DRITË NË SHTJELLËN E GËRBULËS, TË SHPIRTIT NJERËZOR. / Nga : (Hamdi) Erjon Muça

 

DRITË NË SHTJELLËN E GËRBULËS, TË SHPIRTIT NJERËZOR.

 

 

erjon

Nga : (Hamdi) Erjon Muça

 

Duke lundruar në Google, hasa në një statistikë, që nëse është e vërtetë, tregon realisht thelbin e shpirtit njerëzor: të paktën për 3500 vjet vetëm 8% të kësaj kohe, njerëzimi e ka kaluar në paqe.

Kjo është tronditëse!  Mesa duket, njeriu, udhëtimin e vet të evolucionit e ka përshkuar nën “himnin” e urrejtjes dhe të dhunës. E dhuna e urrejtjes ka qenë e ndryshme në faza të ndryshme. Ka pasur dhunë e urrejtje klasore, racore, fetare e etnike. Megjithatë, në tërë këtë katrahurë urrejtje e gjaku, ka pasur në çdo kohë njerëz që kanë dalë mbi urrejtjen, për t’i treguar njerëzimit që ka edhe një mënyrë tjetër për të jetuar, që nuk është dhuna, por dashuria.

Nuk dua t’i përmend të gjithë ata një e nga një, jo se nuk i njoh, por  nuk dua të zgjatem me fakte, të njohura për të gjithë. Në këtë shkrim do merrem me Nënën Tereze dhe me romanin  “Dritë në shtjellën e gërbulës” të profesor Anton Nikë Berishës. Një libër që përpos anës letrare mbart edhe vlera të paçmueshme njerëzore.

 

anton nike berisha foto

Prof. Anton Nikë Berisha

 

Letrarisht as që do të pretendoja të merresha me zbërthimin e romanit të Anton Nikë Berishës, por mënyra se si ai e shkroi këtë libër të shtyn të mendosh gjatë. Autori e nis rrëfimin qetë, ëmbël, thuajse nuk është ai që rrëfen, por vetë shenjtorja. Ka dhimbje në gjuhën që profesori përdor, ka dashuri, dhembshuri, meditim të brendshëm ka mbi të gjitha përulësi.

Edhe ai, si vetë shenjtorja, i përulet kësaj force të madhe, që mua më pëlqen ta quaj dashuri.

Nuk e di se sa njerëz mund ta kenë lexuar këtë libër që unë do e cilësoja të domosdoshëm jo vetëm si vlerë letrare. Mendoj se edhe në mes të këtyre do ketë pasur edhe njerëz që kanë menduar se Anton Nikë Berisha ka zgjedhur një personazh të thjeshtë për librin e vet. Një nga ata personazhe që ndihmojnë në shitjen e librit. Pasi për pafytyrësi ne shqiptarët jemi të rrallë, e kur flitet për Skënderbeun, Nënën Tereze e ku ta di unë kë tjetër, ne vrapojmë t’i blejmë librat, megjithëse në shumicën e rasteve ato mbeten në bibliotekë, si grumbullues pluhuri.

Për mua Berisha ka gjetur një personazh tejet të vështirë. Pasi kushdo që lexon  “Dritë në Shtjellën e gërbulës”, e harron shkrimtarin e këtij libri, e nis e merret vetëm me Nënën Tereze. Madje edhe unë vetë vetëm pasi e mbarova së lexuari romanin u kujtova se kisha në dorë një vepër letrare dhe jo një jetëshkrim. Fajtor për këtë është vetë profesor Antoni! Mënyra se si ai shkruan, përshkruan, përjeton dhe përcjell dhimbjen e madhe njerëzore, kundër të cilës Nëna Tereze përdori dashurinë, kundra përbuzjes dashurinë, kundra urrejtjes dashurinë, kundra braktisjes, dashurinë njerëzore, sublime dhe hyjnore.

Nuk është lehtë të shkruash për këtë libër; edhe unë u hutova në shtjellën e dritës që përhap ky libër dhe që për mua Anton Nikë Berisha, ka arritur ta ndërtojë në mënyrë të mrekullueshme. Dituria liturgjike madje dhe ngrohtësia shpirtërore, që njerëz si Anton Nikë Berisha e kanë në shpirt, e shtyn lexuesin në një tundim të fortë mendimi.

