FLAMURI KOMBTAR! FJALA HISTORIKE E ISMAIL QEMALI NË DITËN E SHPALLJES SË PAVARSISË MË 28 NËNTOR 1912 NË VLORË! / KY MATERJAL HISTORIK ËSHTË MARRË NGA ARKIVI I MUZEUT TË ISMAIL QEMALI NË VLORË

FLAMURI KOMBTAR!    FJALA HISTORIKE E ISMAIL QEMALI NË DITËN E SHPALLJES SË PAVARSISË MË 28 NËNTOR 1912 NË VLORË!   KY MATERJAL HISTORIK ËSHTË MARRË NGA ARKIVI I MUZEUT TË ISMAIL QEMALI NË VLORË     Oh! Sa të … Continue reading

I GJALLË MES SHPIRTRASH TË VDEKUR (Në 90-vjetorin e lindjes) / Nga: Zija Çela (ExLibris)

 
Dritëro Agolli
 
I GJALLË MES SHPIRTRASH TË VDEKUR
– Në 90-vjetorin e lindjes. 
 
Midis shumë pyetjeve që mund të bëhen, me dy po filloj. Janë ato më të epërmet, për të cilat thuhet se, kur vjen finalja, gjyqtarët ia bëjnë çdokujt në paradhomë. Një: A gjete gëzim në jetë? Dy: A u fale gëzim të tjerëve?
Për të parën është përgjigjur vetë Dritëroi në të gjallë. Për të dytën ka mijëra e mijëra të tjerë, dorëzanë si unë. Veçse, mbas këtij pohimi ekzaltues, mos prisni epitete shkëlqyese, as ditirambe supreme për talentin dhe madhështinë. Nuk di përse, por mua gjithmonë kështu më është dukur: Për shkak të thjeshtësisë gjeniale të krijimtarisë së tij, me përdorë fjalë të mëdhaja për Dritëroin, më bëhet se hyj në gjynah.
Madje tash nuk po më lënë edhe do gjëra të vogla, siç janë kokrra e grurit dhe sumbulla e ullirit, veshi i rrushit dhe vathët e qershisë, rezhdat nën gushën e kecit apo rumbi lojcak i këmborës. Bëjnë ç’bëjnë dhe këto voglane, voglane e jallane, ende më vijnë ndër sy. Vijne sepse tani shpejt kam lexuar ca lirika dhe, prej ajamit krijues agollian, i kam gjetur jo vetëm të trupëzuara, por edhe të shpirtëruara, të sjella në art gjithë mendim, gjithë emocion e lezet rustik, si të thuash me gojën plot: Bukë, verë dhe bulmet. Janë lirika si lira, që provojnë se filgrani i brishtë ia del t’u bashkohet shtyllave të ashpra të jetës, për t’u shtuar atyreve ca qëndisma që kanë shfaqje të bukurisë së pavdekshme.
Ka pyetje që Dritëroit mund t’i bëheshin më parë, por ka dhe të atilla që s’ka përse t’i bëheshin, sepse autori do ta kishte të pamundur t’u jepte përgjigje të kulluara. Duke dashur të hyjë drejtpërdrejt në zemrën e prozës së tij, pyes veten: Cili është sekreti kryesor, mekanizmi i fshehtë që tregimet dhe romanet e Dritëroit e tejkalojnë metodën e kohës kur u shkruan? Si ia doli autori të bënte më finen dhe më të rrezikshmen në vitet kur, prej diktatit politik, shkrimtarët shkruanin të shtrënguar në katrorë të ngushtë, me rregulla më strikte se fusha e shahut? Ndoshta sepse, ashtu si çdo shkrimtar i madh në raport me llogarite që bën arsyeja, sa herë që Dritëroi i është dorëzuar të pavetëdijshmes, intuitës së lindur dhe trillit krijues, na ka dhënë kryevepra. Shihni, kur Leonardo Da Vinçi deshi të jepte masat ideale të trupit njerëzor, në skicën e tij të famshme ai iu referua katrorit. Por një katrori të futur në figurën më simbolike dhe më të harmonishme, atë të rrethit. Diçka të përafërt bëri Dritëroi atëherë. Prej thellësive plot trysni të artistit, ai ua nxori kokën personazheve sipër katrorit kufizues të metodës. A keni gjë për të thënë tani? Thuajeni, i nxiti. Të tjerët, ato që hezitonin para të pamundshmes dhe ulnin kokën, ose i skartoi krejt, ose i la sakat, pra skematikë. Tundimi i fortë për ta pasqyruar në përmasa ideale njeriun e deformuar, ia rriti përmasat edhe krijimtarisë së tij, duke e sjellë deri në ditët tona e deri në ardhmëri, nëpërmjet asaj forcës së mistershme që ka vetëlëvizja e rrathëve koncentrikë. Historia dhe teoria e letërsisë mund ta shpjegojnë këtë zgjidhje komplekse, e cila në dukje disave mund t’u ngjajë lehtësisht e arritshme. Ndoshta atyre që, për arsye moshe, nuk e kanë provuar në kurrizin e tyre. Si dhe ca kapterëve e nëntogerëve të letërsisë që, të alarmuar prej staturës së tyre të vogël, e zvogëlojnë edhe vetë artin, duke qëmtuar gjithandej vetëm çfarë amortizohet. Mirëpo shkrimtarët e mëdhenj, sidomos të mëdhenjtë me xhinde, kështu i kanë ardhur gjithnjë botës: i kanë ardhur sipas epokave, me kulmet e tyre të paaritshme dhe me ca firo të dhimbshme, por të shpjegueshme e të harrueshme.
Me një gjuhë më sociale, e njëjta pyetje mund të shprehet edhe ndryshe: Cili është nukli, prej ku vepra e Dritëroit shpërndan kaq rrezatim dhe përhapje komunitare? Një përgjigje thuajse e kam të gatshme. Është qendra e lëvizshme e rrethit, pikërisht pika ku individi takohet me shoqërinë. Sic thuhet, ndodh që në letërsi vlerësimet më të shumta i jepen autorit që ngjan me lexuesin, ashtu si në zgjedhje i jepen kandidatit, i cili ngjan me votuesit. Por edhe këtu Dritëroi i ka shpëtuar kurthit. Duke qenë shkrimtar me aq popullaritet, megjithatë ai asnjëherë nuk ra në populizëm. Po ashtu siç nuk shkruante vetëm për elitën, ai nuk shkroi as për lexuesin e çfarëdoshëm. Pa e zbritur nivelin e tij për hir “të masivitetit”, Dritëroi aspiroi për ta ngritur shijen e lexuesit në nivelin e letërsisë së mirë. Sepse, tekefundit, një shkrimtar mund të mbetet edhe me një grusht njerëzish, por nëse vetë qëndron nga janë vlerat, prapëseprapë është shumicë. Mirëpo në përhapjen e veprës së Dritëroit kanë ndikuar veçmas faktorët autorialë. Me mënyrat e rrëfimit që zgjidhte, ngjeshjen e subjekteve me ëndrra të denja publike dhe plot ndjesi urgjence, ai ka siguruar njëkohësisht lirinë e leximit, tërheqjen e vetvetishme ndaj tij. E këtu, sigurisht, ka pjesën e vet edhe humori. Por humori i Dritëroit nuk është kokërr, si kripa që të qorron sytë, humori i tij është i tretur gjithandej nëpër çdo libër. Para viteve ’90-të, kur qeveria gabonte, ky lloj “gatimi” mund t’i shërbente edhe si mbrojtje. Por shpjegimi i vërtetë ka bazë më të qëndrueshme e më të gjithkohshme. Duke qenë shkrimtar Njeridashës, vepra e Dritëroit lejon natyrshëm qeshjen, por jo ngërdheshjen, jo përbuzjen dhe urrejtjen. Sepse autori Njeridashës nuk nuk mund të jetë asgjësues ndaj njeriut. Prandaj Dritëroi është shkundës e shkundullues, qortues kokërisur, i thekur dhe i hidhur, madje përvëlues e kurues si speci i kuq në sofrat e tij.
Në rrethe të ndryshme por edhe intervista, përsëritet rëndom një kureshtje që dëgjohet shpesh: Mjeshtër, si u bëtë shkrimtar dhe cilët patët për model? Sipas meje, Dritëroi u bë shkrimtar duke shkruar, duke kërkuar Uni-n e tij dhe pa imituar askënd. Ai është shembull i individualitetit të fortë që, pasi e gjeti veten shpejt, hyri në hullitë e modernitetit duke i besuar më tepër rezultatit, sesa eksperimentit. Por nëse dikujt i do t’i shkrepte për të pyetur se çfarë mendonte Dritëroi për qenien, natyrën dhe ekzistencën, asgjëkundi s’mund të gjenden më gjerësisht këto mendime, se sa në librat e tij. Dhe nëse ndonjë nopran gjithsesi nuk ndalet, por do të kërkonte të dinte se çfarë është demokracia, atij ashikut tonë të gjuhës së hollë, Dritëroit gjithë furtunë, mund t’i hipte damari prapë. Përveçse strategji për dialog e kompromis, ai mund të përgjigjet edhe me një fjalë të vetme, atë që e tha dhe vulë e la.
Është e vërtetë se, për shumë e shumë vjet, pavarësisht nga mosha e shokëve me të cilët rrinte dhe e dollibashëve me të cilët pinte, midis tyre Dritëroi ndihej gjithnjë më i riu. Por “shtriga” zuzare nuk është si e ëma e Zeqos, që rri pa lëvizur majë thanës. Pleqëria e merr thanën në krah dhe e tërheq pas vetes, duke e çuar kufirin vazhdimisht më larg. Prandaj tani e ka hapur rrugën vetë edhe pyetja mizore, ajo që nuk i bën ballë asnjë ego humane, por që për Agollin tonë vjen me kujtesën e një të shtëne topi: Çfarë do të dëshironte Dritëroi i plakut Mere të thuhet për vetë Dritëroin pikërisht sot? Në pamundësi për ta marrë lejen e tij, po marr guximin të jap një version: “Për mua, që aksidentalisht kam shkruar libra, do të desha të thonë: Ai ka kundërshtuar dhe është kundërshtuar, si për të thënë se kam qenë i gjallë mes shumë shpirtrash të vdekur.”
A i shkon portretit të Dritëroit kjo kornizë e fortë dhe kaq e thjeshtë, pa stërhollime e pa xhixha? Nuk është imja. Por nëse e mira nuk arrin gjithnjë tek e drejta, çfarë është e drejtë ka prirjen te përqafohet nga të gjithë.
E ndiej, më ka shkarë goja dhe kërkoj ndjesë për gjynahun. Mik i dashtun, na ndodh t’i shohim me sy djemtë e rinj, që në trupin e tyre shkruajnë me bojë gjithëfarë shenjash. Por vjen një moshë, ajo e bilancit, kur gjaku i zemrës i shkruan vetë shenjat e saj. E po të them pra, e kam aty tatuazhin e pashlyeshëm për ty.
 
