NJË SHAKA E LLAHTARSHME

 

 

Vullnet mato

Tregim nga Vullnet Mato

 

Tri dhomat e apartamentit të përbashkët, kishin diktuar edhe afrimin miqësor të tre beqarëve të staxhionuar. Stefani, Joti dhe Bardhi banonin prej mëse dy vjetësh me qira në katin e tretë të kësaj ngrehine të re, ku jetët e tyre pa gra, gërshetoheshin si tri familje paralele. Ndonëse me profesione të ndryshme, moshat e përafërta i kishin bashkuar ata aq ngushtë shpirtërisht, sa mund të  ndjeheshin jo vetëm shokë, por edhe pjesëtarë të një familjeje, me të gjitha orenditë e siguruara bashkërisht. Shpesh ushqeheshin nëpër restorante, por ndodhte që përgatisnin edhe ndonjë tryezë të përbashkët në njërën nga dhomat e tyre.

Ndodhi që Stefani për ditëlindjen e tij, vendosi të shtrojë një tryezë tejet të bollshme me ushqime dhe variacione pijesh cilësore. Ai kishte mbushur atë ditë plot tridhjetepesë vjeç, dhe as vet nuk po e kuptonte pse duhej festuar me aq bujari e gaz, dita që shënonte plakjen e shkallëzuar të njeriut. Por gjithsesi  zakoni i lashtë duhej respektuar. Aq më tepër, në raportet e krijuara më parë, kur edhe dy shokët e tjerë i kishin kremtuar këto ceremoni bashkërisht.

Për të përgatitur festën e shokut, ata punuan së bashku gjithë pasditen e mërkurë. Vet Stefani lau pjatat, gotat, zbukuroi tortën me qirinj dhe bëri gati gjithçka tjetër që kishte të bënte me estetikën e tryezës. Bardhi me Jotin përgatitën sallatat e ndryshme, poqën bërxollat dhe ngrohën picat e sallamet.

-Për nderin tënd, të humbur me shumë femra, gjatë një çerek shekulli jetë beqari, unë sonte do të bëhem tapë shisheje! -iu drejtua Joti, duke shpërthyer në dhomë një gaz bubullues.

Stefani qeshi dhe ia ktheu në çast:

-Sidoqoftë, ty s’ta kam kaluar, po të kemi parasysh, se nderin tënd e ke humbur me një plakushe që vazhdon të të telefonojë pareshtur…

-Aaaa, ta hodhi dhe ka të drejtë, – reagoi Bardhi nga cepi tjetër. -Stefani e ka dorëzuar beqarinë vetëm te ndonjë zoçkë që fluturon në qiellin e rinisë, jo te ndonjë  klloçkë që kakaris në celular…

-Unë kam një parim human, – u rrek të mbrohet Joti. –Preferoj rrugët e shtruara. Sepse shtigjet e pashkelura paraqesin kurdoherë rreziqe të paparashikuara. E dini çka thënë poeti i madh Uitman? “Të bukura janë vajzat, të bukura gratë, po plakat janë më të bukura…” Kot nuk e ka thënë. Ai duhet t’ua ketë provuar lezetin plakave. Në fund të fundit, bukurinë e ka shpirti, jo faqja. Me budallaçkat e reja mund të bisedosh vetëm budallallëqe. Të moshuarat janë galeri ndjenjash dhe përvojash pafund…

-Duke të dëgjuar ty, m’u kujtua befas barcoleta e asaj plakës që i tha djaloshit: “Rrofsh more bir, që i vure shtëpisë së vjetër një tra të ri !” -tha Stefani duke fshirë duart me një pecetë te lavapjati dhe qeshi vet i pari.

– Ah, kur s’më bëri zoti një rrospi, nga ato që e shtyjnë jetën me kërthizë përjashta, pa ta shihnit ju, sa namusqar është ky njeri, do vinte të lëpihej pas meje apo s’vinte… – ia ktheu Joti.

Qeshën të tre dhe njëri pas tjetrit zunë vendet në tryezë. I pari Bardhi ngriti gotën e verës dhe uroi:

-U bëfsh njëqind vjeç dhe përvjetorin tjetër me një nuse, siç je vetë!

