Kur shkruaja Antologjinë e poetëve disidentë / Nga: Maksim Rakipaj


Kur shkruaja Antologjinë e poetëve disidentë

Kur fillova të merrem seriozisht me shqipërime nga poezia botërore, hasja tek-tuk në web edhe ndonjë poet disident antikomunist, sidomos rusë, ndonjë kinez, vietnamez, ukrainas etj. Vendosa t’i mbledh në një libër antologjik. Por më duhej një gjeografi sa më e plotë për një antologji të tillë, që me shumë mundim arrita përgatisja ta botoja në vitin 2019 me titullin “Poetë disidentë” në shtëpinë botuese Jozef të zotit Aurel Kaçulini, në Durrës.
Klikoja në google “poetë disidentë” anglisht, italisht ose frëngjisht…Më dilnin emra që nuk i prisja…Lorca, Neruda, Ricos, etj., (poetë të mëdhej, padyshim, por jo disidentë antikomunistë). Kulmi qe kur fillova kërkimin në italisht dhe google, (mos qeshni, unë uluriva) më sugjeroi…Dritëro Agollin dhe Kadarenë si poetë disidentë! Nejse, ndoshta nuk njihja mirë mjeshtërinë dhe hilet e kërkimit në google dhe ndoqa mënyra të tjera kërkimi, pyesja miq poetë në njihnin emra poetësh disidentë nga bota, etj. Shkurt, nuk qe i lehtë ky lloj hulumtimi. Janë persekutuar poetët në të gjithë ish kampin komunist, por jo kudo njëlloj. Janë burgosur, pushkatuar dhe përndjekur egërsisht poetët dhe shkrimtarët në ish Bashkimin Sovjetik.
Por gjithsesi, edhe në ato kushte të rënda, ata shkruanin dhe botonin madje në shtypin ilegal “samizdat”, si quhej atje. Poetin gjeorgjian Tician Tabidze e vranë duke e shkelur me çizme muzhikët e ÇEKA-s, Gumiljovin e pushkatuan, Mandelshtami vdiq në Siberi, e fundit, në vitin 1982 arrestuan për agjitacion e propagandë poeten Ratushinskaja…dhe lista është mjaft e gjatë.
I egër persekutimi edhe në Kubën e Fidel Kastros, në Vietnam, sigurisht edhe në Kinë, sado që për Kinën të dhënat janë të cunguara. Për Korenë e Veriut s’ka asnjë të dhënë. Një gjë më bëri shumë përshtypje: nuk munda të gjej poetë dhe shkrimtarë të dënuar me burg, se për dënime me vdekje nuk bëhet fjalë) në Poloni, Çekosllovaki, Hungari, Gjermani Lindore, madje as në Rumani e Bullgari, e shumta u hiqej përkohësisht leja e botimit, ose nuk i lejonin të merrnin çmimet jashtë shtetit. Ose i dëbonin nga vendi, u hiqnin shtetësinë. Shkurt, sa më derra injorantë dhe të indoktrinuar të ishin shërbimet e fshehtë në ish Lindjen komuniste, aq më e ashpër qe dhuna ndaj disidentëve.
Por, është e pakrahasueshme dhuna ndaj disidentëve shqiptarë; Trifon Xhagjikën e pushkatuan të vdekur ndoshta, sepse shpirtin ia kishin marrë në tortura; Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin i pushkatuan për poezi që i patën lexuar vetëm ata; Havzi Nelën e varën në vitin 1988…Pa përmendur dhjetra e dhjetra poetë dhe artistë të dënuar me vite të gjatë burgimi.
Vazhdon dhuna ende në Shqipëri. Shumë nga ish gulagët sovjetikë janë kthyer në muze; tek ne po rrënohet Spaçi, Qaf-Bari, nga kampi i Ballshit s’ka mbetur asnjë shenjë, në ish kampin e lemerishëm të Maliqit s’ka asnjë pllakë përkujtimore të paktën. Dhe të mos harrojmë se me kampin e Maliqit nuk krahasohet asnjë kamp përqëndrimi hitlerian. E them me bindje të plotë, ASNJË! Hetuesit, gjykatësit, prokurorët, sigurimsat, recenzentët e veprave të artistëve shqiptarë të dënuar me vdekje ose me burg janë strehuar në SHBA dhe Evropë. Të tjerët jetojnë për bukuri në Shqipëri; janë dekoruar dhe i shohim gjithmonë, si Diana Çuli përshembëll, në kazanin mediatik televiziv të Tiranës që flasin për art, letërsi, demokracinë që e ngritën po ata që punonin për socializmin. Dhe jemi këtu ku jemi. Dhe s’i kam thënë të gjitha.

 

Maksim Rakipaj, 8 qershor 2020

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s