REVISTA LETRARE ATUNIS NR.1 – 2 *

 

11391549_496460113836783_8446958143002421669_n

 

       REVISTA LETRARE ATUNIS   NR.1 – 2 *

          SHKURT  –  PRILL *    2O15  

 

  •        ORGAN I LIDHJES : GALAKTIKA POETIKE “ATUNIS”

 

 

 

           Kolegjiumi i Revistës :

 

 

Kryeredaktore: Hasije Selishta Kryeziu

Zv / Kryeredaktor : Prof.dr.sc But Jaku

Redaktore : Dr.  Albana Alia

Përgjegjës i informacionit Letrar  : Agron Shele

Lektore : Lirije Mikeli

Korrektor Letrar : Enertin Dheskali

Pikturat dhe Arti grafik: Irina Hysi

 

    

           ZARË  –  PRISHTINË

 

 

          ÇDO BASHKËPUNIM ME “ATUNIS” -IN ËSHTË  I  MIRËPRITUR        

 

Shtypur në shtypshkronjën: Lena Grafik

Shtëpîa Botuese : ATUNIS

 

 

 

 

PËRMBAJTJA E LËNDËS

 

EDITORIAL  – Stafi i Revistës “ATUNIS”

 

 

KRITIKË – ESSE

 

Pjetër Budi poet dhe prozator.  ( Përmbledhje )

-Studim nga Prof. Dr. Anton Nikë Berisha.

 

Tema e ujit, e verës dhe e gjakut në tragjeditë shakespeariane: Macbeth e King Lear.

-Nga Dr. Albana Alia.

 

Vepra e Çerkin Ismailit  – Një vizion arkitektonik  (pjesë nga studimi )

-Nga Prof.dr.sc.But Jaku

 

Me shpirtin përherë në fluturim. (Referim estetik rreth poezisë së Frederik Rreshpjes)

Shkëputur nga Libri “Ngjyrime Universale (Ese-I )”  – Nga Agron Shele.

 

Gjamë aletheike për atdheun e kthyer në ferr.

Për librin e Kolec Traboinit “Orakujt kanë zbritur në ferr”.  – Nga Anton Gojçaj.

 

Magjia e përkthimit të një matrice poetike.

(Refleksione për librin ” Striptizë poetike në Washington D.C. ” të Moikom Zeqos, botim i Aparkeas – Abraxas, Tiranë 2014) .

 – Nga Fatmir Minguli.

 

Ëngjëll I Berisha: krijimtari e pasur në poezi dhe histori.  –Nga Peter Tase.

 

Disa përvijime përshkrimore:   Mbi romanin “Vajza e Agamemnonit” – Ismail Kadare

-Nga Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi.

 

Një mendim i hapur për lirikën shqipe. – Nga Rami Kamberi.

 

 

 

PROZË

 

 

Hiri hyjnor ( Fragmente të shkëputura nga romani : “Hiri hyjnor ” ).

Nga Hasije Selishta Kryeziu.

 

Djalli që pagova për këshillë. (Fragmente të shkëputura nga romani : “Djalli  që pagova për këshillë”) – Nga Jeta Vojkollari

 

Derbi – Tregim nga Vladimir Myrtezai.

 

 

 

POEZI

 

 

Poezi nga Enertin Dheskali.

 

Poezi nga Eva Kacanja.

 

Poezi nga Kolec Traboini.

 

Poezi nga Bilall Maliqi.

 

Poezi nga Lirije Mikeli

 

Poezi nga Raimonda Moisiu.

 

Poezi nga Menduh Leka

 

Poezi nga Luan Maloku

 

Poezi nga Merita Berisha

 

 

 

PËRKTHIME

 

Anglezët e lumnueshëm. ( Reto Rossetti ) –Përktheu Bardhyl Selimi.

 

Pjesë nga libri ”Betoveni dhe Revolucioni Frëng”. –Përktheu Meri Lalaj.

 

Poezi nga Muhammad Shanazar.  –Përktheu nga anglishtja Albana Alia.

