim.

 

 

 

 

Poezia Nr 78

 

Iku babai,  nuk ka kush më mbron nga fëmijëria

 

Një zog fluturon lartësive të panjohura

për t`u kthyer natën në folenë e pambrojtur

një vajzë e vogël në Finlandë e quajnë Laura shkruan poezi

për macen që lindi e fundit e zezë thëngji

kam frikë se i kujton luftrat në Ballkan

në Siri u vranë vajza dhe kukulla

shtëpia ime mbeti pa sy

qysh se ika dy botë më presin

bota sillet rreth hirit të vet

hënën e mbyti vetmia

poetët vendosin shenja në kohë

ditën që iku vëllau më vdiq rinia

iku babai, nuk ka kush më mbron nga fëmijëria.

 

 

 

Poezia Nr 79

 

Bisedë me vetveten

 

Biseda me veteveten nuk duhet të mungojë,

edhe kur humori ngjyhet në të zi,

kur ëndrat ataviste natën të zgjojnë

dhe në planetin tënd lexon “vetmi”

Bisedat me miqtë herë herë janë memece.

Nuk kuptoj as veten,  endem e hutuar…,

por ja …ca ngjyra mbi telajo derdhen.

Unë flas me heshtjen, ata lexojnë mua.

 

 

 

Poezia Nr 80

 

MIDIS’JE GRUA’JE…

 

Është një midisje

mistike e mistershme

krejt e pamatshme

Si mjegulla, reja, rrufeja

mes qiellit dhe tokës

Si muzgu i bronxtë

mes ditës dhe natës

si çasti mes çastesh

me pritje shekujsh…

 

Është ajo gjendje e midistë

ngjasuar mëdyshjes

si zgrip

mes ferrit a parajsës

Si frikë

për diçka prej diçkasë

nga asgjë dhe gjithçkasë

Si fije e hollë ekuilibri

ku varet shpirti…

 

Kjo e midisme

si etje, mekje

dhe jetë, dhe vdekje

Si vjolë e kryqëzuar

mes të kuqes e blusë

Si hapi

i thembrës tek pragu

e tjetrës në buzë

Si ajri

që shtypet ndë lëkurë…

 

Një midis

i shenjtë sa jeta

i truar si jeta

ku krijohet e flijohet bota…

 

 

 

Poezia Nr 81

 

BUZË  ZJARRIT        

 

Jam ulur buzë zjarrit.

Mes thëngjijve shikoj sytë e tu,

kur përkunden nëpër flakë.

Zgjas gishtat,

duart prekin dritëhijet e drurëve,

zjarri i mallit më është tharë në buzë.

Sytë e tu, mes flakëve            ,

rrethuar me mure gjaku,

rrëmbyen një lot mbi faqet e mia ,berë prush.

Dua ti mbaj në duar,ti puth,

zëri të më bëhet këngë

në   këtë ortek dhimbjeje,dëshpërimi.

Heshtje buzë zjarrit.

Ngadhnjimi hap rrugët e qiellit

sytë e tu i gjeta në yllin e mëngjesit.

 

 

 

 

Poezia Nr 82

 

HUMBJE KOHE

 

Jem të vonuar

Në vrapin e historisë

Nuk kemi kohë për të humbur

Nëse duam të jem të barabartë

Me botën e zhvilluar.

Çastet, orëtë dhe vitet

Ikin shpejtë pa i vërejtur

Historia na mallkon përsëri

Kalendarët jo kurrë nuk kthehen mrapa

 

Gjumi i thell i takon amshimit

Jo ditës njëzete e katër orëshe

Pa e parë dritën e diellit

Dhe të ankohemi për mungesë yjesh.

 

 

 

Poezia Nr 83

 

NËSE  VDES

 

Nëse vdes

Më varrosni me këngën time

të pa kënduar

dhe etjen për dashuri

 

Nëse vdes

Për token time

Këndoni në agimin e parë

që do të sjellë pranvera

 

Nëse vdes

Varrosmëni me flamurin

qëndisur nga dora e saj.

Askush më  mos t`më qaj

 

Nëse vdes…

 

 

 

Poezi Nr 84

 

Misteri i Dashurisë

 

Kryqëzohen në mes njerëzve dashuritë,

të mbërthyera në pafundësi,

Vuajnë dhe pastaj lutin PERËNDITË,

DASHURINË t`ua ruajnë përjetësisht;

Lutin edhe zemrat të marrin frymën e ëmbëlsisë,

sytë të mbushen me nektar drite,

e shpirti të vishet me jetë,

të sjellë për mua nota dashurie,

të pabesat ëndrrat e mia,

se dëshirat m’i lanë tej kufijve,

zemrën në fill të perit,

shpirtin në flakë të ferrit.

Pa më thuaj në cilën botë

do të puth dashurinë,

në cilën zemër do të jem mbret i saj?

Më thuaj si të pëlcas nga dashuria,

as që dua të besoj lumturinë!

Aty vetëm dashuria nuk është kalimtare,

as me zemër të çarë,

as kur pikon lot

Dashuria pikon vetëm dashuri,

nga strehët e zjarrit tim.

Në çdo plasë të zemrës sime

mbijnë trëndafila balsam për plagën e vet,

se zemra shërohet vetëm nga zemra,

ashtu si shërohet dashuria nga dashuria,

drita e syve nga dita e syve,

për jetën e bukur e të përjetshme,

që të rri zgjuar në botën tjetër,

duke të të pritur ty, dashuri!

Bashkë me të gjitha ëndrrat që s’i preka kurrë,

as unë, as ti.

Oh, Zot, po ç’më duhen më sytë me dritë,

kur zemrën te ti e lashë peng,

shkulur prej trupit plot mundim e lot,

të dergjur andej e këndej asaj pranvere,

andej e këndej dheut të vatrës,

andej e këndej vdekjes.

Sot jeta kërkon dashuri,

se dashuria të jep jetë,

si zjarri që të jep flakën,

prandaj hiri i VATRËS nga Olimpi na thërret:

Të jetojmë magjinë e mistershme të jetës,

Të jetojmë magjinë e mistershme të dashurisë!

 

 

 

Poezia Nr 85

 

KUR DIGJEJ TROJA…

 

Na mbytën retë e tymit sa na asfiksuan

ato netë kur digjej Troja!

Qielli u mbush me klithma rrënqethëse fëmijësh

nën rrënoja.

 

Atdheu im

u mpak e u plak brenda disa sekondave…

kurrë nuk kishte djegur

troje e Troja!

Kurrë

s’e kish vrarë jetën nën rrënoja!

 

Ato re zjarri

Sikur na erdhën në prag!

Digjej Troja,

trojet,

trualli…

paqja ishte nën flakë!

 

Zjarrvënësit

rendnin me pishtar ne duar

të etur për gjak!

 

Prej tremijë vjetësh

nën zjarre të pabesë , Troja digjet e digjet.

Këmbanë alarmi për njerëzimin

klithmat e fëmijve!

 

 

 

Poezia Nr 86

 

SI GONXHE E BUKUR MË JE TI!

 

U mbushën e dashur, shumë vjet,

Që gishtat shpesh shikon,

E buzë e heshtur diç më flet,

Me sy diç më qorton.

 

Pa shpesh të bren ty një merak,

Që s’ke unazë në dorë,

Që s’dole nuse me duvak,

Me lule dhe kurorë.

 

Në marreveshje pleq e plaka,

Nuk bëmë me krushqi,

E nuk shtruam drekë e darka,

S’u ngrit asnjë dolli!

 

Veç në mes lulesh në lëndinë,

Ne zogjtë na uruan,

Aty nënshkruam dashurinë,

Kur buzët i bashkuam.

 

Të dlirtën tonë dashuri,

Kurrkush nuk e bekoi,

Po kush mbi dhe si unë e ti,

Kaq fort vallë dashuroi?!…

 

A mundet vallë metal i ftohtë,

Të ndjell dashuri?

Kur zemra jonë është e ngrohtë,

Ç’të duhet hallka ty?

 

Dashuria është si luani,

Që s’lidhet me zinxhirë.

Ajo do krahë si shqiponjë,

Të fluturojë e lirë.

