INTERVISTË ME SHKRIMTARIN VULLNET MATO / Bisedoi: Albert Zholi

 

vullnet

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN VULLNET MATO

 

Një intelektual që sfidon moshën. Energjik dhe i qeshur. Gjithmonë në kërkim të zhvillimeve letrare. Lexues i rregullt, redaktor korrekt, por dhe pjesëmarrës në të gjithë aktivitetet me karakter letrar. Jeta e tij është jo vetëm interesante, por dhe me zigzage të çuditshme, që vetëm një njeri me vullnet, si Vullneti, mund t’i suportojë dhe të shohë gjithmonë përpara. Biseda me të rrjedh vetiu dhe orët të duken minuta, pasi vetë jeta e tij është një roman i mbushur me ngjarje. Gjithmonë e sheh me libra ne duar, duke vrapuar rrugëve të Tiranës, për të mos humbur kohën që i ka “premtuar” tryezës së krijimtarisë. Mbetet ndër krijuesit më të spikatur të teksteve në Festivalet e RTSH, si “Bardhësi”, “Lulet e mollës”, “Të kërkoj” etj.

 

Albert zholi

Bisedoi : Albert Zholi

 

 

– Një cv e shkurtër, origjina, lindja, fëmijëria familja. Rridhni nga një familje intelektualësh.

 

-Jam një pemë, nga filiz i mbirë në Sarandë, që u shkula në vigjilje të blerimit, për tu mbjellë në Librazhd, ku lëshova degë e lidha kokrra. Më pas më morën me gjithë rrënjë, për tu aklimatizuar në Tiranë, ku vazhdoj prej vitesh të vilem rregullisht, derisa të më thahen gjethet e mia prej letre. Babai mësues, ishte nga Fterra, fshat mes maleve të Kurveleshit. Nga ku kanë dalë shumë intelektualë, hoxhallarë e mësues në të kaluarën, ndërsa sot, qindra profesorë, doktorë e akademikë, të përhapur në të gjithë Shqipërinë e në mbarë botën.

 

-Cili është kujtimi më i bukur dhe më i shëmtuar nga fëmijëria?

 

– Fëmijërinë e hidhur e kalova në Sarandë. Kujtimi më i bukur, është kur nxora nga deti koshin prej teli me 12 peshq dhe gëzova nënën me vëllezërit e uritur. Kujtimi më i shëmtuar është, dënimi më vdekje, kur na hoqën triskat e bukës, pasi nëna me shtatë fëmijë nuk pranoi të ndante babanë e burgosur për agjitacion e propagandë.

 

-Cili është libri i parë që keni lexuar dhe kush ta rekomandoi? A keni lexuar libra të ndaluar, të verdhë të asaj kohe?

 

– Në moshën njëmbëdhjetë vjeç lexova nga kureshtja librin e verdhë “Ura e psherëtimave” dhe pas tij “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit. Në pyjet e Stravajt në moshën 18 vjeç, bashkë me disa botime artistike, lexova gjithë librat e përkthyer nga letërsia antike greko-romake. Në bibliotekën e ushtrisë lexova për dy vjet, 96 romane dhe libra me tregime nga Gorki, Tolstoi, Dostojevski, Stendali, Hemingueji, Markezi etj.

 

-Kur je ndjerë më keq në punë. A ke pasur raste që të kanë denigruar? Po më mirë?

 

-Në moshën e adoleshencës, pas burgosjes së babait u enda rrugëve të Sarandës, pa shkollën e mesme dhe pa punë. Atëherë u arratisa, si djalosh bredharak dhe gjeta punë kinomekanik në sharrat e rrethit të Librazhdit, ku s’më njihte njeri. Më vonë më tërhoqën në kinemanë e qytetit, më tej përgjegjës në shtëpinë e kulturës dhe fizarmonicist. Të vështirë e pata, sidomos kur dokumentet e ardhura nga Saranda në komitetin partisë, shkruanin shpifjen monstruoze, të cilën s’e kish pranuar as vetë Shqipëria në lidhjen e kombeve, se babai im kishte minuar kanalin e Korfuzit. (me lapsat dhe fletoret e nxënësve, sigurisht). Më mirë e më i lumtur jam ndjerë, kur rrëmbeva në Korçë vajzën e dashur, që s’ma jepnin prindërit e saj dhe krijova familje.

 

-Cila ishte dëshira jua për shkollim, a u plotësua ajo? Mos vallë nuk kishit dëshirë për të mësuar për gjuhë letërsi?

