Mario Llosa: Për Shqipërinë që nuk njeh Uma Thurman ( Shqipëria e scoop-it dhe e romaneve të Kadaresë ) / Përktheu : Bajram Karabolli

 

mario llosa vargas

Mario Llosa: Për Shqipërinë që nuk njeh Uma Thurman

Shqipëria e scoop-it dhe e romaneve të Kadaresë

 

Përktheu : Bajram Karabolli

 

Shqipëria shpesh është paragjykuar nga të huajt që kanë pretenduar se e njihnin vendin e shqiponjave edhe pa shkelur kurrë, vetëm sepse kishin lexuar rreth saj në gazeta apo kishin ndjekur kronikat televizive. Por të njohësh Shqipërinë përmes romaneve të Ismail Kadaresë, siç e ka njohur fituesi i çmimit” Nobel”, Mario Vargas Llosa, mendimi që krijohet për Shqipërinë asesi nuk përkon me atë të scoop-it (skupit) gazetaresk.

Dy njohje të ndryshme duket se kanë patur shkrimtari i’ Nobelit’, Mario Vargas Llosa, dhe aktorja “djallushkë” në dukje Uma Thurman, kur fati i bashkoi në jurinë e Festivalit të Venecias. Si për ironi të fatit, Italia prezantohej në këtë festival me filmin “L’America” të Xhani Amelios, një film i debatuar më së shumti për qasjen e regjisorit në prezantimin e Shqipërisë si një vend makthesh, i populluar nga turma njerëzish të pazhvilluar, që lypin ose vjedhin, sesa për filmin e dobët.

Debati i nxehtë mes shkrimtarit dhe aktores ka ngacmuar shkrimtarin për t’i bërë një analizë të thellë Shqipërisë së vitit 1997, ku, sipas tij, tragjedia e “vendit të lashtë të shqiponjave” nuk filloi me mashtrimin e firmave piramidale. “Ajo që shohim tani nuk është veçse plasja e qelbit të një lunge të krijuar gjatë dekadave të despotizmit dhe shtypjes së egër”- thotë Llosa

 

Debati mbi Shqipërinë mes shkrimtarit Mario Vargas Llosa dhe aktores Uma Thurman në Festivalin e Venecias, ku Italia përfaqësohej me filmin “L’Amerika” të Xhani Amelios

 

Mario Vargas Llosa / El Pais, 1997

 

Për Shqipërinë, vend ku nuk kam shkelur ndonjëherë, por që e njoh nga romanet e mira të Ismail Kadaresë, kam pasur një nga diskutimet më të nxehta që mbaj mend. Kundërshtari im ishte një djallushkë femër, në dukje, që quhej Uma Thurman, suedeze me origjinë dhe artiste me profesion, me një siluetë si shufër dhe me flokë të rimtë, me të cilën, për kënaqësi të syve të mi dhe tmerr të shijeve e bindjeve të mia, para dy vjetësh u bëmë bashkë në jurinë e Festivalit të Kinemasë të Venecias.

Duke përdorur mjetet e pafundme bindëse (inteligjencën, qarjen, joshjen, shantazhin, frikën, lutjen) dhe një aftësi për intrigë të denjë, si ajo e Makiavelit dhe Rastnjakut bashkë, ajo ia arriti që t’i jepte çmimin special të konkursit filmit të tmerrshëm “Natural born Killers” (Vrasës të lindur) të demagogut Oliver Stone, dhe të futë në listën e fitimtarëve filmin “L’America”, të italianit Amelio, film që e tregon Shqipërinë si një vend makthesh, i populluar nga turma njerëzish të pazhvilluar, që lypin ose vjedhin, grumbuj njerëzish – larva të shushatur nga uria dhe kotësia.