 

Në është unaza një stoli,

A s’është stoli e kotë?!…

Si perlë e vyer më je ti,

Që s’gjendet kund në botë!

 

Në është unaza një stoli,

Që bukurinë ta shton,

Si gonxhe e bukur më je ti,

Që mot për mot lulëzon.

 

 

 

Poezia Nr 87

 

Grimca Shpirti

 

Grimca shpirti

pluhur i hirtë

Kaq kohë harruar

Thyer xhami i orës

në duar mbeten copëzat e xhamta.

akrepa të pajetë.

Vende të heshtura

kalendarë pa data

pasqyrë e zbehtë.

Sot s’ po njoh veten

jo, s’ jam unë.

 

 

 

Poezia Nr 88

 

 ΝJË TAS ME HI…

 

Mbrëmjeve kur yjet vezullojnë shumë,

unë marr një tas me hi,

nga hiri i vatrës së nënës,

ku linda unë.

 

Ua hedh yjeve përsipër

dhe nëna i ka gati,

(atje lart)

për të çelur zjarrin e mëngjesit…

 

 

 

Poezia Nr 89

 

Gazelë në shkretëtirë

 

Si pelegrin në shkretëtirë,

Ikjen përqafove këtë mëngjes,

Në dorë më le një lule malli ,…

Lule që flakë shpresën ndez.!

 

Jo, kurrë, s’iu binda kthimit,

Sikur dëshiroja të të thosha:

“Më parë më vrit”?

Më le plagosur , pa më vrarë,

(Oh, ç’shpirt!) Sa i pashpirt!

 

Dhimbja, shpesh, më ka kapluar,

Panorama: Dhimbje , lot,

Ca gjëra, vërtet, na ndajnë,

Por, shumësin s’e ndajnë dot!

 

Vdekja pa dashur na bën ftesë,

Dhimbja sërish më kaplon,

Vërtetim: Gjëra na lidhin në jetë.

Të tjera na ndajnë… (Ç’ekuacion!)

 

Etje ndiej, të mbytem shiut tënd,

Në cmenduri, si pulëbardhë,

Por te ty do të jem ëndërr,

Gazelë, në shkretëtirën e “bardhë”

 

 

 

Poezia Nr 90

 

SHENJTËRIA DHE I PANGOPURI!

 

Ç’ më bëre kështu? –  tha i pangopuri

dhe ju drejtua shenjtërisë së tij

s’ kam asgjë për të diskutuar me ju

prandaj në këtë sallë gjyqi më nuk  vij!

 

S’ më latë pjesë toke pa më bllokuar,

as në fund oqeanesh s’ kam pasuri,

në këtë sallë , une s’ do shkel më kurrë,

o vendos ti dorë si duhet, ose do vë vetë drejtësi!.

 

E ç’kërkon prej meje?- i tha Shenjtëria

Të largohesh që këtu, se unë di ta dredh.

Dua Diellin dhe Hënën, të mi mbani peng mua,

Bashkë me bubullimat në një grusht t’ i mbledh

 

Duhet të dish, – i tha Shenjtëria,-ti çdo gjë shkatërron

dhe në gjithçka ke bërë korrupsion

Në botën time s’shoh asgjë të mirë,

vetëm, pabesi, intriga, prostitucion…

 

Këtë radhë më shumë jam indinjuar .

Ndjej neveri dhe brenda sallës kur të shikoj

Gabim fatal, Mikelanxhelon e pafajshëm dënova

tani kuptoj, flakët e Inkuizicionit për ty do i dërgoj!

 

Ç’ farë thoni Shenjtëri, unë jam i pafajshëm,

atë që më zgjodhi unë e lashë të lirë,

por kur s’ është i zoti,  as për veten e vet,

Ç’ faj kam unë, që as bishtin e lugës nuk ngre

 

Ulu!- i tha Shenjtëria , ulu në vendin tënd,

se more dhe kohën e të tjerëve për të diskutuar!

Unë mora vendim, ti gjuhë engjëjsh nuk kupton,

djajtë le të ngopen me mëkatin tënd prej flakësh përvëluar,

 

Nëse dhe atyre ua dredh dhe mbi mua do të sundosh,

Dije o bir plangprishës, se bota nuk të beson,

Gënjeshtrat e  tua, askujt nuk i shkojnë ,

Fronin unë e mbaj, që të shpëtoj botën.

 

 

 

Poezia nr 91

 

Dashuri qelizash

 

Të dua-tha ai.

-dhe…, sa më do?

-Të dua kaq shumë, sa me dëshirë do të përpija të gjithën

Të dua kaq shumë, sa dua të jesh brenda meje

e sërish do të dua pa fund dhe kur te jesh larg meje

– Po ti, sa më do?

-Unë, unë të dua me pafundësinë e qelizave të mia

me  gjakun e shprishur që rrjedh nëpër arterie,

me forcën e shpirtit, që përthyen ylbere

e të dy bashkë në çmenduritë tona

do vrasim netët e do zgjojmë mëngjeset.

 

E çfarë do të ishte jeta pa ty!?

Një pafundësi momentesh mbushur plot rutinë.

ditë të athta, mbetur kryqëzim.

 

…, por kur ty të ndiej e të kam kaq pranë

mbrëmja lehtas bie e shtron vellon yje

në të fundit frymë, që më jep ti shpirt

me të vetmet rrahje, përjetë në  përqafim.

 

 

 

Poezia Nr 92

 

POR TI FLI NËNË…!

 

Vonë paska vajtur nënë

koha këmbët tërheq zvarrë

Thashë ta shtyj,por s’qenka thënë

kjo qenka më e rënda barrë!

 

Vonë nënë,thua të kesh fjetur?

A dhe ti kështu  si unë,

rri ashtu mes ëndrrash tretur

e vetëm lutesh të kthehem unë.

 

Atë foto ç’e mban në duar,

ç’ke që e lan ashtu me lotë?

Jam pak larg,por s’të kam harruar,

mjaft se s’jam në tjetrën botë… .

 

Fli pra nënë , mjaft e uruar!

Si ti prind jam bërë dhe unë.

Pa gjumë dikur,dhe tani zgjuar!?

Tërë jetën brengë të mbeta unë?

 

Kështu vijnë gjërat pra në jetë,

duam s’duam ne,larg që të jemi.

Por ti fli nënë,fli pra e qetë,

me zemër dhe mendje ne bashkë jemi.

 

 

 

Poezia Nr 93

 

TI I JEP DRITË ERRËSIRËS

 

Ti i jep dritë errësirës,

ndërsa hëna e zbehur nga dhimbja ,

është bërë ftua ,

veremi që ka zënë gjysmën e botës,

nuk bëhet më ushtar i paqes,

kurse fluturat kanë mbetur xhamave,  që dritës ti japin krahë.

Ne të dy nuk shtojmë dot të verdhën,

veçse të kuqes i japim jetë,  që të na djegi pa koment.

Ti i jep dritë zemrës,

ndërsa hëna struket reve,

është bërë argjende,

asnjë, nuk mund të bëhet ushtar i paqes,

ushtar i dashurisë përflakur,

kurse zemrat, fluturojnë si fluturat,

Ne të dy, hënës i shtojme ngjyrën e kuqe,

Ne të dy, i shtojmë jetë,  jetës tone me puthje,

Ti i jep dritë syve të mi,

Zjarrin shuar ma ndez në gji,

Ti i jep buzës pjalmin e jetës,

Ti, që shuan etjen ndezur në buzë.

Netëve të vonë, më trazon shpirtin.

Ku asnjë gjurmë, nuk mund të fsheh nata,

Sytë tanë, bëjnë dritë të bardhë, si fenerët deteve..

Ti i jep shpirtit lumturi, ëndrrat e natës më zgjon nga letargjia,,

Ti dhe unë, jemi gjithësia planetare i dashur..

Ti errësiren  e natës  zgjon nga vdekja…

Duke ngjallur gjysmën e botës trazuar…

 

 

 

 

Poezia Nr 94

 

FJALËT E BABAIT.

 

Theu loti si kristal

Heshtjen që n’ajër motonte

Syri derdhi lot e buza fjal’

Zemra-zemrës i foli sonte:

 

“-Të lutem at, më thuaj një fjalë!

Ti që kurrë s’më përkëdhele në jet.