 

Poezi nga Giovanni Pascoli.   – Përktheu nga italishtja Sinan Vaka

 

 

 

INTERVISTA

 

 

Inva Mula: Dikur kam menduar se karriera ishte gjëja më e rëndësishme në jetë.

-Intervistë ekskluzive nga Raimonda Moisiu.

 

 

 

EDITORIAL

 

Edhe një trëndafil më tepër në kopshtin e universit të letrave shqipe.

 

Revista “ATUNIS”  vjen si prelud dhe shprehje e ndjesive të artit bashkëkohor shqiptar dhe si e tillë ajo përçon vlerat dhe krijimtarinë individuale të poetëve, shkrimtarëve, përkthyesve dhe eseistëve vendas e të huaj. Veç kësaj, ajo do të shërbejë si ndihmesë e mëtejshme për identifikimin e vlerave më të mira kulturore dhe shpirtërore letrare. Vetë magjia e artit të fjalës të tërheq drejt lëndinave më të bukura të muzave, të rrugëton përtej horizonteve në perëndim, të zhyt në shtjellën e honeve më të thella, të rilind në zbardhëllimin e vesuar të agimeve, të ngjit drejt qiejve të zogut në fluturim, të djeg në terrin e yjeve të përflakur dhe përherë e përherë të mahnit dhe të përfshin pa e kuptuar në vorbullën e fuqishme të ndjesisë, elokuencës dhe madhështisë së mendimit artistik.

Në faqet e kësaj reviste, që në fillim, i është dhënë përparësi e natyrshme përcjelljes së disa informacioneve më të freskëta letrare, si atyre kombëtare ashtu edhe botërore, për të mundësuar rrjedhjen e përbashkët të rrymave të ndryshme drejt mendimit universal dhe, për më tepër, përfshirjen e lexuesit në çaste të risisë krijuese subjektive, të tematikave të ndryshme tërheqëse dhe eksploruese, si edhe të projektimit të praktikave krijuese dhe metamorfike të artit në tërësi.

Letërsia si pjesë përbërëse e deshifrimit të kulturës së të gjitha kohërave, ka ardhur nëpërmjet formave dhe trajtave nga më të ndryshme dhe e gjithë kjo prurje ka pasur në thelb vetëm një qëllim, pasqyrimin me qartësi mendimi të esencës së realiteteve nëpër kohëra, si edhe parashtrimin e ideve metafizike për më shumë zhvillim, prosperitet dhe emancipim shoqëror. Në këtë kontekst dhe brenda larmisë së zhanreve që lëvrohen, vjen sot kristalizimi i idesë sonë, për të përqasur por dhe për të diskutuar e reflektuar për substraktin letrar të përzgjedhur, dritëhijet dhe përthyerjen e koncepteve, ndonëse, shpesh, edhe mund të na kundërvihet. Vetë arti i fjalës është një proces i thellë meditimi, përjetimi dhe frymëzimi i ndjenjave dhe emocioneve sublime, është harmonizim dhe shkrirje e tërësishme me morinë e pafund të natyrave jetësore pa harruar se në skenën e këtij teatri në ekzekutim duhet vepruar me mprehtësi, fuqi shprehëse dhe përpunim idesh. Në fokusin e këtyre prurjeve letrare kanë hyrë shtrirja në kohë, hapësirë dhe gjeografi mendimesh, modele përvijuese rrymash dhe përthyerje konceptesh dhe rregullash formale, vizioni i arsyetimit dhe i perceptimit të ndryshëm të lirisë krijuese individuale.

Prania e mjeteve dhe e koncepteve të reja teknologjike e ka futur sot botën e artit në një epokë të re ndryshimi, shpesh herë edhe të diskutueshme për mënyrën dhe trajtimin e informacionit letrar, por ajo që përbën bazën dhe gjithë ndjesinë e perceptimit dhe shijes së një gjinie të shkruar është botimi në letër, si mundësi e prekjes, shfletimit dhe, më tej, e një shkalle të lartë përjetimi. Në kopshtin e universit letrar shqiptar sot ka çelur edhe një trëndafil i ri, i cili me farfurimën dhe ngjyrën e tij do zbukurojë edhe më shumë natyrën letrare shqiptare.

