Novela ” Lisiana” e autorit Myrteza Mara, rigjen për të katërtën herë radhazi dritën e ribotimit nga Shtëpia Botuese ” TOENA”

11998674_904174439619618_424469172_n

 

Novela ” Lisiana” e  autorit Myrteza Mara, rigjen për të katërtën herë radhazi dritën e ribotimit nga Shtëpia Botuese ” TOENA”.

 

 

 

Myrteza Mara

Autor : Myrteza Mara

 

 

Fragment

 

 

     Miku im!    

    Po të le, , në mes një pylli ndjenjash të bukura që ti di aq bukur t’i selitësh. Nuk kam besuar kurrë në mirësinë ideale, por paskam qen e gabuar. Ajo egzistoka në shpirtin e një njeriu si ju dhe unë isha fatlumja.

   Po iki se më thërret jeta të bëj detyrat e radhës. I dashuri u kthye me një “tufë lule pendesash e ndjese”, si “djali plangprishës” dhe ka përgatitur dokumentat për të më marrë me vete. Është njeri i mirë dhe duhemi. Nesër do vemë kurorë. Pikëllimi im është se s’mund t’ju kem dhe juve pranë, jo se nuk mundem, por nuk kam fuqi t’ju shikojë në sy. Bekimin tuaj e di që e kam në shpirt. E di që  jam në ëndërr. E di që kam një mik. E di që njoha një njeri të rrallë, një zemër të ndezur, një shpirt bujar, një mbret shtrati. Dhe nuk jam pishman për asgjë. Më duket vegim. Por ia vleka të jetosh dhe për një çast të tillë. Do e shoh tërë jetën këtë ëndërr.

  Kam vetëm një kërkesë: Gjithë këtë zjarr shpirti, gjithë atë minierë ari të mirësisë njerëzore mbille në një libër. Shkrimtarë të mirë ka plotë në qytetin tonë, këshillohu me ndonjerin. Njerëzit duhet të mësojnë se dashuria nuk ka moshë. Se të dashurosh nuk është mëkat, por detyrë jete dhe zemre. Dashuria e sinqertë nuk quhet aventurë, paçka se gurët e mykur të moralit mprehin majat për t’u bërë thika…

   Kur të bëhem gjyshe do jetë përralla me e bukur që do u mësoj përmendsh nipërve e mbesave.

   Jam krenare për ty. Jam e lumtur që të njoha. Jam e dehur nga kënaqësia që më dhurove. Nuk do t’ju harroj kurrë!

    

         “Nga unë prisni të mësoni kë dashuroj?

         Vdes dhe emrin, të më besoni, s’ua tregoj!”

 

   Mua do më gjesh tërë jetën mes këtyre vargjeve.

            

                                         E di që më do,

                                                             Lisiana!

 

 

Nuk mund ta quaj të mbyllur këtë libër, dhe në mos pastë fatin të bëhet i tillë, nëse nuk u jap kënaqësinë të lexoni dhe disa nga faqet e ditarit të Lisianës. Kam bërë redaktorin, duke hequr shumë superlativa të pamerituar ndaj meje. Ishte pikërisht sinqeriteti i saj që më bëri ta adhuroj. Ishte pikërisht ajo çiltërsi dhe naivitet i pastër fëmijëror që më ka ngazëllyer e do mbetet përjetë i tillë. Por, më mirë u lutem lexoni!

 

…14 Qershor, ora 15.00

 

“Aventura” me numrin e celularit doli me sukses. Ishin shoqet e dhomës, sidomos Nila, që këmbënguli për t’i bërë thirrje atij numuri celulari gati të njejtë. “Po nuk e provove, do i bëj unë thirrje. Nuk ka rastisur ngjashmëri e tillë numrash. Provoje, ndoshta ndodh si me mua, ose në fund të fundit dhe për gallatë!”

Këmbëngulja e saj e mundi topitjen time. Në fakt as vetë nuk e di ku e gjeta gjithë atë guxim, ndaj them se është një aventurë fëmijënore. S’duhet ta bëja. Më vjen shumë rëndë, por si duket kam rastisur në njeri të mirë që s’më fyeu. Anila e kishte nga përvoja, sepse kështu kërkoi dhe gjeti punë sezonale dhe është e kënaqur. Vetëm kjo e vërtetë më jepte ngushëllim e justifikim para ndërgjegjes.