Ma thuaj tani sa je ende gjallë.

Folëm të lutem, heshtja jote vret.

 

Më thuaj një fjalë, qoftë dhe e lig,

Veç kështu i ngrysur, jo mos më qëndro.

Se kjo heshtja jote po më ther si thik.

Fol të lutem at, më mos më lëndo.

 

Kaq vite jetuar me ty në një streh,

E kurrë s’më dhurove një fjalë të mirë.

As foshnje s’më more një herë në prehër

Vallë të kem qënë vërtet një egërsirë?!

 

Vështrime të ëmbla s’më dhurove kurr

As përqafime, as lojra, as puthje përmbi ball

Vallë në vënd të zemrës të kesh patur gur,

A ndoshta je vërtet, një njeri pa fjal’?!”

 

Vëngër më vështrove me sytë plot lot

Dhe ashtu i ngrysur më fole ngadalë:

“-Të dua më shumë se çdo gjë në bot

Por rri i heshtur se nuk gjej dot fjalë.

 

Fëmijët për prindin, janë gjëja më e çmuar

Ti e di shumë mirë, se je nënë vet.

Po fjalët e zemrës, vallë s’mi ke dëgjuar?!

Ajo për ty moj bijë, do rrah sa t’kem jet!”

 

 

 

Poezia Nr 95

 

Një vend brenda zemrave

 

Mësova se diku ekziston një vend

ku fjalët presin urtësisht radhën, si rruazat që shkohen nëpër pè

një vend i cili nxë veç zemrat e mëdha

që dashurinë e jetojnë si engjëjt parajsën…

Aty stinët nuk kanë frikë të vijnë natyrshëm

dhe ajri përcillet si frymë, gjallon përjetësinë

nëpër rreshta gazetash ka vetëm poezi

e lufta është një mendim i largët…

E dua një vend ku njerëzit vdesin për idealet

dhe jetojnë gojëdhënave në brezat e pastajmë

ndërsa vitet të jenë sfidë me veten, jo me kohën

njeriu larg perfeksionit, por që di të falë!

Lotët të peshojnë mbi sy kudo me t’ njëjtën dhembje

të njëjtën dritë të shpërndajnë në gjithësi

kam nevojë të besoj se ekzistojnë ende qeniet humane

drejtuar kah virtyti…

Lërmëni të shpresoj se diku ekziston një vend

ku njeriu ka dëshirë të sillet si NJERI…

 

Dhe kjo le t’ më jetë një ëndërr e pakthimtë!

 

 

 

Poezia Nr 96

 

Pikturë e gjallë

 

Bëra

një pikturë të gjallë:

ushtarin e plagosur

e mbylla në korrniza qiparisi.

Mbaje

dorën mbi plagë

dhe renko me zë të ulët!

Mos vdis!

Pas pak do të shperblehemi

dhe ti

s’do ta kesh më emrin Alfred!

Do të mbahesh mend si ushtar i Lirisë,

si engjëll i Paqes,

si Sakrificë,

Vetmohim!

Kur të vdesësh

do shumfishohesh ”copy-paste”

në mijëra piktura të tjera!

Do të gjendesh varur në zyrën e çdo ministri!

Në albumet Bashkisë!

Numri i serisë tënde

do bëhet medalion në qafën e të rinjve,

në grykët e pushkëve do të stampohet!

Do të bëhesh

personazh i lojërave ”video game”

aty do të fitosh saherë…

sepse ke 7 jetë!

Ndoshta… do të jesh

edhe poshtë jastekut të deputetes,

falë teje bën gjumin e qetë!

Mbaje dorën

te vrima e plumbit

dhe renko me zë të ulët!

”Kokat e mëdha”

me një gotë ”chivas” në dorë

vizitojnë Galerinë e Arteve!

Ata ecin pa vënë re ku shkelin…

Gjaku rrodhi nga tabloja!

Si kutitë e shahut pllakat e korridorit

të bardha,

të zeza…

Të gjitha

me një vulë gjaku në mes

nga këmbët e vizitorit…

Oh!

Ti po vdes!

Korrnizat e qiparisit

t’u bënë pëllumba mbi krye…

M’u lodh dora mbi plagë

dhe rënkimet si kandil m’u shuan.

 

 

 

Poezia Nr 97

 

GRUA

 

Unë jam nisja jam fillimi,

jam dhe fundi jam mallkimi,

jam loja, e vërteta,

jam jeta jam dhe vdekja,

unë jam ëngjëll jam dhe djall ,

jam e urtë jam dhe e marrë ,

jam gabimi jam mësimi ,

jam zjarri jam dhe dimri,

ëmbëlsia qe jep vrer,

jam gjithmonë dhe asnjëher,

jam rënia jam mbështetja,

jam zhurma jam dhe heshtja,

jam joshja jam tradhëtia,

shpirti i mbushur , zbrazëtia,

jam e bukura e shëmtuara ,

jam e lumtura e trazuara ,

jam e brishta jam furtuna ,

jam lodhja jam dhe puna ,

jam parajsë jam dhe ferr ,

dashuri që jep e merr ,

jam tmerri i seksit tjetër,

s’më do dhe më do patjetër ,

jam det jam dhe përrua ,

te qetësoj dhe mbys kur dua,

jam bleta që të pickoj ,

me mjaltë të ushqej por te sfidoj,

une jam kur dhe ku unë dua,

ndjek dhe s’ndjek ligjet e tua ,

dhe Frojdi ngeci tek mua

Dhimbje e ëmbël,unë jam GRUA!

 

 

 

Poezia Nr 98

 

LETËR  ZOTIT  * 

 

  ” E, në pastë menden,

           Me ma korit fisin?

           Gjujma re, njitash,

            Me kokërr rrëfeje”

 

“Visaret e Kombit”

 

1.

ZOT, të lutem, a do më dëgjosh?

Zgjidh  një palë syze me shkallë të lartë dioptrie!

Se vetëm kështu mund të shikosh

Të “pabërat!” që i kanë ndodhur kësaj SHQIPËRIE.

 

2.

Nuk di se ç’hall do të qaj më përpara

Sillem nga sillem, po dot nuk e zgjidh

Ç’do të  tregoj, mos i merr si pallavra

Janë të vërteta që çdo njeri vënë në kryq.

 

3.

Kur them që gjyslykët të jenë të mëdha

Se të mëdha janë hallet që ka Shqipëria

Kështu ka ndodhur… sa vjete shkuan, sa?

Sado që në Shqipëri ka ardhur demokracia.

 

4.

Erdhi demokracia, po nuk erdhi e  drejta

E drejta që për 50-vjet qe mohuar

Se më duket që në pushtet u ndërrua veç “xhubleta”

Pjesa më e ndershme asnjë gjë nuk  ka fituar.

 

5.

Prona, PERËNDI, nuk shkoi tek i zoti

Kush qe “Herkul”, prona zu me forcë

I varfëri mbet i humbur… ( e “hëngri” zorzopi)

“Çeku i bardhë” na ngopi me lugëbosh.

 

6.

Politika dhe politikanët lozin “arushë”

Herë nga e majta dhe herë nga e djathta

Hallku me “ëndrra”, kovat zbraz e mbush

A rrohet vallë veç me pallavra?

 

7.

Fajin gjithmonë e ka kundërshtari

(Sado politikanët rrojnë nën një çati!!!)

-Këtë e pret burgu.Tjetrin litari?!!!

Dhe lozin “kungulleshkash” në çdo qeveri.

 

8.

Për vete u mbathën. Brezash s’u dhëmb koka.

Hallku? Si hallku! Si Sançua mbi gomar!

Me sy prej njerke na sheh Evropë- Bota:

– Bir  Selman i nënës, kë të qajë më parë?

 

9.

Arsimit i kanë vënë kazmën.Ca më keq,shëndetësia

(As që krahasohen me vite më parë!!!)

Perëndi, po ta dish, se si është tash Shqipëria

Dhe ti që të duam,  do t’ia thërresësh me të qarë.

 

10.

Për vete qeveritarët e politikanët bëjnë kokrrën e pallës

( I bëjnë rrëke bythës,- thonë në MYZEQE.)

Dhe pushimet…. larg e larg “mëhallës”

Po si mund të bëjnë pushime në Atdhe?!!!