 

Nga: Zija Çela

LETRA E MBRËMJES – Një letër e poetes amerikane Sylvia Plath / Gladiola Busulla

 
“Letra e mbrëmjes” :  Një letër e poetes amerikane Sylvia Plath
Interpreton: Gladiola Busulla
Falenderojmë për ambientet:  ” Hotel Boutique Vila VIII”
Idea dhe Regjia :  Driada Dervishi
Udhëheqës projekti : Elio Bajramaj
Art Kamera : Tim Doka Montazhi – Uendi Çerma, Elisa Shahini Bashkëpunëtorë :  Elisa Shahini, Julian Shyti, Marçela Llana

NUK E BLEVA GAZETËN / Nga: Mark Simoni

NUK E BLEVA GAZETËN

Blerja e gazetës MAPO, (dhe konkretisht Mapo e së shtunës, me Suplementin e saj Letrar prej 12 faqesh), përpara se të jetë gjest respekti për botuesin, para se të jetë sajdi e vogël për ekonominë e gazetës, pikësëpari është respekt për gjithë autorët që kanë shkruar, që kanë sjellë në gazetë frymëzimet dhe punët e tyre intelektuale, është mundësi për të kthyer në biseda letrare pikërisht materialet që botohen herë pas here, është mundësi për të njohur vlerat e secilit prej nesh. Ndaj mos ta bleshë gazetën nuk është më shumë se një qendrim megaloman dhe i vogël njëkohësisht për kolegët, miqtë krijues, krijimtarinë e tyre.
-Miku im, -më tha dikush në telefon, nuk e bleva gazetën, se nuk ishin në të, të botuara, poezitë e mia.
-Sot ti le pa lexuar krijimet e miqve dhe kolegëve. Po kur të botohen poezitë e tua, a dëshiron që të blihet gazeta atë ditë, që të të lexojnë ty, të bëjnë atë që ti se bëre për të tjerët? (Biseda qe patetike dhe retorikë e gjallë, por s’kisha çfarë t’i thoja më drejtpërdrejt, ati njeriu të vogël, që ndoshta beson se letërsia e madhe sillet rreth emrit dhe letërsisë së tij).
Biseda u mbyll, dhe ai mbeti përtej telefonit. Nuk e di se çfarë bën të shtunave!?

Sot kam përfshirë në botim (sipas rendit të faqeve dhe rubrikave), këto materiale dhe autorë, të mrekullueshëm secili në formën e vet.
*INTERVISTË: “Mitit, si formë e shprehjes së botës poetike të njeriut primordial”
(Bashkëbisedim me Studiuesen dhe Pedagogen Rovena Vata), Bashkëbisedoi Mark Simoni
*ESE-Melankolia kozmike (Rreth poezisë “Dashunin e bajnë t’hyjt mungimet” të poetit Albert Vataj), nga Laureta Petoshati
*PROZË SHQIPE: Fatbardha Sulaj (skicë), “KARIKATURA”
*PROZË SHQIPE: FASLLI HALITI, “THATËSIRA”, tregim.
*POEZIA SHQIPE: “Poetët dhe të marrët e qytetit tim enden fillikat”, Cikel me poezi nga Meri Lalaj
*POEZIA E HUAJ: “Natën erdha te ty, me kaq vrull dhe me dyshim”, Cikel poetik nga autorë të mëdhenj, Perkthyer nga Arjan Kallço
*LETERSI E HUAJ: ”TRI HISTORI TË VENETO-S”, nga Dino Buzati, Perkthyer nga Eris Rusi
*IN MEMORY: “Rikthim te poeti dhe miku i paharruar Gjok Beci”, Esse nga Ndue Gjika
*ESE:Nga Gladiola Jorbus, Njih vetveten – Një nga maksimat më të rëndësishme të Orakullit të Delfit
*ESE:Vladimir Muça, “PAPAGAJTË E NEMBROTIT” – PROFILI KRIJUES
I MOIKOM ZEQOS, Ese, (Mbi librin “Papagajt e Nembrotit” të Moikom Zeqos)
*POEZI Arjana Fetahu Gaba
*POEZI Pjetër N. Pepkolaj
*POEZI Rudina Muharremi – Beja
*POEZI Miranda Lushaj
Urime dhe suksese autorëve, dhe fundjavë të bukur e lexim të këndshëm gjithë lexuesve dhe miqve tanë.

 

Nga: Mark Simoni

Kur Ingrid Jonker thërriste: They “can’t breathe”! / Nga : Flutura Açka

Kur Ingrid Jonker thërriste: They “can’t breathe”!

