ZAIM HOXHA, SI NË BRONX E BALLËLART ( Qytetar Nderi i Vlorës, Mirënjohje e Labërisë, i dritëroftë kujtimi! ) / Nga : Albert HABAZAJ

ZAIM HOXHA, SI NË BRONX E BALLËLART 

 

Qytetar Nderi i Vlorës, Mirënjohje e Labërisë, i dritëroftë kujtimi!

 

(25 korrik 1931 – 07 gusht 2016)

 

 

Albert abazaj

 

Nga : Albert HABAZAJ, shkrimtar, ish – nxënës i mësuesit të paharruar Zaim Hoxha.

 

 

Edhe natyra e shpreh dhembjen e saj e pikëllimin tonë me këtë mot të vranët e këta lot shiu që po derdh, tok me ne. Është e rëndë, edhe për mua, kjo ora dhjetë e kësaj të diele të datës 7 gusht 2016. Mësuesja ime e klasës së parë, Stoli Xhaferaj Hoxha po përcjell për në banesën e fundit njeriun që kaloi një gjysmë shekulli me të, Zaim Hoxhën me emër; atë burrë që kaluan një jetë me nder nëpër dallgë deti, lule lëndine e suferina malesh; që lindën tre djem si yje, por Lulit, para 21 vitesh, në moshën 21 vjeçare iu këput në mes lulëzimi, ende pa çelur. Do të mbahet mend si një gonxhe e paharrueshme, që u mboll më 28 shtator 1972, por nuk e mbajti dot as prilli i shpërthimeve dhe u tha më 12 prill 1995.

Kushërinjtë e mi, Dritani e Sokoli, shembull mirësjelljeje në qytet dhe të zotët e punës së ndershme e me djersën e ballit, humbën babanë e tyre të shtrenjtë, shenjtin tonë Zaim Hoxha. Nipërit e mbesat humbën “Pàpunë” aq të dashur, që s’u vjen më, shenjtin tonë Zaim Hoxha.

Halla me halle të mëdha dhe dinjitet të lartë, e pamposhtura Jeta Hoxha, pasi përcolli Refitin, Qaniun e Sanon, tani me lëngata shpirti, sa ajo i di, si motër shumë e lënduar, po përcjell për në banesën e përjetshme vëllain e vogël, njeriun e madh, shenjtin tonë Zaim Hoxha. Njërin më të mirë se tjetri dhe ja ku po qëndron si amazonë Vlore, si trimëreshë Tërbaçi.

Edhe unë, i lënduar dy herë nga humbja e babait dhe e një vëllai, në këto çaste, përjetoj hidhërim të veçantë, sepse po përcjell, në këto 23 vite shkollim që kam kryer deri më sot, mësuesin tim më të mirë, kushëririn e babait tim, vëllain e babait tim, të paharruarain Sazan Nuro Ahmeti, shenjtin tonë Zaim Hoxha. Mësues si Zaim Hoxha nuk besoj se ka patur shumë kush fatin ta ketë në orë të gjuhës dhe leximit letrar. Nëse kam unë ndonjë fije talenti poetik, mësues Zaimi ka meritë të veçantë, sepse më ka dhënë gjuhë e letërsi në shkollën 8 vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç. Dhe për këtë fakt, jam shumë krenar. Gjatë atyre viteve, që punoi në vendlindje, ai krijoi edhe një këngë shumë të bukur me vlera artistike, estetike dhe emocionale “Veshur Bronx e ballë lartë” kushtuar tërbaçiotit të madh Halim Xhelo, figurë demokratiko-revolucionare për pavarësi, liri e përparim, e rangut kombëtar. “Flet Halimi, ësht’ i gjallë,/ për atë s’ka vdekje./ Do sikur të thot’ ca fjalë/ bashk’ me ne në mbledhje./ Rri e do të puthë dheun,/ rri, po nuk i rrihet…” janë  disa vargje që thuri mësues Zaimi për grupin e shkollës, që ngriti drejtor Kujtimi dhe mësues Rexhepi me ne, që kur u bë kjo këngë, më 1973, ishim në klsë të shtatë. I kaloj sot këto vargje në mendje dhe gjykoj se i rrinë bukur edhe profilit dinjitoz të mësuesit tonë krijues Zaim Hoxha, që bashkë me dy kushërinjtë e tij i përkasin Paharrimit, se të tre ishin model si mësues dhe, si njerëz të arsimit e kulturës, shkonin si vëllezër, në kuptimin ideal të fjalës, si tre male në këmbë, si tre male në lëvizje. Halim Xhelo Tërbaçin nuk e kam njohur; Zaim Hoxha është për mua imazhi i Halim Xhelos, në një trajtë të re.

