Nga poli Nord, në polin Sud / Nga Lida Lazaj

Nga poli Nord, në polin Sud

 

 

lida portret

Nga Lida Lazaj

 
S`mu nda gjith ditën nga buzët buzëqeshja dhe shija e aroma e bukës së ngrohtë. Pas një shekulli si monument i ngrirë, po ndihesha si ugar i pluguar me humus të mirë. Herët në mëngjes, ndërsa fqinji im, të cilit i njoh veëm gjysmën e majtë të fytyrës (qëlluam një ditë në të njëjtën kohë në ashensor) dhe gërhimën (si duket shtretërit tanë janë mbështetur në faqet e kundërta të të njëjtit mur të hollë kartoni), unë nga këtu ku jetoj, po e quaj poli Sud, formulova në tastierë “Unë kam ngirë,po ti si je?” dhe me një klik e fluturova te miku im, në anën tjetër të botës, pra në polin Sud. Ai, “Jam ndryshkur!” Ndryshkur!? Rrudha buzët; ç`sugjerohet, kur ingranazhet rrapëllijnë nga ndryshkja? Hmm…gërryhet ndryshku. Shpejt e shpejt e shkrova në çerek minuti, “Të duhet një dajak i mirë me një degë metroshe prej gjembash ujku!”dhe e përcolla mbi oqeane e shkretëtira drejt mikut tim në polin Sud. Duke pritur, si do ta priste miku rekomandimin tim për të shpëtuar nga ndryshkja, gërhima e intesifikuar e fqinjit, po më shërbente si kolonë zanore e përfytyrimeve të mia, të një trupi të zhveshur njeriu, trajtuar kësisoj. “Makar” erdhi përgjigja së bashku me emrin latin të gjembaçit. Ish e pamundur të mos e njihte miku im me atë diapazon të gjerë dijesh dhe përvojash jetësore që ka, dhe për rrjedhojë e pamundur të mos i përfytyronte edhe efektet e trajtimit, të ofruar me dashamirësi prej meje. Keqkuptim do thoni ju? As që bëhet fjalë. Më shumë mundësi mosmarrëveshje mund të kem me fqinjin, që na ndan fizikisht një mur i hollë kartoni. Përmbi oqeane e shkretëtira, ishte krijuar një linjë virtuale harmonie e kuptimi mbresëlënës. Pa shumë fjalë.
Me siguri po buzëqeshte, sikundër edhe unë, duke përfytyruar se si çelnin lulkëza të kuqe gjaku mbi lëkurë, identike si fruti i gjembaçit misionar dhe se si këndellej shpirti i c`ndryshkur.
“Po ç`ti bëj gjith ato lulka gjaku më pastaj?”mbërriti pyetja nga poli Sud. E prisja dhe e kisha në mollzat e gishtërinjve dhe me një breshëri goditjesh mbi taste, ja dërgova zgjidhjen. “Mblidhi në fletët e romanit tënd të pashitur”!
“Ah po ke të drejtë, flm”- Ai, nga poli Sud.
“Më pas, të duhet një trajtim me qumësht&mjaltë, nga një vend shqiptar, përtej kufirit shtetëror, që shquhet për prodhime të padenatyralizuara, për muzgjet e përflakura dhe rrënimin e shpirtrave të brishtë”- Unë nga poli Nord.
“Më pas do shkoj ti sodis dhe ti prek për dhjetë minuta duart me kallo një mikut tim” – Ai nga poli Sud.
Ah, duart me kallo! Paska ende njerëz, në këtë kohë të dalldisur për lavdi, për luks e konfort fituar lehtshëm? M`u përqasën duart me kallo të babait, i ndjeva në buzë. Më buisën lotët. Madje të gjitha poret e lëkurës m`u bënë sy, të lotuar sy. Ah, duart me kallo të babait; të rreshkura dhe në ngjyrën e kores së bukës së pjekur, aromë dheu, aromë djerse, aromë njeriu, aromë malli e dashurie. Ah, çe zbusin shpirtin një dallgë lotësh dërguar nga poli Sud në polin Nord.
A s`kam të drejtë të jem një buzëqeshje, të ndjehem si ugari me humus të mirë , pas një shekulli, si monument i ngrirë?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s