 

…“Bosi” u tregua shumë bujar, por unë kam frikë nga çdo gjë e tepërt. Nga zëri më duket vërtetë njeri i mirë, fisnik. Qetësia me të cilën flet dhe rrjedhshmëria e fjalëve më bëjnë të ndihem e qetë, por në fund të fundit e kam vetë në dorë. Sa nuk i shkon shakaja kur thotë “jam gjysh!” E bën për të më hequr qafe? Po unë nuk kam ndër mend t’i varem kujt! Fakti që fletë me mua në çdo kohë tregon se është i pamvarur. Po sikur të jetë i martuar, gjysh?! E pastaj!…

 

…Doni më mërziti shumë. Nuk e le shkollën për kapriçion e tij. Do kthehet një ditë, duhemi dhe nuk ka arsye të prishemi.

 

…Asnjë nga shoqet nuk di gjë. Vetëm Nila sikur më shikon më ëmbël se herët e tjera. Numrin e telefonit të “Bosit” nuk e kam regjistruar, se e di përmendsh, por ajo më duket se e ka parë një ditë kur isha në banjë… Sot mora provimin. E kisha lënë pas dore. Ah, Doni, m’i hoqe trutë fare!

 

…Kaluan kaq ditë që s’kam shkruar një rresht. U operova nga apendisiti. Bujaria dhe zemërgjerësia e “Bossit” është e pakufishme. Cilido që të jetë është njeri i mrekullueshëm. Më duket vetja si personazh filmi ku roli është protagonist. Mrekulli të tilla ndodhin vërtetë vetëm nëpër filma. Ai sikur e di që jam jetime. Ka ardhur koha të pyes veten: Po sikur “Bosi” të jetë dashuruar me mua? Gjithë kjo përkujdesje, gjithë kjo mirësi pa pasione mashkullore tregon jo vetëm maturi por patjetër dhe perspektivë. Cila është perspektiva? Mos ndoshta jam futur në një rrugë pë krye dhe duhet të paguaj shtrenjtë për të më nxjerr në shteg?! Kujdes! Po sikur ta mbyll fare celularin dhe të ndërpres komunikimin me të? Eh, s’është kaq e lehtë! Nuk rri dot pa dëgjuar zërin e tij. Pastaj, kjo do jetë pabesi e hapur. Kur e bëj të qesh ndihem me krah dhe qiejt janë për mua. Deri tani nuk ka kërkuar asgjë, qoftë dhe një takim për të cilin i lutem. Dinakëri, apo?…

 

…Tani kam një mik, qenushin Bos. Sa i mirë është! Por Bosi i gjallë kërkon të mbetet anonim. Pse? Po karafilat?! Po shpenzimet për doktorin?  Po kjo urë shtruar me psherëtima! Ai ka frikë, nga se!?

 

…Dhe erdhi mekullia. Do filloj punë. Urra! Urra! Urra! Paska fat dhe për mua.

Ah, të ishte gjallë babi im i mirë sa do lumturohej. Vdiq nga sëmundja e keqe dhe mami e braktisi kur ai kishte nevojë më tepër se kurrë. U bëra unë motër, nënë, shoqe për të, megjithëse isha dymbëdhjetë vjeçe. Nuk dua të dëgjoj sa të jem gjallë për atë që më solli në jetë. Mami nuk meritonte atë shpirt njeriu, siç ishte im atë. “Fale, bijë”-më tha babi para se të mbyllte sytë. Por sa të kem një zemër s’kam për ta falur kurrë.  Më rritën xhaxhallarët. Tani jam zonja e vetes. Kam shoqet, kam Donin. Ja, në sfondin e mjegullt të një agimi shfaqet një diell mirësie i një njeriu që më ka lumturuar dhe më bën të besoj, se në këtë botë ka më shumë mirësi e dashuri se sa urrejtje.