 

 

Albert Habazaj me mësuesin dhe xhaxhain e tij Zaim Hoxha  (1931-2016)

Albert Habazaj me mësuesin dhe xhaxhain e tij Zaim Hoxha.

 

Zaim Hoxha ishte fëmija i vogël, ndër tre djem e dy vajza të Tushe Ametes (Habazaj) dhe Nuro Ahmet Hoxhës, njërit nga dhjetë pishtarët e parë të arsimit shqip në fillimshekullin e XX (v. 1913) në Tërbaç me Murat Miftar Habazaj, Halim Xhelo Skëndaj, Ibrahim Ali Skëndaj, Rakip Elmaz Rrokaj, Gani Iljaz Habazaj, Muço Delo Balili, Musa Hasan Muho, vëllezërit Myslym e Rustem Muho Sino. Sazan Nurua u lind më 25 korrik 1931. Ishte nga të paktët mësues tërbaçiotë me arsim të lartë, që për kohën kishte shumë peshë. Zaim Hoxha qe mësuesi i vërtetë, ndër dhjetë dritanët e parë të dijes pas Çlirimit në Tërbaç, duke ecur me dinjitet në fushën e dijes së të atit; një nga mësuesit e metodistët më të mirë që mbahet mend në Vlorë; i shquar për gjysmë shekulli në punë sistematike e me cilësi të lartë profesionale si vëlla i ditur ka përcjellë rrezatim atdhetar e kulturor te të gjithë brezat e nxënësve, mirëkuptim e ndjenja vëllazërimi mes komunitetit. Ka punuar edhe si topograf, në ish- ndërmarrjen “Perlat Rexhepi”, Vlorë e, pasi përfundoi Fakultetin Histori – Filologji në Universitetin e Tiranës, ka dhënë mësim në Kutë – Mallakastër, në gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë, në Tërbaç dhe në Kaninë, duke u bërë një flakadan i arsimit dhe model i mësimdhënies dhe metodologjisë. Në vendlindje mbahet mend se, pasi mbaronte orari zyrtar i shkollës, nuk përtonte të shkonte në ato familje ku kishte nevojë për punë të diferencuar me fëmijët, të cilët vinin të vonuar dhe kishin mangësi në mbarëvajtjen e mësimeve. Po ashtu, ishte i gatshëm të  shkonte të ndihmonte mbas mësimit bashkëfshatarët që kishin nevojë për mendjen e tij të hollë e duart e tij të arta edhe për çështje të tilla si ndërtim apo meremetim shtëpish, problem me ndriçimin, me ujin e pijshëm, etj., sepse edhe si elektricist apo hidraulik ai qe një mjeshtër. Gati 10 vjet që dhanë mësim në Tërbaç, bashkë me Stolinë, ata banuan aty, në fshat, në një ndërtesë që u përshtat për banim, afër shkollës së vjetër në Gryka. Qenë çift model dhe ndikuan shumë në ndryshimin pozitiv, në përmirësimin e jetesës qytetare në fshat në ato vite të vështira. Zanon (kështu i flisnin shkurt e me respekt bashkëfshatarët mësuesit të nderuar Zaim Hoxha) e donin të gjithë në Tërbaç si vëlla e kaluar vëllait, se i kish’ bërë vend vetes. Edhe Stolinë e nderonin me të gjitha mundësitë që kishin për kohën, sepse pruri qytetërim, natyrshëm, pa u dukur, pa u ankuar…Zanua, pas viteve Nëntëdhjetë, u angazhua me detyra shoqërore – politike në Vlorë, duke u ravijëzuar si një qytetar i denjë, demokrat i vizionit europian. Telegrafisht, po përmend skedën familjare: Më 3 korrik 1966, u martua me