REVISTA LETRARE ATUNIS NR.1 – 2 *

           REVISTA LETRARE ATUNIS   NR.1 – 2 *           SHKURT  –  PRILL *    2O15            ORGAN I LIDHJES : GALAKTIKA POETIKE “ATUNIS”                  Kolegjiumi i Revistës :     Kryeredaktore: Hasije Selishta … Continue reading

Telefoni / Tregim humoristik nga Hamit Taka

 

Telefoni

 

Nr.1…Partia ABCDEFGGJ…Nr. 77…Partia UVXXHYZZH

 

 

 

Hamit Taka

Tregim humoristik nga Hamit Taka

 

Cingëroi me tërsëllimë telefoni i shtëpisë, sikur sillte ndonjë gjëmë.
-Alo! –erdhi përgjigja në anën tjetër.
-Zoti Viktor?
-Jam zonja Vitori, bashkëshortja e Viktorit.
-Desha pak Viktorin, ju lutem.
-Më vjen keq. Për momentin nuk është në shtëpi.
-Jë lutem, është çështje me shumë rëndësi. Është jetike për mua.
-Pse, nuk më besoni për sa ju thashë? Vini në dyshim sinqeritetin tim?
-Oh,Jo, kurrësesi. As më shkon në mëndje. Në asnjë mënyrë. Mos më keqkuptoni. Kam shumë besim tek ju. Derisa jeni gruaja e Viktorit…
-Më falni, u nxitova, flisni, -iu përgjigj Vitoria me politesë.
-Ju lutem shumë, a mund t’i thoni zotit Viktor, sigurisht dhe vetes, se jam numri 1.
Vitoria mbeti pak e hutuar. Një herë mendoi se mos ishte ndonjë debil, që i pëlqente vetja dhe thoshte në telefon se ishte NJESH.
-Nuk të kuptova. The diçka për numrin 1? -Pyeti ajo.
-Po, ashtu thashë, numri 1.
-Prapë nuk po ju kuptoj.
-E thjeshtë fare. Në fletën e votimit për kandidatët e këshilli bashkiak unë jam numri 1. Partia ABCDEFGGJ. Mos harroni, ju lutem!
-Aha, po. Tani e kuptova. Kurrësesi nuk do të harroj.
–Faleminderit, zonjë e nderuar. Tani do t’më falësh, se jam i zënë deri në grykë sot.
-Suksese! –e uroi gruaja mëndjehumbur dhe i mbeti receptori në dorë.

Në dhomën e gjumit cingëroi zilja e celularit të Viktorit. Po ky pse e ke harruar celularin në shtëpi? Pyeti veten. Zilja cingëroi përsëri. Shkoi dhe shtypi butonin.
-Mirëmëngjes! Viktor. Pse nuk ma hap telefonin. Sot s’kam asnjë sekontë për të humbur,-tha zëri në anën tjetër të telefonit.
-Jam e shoqja e Viktorit, -iu përgjigj me përtesë Vitoria.
-Mirëmëngjes, e nderuar! Ju lutem, kujtoje Viktorin… Sigurisht edhe veten: Numri 52.
-E kuptova, por, për siguri, ma e thuaj edhe emrin e partisë, për të cilën kandidon.
-Partia KLMNNJ…
-Suksese! –uroi dhe e hodhi celularin mbi kolltuk.

Prapë cingëroi zilja e celularit të Viktorit. Vitoria vazhdoi punët e shtëpisë indiferente. Zilja cingërronte me këmbëngulje… Nuk të hap, plas! Iu drejtua nikoqirja celularit. Cingërima vazhdoi përsëri e përsëri … Mos është mamaja e Viktorit, mendoi dhe brofi te telefoni. Shtypi butonin dhe nuk arriti të përgjigjej “ Alo!”.
-Viktor, mos harro, numri 33, -tha zëri në anën tjetër..
-Për cilën parti? -pyeti Vitoria.
-Ah, jeni ju, zonja Vitori. Më fal, se nxitoj, e kam kohën flori sot. Partia OPQRSSH, -u përgjigj marrësi dhe e mbylli telefonin.

