Poezi nga Odise Kote
Bie shi në Gjirokastër …
Pikëz – pikël, pikëla
balerina lozonjare,
kërceni mbi rrasa guri,
pullaze,
mit’ e legjenda – pllaka gramafoni
dhjetravjeçare,
rrotulloheni në figura,
simfoni triumfale.
Pastaj bëheni sumbulla, sumbulla,
në rrëmbim e valle,
simfoni drurësh, tinguj hareje,
ylberë që ngrihen – bien
me shpejtësi rrufeje.
Kompozime të çuditshme murale,
fytyra ferrparajse,
rrathë e duar të shtrira prore,
a thua Gustave Doré,
me drit’ – hijet e tij,
ilustron një tjetër Komedi Hyjnore.
Dhe era, era që çmendet e krijon,
nuanca të thella ngjyrash,
nga përplasje – përgjakja,
me muret, sokakët, pjerrësitë,
sterat, ulluqet që ulurijnë,
të fshehin ujërat nëpër vrima,
violina të çakorduara,
të lodhura, të mpira,
ui, viu, uij, viu, uij, iuuu …
Bie shi në Gjirokastër,
dhe unë flas me shiun …
– Gustave Doré, një nga ilustruesit dhe gravuristët më të mëdhenj të shekullit XIX, i njohur për ilustrimet e Komedisë Hyjnore të Dantes dhe Biblës.


























Leave a Reply