Shtëpia Botuese “ADA ” publikon librin me poezi e aforizma “ Mbulomë me qiell… “ të autores Margarita Stoja dhe redaktim të Demir Gjergjit .
Titulli i librit: Mbulomë me qiell…
Autor: Margarita Stoja
Redaktor: Demir Gjergji
Përgatiti për botim : Roland Lushi
Formati: 14 X 20.5
ISBN: 978-9928-193-79-7
Roland Lushi
Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, qershorj 2015
MARGARITARËT E MARGARITËS
Nga Demir Gjergji
Kthehet nga udha shpinëkthyer nga zhgënjimet, që nuk e priste kurrë, nga dita që e lodhi shumë, që harroi se do të ngrysej, nga çasti që e dëshpëroi, nga bota që e zhgënjeu keq. Kthehet pasi ka besuar, pasi ka dhënë dashuri më shumë se ka marrë, pasi ka qeshur jo vetëm për vete, pasi ka puthur marrëzisht dhe është puthur tradhtisht. Hyn në dhomë, heq mantelin e botës nga trupi dhe mbetet në lëkurë të vet, në shpirt të vet, vë vetmi të vet. Supet i tunden nga ngashërime, gjoksi i hidhet nga dënesat, si deti nga dallgët e tërmeteve. Ka natën përpara si një tunel pa dritë në fund. Vetëm! Vetëm! Vetëm. Si do ta gdhijë?
Në agim gjysmë fjetur e gjysmë zgjuar
Zgjasja krahët të kërkoja
Për të të mbuluar,
Nga akujt për të shpëtuar.
Pastaj do të vijë e nesërmja! Si do ta ngrysë? Pastaj vjeshta! Si do ta vjeshtojë?… Më tej dimrin, si do ta dimërojë? Pranvera!!! A do të jetë e saj? Shpresa trishtohet pas të gjithave, vdes e fundit!
Margarita Stoja
Mbase është një farë luleje në trupin e dheut që do të çelë për të në gjoksin prillit. Bota përtej mureve tulatet nën jorganin e natës. Ajo ndez dritën jo për t’i thënë botës ja ku jam, por për të parë veten te shkulmat e shpirtit, te vargjet, te poezia e saj, te ajo magji që të jep marrëdhënia me krijimin. Ndjehet pranë Zotit dhe thërret me një zë të bukur zonje
“Të dua si atëherë, shpirti im!
Kur me petale margaritash fillova
Të luaj, si një gonxhe
Me jetën dashuruar!…”
Dhe në fund vë firmën: Margarita Stoja!
Demir Gjergji