
Poezi nga Sofia Doko Arapaj
Trishtim
Kush ia vodhi zjarrin, shpirtit tim,
Vargjet nëpër gishta më kanë ngrirë…
Ne ç’ gjuhë të të flasë, moj nepërka gri,
As ti s’ më helmon, po më bën sehir…
***
K’ ta shkëmbinj,
s’ bëkan më tute,
dhe ky deti, sa i gjerë,
ky mali, të zënka frymën,
dhe rrethon, fshatin të tërë…
Vetëm ti,
vetem ti më thua ëngjëll,
dritë edhe mbretëreshë,
me gjithë botën të jem zënë,
veç me ty dua të qesh…
Ditën e fundit
Kur të shkojnë njëqind pranvera,
Mbase bëhen dhe njëmijë,
Ditën e fundit të jetës,
Mbamë për dore si fëmijë..
Mos më lër, merrmë për dore,
Me të butë e me të mirë,
Të më puthësh e stolisësh,
Pa marrë vesh se si është gdhirë..
Të më çosh vathët e bukura,
Dhe rruazat zemër-o,
Byzylykun dhe unazën,
Të më krehësh mos harro!
Lyemë buzët me të kuq,
E stolisësh si di ti,
Mos harro pasi të vdes,
Pres të bëjmë dashuri..
Më fal xixëllonjë
Më fal xixëllonjë,
pse në grusht ,
të shtrëngoja,
e s’mund të të thoja, ik…
por…isha e vogël,
për vete të doja,
mbi fustan,
të më bëje dritë..
Me asnjë kushëri
Unë njoha …shigjetën e fatit,
atë që verboi syrin e shpirtit tim,
njoha dy sytë të kuq e të ftohtë,
që shuajtën zjarrin e vështrimit tim,
njoha nënën dhe babanë e lotëve të mi,
jam motra e dhimbjes, me asnjë kushëri…
…..me respekt atyre nënave dhe motrave, që për shumë arsye u plagosën shpirtërisht….u uroj ditë të bardha…
Kur u fal librin me poezi
Kur u fal librin me poezi,
nuk arrij t’ i përshëndes,
si bijë dielli, rreze e artë,
si vajzë të vetme, perëndeshe…
…….
Po,po,po!
Jam hije e ardhur,nga një fshat,
ku kam lënë gjuhë edhe dëshirë…
ku pres të hedh dhe njëherë shtat,
përparësja e zezë me jakë të ngrirë…
Këta më shohin gjithmonë të qeshur,
si ujë burimi papushim,
ah, të përkthenin dot dhimbjen time…
atë dëshirë për rifillim!
Më pyesin, për nënë e babë,
si di dhe shkruaj poezi,
po unë në shpirt kam thellë një plagë,
që kthehet flakë,
e çmenduri…
Po unë në shpirt kam thellë një plagë,
që nuk i dhembi kujtnjeri..