Ç’ DUHET BËRË PËR MUZEOLOGJINË ARSIMORE -PJESË E MEMORIES KOMBËTARE? ( Flet botuesi, gazetari dhe muzeologu Xhorxhi Vasili ) / Bisedoi : Agron Mema

  Ç’ DUHET BËRË PËR MUZEOLOGJINË ARSIMORE -PJESË E MEMORIES KOMBËTARE? ( Flet botuesi, gazetari dhe muzeologu Xhorxhi Vasili )    Xhorxhi Vasili, një figurë intelektuale poliedrike e Sarandës dhe Shqipërisë, ka mbaruar UT, fakulteti i shkencave të natyrës-dega matematikë … Continue reading

Cikël poetik nga Xhemile Adili

xhemileadili (1)

Cikël poetik nga Xhemile Adili

 

 

DËSHMI NGA OLIMPI IM

 

S’e kuptoj
C’është kjo ndjenjë kaq e fortë,
Në këto ditë maji
Të vitit tim,
Që prek në shpirt
Deri në asht,
Deri në palcë,
Frymën ma bllokon,
Më përkëdhel,
Më ledhaton lehtë si era
Dhe pastaj bëhet pjesë jotja
Dhe natën s’më lë vetëm,
Në këtë stinë zemre,
Vjen e çuditshme,
Përzier me zjarr,
Nga miti i Olimpit tim,
Më zgjat dorën dhe dridhet,
Herë thyhet,
E skuqur,
E zbehur,
Herë më rri përballë,
Herë në damarë,
Por vizaton parajsën
Dhe futet brenda
Edhe përtej dhimbjes,
Që të ngjallet
Nga flaka e Olimpit tim.

 

 

 

SFIDË

 

Guxo e fluturo

Dhe netëve të vona,

Qielli është i ndritur, Guxo!

Të pres krahëhapur në freskun e natës,

Të numërojmë bashkë yjet në kupë të qiellit,

Që ndriçojnë si kristale, vezullojnë

Dhe më thuaj cilit ylli t’i vë emrin tënd,

Të dal të flas me të. kur ti të më mungosh.

Guxo dhe sonte fluturo,

Ashtu si fluturon agimeve,

E ditëve të bardha gjithë shkëlqim rrezesh,

Ashtu si fluturon nëpër qiellin tim,

Si fluturon vargjeve të mia, e u jep mjaltë,

U jep shkëlqim, vezullim përrallor.

Guxo e eja,

Me një ortek malli në vargun tim,

Ku lë aromë trëndafili mbi çdo varg!

Guxo dhe dijë dhe këtë,

Ashtu si vetëm ti guxon,

Kur vjen si tajfun e lë magji në çdo shkronjë

Dhe fuqishëm bën xhiro në ndjenja të mia.

Guxo e eja!

 

 

 

NGJAJ ME FIJE BARI

 

Hedh hapat mbi barin e njomë,
Sa lehtë ecja,
Për të mos lënë gjurmë,
Duke mos dashur,
Që asnjë fije të vetme bari ta lëndoj.

Ka gjysmë shekulli që ngjaj me fije bari
Dhe nuk e paskam ditur.

Të dy kemi lindur nga shpirti,
Të dy vdesim nga këmbët e njerëzve,
Ndërsa as stuhitë e mëdha
Rrënjësh s’na nxjerrin nga toka jonë.

Të dy kemi dëshirë të jetojmë mes lulesh,
Të na përkëdhel erë e lehtë maji,
Pak ditë para ditëve të qershive,
Kur durojmë të ka shkelin fëmijët,
Me qershi në dorë.

Unë dhe bari
Kemi dëshirë veçmas
Të na shkelin muzat,
Që gjysmë shekulli më papë
I kemi lënë mënjanë.

Po, ç’më duhen mua muzat,
Kur me një fije bari
Arrij atje lart në Olimp
Dhe bëj legjendën e Olimpit shqiptar.

Unë dhe bari jemi një,
Porse unë zbres nga Olimpi,
Kurse bari udhëton drejt majës së tij,
Ai më lëmon flokët me bojë,
Unë rrënjët me dhe ia mbuloj.