 

11.

– Pse mos jemi të gjithë si “këmbët e dhisë?!”

(Në një festë a gosti familjare, qindra gostiarë)

Oh, këta janë turpi i SHQIPËRISË!

-Bir  Selman i nënës, kë të qajë më parë?…

 

12.

Se sa hap e mbyll sytë, me prona e vila

-“Muslluku” i Shqipërisë rrjedh flori

Fare nuk kanë cipë. Le t’u bjerë pika!

– Lësho një rrufe! Të lutem, Perëndi!

 

 

 

 

Poezia Nr 99

 

Lutje pa mbarim!

 

Njerëz të përvuajtur, të rraskapitur

Në rrugë, kudo e ndër fanarë

Endur të braktisur, në kërkim të fatit

Jeta e tyre, si një natë pa hënë

 

Larg familjes, shtëpisë  kanë ikur

Në çdo skaj  të botës, si zogj shtegëtarë

Larg vendlindjes, tyre janë rritur

Nga malli e halli, shpirtin kanë të vrarë

 

Kërkojnë një jetë, një ditë më të bardhë

Larg vendit tyre, me shpresën në gji

Kapërcejnë dete e kufij të hekurt

për të shenjtën paqe, për pak liri.

 

Duan qetësinë, që kurrë se kanë ndjerë

dhe një fjalë zemre, që shpirtin t’ u prekë

Njerëz në mendime, të heshtur si hije

Mbetur kryqëzimesh, të mjerë nëpër botë.

 

Stampuar fyryrat me mbishkrime vuajtjesh

dhe sytë e terrur, feksin pa shkëlqim

E gjithë kjo botë, lëngon nga dhimbjet

për jetët e tyre, lutje pa mbarim!

 

 

 

Poezia Nr 100

 

SY ORIZORË

 

Kur heshtja të thyen brinjët dhe të shkallmon mushkërinë,

nuk mund të jetë më heshtje…

Cifla të holla shkëputen nga çekani që godet ,

shpërndahen në mijëra cifëlza të tjera.

 

Me duar që s’binden përpiqesh t’i mbledhësh të gjitha.

Të kap paniku kur sheh një pore te hapur që nxjerr tym,

gjithë avujt toksikë në panikun serrë.

 

Të gjaken sytë teksa prek sipërfaqen e smeriltë.

Ndjen therje…oh!

Aty poshtë krahut, pranë zgavrës së bufatur,

përthyhet hija si karikaturë e ndotur.

 

Ndjen gjymtimin, çekani të godet ty.

Të kërkon si i marrosur derisa të ciflosi,

si porcelanet kineze

blerë në tezgat e një aziatiku… në lagjen e tij evropiane.

 

E sheh të vërtitet si lëmshi rreth vetes,

të buzëqesh hidhshëm me sytë orizorë…

Të shtohen dhimbjet ohh!

Një shpatë osmane,

një bajonetë gjermane,

një shigjetë indiane…therja të shtohet, të shtohet..

Përballë vazhdojnë të qeshin sytë orizorë.

 

 

 

Poezia Nr 101

 

Ana

 

Linde nga dikush, emrin s’ja mësove

Të rritën, të veshën pa dashuri.

Me valixhen e dëshperimit, trotuarit shkove

Rrogulliseshin zhurmshëm rrotat dhe lotët nga ti.

Ndaleshin makinat, nuri të vezullonte

Buzëqeshjen e ëmbël, dielli kish’ zili

Ngeceshin akrepat, koha nuk kalonte

Për dikë që shkonte e vinte përsëri.

E ëmbla vajzë mes shijesh rrethuar

Mbushej ëmbëltorja plot me djalëri

Më tepër se dy yje sytë ndriçuar

Jetimja pëshpërisnin, ka rënë në dashuri .

Shpresoje, shpresoje me vite e prite

Djali që të deshte nga dashuria hoqi dorë

Të kundërshtonte familjen për mënyrën si u rrite?!

Kush mund ta donte një jetime të gjore?!

Bota akull e ftohtë, krahët ti këputi

Kur të kish’ përballë, cinikshëm të përqafoj

Përbuzi, shkelmoj, në varrë të futi

“Fati është i shkruar bijë, për të gjithë s’është njësoj”.

Sërisht ashtu si të lanë dikur.

Të vetme, të ftohtë, një natë Janari

Zemrës i vendose më të rëndin gurë

Aq kohë sa qielli në fron të të mari .

I buzëqeshje djalëris dhe pse gjithëkund e vrarë

Sytë porsi diej’, shpirtin marë nga *Zana.

-“Eja të shetisim jetime, në qytetin mbarë”

-“I përkas qiejve, zotëri… Më quajnë Ana”.

Buzëqeshje, buzëqeshje dhe pse shpirti më s’mbante.

Përkulej diell’ e hënë kur të shihte në sy

Sikur ti zhdukeshin ligësisë, shiu s’mund ti lante.

Por duhet të dilnin çdo ditë, shpresë, për njerz’ si ty .

Jetove e paqëshme, mësove t’ia dalësh vetë.

Kujtoje një lypsar, fjalët vazhdojnë ti mbesin.

“Yjeve apo robëve do ti ngjash në jetë?!

Ata jetojnë gjatë, njerzit herët vdesin”.

 

*Zana- krijesë legjendare mbinatyrore. Simbol paqe, force, mirësie.

 

 

 

Poezia Nr 102

 

Ndoshta na duhet një Skënderbe!

 

Më fal Atdhe, që s’kam fuqi

Të të bëj ashtu si duhet të jesh

Përpara teje jam sa një mi

Jam më i vogel sesa nje vesh!

 

Më fal Atdhe, që dot s’të mbroj

Nga kthetra skifterësh që të çpojnè

Me shpirt e zemèr s’i lejoj

Por jam i vogèl,dhe me coptojnë.

 

Më fal Atdhe, që hesht pa fund

Të shoh të ndarë në dy pjesë

Sa here një erë e forte të tund

Une frikacak, qaj me denesè..

 

Ne s’jemi bashkë si nje grusht

Na duhet prapë një Skènderbe

Çdo ditë çahesh si plis ne gusht

Më fal, që dot s’të mbroj, Atdhe!

 

Kjo hënë e plotë në Ballkan

Ka shekuj ndarë, kèrkon bashkim

Por shqiptaria, është bërë kallkan

Ndahet më tepër, pa mbarim!

 

Më fal Atdhe, s’kam me forcè

Të bëj sa mundem, nuk kam fuqi

Bota të merr si një karrocë

Të mbush me plehra ,ç’ fatkeqësi!

 

Unë prapë hesht, jam frikacak

Më fal i dashuri im Atdhe,

Ndoshta, na duhet një shpatarak,

Ndoshta na duhet një Skënderbe!!

 

 

 

Poezia Nr 103

 

VAJI I VIOLINËS

 

I dashuri im prej toke, vajin e violinës luaj,

gishtat e mi, si petalet e trëndafilit këputen,

violina qan, me vajin e zogut, prerë në gastare,

dhimbja djeg telat e instrumenti që lëkundet.

 

I dashuri im, mbuluar me membranën e tokës,

vjeshta luan vajin me shkopinjtë e erës hakërruar,

gjethet ulërijnë e mbyten në rrjedhën e shqotës,

kurorat e degëve thyhen te drejtkëndëshi ku je izoluar.

 

I dashuri im, vaji i violinës rrjedh nga spiralet e qiellit,

si lumë bregzbuluar, më mbyt në erozionin me re,

vetëtimat e violinës, kam urat qiellore për të ardhur tek ti,

dridhjen e telave, kam britmat e ëndrrës së thyer nën dhe’.

 

Jetoj mes pasqyrave, ku fshehin fytyrën time,

mes zambakëve të çngjyrosur, në ajrin e ngrirë,

gjithë bota ime përbëhet prej statujave lëvizëse.

violina ka shpirtin tim, vajin e zisë luan me zë të lirë.

 

 

 

Poezia Nr 104

 

VITI ZERO

 

U nisa prej vitit zero,

hodha pesëqind e shtatëdhjetë hapa në vite pas:

gjeta Muhamedin në gjunjë,

ku lutej për njeriun e sotëm…!