Stoli Nysete e Myzafer Xhaferi, prej një familjeje atdhetare, fisnike e bujare nga Oshtima. Më 4 qershor 1967 u lindi Tani, më 9 mars 1970 u lindi Koli. U lind Luli më 28 shtator, pas dy vjetësh, por…s’lulëzoi dot. Tani u martua me Marselën nga Çekrezajt e me tradita atdhetare e arsimore në Gjirokastër. Kanë tre fëmijë 9 dy djem e një vajzë), Madrisin 22 vjeç, Monikën 21 dhe Samuelin 17 vjeç. Koli u martua me Evin nga familja e njohur qytetare e Sharrajve të Vlorës. Koli dhe Evis kanë dy çupa si dy gonxhe, Korinën dhe Paolën…Para dy javësh i festuan 85 vjetorin e lindjes gjyshit aq të mirë e të dashur “Papù”. Festë e bukur qytetare. Gëzim familjar. Bilanc i mirë i jetës. Për fat, erdhi dhe Tani nga Gjermania familjarisht. (Ia tha ëngjëlli?!). Me gjithë rrufetë që qëlluan mbi të, familja e Stoli e Zaim Hoxhës është një pemë e shëndetshme, me rrënjë të thella, me trung të fortë, me degë e gjethe të gjelbra jete, me tradita atdhetare dhe kulturë qytetare, model për t’u ndjekur nga të tjerët.  Iku i bardhë, trup drejt e ballëlart, me shikim përpara. Shtizë flamuri. Pse s’u ankua një herë ai njeri?! Bënte dritë ku hidhte këmbën Zanua. Kishte lezet të pije një kafe me të. Ishte nder të kuvendoje dhe të dëgjoje të fjalë të tij. Nuk i kishte qejf dekoratat. Nuk jetonte, as punonte për t’u dukur. Kurrë. Dhe me pikatore i ka dekoratat. Ndërkohë, ai ka qenë shembëlltyra e gjallë e dekoratës së vërtetë. Është vlerësuar me urdhërin “Naim Frashëri” të klasin III, me dekoratat “Mirënjohje e Labërisë” dhe “Qytetar Nderi i Vlorës”. Dhe kur iku, nuk i mundoi njerëzit. Nuk i lodhi. Në ditë pushimi. Në shtëpi të tij. Afër detit të Vlorës, në Ujë të Ftohtë. Si çdo mëngjes, kreu ritualin: Lidhi dhe dy qentë e shtëpisë, të cilët i lëshonte natën. – Janë roja e shtëpisë – thoshte – ndaj kujdesem shumë për ta. – Një gjë më bëri çudi, – na tha Tani të shtunën mbrëma. – Tërë natën që u gdhi sot, qentë nuk kanë lehur si zakonisht. Kauisnin si ujk, si me ulërimë të zgjatur, me zë të hollë, të përvajshëm. Dhe të vjetrit paskan thënë se qentë kanë parandjenjë. Shenjë e keqe për të zon’ e shtëpisë, thonë të parët… Zanua iku në ditë të mirë, se uratë mirësie qe. Iku në mëngjez. Dje, të shtunën. Data 6 gusht. Shtatë e gjysmë – tetë. Duke pirë kafe në verandë. Vetë e bëri. Si çdo mëngjes. Si zotni. Dhe si zotni iku. Lum kush ikën si Zaim Hoxha! Ai do të mbahet mend nga ne si etalon i mësuesit të vërtetë. Zaim Hoxhën po e përcjellim me krenari, me dhembje e dashuri, me mirënjohjen e familjes, të farefisit e të vendlindjes. Mësues Zaimi iku me mirënjohjen e Labërisë, Vlorës e më tutje, ku ka lënë gjurmë nderi e drite si Mirënjohje e Labërisë, si Qytetar Nderi i Vlorës, si një kreshtë e bardhë mali në lëvizje. Dritanit të arsimit dhe të kulturës qytetare Zaim Hoxha i dritëroftë kujtimi!

