Në vend të polemikës : KUR NUK KUPTOHET AS TITULLI I STUDIMIT! (Disa fjalë për shkrimin e Nuhi Ismajlit “Vepra që konteston Gjon Buzukun”, botuar në gazetën “Epoka e re”, e shtunë 25 tetor 2014, f. 16 – 17. ) / Nga : Prof. Anton Nikë Berisha

656X37355715shala

 

 

Ballina_MESHARI1 (2)

 

Në vend të polemikës : 

 KUR NUK KUPTOHET AS TITULLI I STUDIMIT!

 

(Disa fjalë për shkrimin e Nuhi Ismajlit “Vepra që konteston Gjon Buzukun”, botuar në gazetën “Epoka e re”, e shtunë 25 tetor 2014, f. 16 – 17. )

 

 

anton nike berisha foto

 

Nga : Prof. Anton Nikë Berisha

Kozencë, nëntor 2014

 

 

Në shkrimin e vet “Vepra që konteston Gjon Buzukun” Nuhi Ismajli merr në vështrim studimin tim “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku, të botuar sivjet në Prishtinë nga Faik Konica (dhe në Kozencë nga Comet Editor Press).

Është e drejtë e secilit që të shkruajë e të vlerësojë veprat e të tjerëve, qoftë për të ndriçuar vlerat ose për të theksuar mangësitë dhe lëshimet. Megjithatë, kur dikush vendos të vlerësojë e të gjykojë veprën e tjetrit, është e nevojshme që shkrimi të dëshmojë se autori e njeh, qoftë edhe në një rrafsh të përvuajtur, lëndën – materien për të cilën shkruan dhe shfaq mendimet e veta. Përndryshe, siç thuhet, punët i merr lumi.

Së pari e falënderoj Nuhi Ismajlin që e lexoi studimin tim kushtuar veprës së parë të botuar në gjuhën tonë që njohim deri më sot – “Mesharin” e Gjon Bdek Buzukut dhe bëri një shkrim për të.

Duke e lexuar me kujdes shkrimin e Nuhi Ismajlit u binda se ai nuk e lexoi me vëmendje studimin tim “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku dhe se e vlerësoi atë pa e njohur mirëfilli veprën e Buzukut dhe as një pjesë, qoftë dhe të vogël, të studimeve kushtuar asaj. Së paku të kishte lexuar me vëmendje mendimet e autorëve më të shquar që janë marrë me veprën e Buzukut, që unë i citoj në studim, ku kam sjellë mendimet më qenësore për këtë vepër, të shoqëruara me mbi 100 fusnota (prej gjithsej 205 sa janë në studim). Nuhi Ismajli 8  (tetë) herë thekson se disa nga dukuritë që i kam trajtuar unë i paskëshin trajtuar para meje të tjerët. Nuk e di se a i ka lexuar ai mendimet e të tjerëve që bëjnë bazën e studimit tim dhe nuk e di se i ka parë fusnotat me faqet dhe burimet përkatëse nga janë marrë ato tekste (edhe tekste të përkthyera nga italishtja që sillen për herën e parë në shqip)?

Në studimin tim unë jo vetëm që nuk e kontestoj Gjon Buzukun e veprën e tij, po duke filluar nga titulli (që e kam vënë me qëllim ashtu) e deri në fjalinë e fundit dëshmoj të kundërtën – e ngrit Buzukun si autor – shtjellues i lëndës së përfshirë në veprën “Meshari” dhe ndriçoj disa përbërës dhe vlera që dëshmojnë se Buzuku nuk ishte vetëm përkthyes i veprës së njohur me titullin “Meshari”, po dhe autorë i disa pjesëve origjinale të përfshira – botuara në të dhe se ishte zgjedhës – shtjellues i lëndës së teksteve përkatëse të marra nga Bibla dhe literatura përkatëse liturgjike. Pos të tjerash kam shqyrtuar edhe përkthimin e Psalmit 130, që në veprën e Buzukut botohet në tri variante përkthimi. Nga krahasimi i vëmendshëm vërehen ndryshime të dukshme, edhe në leksik, mes teksteve të përkthyera.

Unë nuk e kam thënë e as që më ka shkuar ndonjëherë në mendje se “Meshari” është vepër origjinale e Buzukut. Kush mendon kështu nuk ka lexuar qoftë dhe një faqe të veprës së Buzukut e as nuk i njeh tekstet që janë përfshirë në të, ku në shumicën e rasteve janë dhënë burimet nga janë marrë ato, fjala vjen, pjesë nga Libri i Izaisë, pjesë të Psalmeve, të Këngës së këngëve (nga Bibla e Vjetër) ose pjesët nga ungjijtë ose nga letrat e Shën Palit (nga Bibla e Re) etj. E kam thënë në studimin tim se në librin “Meshari” ruhet një drejtpeshim i pazakonshëm i teksteve të marra nga Besëlidhja e Vjetër e nga Besëlidhja e Re.

Nuk e shoh të udhës të merrem me vlerësimet e Nuhi Ismajlit për studimin tim kushtuar veprës së Buzukut, me “kundërthëniet” që i paskësh vërejtur ai në të, ose “një kaos mendimesh” për arsye se ato mbesin vetëm pohime, pra nuk argumentohen dhe nuk prekin qenësinë e kërkimeve të mia dhe argumentimet që kam sjell në studimin tim.

Megjithatë, po veçoj disa mendime të shkrimit të tij, që tregojnë për rrafshin dhe natyrën e vetë shkrimit, përkatësisht dëshmojnë në mënyrë të qartë sa autori i njeh çështjet për të cilat shkruan.