Jam i sigurt se ata që nuk e njohin Shqipërinë, si dhe unë, dhe që shohin këtë film, kanë për të besuar se është një film profetik, sepse në një vend të ngjashëm dhe me njerëz të tillë, tmerret që po ndodhin këto ditë, në një farë mënyre duhet të ndodhnin, shpejt apo vonë. Si ato që ndodhën në Ruandë, Burundi apo Haiti.
Megjithatë, e vërteta është se shpërbërja e përgjithësuar dhe kaosi shoqëror e politik që ka pushtuar Shqipërinë, për të merituar ato keqardhje të këndshme ose befasi të frikshme që dëgjojmë dhe lexojmë përditë në mediat e vendeve të civilizuara, në vend të flitet për tragjedinë shqiptare sikur të flasësh nga hëna, do të ishte mirë ta na e ilustronin për shkak të mosnjohjes tonë, dhe të na hapnin sytë në lidhje me filmin tepër të dobët, mbi të cilin mbështetet moderniteti, progresi, kultura demokratike në shoqëritë e zhvilluara.

Ashtu si edhe në ish-Jugosllavinë, kriza e Shqipërisë tregon se, ndërkohë që hyrja në civilizim është e gjatë dhe e vështirë, rënia në barbari është mjaft e lehtë, një rrezik kundër të cilit nuk ka ilaç përfundimtar.
Një nga shpjegimet më absurde mbi shkërmoqjen e rendit në Shqipëri, është se fajin e paska “kapitalizmi”, apo, siç preferon gjuha e pakuptueshme e mirëmenduar, “ultra-liberalizmi” që ish-kardiologu dhe presidenti Sali Berisha u përpoq ta fuse me forcë për të kënaqur zotërit e tij perëndimorë (kryesisht Shtetet e Bashkuara, të cilët e paskan trajtuan me shumë mirëdashje, në krahasim me rivalët e tij politikë, që kur u shpall antikomunist).

E vërteta është krejt ndryshe. Gjysmë shekulli despotizëm stalinist që vuajti shoqëria shqiptare, e sterilizoi në atë mënyrë jetën shoqërore dhe ekonomike, aty funksionoi vetëm jeta e dhunshme dhe policore, sa asnjë institucion nuk mund të hidhte dot rrënjët paskëtaj, kur diktatura u shemb. Ajo u shemb por, atje lart, nuk u zhduk: si unazat e gjarprit që i pret kokën, vazhdoi të godasë me metodat e zakonet e saj dhe një numër i mirë korifenjsh e përfituesish, me një makiazh të lehtë reformisti, ruajtën pushtetin e tyre edhe në demokracinë e brishtë që erdhi për ta zëvendësuar atë diktaturë.

Në të vërtetë, bëhej fjalë për një farsë të pastër. Njësoj si në Rusi dhe për të njëjtat arsye, dobësia apo pazotësia absolute e institucioneve civile, veçanërisht ajo e drejtësisë dhe e gjykatave, u la fushë të lirë veprimi perandorisë së mafiozëve, bandave të kriminelëve të kryesuar nga ish-sigurimsat dhe burokratët e regjimit komunist, të cilët morën në dorë administrimin e ndërmarrjeve (ose më mirë për t’i asgjësuar ato), për t’i shitur apo privatizuar, madje ata u pajisën me pasaporta dhe viza për të qarkulluar mall lirshëm.

Po bën, pak a shumë, një vit që pati një dokumentar të mrekullueshëm mbi këtë temë nga BBC, i cili me dëshmitarë interesantë tregonte se si industria e narkotrafikut kishte krijuar filialet e veta në Shqipëri me siguri të plotë mosdënimi.