 

Fjala e mbajtur nga Albert Habazaj, në përcjelljen e të ndjerit Zaim Hoxha;

Babicë – Vlorë, e diel, 07. 08. 2016, ora 10.00  

 

 

Mësuesi i fshatit / Tregim nga Elda E. Dilo

 

elda

Tregim nga Elda E. Dilo

 

 

Mësuesi i fshatit

 

Vjeshta e tretë s’ka as dhjetë ditë që ka hyrë, po dimri i këtij viti erdhi më shpejt se herët e tjera. Është e diel në darkë. Mësuesit i duhet që sonte të mbërrijë në fshat.

…Qielli nxin, re të dendura shiu ndeshen me njeratjetrën, pastaj sërish nisin vetëtimat që të verbejnë dhe bubullimat që shpërthejnë shurdhueshëm. Ecën nëpër baltë e balta ngjitëse nuk i shqitet nga këpucët. Rrëket e ujit që zbrezin nga mali, kanë shpërthyer në rrugë e vende-vende është bërë kënetë. ‘’Kudo që të vësh këmbët, njëlloj është: këpucët do të mbushen me ujë, vetëm, kujdes, mos shkasësh në ndonjë greminë e humbasësh pa nam e nishan’’, -i thotë mësuesi vetes. Ecën, po ndjehet i lodhur. Shiu vazhdon të bjerë e hërë pas here si me shtamba; palltua që i është lagur deri në astar, i rëndon në trup, këmbët i notojnë brenda në këpucë. Nuk është larg nga një kasolle e braktisur. Atje do të mbrohet nga shiu  e mund të ndezë zjarr. Vë dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës, po uji  ka hyrë edhe atje. S’i mbetet gjë tjetër veç të lehtësojë këpucët nga balta e të ngjitë radhazi të tria të përpjetat që të nxjerrin në krye të kodrës ku gjenden të shpërndara andej këndej shtëpitë e fshatit fqinj.

Pa i dalë në krye të përpjetës së parë, kur i duhet të shpejtojë më shumë që të mos ta zërë nata rrugës, këmbët po thuaj i heq zvarr. I jep zemër vetes: ‘’Hë dhe pak, dhe një e përpjetë më pak, sa të fillojë rruga e sheshtë e të duken shtëpitë e para.’’ Në këtë rrugë të mundimshme, i qe bërë zakon t’i thotë një çast diçka vetes jo që ta largojë mendjen nga balta, po të  forcojë bindjen se po e mposht lodhjen, hap pas hapi po del në krye… Kur, pa pritur e pa kujtuar, i shfaqet një qen i madh që kthen kokën, i hedh një vështrim, sa ulet të rrëmbejë ndonjë gur, sheh, për fat, nuk ndryshon drejtimin… merr tatëpjetë përroit dhe si një korrent elektrik, një të rëngjethur i kalon në trup…! Nuk qe qen, qe ujk! Hapi i tij i rëndë, bishti i gjatë, trupi i madh e goja e madhe, e zgjatur, i mbetën në mendje: qe ujk! Po fati, zoti, thuaje si të duash, e kishte shpëtuar dhe i duhet ta largojë mendjen prej egërsirës.

Në çantë nëna i ka mbledhur ca bukë me djathë e një kokërr vezë.’’Të ha pak, të më shtohen forcat, se dhe shiu  sikur u qetësua dhe e përpjeta po bëhet  më e fortë’’, kujtohet sa ka filluar të përpjetën e dytë. Buka i është lagur, se çanta e ka zinxhirin të prishur dhe shiu i ka hyrë brenda, ka lagur letrën e gazetën, bukën e ka bërë si brumë, djathi është nxirë nga shkronjat, po as i shikon këto, merr bukën e djathin, i fut në gojë dhe, pa qenë nevoja t’i përtypë, i përcjell në stomak.