 

…Me siguri nuk jam e vetme që kam provuar emocionet e ligjshme, kur ndodhesh para çastesh të paharruar e të papërsëritshme të jetës, siç është dhe dita e parë e punës. Një botë më vete. Njerëz e ambiente të tjerë. Punë, vështirësi, kënaqësi, ndoshta dhe trishtim apo dështim i papritur.

Unë e di si e kam bërë atë rrugë deri tek adresa që më dha miku im anonim në celular. Një shishe me ujë e thava gjatë rrugës. Kush do më priste? Çfarë do më thoshte!? Po sikur të ishte ai, “Bosi” e sa të më shikonte të shkrihej në gaz e të thoshte: “Ja ku u takuam, o zoçkë e celularit!”  Të ndodh kjo do iki nga sytë këmbët. Po sikur ai të vijë pas dy-tre ditëve e të thotë: Ju jeni Lisiana? Ejani pak në zyrën time! Po sikur…

Asnjë nga këto “sikure-et!” nuk ndodhi. Personi që më priti ishte burrë simpatik, serioz dhe shumë i respektuar. Po ai, Bosi anonim? Celularin e ka të mbyllur. Mos vallë janë të vërteta ato që unë i kam marrë me shaka? Po a mund të ndodh që një burrë i martuar, gjysh, të ketë aq fantazi e kurajo të fal mirësi të tillë një vajze të panjohur? Duket e pabesueshme, por çdo gjë ndodh.

 

…Zotëria, shoku im i zyrës është babai i presidentit të firmës. Është aq korrekt dhe i sjellshëm sa nuk gjej dot asnjë figurë krahasuese. I ka vdekur gruaja! Sa e lumtur do ketë qenë me këtë burrë. Në komunikim me njerëzit ka një magji fjale të çuditshme. Nexhi betohet për të e nëpërmjet saj dëgjoj gjëra interesante që më venë në mendime.

“Sa grua të bukur ka pas zotnia! Ta kishe njohur do e quaje veten me fat. Por edhe burrë si shefi ynë nuk e gjen në një milion! Shpirt njeriu. Me shkollë. Me kulturë. I sjellshëm. Bujar, tek Zoti. Korrekt e,… ç’të thotë Nexhi më parë! Ama, dhe ty Lisiana të shikon e respekton si perëndi. E di ti, që zoti Agim ka pirë nga dy-tri paketa cigare në ditë, po që kur mori vesh se në zyrë do vinte një zonjushe e la si me urdhër.” Çudi!…

 

…Nga Bosi asnjë sinjal. E mbaroi “misionin”, si duket. Dhe unë përherë e falënderoj nga shpirti. Shoqet janë kurioze e duan të dinë shumë gjëra, por unë s’kam çfarë t’ju them më tepër. Anila më shikon shtrembër dhe një pasdite më tregoi të vërtetën për telefonatën njoftuese që i kishte bërë numrit me njëzetë, kur u shtrova në spital. U skuqa dhe i premtova se ndonjë herë do i thoshja të vërtetën, por kjo s’ka për të ndodhur kurrë. Nuk e kam pyetur shefin për njeriun që dha rekomandimet për mua, se mund të vihem në siklet të paparashikuar. Po sikur të pyes se çfarë e kam unë…”iksin”, që nuk i di as emrin? Më grinë kurreshtja, por s’ma mbanë.

 

…Sot erdhi presidenti i firmës. Sa e pashë menjëherë largova pluhurin e dyshimit. Nuk ishte ai që mund të ishte. Atëherë ku fshihet “Bosi im!” Në numrin e tij çdo ditë dërgoj mesazhe dhe sa më shumë kalojnë ditët aq më e guximshme bëhem, ndoshta me mendimin se s’ka për t’i lexuar kurrë.

E fejuara e presidentit, Nora, ishte shumë më e thjeshtë nga se e mendoja. Fliste lirshëm por pinte duhan, gjë që nuk më ka pëlqyer asnjëherë. Shefi im ka pak kohë që e ka lënë cigarin, sa mirë. Kush e duronte gjithë ditën! Dhe e ka lënë pikërisht se “do vinte një zonjushe!…”

 

…Për herë të parë po dyshoj për të vërtetën e madhe. Ftova Nexhin për kafe dhe e pyeta indiferente për fëmijtë e shefit. “Pse nuk e dini që ka vajzën në Gjermani? Çmendet pas mbesave. Madje kishte për të shkuar, por nuk di pse e anulloi. Edhe shefi nuk ka shumë kohë që ka filluar punë.”