Ishte 24 maji i vitit 1994, kur në parlamentin e parë pluralist të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, në mënyrë krejt të beftë dhe emocionuese, e hapi fjalimin e tij me poezinë “Fëmija” të poeteshës afrikane Ingrid Jonker, e cila kishte luftuar gjithë jetën e vet të shkurtër për të drejtat e bashkëatdhetarëve të saj me ngjyrë, të vrarë, të dhunuar, të persekutuar nga Aparteidi. Në radhët e persekutorëve të bardhë, ishte edhe babai i saj, Abrahami, si funksionar i lartë i asaj kohe. Ai e shkurajoi vajzën e tij plangprishëse, e cila shkroi këtë poezi të pavdekshme. Ishte një ditë tragjike, kur Ingridi pa një fëmijë në krahët e nënës, e cila marshonte në mesin e turmës me fëmijën e vdekur në krahë, i vrarë nga një plumb në kokë në protestë në Nyanga. Një nga poeteshat më te rëndësishme të botës, Ingrid Jonker i dha fund jetës së vet vetëm pak muaj pas të tridhjetave. Pas një zënke të tillë të ashpër me të atin, e dëshpëruar nga mizoritë që shihte përditë, një shpirt mbiemocional i saji nuk mundi ta përballonte dot: Zbriti një natë korriku mes shkëmbijve të gjirit të “Tri spirancave” dhe u fut nëpër ujët e errët e të ftohtë të oqeanit. Kur trupin e saj e gjetën të nesërmen tek pluskonte mbi ujë, ndihmësit i raportuan të atit dhe e pyetën se çfarë të bënin me kufomën e së bijës. Ai iu kthye dhe i tha i shkujdesur: “Lëreni atje ku është!”. Këtë poezi e kam përkthyer herët, dhe duket se nuk do të dalin shpejt nga moda jonë shoqërore lufta ndaj ndarjes në ngjyrë. Poezia e lexuar nga Nelson Mandela, është një nga gjët më frymëzuese të ditëve që po kalojmë. Për ta njohur më thellë poeteshën e famshme, më ka ndihmuar mikja ime Petrovna Metelerkamp, njëherësh edhe biografe e Ingrid Jonker, të cilën kam patur fat ta takoj në janar 2013 në Cape Town. Uroj të ta pëlqeni edhe ju miqtë e mi! Paçi një fundjavë të mbarë!

Fëmija që u vra në Nyanga

Fëmija nuk ka vdekur
Grushtin ngre fëmija pranë s’ëmës
Që Afrika! thërret, dhe klith frymën
E lirisë dhe stepave,
Zonave zemërrethuar.

Grushtin ngre fëmija pranë të atit
Paradës së brezave
Që Afrika! thërrasin, dhe klithin frymën
E mundimit dhe gjakut
Udhëve të krenarisë së lënduar.

Fëmija nuk ka vdekur as në Langa as në Nyanga
As në Orlando apo Shaperville
As qendrës policore në Philippi
Ku shtrirë rri prej plumbit që kokën ia ka grirë.

Hija e errët e ushtarëve është fëmija
E gardës me pushkë, autoblinda e shkopinj
Fëmija është i pranishëm në të gjitha takimet ku bëhen ligje
Fëmija përgjon përmes dritareve zemrat e nënave
Fëmija që donte vetëm të luante në rërë në Nyanga, është kudo
Fëmija që u burrërua tani nëpër gjithë Afrikën shtegton

Fëmija që u bë gjigand tani nëpër gjithë botën
pa PASS kalon.

Nga : Flutura Açka

Interesimi i institucioneve shkencore franceze për Dodonën pellazge në harkun kohor të një shekulli e gjysmë dhe kontributi i kërkuesit shkencor Gilles De Rapper / Nga: Kujtim Mateli

Interesimi i institucioneve shkencore franceze për Dodonën pellazge në harkun kohor të një shekulli e gjysmë dhe kontributi i kërkuesit shkencor Gilles De Rapper Autori i parë francez më i rëndësishëm që e kërkoi Dodonën në të gjithë territorin e … Continue reading

O ZOT, SA SHUMË ZHURMË / Nga: Mark Simoni

O ZOT, SA SHUMË ZHURMË

Para shumë e shumë viteve, në gjyqin e poezisë, përmendej dhe një varg “Sa shumë zhurmë bëjnë këto gjërat e vogla”. Faslli Haliti dënohej dhe sikterrisej në bujqësi dhe për këtë varg.
Vërtetë. Sa shumë zhurmë bëjnë këto gjërat e vogla. Njerëzit me merita të vogla, enët boshe, fodullët, teneqetë, bëjnë shumë zhurmë, dhe tërheqin vemendjen drejt krismës së tyre. Dhe pa dashje shoqëria bie në kllapinë e këtyre “zhurmëtarëve”, i lavdron kot, iu sillet përreth, duke harruar dhe lënë menjëanë zërat e meritave të vërteta, përsonalitetet që kanë dhënë shumë dhe nuk i publikon askush. Nëpër shtëpi të thjeshta, të heshtur, të zhgënjyer, të përmbajtur e të përvuajtur, shtyjnë vitet e tyre njerëz që i dhanë jetën shoqërisë dhe tani nuk marrin dot pas as dhe respektin dhe vemendjen më të vogël të kësaj shoqërie.
Dje, me miken time, shkrimtaren Eli Kanina, ishim miq tek arkitekti i dëgjuar, shkrimtari dhe përkthyesi ekselent, i heshturi Petraq Kolevica. Nxënësi që mësoi shumë nga piktorët e mëdhenj Vangjush Mio dhe Vangjush Tushi, dhe tashti rri modest në pleqërinë e vet. Miku dhe njohësi përsonal i Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, që kaloi vite e vite me to, rri i thjeshtë në kujtimet e tija aq të çmuara. Arkitekti i ndërtesës së parë më të madhe në Shqipëri, (shtatëkatëshi i vjetër i Korçës), projektuesi i ekspozitës “Shqipëria sot”, i bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë, i ndërtesave në rrugën e Ambasadave, i pallateve pas Bankës Kombëtare, dhe i dhjetra ndërtesave “zonja” në të gjithë Shqipërinë, rri i heshturt dhe pa bërë zë, duke ngrysur ditët e tij mes 80 dhe 90 vjetësh. Autori i disa romaneve dhe vëllimeve me poezi, nuk belbëzon dhe as krenohet për asgjë, dhe as ankohet, por rri stoik në vetminë e tij, pa rrahur gjoksin. Përkthyesi i poetëve gjermanë dhe austriakë (antologjia e botuar nga gjuha gjermane), përkthyesi i poezisë tradicionale dhe moderne japoneze, (antologji e përkthyer nga njëra prej gjuhëve aziatike), përkthyesi i famshëm i “Demonit” të Lermontovit, (përkthyer nga rusishtja), di vetëm të heshtë dhe mos të mburret. Heshtje fisnike e njeriut të ditur.
E gjitha kjo më kujton një brengë të të madhit Pashko Gjeçi (përkthyesi më i mirë i Dantes në Europë, shpallur nga Sandro Bertini, president i Italisë). Qe 92 vjeç. Me buzën që i dridhej më tha kur shkova ta takoja: “Ka 15 vjet që s’e ka kaluar njeri këtë prag dere.”. Dhe nuk e kishte as 100 metra shtëpinë larg nga Tajwani, ku të paktën mësues letërsie, (që marrin rrogën prej dhjetra vitesh edhe prej Dantes së përkthyer nga Pashko Gjeçi), të kishin vizituar Pashkon, por nuk e kishin lënë qoftë dhe një herë të vetme kafenë për të vizituar përkthyesin e famshëm.
Këto ditë Petraq Kolevica qe ngazëllyer i tëri, dhe gëzonte si një fëmijë i lumtur, mbasi Shoqata e Arqitektëve të Europës Lindore dhe Qendrore e kishte lauruar me një çmim të rëndësishëm për vlerat e tij si projektues. Por këtë fakt nuk e kishte marrë vesh askush, (ndoshta vlerësimi më i madh për një arqitekt shqiptar), mbasi atmosfera kolektive e jona është e mbushur me jehonën e entuziasmit të çertifikatave dhe çmimeve të katundeve.
Nga biseda me Petraq Kolevicën, unë dhe Eli u kënaqëm, por më shumë u gëzua ai për vizitën tonë, për librat e këmbyer, për harenë që dërguam në atë shtëpi që kalonte ngadalë e pa zhurmë ditët.
Sa fisnike dhe e madhe heshtja e diturakëve dhe të lexuarve, po aq bezdisëse zhurma e të paaftëve, të pa talentuarve, që na lodhen me fodullekun dhe megalomaninë a mitomaninë e tyre.
Kjo bisedë e këndëshme me Kolevicën, plot ngjarje dhe përjetime, kulturë dhe dije, do të jetë të shtunën në Suplementin Letrar të gazetës MAPO.