-U bëfsh njëqindepesëdhjetë vjeç e më pas vdeksh nga gripi i derrave! -bëri humor Joti dhe gotën plot e ktheu me fund qysh në fillim.

Gazi i përfshiu të tërë njëherësh. Stefanit i kaloi vera në hundë dhe u detyrua të shkojë te lavamani.

Kështu, me gaz e batuta shakaje të lezetshme kaluar dy orët e para, gjatë të cilave Joti lakmoi te pijet, aq sa i përzjeu ato për dreq. Shokët e vunë re, që ai e teproi mjaft, por menduan, se ishte mbrëmje e shënuar dhe nuk duhej penguar. Aq më tepër në kushtet kur ndodheshin në shtëpi dhe gjithsesi më pas ai do të binte të flinte.

Por krejt ndryshe nga ç’medonin dy të tjerët, Jotit i ra pija në tru dhe filloi të bëjë marrëzira të padurueshme të atilla, sa ua prishi krejt mbrëmjen. Ai kthente pjatat përmbys, i përziente si llaç dhe gajasej kur i përplaste duke i copëtuar në dysheme. Kapte shishet dhe merrte në shenjë çdo objekt të dhomës, derisa e shkërmoqi me një shpërthim prej bombe ekranin e televizorit. Tashmë u duk sheshit, se pija kishte shkatërruar tërësisht të gjithë strukturën e tij mendore.

Në rrethanat të tilla, kur ai u bë i padurueshëm, Stefani me Bardhin e kapën për krahësh, e shtrinë në krevat me forcë dhe e mbuluan me çarçaf. Por ai kërceu përpjetë si sustë dhe zuri t’i shante, duke përdorur një fjalor të ndyrë, të cilin nuk ia kishin dëgjuar ndonjëherë:

-Ua lëroftë nënat Kina dhe baballarët ua dërgofshin ushtarë në Iran! – jehonte me gjëmim, u binte me shkelma dhe shkumëzonte gjithë inat. – O mutër, o bajga gomerësh, o shkërdhata, o by..q… që u është tharë k… e u ka mbetur vetëm vrima prapa. Kujtoni ju, se unë kam palluar vetëm plaka… Po s’e dini ju, se unë kam një alamet palloshi, që i ka marrë me radhë nga plakat deri tek ca të njoma që ju s’i shihni dot as në ëndrra…

Kupa u mbush plot, kur ai rrëmbeu tortën nga tryeza dhe ia ngjeshi Stefanit në fytyrë, duke i thirrur fort:

– Hë de, shuaji qirinjtë tani, o karuc, se na çave trapin dhe pirdhu në dhomën tënde!

Dihej që ai kishte pije të keqe, po sharje kaq banale e marrëzi si kësaj here, s’pati bërë kurrë. Sepse me këto sharjet të hedhura në mënyrë parabolike, doli jashtë të gjithë kufijve të pranueshëm. Kishte shkuar vonë dhe nga frika, se mos britmat e tij shqetësonin tërë pallatin, shokët e shtrinë edhe një herë me forcë në shtrat. Ata provuan një shaka paksa të rrallë, duke ia mbyllur gojën me një shirit të gjerë natribandi. Mandej, duke mos e mbajtur dot më gjatë në zotërim, ia fashuan edhe duart me natriband pas tubit të shtratit metalik. Pas kësaj mbeteshin problem vetëm këmbët, që i përplaste me forcë, sikur të ishte duke vozitur me not shpine. Natribandi i fashuar trashë e fashoi edhe mënyrën e fundit të tërbimit të tij. Pas një lidhjeje edhe me çarçaf për mesi, ai u bë krejt zap. Dhe sado të mundohej të shkëputej nga fashimi i tmerrshëm i natribandit, nuk mund të bënte dot asgjë tjetër, veçse të binte në gjumë të thellë deri sa të qetësohej.

Stefani dhe Bardhi hodhën nga një sy të menduar mbi të. Dhe pasi u siguruan, se gjithçka ishte në siguri të plotë, biseduan se s’kishin ç’bënin më tej në atë mjedis të shkatërruar, pa asgjë të përdorshme për të vijuar festën.

– Eja dalim. Shkojmë me benzin tim të vazhdojmë darkën në ndonjë lokal këtu s’kemi ç’të hamë se u bënë të gjitha për në kazanin e plehrave! – tha Stefani me sy të ndriçuar.