 

 

Stafi i Revistës “ATUNIS”

 

 

 

 

pik 1

 

KRITIKË – ESSE

 

 

PJETËR BUDI, POET DHE PROZATOR. 

 

–  Përmbledhje –

 

 

 anton-berisha-840x420

Studim nga  Prof. Dr. Anton Nikë Berisha.

 

 

I.

 

Pjetër Budi (1566 – 1622) jetoi në një periudhë lëvizjesh të mëdha të botës së krishterë: reformës dhe kundërreformës. Në kohën kur ai i botoi tri veprat e përkthyera “Doktrina e krishterë” (1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), poezitë, parathëniet dhe pasthëniet origjinale, kisha në Evropë kishte një ndikim të gjerë e të thellë në çdo aspekt të jetës së njeriut. Kjo ndodhi sidomos pas Koncilit të Trentos (1554 – 1563) kur ajo mori nën kontroll dhe në mbrojtje artet në përgjithësi, brenda tyre dhe artin e fjalës, letërsinë.

Pjetër Budi duhet të ketë pasur njohuri dhe të ketë lexuar autorë të shquar latinë dhe italianë, ose autorë veprat e të cilëve ishin përkthyer në latinisht dhe në italisht, gjuhë të cilat i zotëronte mirëfilli. Ai do të ketë pasur njohuri edhe për letërsinë e barokut për arsye se në rrafshin tematik synimi i shkrimtarëve ishte të mohoheshin të mirat e botës tokësore dhe t’i jepej përparësi jetës – botës hyjnore (kundërvënie e synimeve të renesancës).

Mirëpo, duhet thënë se ajo që bën amëzën – qenësinë e poezisë së Budit, të parathënieve e të pasthënieve është Shkrimi i Shenjtë – Bibla, që jo vetëm në kohën e tij, po për shekuj me radhë, u lexua dhe pati një ndikim të shumëfishtë në filozofi, në antropologji, në sociologji, në muzikë, në pikturë etj., po dhe në artin e fjalës, letërsinë. Mjafton të përmenden këtu Psalmet, Këngën e këngëve, Himnet, Fjalët e urta, Libri i Jobit etj., që përligjin një rrafsh të lartë shprehës poetik, po dhe një shumësi tematike dhe qenësi mendimi, që pati ndikim të ndjeshëm në veprat letrare të periudhave të ndryshme. Brenda Biblës dhe literaturës biblike Budi u mbështet edhe në himne, në lavde dhe në lutje, që kishin një traditë të pasur duke filluar nga shekujt e parë të themelimit të krishterimit.

Natyrisht, për hartimin e poezisë së vet Budi shfrytëzoi dhe traditën letrare gojore shqiptare, e cila edhe pse nuk ishte shënuar e botuar, bënte një jetë të gjallë në procesin e gojëshmërisë, duke u bartur prej një subjekti te tjetri.

Budi i hartoi poezitë e veta sipas një koncepti të caktuar: nis me Ditën e gjygjit, që lidhet me Ditën e gjykimit të veprimeve të individit të kryera gjatë jetës konkrete, për të vazhduar pastaj me historinë e lindjes së njeriut, me prindërit e parë (Adamin dhe Evën), me lindjen e mëkatit, me shumimin e tij dhe me ndërhyrjen e Hyjit – hedhjen në ferr të mëkatarëve dhe krijimin e një jete të re me Noan dhe fëmijët e tij që bëhen shembull i përfilljes së Fjalës së Hyjit, për të vazhduar me zënien e Jezu Krishtit në trupin e Marisë Virgjër, jetën e tij, pastaj kryqëzimin dhe ngjalljen pas tri ditësh, me çka zë fill një periudhë e re e jetës dhe e përshpirtshmërisë së njeriut.