Mundohem t’i flas,

më thotë keni ngelur ende njerëz të njëjtë,

pashë që sytë iu përlotën…!

Prej atje

pesëqind e shtatëdhjetë hapa para në vite hodha:

gjeta Krishtin kryqëzuar në kryq

prej njeriut…

Ata i bënin gjyq,

Ai për ta lutej!…

 

 

 

Poezia Nr 105

 

LAMTUMIRË

 

Lamtumirë!

Sot, mu kujtua humbja e një njeriu të shtrenjtë,

mes shiut, kur trupi largohej në të fundit banesë…

Vetëm… u trishtova si atëherë.

 

Ti s’ishe, lotet nuk m’i fshive,

një fjalë të ngrohtë, s’ma the.

Ndaj, sot të them; Lamtumirë mik!

Do bëj durim!

Braktisja jote në botën e të gjallëve, dhemb njësoj,

me atë të të ikurit nën dhe.

 

 

 

Poezia Nr 106

 

Ndjenjë e plagosur

 

Ndjenjat flenë nën çarçafët e bardhë,

atje ku këmbët tona të akullta,

flasin gjuhën e heshtjes.

Trupat digjen nga një shkëndijë e djeshme,

ngelur si hajmali

e varur shpirtrave tanë…

U përmbysën ëndrrat, të thurura si shportë

çasteve, kur ne përflakeshim,

nëpër ngjyra ylberi.

Cila gojë përfoli dashurinë tonë,

që ajo ngeli e belbëzuar si fosilet e gjetheve?

Kush bëri magji tek dega e zemrës së thyer,

që zogjtë kanë harruar të këndojne mbrëmjeve?

Pranë teje si engjëll i bardhë

të vërdallisem,

dhe duart i mbledh

për të mos prekur flokët e Hënës.

brenda trupave tanë,

ndjenja po jep shpirt

po shuhet edhe ai pak zjarr i mbetur

duke na i rreshkur lëkurat e dashurisë së viteve!

Të gjithë jeni të ftuar në funeralin e saj,

mos harroni të na i stolisni dhimbjet!

 

 

 

Poezia Nr 107

 

Nuk jam si të tjerat!

 

Po unë nuk jam si të tjerat.

Ndjej,

vuaj,

lëndohem.

Ndaj gjithmonë

të thosha,

“Nuk do dashurohem”.

Po unë jam

puhizë,

lehtë përkëdhel,

erë mali,

lule bjeshke,

lëndinë

me bar,

Luledele,

degëz qershize,

që kokrrat vjel.

Po unë jam bebe

e llastuar!

Qaj,

qesh,

lumturohem.

Kam naze,

teka.

Dua të mi plotësosh.

Më mbaj ndër duar,

më pëshpërit.

Hirushen dua të më tregosh.

Po unë jam sirenë!

Ndër të ëmblat ujëra

vallëzoj.

Lepur, frikacak,

fshihem ndër gëmusha

Zog i lirë,

pëllumbeshë.

Mes resh flatroj.

Po unë jam

gjinkallë!

Ligjëroj,

kuvendoj,

pyllit,

shkujdesur.

Mbi bar shtruar,

qiellin vështroj.

Ëndërroj,

me ty e dashuruar!

Po unë jam femër,

Meri Eva!!

E mijëra emra femërore.

Ndaj mos harro!

Mos rresht, më duaj!

Jam Dielli, jam Hëna,

jam qindra meteorë!

 

 

 

Poezia Nr 108

 

***

 

Natën e mirë dashuria ime

botës fali pak paqe të lutem

kështu siç më fal mua shpesh

ta shoh njëherë këtë dreq bote

me ty të dashurohet.

Natën e mirë dashuri që prish metrikën

vargun e bën të rrjedhë shpirtërisht

pa pyetur për rregullat e letërsisë

që i vendosën shpirtshkruesve pengesë.

Natën e mirë rimë që vjen kaq bukur

varg i lirë që shpirtin ma bën copë

ti dashuri që më ke rilindur

që me anë të shpirtit tim flet

lodhesh e dërrmohesh e kjo veç të forcon.

E fshehta ime e bukur

Nerajda ime

Afërditë,

Mari,

Evë

Helenë,

TI

kandil i dashurisë që nuk njeh të fikur.

Natën e mirë,

ti që të njohu gjithë bota e prapë mbete e fshehtë !

 

 

 

Poezia Nr 109

 

PLISI…BUKUR RRI…

 

Ç`po ushtojnë tumpanat? Dridhen mrizat zanat…

 

Eh Kosovë o kapedane, nëpër shtigje çan azgane

Kjo Shqiponja qiell fanarë, plisin mban dhe hov krenare..

Eh Adem Jashari…Shekujsh ngroh ky zjarri

Nuk u fik jo kurrë. Lavde për flamurë.

N`vatër  shqiponjë, kullës kuvendonë

Trimat mblidhen besës….Plisat rreth qëndresës.

Eh Is Boletini soj dhe sua trimi

Hidhesh kapedanë, lufton me dushmanë

Trimat mbledhur n`çetë, ti i prin për jetë

Toka hov ushton, plisi mal mbulon.

Eh Azem Galica, sulesh honesh, pritash

Bashkë me djem azganë, lufton për vatanë.

Ibrahim Rugova, sot ushton Kosova

Qielli është i lirë, bari porsa mbirë.

Trimat porsi lisat, hasmit zënkan pritat

Malet mbushur lavde, plisat krye mbante…

Eh or bac, o kapedan, nëpër shtigje flakadanë

Kjo Kosovë me djem si drita, nëpër lugje, nëpër prita

Shkau i zi bënte dredha, nëpër luftë ndesh me drera.

Nuk u lodhët, nuk u tutët, sulur zemër, shembur lugjet.

Në Kosovën e lirisë, binte bliri i pavarsisë…

Dhe qielli është i lirë

Nën mburojë të trimërisë.

Ushton zëri i ardhmërisë.

Dhe toka dhe qielli ushtoi,

Shqipja ndër shekuj në jetë mbretëroj

Se lindka ky truall trima petrita, djem azganë, filiz si drita.

Dhe prinë kapedanë, strateg mendimi

Ibrahim Rugova trim dhe sua trimi…

Ky shkau i zi do donte në pritë

Të vriste lirinë, gjakoste njerëzinë

Dhe qielli Kosovë i lirë, i lirë

Prijës legjendë, fluturimin nisë.

Dhe erdhi kjo ditë, ky fat i bardhë

Flamur kuq e zi, valvitur krenarë

Vaditur kjo tokë, qiell pavarsisë

Me gjakun, lavdi, me diellin ndër sy.

Po krismat jehojnë, legjendat ushtojnë

Kosova e lirë gjëmon, gjëmon…

Shqiponjë valvitur,  në Shqipen frymon…

 

Një komb, një gjuhë. Ky shekull jehon…

 

 

 

Poezia Nr 110

 

QUKSJA

 

Një kokë e bukur, një floknajë e artë

si flakërimi mbrëmësor i diellit,

që kuqëlon gjithë horizontin.

një vajzë gazmore me dy sy të mëdhenj

e të shndritshëm,

që pikëlimin e diellit e ka në fytyrë,

në llërë, në pulpa.

Një qenie diellore,

që djemtë e rrugës e thërrasin “qukse!”.

Ka një trup të derdhur, të bukur,

gjinj të hovshëm, që kur rend rrugicave

i përplasen në ndjesitë tona ritmikisht

siç përplasen dallgët e Jonit në brigje.

 

Është ende e papjekur, shumë e çiltër

dhe mbase pakëz naive.

Vishet hijshëm,

me rroba të lehta, sportive.

(Mbase nuk e pikas se kështu bëhet më ngacmuese.)

Ja për shembull…

tani është buzëmbrëmje,

është koha kur lumenj njerëzorë

derdhen në shëtitoren buzë detit.

Sigurisht një pjesë e djelmoshave dalin të takohen,

të dërdëllisin kotësira për të qeshur,

pastaj, duke tërhequr vëmendjen

për të preferuarën e tyre, Quksen.

