Poezi nga Agron Shele

Poezi nga Agron Shele

 

Gjuhë nga gjuha e nënës sime

Shumë ëndrra ndjekin pas rininë time
botën, kur para sysh e afroja
shikoja meridianët si ndanin kontinente
dhe paralelet vijëzuar ndër oqeane
s’ harroja të ndiqja trajektore avionësh
lundruar përmes thellësisë blu
dhe unë,
një grimcë e vetme hapësire
të zgjodha ty o vendi im!

Aty në vendin ku jetoj,
qyteti përhumb para madhështisë
mes statujash e ngjyrimeve të pafundme dritash
autostradave me lumenj makinash që gjarpërojnë
vragave të krisura të tokës,
ndërsa unë, si në kryqëzimet e mëdha
nuk kërkoj më shumë se një copë qiell
një përrua të vogël,
një pyll që ndjell fëshëfërimën e largët,
një cicërimë të munguar harabeli,
pak maja malesh përqafuar nga bora
dhe gjuhë nga gjuha e nënës sime!

 

Dijeni, se aty është një grua

Kur dielli shkëlqen në zenit të tij
e toka prarohet rrezeve pa fund,
ku aromat përhapen gjithkund
e dita çel me të bukurin shkëlqim
dijeni, se aty është një grua.

Kur mbrëmja përflak të bukurin qiell
e muzgjet digjen një e nga një,
ku hëna zgjat të zbehtën ngjyrë
e në krahë valësh shkrihet e fle
dijeni, se aty është një grua.

Kur zjarri ndizet kurmit yje
e terret djegin dhimbjen shpirt,
ku nata sheh me sytë e ëndrrës
e derdhet valë përmbi çdo frymë
dijeni, se aty është një grua.

Kur bora zbardh lëndinën e drerëve
e era shtrin leshrat e gjatë,
ku pylli zhveshur nga blerimi
dergjet trishtit të pafat
dijeni, se aty është një grua.

Kur flatrat zgjat i bukuri engjëll
e turret larg në fluturim,
ku retë mbledh e nis vajtimin
në lotë qielli të pafund
dijeni, se aty është një grua.

 

Kur heshtja flet

Flet heshtja
me njëmijë e një mënyra
fshehur pas vetëtimash të frikshme
vrundujve të mjegullave hije,
në pritje të shpërthimeve të mëdha
shkarkuar në një pemë të vetme
e djegur përvuajtjes së saj.

Flet heshtja
përbrenda zërave të shuar
dëgjuar veç nga era
e shpërndarë ajrit të thatë
pa akorda,
as tinguj,
pa zhurmë
në të vetmen botë të errët
të një qielli të ngrirë
grimcave të kozmosit shpërndarë
reflektim i ngjyrës në retinë.

Flet heshtja,
po, po,
flet me klithma të egra shpirti
çjerr netët e ftohta të dimrit
e gris perdet e tista të ditës!