-Alo!-telefoni i shtëpisë.
– Po.
-Zoti Viktor, mos harro, numri 49. Partia EFGGJHIJ.

Tani cingëriu zilja e derës. Vitoria hoqi përparsen dhe hapi derën. Një djalosh i shkathët i la një zarf në dorë dhe iku. Do ta ketë të shkruar numrin dhe partinë në letër, mendoi Vitoria.

Ra sërish zilja e celularit të Viktorit.
-Tungjatjeta! Viktor. Numri 57, mos harro. Partia SSHPEPTH.
Vitoria e mbajti në dorë celularin. Pastaj e hodhi në divan dhe mori të vetin. Sa bëri të formonte numrin e Viktorit, cingëroi zilja e saj. Shtypi butonin dhe e njohu menjëherë zërin e Kozetës.
-Si më je gdhirë sot, mikja ime?…Mos harron numrin, ë!
-Ma përsërit edhe një herë se na është bërë mëndja numra dhe emra partishë sot.
-Hahaha!… Ke shumë miq të aftë, moj mike… Po 6, moj, 6. Mbahet mend lehtë numri im. Ti ke edhe ditëlindjen në atë datë!
-Po Partia? –i tha Vitoria instinktivisht.
-PUFQRS. –I erdhi shpejt përgjigja dhe u mbyll telefoni.
Kur vihen në listën e këshilltarëve edhe injorante si ti, pse të mos tallesh me mua, tha me vete Vitoria e zemëruar dhe mori celularin e Viktorit. Shkoi në sallon, ku ishte telefoni i shtëpisë. Sa bëri të ulej në një kolltuk, të rehatohej pak, ra zilja e derës. E hapi derën. Para saj rrinte në pritje një adoleshente simpatike. Vitoria i buzëqeshi.
Teta Vitori, brenda është xhaxhi Viktori? –pyeti vajza.
-Jo, të keqen, ka dalë, për të marrë gazetat.
-Jepi këtë zarfin, -tha vajza. Vitoria, e mori zarfin në dorë. Nuk u përmbajt dot nga kureshtja. Brenda ishte një fletushkë me ngjyra e vizime. Mendoi ndonjë ftesë për fejesë a martesë… Nuk e hapi fare. Deri sa është për Viktorin, le ta hapë vetë, mendoi. Ngriti kokën, por vajza kishte fluturuar. Sigurisht me krahë gëzimi, se babi do të zgjdhej anëtar i këshillit bashkiak.
Vitoria zuri vend në kolltuk, këmbë mbi këmbë(duhej thënë hapi këmbët, se kishte punë atë ditë) me celularin në dorën e majtë dhe telefonin fiks në krahun e djathtë.

Nuk vonoi zilja e celularit. Vitoria shtypi butonin.
-Numri? –tha ajo në telefon.
-65, Partia RPSTDEF.
Ra zilja e telefonit fiks. E ngriti menjëherë.
-Numri? –pyeti ajo në telefon.
-27, partia EDCBA.
Ra zilja e derës. Vitoria u ngrit me nxitim. Hapi derën. Para rrinte një djalosh me trup atleti.
-Jam djali i Albinës, -u prezantua ai me pak ndrojë, por buzëqeshur.
-Numri? –pyeti Vitoria. Djali u step pak. Hapi një letër dhe lexoi: 61. Partia SHSRQPO. Pastaj i dorëzoi fletën… Vitoria u kujtua se ishte djali i shoqes së punës.