Nga: Mark Simoni

Film Traboini: QINGJI I VOGËL – Zef Lekaj ( 1924 -1999) – Një artist nën pentagrame të kryqëzuara / Përagtiti montazhin filmik Kolec P. Traboini

Film Traboini: QINGJI I VOGËL – Zef Lekaj ( 1924 -1999) – Një artist nën pentagrame të kryqëzuara

 

QINGJI I VOGËL i ZEF LEKËS nga Traboini i Hotit, nuk ka shqiptar në botë që nuk e ka dëgjuar qoftë dhe një herë në jetën e tij. Autori i këngës, kompozitori Zef Lekaj [1924-1999], është persekutuar dhe burgosur nga diktatura. Sa më shumë shkojnë vitet aq më tepër rritet figura e Zef Luc Gjelosh Lekaj ( fisi Camaj) nga Traboini i Hotit me emër në histori dhe padyshim ai e meriton plotësisht të vlerësohet “Nderi i Kombit”. Po kush ta bëjë. Edhe ky kompozitor i madh me fatin e piktorit të persekutuar Edison Gjergo, që në vend ti vlerësojnë, përpiqen me çdo kusht ti harrojnë. Platforma e ruajtjes së antivlerave komuniste dhe mohimit të talenteve të mëdha që u persekutuan në të gjallë e në të vdekur, vazhdon.
Kolec P. Traboini
2 tetor 2011

 

Mendje ndrituri, At’ Anton Xanoni, ishte një meshtar jezuit e personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare / Nga: Lekë Mrijaj

Mendje ndrituri, At’ Anton Xanoni, ishte një meshtar jezuit e personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare   Sipas të gjeturave dhe burimeve të tjera të Vatikanit, sot, tetëdhjetë e pesë vjet më parë apo me 15 shkurt 1915, në moshën … Continue reading

Kumtesa në Konferencën Shkencore, Basri Capriqi, Poeti i detit, Ulqin, 17-18 janar 2020 (Shënime mbi poezinë e Basri Çapriqit) / Nga: Prof. Sadik Bejko

Kumtesa në Konferencën Shkencore, Basri Capriqi, Poeti i detit, Ulqin, 17-18 janar 2020

Shënime mbi poezinë e Basri Çapriqit

 

Nga: Prof. Sadik Bejko

1.
Vdekja e autorit bën atë që të hiqen mendime përfundimtare për një vepër që tashmë quhet e kryer. Kështu po ndodh dhe me Basri Çapriqin. Vepra e tij po rilexohet. Edhe më tej ajo duhet mbledhur, botuar dhe studjuar si vepër e përfunduar.
Me kohë është vënë re se Basri Çapriqi krijoi dhe botoi në vazhdën e mjedisit poetik të poetëve të Kosovës. Një poezi në ujërat e hermetizmit, të shenjave që më shumë fshehin sesa thonë, një poezi që ndien muret, terrin, asgjësimin, tëhuajëzimin dhe merr guximin të marrë frymë, të ikë nga terri, “ta lërë dritaren hapur”.
Bashkohem me atë që Çapriqi erdhi me prurjet e veta në poezi. Thuhet se ironia ishte cilësia më e rëndësishme e kësaj poezie, thuhet se ajo ishte poezi e mjediseve urbane, përkundër asaj që poezia shqipe përgjithësisht ka sjellë mjedise rurale. Thuhet se ajo u largohej temave të patetikës, të miteve nacionale që e kanë dominuar poezinë tonë.
Për mendimin tim, poezia e Basri Çapriqit, pa i mohuar me një të rënë të lapsit, pa i pohuar kallëp ato që janë thënë mbi të, ka qenë një poezi në kapërcyell. Ajo ka shënuar disa nga realizimet e saj më të mira në tematikën urbane, por ka lëvruar me shumë sukses dhe motivet e detit, të ullirit, të ujit, tema që janë më afër përjetësisë, më afër motive të përjetshme, sesa trajtimeve të tyre si motive të urbanizmit apo të rurales.
Poezi e anktheve dhe terreve në një anë, por motivet e kthjellësisë me dritë e paqe, me det e me pulëbardha në anën tjetër, kontrastonin, thyenin e njëherësh dhe e pasuronin verbin tërësor të poezisë. Vërejmë këtu se nuk ka rëndësi sasia numerike e poezive, por ajo e arritjeve, e cilësisë. Cilësia e shkrimit shpesh anon nga motivet detare të kësaj poezie.
Janë vënë në shenjë poezitë e tij të ironizimit me lirinë, me luftërat çlirimtare, me At-dheun e me të tjera tema tabu, që në një interval kohor mund të kenë tingëlluar si blasfemi ndaj miteve të shënjtëruara nga poezia jonë e traditës dhe nga ajo që ende shkruhet. Pa dashur të themi se këto theksime ironike, në mos qofshin pozime – dhe në fakt nuk janë të tilla – në thelb e më drejtë mund të jenë protesta e një të lënduarit, e një të zhgënjyeri. Dihet, që protesta qoftë ajo dhe si blasfemi, e bën edhe më të rëndësishme atë që blasfemon. Blasfemia e vë në qëndër, e sheh nga këndvështrime të panjohura më parë atë që poezia e mëparshme e ka glorifikuar.
Marrëdhënia e autorit me tema të tilla prapë mbetet, por e shfytyruar si në lidhjet fatale e të pashkëputura, si në rastet e dashuri-urrejtjes.
Poezitë për Ali Podrimjen, për Lasgushin, për poetë të tjerë, për Shasin, për Tivarin e çojnë poetin Basri Çapriqi në tragat e atij kapërcyelli që ai u mat ta kalojë përtej e prapë mbeti midis. Mitet ende mbeten pjesë e poezisë së tij.
Edhe blasfemitë poetike të Çapriqit aty i ke, janë dhe mbeten guximi, risia dhe merita e tij e patjetërsuar.
Në veçanti shquhet poezia e gjendjeve të ankthshme, e haluçiacinantes. Në këto poezi grotesku të çon nga thyerja e tragjikes, nga absurdi, nga rënia në pa rrugëdalje. Organizimi gjuhësor në këto poezi është derdhur në një ligjërim të thukët si endja e dendur, si thurja e rëndë e qilimit në vekun tradicional.
Këtu do të veçoja si mjet shprehës përsëritjen, por edhe mjegullimin e kuptimit nëpërmjet thyerjes së rendit sintaksor të frazës, mungesës së pikësimit, përmbysjes e rimarrjes së një togfjalëshi a të një njësie frazeologjike. Përsëritja meriton një vështrim të veçantë për funksionet, për pasurinë, dendurinë e gjerësinë e përdorimeve nga poeti.
Poezia në mënyrën si e shkroi Basri Çapriqi e pasuroi, e bëri më të zhdërvjelltë, më shprehëse gjuhën, ligjërimin poetik.
Me poezitë me temë ujin, detin, kalimeret, Bunën, ullirin poeti u ka bërë nder, u ka bërë vend imazheve mesdhetare nga vendlindja. Me kohë, mundet këto cikle të detit mund të zgjeroheshin e të kishim një topik të ri në hartën e poezisë shqiptare, topik si liqeni i Lasgushit, si Zvërneci i Fatos Arapit. Ndryshe nga Lasgushi e Arapi poezia me motivet e ujit e Çapriqit i kreh, i filtron, i avullon detajet konkrete të mjedisit për të fluturuar në metafizikën e së shëndritshmes, të së pambërritshmes, të së mistershmes.
Një dimension tjetër jo shumë i rrahur, apo i panjohur më parë në poezi, vjen me poezitë mbi sendet, si jastëku, kuzhina, teli i rrobave, dera etj. Kjo prirje e minimalizmit, prirje nga poetizimi i së rëndomtës, i jopoetikes, prirja nga poezia e pastër, poezia lojë e formës, lojë e fjalës, merak ky i poezisë moderne që nga Rembo e tëhu, ka sjellë një poezi të përkryer si “Jastëku”, një poezi e përfaqësuar në disa antologji.
Këto janë disa nga arritjet më të spikatura të tij. Studimi i veprës së Basri Çapriqit sapo ka filluar. Më sipër parashtrova leximin tim, ndalesën shkurt te dimensionet më kryesore të kësaj poezie: motivet e detit, motivet e ankthit, të ironisë dhe të minimalizmit.