Budit i shtjelloi poezitë mbi bazën e një modeli të përbashkët. Nëse për një çast atyre u heqim titujt dhe i shënojmë me numra, ose i ndajmë me hapësira të vogla midis tyre, siç ngjet, fjala vjen, me ndarjen e strofave (për të kuptuar se është bërë një kapërcim, atëherë fitohet përshtypja se je duke lexuar një poemë të gjatë, të përbërë prej pjesësh, prej këngësh, që në rrafshin e sasisë, nuk është e domosdoshme të jenë të njëjta, siç ndodh me këngët e disa veprave të kësaj natyre të letërsisë sonë të shkruar, fjala vjen: “Te dheu i huaj” të Zef Skiroit, “Il Canzioniere albanese” të Françesk Anton Santorit, “Lahutën e Malcís” të Fishtës etj. Po qe se dikush, kushtimisht, do të thoshte se Budi e krijoi një lloj epi religjioz, që ka mbi 3000 vargje, atëherë mund të pohohej se kryepersonazhi i poemës është Hyji atë, Biri i tij, Jezu Krishti, Zoti konkret, i dukshëm dhe i prekshëm, Shpirti i Shenjtë (Trinia e Shenjtë), ndërsa Adami, Eva, Noa, Shën Maria, Shën Magdalena etj., janë degët e trungut që e plotësojnë atë, duke i dhënë tërësinë dhe madhështinë përkatëse.

Në poezinë e Budit, siç ndodh edhe në Bibël, Hyji është dashuri, është gjakim dashuror dhe ngushëllim shpirtëror. Hyji e krijoi jetën dhe i krijoi njerëzit si dëshmi e dashurisë ndaj tyre. I krijoi ata për të përjetuar jetën dhe që ata të jetojnë në harmoni e në mirësi me njëri – tjetrin. Në këtë mënyrë, Krijuesi (Hyji) njëjtësohet me të krijuarin (njeriun), ndërsa i krijuari (njeriu) për ta përligjur këtë njësim me Krijuesin, duhet ta përfillë e ta përligjë atë me veprimin dhe me jetën e vet të përditshme.

Shembull më i denjë i kësaj marrëdhënie, sa të veçantë aq dhe të denjë, në poezinë e Budit është Biri i Hyjit, Jezu Krishti, i dërguar nga Hyji midis njerëzve, shëmbëllim dhe konkretizim i vetë Hyjit atë: Ai u flijua në kryq, si dëshmi e dashurisë ndaj Atit të vet dhe ndaj njeriut, siç del dhe në poezinë e Budit: Se për ju jam dërguom, / Mbë këtë jetë me lēm, Për ju me u munduom /Gjithëve me u çpërblēm. Rëndësia e Krishtit përligjet nga fakti, siç thuhet në Ungjillin sipas Gjonit, se te Hyji atë mbërrihet vetëm përmes Krishtit: “Askush nuk shkon tek Ati pos përmes meje” (Gjn 13, 6) për arsye se “Kush më ka parë mua (Krishtin – v. ime), ka parë edhe Atin…Unë jam në Atin e Ati është në mua” (Gjn 14, 9 – 10).

Këtu i ka rrënjët qëllimi i hartimit të poezive, të parathënieve, të pasthënieve, të përkthimit dhe të botimit të veprave “Doktrina e krishterë”, “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali roman”: që njerëzit e gjuhës dhe të gjakut të tij t’i dinin dhe t’i shfrytëzonin të mirat e Hyjit për të jetuar në mirësi dhe në harmoni me të afërmin, me secilin njeri, kudo qoftë dhe kushdo qoftë ai.

Poezitë e Budit para së gjithash janë këngë; ato janë përftuar që të këndohen e të recitohen në kishë ose në raste të tjera, në festa, në procesione ose në takime të ngjashme të karakterit kryesisht fetar. Në qenësinë e tyre këto këngë janë, edhe himne, edhe lavde, edhe psalme, edhe litani, edhe forma uratash, që mund t’i përdorë besimtari ose prifti në raste të ndryshme. Them kështu duke pasur parasysh faktin se format e përmendura të kënduara gjatë meshës ose në raste të tjera të jetës, përligjin besimin në Hyjin dhe jetesën mbi bazën e dashurisë së tij dhe lidhen me ndjenjën e vullnetit e të gëzimin që duhet të mbretërojë jo vetëm në aktin e besimit e të njësimit me Hyjin, të lutjes, të përshpirtshmërisë e të përvujtërisë, po edhe në çdo veprim konkret me të afrimit. Të gjitha këto do të jenë të qenësishme në Ditën e gjyqit të Hyjit për fitimin e jetës së amshuar.