Ajo ecën hareshëm, dërdëllit me shoqkat,

vrapon si e marrë,

turbullon ndjesitë tona mashkullore.

rigjallërohet gjithçka që i ka ngordhur nervi,

deri te pleqtë e shkordhur.

por pleqtë janë të paktën më njerëzorë

dhe shpesh më fisnikë,

si maçokë të plakur ngrohen

prej pikëlimit të diellit dhe floknajës së kuqe…

Kjo vajzë e bukur është përherë e rrezikuar

E rrezikuar prej të veçantës së saj:

“Moj nepërka pika – pika

ngadalë ç’të qasej e liga…”

Veç një djalë.

mbase një sportist, farkëtar

apo ku ta di unë se çfarë.

rri përherë i veçuar,

por gjithnjë pranë saj;

krahët i mban hapur

si dy vare të rënda për të grushtuar këdo,

që rrezikon Quksen.

 

Ideali i tij i flijimit për të bukurën është më

njerëzori i të gjithëve.

Nëse është vërtet farkëtar

ai vërtet dashuron në mënyrë përveçuese

ashtu siç dashuron zjarri në kudhër

flakërimin e hekurit të skuqur…

ndërsa bukovilet dhe palmat, blirët dhe mimozat,

manjolat dhe bananet dekorative fëshfërinë me përkëdheli ndanë bordurave,

një emër kundërmues

si poleni i tyre bletëndjellës:

Qukse, Qukse!…

 

 

 

Poezia 111

 

ERË E VIRGJËR

 

Errësirës i fale aromën e trupit

Derisa zhveshje terrin gjer në mes.

 

Nën hijen e hënës u fshehe

Dashuri bëre kush e di sa herë.

 

Mëngjesi të gjeti zgjuar. Flokëprishur

Tek mblidhje ëndërrat e përdala

Të një nate më parë.

 

Me gishtat që dridheshin prekje

Buzët që nuk dinin kë puthën mbrëmë.

 

Nuk i ngjaje më vetvetes

Ishe shndëruar në endacake

Që dhuron të gjitha.

 

Shiu dhe loti u takuan

Për të parën herë në syrin tënd.

 

Pastaj rrodhën poshtë faqeve

Si vorbull. Si ujëvarë.

 

Ti tashmë ishullit ju kishe bërë valë.

 

 

 

 

 

Poezia Nr 112

 

LIRI

 

Mos je fshehur

Pas grilave të burgut

A je ti plagë kohe

Në dhembjet e mia

Në mëngjes

Kur do të derdhë rreze dielli

Rrugë do marrin ëndrrat

Kufinjve të shpirtit tim

Do rrjedh si lumë

Një mallë i trazuar

Lot

Që do më ndjek

Nëpër stacionet e jetës

Zotit

Do t’ia dhuroj stinët

Dhe qiellin me yje.

 

 

 

 

 

Poezia Nr 113

 

TERCINË E SHPËRBËRË

 

I

 

E SHKUARA

 

Dhe pse sentimentet as kohë dhe as gjini

nuk mund te kenë , ( Ku,ndryshimi, ku ? ),

ju, ju, sentimente, në të gjithë të shkruarën (e Saj)

me thjerrza,

ju thithëse e përthithëse sikur majat e gjuhëve

të puthjeve të kundërta, si dhe majat e gjuhëve të

përbindshit kadmik të demonologjisë,

lules mishngrënëse në xhunglën e Amazonës

dhe xhunglës së rrezatimeve apo lidhjeve të këputura

ose me nyje që gishtat i zgjidhin shpejt,

pse jo dhe të morrave në hijet e pafajsive të kërleshura

apo sozive të klithmave të vajisura

në yndyrë djegëse pa tym.

Ju, ju, në krejt format hiperbolike të bojës së natës

në letrën e ditës, hijeve mistike sikur siluetat e kështjellave

magnetike, shtytëse,tërheqëse, as afër, as larg,

ama nxitëse për kontakte shkëndijash për trupa të ndezur

në qiej si dhe shkrepje fosfori nga shpërbërja

e kufomave në varret e ngurta, e lëngëta dhe të avullta.

Ju,ju,krejt maja të thepisura alpine të virgjinitetit në zenith,

zigzake rrufeshë të ngurtësuara nga tradhtitë

bashkëshortore, shpella të joshjeve trupore,stalaktite

e stalakmite dëshmishë të patretura apo ëndrash

të fshehta, gryka e hone premtimesh idealiste të instinkteve,

rrëzime gurësh- grushta të barbarisë mashkullore,

jehona pëllcitjesh tingullore majekrahu antik,

iso toskane nga poetë të çmuar nga kulti i hundës,

puçrra lije nga kruarjet e të paqenës,

dhëmbë të mbushur me arsenik partiak, brisqe rrokjesh

ardhacake duke çpuar fjalë të gjuhës amtare,

pse jo dhe shfaqje shembëlltyrash onomatopeike

nga metamorfoza fobish të pakapshme nga radarët

e organeve të shqisave por me ngut të thithura

nga cektësia e ujit të etur në trupin tënd Prof.Doktor Gjilpëra.

Ju,ju, prej skalitjeve të tjera nga gishta të këputur,

dalta rrëshqitëse, penela gjumi, thika zgjimi, maja lapsash

vertebralë, kunja piskamash me maja loti,

pena-lopata plot baltë stresi,qerpikë me sqepa qukapikësh,

buzë pa lëkurë, sy të rrëzuar me shqelma, përkëdhelje

ajrosjeje perdesh, organe gjenitale të shitura në trajtë

shishesh, kurme me përbërje tragjikomike,

shekuj të kuq, pika shiu të numuruara, kohra ballkanike,

matje të errësirës, mote të pa mort,prekje religjioze klerikësh

me tasa supe përmbys në kokë, stinë cicash rinore

e gjer tek fiqtë e thatë në vargun e moshës përplot,

pickime insektesh laboratorike,klikime vizuale të

parandjenjave, iroglife të eliksirit të paditur,

shenja arithmetike drurësh, alfabet mors e trokitjes

së derës, epitafë të dashurive gërryese,

lëvizje trupash vocrrakë dhe gjigandë për në qiellin e shtatë,

bulëza fryme për të rrjepur lëkurën e dashit për kurban,

valëzime dhjamore të bymimit global

dhe vallëzime të mishit të huaj në trup.

Sigurisht,poliandria një tjetër gjë

e martesës e idhullit mëkat,

Sigurisht,poligjinia një tjetër gjë

e martesës e mëkatit idhull,

Sepse liritë dhe të drejtat e njeriut

vetëm në shtrirje lineare,

dhe popujt mbeten duke krijuar nën shalë piramida

në lojën e fatit me litar.

 

 

II

 

E SOTMJA

 

Cilit “ fund ” i përkisni? Cilit “ pa fund ” ?

( Ku, ndryshimi, ku ? ), sepse “ fund ” dhe “ pa fund ”jemi

dhe përbëhemi njejës dhe shumës, secili më vete

dhe me të tjerët. Vendi se ku,lënda se çfarë,tjetër gjë.

Ju, ju, sentimente, në të gjithë të sotmen (e Saj)

me thjerëza,

ju nga gërryerje dhe rrëshqitje erozioni të martesave

me fëmijë por pa familje, lëkundje sizmike të pllakave

të faqeve të fshehura, eklipse të ngjizjeve me të pamundur,

ekuinokse të nënvetëdijes me çengela, bestytni ligjesh

paralmentare, fall transvestit i shkruar me miza,

orakuj të rrumbullakët shpresash me kënde,

zota që u është vjedhur kombësia

në vend të një Zoti Apsolut,pa komb,

pëllëmbë panairesh me gishtin e mesit fitues si më cilësori,

pastrues xhamash të ekraneve të Tv-ve me shtupa sysh

dhe ujë lotësh më kot.

Ju,ju,të lara në plot shkumë pështyme në govatën e gojës

ku llapa e gjuhës sapun dhe të lëpira

dhe prej llapës së qenit familjar,ndërsa prindërit,

fundin e këmbëve të tyre hartografike lëpijnë.

Ju,ju,të xhelozuara prej pistilit të lules së izoluar,

joshëse dhe provokuese sikur lëkura e tigrit

apo lëkura e nëpërkës, nga vetja vetë e rrjep

nëpër thëngjinj të ndezur rrezesh ky zvarranik i qafës

duke lënë një zgjatim organi mashkullor të tredhur

eunuku ciceron në muzeun e Stambollit

apo në foltoren e parlamentit europjan.

