Poezi nga Zamira Agalliu ( Hysenaj)
Shkëputur nga Vëllimi Poetik “Zemëruar me apostujt”
Poezi
Era e detit në fytyrë më flet,
Buzëqeshja magjike më vesh ballin me vija:
… Veç vetvetes tek unë askush s’do të jetë.
Isha unë Santa Luçia, e tëra unë,
Shpalla divorcin me timen gjini,
Tik-taket e orës numërova pa fund,
Në sofrën e pritjes shtrova poezi…
Dialogu
Dialogu
ishte shpresë,
Mendimet e mia
i lava në ar,
Fjalori yt
lëmsh me gjëmba,
Ti ballëvrejtur,
dritëshkurter,
krenar.
Dimri sërish
do të rikthehet,
Me acarin
në degët e tij,
Me mosmirënjohjen tënde
zemërohet,
E pranverës
s’ia lë më vendin
ai.
Në qiellin tënd
yjet shuhen
një e nga një,
Re e zezë
të mbeti në krah,
Hëna fluturon tej
e shket pa zë,
Dallëndyshja përplas krahët,
iku.
Përgjigje s’ka …
Dinjitet
Është fat nëse të kërkon një grua,
Të përgjërohem, shtrembër mos e shiko,
Klith me vete e çfarë nuk thua,
Që ajo të ka, edhe kur ti s’e do.
Dashuria
S’ka nevojë të shprerhet dashuria,
Nevojë s’ka ta veshësh me lavdi,
Në thep të qerpikut zbret hyjnia,
Si zog kaltërsive kërkon liri.
Trishtim
Ai ar i shikimit tënd u tret,
Mbi ecjen time taketrokitur,
Këtë stinë marramendëse e ndjek,
Me trishtimin rebel – kapërditur .
Sofra e pritjes
Besova tek vetja kaq shumë,
E shpirtin prangosa tek ti,
Shpresova që ti stinët s’i humb,
Ti mbete vjeshtë, pa një ditë shi…
Stinë marramendëse
Tek rrënjët e tua kërkoj të mbahem,
Thellësirave të kohës në kërkim,
Stinët marramendëse më lodhën,
E gjej veten në rrethrrotullim.
Mos m’i pri fijet e shpresës,
Mallin e kujtesës mos ma bëj harrim;
Ylberët e stinëve bashkoi,
Ti meteor i shekullit tim .