Sadik BEJKO (Albania) – Poetë të takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020

 
Sadik BEJKO (Albania)
 
International Poetry Meeting Saranda 2020 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2020
 
Ka lindur në fshatin Komar Tepelenë, më 1943. Kreu Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjecar, Tiranë 1964-1966 dhe më von kreu Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë Letërsi.
Ka punuar mësues letërsie në rrethet Tepelenë, Berat, Gjirokastër, redaktor poezie në RTSH, Tiranë (1971-74), minator qymyrguri në Memaliaj. Kritikohet për shfaqje liberale si poet dhe si redaktor i poezisë në festivalin e 11-të, 1972. Për këtë dërgohet “ për riedukim nëpërmjet punës” (1974-1979). Libretist teatri Gjirokastër, deputet në Kuvendin e Shqipërisë (1992-96), pedagog i Letërsisë Shqipe dhe i Historisë së Qytetërimit në Universitetin “Eqrem Çabej” Gjirokastër dhe në Universitetin e Tiranës. Shkruan poezi dhe që nga viti 1965.
Ka botuar dhjetë libra me poezi, Ka përkthyer në shqip vëllimin poetik “Lulekumbullat”, të Konfucit. Ka botuar disa libra me prozë, me publicistikë dhe me ese, si : Sytë e gështenjave të egra (roman) 20011, Qytetërime të mëdha (tekst universitar) 2006, Vilsoni dhe Genci, (monografi botim i vepres Blloshmi dhe Leka) 2006, (Ky libër njeh disa ribotime), Përtej një apokalipsi, 1998 (monografi), Disidentët e rremë, ese (2007).
Ka dy skenarë për filma dokumentarë, “Luani i Janinës”, me regjisor K. Gjonaj dhe “Kur vriteshin poetët” me regjisor N Ajazi (bashkëautor).
Si poet ka marrë çmimin kombëtar (Penda e Argjendtë, 1998) dhe çmime të tjera rajonale. Poezitë e tij janë të përkthyera në anglisht, japonisht, greqisht, rumanisht, serbokroatisht, maqedonisht, suedisht. Gjithashtu poezia e tij është nderuar me shumë çmime në takimet poetike të mbarë hapësirës shqiptare.
Ka botuar studime dhe parathënie për shkrimtarë si : De Rada, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, N. Kacalidha, B Shehu, A. Podrimja, Vath Koreshi, Lefter Cipa etj. Si doktor në letërsi ka ligjëruar në shumë konferenca shkencore si në Kalabri, Shkup, Prishtinë, Tetovë. Ka dhënë Letërsinë shqipe të Pavarësisë (një semestër 2006) në katedrën e letërsisë shqipe pranë Universitetit « Shën Cirili dhe Metodi » në Shkup.
Është sekretar i përgjithshëm i PEN-it shqiptar. Në konferencat e në Kongreset e PEN International ka recituar poezi, ka mbajtur ligjërata që janë botuar në organet përkatëse të PEN, në shumë vende të Europës. Poezia e tij përfaqësohet në disa antologji në Shqipëri, Japoni, Mali i Zi, Rumani, Suedi. Ka në proces botimi libra me ese e studime.. Ka botuar në shtypin e përditshëm me qindra ese, intervista, polemika, vështrime politike, publicistkë të karakterit kulturor etj.
 
 
***
 
Mikja, zemra ime, ku je?
Ku jemi ne? Të kam menduar,
Po të shkruaj nën Pandemi
Mos jemi avulluar. Të sëmurë,
bërë si retë e tjerrura brigjeve,
të padukshëm për cilindo tani.
Dikur, harruar vetes, u dhuruam te kohërat tona.
Te ato që shkuan e vanë,
kohëra që gjaku
u shterrte në atë që quhej “atdhe”.
U blatuam nga ç’ish vetja jonë.
Tash kocka.
Nuk na njeh njeri.
Tash atdheu na qenkej tjetër.
Dhe kuptime, jetë na janë tjetër.
Vetja, e vockëla, ish vetja jonë ku mbeti?
Ku.. ku ndodhet ajo ish “e bukura” jonë?
Kush? Pyet kush?
Kush do të dijë për të tani?
Mikja ime, (ku je?) M’u zgjove
Të kërkova nën Pandemi.
 
 
 
BABAI NË MBRËMJE
 
Mbrëmja ha tinëz. Tej kafshon qafa malesh,
korijet, varganin e kodrave, udhët
dhe drurë që ende udhëtojnë
edhe tej dhëmbëve në grykë ujku të murrët.
Pemë kopshti tre metra më tej nxjerrin tym,
në pahun e tij mbështillen, që të mashtrohet mbrëmja.
Kështu një njeri lë mjekërr e pandeh se ti nuk e sheh,
të shkon para sysh si i kycur,
si dera e mbyllur nga brenda.
Babai im plak nga larg më dërgon zërin
në telefon e fshihet tej nën linjat e hirta.
Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim
nëpër fijet e flokëve të mi
gjer te rrënjët e thinjëta?
Më bën lojën e pemëve ky plak,
Të pemëve që kujtojnë se zhduken në muzg
teksa mbështillen nga pak me natë.
 
 
 
 
ZHGËNJIMI I KRISHTIT
 
Me një thes në arna ajri,
thes me aq nyje, sa dhe fantazma,
doli në rrugë të bëjë mrekulli
Krishti i ulur nga parajsa.
Krisht në rrugë të pluhurta, të thara,
pa gishta që verbimin prekin,
e bëjnë sy në zgavra.
Krisht pa duar Madalene
ujit të këmbëve
t’u japë shenjtërinë e reve.
Krisht që nuk zë peshk
në formën e bukës
e në formën e peshkut nuk vë mish
si në zbrazëti konserve.
Krisht pa thuprën e blertë
që nga një vesh në tjetrin
vë ajër dëgjimi
në shurdhmemeca –
shkurt, një Krisht pa kompetenca.
Krishti u end për vëllazëri,
… për fajësi të vetes:
thesi i halleve të botës, i madh,
s’shërohej me fëshfërima gjethesh.
Në sup i rëndonte gur
e vetes fantazma,
u tret, u bë arnë ndër arna.
S’do të kthehej më në qiell.
Te udhëkryqi i parë u shtri,
Në arna vuri pak diell.
Në trup së gjalli
iu mblodhën milingona:
Thanë: Krisht nën këmbët tona.
 
 

Antologji e takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s