Dhuna e ashpër u bë e vetmja formë e ligjshme, dhe korrupsioni u shtri në të gjitha nivelet e shoqërisë, si skena kryesore e mbijetesës.
Në këto kushte, në Amerikën Latine, ushtria nxjerr tanket në rrugë dhe merr pushtetin. Por, në vende si Shqipëria (ose Rusia, për rastin), anoreksia ekonomike që rezulton për disa dekada centralizmi, etatizmi dhe planifikimi, është aq e thellë sa edhe institucionet e privilegjuara, si Forcat e Armatosura, nuk ngrihen dot në këmbë nga rraskapitja dhe rrënimi i plotë ku janë katandisur, madje nuk kanë më as shpirtin dhe as reflekset e domosdoshme për të bërë një Grusht Shteti. Lehtësia me të cilën turma e dalldisur sulmoi kazermat dhe komisariatet në Tiranë, Durrës, Shkodër e vende të tjera dhe rrëmbeu të paktën 300 000 pushkë, është tepër kuptimplote për moralin që sundonte në shtresën ushtarake. Prandaj, është e mundur të pohohet se, në disa qendra, vetë oficerët e nxitën bastisjen, për të fshehur trafikun me armë dhe municione, i cili kishte kohë që ishte bërë burim kryesor jetese për ushtarakët.
Në këtë kontekst varfërie ekonomike, pavendosmërie politike, zbrazësie institucionale dhe pasigurie kolektive, rezulton shumë e lehtë që njeriu të besojë në mrekullinë, siç ishin “firmat piramidale”. Është interesante se ky lloj mashtrimi përsëritet herë pas here në vendet e varfra ose në kohë krizash dhe, megjithatë, jo vetëm që askush nuk vë mend, por mijëra apo miliona të pafajshëm bien përsëri pre e këtij kurthi. Kjo është vërtet absurde, deri qesharake.

Një bankë ose një financier ofron interesa tepër të larta dhe me një afat të shkurtër për kursimet e klientëve të vet, dhe investitorët e parë, në fakt, vazhdojnë të përfitojnë, sajim që qëndron në këmbë vetëm po të vazhdojnë depozitimet e klientëve të rinj. Në momentin që numri i tyre bie apo rritet alarmi dhe fillon tërheqja e klientëve, atëherë skema shembet: mashtruesit zhduken dhe viktimat ngelen me gisht në gojë. Ky lloj mashtrimi është shumë i hershëm, por, me sa duket, e reja në këtë rast është se një vend i tërë pati aq shpresa sa e la veten të mashtrohet me një mendjelehtësi të padëgjuar më, duke bërë që të pasurohen mashtruesit me kursimet e tyre të varfra pa kurrfarë mundimi.

Por nuk duhet kështu, dhe as nuk është mirë të jetë kështu. Në qoftë se pasuria bie nga qielli dhe nuk vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme, krijon zakone të liga dhe nuk të përgatit për të përballuar vështirësitë dhe fatkeqësitë. Kështu për shembull, ari i zi që ka mbytur nëntokën e Venezuelës, i ka sjellë asaj më shumë fatkeqësi sesa mirëqenie.

Mirëqenia që vjen nga aftësia dhe përpjekja është një mijë herë më e mirë nga mirëqenia që vjen aksidentalisht, nga lotaria apo mrekullia, sepse vetëm e para ka mundësi të zgjatë dhe të shtohet, siç e kërkojnë rrethanat.
Ndoshta duhet thënë e njëjta gjë edhe për demokracinë, këtë sistem që, me gjithë defektet e veta, është sistemi që na mbron më mirë kundër brutalitetit dhe që u reziston më shumë tentativave të herëpashershme të kthimit të barbarisë prej të cilave ankohen të gjithë kombet. Ajo që ndodhi në Rusi në ditët tona dhe në një pjesë të madhe të ish-perandorisë sovjetike, katastrofa mizore ku është zhytur Shqipëria, peripecitë e tmerrshme që kanë pllakosur vendet e Amerikës Latine në përpjekjet për të arritur progresin dhe modernizimin e vërtetë, po ashtu gjakrrjedhja dhe zia e madhe, prej së cilës vuajnë sa e sa kombe afrikane, nuk tregojnë se ka popuj të aftë dhe popuj jo të aftë për të qenë të lirë dhe të begatë.