Autori e ka titulluar romanin “Dritë në shtjellën e gërbulës”, ndërsa unë do t’i shtoja – të shpirtit njerëzor. Meqenëse profesor Antoni mundohet vetëm të ndriçojë dhimbjen që mund t’i shkaktojë njeriu shpirtit të vet dhe të tjerëve, ashtu siç kur njeriu do, mund të mbushë me dritë edhe shpirtrat më të përvuajtur.

Mendoj se jo kushdo do të mund ta shkruante këtë libër për arsye se jo të gjitha qeniet njerëzore arrijnë ta ndjejnë dashurinë në këtë mënyrë. Ashtu siç ka njerëz që janë të prirë të dhurojnë dashuri të pakufishme, ka edhe njerëz që arrijnë të përshkruajnë në mënyrë të mrekullueshme, se si kjo dashuri i përshkon qeniet njerëzore.

Rëndësia dhe domosdoshmëria e leximit të këtij romani qëndron tek mesazhi aktual që ai përçon. Për mua ky mesazh i pafund mund të përmblidhet edhe me një fjali të vetëm: Jeto dhe dashuro çdo minutë dhe duaje çdo qenie njerëzore, që shfaqet në jetën tënde, afër ose larg teje. Jeta është tepër e shkurtër për kaluar duke urryer e duke u ankuar.

Vetëm njerëzit me altruizëm të madh mund ta ndjejnë dhe ta përçojnë një ndjenjë të tillë. Të tjerët kalojnë jetën duke u ankuar  për gjithçka, nga këpucët që u shtrëngojnë pak këmbët e deri tek kafeja që nuk ishte pjekur në pikën e duhur!

Unë u mundova mjaft për të mos e ngatërruar autorin, Anton Nikë Berishën me shenjtoren e madhe, megjithëse mund të them se vështirë ia arrita. Ja arrita vetëm falë librit Dritë në shtjellën e gërbule. Nuk është një nga paradokset e mia të shumta. Është tepër e vërtetë ajo që shkrova më sipër që lexuesi nis e ngatërron shkruesin me personazhin që në faqet e para të librit, por nëse je lexues i vëmendshëm arrin të  ndahesh nga hutimi fillestar në një pjesë të librit.

Janë  dy letrat, letra e nënës Terezë dhe e vajzës fatkeqe të cilën shejntorja kërkon me çdo kusht ta shpëtojë. Në këto dy letra është përmbledhur përplasja e botëve. Jo ajo përplasja naive e të mirës dhe të keqes, por dritës së shpresës dhe e errësirës së dëshpërimit.

Ai i forcës së dëshpërimit. Të asaj force që është e gatshme të shkatërrojë gjithë botën. E përballë sajë forca e dashurisë njerëzore që me ndihmën e dashurisë hyjnore dhe mësimeve të liturgjisë lufton që forcën shkatërruese ta kthejë në forcë rimëkëmbëse.

Në momentet më të errëta besimi duhet të jetë më i fortë: duket sikur thotë letra e nënës Terezë. Këto dy letra kanë përmbledhur me fjalë imazhin e dritës së diellit kur nis e ndriçon botën e përfshirë nga terri.

Rreth librit Dritë në shtjellën e gërbules pata edhe një debat me një mik, i cili e ka lexuar librin e profesor Antonit.

Ai më tha se tek letra e vajzës fatkeqe, ai ka parë Antonin, të plotë me të gjithë bagazhin e mëdyshjeve njerëzore, kurse tek pjesët e tjera ai ka qenë paksa në hije, dhe duke u stërmunduar për të qëndruar në krah të nënës Terezë. Kurse për mua i gjithë libri është shkruar me një rrjedhshmëri të natyrshme. I përshkuar fund e krye nga ndjenja e dashurisë, si nga një fashë drite e cila mbledh me ngrohtësi të gjithë trupat e mbështjellë nga errësira.

 

Nëntor 2014

Pisa Itali

Në vend të polemikës : KUR NUK KUPTOHET AS TITULLI I STUDIMIT! (Disa fjalë për shkrimin e Nuhi Ismajlit “Vepra që konteston Gjon Buzukun”, botuar në gazetën “Epoka e re”, e shtunë 25 tetor 2014, f. 16 – 17. ) / Nga : Prof. Anton Nikë Berisha

      Në vend të polemikës :   KUR NUK KUPTOHET AS TITULLI I STUDIMIT!   (Disa fjalë për shkrimin e Nuhi Ismajlit “Vepra që konteston Gjon Buzukun”, botuar në gazetën “Epoka e re”, e shtunë 25 tetor 2014, f. … Continue reading