Cikël poetik nga Xhemile Adili

xhemileadili (1)

Cikël poetik nga Xhemile Adili

 

 

DËSHMI NGA OLIMPI IM

 

S’e kuptoj
C’është kjo ndjenjë kaq e fortë,
Në këto ditë maji
Të vitit tim,
Që prek në shpirt
Deri në asht,
Deri në palcë,
Frymën ma bllokon,
Më përkëdhel,
Më ledhaton lehtë si era
Dhe pastaj bëhet pjesë jotja
Dhe natën s’më lë vetëm,
Në këtë stinë zemre,
Vjen e çuditshme,
Përzier me zjarr,
Nga miti i Olimpit tim,
Më zgjat dorën dhe dridhet,
Herë thyhet,
E skuqur,
E zbehur,
Herë më rri përballë,
Herë në damarë,
Por vizaton parajsën
Dhe futet brenda
Edhe përtej dhimbjes,
Që të ngjallet
Nga flaka e Olimpit tim.

 

 

 

SFIDË

 

Guxo e fluturo

Dhe netëve të vona,

Qielli është i ndritur, Guxo!

Të pres krahëhapur në freskun e natës,

Të numërojmë bashkë yjet në kupë të qiellit,

Që ndriçojnë si kristale, vezullojnë

Dhe më thuaj cilit ylli t’i vë emrin tënd,

Të dal të flas me të. kur ti të më mungosh.

Guxo dhe sonte fluturo,

Ashtu si fluturon agimeve,

E ditëve të bardha gjithë shkëlqim rrezesh,

Ashtu si fluturon nëpër qiellin tim,

Si fluturon vargjeve të mia, e u jep mjaltë,

U jep shkëlqim, vezullim përrallor.

Guxo e eja,

Me një ortek malli në vargun tim,

Ku lë aromë trëndafili mbi çdo varg!

Guxo dhe dijë dhe këtë,

Ashtu si vetëm ti guxon,

Kur vjen si tajfun e lë magji në çdo shkronjë

Dhe fuqishëm bën xhiro në ndjenja të mia.

Guxo e eja!

 

 

 

NGJAJ ME FIJE BARI

 

Hedh hapat mbi barin e njomë,
Sa lehtë ecja,
Për të mos lënë gjurmë,
Duke mos dashur,
Që asnjë fije të vetme bari ta lëndoj.

Ka gjysmë shekulli që ngjaj me fije bari
Dhe nuk e paskam ditur.

Të dy kemi lindur nga shpirti,
Të dy vdesim nga këmbët e njerëzve,
Ndërsa as stuhitë e mëdha
Rrënjësh s’na nxjerrin nga toka jonë.

Të dy kemi dëshirë të jetojmë mes lulesh,
Të na përkëdhel erë e lehtë maji,
Pak ditë para ditëve të qershive,
Kur durojmë të ka shkelin fëmijët,
Me qershi në dorë.

Unë dhe bari
Kemi dëshirë veçmas
Të na shkelin muzat,
Që gjysmë shekulli më papë
I kemi lënë mënjanë.

Po, ç’më duhen mua muzat,
Kur me një fije bari
Arrij atje lart në Olimp
Dhe bëj legjendën e Olimpit shqiptar.

Unë dhe bari jemi një,
Porse unë zbres nga Olimpi,
Kurse bari udhëton drejt majës së tij,
Ai më lëmon flokët me bojë,
Unë rrënjët me dhe ia mbuloj.

Unë dhe bari ka gjysmë shekulli që ngjajmë,
Por kurrë s’ia mësova magjinë e bukurisë,
As kur si flutura u ula mbi blerimin e butë,
Për t’i dhuruar këngët e mia të dashurisë.

 

 

 

NË DRITËN E NJË NATE KËRÇOVE

 

Dhe pse ikin ditët,
Dhe vitet do të ikin një nga një,
Ti do të kujtosh pa dyshim
Atë mbrëmje Kërçove,
Në heshtjen e natës,
Me yje e drita plot,
Mes gjithë atij vezullimi,
Vetëm unë e ti.

Do të kujtosh
Qiellin e hapur,
Rrugët pa zhurmë,
Hapat e fundit të kalimtarit të fundit,
Në atë natë të rëndë,
Nga dashuria jonë,
Mbytur në aromë jargavani,
Tek numëronim yjet,
Tek u vinim emrat tanë.