Ka dalë anash një are lëndinë me më pak baltë, merr një rrugë të ngushtë dhe i ngjitet të përpjetës së fundit. Këtu rruga i bëhet edhe më e vështirë. Flluckat e shiut janë bërë më të mëdhaja dhe era që s’do që të pushojë, ia përplas fytyrës me tërbim. Ombrellën e ka në dorë si shkop. Me dorën tjetër mban cepat e palltos që të mos hapet si parashytë. Nën kapelen e lagur, zbrezin rrëkezat e shiut që ta futin të ftohtit deri në palcë. ‘’Ja dhe pak, ja dhe pak, përsërit me vete dhe para syve do të më dalin shtëpitë e fshatit… po rrebeshi ç’ka që bëhet edhe më i rreptë! “Këmbët fillojnë t’i rrëshqasin në të përpjetën që zbret thikë prej majës dhe ai vazhdon të ngjitet e të ngjitet kapur pas shkurevet që i dalin para syve njera pas tjetrës. Ecën rrugë e pa rrugë e nxiton të arrijë në majë pa rënë errësira e plotë. Mirë ku ka shkurre; ku nuk ka, bën dy hapa para e një prapa e, megjithatë, po i afrohet majës.. “…ja, po e shkel!”- i jep zemër vetes,” mësuesi duhet të jetë i fortë fizikisht, nxënësit presin…mësimi duhet filluar në orën e caktuar…mësojmë të tjerët…”;  ndalet për pak çaste të ngopet me frymë dhe hedh sytë tek fshati:

Kasollet flenë në oborre të thurura me gardh. Më tej, shtëpitë e derdhura mbi kodrinë si grigje në pushim. Tutje në horizont, malet e lartë po shuhen.  Dritat e venitura e bëjnë qiellin si të jetë ulur mbi tokë.. Pas këtij rrebeshi, kudo qetësi.Vetëm herë pas herë e prish e lehura e ndonjë qeni nervoz. Rruga deri tek shtëpitë e para do 20 minuta, po balta do ta vonojë. …Kushedi ç’mendojnë njerëzit e mi! Ata mendjen këtu e kanë, apo rrebeshi s’ka kaluar andej?- pyet veten.  Që të trokasë në shtëpinë e parë, të thahem pranë një zjarri të madh, do t’i duhen të tjera mundime,  se, veç baltës, pak e nga pak  kjo natë e zezë pus, po pushton  krejt vendin.

S’kishte kaluar as gjysmë ore, kur rruga bëhet e ngushtë: në të dyja anët e rrugës vijat e ujit qenë bërë përrenj të vegjël dhe me ombrellë provon vendin ku shkel. Për një çast, ombrella i ngec në baltë, shkëputet prej saj, humbet ekuilibrin dhe rrëzohet. Nuk e tremb uji i ftohtë, se i tërë pellg është, po ka frikë se rrëshqet më poshtë, përroi është i frikshëm e zbret furishëm kodrës. Kapet fort pas një përralli. Del në rrugë. Peshën e rrobavet fillon ta ndjejë më shumë, i futen të rrëngjethura në trup dhe këmbët mezi i binden. Pa dashur, i shkon mendja tek  nëna. I bëhet sikur i ka dalë përpara; “Sikur të kishe dëgjuar fjalët e mia, s’do ta kishte pësuar kështu e ta paguash shtrenjtë me ndonjë plevit!”

–  Mos u nis, i kishte thënë ajo, s’është mot për të udhëtuar. Do të na bësh ndonjë hata..

-Po nxënësit… nëpër baltë, në shi, borë, breshër, ka nga ata që bëjnë edhe 2-3 orë rrugë në këmbë, të veshur keq e barkpangopur, të vinë në shkollë e të kthehen pa bërë mësim!

Një vetëtimë e fortë si një gjarpër i zjarrtë ia bëri rrugën dritë, një tjetër pasoi të parën dhe nga gardhi shkëput një hu. “Tani kam një shkop të fortë dhe u bëra me shok, mendon. Të lehurat e qenve sa vinë e shtohen. Jam fare pranë lagjes”. Dhe vërtet, qentë, pas disa minutash rrugë, s’vonojnë t’i  vërsulen. Mbrohet me shkop duke e lëvzur me shpejtësi sa majtas-djathtas, në po atë lartësi sa është nga toka koka e qenit që asnjë të mos mundë ta kafshojë.