Që nga ora 8.00 deri në orën 18.00 Vitorisë nuk i zunë këmbët dhe. Vrap te dera, vrap te celulari, vrap të telefoni i shtëpisë. Biseda u automatizua. I ngjante vetja si një instrument i programuar: Numri?… Partia?… Numri? … Partia?… Zarfi?…

Boboooo! Sa parti! –tha një çast me vete. Bëri përpjekje t’i numëronte. Ishte ora 2.30 kur filloi. Në çdo faqe blloku ishte një numër e një parti. Të tjerat ishin në zarfa pak të trashë për një fletushkë. Por kush ua kishte ngenë t’i hapte. Ndërkohë ra zilja e derës. Vitoria e hapi instinktivisht. Në dorë kishte si zakonisht bllokun dhe stilon. Hapi automatikisht fletën e radhës, pastaj hapi derën. Pa ngritur kokën, pyeti: Numri?… Partia?…Nuk mori asnjë përgjigje. Ngriti kokën dhe mbeti e shastisur. Ishte nëna e Viktorit. Ajo kishte qënë disa ditë në fshat për klimë. Ishte kthyer për të votuar. Edhe vjehrra kishte shqyer sytë nga veprimet e Vitorisë. Ajo u merakos. E kapi për krahësh dhe i tha me shqetësim e dhembshuri:
-Nuse, je mirë?… Kur dëgjoi zërin e njohur, Vitoria ngriti kokën dhe pa vjehrrën. Iu hodh në qafë.
-Mirë jam, nënë, mirë. Jam pak e lodhur. E përqafoi vjehrën dhe nisi t’i bënte një kafe. Sa mori xhezven, cingërroi celulari. E kapi me inat sikur do ta përplaste në tokë, shtypi butonin dhe filloi shprehinë:
-Numri? …
-65.
– Partia?…
-Kishte emër të gjatë e kam harruar.
Vitoria shënoi ABCD…YZZH
Rifilloi kafen. Cingërroi zilja e telefonit fiks. Ngriti receptorin:
Numri?…
-Asos, 31, -bëri shaka kandidati në krahun tjetër…
-Partia?…
-Eshtë ajo partia e kryetariiiiit…me mustaqe.
Pa mbritur te aneksi, ra celulari.
-Lere kafen, se kam pirë, -i tha vjehra.

Zilja cingëronte pa pushim në të dy telefonat.
Ç’është kështu?! –tha vjehra e habitur.
Vitorja shkonte te dera, merrte zarfin ose shkruante në bllok. Kthehej në sallon, ngrinte celularin e receptorin pa puashuar. Numri?… Partia?…Zarfi…

Në orën 18.00 fiks tringëlloi zilja e derës. Robotikisht Vitoria mori bllokun, stilon, hapi derën dhe filloi.
-Numri?… Partia?…
-Mos ke lajthitur, gruaja ime e bukur? –dëgjoi zërin e Viktorit. Ajo ngriti kokën, i rodhën rrëke lotësh dhe e qëlloi me të dy grushtat në gjoks.
-Pse ike e më le vetëm sot?… Pse e le celularin në shtëpi?… Gjithë ditën cërr-cërr telefonat…Numri…Partia… Zarfin… Nuk kishte fjalë e punë tjetër…M’u bë shtëpia ferr e zeher..
-Telefonin qëllimisht e lashë në shtëpi. Kur e pe keq, pse nuk e mbylle?
-Nuk më vlejnë tani këto këshilla e mësime. U bëra telef gjithë ditën, sikur kam vrapuar në Maratonën olimpike.