Ajo natë Kërçove,
Deshëm të zgjasë me net të tëra,
Ajo natë jorgovani
Ajo natë e dritash të mëdha,
Të qyteti të vogël,
Që duhet të ketë emri DASHURI,
Dhe kur fiken dritat
Dhe nuk sheh gjë me sy.

 

 

 

 

SHIKONI SYTË!

 

Të shihja të më vije,
Me agimin e bardhë,
Tek shkelje mbi vesën e mëngjesit,
Që ngjate me sytë e tu kristal.
Sa më shumë afroheshe,
Malli gërryente në asht,
E muzgu u binte syve të mi.
Aq sy më duheshin të shihja ata sy,
Tek çelnin si sytha pranvere,
Si buqeta lulesh
Në secilën pikë vese.
O zot, ç’po më shihnin sytë!
Fillova të belbëzoj
Para atyre valëve liqeni,
E nga vala e nxehta
Fillova të venitem,
Si lulet në ditë behari.
Gëlltita një valë të nxehtë,
Që u vodha atyre syve,
Por kot, nuk u bëra një me ta,
Në atë hapësirë mes qiellit dhe detit,
Po ç’më duheshin fjalët,
Zanoret e shurdhuara të dashurisë…
Flisja me shpresën,
Me zjarrin e syve,
Me pikturat e ëndrrave të mia,
Të mbështjella në atë shami të kuqe,
Palë-palë në pajën me fishek.
Aq sa valë liqeni prej syve të tu,
Mora dhe dritë,
Të shihja ç’më shihnin sytë.

 

 

 

FOTOGRAFIA JOTE NË MUR

 

Mos më përkëdhel trupin nga larg me ata sy,
Se dridhem si thupër në shtegun e dhimbjes,
Po afrohu më shiko thellë në sy
Shiko se si digjem e prushohem
Si në ditë behari.

Pa prekur dorën që dridhet,
Do të dridhesh dhe ti
Nga dridhja jonë
Edhe bota do të lëkundet
E nga shikimi në sy,
Bota do të digjet.

E kur të futësh duart në flokun e gjatë,
Do të të kapin drithërimat si në ditë dimri
E kur me mollëza të gishtërinjve,
Të prekësh fytyrën që shndrit,
Do të thuash:
O zot, a mos jam në ëndërr?

Nga përkëdheljet e tua të ngrohta,
Mbrëmë më zuri gjumi,
Në një buzëqeshje të këndshme,
Tek kisha vënë kokën,
Mbi rrahje zemre.

Atë ngrohtësi s’e kisha ndjerë kurrë më parë,
Isha e mbuluar me ndjenjën tënde
Dhe u ngrita me imazhin tënd,
Hapa sytë të shikoj përreth,
Një reshje shiu më mbyti fytyrës,
Po përsëri buzëqeshjen tënde pashë,
Ishte po aty.

Por kornizë e varur në mur
Është vetë ëndrra ime e bukur,
Që kurrë s’më lë vetëm,
E shoh dhe në gjumë,
E shoh edhe zgjuar.

 

 

 

LULE E MBIRË NË PELLGJE LËNDIMI

 

Në të gjitha lëndët e jetës,
Ndoshta jam shumë e dobët,
Por në lëndën e dhimbjes
Marr notën dhjetë,
Ku nga vala e nxehtë të shiut nën qepalla
Dhe lulëkuqet vyshken,
Sa kishin filluar të hidhnin shtat,
E ti që s’ma njeh shpirtin,
Ma vret, ma godet,
Dhe më flak si leckë,
Tej rrugës me këmbë,
E unë nga shpirti im,
Të gjitha luleve dua t’u jap jetë
Dhe fijet e barit të frymojnë,
Mbi gur të çelin lule,
E ti pa mëshirë gërvisht qiellin tim,
Larg meje me trishtimi më shqyen lëkurën,
Gozhduar zemrën ma mban,
Prandaj dhe pranvera u vonua sivjet.
Sot bashkë me mua dhe pena qan,
Nga dhimbja harroi dhe shkronjat,
Po me grushte shkronjat mblodha sot
Nëpër qiellin e gërvishtur,
Që nga secila shkronjë,
Mijëra lule të mbijnë,
Shkunda dhe pentagramin me nota,
Vetëm të mos pushojë kënga e zogjve,
E ti po të ndiesh mallin për sytë e mi,
Do të më gjesh mbi çdo lule,
Që kanë mbirë në pellgje lëndimi.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s