Esse:
BABUSHI, QË E KA “ZHVENDOSUR” MOSHËN!…
( “Me shpirt Atdhedashurie”, të Murat Gecaj)
Nga PËRPAIM HYSI
Për t’i thënë gjërat më hapur: kushdo, që do ta shohë a lexojë këtë shkrim, do ta shtrojë pyetjen e drejtpërdrejtë: Kush është “Babushi”? Dhe, fillë pas kësaj, vjen pyetja tjetër: Si paska mundur, që ai ta “zhvendosë” moshën? Për të mos e lënë lexuesin që të futet në hulli të panjohura, po shpjegohem.
Babushi është profesor Murat Gecaj. Dhe ky titull “Profesor” nuk është “honorofik”, por i mbrojtur me djersën e ballit, si një diturak në fushën e pedagogjisë dhe në atë të publicistikës. Sado me tituj shkencorë (doktor i shkencave pedagogjike, qysh nga viti 1992 dhe më 1996 “Profesor i asociuar”), ai është më i thjeshtë se thjeshtësia dhe i kudondodhur, në të gjitha njarjet: shkencore, publicistike, artistike, kulturore.
Prof. Murat Gecaj
Ka një përkim të çuditshëm te Murat Gecaj: sado që është 75-vjeç, ai është aq dinamik, sa të jepë përshtypjen e një mesoburri aq vital, sa zë i beson një thënieje të tij: “Nuk jam 75, por 57-vjeç”. Dhe vërtet: kushdo, që e sheh për herë të parë, kështu e çmon: Prag gjashtëdhjetave dhe aq. Unë, që e njoh, disi më më mirë, ia di sekretin kësaj “zhvendosjeje moshe”. Burimi është diku tjetër: te Katrina, bashkëshortja e Muratit. Mos më kujtoni se jam pak i njëanshëm. Po dua të jem i saktë. Thotë Gëtja diku:”Nëse një burrë i moshuar (Babushi është i tillë, sipas datëlindjes), është i mbajtur mirë dhe nuk e tregon moshën, merita është e gruas së tij, që ka grua të mire”. Nga kjo anë, Babushi, ka patur fat. Kur them kështu, nuk shkruaj me apriori, por nisem nga fakte.
Unë, zonjën e nderuar Katrinën e Babushit, nuk e kam takuar asnjëherë. Vetëm kam folur në telefon dhe, megjithëse nuk e kam takuar, e kam formuar mendimin tim për të. Dhe ja përse:
– Alo! Jam Përparimi.
-Urdhno!
-A mund të flas me “Babushin”?
– “Babushi” ka ikë…
– Ku?
-Në tubime. Dikush po përuron një libër a ka një takim në shkollë…
-Po, a gjithmonë kështu bën?
-Po, mor. Nuk ka paradidite aa mbasdite, pushim, ai!…
Pas këtyre bisedave, që janë bërë të zakonshme, kur e kërkoj “Babushin”, si “ngacmues” që jam, një ditë i them Katrinës:
– Po, pse nuk e bën “dalje”, mor, atë burrë?
– Po e due,se asht i mirë “dreqi”…
E solla për lexuesin, për ta njohur më mirë këtë “dreq”, që vërtet është i mirë. Po, në këto replika që sjell, nuk është vështirë që të ravijëzohet portreti i një zonje të nderuar, si Katrina, të cilës i kërkoj ndjesë që e citoj në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa ia marr lejen.
E mendoj ndonjëherë Babushin si një element kimik dhe them: Në se vetitë kimike do ishin të tilla, që ta përcaktonin dinamikën e një njeriu, Babushin, Mendeljevi do ta fuste te zhiva. Se zhiva nuk mbahet në dorë. I tillë është Babushi: dinamik, impulsiv dhe i gjendshëm, si askush. Me karakter burrëror, trashëgues i geneve nga Nikaj-Mërturi i Tropojës.
Ka një biografi të pasur pune: gati 60 vjet me shtypin, që nga “Pionieri”, “Bashkimi” dhe për 22-vjet me radhë në gazetën “Mësuesi”.