Ndërsa Vitoria përgatiste darken, Viktori filloi bisedën me nënën. Zilet e telefonave kishin pushuar. Me sa kuptohej ishin lodhur dhe ata. Nikoqirja e përgatiste gjellën me duar, ndërsa në vesh i tringëllinin zilet. Ajo vazhdonte përgjigjet automatike: Numri?… Partia?…Zarfi…

Pas darkës bënë një llogari. Ishin 47 parti në bllok dhe 30 zarfa, domethënë 77 parti. Pastaj u bënë kureshtarë se për sa këshilltarë votohej. Llogaria e përafërt u dilte 9999 kandidatë. Pastaj filluan të hapnin zarfat, për të selektuar cilat parti do të votonin. Gjithsej, si familje, kishin katër vota: nëna, Viktori, Vitoria dhe vajza, se djali nuk donte të votonte. Do të kënaqnin vetëm katë kandidatë. Punë e vështirë të ndaje shapin nga sheqeri. Por, kur filluan të hapnin zarfat, nëna dhe Vitoria desh i ranë murit me kokë, duke parë karmonedhat 50 ose 100 mijë lekëshe shqiptare, 50 ose 100 Euroshe. Kishte edhe me vlera më të mëdha, por ato ishin më të pakta. Viktorit i ndrisnin sytë dhe heshtaz fërkonte gishtat. Kush paguan më shumë, bluan i pari, mërmëriti me vete. Por Vitoria nuk e dëgjoi atë mërmërimë. Ashtu siç ishte, me fytyrë të zymtë, mbështetur në kolltuk, e zuri gjumi. Vjehra e zgjoi dhe e shoqëroi te dhoma e gjumit. Deshi diçka t’i thoshte, por nusja ishte e kapitur nga lodhja. Viktori plot entusiazëm, hyri lehtë në shtrat, për të mos e zgjuar bashkëshorten. Ende s’e kishte zënë gjumi, kur dëgjoi gruan që filloi të fliste si inçizim kasete: Numri…Partia…Numri…Partia… 38…2… 33… 77… ABCDEËFGGJ… HIJKLMN…. OPQRSSH… UVXXHYZZH….

Cikël poetik nga Adem ABDULLAHU / Shkëputur nga libri “Ecja vertikale”

Adem abdullahu

Cikël poetik  nga Adem ABDULLAHU

 

Shkëputur nga libri “Ecja vertikale”

 

 

 

ZGËRDHIMJE

 

Kur dielli zihej

në sheshin e mbyllur

me thonj gërmohej dheu

për jetë a vdekje.

 

Kur kërkohej

shthurja e rrjetës infektuese,

lindja e diellit,

aktori zgërdhihej.

 

Ende ai zgërdhihet

ngase nuk di të qeshë.

 

 

 

 

PËRMBYSJA

 

Zgërdhirja

e tij e brishtë

nuk përmbytet

në kënetën helmuese

përderisa nuk goditet

nga rrufeja…

 

JO

 

Nuk do të vetdigjem

si Jan Pallahu

as si studentja jugkoreane

as do të mbyllem në zgafellë

si minatorët kosovarë

që hynë në histori

as do të orvatem të vetndezem

si studenti i Prishtinës

as do të dal në Tien An Men

me duart zbrazur.

 

Do ta kërkoj rrugën time drejt lirisë!

 

 

 

 

EVOLUIMI

 

Lugetërit

në tregimet e gjyshit të thinjur

ishin me mjekër,

mustak e flokë të shprishur,

sy të zgurdulluar,

dhëmbë të mëdhenj,

gojë, trup e pamje të deformuar!

 

I hipnin kalit në vithe,

tabute venin nëpër dyer!…

 

Me kohë ndryshuan

përbërjen e brendshme,

formën e jashtme

-evoluan!

 

Zëri u shkoi deri në qiell,

goja në skaj…,

hapi po ai i dikurshmi!

 

Sido, kurdo e kudo

lugati – lugat!

 

 

 

 

KOHËT

 

Ishin dhe janë dëshmitare

të rënieçuarjeve të gjakut

shterrjes së rrjedhave

angshtimit të damarëve

tharjes së zanafillës së çiltër.

 

Qenë shtriga qenë

shigjetuan shllimet

shikuan me sy hamësi

me nofulla

shpupluan krahë

me veshë liri e pambuku

dëgjuan shtegëtimet

notimet e arsyetimet

moskuptimet e drejtimet…

 

Kohët qenë dhe janë

por edhe unë jam dhe jam.

