SHTËPIA MBI KODËR / Nga ( Hamdi) Erjon Muça

SHTËPIA MBI KODËR

 

 

Erjon Muça

Nga ( Hamdi)  Erjon Muça

 

 

Si jemi ne njerëzit! Sa më shumë që mendojmë se kemi arritur të kuptojmë thelbin tonë, aq më larg tij jemi! Mendojnë se kemi evoluar, duke bërë hapa përpara por ndërkohë kemi bërë po aq hapa prapa. Dimë të shprehemi, të lexojmë, por ndërkohë kemi harruar të dëgjojmë. Jo thashethemet apo qortimet e lëvdata që na bëhen, por zërat e natyrës që na rrethon.
Po, po! Të natyrës, madje edhe gurët e shtëpive flasin, mjaft të ndalësh e t’i dëgjosh.
Këtë po mendoja tek shihja shtëpinë mbi kodër. Unë e njoh mirë historinë e saj, prandaj e kisha më të lehtë të dëgjoja çka do më thoshte.
Ajo ishte shtëpia më krenare e lagjes: e sundonte atë nga maja e kodrës, me vështrimin nga perëndimi që përskuqte gjineshtrat e kodrës përballë. Aq madhështore ishte sa ia prishi mendjen njeriut që shkoi për ta parë që ta blinte.
Ah njeriu! Ai ish rritur jetim dhe ish larguar çunak nga fshati i vet i lindjes. Tek largohej, linte në fshat dy vëllezër më të vegjël: më i vogli kur e ëma dergjej e akullt në shtratin e vdekjes, i ngjishej me uri gjirit të saj të ftohur.
Ai erdhi në qytetin D dhe rinisi një jetë të re, u martua me një vajzë dhe dalëngadalë nisi të sillte në qytet edhe dy vëllezërit: i të cilëve tashmë ndihej si baba. Ndoshta ishte mungesa e shtëpisë atërore që e shtyu njeriun e mirë të blinte shtëpinë mbi kodër. Ajo ishte e përkrye mbi kodër, nën hijen e akacieve dhe të panjave mes aromës të luleve dhe të barit të lagur.
– Do marrim një kredi!- u tha vëllezërve dhe ashtu bënë. Ajo, shtëpia e ëndrrave, u bë e tyre.
Ai u dashurua me atë shtëpi ndaj nisi ta stoliste si të ishte një kështjellë. Sakrifikoi gjithçka për t’i ndërtuar një avlli, me mur mbajtës që atë shtëpi ta bënte të dukej si të ulur mbi një piedestal. I bëri një kopsht të lulëzuar, ku kishte pemë frutore të të gjitha llojeve, madje kishte edhe një nespull, që ai e mbolli për të bijën. Caracës së madhe në qendër të oborrit, tashmë i bënin shoqëri edhe dy kumbulla kokërr vogël.
Ajo nuk ishte më vetëm shtëpia mbi kodër, por shtëpia kështjellë mbi kodër. Dhe ajo ndihej më krenare se kurrë. Dukej sikur qeshte e bukura ndërtesë, pasi që nga mëngjesi deri në darkë nuk reshtnin së gumëzhuari zërat e fëmijëve.
Gjithçka dukej sikur po shkonte më mirë sa s’ka më, por ja që asnjëherë nuk është ashtu siç duket.
Zoti, natyra, apo edhe kompozimi kimik i trupit njerëzor, i dha atij njeriu të mirë, një vuajtje të madhe, që përfundoi me vdekje. Kushdo që e njihte atë njeri, ndihej keq kur mendonte se si mund (quajeni si të doni) ti jepte një krijese kaq punëtore dhe fjalëpakë një fat kaq të tmerrshëm. I gjori njeri vdiq pak më shumë se pesëdhjetë vjeç dhe atëherë u duk sikur edhe shtëpia ndihej më pak krenare dhe madhështore, por e mbante sërish veten ngaqë nën çatinë e saj jetonin pasardhësit e atij njeriu të mirë. Pak kohë më pas, edhe vëllai tjetër pati pothuajse të njëjtin fat me të parin: edhe ai ndërroi jetë pak më shumë se pesëdhjetë vjeç. Sërish shtëpia u mbajt, por edhe për shtëpinë po afroheshin ditët e rënda.
Jo shumë kohë pas vdekjes së dytë që muret e saj kishin ndjerë në të gjitha poret e gurta, njerëzit nisën t’i largoheshin, thua se ajo shtëpi mbarte një mallkim të tmerrshëm.
Dikush ndërronte muret e saj me të një pallati e dikush tjetër me muret e një tjetër shtëpie përdhese. Ajo, shtëpi e mrekullueshme mbi kodër, nisi të dukej më e dëshpëruar, sikur një mplakje disa shekullore po i rëndonte mbi çati.
Më pas erdhën ditët e emigrimit dhe njerëzit e shtëpisë nisën të largoheshin përgjithnjë, njëri pas tjetrit, për një jetë më të mirë, në vende të huaja, larg, shumë larg shtëpisë mbi kodër. Do nisnin një jetë të re në të tjera shtëpi duke paguar qira, duke punuar nga nëntë deri në dhjetë orë në ditë, për të jetuar më mirë.
Këtë gjëmë shtëpia mbi kodër nuk e duroi dot, ndaj dhe plasi. Iu plasarit suvaja, iu përkul çatia, madje edhe gurët e murit mbajtës ju çanë. Atë e kishin braktisur që për të do të thoshte vdekje, por pa e kallur në dhé.
Tani që po e shoh, pas shumë kohësh më vjen të qaj. Ajo nuk është më një shtëpi e qeshur. S’ka më atë rrezatimin e mrekullueshëm kur dukej si një zonjë e ulur mbi një kolltuk. Tani ajo i ngjet një plaku të vetmuar, të braktisur, madje edhe nga Perëndia, ulur mbi një divan të vjetër, këmbëthyer. Të çarat i ngjajnë rrobave të një lypsari që pret vdekjen pa as më të voglën shpresë. Ajo duket si një relikte e keqtrajtuar, pjesë e muzeut të madh shqiptar, të braktisjes…
S’ka faj e gjora shtëpi, nën të s’ka më zëra fëmijësh që qajnë apo që qeshin, por vetëm minj, mace dhe zogj të egër gjejnë strehë nën çatinë e saj, gati në të rënë.
Ndoshta atë e viziton edhe shpirti i atij njeriu të mirë. Ndoshta ai i pëshpërit se askush nuk e ka braktisur. Pasardhësit e tij shumë shpejt do të kthehen për të banuar përgjithnjë nën çatinë e saj dhe ajo si dikur, do t’i kthehet jetës.
Shtëpia e mrekullueshme mbi kodër.