Troket në derën e parë.

-Kush është? -i përgjigjet një zë nga brenda dhe një plak me një kandile në dorë, del t’i heqë shulin derës.

-Jam unë, mësuesi, mezi i thotë, po era e ka fikur kandilin dhe plaku nuk ia shikon dot fytyrën mësuesit.

Hyn në dhomë, mbledh fuqitë sa të përshëndetet me njerëzit e shtëpisë dhe përplaset i pafuqi pranë vatrës. Të zotët e shtëpisë i afrojnë prushin dhe ndjen afshin e ngrohtë të zjarrit që kishte ëndërruar. Një krah të madh shkarpash ia hedhin zjarrit. Heq pallton e xhaketën t’i thahen. Avulli që del nga rrobat e qullura  e mbulon dhomën si në mjegull . Të gjithë e vështrojnë në heshtje, me ata sy të çiltër e gjithë ngrohtësi dhe, të stërvitur në tharjen e rrobavet pranë zjarrit, kujdesen që palltua e xhaketa të thahen sa më mirë. Ngrohtësia e vatrës, një gotë raki rrushi, e kanë sjellë në vete mësuesin. Kur e ndjen veten të fortë për të vazhduar rrugën, ngrihet, po të zotët e shtëpisë nuk e lënë. Jo, i thonë, gdhihet ditë nesër. Dita ka sy.  Ne s’të lëmë të ikësh. Rroba shumë s’kemi, po zjarri gjithë natën ndezur do të jetë e s’ke për të ndjerë të ftohtë. Bukë, kripë e zemër, or vëlla. Kjo ishte fjala, se e zonja e shtëpisë i kishte fshehur ca ushqime për të nderuar mikun.Fëmijët, pak të ndrojtur në fillim, e rrethojnë mësuesin, e fillojnë të flasin e të pyesin për shumë gjëra, po plakut i duket sikur po i merrnin frymën dhe u bëri shenjë të ngriheshin.

-Leri dhe ca, i thotë mësuesi, që t’u bënte qejfin fëmijëvet. Këto cicërima të ëmbla janë ilaçi më i mirë për një mësues. Fëmijët i flisnin për qentë e fuqishëm të kopevet, për ulërimat e uqërvet në mot bore në pyllin midis dy fshatravet, për inatin e ujkut të plagosur…një herë gjyshi i tyre, ngjitur në një lis,  kishte qëlluar e plagosur një ujk. Ashtu i plagosur ujku, i ishte hedhur e kishte mbërthyer me dhëmbë degën e lisit dhe, ashtu, i varur, kishte ngordhur. Sikur të kishte qëlluar këmba e gjyshit mbi atë degë…, do t’ia kishte copëtuar.

-Vërtet, kaq i madh është inati i bishës së plagosur,- pohoi gjyshi. Dhe shtoi: ’’Vetëm këtë, o z. mësues, që udhëton edhe natën, s’ta pëlqej.’’ Shpresa e vogël i foli për vëllanë e babait që e kishin në kurbet: ’’Ai mua më  do më shumë, se nuk më ka parë, po unë nuk e ndërroj nënën e babën me asnjë vend të botës, sado të pasur të më bëjë’’. Mësuesi e puthi. Ajo iu lut që ta pranonte dhe atë në shkollë dhe u ngrit e i recitoi një vjershë që e kishte mësuar nga motra e madhe: ‘’Mëmëdhe quhet toka…’’. E ndjente veten si në shtëpinë e tij.

Të hënën në mëngjes moti gdhiu për bukuri. Mësuesi që herët vazhdon rrugën.

Si dielli që ndriçon dhe nxeh, ndonse s’flet, ashtu i dukeshin së largu fëmijët që kishin dalë në bregoren e shkollës për të pritur mësuesin e tyre dhe era e freskët që vinte nga malet madhështore e kryelatrë, tempujt e Atdheut, i bëhej sikur i sillnin zërin e mëmëdhetarëvet: ‘’Mjaft në rrobëri…’’.’’Tirani… më e rënda… më e ndyra… rrobëri!’’