Unë dhe bari ka gjysmë shekulli që ngjajmë,
Por kurrë s’ia mësova magjinë e bukurisë,
As kur si flutura u ula mbi blerimin e butë,
Për t’i dhuruar këngët e mia të dashurisë.

 

 

 

NË DRITËN E NJË NATE KËRÇOVE

 

Dhe pse ikin ditët,
Dhe vitet do të ikin një nga një,
Ti do të kujtosh pa dyshim
Atë mbrëmje Kërçove,
Në heshtjen e natës,
Me yje e drita plot,
Mes gjithë atij vezullimi,
Vetëm unë e ti.

Do të kujtosh
Qiellin e hapur,
Rrugët pa zhurmë,
Hapat e fundit të kalimtarit të fundit,
Në atë natë të rëndë,
Nga dashuria jonë,
Mbytur në aromë jargavani,
Tek numëronim yjet,
Tek u vinim emrat tanë.

Ajo natë Kërçove,
Deshëm të zgjasë me net të tëra,
Ajo natë jorgovani
Ajo natë e dritash të mëdha,
Të qyteti të vogël,
Që duhet të ketë emri DASHURI,
Dhe kur fiken dritat
Dhe nuk sheh gjë me sy.

 

 

 

 

SHIKONI SYTË!

 

Të shihja të më vije,
Me agimin e bardhë,
Tek shkelje mbi vesën e mëngjesit,
Që ngjate me sytë e tu kristal.
Sa më shumë afroheshe,
Malli gërryente në asht,
E muzgu u binte syve të mi.
Aq sy më duheshin të shihja ata sy,
Tek çelnin si sytha pranvere,
Si buqeta lulesh
Në secilën pikë vese.
O zot, ç’po më shihnin sytë!
Fillova të belbëzoj
Para atyre valëve liqeni,
E nga vala e nxehta
Fillova të venitem,
Si lulet në ditë behari.
Gëlltita një valë të nxehtë,
Që u vodha atyre syve,
Por kot, nuk u bëra një me ta,
Në atë hapësirë mes qiellit dhe detit,
Po ç’më duheshin fjalët,
Zanoret e shurdhuara të dashurisë…
Flisja me shpresën,
Me zjarrin e syve,
Me pikturat e ëndrrave të mia,
Të mbështjella në atë shami të kuqe,
Palë-palë në pajën me fishek.
Aq sa valë liqeni prej syve të tu,
Mora dhe dritë,
Të shihja ç’më shihnin sytë.

 

 

 

FOTOGRAFIA JOTE NË MUR

 

Mos më përkëdhel trupin nga larg me ata sy,
Se dridhem si thupër në shtegun e dhimbjes,
Po afrohu më shiko thellë në sy
Shiko se si digjem e prushohem
Si në ditë behari.

Pa prekur dorën që dridhet,
Do të dridhesh dhe ti
Nga dridhja jonë
Edhe bota do të lëkundet
E nga shikimi në sy,
Bota do të digjet.

E kur të futësh duart në flokun e gjatë,
Do të të kapin drithërimat si në ditë dimri
E kur me mollëza të gishtërinjve,
Të prekësh fytyrën që shndrit,
Do të thuash:
O zot, a mos jam në ëndërr?

Nga përkëdheljet e tua të ngrohta,
Mbrëmë më zuri gjumi,
Në një buzëqeshje të këndshme,
Tek kisha vënë kokën,
Mbi rrahje zemre.

Atë ngrohtësi s’e kisha ndjerë kurrë më parë,
Isha e mbuluar me ndjenjën tënde
Dhe u ngrita me imazhin tënd,
Hapa sytë të shikoj përreth,
Një reshje shiu më mbyti fytyrës,
Po përsëri buzëqeshjen tënde pashë,
Ishte po aty.

Por kornizë e varur në mur
Është vetë ëndrra ime e bukur,
Që kurrë s’më lë vetëm,
E shoh dhe në gjumë,
E shoh edhe zgjuar.