2.
Ora e fatit Basri Çapriqin e ndali kur ai ishte një burrë plot energji, një krijues në kulmin e forcave të tij.
Vepra, që ishte ende në duart e tij, për t’u ndërtuar, për t’u përkryer, tashmë quhet e përfunduar.
Si poet me fat ai u pranua herët në sofrën e në vatrën e më të mirëve të mjediseve të veta. Poezia e tij u përfshi në antologji, u përkthye në disa gjuhë. Ajo u përfaqësua dhe në mediumet poetike të PEN Internacional.
Vendlindja atë e ka dashur, e ka kujtuar dhe nderuar në Kalimerat poetike, në konferencat shkencore në kalanë e Ulqinit.
Më tej po vazhdohet me promovimin, me studimin e veprës së tij poetike, me evidentimin e personalitetit kulturor të poetit, të pedagogut, të veprimtarit e studiuesit Basri Çapriqi.
Deri këtu gjithëçka shkon mirë. Dhe….
…. dhe është e lehtë ta shkruash e ta botosh poezinë kur ende je gjallë, por sa vështirë që ajo të mbetet mbas teje, kur ti të kesh ikur nga kjo botë.
Këtë e them se para se të bëja këto shënime, lexova edhe një herë nga e para Basri Çapriqin, rilexova dhe poetë të tjerë pranë Basri Çapriqit, poetë që sot nuk janë më. Vdekja na bën të gjithëve të brishtë. Tash jemi gjallë, mbase dhe të pushtetshëm, po çfarë mbetet nga vepra jonë kur shkojmë në atë që mund ta quajmë asgjë?
Pyetjes se çfarë mbetet nga një poezi kur ajo shkëputet nga mjedisi i vet, kur ajo ndahet nga autori i vet për t’u shkrirë në rrjedhat e krejt letërsisë shqipe, mund t’i dilet përballë me një përgjigje.
Është një pyetje që lidhet me vlerat e poezisë, të letërsisë në tërësi.
Sipas mendimit të shumë shkrimtarëve dhe estetëve në botë, letërsia i jep publikut atë gjë që ai nuk e merr nga teologjia, nga filozofia, nga shkencat. Thelbi i qenies sonë, dhimbja, kompleksiteti i gjendjeve tona – po sipas këtyre estetëve – vijnë në letërsi përmes grimcave “të përshtypjeve të vërteta”. Pra, vlera e letërsisë qëndroka te sjellja e këtyre përshtypjeve të vërteta. Këto ide të Marsel Prustit, të Harold Bloom-it, të Saul Beloë-t mbi vlerën e letërsisë, dua t’i vë në dukje edhe në këtë rast, teksa lexoj poezinë e Basri Çapriqit e të poetëve si ai… poezinë e poetëve në tërësi. Dhuntia kryesore e tyre si autorë gjendet te aftësia në transmetimit artistik, në poezi a në prozë, të përshtypjeve thelbësore mbi njeriun, mbi mjedisin a mbi shoqërinë.
Përshtypjet e vërteta e të thjeshta ose grimca të tilla të sajuara në atë cilësi sa të merren si të vërteta, qenkan lënda me të cilat ndërtohet ngrehina e tregimeve, e novelave, e romaneve dhe e përmblejeve në poezi. Kështu imitohet jeta, apo njëmendësia e sajuar jetësore na vjen më e vërtetë se ajo që realisht quhet jetë dhe poezia e proza artistike gjithmonë mbeten një kërkim në përjetësi. Një kërkim nga çdo njeri që vë përpara një letër me synim shkrimin e bukur, me synim sajimin e shëmbëlltyrave të arrira të artit.
Përvoja e prurjeve të përshtypjeve të thjeshta e të vërteta nga mjediset jetësore e ka ngjyruar, e ka pasuruar e thelluar poezinë shqipe që nga fillimet. Përvoja e pështypjeve të thjeshta e të vërteta arbëreshe e shquan si të pashoqe poemën “Këngët e Milosaos’ të De Radës. Edhe më tej. Dihet ç’dhurata të çmuara i kanë ardhur poezisë shqipe me përshtypjet e vërteta e të thjeshta nga realiteti i nënës dhe i të dy bijave te poema “Andrra e jetës” e Ndre Mjedës. Me përshtypjet e vërteta e të thjeshta vjen si erë e re dhe e freskët në letërsinë shqipe poezia dhe proza e Migjenit.
Vijmë te një poet i modernitetit: Martin Camaj. Me një tërsi grimcash të vërteta a me një tërësi përshtypjesh të sajuara njëmendësisht e thjeshtë sa ngjajnw si të vërteta, ai ndërtoi në mërgim mungesën e Dukagjinit, mungesën e vendlindjes. Asgjë nuk ngjan aq ngjethëse, aq mprehtësisht e vërtet sa mbresat që sjell kjo poezi e Martin Camajt.
Nuk po e zgjat. Me një lëndë të tillë si ajo e përshtypjeve të thjeshta e të vërteta poezia, proza mund të na çojnë te e përjetshmja.

Literatura kryesore:

1.Basri Çapriqi, Burimi nën gjuhë, botoi Toena, Tiranë 2005, zgjodhi dhe parathënia nga Ali Podrimja
2. Basri Çapriqi, Përkryerja e shiut, botoi Art Club Ulqin, 2013, parathënie Ag Apolloni
3. Bashkim Kuçuku, Antologjia e poezisë shqipe bashkëkohore, botoi Onufri, Tiranë 2008, (fq. 110-121)
4. Harold Bloom, Si dhe përse të lexojmë, botoi Dudaj, Tiranë, 2008
5. Saul Below, Çfarë kuptimi ka letërsia? Fjalimi me rastin e pranimit të çmimit Nobel, 1976, sipas përkthimit shqip nga Shtepia e Librit sh.p.k.