Më ka ikur oreksi dhe gjumi, aq sa kam rënë në sy dhe të shoqeve. Ai duhet të jetë. Tani kam filluar të lidh tonin e zërit të tij, kur flet me të tjerë në celular dhe nga telefoni i zyrës. Një ditë e mora enkas nga telefoni i rrugës, për t’i thënë se do vonohem pak në zyrën e tatimeve. Ishte ai, zëri që më ka munguar kaq kohë.

 

…Kur drekuam me Turin dhe Norën vura re një detaj  interesant: I biri i tha që pse e ke mbyllur celularin, nga që nuk iu përgjigj thirrjes dhe shefi iu përgjigj i hutuar se ishte fikur pa dashje. E pashë kur futi dorën në xhep dhe fiku telefonin. Pra “Bosi im” lozte aq bukur për t’iu shmangur njohjes me mua. Turi i kishte bërë thirrje nga numri me njëzetë, por ai kishte kohë mbyllur!

Më erdhi keq sa zemra m’u ligështua. Ai është njeri i mirë, më i miri që kam njohur deri tani, pas babit tim. Më kishte falur kaq shumë emocione dhe ëndrra. Kishte shpenzuar për mua dhe dinte të fliste aq bukur. Prania e tij në jetën time, pikërisht në atë periudhë të vështirë ishte si dorë e dërguar nga Zoti. Ç’të bëj? Të vazhdoj indiferenten duke ditur të vërtetën? Apo të gjuaj rastin e t’ia them të gjitha? Po çfarë t’i them! Para atij njeriu jam pa gojë. Kam vetëm zemër, po trokun e saj e ndjen vetëm një zemër binjake.

 

…Ditën, që solla qenushin mbi tavolinë, vulosa bindjen se Agim Adili ishte miku im anonim. Qava dhe dola nga zyra. Shpirti ma ndjeu që dhe ai e kuptoi, sepse midis nesh heshtja kishte folur më shumë se mund të fliste gjuha. Dhe në kisha ushqyer ndonjë ndjenjë dashurie, dhe kjo quhet herezi morale, ja ku po e them me shkrimin tim: Nuk jam pishman. Ai njeri meriton gjithçka nga jeta ime, në se do i duhet. Por burimi i mirësisë së tij rrjedh aq pastër, sa dhe syri i ujit bëhet pasqyrë shpirti.

Tani më duket sikur këtë njeri e njoh prej vitesh. Sikur ka qenë ai princi i përrallave dhe ëndrrave të mia. Sikur gjithë kuçedrat dhe divat i ka mundur ai, për hatrin tim. Sikur mban në dorë një testament të shkruar nga qielli: “Kujdesu për Lisin!” Sikur do mjaftonte vetëm një fjalë magjike e ai do hiqte maskën dhe do më ftonte në altar. Sikur…

 

…Mori në telefon Elidoni. Kërkoi ndjesë dhe u pajtuam. Këto ditë vjen për ceremoninë e martesës. Nuk do bëjmë dasmë. Do ikim në Itali. Do më vijë keq për gjithçka që ndërtova këto katër muajt e fundit. Katër muaj për mua janë baras me një jetë, por jeta nuk ecën mbi shina. Do e lë punën që e fillova me aq dëshirë. Do lë dhe mikun tim “anonim” në mes tymit të një ëndrre që ia dogja me duart e mia. Do le dhe Bosin në duar të sigurta, si urë frymëmarjeje midis shpirtrave tanë.