 

– Duke qenë në marrëdhënie pune, mora me korrespondencë Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës, ku u diplomova “Piktor i mesëm”. Çela tri ekspozita personale me piktura dhe mora pjesë në dy ekspozita kombëtare. Më pas botova librat e parë me poezi dhe fillova me korrespondencë Fakultetin Histori-Filologji të Tiranës, dega gjuhë- letërsi shqipe, ku u diplomova mësues i gjuhës dhe i letërsisë për shkollat e mesme, me mesatare të lartë. Madje edhe profesori i ndjerë Shaban Demiraj, në gramatikë historike, më vuri notën 8, vlerësim ky i pazakonshëm për studentet e korrespondencës, që ktheheshin disa herë. Pasi skedat me pyetjet e provimit në formatin e letrave të bixhozit, i kalova nga njëri xhep në tjetrin, për gjashtë muaj resht, me ngulmin inatçor, jo vetëm për të mos u kthyer, por edhe për ta marrë me meritë diplomën e penguar nga biografia.

 

-Cila është poezia e parë, apo proza që ke shkruar? Në cilin organ është botuar dhe si je ndjerë? Kush ta dha sihariqin i pari?

 

-Botova për herë të parë poemën “Çermenika” në gazetën ”Zëri i Rinisë”. Kur i ndjeri redaktor, Vath Koreshi, më tha pas leximit të dorëshkrimit, se të pasnesërmen, do të më mbushte një faqe gazete, dola marramendsh në bulevard, me gëzimin sikur të isha “Juri Gagarini” që ato ditë i sillej globit përqark me raketën ruse.

 

-Pas shkollimit u caktuat mësues në Librazhd, pra nga Saranda në një qytet disi malor, si je ndjerë aty?

 

-Pasi punova drejtori i parë i shtëpisë së kulturës dhe drejtor i muzeut, ngrita edhe 46 muzeumet e fshatrave, si kusht për të më lejuar rrethi të më merrte redaktor Revista “Ylli” që më kërkonte prej muajsh. Por kupola e madhe e partisë, nga varej ky organ, pas një viti më ktheu në Librazhd, për mungesën e garancive politike, me njoftimin nga Saranda, se babai kishte qenë i dënuar. Pas kthimit, më caktuan piktor në repartin e pikturës në komunale, por ndërkohë mora diplomën e mësuesit dhe punova në gjimnaz.

 

-Kur ka dalë në dritë libri juaj i parë dhe si është pritur nga kritika?

 

-Libri i parë me poezi “Tinguj malesh” pati jehonë dhe vlerësim pozitiv në gazetën “Drita” nga redaktori i kritikës të Lidhjes së shkrimtarëve. Pas librit të dytë “Krahët e erës”, u ftova në konferencën kombëtare të talenteve të reja, ku emri im u përmend në raportin kryesor dhe në Kongresin e Lidhjes. Më pas tekstet fituese në festivalet e këngës në RTV, “Bardhësi”, “Lulet e mollës”, “Të kërkoj” etj, më bënë të dëgjuar dhe u caktova redaktor i teksteve në festivalin e 13.

 

-Cilat kanë qenë lidhjet tuaja me Agollin, Kadarenë dhe Xhevahir Spahiun? A i keni takuar dhe a keni pasur replika me ta? Cili është mendimi juaj për secilin?

 

-I kam njohur nga afër të gjithë, si krijues të një plejade që ishim. Sidomos me Driteroin dhe Xhevon, jemi ulur, kemi pirë “Kabernet” Librazhdi e kemi kënduar së bashku. Replika nuk kam pasur me asnjërin, sepse më kanë dashur e më kanë vlerësuar. Ishin dhe janë njerëz që meritojnë nderim e respekt.

 

-Kur jeni bërë pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe cili është mendimi juaj për të? Po sot pa një Lidhje të tillë si ndiheni?

 

-U pranova anëtar i LSHA në vitin 1970, kur pas dy librave me poezi, u botua në 13 mijë kopje romani im i parë “Ujësinor” me subjekt nga jeta e punëtorëve të sharrave, kopertina e të cilit u ekspozua në një tabelë te dera e Lidhjes së Shkrimtarëve. Për botimin e këtij romani, shtëpia e vetme botuese N.Frashëri ngulmoi, derisa organet parti-pushtet në Librazhd lëshuan vërtetimin, se qëndrimi im politik “Ishte i tillë, që nuk e pengonte botimin”. Pastaj romani im“Era e kësaj kohe”, ndonëse isha në provincë, mori me cilësinë e tij, nga fondi i faqeve të planifikuara për shkrimtarët kryesor 348 faqe dhe lidhje speciale…Sot pa pasur një Lidhje shkrimtarësh, ne ndjehemi jo vetëm të zgjidhur, por edhe fije-fije…

 

-Sot flitet shumë për letërsinë e realizmit socialist, kritikohet shumë, mendimi juaj për atë letërsi?

 

-Di të them se, duke përjashtuar librat me përmbajtje dhe heronj të komunizmit, veprat e vërteta që e lartësuan letërsinë shqipe në botë, u shkruan vetëm në atë periudhë, kur për të qenë disi me imunitet të përkohshëm në diktaturë, shkrimtarët e shkrinin të gjithë talentin dhe kohën krijuese, për të arritur një nivel sa më të lartë artistik.