 

 

 

 

MJESHTRI KOHE

 

Nuk trokëllitet

në derë qelqi

nuk goditet

as shikohet për vrime

 

dera e qelqtë

nuk shtyhet me forcë

është e brishtë

bëhet copë e thërime

t’i përgjak duart

sytë t’i verbon

t’i shurdhon veshët

 

mjeshtrisht hapen dyert

me teknikë moderne…

 

Mjeshtri është hapja

dhe mbyllja e dyerve.

 

 

 

 

ECJA VERTIKALE

 

Ia thinjën mjekrën

që në djalëri

 

flokun ia numëruan

e shumëzuan e pjesëtuan

sipas fantzisë shterpë

tejetej e matën

e shummatën

 

rudhat ia nxorrën

në ballin e njomë

 

e deshën kur ofshante

e humbte drejtpeshimin

 

por prapë eci vertikalisht.

 

 

Poems by Dorin Popa

Poems by Dorin Popa       NOBODY  UNDERSTANDS  ANYBODY   so  many  times  I  had  absurd  claims I  thought  my  soul  was  a  perfect  radar for  your  steps, your  breath your  weeping   with  ardour  and  love  we  could … Continue reading

Cikël poetik nga Hamit Taka

 

Hamit Taka

Cikël poetik nga Hamit Taka

 

 

 

NJË NATË ME HËNË

 

Një natë me hënë, dikur,
Nën yjet e ndezur, dëshmitarë,
Vajzën e mbështeta në një murë,
E putha me afsh e me zjarr;

 

Më tha vajza e ëmbël, egrushe:
Ç’bën ti, or djalë i paturpshëm?
Nga toka u ngritën hijet larushe
Dhe yjet u bënë të padukshëm;

 

I thashë: ose martohej me mua
Ose në këmbët e tua bie e vdes,
Fatin tim s’e marr dot hua
As Orfeut as djallit shpirtin s’ia shes;

 

Shihe zemrën si rreh e tërbuar,
Si vlon gjaku,si digjet në buzë;
E shikon si ndrit syri i dashuruar,
Ndërsa ditët ikin si hije pa gjurmë;

 

Hingëlliu hëna si një pelë e vjetër,
Sikur të isha mëzi i saj i truar…
S’bën, tha vajza, më pret një tjetër
Prej vitesh nëna më ka fejuar;

 

Ca fjalë thoshte përçart e më kot:
Jam lidhur herët, jam e zënë,
Prapa unë nuk kthehem më dot,
Të betohem: “për bab’ e për nënë”;

 

Kot e ke me mashtrime, i thashë,
Po unë s’jam eremit i humbur;
E marr zemrën time, qenit ia bëj tas
Po nga kjo betejë s’dal dot i mundur;

 

E di se më do, syri s’mund ta fsheh,
Ta thotë buza, zjarr edhe shpuzë,
Mos vallë ende mikun s’ e njeh
Që po ia zgjat pritjen tërkuzë?

 

Ndruan se nami keq më ka dalë,
Si vjershëtor sarhosh, i rebeluar,
Po veten s’e gënjen dot më me fjalë
Vetëm për mua ti je krijuar…

 

Dhe qante e gjora me dënesë
Gjoksi gufonte, zemra i përpëlitej,
Desha t’i kërkoja falje dhe ndjesë
Po nga krahët e mi vajzës s’i ikej.

 

 

 

MËNGJES

 

Me fur-furje agimi

Ç’fërfërin sot dritares!

Ti flë ende si pëllumbeshë.

Mes përkëdhelive të mia,

Nëpër ëndërrat e tua

Pa u zgjuar buzëqesh!

 

Mbase të shfaqet fëminia,

Kur rendnim nëpër shtigje,

Nëpër mjegulla shpresash,

Që si lodër e braktisëm.

