Kur shkrimtari konsideron si artin më të madh, atë që të jetë vetvetja.
( Mbi novelën e Miltiadh Davidhit ” Nyja e vdekjes” )
Nga Fatmir Minguli
Në rrjedhën e krijimtarise letrare te autorit Miltiadh Davidhi, lexuesi së fundmi ndeshet me novelën ” Nyja e vdekjes”. Nuk është titulli disi i veçantë i kësaj novele por është vetë forma dhe stili krejt i veçantë që përdor ky autor!
Me këtë subjekt janë shkruar shumë novela, tregime, poezi dhe romane. Një subjekt i thjeshtë, historia e një familje shqiptare në vitet e diktaturës dhe në vitet e tranzicionit. Tre vdekje të rënda brenda kësaj familjeje. Trathëti bashkëshortore dhe gabime fatale të babait në mardhëniet dashurore të vajzës..
I sjellë nga pena e Miltiadh Davidhit, ky subjekt është krejt ndryshe nga sa është shkruar gjer më tani. Një formë narrative ku impresionizmi i hap rrugën herë pas here ideve ekzistencialiste. Një mënyrë të treguari që bazohet në shpirtrat dhe në zhbirimin e thellë të tyre.
Jo vetëm kaq. Autori krijon metafora krejt ndryshe nga ato të rëndomtat. Emrat e personazheve janë Mars e Hënë, Agim, Manjola, etj. Gjuha e simboleve – metaforë mbizotëron në çdo kre të librit. Këto janë një artificë e suksesshme në kompozimin e novelës “Nyja e vdekjes”. Këtu vinë në ndihmë dhe paralelizmat me fenomenet e natyrës të cilat autori i vendos në vendin e duhur.
Një tis poetik, gati i padukshëm mbulon pothuajse çdo skenë të novelës.
Nga sistemet filozofikë në diskutimin madhor “jetë- vdekje” autori kalon shpesh në realitetin tokësor, por pa e humbur lidhjen me qielloren e pakapshme. Kjo duket fare bukur kur ai e fut personazhin kryesor Marsin në një botë ireale, në prag- vdekjen e tij, botë që e bën atë të reflektojë e të kuptojë veten e tij, ekzistencialen e jetës së tij, egersinë e sistemit të transplatuar në shpirtin e oficerit të sigurimit. Impresionizmi I shprehur në rathët e dritës së qiriut të fundit të jetës së Marsit, është tablloja e “dhënjes llogari” ndaj vetes dhe një rinjohje e jetës së kaluar.
Miltiadh Davidhi
Eshtë ky impresionizëm që e bën novelën me shumë vlera, që i jep asaj ndriçimin filozofik pa e lënë të bjerë viktimë e prozaizmit defiçent, që tregon vetëm në “mënyrë dëftore”. Këtë autori Miltiadh Davidhi e stolis edhe me vendosjen e ngjarjeve në kohë të ndryshme kur e kaluar vjen para së tanishmes dhe pse jo edhe para të ardhmes.
Duke mos qënë “enciklopedia e të vdekurve” kjo novelë është një optimizëm për të përballuar jo vetëm vdekjen fizike të njeriut. Eshtë një thirrje shumë njerëzore ku kërkohet pastrim i mendimeve edhe kur ato nuk varen nga personazhi. Ndërthurja komlekse në kohë të ndryshme pa ruajtur radhë, I jep ngjyrime akoma më tonuese formave impresioniste të narracionit të Davidhit.
Nëpërmjet monologëve të Marsit, lexuesi kupton, ndjen, mendon faktet reale të prishjes së familjes jo për shkak të njerëzve, por për faj të indoktrinimit të një sistemi politik dhe ideologjik kundër dashurisë së pastër.
Miltiadh Davidhi luan me shpirtrat, me një lojë inteligjente. Për të janë shpirtrat ata që e lëvizin rrotën e ngjarjeve. Pavdekësia e shpirtit, per autorin është një analizë e asaj çka shkruar Platoni i lashtësisë:” Shpirti i mbijeton mishërimit të tanishëm, për t’u shpërblyer apo ndëshkuar ashtu siç u takon.”
Nuk është se Miltiadhi i mëshon thjeshtë anës së religjionit. Jo. Ai fut shumë elementë artistikë për ta bërë veprën e tij sa më dinjitoze, më të afërt me lexuesin.
Miltiadh Davidhi e kërkon të jashtezakonshmen brenda të zakonshmes, të mirën edhe te e keqja. Kësisoj ai kërkon të jetë origjinal, të jetë shkrimtari që artin më të lartë konsideron “rester soimeme”- të jetë vetvetja.
Kjo mënyrë kërkimi më kujton babain e esesë , francezin Mishel Montenj, i cili luftoi për lirinë e vetvetes, e nuk u shqua shumë për format e tjera të lirisë.
Novela “Nyja e vdekjes” është një novelë e bukur, brenda formatit të saj e cila rrezaton ngjarje të një të kaluare të popullit shqiptar, një histori e dhimbshme, mardhëniet e burrit me gruan, poshtërsitë e shumë zyrtarëve të kohës moniste. Por janë dhe reminishencat që trashëgohen nga kjo e kaluar, treguar me dhimbje dhe vërtetësi për vajzën e Marsit dhe të fejuarit të saj.
Edhe kudo mbizotëron diskutimi që Miltiadhi bën me gjuhën e shpirtrave, një gjuhë e pandeshur deri më sot në prozën e shkurtër shqiptare.
Zgjedhja e të formuluarit të kësaj vepre brenda kornizës së novelës është gjithashtu meritë dhe forcë krijuese nga ana e shkrimtarit Miltiadh Davidhi. Novela kësisoj, ndodhet në mesin e artë, duke pasur në një anë tregimin dhe në anën tjetër romanin.
Mitiadh Davidhi , tek ka vendosur të fiksojë këtë narracion si novelë është treguar modest por dhe racional. Novela e tij “Nyja e vdekjes” do të përballojë me sukses kërkesat e lexuesve shqiptarë kudo që të ndodhen.





























Leave a Reply