 

 

 

LULE E MBIRË NË PELLGJE LËNDIMI

 

Në të gjitha lëndët e jetës,
Ndoshta jam shumë e dobët,
Por në lëndën e dhimbjes
Marr notën dhjetë,
Ku nga vala e nxehtë të shiut nën qepalla
Dhe lulëkuqet vyshken,
Sa kishin filluar të hidhnin shtat,
E ti që s’ma njeh shpirtin,
Ma vret, ma godet,
Dhe më flak si leckë,
Tej rrugës me këmbë,
E unë nga shpirti im,
Të gjitha luleve dua t’u jap jetë
Dhe fijet e barit të frymojnë,
Mbi gur të çelin lule,
E ti pa mëshirë gërvisht qiellin tim,
Larg meje me trishtimi më shqyen lëkurën,
Gozhduar zemrën ma mban,
Prandaj dhe pranvera u vonua sivjet.
Sot bashkë me mua dhe pena qan,
Nga dhimbja harroi dhe shkronjat,
Po me grushte shkronjat mblodha sot
Nëpër qiellin e gërvishtur,
Që nga secila shkronjë,
Mijëra lule të mbijnë,
Shkunda dhe pentagramin me nota,
Vetëm të mos pushojë kënga e zogjve,
E ti po të ndiesh mallin për sytë e mi,
Do të më gjesh mbi çdo lule,
Që kanë mbirë në pellgje lëndimi.

 

Shtëpia Botuese “ADA ” publikon librin me poezi e aforizma “ Mbulomë me qiell… “ të autores Margarita Stoja dhe redaktim të Demir Gjergjit .

  Shtëpia Botuese “ADA ” publikon  librin me poezi e aforizma    “ Mbulomë me qiell… “ të autores Margarita Stoja   dhe redaktim të  Demir Gjergjit .     Titulli i librit: Mbulomë me qiell… Autor: Margarita Stoja Redaktor: Demir … Continue reading

Tridimensionalja në poezinë e Nexhat Rexhës. (Shënime kritike për librin poetik “Fluturojnë zogjtë në kafaz” të autorit Nexhat Rexha ) / Nga Fatmir Minguli

  Tridimensionalja në poezinë e Nexhat Rexhës.   (Shënime kritike për librin poetik “Fluturojnë zogjtë në kafaz” të autorit Nexhat Rexha )     Nga Fatmir Minguli     Jo më kot libri poetik i poetit Nexhat Rexha “ Fluturojnë … Continue reading

Skicë: “ABETARE, SA TË DUA, ME ATO SHKRONJAT E TUA!…” (Festë e bukur e klasës I-b, me mësuese Dava Markun) / Nga: MURAT GECAJ

Skicë:

“ABETARE, SA TË DUA, ME ATO SHKRONJAT E TUA!…”

(Festë e  bukur e klasës I-b, me mësuese Dava Markun)

 

Nga: MURAT GECAJ

 

 

mr 1

Nga e majta: D.Marku, M.Gecaj e M.Kalemi (Tiranë, 25 maj 2015)

 

Kur po shkoja për në mjediset e Teatrit të Metropolit, në kryeqytetin tonë, shumë gjëra mendoja. Mundohesha të sillja në kujtesë vitet e fëmijërisë sime, kur kishim mësuar shkronjat e shqipes dhe numrat, nga mësuesi ynë, Rifat Domi. Ishin vitet e pasçlirimit dhe, sigurisht, as që dinim gjë, se dikur brezat e nxënësve të klasës së parë do ta kishin edhe një gëzim të tyrin, pra “Festën e Abetares” ose “Festën e Shkronjave”…Por, po më kujtohej edhe një ftesë e këtyre ditëve, për të marrë pjesë në përurimin e librit të ri të autores poete Zyra Ahmetaj, me aftësi të kufizuara shëndetësore dhe nga vendlindja ime, pra Malësi e Gjakovës (Tropojë). Titulli i atij libri është grishës e domethënës: “Alfabeti ynë”…