Atëherë horizontet,

Ngjyrat,

Flokët

Endërrat,

Era na i shpurpurisi.

 

Ti mbaje fustanin me duar

Po era mbi gjoksin tënd

Grindej e luante.

Ti dridheshe,

Kridheshe në flakë

Zjarrin tonë

Asgjë nuk e shuante;

 

Në majë të pemës

Të rinisë së harlisur

Ne ngritëm folenë

Thjesht

Me cicërimat tona

Sstolisur.

 

Vetëm një shtrat

I ngushtë

Vetëm për ne të dy

Tërë natën përqafuar…

Folenë ti ma ngrohe

Me frymën tënde

Me zjarrin e zemrës

Me gazin tënd të kulluar….

 

 

 

 

GJYSHES

 

Duart e tua

Si gjethe vjeshte

Kam frikë se këputen

Para meje rrëzohen;

Filxhani i kafesë,

Pjatat, abazhurët

Do bien nga dhimbja,

Do kricen, thërmohen;

 

Përparsja e vjetër

Si një copë nate e errët

Do të rrijë varur

Në gozhdën e ftohtë;

Atëherë do të ikin

Aromat e gjellëve

Dhe shija e ëmbël

E bukës së ngrohtë;

 

Në oxhakun e gurtë

S’do ndizet më zjarri,

S’do digjet më

Ullishtja e menduar

Dhe sytë e gjyshit

Nga fotografia në murë

Çdo qoshe, çdo derë

Do kërkojnë të hutuar;

 

Pranë krevatit

Të hekurt, të ndryshkur

Do të digjet vetëm

Llambadhja e mekur;

Dhe malli im

Do të shtrihet kudo

Si shtresa e gjalpit

Mbi bukën e thekur;

 

Do tkurret fshati

Mes dy gurësh varri

Udhët e gjelbëra

Do të mblidhen nyje;

Vetëm një shteg

Do të mbetet i bardhë

Ai shtegu i malit

Nga ti më vije…

 

 

 

 

MOS  MË PYET

 

Mos më pyet pse vargje më nuk shkruaj
Hijet e ëndërrave ndjek në vetmi.
Me kujtimet e cigankës ndanë lumit luaj
Ku tingujt zgjohen për të dy…

 

Lirinë simbolizonte për ne ciganka
Që në agim vraponim te rrapi i vjetër
Ku si zgjua bletësh vlonte çadra
Nga liria e kënga, asgjë tjetër…

 

Dhe karvani rrugën e largët merrte
Ca bilbila shtrëngonim ne në duar
Me gaz e mallë na përshëndeste
Në atë rrugën e praruar…

 

Sa vonë ne mësuam ç’ishte liria
Liria jonë e anatemuar…
Po tani mbaruan fuqitë e mia
Si një yll i vjetër dritëshuar.

 

 

 

ZOGU

 

 

Kujtimet zhbën frymë e mëngjesit
Me frymën e padukshme,
Një zog i zbardhur nga vesa
Këndon mbi lulen e turpshme;

 

Në horizont shikon ai hënën
Si fole bari i ngjan, e zbetë;
Flakë e shkumë ia ndez këngën,
Malli për miken e vet;

 

Në fole të re kur këndonin
Gjëmonte ajo nga dashuria,
Nën pendët zjarr ngrohnin vezët
Vlonin ëndërra kaltërsie…

 

Prisnin me sqep të çukisnin,
Ta çanin lëvozhgën e bardhë…
Qiellit të kaltër të buisnin
Zoçkat e agimeve të gjallë…

 

E pa prekur zemra nga zilia
I këndon ai mikes në delir…
Qiellit i shtohet kaltërsia
Në kupa kristali për ta pirë…

 

Në mëngjes, po jo për ditën,
Mbi trëndafil, por jo për erën;
Zogu këndon vetëm për miken,
Vetëm mikja ia di vlerën…