Pisa 20-04-2014

Shuhet shkrimtari i mirënjohur korcar Petraq Zoto-ky rrëfimtar terrifik, Pionier i letrave shqipe. ( Tronditet komuniteti i Letrave Shqipe, dhe Klubi i Shkrimtarëve “Bota e Re”, Korcë! ) / Nga : Raimonda MOISIU

petraq zoto

 

Shuhet shkrimtari i mirënjohur korcar Petraq Zoto-ky rrëfimtar terrifik, Pionier i letrave shqipe.

Tronditet komuniteti i Letrave Shqipe, dhe Klubi i Shkrimtarëve “Bota e Re”, Korcë!

Rest in Peace MJESHTËR i Rrëfimit dhe Dialogut!

 

 

Nga : Raimonda MOISIU
Antare e Kryesisë së Klubit të Shkrimtarëve Korçarë “Bota e Re”

 

 

Ajo ç’ka e bën edhe më interesante jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit të mirënjohur korcar Petraq Zoto, është se ai në radhë të parë i përket binomit jetësor Njeri & Shkrimtar. Njeriu që transmetonte mesazhin hyjnor të dashurisë njerëzore. Kjo, jo për shkak se ka lindur në Ziçishtin e dashurisë e të traditës kulturore, por sepse ai ka sjelle për lexuesin tregime e romane me dashurinë e një zemre humane. Me një mënyrë tepër ndjesore të këndvështrimit personal e origjinal të botës e njerëzve që e rrethojnë, ka pasur arritje dhe suksese në karrierën e tij, por dhe i vëmendshëm ndaj kritikës letrare e kërkesave gjithnjë në rritje. Zoto është një rrëfimtar i talentuar dhe krijonte karaktere realiste bazuar në përvojën e tij personale, por edhe në eksperiencat jetësore, në vazhdën e paraardhësive të tij, elitën e shquar korçare të letrave shqipe, si Sterjo Spasse, Sotir Andoni, Teodor Laco, e cila vijon më tej më të rinjtë Thani Naqo, Andon Andoni,Gjergji Dushku, etj, Tregimtar terrifik, midis të mundshmes e të paparashikueshmes, zotëronte një ndjeshmëri mahnitëse në transformimin e një subjekti të vështirë në një subjekt të dritës e shpresës. Ai ka shkruar dhjetra tregime e romane. I pëlqente të eksperimentonte me prozën, i paparashikueshëm në ambicien e tij krijuese, sillte në vazhdimësi vlera të reja artistike. Për këtë flet shumë krijimtaria e tij dhjetravjecare. Shkrimtari i mirënjohur korcar Petraq Zoto si një pionier i letrave shqipe, mbetet një rrëfimtar terrifik, zotëronte talentin dhe forcën letrare –artistike në ndërtimin e karaktereve realistikë me një sens të mprehtë; të së mundëshmes e të paparashikueshmes, një vështrim të brendëshëm dhe ndjeshmëri mahnitëse, stil poetik , që synon subjektin e vështirë, ta transforomjë në një subjekt të dritës e shpresës, arrinte të depërtonte brenda të bukurës e njerëzores.
Si intelektuale e shkrimtare, si mike e kolege, bashkeqytetare e Korces me Shkrimtarin e Shquar Petraq ZOTO, por edhe si Kryetare e Shoqates se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane ne Diaspore dhe Anetare e Kryesise se Klubit te Shkrimtareve Korcare “Bota e Re”-i kerkoj Ministrise se Kultures znj. te nderuar Mirela Kumbaro, Keshilltarit Diplomatik per Artin e Kulturen Shqiptare prane Kryeministrise, – i referohem z. Fate Velaj-te hapin dyert e Ministrise se Kultures -qe miq e mikesha, kolege e shoke, dashamires te krijimtarise se Shkrimtarit , Mjeshterit te Rrefimit e Dialogut, te Shquarit Petraq Zoto, – i ndare sot nga jeta -t’i behen Nderet dhe Homazhet, nga Bota e letrave Shqipe, nga miq e kolege te aferm e njerezit e tij te dashur,nga krejt Shoqeria Shqiptare per t’i dhene Lamtumiren ketij njeriu qe i ka dhene aq shume Letrave Shqipe!