Siç lexuat dhe më lart, nuk ka qenë një gazetar dhe aq, pra ka qenë diturak që ka ngulur kokën në shkencën, për të cilën punonte dhe ndaj ka mbrojtur ata tituj shkencorë. Sado që ka kohë që ka dalë në pension, ky “zhvendosës i moshës” është aq aktiv, sa të çuditë. Po ta ndjekësh në veprimtaritë, ku merr pjesë, në shkrimet që boton, atë nuk e ndjek dot. Sikur të qe objekt i gjeografisë, atë nuk e hedh dot në hartë. Shkrimet e tij i gjen në tërë botën. Është “internetist”, që nuk ka shok. Në Evropë, e gjen në Angli, Itali, Zvicër dhe, sidomos, në Suedi, ku me bashkëshokun e tij të penës, shkrimtarin Viron Kona, sikur janë bërë “suedezë”. Megjithatë, këtij atributi”suedez”, do t’i kthehem sërishmi.E gjen në Amerikë e Kanada dhe kudo, ku ka adresa “online” në internet.
Po para se të vijë te objekti i essesë sime, dua t’u them që profesor Murat Gecaj ka në biografinë e tij letrare, të botuar deri tani 13 libra (të gjinive të ndryshme) dhe të 14-tin e ka në procesbotimi. Dhe mos kujtoni se ai ndalon me kaq: nga një “57-vjeçar” priten plot libra të tjerë,që flenë në “ordinator”, për arsye financiare. Shteti dhe Minsitria e Kulturës, qoftë dhe për një diturak si profesor Murat Gecaj, deri tani nuk është bërë e gjallë!?
Shkrimi im modest i kushtohet një ngjerjeje të gëzueshme për Babushin. Miqtë e tij në Suedi, Bahtir Latifi dhe Sokol Demaku, bënë të mundshëm botimin e librit të Babushit, “Me shpirt Atdhedashurie”
Libri ka 8-pjesë. Në pjesën e parë, janë përshtypje për kolegë e miq nga Suedia. Padyshim, kur e lexon, shikon jo vetëm ato lidhje aq miqësore të Babushit dhe “suedezit tjetër”, Viron Konës, me shqiptarët në Suedi, por dhe atë alkimi miqësie,sa të zjarrtë aq të ngrohtë. Pa dyshim, kjo “alkimi” nuk ka ndodhur për sytë e bukur, por qoftë Babushi dhe qoftë Viron Kona, jo vetëm kanë dhënë ndihmesën me shkrime, por dhe kanë “shkëmbyer tepsitë” me shqiptarë, që banojnë sa në Boras të Suedisë,aq dhe në ndonjë qytet tjetër. Kjo miqësi e ndërsjelltë bëhet më inkadeshente se ka dhe suedezë, që janë dëshmitarë të kësaj ndihmese.
Në pjesën e dytë, ka skica e reportazhe miqësore. Si lexues, nuk ke si mos të ndalesh në “dy mbretëreshat”: njëra- mbretëresha e Suedisë dhe tjetra: hipotetike . Është shqiptarja Teuta Halili (ka emrin e mbretëreshës ilire). Po kështu, njihesh me “sozinë” e Vaçe Zelës aliaz Pagarusha, që për fat të mirë është ende gjallë. Po këtu njihesh me vajzën, që i ka shkruar Presidentit Bush i ri) dhe ka marrë letër nga ai(Fjala është për vogëlushen Sara Titka).
Pastaj, Babushi hyn në fushën e tij: me ish-gazetaren Albana Melyshi(tani në Amerikë). E gjen në “Ditëne luleve”, në shkollën “Dora D’Istria”. Shkruan me mirënjohje për 5 çupat e mësuesit veteran Elez Gashi.
Në pjesën e tretë:
Shkruan për tubimin kulturoro-shkencor të profesor Alfred Uçit, për “Estetikën e Migjenit”.Mandej, kujton nëpërmjet shkrimit të “Mësueses së Popullit”Urti Osmani, për mësuesin e merituar Shefik Osmani.