 

Por tregon se liria dhe prosperiteti nuk vijnë nga mbrëmja në mëngjes. Ato fitohen dhe meritohen, pak nga pak, përmes disa praktikave, gjatë adaptimit të disa ideve dhe praktikave, me anën e të cilave bën të funksionojnë institucionet (dhe jo e kundërta). Diktaturat gjithmonë dobësojnë dhe dëmtojnë këtë proces: të gjitha diktaturat, por, më shumë se askush tjetër, diktaturat si ajo që vuajti Shqipëria – ose që po vuan tani Koreja e Veriut apo Kuba dhe Kina. Diktatura që kanë marrë përsipër gjithë përgjegjësinë e jetës së qytetarëve të tyre, duke i kthyer këta në automat të thjeshtë, veprimet e të cilëve, të rëndësishme apo të parëndësishme, të vendosen nga vetë pushteti gjithëpërfshirës, i cili i edukon, i ushqen, i ndihmon, i informon dhe u jep punë.

A do të jenë në gjendje të veprojnë me përgjegjësinë e tyre këta qytetarë të cilët gjatë brezash kanë qenë të kushtëzuar e të komanduar për të qenë të bindur, për të qenë thjesht instrumente? A do t’i respektojnë institucionet këta njerëz, të cilët lindën dhe vdiqën midis institucioneve që kurrë nuk e merituan respektin e tyre si qytetarë? Si mundet që këta, nga mbrëmja në mëngjes, do të bëhen qytetarë që duhet t’u besojnë ligjeve dhe të jenë të përgjegjshëm për lirinë e tyre, liri që ishin mësuar ta shikonin si një perde të thjeshtë tymi pas së cilës fshihej arbitrariteti, liri që ishte vetëm një fjalë boshe dhe që shërbente vetëm për të ndritur fjalimet e diktatorëve?
Tragjedia e Shqipërisë, këtij “vendi të lashtë të shqiponjave”, nuk filloi me mashtrimin e firmave piramidale. Ajo që shohim tani nuk është veç se plasja e qelbit të një lunge të krijuar gjatë dekadave të despotizmit dhe shtypjes së egër.

 

 

Përktheu : Bajram Karabolli

 

Intervistë e rrallë e Jusuf Gërvallës: Qëllimi i gjithë shqiptarëve është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

  Intervistë e rrallë e Jusuf Gërvallës: Qëllimi i gjithë shqiptarëve është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë     Më 1946 Jugosllavia e ndaloi përdorimin e flamurit shqiptar në emër të “Internacionalizmit Proletar”. Më 1968 në Kosovë pati trazira studentore, … Continue reading

MBRESA NGA GALERIA E ARTEVE FIGURATIVE NË POGRADEC / Nga Gjergji Gusho

 

MBRESA NGA GALERIA E ARTEVE FIGURATIVE NË POGRADEC

 

 

gjergji gusho

Nga Gjergji Gusho

 

 

Nga viti 1986 e deri në vitin 1988, për arsye se në shkollën e mesme, në gjimnaz, ku punoja nuk e plotësoja normën e mësimit javor në lëndën e gjuhës ruse, Seksioni i Arsimit dhe Kulturës së Rrethit më ngarkoi të punoja disa orë gjatë javës për të plotësuar normën mësimore në Galerinë e Arteve Figurative të qytetit. Kjo galeri atë vit ndodhej në katin e poshtëm të një pallati pesëkatësh banimi, i cili ndodhej pothuajse karshi ndërtesës së Turizmit të Ri.
Galeria hapej çdo të marte e të enjte pasdite nga ora 16 deri 18 për stinën e dimrit dhe nga ora 17 deri 19 për stinën ë verës, ndërsa ditëve të diela nga ora 10 deri 12. Galerinë e vizitonin mjaft njerëz, të cilët, duke bërë xhiron e mbrëmjes në bulevard, herë pas herë ktheheshin për të parë veprat artistike të piktorëve e të skulptorëve, si dhe gdhendjet në dru, që ishin ekspozuar në këtë galeri. Veprat ishin kryesisht të artistëve të rrethit të Pogradecit, por disa ishin edhe të piktorëve nga rrethet e tjera të vendit tonë.
Materiali i mëposhtëm, i shkruar prej meje, u botua në gazetën “Driloni” në vitin 1988. Një vit më vonë ambienti i Galerisë u transferua në katin e sipërm të Pallatit të Kulturës, ku ndodhet edhe sot.
* * *
Rrethi ynë është i pasur me tradita të lashta edhe në degë të ndryshme të arteve si në pikturë, skulpturë, mozaikë, gdhendje në gur e në dru, si dhe në qëndisjen e kostumeve popullore. Zbulimet arkeologjike dhe etnografia e pasur e rrethit tonë dëshmojnë për këtë. Në të gjitha këto punime ndihet shija e hollë e popullit tonë artdashës.