Sadik Bejko
16 Janar 2020

Agron Tufa, atdheu i bukur dhe tufëzat cinike të chihuahua-ve. (E sapobotuar tek Radi And Radi) / Nga: Shpend Sollaku Noé

Agron Tufa, atdheu i bukur dhe tufëzat cinike të chihuahua-ve. (E sapobotuar tek Radi And Radi) http://www.radiandradi.com/agron-tufa-atdheu-i-bukur-dhe-tufezat-cinike-te-chihuahua-ve-nga-shpend-sollaku-noe/?fbclid=IwAR0hceyoFLhZEOLMMEKh20KJB6PsiN1XgMm7iXlipG5CyTAJuPl2LtCkYys Tre opzione të lidhura ngushtë, të prezantuara në një foto të vetme. Një familje e bukur Tufa – babi Agroni, mama Elvana, dhe … Continue reading

 Traboini Studio – In April of 1917: AMADEO MODIGLIANI – NUDO / Përgatiti dhe realizoi videomontazhin Kolec P. Traboini

 Traboini Studio – In April of 1917: AMADEO MODIGLIANI – NUDO

Gjeniu që vdiq i rrahur barbarisht në rrugë në Paris një shekull më parë, më 24 janar 1920 nga injorantët, ngjashëm me gjeniun amerikan Allan Poe, që pësoi të njëjtin fat në Baltimore. Të njëjtin fund tragjik por dhe të njejtën lavdi të përbotëshme.
Vidio e realizuar nga Traboini Studio është parë nga 6,347 vetë.
_______________________

Në pranverë të vitit 1917 Amadeo Modigliani(1884-1920) takoi 19 vjeçaren Jeanne Hébuterne (1898-1920), studente në Akademinë Colarosi Paris, ata filluan të jetojnë bashkë. Ajo ishte e brishtë, gjithë drite , e qetë , e heshtur, me një shpirt delikat dhe u bë modelja kryesore
e Modiglianit deri në fund të jetës. Ai e pikturoi atë më shumë se 25 herë.Lindën bashkë një vajzë që mori emrin e nënës. Në 24 janar 1920 Modigliani vdiq. Ditën tjetër Jeanne Hébuterne shtatzanë për herë të dytë, vrau vehten nga dëshpërimi. Ata u varrosën bashkë në varrezën e Parisit Père Lachaise. Lanë jetime një vajzë të vogël Jeanne (1918-1984) që e adaptoi motra e Modiglianit në Firence, më vonë vajza do të shkruante librin biografik për babain e saj Amadeo Modigliani “Burri dhe Miti”.

MODIGLIANI: Nudo

Traboini Studio – In April of 1917, Amadeo Modigliani(1884-1920) met the 19-year-old Jeanne Hébuterne (1898-1920), student of the Académie Colarossi; they started to live together. She was gentle, shy, quiet and delicate and became his major model until his death, he painted her no less than 25 times. On January 24 1920 Modigliani died. On the following day the pregnant Jeanne Hébuterne committed suicide. They were buried together in the Père Lachaise cemetery. Their orphan daughter Jeanne (1918-1984) was adopted by Modiglianis sister in Florence; later she would write an important biography of her father Modigliani:”Man and Myth”.

Përgatiti dhe realizoi videomontazhin Kolec P. Traboini

Sot, 465 vjet më parë, dom Gjon Buzuku e ka shkruar në shqip veprën e tij “Meshari” / Nga: Lekë Mrijaj

Sot, 465 vjet më parë, dom Gjon Buzuku e ka shkruar në shqip veprën e tij “Meshari” http://pirustinews.com/2020/01/05/sot-465-vjet-me-pare-dom-gjon-buzuku-e-ka-shkruar-ne-shqip-vepren-e-tij-meshari/?fbclid=IwAR3uQJvT_-EciwjeziFOoEfpL-Pi1zvw_-TWX7cFRgItPj3Tk1_zJOLcnEc Shumë studiues të huaj e vëndor si: Imz. Pal Skiroti, Ignjac Zamputi, Atë Justin Rrota, M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, N. … Continue reading

Ivanaj Junior: Një engjëll në vendlindjen e Giovanni Boccaccio-s / Nga: Vladimir Myrtezai (Gazeta Liberale)

Ivanaj Junior: Një engjëll në vendlindjen e Giovanni Boccaccio-s

Ivanaj Junior: Një engjëll në vendlindjen e Giovanni Boccaccio-s

Pas një kalvari vizitash mjekësore në Çezena vendosa të ndërroj ajër për të kapërcyer disi një lloj psikoze kontrolli, që më kish kapluar nën urdhrat të frikshëm të atyre që dinë të shohin imët përtej pamjes së jashtme të njeriut, me njëmijë e një analiza, pikërisht mjekët.

Nuk e di, por për shkak të asaj që kam lexuar, më është dukur se mjekët janë mbikëqyrësit dhe mbrojtësit e njerëzve, sepse kanë një lloj çmobilizimi herë praktik e herë indiferent ndaj gjërave. Ata e dinë shumë mirë se çfarë ndodh pas çdo pamjeje apo dekori njerëzor. Si të tillë, herë janë shumë skrupulozë në zgjedhje miqësish, herë janë disi inferiorë e të papërmbushur në këtë pjesë jetike.

Vendosa të shkoj në Firence për të takuar një mik të hershëm, që kisha shumë vite pa e parë e ndierë nga afër. Po kërkoja një lloj shpërqendrimi, gjë që e bëj shpesh, një lloj oksigjenimi në radhë të gjendjeve që shtrëngojnë njeriun. Nga ana tjetër, këto gjendje sikur na çmontojnë nga melankolia parazitare në pritje gjërash që kanë të bëjnë me ekzistencën, e që nuk të japin asnjë kënaqësi të zhdrejtë për ta tejhedhur kohën e kujdesshme drejt një tjetër ajri, ku dhe harrohesh e jeton sërish si në ditën të parë të vrullit tënd më të mirë. Po e kërkoja si me ngut që të mos kthehesha në shtëpinë ku jam i mikpritur, diku afër Riminit, që të hyja në një arrati si në kohë të parë, dhe për një gjë të tillë do të më duhej një miqësi e largët, si për të më shkundur nga harresa.

Mora një tren të shpejtë dhe pas dy ndërrimesh arrita në stacionin tim në Firence. Kisha një ndjesi si në filma, ose si në të ritë e mi, pasi gjendje të tilla, kur ndërroja ambient, më detyronin të isha sy e veshë për të regjistruar gjithçka si në puthjen e parë.

Zbrita duke tërhequr një çantë dhe nga larg dallova se po më priste miku im i hershëm, Fred Ivanaj, i riu. Nuk kish ndryshuar, po ai, i gjatë e madhosh, me një gëzim të përhershëm në fytyrë, një lloj entuziazmi si i ngjitur për vite me radhë, si i pandryshueshëm.

Janë disa karaktere që e ke të vështirë t’ua dallosh hallin, ngaqë nuk të lejojnë, dhe kështu ata të diktojnë një pozitivitet që nuk e zbulon dot se çfarë fshihet pas tij. Hapi krahët e stërmëdhenj dhe më thirri në dialekt që nga larg: – Hej, Bep, ku je! – Ishte një lloj nofke e huazuar nga personazhe vulgu kohësh të hershme nga trevat e veriut. U përqafuam dhe më pas më tha se do të lëviznim në këmbë, sepse edhe shtëpinë e kishte mu në qendër, në zonën më të rrahur nga turistët.

Pa më pyetur gjatë nisi të më shpjegonte Firencen me një kënaqësi të jashtëzakonshme, sikur po e zhvishte e po i hiqte lëkurën një të panjohuri që kish humbur në një qytet arti. E bënte mirë këtë pjesë, si një prirje e tij e hershme dhe e një grupi të vogël rreth tij shumë vite më parë në lice, të cilët ishin të obseduar marrëzisht pas periudhës së artit modern, dhe e gjithë ajo fashë jete u udhëhoq si kalvar dallues ndër të gjithë ata që aspironin art dhe prishnin rregullin e një fidanishteje që ruhej nga sistemi dhe shoqëria e asaj kohe.

Të rebeluarit më të dukshëm, për çudi, ishin shtatlartë, dhe në një shoqëri të mbyllur, parë në distancë tani, ishin një lloj avangarde në përzgjedhje, shije dhe ide. Ishte Ivanaj, Agron Bregu /Goshi, Poli e të ngjashëm në shkurtime emrash, me artistë të njohur të artit modern, dhe diçka më pas u duk Ed Rama për lartësinë, por edhe për një lloj digresioni shpirtëror, të ngjashëm me lëvizjet e avangardës. Të gjithë këta shiheshin si zgjatime të çrregullta, dalë jashtë turmës, për të ndryshuar, ose, e thënë ndryshe, në rastin e Ramës, si një njeri që kërkonte formën dhe kallëpin e duhur për të realizuar energjitë e tij të bollshme e të cytura ngulët, që dukeshin si të pamundura e konfliktuale.