 

…Ndodhi ajo që nuk më kishte shkuar asnjëherë ndër mend: Lexova “ditarin” e Agimit. Më kishte thënë se shkruante disa kujtime, që donte t’i sistemonte, por pikërisht sot vura re se kasaforta ishte hapët. Mora çelsat ta mbyllja, por më ra në sy emri im i shkruar dhe dy karafila vizatuar. Ndërkohë zilja e shumëpritur e celularit të “dajo Bosit” pikoi si lot dielli. Ishte Ai, shefi, miku anonim, Agim Adili. Ai që më fluturoi nëpër qiej ëndrrash për katër muaj dhe befas më kthen në errësirën e kësaj bote.  Them errësirë sepse shpirti i tij ka mbjellë aq diell në atë bllok shënimesh sa që nuk di në do mësohem me realitetin. Dhe paska vuajtur miku im. Më ka dashur dhe më do, “sipas mënyrës së tij!”

Dhe Krishtin e kryqëzuar s’do e mëshiroja aq shumë. Ai u martirizua për të shpëtuar njerëzimin, ndërsa miku im ka “martirizuar” shpirtin e tij për mua. O Zot, pse s’më linde tri dekada më parë?!

Nga ato shënime plot ndjenjë e vërtetësi mësova aq gjëra që dhe njëqind vjet të tjerë të rroja s’kisha për t’i mësuar kurrë.

Mësova, si e ka emrin mirësia e vërtetë. Ajo për mua quhet Agim!

Mësova, si mund të duash me shpirt, duke e shndrruar dashurinë në balsam. I tillë është miku im i mirë!

Mësova, si arsyeja drejton pasionet dhe nuk bëhet rob i tyre!

Mësova, se një sekret dashurie bëhet i bukur edhe kur e di vetëm një njeri!

Mësova se në jetë të del koha t’i bësh të gjitha ato që të thotë zemra, mjafton ta dëgjosh e respektosh atë!

Mësova, se në  jetë  duhet të falësh mirësi e ndjenjë, ashtu siç të falin!

Miku im i mirë! Nuk di si ta shpërblej thesarin e ndjenjave të tua. Ato janë aq të bukura sa kam frikë t’i besoj. Ke vuajtur dhe shkaktarja jam unë, por vërej se dhimbja qenka e bukur. Ju më keni ndihmuar që të “vuaj” nga kjo lumturi. Dhe unë do të ta shtoj këtë “vuajtje”. E meriton!…

 

* * * * *

 

Këto shkëputa nga ditari i saj.

Ajo natë vlen sa një shekull. Është imja, vetëm imja. Ajo ka jetën përpara, me të tjera dhimbje e ëndrra të bukura. Në rrugën e jetës m’u rindez drita e shpresës. Kjo që tregoj ndoshta nuk ka ndodhur fare, por mua më pëlqen të besoj. Ndaj dua të jetoj, dhe do jetoj se kam dhe një vegim ëndrre për të përkëdhelur. Vegim është? Ç’mund të jetë tjetër!

 

 

Me kërkesën dhe të Lisianës vendosa që këtë lumturi të shkruar ta lë të fluturojë si zog i lirë nëpër sytë dhe shpirtrat e lexuesëve, megjithëse ky qiell është i vogël për të.

    Në çdo datë katërmbëdhjetë më merr në telefon. Pyet për shëndetin dhe më porosit për Bossin. E di që zëri i saj më lumturon, më jep jetë dhe nuk ma mohon kënaqësinë.

 

Faleminderit Lisiana! Ti më riktheve në botën e dhimbjeve të bukura dhe në atë të ëndrrave. Ashtu është, ia vlenë të jetosh dhe për një vegim. Ti më kujtove se ishte herët të shndrrohesha në anonim dhe jeta na ka borxh ende vite në këmbim të dashurisë. Ndoshta prej kohësh  fëmijt  e mi  do  pëshpëritnin lutje të përmortshme dhe do derdhnin lotë dhimbjeje mbi qirinjt’e ndezur të mëshirës. Sepse dashuria e tyre e madhe nuk mjaftonte; nuk ishte ajo që i mungonte zemrës time. Tani do të isha vetëm hì i kujtimeve të përlotura…

 

Dy herë në javë Nexhi ndrron karafilat e kuq mbi tavolinën e saj.

“Nuk vjen më vajzë si Lisiana, zoti Agim!” – ma kujton ajo sa herë hedh ujë në vazon e karafilave, se e di që ngazëllehem në shpirt dhe i dhuroj buzëqeshje.

                                             

                                    Fund

14 Korrik 2007