 

pik 1

 

Një natyrë e mrekullueshme s’ka si të mos lindë edhe artistë të mëdhenj. Krahas mjeshtërve të fjalës artistike si Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli, Pogradeci ka lindur e do të lindë edhe piktorë e skulptorë të shquar.
Të parët piktorë të shquar me origjinë nga rrethi i Pogradecit përmenden vëllezërit Athanas e Kostandin Zografi (Vako) nga fshati Potkozhan, të cilët kanë jetuar në shekullin e 18-të. Të dy këta piktorë kanë punuar për zbukurimin e kishave në Korçë, Voskopojë, Vithkuq, Greqi etj.

Piktori Kostandin Zografi ka pikturuar edhe në kishën e Shën Naumit që ndodhet buzë liqenit.
Ndër piktorët përmendim edhe Lasgush Poradecin i cili, ndonëse krijimtarinë e tij e pati në drejtim të poezisë, ai njihet edhe si piktor dhe ka lënë disa vepra prej të cilave, fatkeqësisht, nuk kemi as edhe një në galerinë tonë. Jam i sigurt se disa familje të qytetit tonë duhet t’i kenë ruajtur disa vepra të tij, ashtu si familje të tjera mund të kenë vepra arti me vlerë nga piktorë të tjerë. Është detyra e këtyre që të na ndihmojnë për t’i evidentuar këto vepra.
Në Galerinë e Arteve Figurative të qytetit tonë, e cila ka më se pesë vjet që është çelur, janë grumbulluar rreth njëqind vepra edhe nga piktorë të rretheve të tjera, por kryesisht nga piktorët e skulptorët e rrethit tonë si: Todi Mato, Skënder Lako, Vangjo Vasili, Anastas Kostandini, Vasil Basho, Vildan Jahja, punime në dru nga Llazi Icka, si dhe të piktorëve më të rinj: Gentian Zeka, Nesti Tona, Kudret Durollari dhe piktorëve amatorë: Petraq Cici, Jovan Misha, Stefan Kyçyku e Odhise Dhima.
Kur hyn në Galeri të bien menjëherë në sy dy vepra të Piktorit të Popullit Vangjush Mio, të cilat u tërheqin vëmendjen të gjithë vizitorëve me bukurinë dhe elegancën e tyre, me dashurinë e madhe që ka derdhur piktori në to. Ja, njëra prej tyre titullohet: “Midis peshkatarëve”. Është një peizazh i bukur plot dritë e diell. Peshkatarë duke endur rrjetat. Në sfond liqeni i qetë e Mali i Thatë. Një gjemi karakteristike qëndron në buzë të liqenit.
– I mban mend gjemitë? – i drejtohet një i moshuar shokut të tij. – Sa herë kam shkuar në Strugë e Ohër për të bërë pazar! Ne çonim qepë për t’i shitur e blinim prej andej tjegulla për të mbuluar çatitë e shtëpive.
Ja tani përpara peizazhit “Pazari i Vjetër” i pikturuar më 1931. Kushedi sa herë kanë bredhur të moshuarit e sotëm nëpër rrugët e këtij pazari. Duken ndërtesa të stilit të vjetër. Dyqanka të vogla me qepena. Tregtarë të vegjël që përpiqen të shesin mallin e tyre që mezi u blihej. Rrugë të shtrembra plot pluhur. Anës rrugës një vijë uji e në të rosa e pula…
– Të kujtohet? Ky është dyqani i daj Hasanit nga Elbasani. Ky këtu ka qenë dyqani i Kopçes, kjo këtu … – vazhdojnë të flasin të moshuarit.
Të moshuarve u mbushen sytë me lot. Kujtojnë ato kohëra, kujtojnë njerëzit që s’janë më, kujtojnë fëmijërinë dhe rininë e tyre që kaloi në ato rrugë. Të vjen çudi, por këta të moshuar vijnë shpesh në galeri dhe gjithmonë qëndrojnë për një kohë të gjatë përpara këtyre pikturave dhe mezi ndahen prej tyre. Atje ata gjejnë një pjesë të jetës së tyre.
Nderimi dhe respekti që ka populli i Pogradecit për Vangjush Mion është shprehur në kompozimin e Anastas Kostandinit kushtuar këtij piktori të madh, të cilit i pëlqente aq shumë vjeshta dhe liqeni ynë. Në këtë tablo piktori Vangjush Mio paraqitet i ulur buzë liqenit duke pikturuar në një ditë vjeshte me diell. Piktori është i përqendruar në punën e tij, nuk shqetësohet se i janë mbledhur njerëz nga populli i thjeshtë për të admiruar artin e tij.