Kur arrita te dera e hyrjes për në sallën, ku do të organizohej ajo festë aq mbresëlënëse, mezi kalova nëpër disa shkallë, për t’u ngjitur në katin e tretë. Përkrah meje kisha mjaft fëmijë, veshur me rroba të bukura, por dhe mësues e prindër. Brenda, salla gumëzhinte nga zërat gazmorë të vogëlushëve, të cilët në gjokse kishin të dukshme nga një shkronjë të Alfabetit të Gjuhës sonë Amtare. Pranë tyre, tërë buzëqeshje e kënaqësi, ishte mësuesja e shkollës 9-vjeçare “7 Marsi”, Dava Marku. Ndërsa, pak më tej, lëvizte nëpër skenë artisti Mikel Kalemi. Ai më “qortoi” që mos të bënim aty foto, pasi shfaqja po niste?! Megjithatë, nuk mund të mos e fiksoja atë çast të bukur, kur do të “festoja” edhe unë, atë ngjarje të munguar, të pranverës së vitit 1947…

 

mr 2

Mësuese Dava, gëzon bashkë me nxënësit e saj…

 

2.

Gjërat e thëna nga zëri i femijeve, ndjerë nga zemra e tyre, shoqëruar me muziken e shpirtit, u ndërthurën me mikun artist, në  “Festën e Shkronjave”. Pra, në atë shfaqje të këndshme të nxënësve të klasës së I-rë B, në shkollën 9-vjeçare “7 Marsi” të Tiranës, i përshëndeti pjesëmarrërsit dhe salla shpërtheu në duartrokitje të pandërprera. Pastaj, një e nga një, vogëlushët-shkronja, nisën të recitonin me zërat e tyre, si cicërima të bukura zogjësh.  Fjalën e mirëseardhjes e tha Ana dhe e vazhdoi  recitimin Era, “E lashë kopshtin”. Elisi, “shkronja A”, recitoi për një emër kaq të dashur për të gjithë ne, Atdheun. Por u recitua edhe vjersha, me atë shkonjë të parë të alfabetit të gjuhës shqipe,  “Abetare sa të dua, më ato shkronat e tua!…”. Më pas, vazhduan recitime: për nënën (Gerti) dhe mësuesen e parë (Dea), për gjuhën tonë të ëmbël (Kristeli), për Fishtën (Ana), për Mjedën (Alisja), për Tiranën (Franci) etj.

Zërat e vogëlushëve shpërthenin si tingujt e pranverës së jetës së tyre dhe mbushnin me gëzim e krenari zemrën e mësuese Davës dhe prindërve të tyre.

Mjaft tërheqës për fëmijët ishin dhe fragmentet e përrallave me kukulla, që paraqiti Mikeli. Pastaj, secilit prej tyre, mësuese Dava i dorëzoi “Çertifikatë”, ku shkruhej:”Për njohje të shkrimit dhe leximit të gjuhës sonë të bukur shqipe”. Ky çast i paharruar, ashtu së bashku, u fiksua në sa e sa fotografi e filmime. Ajo, mjaft e gëzuar, më tha: “Këta vogëlushë më dhanë krahë për t’u ndjerë aq mirë në edukimin dhe formimin e tyre. Me durim dhe dalëngadalë arritëm në përfundim, me objektiva të realizuar. Në vlerësimin e testit të Drejtorisë Arsimore Tiranë, testim i standartizuar, e radhitën klasën tonë të I-b, të parën në 4 klasat e shkollës sonë. Në abetare, 16 nxënës dhe në matematikë 20 nxenës, u vlerësuan me notën “shkëlqyer”. Kështu, ky është ndër vendet e para, në të gjitha shkollat e Tiranës”.

…Jehona e kësaj feste të bukur dhe të paharruar u pasqyrua nëpër faqet e FB, ku lexojmë dhe vlerësime për mësuesen e fëmijët, nga: R.Selmani, E.Topi, L.Prenga, E.Përgjegaj, A.Tusha, E.Bejleri, A.Zoto, Sh.Kastrati, F.Marku, K.Sidinaj, S.Bendaj etj. Ndërsa vetë mësuesja Dava Marku shkroi edhe këto fjalë zemre:”Faleminderit ju, prindër, që keni  qenë bashkëpunëtorët e mi më të afërt, në këtë rrugëtim! Udhë të mbarë, nxënësit e mi të dashur, në rrugën e nisur së bashku, drejt dijes, si qytetarë të dënjë të Shqipërisë sonë të dashur!”

 

mr 1Tiranë, maj 2015