Ju,ju,që flisni me të gjitha llojet e gjuhëve

nga përplasja e mishit me tingujt e mendimeve

të pavarura,por më pas të varura ato në qafën

e secilit homosapiens,ky i përgatiur një ditë

të vetëvaret te “ Pema e Gjuhëve ”. Se Kulla e Babilonit

u shemb nga mosmarrëveshjet e pronës

dhe të ç’virgjërimit pragmatist dhe metafizik patjetër.

Ju, ju, përbërës të mënyve të krijesave të tjera

që veç njerëz s’mund të jenë, por mbase, çika e thërrime

të shpirtrave të copëzuar si ameba e lagështirës

së harruar, njëqelizorët diktatorë

duke shtuar më parë.

Sigurisht,poliandria një tjetër gjë

e martesës e idhullit mëkat,

Sigurisht,poligjinia një tjetër gjë

e martesës e mëkatit idhull.

Sepse dhe rrota e planetit shtyhet sot,

nga njerëzimi,ky skllav në orbitë.

 

III

 

E ARDHMJA

 

E panjohura gjer në tragjedi.

E njohura gjer në komedi. ( Ku, ndryshimi, ku ? )

Ju, ju, sentimente në të gjithë të ardhmen (e Saj)

me thjerëza.

ju, me shtim të gjurmëve të ardhjes së Ditës së Kjametit

dhe Ditës së Gjykimit: a në Parajsë? A në Ferr?

Vdiq drama e shkruar.Aktorë u bënë që të gjithë.

Edhe bebja para se të vijë në teatrin e jetës,sikur formohet

më parë për aktrim në të rrumbullaktën skenë-rreth

të emocioneve sikurse je ti interes, ti habi, ti gëzim,

ti pikëllim, ti frikë, ti turp, ti përbuzje, ti zemërim,

apo ti i lumtur- fatkeq, ti i shqetësuar- i qetë,

ti i gëzuar- i mërzitur, ti i kënaqur- i pakënaqur.

Po, po ,vdiq drama e shkruar. Drama e pashkruar

të gjitha fjalët e gjuhës së folur sot përmbledh.

Ngjarjet- në vend të parave plot

në xhepat e poreve të lëkurës.

Po puçrra e fryrë ç’mund të jetë ?

A mos ti portofol ajo puçërr,i fryrë nga para

prostitucioni,droge,korrupsioni,lufrash të shitura,

paqe të blera,transplante organesh,

zgjedhje presidenciale në Amerikë,

pse jo dhe vrasje të myslimanëve nga ISIS,

tregëti armësh, ehu,..ehu,.?

E përsëritura antike jo e vjetëruar.

Në politeizëm i plotfuqishmi Zeus

të përzgjedhurës Pandorë, Kutinë e Fatit të Njeriut i dha.

Të gjitha fatkeqësitë e frymorëve me mend

të mbyllura mbaheshin në atë kuti me shejtanë zehorësh.

U gudulis ajo grua nga thonjtë tuaj,sentimente,

dhe me çelësin e formës trupore të vet

e hapi atë Kuti të ndaluar ( “ molla e ndaluar ”- asteroid

mbi majën e kresë të planetit )

Menjëherë aktakuza e akuzoi (aktakuzën),

atë të Bukur të Dheut nën oqean,si shkaktarja

e ardhjes se të gjitha ligësive në planetin e blertë.

E pavërteta na vesh të gjithëve me prerjet e saj çastore.

Secila kohë – trekëndësh barabrinjës

i secilës faqe të piramindës.

Prandaj dhe unë jam avokat i Pandorës,i Pan-dorës.

Ajo grua ishte veç viktimë e bukurisë së vet. ”

“ Bukurisë që vret ”, nëse dhe për dëborën e lëkurës

së femrës, fjalën e ka poeti shkodran Gjergj Millosh Nikolla.

Dëshmitarë një për një në atë gjygj që gjithnjë shtyhet

nga mijëra vjet jeni ju,sentimente, ju, ju.

Kutinë e Zeusit të mbushur me plot stoli femrash

Pandora e pandehu.

Sigurisht,poliandria një tjetër gjë

e martesës e idhullit mëkat,

Sigurisht,poligjinia një tjetër gjë

e martesës e mëkatit idhull.

Sepse femra dy botë në kraharorin e saj mban.

Dy gjinjtë e saj- dy botët.

Qumështi i nënës a mos nga ajo botë vjen

për tek kjo botë ?

 

 

Shpjegime fjalësh:

 

-C’est la vie –kështu e ka jeta

-Poliandri-formë martese (një grua në të njetën kohë me dy ose më shumë bashkëshortë)

-Poligjini-formë martese (një burrë në të njejtën kohë me dy

ose më shumë bashkëshortë)

 

 

 

Poezia Nr 114

 

Prindërve

 

Pa ju s’do të kishte Jetë,

s’do të kishte vazhdimësi,

pa ju s’do të ekzistonte kjo botë

s’do të kishte dashuri.

 

Pa ju jeta s’do të kishte kuptim

edhe sikur të kishte përjetësi,

nese s’do të kishte prindër

s’do të kishte fëmjë.

 

E shkretë do të ishte bota

edhe nëse do të ishte e ndërtuar me flori,

nëse s’do të kishte pasardhës,

nëse s’do të kishte dashuri.

 

S’do të ekzistonte fjala nënë

dhe as fjala baba

s’do të ekzistonin as fëmijët,

nëse prindër s’do të kishte krijuar Jeta.

 

 

 

Poezia Nr 115

 

Nuk vriten ëndrrat…!

 

Nuk erdhi dot, ora që prisnim, kanë ikur vite tani

kotas mendimet, të dy i vrisnim, ajo këtu nuk rri

as përmbi gur nuk qe shkruar, treti shiut të parë

as në sirtare s’ ishte paluar, mbeti andejthi vrarë

 

Mbi varkë jete, kur ishim nisur, atëbotë ne të dy

një kohë e krisur që na përcillte, si iku ende s’ di

përtej në breg s’u duk shpëtimi, në atë turbullirë

aty kur prisnim të vijë amshimi, dhe dita më mirë

 

nëpër shikime, shpresa u thye, iku me natën e parë

n’rrugën pafund, moti u shkund, kur lindi etja zjarr!

vegimet u lindën, diellit ngjyer, buzë shpresës vrarë

 

Përse mëkot, ëndrrat të vrasim, s’iket nga kjo botë

të kapim rrezen, ta zëm’ne hapin, yjesh nëpër natë

mallin në gji, të nisim vrapin, ditës në rrezen e parë.

 

 

 

Poezia Nr 116

 

NUK PO BËHESH NËNË E MIRË!

 

Ne kishim një nënë

E deshëm dhe e duam

Ajo quhet Shqipëri

Ti ishe bijë e sajë

Në ty urritëm

Edhe pse me shumë vuajtje

Kishim krenari.

 

Në do na bëhesh nënë

Bëhu nënë e mirë

Fëmijtë në prehër mbajë

Në bukë e kryp

Por pran vetës ofroi

Dhe mos i shpërndajë.

 

Pavarësinë fitove

Askush nuk ta fali

Është paguar

Me gjak dhe jetra

Populli ende i pa lumtur

Nuk vërehet dallim

Nga kohërat e vjetra.

 

A je nënë e jona

E ne fëmijtë e tu

Këtë duhet dëshmuar

Ofrona në gjirin tëndë

Na mbajë pranë vetës

Duke na ledhatuar.

 

Ne jemi të vyeshëm

Do të dëgjojmë këshillat tua

Gojën ta shiqojmë

Por të lutemi

Mos na lërë nëpër botë si jetim

Të huajt të na shfrytëzojnë.

 

Nënë jemi mërzitur

Si mund të rrish pa neve

E fqinjët të përzihen

Fëmijtë tu derdhin djersën

Në tokë të huaj

E nga malli shkrihen.

 

Si lejon që me të huajt bënë plane

Dhe merr çdo vendim

Kurse djemtë tu

Lejon të mbesin

Sikurse shërbëtorët

Në perëndim.