Ja një peshkatar, një shtëpiake, një intelektual, të moshuar, fëmijë. Ja dhe biçikleta e piktorit e mbështetur në trungun e një peme. Vangjushi vinte shpesh nga Korça me biçikletë për të pikturuar natyrën e Pogradecit, natyrën e atdheut të vet. Mbaronte së pikturuari dhe kthehej prapë në Korçë, i lodhur por i kënaqur.

Këtë kërkon arti: punë me pasion, lodhje që të sjell kënaqësi se ke punuar për popullin tënd.
Njëherë erdhi në Galeri një grup pushimtarësh nga një rreth tjetër e qëndruan para portretit të veteranit të luftës Zyko Kalivaçit, vepër e skulptorit V. Basho.
– Shumë bukur e ka punuar skulptori, – tha njëri prej tyre – vetëm se ja, këtë syrin e majtë sikur nuk ia ka sjellë mirë. Nuk është tamam si i djathti, duket si më i varur.
Pak më vonë dy të moshuar nga Pogradeci iu afruan po këtij portreti.
– Ja dhe xha Zykoja, – i tha njëri shokut të vet, – tamam sikur të ishte gjallë. Edhe synë e majtë tamam ia ka bërë, kështu e ka pasur, e kishte prej një plage të vjetër.
Njëherë një grup turistësh nga Greqia, duke vizituar Galerinë, qëndruan për një çast përpara skulpturës së Ismail Dërdushës, vepër e skulptorit Vildan Jahja. U bëri përshtypje qëndrimi luftarak i kapedan Ismailit, vështrimi i tij krenar e veshja popullore me fustanellë. Njëri prej tyre më pyeti se donin të dinin se kush ishte, ndoshta nga që luftëtari ynë nga veshja ngjiste me luftëtarët arvanitas që luftuan për çlirimin e Greqisë nga pushtuesit turq në vitet 20-të të shekullit 19-të.

I shpjegova se ishte një luftëtar nga rrethi ynë, komandant trimash që kishin luftuar për çlirimin kombëtar kundër pushtimit turk. Turisti tundi kokën dhe diçka u përktheu bashkëkombasve të vet. Kuptova vetëm fjalët: “Arvanitis kleftis” (Komit shqiptar).