Të gjithë morën drejtime nga më të pabesueshmet, por, në thelb, si një rekapitullim karakteri dhe prirjeje. Si për çudi, Goshi u rizhyt në një lloj largësie të pazakontë qëndrimesh, si një distancë që sa vinte dhe e bënte edhe më të pakomunikueshëm, gati-gati në një harbim shndërrues, që nuk kuptohej ku fillonte vepra e ku mbaronte profili i tij transgresiv, i papërkthyeshëm në regjistra perceptiv të thjeshtë.

Poli, – shkurtim i emrit Polikron – iu dha një shtrirjeje të ngulët drejt një smeraldi ngjyrash, gjë që e bënte pikturën e tij të përputhur me një melankoli të përsëritur të Gauguin-it apo Cezann-it.

Kurse Fred Ivanaj pati një prirje të shthurur drite me shkas ekspresionistët, deri në shpërndarjen e së bardhës si një element i superpozuar dhe energjik mbi stilin e tij. Më pas, në një prirje të dallgëzuar ndaj fotografisë së filmit dhe sidomos ndaj poezisë ekzistenciale, që e citonte herë pas here – sikur hante mëngjesin dhe atashohej në një identifikim të përsëritur poetësh të mirë. Rama, disi më i zhvendosur në miqësi të shthurura, pa kriter e kufij moshe, gllabëronte materiale, ngjarje e protagonizëm në një hap të papërmbajtur e të dukshëm.

Teksa shëtisja nëpër Firence më atashoheshin në radhë histori të tilla të zmadhuara nga pasioni i asaj kohe e të zvogëluara tashmë në një botë të lirë gjigantësh, që ndiheshin të imituar nga qindra prirje dhe zgjime talentesh, që koha i ndërsjell çuditshëm në fate të shpërndarë, krejt të ndryshëm e të pangjashëm.

Ivanaj fliste ende për histori të vendit, ku ndihej si i rilindur bashkë me Boccaccion, Petrarca-n dhe Dante-n, sikur donte të më thoshte se kufijtë janë imagjinarë e të ëndërrueshëm; sepse jeta e mësoi të rritej e të jetonte nën hije gjigantësh, jo si i shpëtuar në tejkalim, por si një pasqyrim e të jetuarit ëmbël sipas ëndrrës së zgjedhur.

Sikur kish rënë dakord se nën hije të mëdha arti pasuron veten dhe jetën e të tjerëve. Njëra nga vajzat e tij Elena studionte arte, ndërsa tjetra Irene diçka që kish të bënte me shkencat politike e marrëdhëniet me publikun. Ai tashmë ishte pjesë e një rrjedhë të ujdisur me fatin dhe me kujdesin për të ndihmuar përreth me sa mundej, për shkaqe krejt njerëzore. Vazhdonte të ndalonte nëpër qytet pa pushuar, nëpër kënde e kthesa, të gjitha të mbarsura me histori, dhe i shpjegonte një e nga një në një zhveshje të pamëshirë, si për të ripohuar e për t’u hakmarrë për një histori të madhe ndaj gjërave magjike e të vogla, që i dukej historia jonë e atëhershme, si projeksion në një mbyllje asfiksuese.

Para ndryshimeve të viteve nëntëdhjetë, diku mes 1985-89, Ivanaj pati një pikë të lartësuar, një lloj derdhjeje me pasion nën kthesa e trysni nga ato të paharrueshmet, që bëjnë boshtin e njeriut. U duk se jeta i dha prova të rënda, të çekuilibruara mes pasionit dhe pengesës reale, gjë që ai e kaloi mbase duke qeshur e duke mos e treguar as dhimbjen, as inatin, as pritjen apo revanshin. Thjesht një pengesë e detyrueshme, që nuk i ngjante një halli dramatik, por diçkaje që kalonte nga sipër realitetit, që mund të shkruhej e të bëhej film, a kushedi çfarë sublimimi tjetër. Është fjala për një natyrë që nuk lexohej në dramë, por në një entuziazëm të superpozuar, si diçka që humb peshën e firos së mjaftueshme për t’u rrëfyer si hall.

Vijonte me shpjegimet e tij të detajuara mbi artin e fiorentinëve, me një pasion që nuk njihte mërzi. Shëtitëm rreth dy-tri orë nëpër qytet e më pas më tha se do të darkojmë jashtë, pasi e shoqja ishte nisur drejt Romës për punë. Shkuam në një restorant peshku. Porositëm verë të mirë dhe patëm ndjesinë që mund të fillonim të sillnim gjithë botën në tavolinë. Dhe ashtu ndodhi, pasi ajo darkë kishte në thelb një mungesë të madhe dashurish e sekretesh rinore, që duheshin përzierë e folur si një mall i pashmangshëm. Rrugët për te restoranti ishin plot me të rinj dhe njerëz të ndryshëm, gjë që e bënte atë qytet të shumërrahur nga uritë udhëtuese; plot jetë e surpriza nga më të këndshmet.

Fred Ivanaj ishte po ai, në mos më i freskët në gjallërinë për t’u përfshirë e qenë i dobishëm dhe i gatshëm për të rejat që nuk i kishim ndarë për shumë kohë. Në fakt, kish një aftësi të rrallë treguese, ajo që njihet si rrëfim filmik, diçka përmes fjalës, gjestit dhe udhëtimit të heshtur me bashkëbiseduesin, ku të lejonte një gjendje interaktive, sikur mbushje boshllëkun e munguar të fjalës, pasi shqipja përzihej me gjuhë të tjera udhëtuese, gjë që e bënte bisedën më të shkartisur e spontane. Dukej sikur gjatë gjithë kohës plotësonim pauzat e një fjalie të përbashkët, që në fakt nuk ishte gjë tjetër veç mallit – sy e veshë për gjithçka kishim kaluar. Në tavolinat fqinje ndiemë se kishim disa spanjollë e francezë, diku tjetër disa rusë të përzier e në shërbim. Ndjeva se kishte edhe shqiptarë që shërbenin, sepse folën shqip disa herë.

Mu përballë meje një tavolinë katërshe disi e çuditshme për nga mënyra se si ishin veshur dhe se si qeshnin e hidheshin zhurmshëm në bisedat e tyre. Shkak qe një vajzë e re që në shkëlqim të parë i derdheshin sytë e më pas buzët, e thërrisnin disi në një arome tingulli në gjuhë frënge e më pas një lloj shpengimi që nuk e vëreje tek të tjerët në atë sallë. Ishte i vetmi element human që dukej se ishte krejt jashtë dhe e dehur nga dashuria; sillej sikur kish lindur duke qeshur në shpërthime të njëpasnjëshme e të pandashme; një volitje domino me një kantilenë ulje-ngritjesh që të merrte vëmendjen.

S’kisha parë një lumturi aq të shpallur, sikur i derdhej ne trup e në flokë e në çdo detaj që e rrethonte. Mbresëlënëse, një gjë që të ndryshonte humorin, thjesht nga larg, si një zë krejt veç. Sa mirë, thashë me veten: një botë gazmore, jo më orare ilaçesh, këshilla për përmbajtje, rreziqe e ku e di unë se çfarë, gjëra që të errësonin kur i dëgjoje. Më në fund një gjë për t’u harruar me gjithsej, që ta merr mendjen si me sfungjer e ta barit në livadhe të pashkelura lumturish.