Nuhi Imajli thotë se studimit tim i prin një Parathënie, edhe pse atij i prin Fjala paraprake. Mos kjo është “rrëshqitje” e rastit e leximit dhe e përqendrimit? Po ashtu ai shkruan se në fund të studimit tim për veprën e Buzukut është një recension i shkruar nga prof. dr. Zeqirja Neziri. Nëse Nuhi Ismajli nuk di (nuk është në gjendje) të bëjë dallimin midis recensionit dhe pasthënies, atëherë nuk duhet të merret me çështje që kërkojnë shumë më tepër dije.

Të shkruash: “Kështu, p.sh. sipas tij (A. N. Berishës – v. ime) Buzuku nuk është autor i vetëm i teksteve të veprës së tij” dhe “ndërhyrja e autorit (Buzukut – v. ime) në tekstet që përkthen dhe praktika e përthimit të lirë”, domethënë t’i ngatërrosh punët kryesore të veprës së Buzukut dhe të mos kesh lexuar asnjë punim të mirëfilltë kushtuar kësaj vepre.

Në studimin tim në asnjë vend s’kam bërë fjalë për prirjet krijuese të Buzukut e për origjinalitetin krijues të tij si autor. Kjo çështje nuk ka qenë objekt i studimit tim. Kam argumentuar me disa përbërës se ai është hartues – shtjellues i veprës së njohur me emrin “Meshari”, siç ndodh me zgjedhjen ose antologjitë e llojeve të ndryshme dhe i kam sjellë në formë të vargjeve katër poezitë e tij.

Nuhi Ismajli në shkrimin e vet thotë “askush nuk mund të mohojë edhe faktin se vepra e Buzukut është edhe vepër e përkthyer”. Kush thotë këtë mendim për “Mesharin” e Buzukut nuk njeh as shkronjën e parë të kësaj vepre e as të studimeve të deritashme që janë bërë për të, natyrisht as që e ka kuptuar qenësinë e studimit tim.

E të njëjtit rrafsh dhe “vlerë” është edhe pohimi i Nuhiut rreth Psalmit 130 dhe tri varianteve të përkthimeve, që unë i kam krahasuar: “duhet të pranojmë (autori gjithnjë flet në shumës!) edhe mundësinë e krijimit të të tri varianteve të ndryshme prej atij vetë (prej Buzukut – v. ime), siç ndodh zakonisht me krijuesit e ndryshëm” dhe “Kështu variantet e Ps. 130 në veprën e Buzukut janë si variante të krijimeve të çdo krijuesi”.

Me këto dy mendime autori i shkrimit “Vepra që konteston Gjon Buzukun” ka dëshmuar se jo vetëm nuk njeh as në mënyrë më të përvuajtur Biblën dhe qenësinë e psalmeve, po ngatërron dhe gjërat themelore të “Mesharit”. Buzuku (e jo vetëm ai) nuk shkroi psalme dhe ato nuk mund të jenë krijime të Buzukut, as më pak Psalmi 130 në formën që botohet në veprën e tij.

Nuhi Ismajli shkruan: “Po kështu A. N. Berisha duke interpretuar Pasthënien, siç thotë në dritën e Psalmit 130 (f. 9), i mohon Buzukut autorësinë dhe veprën e tij e konsideron vepër të disa autorëve, ndërkaq, siç u theksua edhe më sipër, vetë Buzuku në Pasthënie dëshmon të kundërtën, se është autor i vetëm i veprës së tij”.

Nuhiu nuk di të bëjë dallimin kur flet për veprën e Buzukut si “vepër të disa autorëve” (sic!) dhe “është autor i vetëm i veprës së tij” (sic!) dhe të kuptojë mundësinë që në veprën “Meshari” Buzuku të ketë përfshirë edhe përkthimin e ndonjë autori tjetër.

Edhe atyre që kanë lexuar pak gjëra për veprën e Buzukut edhe ky mendim i Nuhiut do t’iu mjaftonte të sillnin përfundimin se njohuria e tij për veprën e parë të botuar në gjuhën tonë (e jo vetëm për të) është e rrafshit të ulët. Buzuku në asnjë vend nuk thotë se është autor i veprës, po flet për botimin e saj. Nëse i ngatërrojmë edhe këto dy çështje krejt të ndryshme, atëherë nuk të mbetet gjë të mos thuash për veprën e Buzukut.

Se njëmend Nuhi Ismajli i ka bërë një lexim sa për sy e faqe dhe se as gjërat themelore nuk ka mund t’i dallojë në tekstin e studimit tim, dëshmon edhe ky mendim i tij: “Në veprën ‘Meshari’ – vepër…”, të A. N. Berishës ka edhe shumë çështje të tjera të papeshuara mirë, si edhe pohimi se ‘Po botojmë për herë të parë, tekstet e plota të katër poezive origjinale të Gjon Buzukut’ (f. 46), pohim ky sikur të ishte fjala për poezi të panjohura e të pabotuara më parë”.

I dashur Nuhi, po ky është mendim i studiuesit Moikom Zeqo, që përcillet edhe me variantet e katër poezive të tejshkruara nga ai në gjuhën tonë standarde. Çështja e citimit të mendimeve në thonjëza është dukuri që mësohet në shkollën fillore! Të merresh me punë të ndërliqshme sikur është vepra e Buzukut, “Meshari”, është punë e rrafshit tjetër dhe kërkon shumë më tepër dije e përkushtim sesa dukuritë e rëndomta sikur funksioni i thonjzave. Nëse Nuhi Ismajli në shkrimin e vet nuk është në gjendje të dallojë (ose nuk di) edhe një çështje të tillë të thjeshtë, atëherë s’kam asnjë arsye t’u kushtoj më tej kujdes pohimeve të tij.

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s