Pastaj duke mu drejtuar më tha: Popujt tanë kanë luftuar kundër të njëjtëve armiq”.
Njerëzit që vijnë për të kaluar pushimet në kohën e verës në Pogradec shohin në këtë Galeri arti peizazhe me vjeshtë, dimër e pranverë, me pamje nga liqeni e kodrat rreth qytetit të autorëve: Todi Mato, Skëndi Lako, Vangjo Vasili e piktorëve të tjerë duke shprehur përshtypjet e tyre:

“Pogradeci qenka i bukur jo vetëm në stinën e verës me plazhin e tij të mrekullueshëm e me ajrin e freskët, por ai qenka i bukur në çdo stinë të vitit”.
Në veprat e tyre këta artistë kanë pasqyruar natyrën e rrethit tonë, luftën, punën e jetën e njerëzve. Në peizazhet, portretet, kompozimet e grafikët është shprehur dashuria për Atdheun, për patriotët e Luftës për Pavarësi, për partizanët e heronjtë e Luftës Nacional Çlirimtare, si dhe për bashkëqytetarët e sotëm që punojnë e derdhin djersën në punë. Me veprat e tyre ata luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin e njerëzve me shije të lartë estetike, me dashurinë për Atdhenë, për vendlindjen e tyre.
Ja si janë shprehur vizitorë të ndryshëm për këtë Galeri në librin e përshtypjeve:

 

“Na pëlqyen shumë punimet e kësaj Galerie, ato kanë një tematikë të larmishme dhe një nivel të lartë artistik”. Një tjetër vizitor shkruan: “Një Galeri e thjeshtë, e vogël, por me vlera; meritë kjo e tërë piktorëve pogradecarë. Në të gjitha punimet ndihet aroma e freskët e qytetit, e këtij liqeni të bukur dhe këtyre maleve të pasur me histori dhe minerale”.

Ndërsa nga një shkrim prej dore fëmije lexohen këto rreshta kuptimplotë: “Jemi nxënës të klasës së katërt të shkollës 8-vjeçare “Koli Gusho”. Pamë veprat e paraqitura në këtë galeri nga piktorët e skulptorët tanë, të cilat na pëlqyen shumë. Piktorët kanë paraqitur bukurinë e natyrës pogradecare, punën e punëtorëve e të rinisë sonë. Këto vepra na frymëzojë që ta duam më shumë natyrën, punën dhe njerëzit e punës. Urojmë suksese të mëtejshme piktorëve e skulptorëve.”
Sa bukur është shkruar! E ç’gjë tjetër do të kërkohej nga një galeri me vepra arti, sesa të ndikonte në edukimin e brezit të ri me këto ndjenja të larta e fisnike: të duan natyrën, të duan, punën e njerëzit e punës, të duan vendlindjen, ta duan Atdheun.
( Gjergji Gusho 1988)

PETICION PER MBËSHTETJEN MORALE TË PROJEKTIT TË SOLIDEST-it – GJENEVË PËR NGRITJEN E STATUJËS SË NËNE TEREZËS NE STRASBURG.

    PETICION PER MBËSHTETJEN MORALE TË PROJEKTIT TË SOLIDEST-it – GJENEVË PËR NGRITJEN E STATUJËS SË NËNE TEREZËS NE STRASBURG.     (SOLIDEST, Association Internationale de Solidarité pour le Développement des Pays de l’Est, International  Association  of Solidarity for … Continue reading

Cikël poetik nga poetesha Elena Spataru ( Shkëputur nga Revista online Mearteka Literary…. ) / Përkthyer në shqip nga Rita Oxha

  Cikël poetik nga poetesha  Elena Spataru Shkëputur nga Revista online Mearteka Literary…. http://www.mearteka.net/perkthime/pertej-dritares-qiellore-with-love-elena-spataru/     Përkthyer në shqip nga Rita Oxha       Përtej dritares qiellore   Përtej dritares qiellore Nodhet  fati ynë E një bote meritore, Bukur  … Continue reading