 

-Sot ka shumë shtëpi botuese, a mundet ato të mbijetojnë dhe a i vlerësojnë shkrimtarët?

 

– Shumica e shtëpive botuese private nuk kanë redaksi, shtypin librin e kujtdo që paguan botimin, pavarësisht nga vlera artistike. Sikur shtypshkronjat të mos shtypnin materiale për administratën dhe afishime reklamash, një pjesë e tyre do të kishin falimentuar me kohë. Mbahen më mirë ato, që marrin nga ministria përkatëse, sipas interesave klanore, shtypjen e librave shkollorë me tirazh të madh.

 

– A është i shtrenjtë libri sot me rrogat e shqiptarëve?

 

– Nëse dikush, me rrogë mesatare, do të blinte në panair ose librari tre libra, për shtatë ditë me radhë, mund të mos hante as bukë me gjizë.

 

-A po vlerësohet sa duhet letërsia në Shqipëri?

 

-Me keqardhje, kjo përgjigje duhet shprehur me gjuhën popullore, se sot “Shteti shqiptar, nuk e çan fare kaptinën për letërsinë.”

 

-Cilat janë problemet e saj sot?

 

-Nuk ka asnjë program qeveritar për zhvillimin e letërsisë dhe as për nxitjen e talenteve të reja. Të gjitha emisionet në media dhe të gjitha shkrimet e gazetave kryesore, me përjashtim të gazetës “Telegraf”, që boton suplementin javor “Penat shqiptare”, të tjerat u kushtohen temave të luftës politike brenda shoqërisë. Madje dhe fondet apo sponsorizimet e firmave të mëdha, derdhen në këtë kosh të shpuar me shumë vrima abuzive.

 

-Një problem tjetër është mungesa e kritikës, sa ndikon ajo në vlerësimin real të një libri?

 

-Nuk ekziston kritikë letrare e mirëfilltë. Ka avokatë letrarë, të pajtuar privatisht, vetëm në rastet e promovimeve personale të librave.

 

– Sot ka shumë libra të mirë që rrinë stoqe, nga ana tjetër ka shumë libra me nivel të ulët por që u bëhet publicitet për vet pozicionin në media të krijuesit dhe shitet shumë. Si do ta komentonit?

 

– Vetë liria e botimit, mundëson të bëhet “pseudoshkrimtar” edhe dikush pa shkollë, apo një tregtar kokëtrashë, që veç parave, kërkon t’i dalë emri edhe si mendjehollë. Prandaj libri është kthyer në një mall të rëndomtë, që shitet pak dhe reklamë i bëhet vetëm dikujt, që preferohet nga mediat apo organet e shtypit. Raftet e librarive janë plot me vepra të Kadaresë, Agollit e shkrimtarëve të tjerë në zë, që flenë gjumin e thellë të mbuluar me çarçafë pluhuri. Shqiptarët, në të shumtën e rasteve, janë ksenomanë, preferojnë librin e huaj, qoftë dhe vepër me temë të rëndomtë, si “50 hijet e Greyt”

 

-Në çmimet letrare gjithmonë ka vlerësime fiktive, miqësore, apo klanore, mendimi juaj?

 

-Miku, si në të gjitha kohërat, edhe sot, shpallet fitues. Në juritë e çmimeve letrare, caktohet nga sponsorizuesi, ai që i jep vlerësimin të piketuarit qysh herët, ose bien dakord që autori t’i ndajë paratë me të.

 

– Cilët janë autorët shqiptarë që konkurojnë tregun e letërsisë?

 

-Janë autorët e dalë nga sfera politike, me librat voluminozë, për bëmat e liderëve kryesorë të njërit krah të elektoratit, apo tjetrit. Si dhe librat me analiza personale nga komentuesit e jetës politike. Ata organizojnë shpërndarjen me autograf tek punonjësit, sipas institucioneve në varësi të partisë që i mbështet. Shkrimtarët e tjerë, veprat e tyre artistike i falin, për të mos u krijuar stiva në shtëpi grave nikoqire…

 

-Së fundi çfarë do t’ju këshillonit ju telanteve të reja ?

 

-Numri pa fund i atyre që shkruajnë poezi brenda dhe jashtë vendit, është tregues domethënës, se shqiptarët, nga vetë geni i tyre, lindin poetë. Për ta mbyllur me figurën e një peme sërish, do t’u thosha të rinjve, të mbjellin e të rritin në letërsinë e këtij trualli, lisin gjigant të dashurisë së shqiptarit për shqiptarin dhe për Shqipërinë tonë të bukur. Që kjo pemë madhështore, të shpërndajë oksigjenin e nevojshëm, për të dalë në krye të vendit një Ismail Qemal i ri, i cili të ketë në kabinetin qeveritar, një Sami Frashër të ri, një Hasan Tahsin, një Fan Nol, një Hasan Prishtinë, një Nënë Terezë. Mendje të ndritura, që mendojnë vetëm për popullin shqiptar, jo për xhepat qeveritar.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s