Për Kolec Traboinin, që ka tre gëzime në një ditë. Për komandantin e aviacionit,Edip Ohri.Për Ali Ibër Nezaën,sipas poetes Ganimete Thaçi.
Në pjesën e katërt: Për mësuessen Lumturi Vladi dhe libra të saj. Për poeten Reshida Çoba dhe librin e saj, “Unë gruaja R…”.Për Merita Gjonin, që na rrethon me “duar dashurie”; me Nafije Saliun, me “Mos e vrisni dashurinë” dhe, më e veçanta, sipas meje, është poetja Mimoza Agalliu.Ka mbaruar për histori e gjeografi, për biokimi, për infermieri dhe është edhe poete.
Mandej, ka një varg poetesh të tjera, që Babushi i ka përfshirë në këtë pjesë,si: Lida Lazaj, Enkelejda Kondi,Zyba Hasa,Shpresa Vreto,Enkelejda Tahiri e të tjera. Një vend të veçantë ka dhe për dy poete ulqinake:Albana Rrashi e Flutura Mustafa.
Në pjesën e pestë, ka shkrime përkujtimore,si: për “Papa Klementin XI-Albani”, për aktoren Besa Imami; për të pavdekshmin dhe buzagazin, Riza Lahi; për mikun e tij të shtrenjtë, shkrimtarin e ndjerë,Skënder Hasko; për të ndjerën dhe të bukurën, Rozi Theohari.
Në pjesën e gjashtë, ka portrete miqësh e shokësh,si: Dritëroi është dhe “Tropojan”: për këngëtaren Dila Gecaj, që “ka lindur bashkë me këngën”;me një shok, që e ka takuar pas 60-vjetësh(GJeto Vocaj); për mësuesin dhe gazetarin të porsadalë në pension, përmetarin,Sejdo Harka.
Në pjesën e shtatë, ka një skicë “Nderim për mësuesit dhe pedagogët tanë” dhe, veç kësaj, një shkrim për një mësues veteran, Rexhep Demi, që ka hapur shkollë shqipe në Çamëri në vitin 1899.
Ashtu si “bakllavaja”, që hahet në fund, dhe në librin e Profesor Muratit, në pjesën e tetë, ka diçka “të ëmbël”: janë katër poezi dhe ca sentenca të tij.
Kur thosha që Babushi me Viron Konën janë “suedezë”, nuk është se trilloja. Ja “suedezi” Babush i ka kushtuar një poezi domethënëse Suedisë. Aq mbresa ka prej Suedie,sa dhe poezinë e ka titulluar: “Suedi, e bukura Suedi!” ( Suedi.e bukura Suedi,/ dua të jem zog, të vij që të shikoj…” .Poezia tjetër është “Dy koburet e Isë Boletintit”,.E treat, për nënën”Silueta e nënës” dhe e katërta” Ah, ky 6 marsi, 1991″ (sa dhimbje e kujtime më sjell…). Në fund fare, meditime, që kanë vlerë sentencash.
…Duke e mbyllur shkrimin tim, e pyes veten: Ku e gjen këtë energji, kaq brilante ky, “Babushi” ynë? Dhe përgjigjen e gjej: Babushi dhe Katrina janë të lindur në mars. A nuk është marsi-mbret i luftës? Ndaj, “Babushi” është kaq i gjallë e dinamik. I hanë “brirët”, për “luftë”, po jo për luftë militare e kobëndjellëse, po për jetë të gjallë, ripërtëritëse e shpresëdhënëse. Si “marsianë” ( datëlindjet i kanë aq afër me njëri-tjetrin, më 17 e 23 mars, sa kanë gjetur një të mesme:datën 20 mars, bashkë e festojnë për datëlindje), unë ju uroj jo vetëm jetë të gjatë, që të dy, por vetëm gëzime e suksese! Rrofsh e qofsh, o “Babush”, për ndihmesën, që jep në gjithë këto ngjarje, me kaq vlerë!
Tiranë, 9 mars 2015





























Leave a Reply