Pedro Salinas
Kalendari poetik: Pedro Salinas (1891-1951)
U lind më 27 nëntor 1891 poeti i njohur spanjoll, pjestar i të ashtuquajturit “brezi i vitit 1927” dhe përfaqëson më së miri atë grup “poetësh-profesorë”. Qe jo vetëm njohës i thellë i letërsisë spanjolle dhe asaj evropiane, jo vetëm profesor universiteti dhe kritik arti, por edhe shkroi shumë poezi, romane dhe drama. Përkthyes i talentuar, sidomos nga frëngjishtja (në vitet 1914-17 pati dhënë leksione në universitetin e Sorbonës).
Në prag të luftës civile spanjolle pati një ftesë nga universiteti amerikan Wellesley College për të dhënë një seri leksionesh. Nuk u kthye më në Spanjë. Jetoi dhe punoi në SHBA nëpër universitete të ndryshëm deri sa vdiq më 4 dhjetor 1951 në Boston. Sipas dëshirës së tij, u varros në Porto Riko.
Ja një shqipërim në 135 vjetorin lindjes nga poezia e Salinas:
SI DO DETI UJËT TË DUA
Tani të dua
si deti ujët e tij do:
nga jashtë, nga lart,
pa rreshtur së bëri
me të stuhi, arrati,
strehim, pushim, qetësim.
Ç’dalldi të të duash ty!
Ç’ngazëllim dallgësh të larta,
ç’zali shkumbëzimesh
shkojnë e vinë! Larmi
trajtash, bëhen, zhbëhen,
flokëshpupurisur në galop.
Por pas kreshpërimit të tyre
një ëndërr ëndërron
më të thellën mënyrë
të dashuruari, që vjen më pas:
të mos lëvizësh më,
të rreshtësh këtë rendje pa fund,
para, mbrapa, prej qiejve
në humnera dhe më në fund
ndalesën të gjesh, lulen pa vjeshtë
e të bërit dashuri qetë, qetë.
© shqipëroi Maksim Rakipaj



























Leave a Reply