Anila KRUTI (Albania)
International Poetry Meeting Saranda 2020 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2020
Anila Kruti u lind në qytetin e Përmetit. Është diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Ka ushtruar profesionin e saj si mësuese në shkollat e Përmetit. Më pas ka punuar pedagoge për lëndën Letërsi për fëmijë. Ka kryer Master Shkencor për Psikologji Këshillimi. Është autore e tre vëllimeve poetike; “Përtej skajeve me ëndrrën”, “Psherëtima e gjethes”, dhe “Qielli s’pranon arna”, si dhe autore e dy librave për fëmijë; “Udhëtimet fantastike të Armirit”, dhe “Flutura e majit”, i cili është vlerësuar me çmimin “Libri më i mirë për fëmijë”.
Kënga e erës
Kisha mbetur në duart e Zotit
farë e njomë.
Asnjë gisht tokë nuk mu bë kurrë shtëpi.
Kënga e erës më solli mbi kraharorin tënd.
Tani, je toka ime.
Unë në dheun tënd
qershi e çelur…
***
Njëqind vitet e mia jam pemë.
Në çdo jetë timen unë dua pyllin .
Mëngjesin e blertë…barin
burimet gjithë këngë .
Ja ndjej aromën.
Heshtjen , zogjtë. ..
Me siguri kam lindur Zanë.
Mes pemëve kam marrë frymë.
Kam qeshur, kam qarë.
Aty këndova këngët e para.
Mësova përrallën e Kësulkuqes.
Pashë çeljen e pranverës
Marramendje mu bë jeta.
Eca majë gishtash…fluturova nëpër erë .
Në gjithë jetën time..unë dua pyllin.
Është Perëndia ime.
Me buzët e kuqe përqafova një lis.
dhe në muzg , iu fala një bliri
se njeriu nuk më deshi…
STINA IME
Lashë fijen e mendimit nëpër mjegull
tjerrur hollë mbi mollët e fjetura .
Mjegull u bëra në ikjen time.
Një dimër i tërë më ra në krahë.
Zhveshi lëkurën time të vjetër.
Një hënë vjeshte vdiq në pyllin e drerëve .
Vajtuan zogjtë e mi të ikur.
Këngët e ujshme të shiut
zgjuan pyllin.
Ja ,kështu e vetme u zgjova edhe Unë një ditë dimri.
Unë që gjithnjë kam dimëruar me zogjtë
këtë herë zgjodha të eci vetëm në pyllin e drerëve.
Kundrova fushat e bardha me pisha të heshtura.
Ujërat që ngrohnin gojën e dheut.
Zbathur,
mbërrita në pragun e dimrit.
Aty ,midis ullinjve rashë në krahët e tu .
Tani, hënë e gjallë
dimëroj
Aty…
Antologji e takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020