Cikël poetik nga Adem ABDULLAHU / Shkëputur nga libri “Ecja vertikale”

Adem abdullahu

Cikël poetik  nga Adem ABDULLAHU

 

Shkëputur nga libri “Ecja vertikale”

 

 

 

ZGËRDHIMJE

 

Kur dielli zihej

në sheshin e mbyllur

me thonj gërmohej dheu

për jetë a vdekje.

 

Kur kërkohej

shthurja e rrjetës infektuese,

lindja e diellit,

aktori zgërdhihej.

 

Ende ai zgërdhihet

ngase nuk di të qeshë.

 

 

 

 

PËRMBYSJA

 

Zgërdhirja

e tij e brishtë

nuk përmbytet

në kënetën helmuese

përderisa nuk goditet

nga rrufeja…

 

JO

 

Nuk do të vetdigjem

si Jan Pallahu

as si studentja jugkoreane

as do të mbyllem në zgafellë

si minatorët kosovarë

që hynë në histori

as do të orvatem të vetndezem

si studenti i Prishtinës

as do të dal në Tien An Men

me duart zbrazur.

 

Do ta kërkoj rrugën time drejt lirisë!

 

 

 

 

EVOLUIMI

 

Lugetërit

në tregimet e gjyshit të thinjur

ishin me mjekër,

mustak e flokë të shprishur,

sy të zgurdulluar,

dhëmbë të mëdhenj,

gojë, trup e pamje të deformuar!

 

I hipnin kalit në vithe,

tabute venin nëpër dyer!…

 

Me kohë ndryshuan

përbërjen e brendshme,

formën e jashtme

-evoluan!

 

Zëri u shkoi deri në qiell,

goja në skaj…,

hapi po ai i dikurshmi!

 

Sido, kurdo e kudo

lugati – lugat!

 

 

 

 

KOHËT

 

Ishin dhe janë dëshmitare

të rënieçuarjeve të gjakut

shterrjes së rrjedhave

angshtimit të damarëve

tharjes së zanafillës së çiltër.

 

Qenë shtriga qenë

shigjetuan shllimet

shikuan me sy hamësi

me nofulla

shpupluan krahë

me veshë liri e pambuku

dëgjuan shtegëtimet

notimet e arsyetimet

moskuptimet e drejtimet…

 

Kohët qenë dhe janë

por edhe unë jam dhe jam.

 

 

 

 

MJESHTRI KOHE

 

Nuk trokëllitet

në derë qelqi

nuk goditet

as shikohet për vrime

 

dera e qelqtë

nuk shtyhet me forcë

është e brishtë

bëhet copë e thërime

t’i përgjak duart

sytë t’i verbon

t’i shurdhon veshët

 

mjeshtrisht hapen dyert

me teknikë moderne…

 

Mjeshtri është hapja

dhe mbyllja e dyerve.

 

 

 

 

ECJA VERTIKALE

 

Ia thinjën mjekrën

që në djalëri

 

flokun ia numëruan

e shumëzuan e pjesëtuan

sipas fantzisë shterpë

tejetej e matën

e shummatën

 

rudhat ia nxorrën

në ballin e njomë

 

e deshën kur ofshante

e humbte drejtpeshimin

 

por prapë eci vertikalisht.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s