Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

PSE QANTE E QESHTE 
GRUAJA, PA SHKAK

Ajo qante befas sikur të ishte fëmijë.
Qante shpesh pa një shkak të kuptuar.
Kujtohej, me burrin bënte pak dashuri,
dhe lotët i binin çurg, si rubinet i liruar.

Pastaj kur ai i tha: “Nuk je tërheqëse,
vitet ta kthyen pamjen në shëmtim!”
Ajo ia priti: “Ti më marrsh të keqen!”
dhe lotoi gjithë natën, gjer në agim…

Një tjetër i tha: “Je tmerrësisht e bukur!”
dhe ajo papritmas hapi krahët si zog.
Në mbrëmje i dha atij, një të puthur,
dhe trupin, kur i shoqi pinte me shokë.

Pastaj gjatë javës, ajo qeshte pa shkak,
qeshte e fluturonte me këmbë e duar.
Pse qan dhe qesh gruaja, pa shkak,
vështirë e kanë ca burra për ta kuptuar…

 

KUR ZOTI KRIJOI NËNËN

Kur zoti krijoi nënën e parë tokësore, 
ndoshta kish zbritur për vizitë në planet.
I pëlqyen pyjet, detet, atmosfera ajrore,
gjallesat që kish lënë të shumohen vetë.

Sipas urdhrit të Tij, shekujve të hershëm,
globi ishte populluar tashmë në çdo anë,
me reptilë, balena, dinozaur të tmerrshëm,
me ushqim të bollshëm, në tokë e oqean.

Ai mendoi, se duhej një gjallesë e zhvilluar,
të përjetësonte dashurinë e Tij, në këtë jetë.
Krijoi nënën, të lindte një qenie të formuar,
dhe i dha asaj përgjërimin për pjellën e vet.

Edhe kur, të shkonte pranë Tij, në qiell
t’u çonte fëmijëve gazin e rrezeve diellore,
të lotonte me shiun, për fatkeqësitë e tyre
dhe të vishej me re të zeza, ditëve mortore.

Zoti e la brenda strehës, të mbrohej nga rreziqet,
zonjë shtëpie e aktit të krijimit, pas perëndisë.
Nëna e zanafillës, filloi menjëherë nga lindjet,
bëri njeriun, me frymën hyjnore të dashurisë.

Zoti e shenjtëroi, të nderohej mbi çdo grua,
asnjë nga fëmijët, nënën mos ta ndërronte,
amësia e saj, të mos ishte askund e dubluar,
edhe sikur fëmija, në gjithë botën ta kërkonte.

Zoti shkoi të vizitojë të tjerë planetë rruzullimi,
pasi kishte bërë në Tokë, të vetmin gabim:
Nuk i dha nënës një urrejtje, me fuqi verbimi,
për ata që e lënë të vdesë, në vetmi e mjerim.

Thuhet, se kur të kthehet në planetin me njerëz,
Zoti do i qorrojë vetë mohuesit e nënave mjerane,
vrasësit, që pengojnë zgjatjen e degëve të jetës,
do i fundosë, t’i hanë peshkaqenët, në oqeane…

 

PAS VITEVE TË TRADHTISË…
(Improvizim në dy variante, ai, ose ajo.)

Kur unë të kisha dritën diellore,
ti më kishe gotë me ujë të freskët.
Etjen shove me tjetër gotë ujore,
kur më kishe burim të pashtershëm…

Burrat e gratë, ngjasojnë me përrenj,
vërshojnë me gurgullima në dashuri,
diku derdhen së bashku në lumenj,
diku ndahen e lidhen me lumë të ri;

Por shkretëtirë ndjenjash, si Sahara,
s’kishe pse lije, pa arsye dhe shkak,
me përroin tjetër, të nisje nga e para,
pasi turbullove ujërat, i bëre batak.

Përmbyte blerimet në troje farefisi,
çudite sorrat dhe laraskat përqark,
aq sa u shkulën gazit nëpër degë lisi,
s’e prisnin të oshtije, me ujëra aq pak.

Lulet që çele nga goja, ditëve të prillit,
u bënë zogj e fluturuan, në qiej vjeshte.
Nuk di nga cili qiell, t’u këput ty ylli,
që t’u dogj ndjenja e një tjetër deshe?!

Tradhtinë ta urrej, ti këtë e di, së paku,
s’dua të më afrohesh, as në botën tjetër.
Po kam pak kureshtje, sytë e tu të plakur,
t’i shoh para se të shuhen, si yje të vjetër…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s