Bardhi ishte në një mendje me të. Dhe pasi mbyllën mirë derën e blinduar të hyrjes me të dy çelësat, dolën në rrugë. Ata nxorën makinën nga parkimi dhe u nisën krejt të shkujdesur, duke menduar, se tani Joti, nuk kishte asnjë mundësi të zgjidhej, të hidhej nga dritaret, apo të thërriste për ndihmë komshinjtë. Gjumi ishte e vetmja alternativë për të dhe patjetër do ta qetësonte tërësisht. Nata e nxehtë e korrikut kishte filluar të freskohej dhe dritat vezullonin në të gjithë gjatësinë e bulevardit kryesor.

-A vemi te lokali me pisha matanë urës së Farkës? –pyeti Stefani befas.

-Shkojmë !- u tregua i gatshëm Bardhi, duke e shprehur kënaqësinë e vet edhe në fytyrë, për atë vend, ku të qetë mund të vazhdonin të festonin më tej ditëlindjen e shokut.

Dhe paskëtaj benzi zuri të shushurijë me shpejtësi nëpër asfaltin me qarkullim të rralluar të orës dhjetë të natës. Kilometrat e rrugës po merreshin njëri pas tjetrit me një nxitim të pazakonshëm, të diktuar edhe nga tronditja që u kishte shkaktuar sjellja shijekeqe e Jotit të çmendur pa lezet atë natë gëzimi. Mes fluturimit të vetëtimshëm të objekteve në të dy anët e rrugës, dukej sikur ata vraponin për të arritur sa më parë në fundin e botës.

Duheshin edhe pesë minuta për tu ngjitur te lokali  piktoresk që vezullonte mes dritave dhe pishave të dendura. Por pikërisht në këtë kohë ndodhi gjëja më e pabesueshme. Krejt papritmas, duart e verbërisë së fatit ishin zgjatur drejt tyre, sikur ata t’i kishte mallkuar vet zoti. Në hyrje të Urës së Farkës, gjatë ndërrimit me një kamion të madh, që mbante dritat ndezur, vetura e Stefanit fluturoi befas jashtë cepit të urës. Dhe sa hap e mbyll sytë, përroi i thellë i përpiu me një frymë të dy shokët, duke i plandosur në kthetrat e vdekjes.

Natë e zezë, përrua i heshtur dhe vdekje pa asnjë dëshmitar. Ky ishte fundi i tmerrshëm i asaj ditëlindjeje të pafestuar plotësisht, për faj të mendjeshkrepjes pa fre të shokut të tretë.

Të nesërmen paradite, dikush nga udhëtarët kishte diktuar shenjat e rrëshqitjes dhe kishte parë hekurishte e makinës së shkërmoqur në fund të përroit. Ai kishte lajmëruar policinë dhe kufomat e copëtuara të dy personave të panjohur përfunduan në morgun e spitalit të kryeqytetit. Duhej të kalonin edhe tri ditë të tjera, derisa të zbulohej identiteti i personave që mungonin në qendrat e tyre të punës dhe të njiheshin kufomat prej familjarëve të thirrur nga rrethet.

Në krye të gjashtë ditëve, policia hetimore mori  në dorëzim çelësat e gjetur në xhepat e viktimave dhe bashkë me familjarët e tyre kontrolluan apartamentin e banimit. Dhe kjo u bë me synimin për të zbuluar diçka nga shkaqet, që i çuan ata në atë vdekje aksidentale të llahtarshme, duke u ndarë nga bota bashkë me ëndrrat e tyre për të krijuar familje.

Sakaq, Joti, i bërë njësh me krevatin, ishte katandisur, si ai derri i mbyllur në tharkun e vet, i mbështjellë me kutërbimin e urinës së një jave dhe me të fekalet e gjakosura. Ngaqë ishte munduar më kot të duronte për të mos qelbur shtëpinë. Dhe sërish qëlloi me fat, që marrëzia vdekjendjellëse e pijes së tij dhe shakaja e llahtarshme e shokëve fatkeq, u zbulua para se të vdiste edhe ai, në një tmerr tjetër, të një natyre të fëlliqur…

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,303,330 hits

March 2015
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List