Ishte pak vonë. U ngritëm nga darka dhe dolëm. Ndihesha pa gjumë. I kërkova Ivanajt që të shkonim nga studioja e tij, pasi kisha nevojë për një tjetër aleancë, që ta afroja këtë mbrëmje miqsh me gjëra dhe me kuriozitetin se si kish evoluar apo ndryshuar miku im. Ishte një qoshk simpatik nën një arkitekturë të vjetër, me disa ndarje të sajuara e portative, që dijnë t’i rregullojnë aq mirë piktorët. Hapëm sërish një shishe verë dhe folëm gjatë mbi çka kish ndodhur me një brez që, me thënë të drejtën, m’u duk i gjithi i mërguar në mundësitë e tyre të gjallimit. Mbaruam diku në mesnatë. Unë u ngjita në hotel, Ivanaj për në shtëpinë e tij, që ishte shumë pranë hotelit. Atmosfera e kshnellave sa vinte e po e forconte praninë e saj në qytet, nën një ndriçim që si për çudi ishte jo melankolik, por në një prerje të qartë gjërash të gëzuara, që sikur i jepte një vello hareje Firences; një atmosferë tipike nëpër qytete të tillë, ku dekorimi nuk se ka shumë fuqinë e magjisë, sepse vende të tilla jetojnë nën një ogur të stërzmadhuar zërash që vijnë nga përtej historisë.

M’u duk se më kish zënë gjumi kur ndjeva trokitje në derë. E hapa dhe m’u faneps figura e stërzgjatur e në merak të ngutur e Fred Ivanajt. Nuk po fliste. E pashë të trullosur, në panik. – A shkojmë në studio? – më tha. – Po, – ia ktheva. U bëra gati dhe dolëm sërish në rrugicat e ngushta të Firences së vjetër.

– Dëgjo, – më tha – nuk di ç’të bëj! A të kujtohet ajo vajza në restorant? – Po, i thashë, ajo francezja biondja. – Me sa duket ka braktisur miqtë dhe të dashurin, dhe po më kërkon ta strehoj. I kishte rënë numrit të telefonit të studios, pa e ditur se jam unë, dhe më kërkoi ta strehoj diku deri në mëngjes.

M’u duk sikur ishim kthyer tridhjetë vjet më përë, ku Fredi ngjante në alarm për të kuruar shpirtra që kishin humbur udhën. E njëjta lëkurë, e njëjta vëmendje për të qenë në emergjencë ndjenjash e për të kuruar shpirtra të hedhur e anarkikë, apo dashuri të pastra, siç i quante ai. Komunikonte frëngjisht dhe pak anglisht me të.

Nga një skaj i lumturisë së depozituar, vajza spanjolle ishte shndërruar në një ndalesë mavi e të tej mbushur me lot, e fyer e në refuzim; e mbarsur me idenë se i dashuri i saj e kishte aksidentuar, me sa dukej, e nuk mund ta kuptonte përmasën apo zjarrin e ndezur tashmë në  dashurinë e saj. Me gjasë jetonte në provokime të njëpasnjëshme dilemash që kapin të tilla ndjeshmëri, që e bëjnë botën të pasigurt, të ri projektuar keq e të personalizuar shumë pranë vetes. Në fakt, ishte më tërheqëse kur qante sesa kur ishte cit me lumturi. Kishte një ngjyrë të grurtë e të përzier nga nata dhe reflekset e mureve në ngjyrë tjegulle, saqë të kujtonte pikturat e rralla të Giotto-s. U fantaksa, ngaqë po më tërhiqte edhe më shumë e aksidentuar dhe e murrëtyer në lot. Në ngashërimet e saj në tik të lartë e me pauza nuk pranonte as edhe të ngushëllohej, pale të merrte këshilla. Ivanaj iu afrua butë, në një harkore që prirej të përshtatej me gjatësinë e saj; një përkulje që ruante një pozicion intim, sa dukej sikur po e puthte. Po i thoshte se dashuria është njëlloj si xhelozia, veçse ajo e saja nuk ishte e thatë apo e errët, as e padepërtueshme, por e ujshme dhe në lot; e pakapshme. Dëgjova se quhej Vivién. Qenë minuta fantastike në një hepim të përkulur shërbyes, duke e dashtë edhe më shumë, pa harruar zonat e humorit dhe batutat kulturore, gjë që ia zbuti hallin. I flsinim çlirët e pa teklif, si ekspertë zemrash. Vura re se Vivién për pak çaste e harroi edhe atë tik ndarës që ia copëzonte fjalitë gjatë kohës që qante, qeshte dhe fliste. M’u ringjall edhe një herë thelbi i Fredit në një përkorje deri në përkushtim total mbi atë materie të shthurur nga konfliktet dashurore.

Arritëm ta qetësonim dhe dalëngadalë iu ngrit në sy një perde e re, me siguri e një mashtabi dashës, ku dy burra nga njëqind kile donin të sillnin në shina emocionet e trazuara të një çupërline të rënë në dashuri. Dukej sikur kishim pranë një pre të rrallë, sepse kishte kohë që në lëkurën tonë nuk ishte shfaqur aq pranë një konflikt djegës e sfidues, siç ishin ndjenjat e asaj francezeje, që me sa duket kishte rënë kokë e këmbë brenda dhe po rregullonte pushtetet e saj në limitet e pranimit, ngaqë i dashuri nuk kapte dot hapin e saj.

Një natë me dritëhije të therura zemrash e dashurish të paprovuara mes udhëtarësh të panjohur, ku më i përfshiri në kurim ishte Ivanaj, si shumë vite më parë në të njëjtin atdhe, me të njëjtin pasion dhe me të njëjtën kauzë të fituar. Vura re se Vivién u projektua në të si në tokën e saj, e përngjitur si në shpëtimin e vetëm. Lot dhe rrëfime të dashura mbi gjënë më të panjohur e më të pazgjidhshme: shpjegimin e ndjenjave. Si e tillë më ngjau se u përthye e bindur, se bota ishte mbushur me margaritarë të tillë apo kufij të dukshëm e të padukshëm sentimentesh që dinin të përkrahnin atë çfarë ndieje, duke ta shkërmoqur me fjalë. Këtë e bëri Fred Ivanaj, një dashnor stili në pasion të lartë, si dikur, ku filli i kashtës ndizej në ajër e bëhej histori e madhe dashurie. U ndriçua befas si një skulpturë muzeale; u kthye në rol duke iu lutur një dashurie të re, që të mos aksidentohej; të ndihej e lexuar, e plotësuar, duke i mbushur mendjen se ajo po dashuronte përmes xhelozisë, përkundër si e njëjta ndjenjë, si i njëjti zjarr.

E doja Ivanajn ngaqë e linte grupin e ëndërrimtarëve disa hapa pas, me forcën për të dashur të ngjashmit, të djegurit në dashni të parë, si i vetëpërsëritur në një histori të rikthyer këtu e tridhjetë vjet më parë. Ky është Fred Ivanaj, me disa vite në kurriz, i zhvendosur natyrshëm nën një dekor dritëhijesh fiorentine, duke dalluar dihatjet e jetës, si në një vepër të përputhur e të pashmangshme; duke e vijuar jetën nën myshkun e pikturës dhe humnerën e dashurisë.

Kisha shkelur në vendin e dashurive të mëdha, në vendin e mistertë të shumë rrëfenjave me eros; në atë vend ku u shkrua Dekameroni, ku piktura u shndërrua në një melodi epike; ku u krijuan legjenda dhe një mori e përsëritur në volum e historisë së artit. Është ai vend ku qëndrojnë ëndërrimtarët, sfiduesit e formës më të lartë të të qenit në shije dhe pjacë, në zemrën e korrenteve të artit të shkruar dhe shenjave të tjera të humusit njerëzor. Kjo është Firencja, aty ku takohen dhe ndahen dashuritë.

 

Nga: Vladimir Myrtezai

Alisa Velaj, si konfigurim i vlerës artistike dhe estetike të poezisë postmoderne shqiptare / Nga Agron Shele, shkrimtar, poet

Alisa Velaj, si konfigurim i vlerës artistike dhe estetike të poezisë postmoderne shqiptare Alisa Velaj, si konfigurim i vlerës artistike dhe estetike të poezisë postmoderne shqiptare – Nga Agron Shele shkrimtar, poet Jemi mësuar ta përfytyrojmë shpirtin poetik si formë … Continue reading