 

Nëse të kemi nënë

Nga armiku

duam të kërkosh hak

Për ndryshe nuk je ajo

Për të cilën është derdhur shum gjak.

 

Bëhu nënë e mirë

Kthena në vatrën tënde

Mos na lerë të shpërndarë

Ne do të lartësojmë

Dhe të dalim zot

Të premtojmë

Vet ke për ta parë.

 

 

 

Poezia Nr 117

 

Vetëm një çast, të shihja në sy

 

Do të vij të ulem  në një stol

aty tek parku, tej shtëpisë

sikur yjet, presin mbrëmjen

dhe unë,  pres që të më vish

 

Të shoh sytë duke më parë

e te mos flasim asnjë fjalë

di zemra, t’i lexojë sytë,

kur brenda mban, kaq shumë mall

 

Dhe më e bukura nga të gjitha

është kur të shoh, duke ardhur

vendose dorën mbi zemrën time

për ty, si është duke rrahur?!

 

Do ti mbaj mend sytë e tu

si dy oqeane, që vezullojnë natën

do thonë: se ishte  një dashuri,

që dy njerëz,në një zemër e patën

 

E nëse pavdekësinë do më falnin

të isha përtej pafundësisë, pa ty

do zgjidhja vdekjen me dëshirë

vetëm një çast, të shihja në sy

 

Dhe dy duart e mia  do ti jepja

të mbështesje kokën, kur të dhimbte

dhe kur gjumi të kish ikur larg

në duart e mia, të zinte

 

Nuk ka rëndësi, a…ndenjë me mua

a…shkove, prapë nuk ka rëndësi

zemrën tënde,  mbaj  n’zemrën time

kur në gur më ktheve, ti dashuri…!

 

 

 

Poezia Nr 118

 

Do të iki nga kjo botë

 

Do të iki nga kjo botë

e do të bëj zëra të bërtasin

Do të bëj trup nëne, të dritherohet

dhe në limit dhimbje të buçasi

 

Ti tokë më mbajte

e ti tokë do më marrësh,

e bota s’ do jetë më kjo,

e qielli atë natë do çahet

 

Zëra që vajtojnë ,që do duan të më kthejnë

Zëra që  këndojnë kujen

Zëra që në ngashërim shpërthejnë

 

Unë s’do të jem e qeshura përherë

S’ do jem as zhurma në mëngjes,

s’ do të endem në ritmin e rrugës.

Kur njerëzit të më kërkojnë,

ata dot më nuk do më gjejnë.

 

Aty përtokë në moment-final,

aty me dritën meit n’ fytyrë

Pa përgjigje do të jem

Gjatë me sytë mbyll’

 

Ju do të shkulni flokë

e kraharor do çirrni

Do më kërkoni edhe një herë,

por më s’ do të më gjeni

 

Se nuse s’ më bëtë dot

e nuse me vello më përcillni

Kush do ta merrte me mend,

se një bukuri e frikshme, do  ish e këtij  hiri?

 

Aty nën dhe’ ju do më mbuloni

Zemra u thotë jo, por ju do më groposni

e trëndafilat e botës ju do më sillni

Shtëpine më të bukur, për mua do të ngrini.

 

E unë s’do të jem e qeshura përherë

S’ do të jem as zhurma në mëngjes,

s’do të endem në ritmin e rrugës

Kur njerëzit do të më kërkojnë

Ata jo, dot më s’do më gjejnë .

 

 

 

Poezia Nr 119

 

Kjo quhet dashuri

 

Më fal që të dua kaq shumë

Më fal që ti fal netët pa gjumë

Më fal që të shikoj me aq butësi

E pra, kjo quhet dashuri.

Më fal që po të qesh me buzën gaz

Më fal se me zë të lart po të thërras

Më fal nëse të shikoj në sy

Se po më digjet shpirti për ty.

Më fal nëse thërras emrin tënd

Sepse ti për mua je njeriu i shenjtë

Më fal nëse të përqafoj fort

Eshtë malli që për mbrenda më kaplon.

 

 

 

Poezia Nr 120

 

Më merr në gji Zanë e malit

 

Më merr n’gji Zanë e malit,  mëkomë

Më jep forcën që natyra s’ma ka dhënë

M’i hap dyert e zemrës, më rino, zgjomë

M’a çel gojën t’i këndoj asaj që s’e kam pranë

 

Nuk e di njeri i cilës kohë jam

Vuaj e jam i etur, dëshir’ e zjarrtë m’djeg n’gji

I gozhduar, i rrethuar, këtu unë qëndroj

Fjalës sime i jap rrugë, i jap liri

 

E t’filloj të vijë te ti, niset e rrugëton

Kur do t’vijë, në ç’orë do trokasë në dritaren tënde

A je fjetur a n’ëndërrime, ty lehtë të zgjon

 

Në buzët e tua ajo ulet e pusho;

Për një çast harron dheun, ngrihet gjer mbi re

Atje bashkë me yje, n’qiellin e pastër qëndron.

 

 

 

Poezia Nr 121

 

Trasta e Shpresës

 

Kohë pa bër gjë

thjesht,

Rri-hesht –kërkoj

Mendimet pezull qëndrojnë.

 

Nëpër ditë endem

me trastën e shpresës

Kam ‘’uri’’.nevoj për të…

Gjuha bën një lëvizje,brenda guackës së vet,

rimerr ndijime pozitive,ja shigjeton shpirtit…

Pastaj kujtohem jam në ‘’diet’’

 

Një dozë nga trasta e shpresës

marr çdo ditë ,.

Ku mbi qerpik hidhet shorti

Buzëqeshje a loti,

do të ketë froninë !

 

Rrrezet e diellit,si paterica i përdor

Ku qielli vrenjtet,mbushet me re.

 

Trastën e shpresës

Me tërkuz në krahun e majtë e mbaj

ku zemra rreh për arsyet e jetës !

 

 

 

Poezia Nr 122

 

Ehh,  Atdheu im!

 

Edhe sikur të të hekurosja Atdheu im!

E gjithë relievin tënd të ta ktheja n’rafshin,

Do të zgjeroja e shtrija me mijra kilometra

E do të spostoje tej, larg, atje ku ishte, sllavërin.

 

Por, jo, jo, nuk mundem Atdheu im!

Se do të thyeja krenarin e madhështin qe ke,

E Malsorët e Kumanovës s’di si ti thërras pastaj

Kosovën, e gjithë malsin tënde të Dardanis me besë.

 

Ehh Atdheu im!…

Sa vuajtie e plag të gjakosura ke marrë,

Nga sllavët e egër barbarë

Të ardhur ndër pyje tona si kanibal,

 

Gërmoni o njërëz të historis

E ti Evrop plak me shumë fytyra,

Tregoje veten njeher të vetme

E rehato tokën e mbushur me eshtra.

 

I qeshuri gjithmon të qesh

E i ç’nderuari mundohet të të ç’nderoj,

E i ardhuri mundohet të të bëhet Zot shpie

E trojet të ti zaptoj,

Po Iliriada e vjetër ka gurë të rëndë në themelet e saj

Që s’shkulen dotë,

Kan zan vendë me kohë, e nuk tunden,

Se Zoti këtë tokë, me zemër na e dhuroj.

 

 

 

Poezia Nr 123

 

TI QË GJITHÇKA MË DHE

 

Ti që në jetë më mbete tatuazh në lëkur

Me sytë që shikimet i derdhin mbi dhe

Ti që sot për mua je më shumë se burrë

Gjuhë e ardhmërisë jetë e jetës mbi atdhe

 

Ti që më thua të dua më shumë se buka e kripa

Që etjen ma shuan si gurrat e malësisë

Ti që me dashuri e bënë nata të më duket si dita

 

Ti që dhuratën më të madhe me buzëqeshje ma dhe

Të jem shteg ardhmërie për kullën time jetë

Ti që me buzëqeshje mes plagëve durim shqip me the

Ec e mos ndalo kurrë si malësore e vërtetë

 

 

One thought on “Poezitë konkuruese të Çmimit Letrar “Frang Bardhi – 2016”

  1. Pingback: Fituesit e Çmimit Letrar “ Frang Bardhi” 2016 | Galaktika Poetike "ATUNIS"

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s