“Shkrimtari nuk duhet të jetë i etur për njohje e famë qoftë edhe për një filxhan lavdie…” / Intervistë me shkrimtarin Flori Bruqi nё Kosovё nga ZEF PËRGEGA

“Shkrimtari nuk duhet të jetë i etur për njohje e famë qoftë edhe për një filxhan lavdie…”     Intervistë me shkrimtarin Flori Bruqi nё Kosovё nga ZEF PËRGEGA     Flori Bruqi shkrimtar, poet i afirmuar, studiues i letërsisë, shkencëtar … Continue reading

Arianita Hoxha

Arianita Hoxha   Arianita Hoxha ka lindur në qytetin e Tiranës. Që në fëmijërinë e saj të hershme   përjetonte me gëzim perëndimet mahnitëse të diellit buzëmbrëmje, qartësinë e malit të Dajtit në ditët e kthjellta të dimrit dhe entusiazmin e … Continue reading

Preshevë: Përurohet libri me poemë dhe aforizma i autores Linda Agushi.

 

linda-agushi-libri-3

Preshevë: Përurohet libri me poemë dhe aforizma i autores Linda Agushi.

 

 

Në ambientete e Univeristetit Internacional të Novi Pazarit- dega në Preshevë u përurua libri me poemë dhe aforizma i autores Linda Agushi me titull “Shtigjeve të mbarësisë”, edituar nga Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” Preshevë.

 

Bilall Maliqi redaktor i librit para të pranishmëve foli për rëndësinë e librit duke potencuar se “Linda Agushi me librin e saj paraqitet me pjesën paraprirëse dhe me 40 pjesë të tjera të cilat ngërthejnë në vete një larushi tematike, duke përfshirë motive të ndryshme dhe gjetje interesante të nxjerra nga përditshmëritë tona në rrafshin jetësor”.

Sipas Maliqit motivet që preken brenda pjesëve të poemës, të cilat mund të lexohen edhe si poezi në vete.

“ Janë ai patriotik, i jetës së përditshme, pjesë moralizuiese fetare, të cilat e përthekojnë këtë poemë. Edhe aforizmat 70 sosh janë me gjetje të përditshmërive tona, përfundoi redaktori i librit, shkrimtari Bilall Maliqi”.

Sipas recensentit të librit,  poeti Rrahman Hyseni tha se krijuesja në fjalë brenda rreshtave shprehë vlerën e sajë buruese dhe krijuese me anë të melodisë shpirtrore.

 

 

12342823_1142933535751731_3357028172970269375_n

Linda Agushi

 

“Botimi në fjalë përveq dozës së optimizmit brenda vetës ngërthe dhe një dozë të rëndë këshilluese, sugjeruese dhe të vetëdijesimit të rrethit social. si në vijim:Nëse dëshiron të arrish diçka-guxo, sepse synimi yt nuk arrihet duke ardhur ai te ti, por ti tek ai, apo dhe kur thot që: Para se te kujdesesh për anën objektive, rregulloje anën subjektive sepse ajo e para është pasqyrim i kësaj së dytës.”, thekosi ai.

Për librin dhe anën e drejtshkrimit foli lektori i librit, Sedat Agushi, i cili e lavdëroi punën e saj duke potencuar se libri nuk ka pasur nevojë për intervenime të shumta gjuhësore.

Autorja e librit Linda Agushi, në fjalimin e saj i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje masive në përurim dhe i siguroi se edhe në të ardhmën do të vazhdoj të shkruaj, duke gjurmuar vlera dhe gjetje të reja nga përditshmëritë tona në rrafshe të ndryshme jetësore.

“Shtigjeve të mbarësisë” është libri i parë i Linda Agushit e cila që sot është anëtarja më e re e shoqatës së shkrimtarëve “ Feniks” në Preshevë