Budi i hartoi poezitë me qëllim që ato t’i pëlqejnë para së gjithash Hyjit, meqenëse gjithçka i përket Atij. Duke i pëlqyer Hyjit, natyrisht ato do t’u pëlqejnë edhe krijesave të tij, njerëzve, në këtë rast besimtarëve shqiptarë të krishterë. S’do mend se hartimi i poezive të Budit është nxitur nga Hyji prandaj ato doemos duhet t’i pëlqejnë Atij; çdo gjë tjetër do të ishte një dështim, një përmbysje e dashurisë së ndërsjellë: Hyj – njeri.

Pjesa më e madhe e poezisë së Budit është përftuar mbi bazën e ballafaqimit e të kundërvënies – kontrastit. Nga një anë shqiptohet jeta në harmoni e njësuar me hirin e Hyjit, rëndësia e përshpirtshmërisë dhe e dashurisë ndaj të afërmit, nga ana tjetër, jeta pa këtë besim dhe pa këtë dashuri, që është jetë e shfrenuar, e drejtuar nga e keqja dhe ligësia, që në të vërtetë është jetë e njësuar me djallin.

Në poezinë e Budit koha është subjektive, kohë hyjnore, që ngjet në hapësirë e në kohë të ndryshme. Në të gjithçka mund të ndodhë për një çast ose mund t’i përkasë përjetësisë, amshimit. Kjo ngjet për arsye se kemi të bëjmë nga një anë me vetë misterin e fesë, të botës e të krijimit të saj e të njeriut nga Hyji dhe, nga ana tjetër, me besimin dhe me dashurinë ndaj Hyjit dhe me pavdekshmërinë e shpirtit.

Kjo veçanti e qasjes dhe e shqiptimit të dukurive të tilla, ka kushtëzuar dhe rimarrjen dhe trajtimin e tyre të shpeshtë nga Budi, përkatësisht përsëritjen në poezi të ndryshme, po edhe brenda një poezie. Dukuria ngjet për arsye se Budi, siç u tha edhe më parë, nuk i shkroi poezitë për shkak të poezive vetë, si vlera tekstore dhe si mesazhe para së gjithash poetike, siç ndodh tek poetët e mëdhenj, po për shkak të qëllimit, të kumtit që sjellin e shprehin ato, për shkak që si tekste përligjin rëndësinë e besimit në Hyjin dhe dashurinë për njeriun. Vështrimi i shpeshtë ose përsëritja e dukurive, e fjalëve dhe e shprehjeve, është synim, bën parimin krijues shprehës, siç ndodh dhe me përsëritjet në poezinë gojore, sidomos në poezinë gojore epike. Është e ditur se në poezinë gojore, variantet, variantiteti bën njërin nga përbërësit kryesorë të lindjes dhe të transmetimit të tyre prej një subjekti në tjetrin, prej një brezi në tjetrin. Kështu, fjala vjen, këngëtari epik (natyrisht dukurinë e ndeshim dhe në disa lloje lirike) secilën herë që e këndon ose e rikëndon një këngë të gjatë epike, e këndon një variant tjetër për arsye se ai nuk e di dhe nuk e mban mend çdo fjalë e çdo formë shtjellimi të vargut, po e këndon mbi bazën e thelbit të ngjarjes e të veprimit që rrëfehet, pra e ndërton tekstin sa herë që e këndon këngën. Ngjashëm ndodh edhe në krijimet e gjata në prozë, fjala vjen, në përrallë.

Krahas Hyjit atë, Birit të tij, Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë, në poezinë e vet Budi i kushtoi rëndësi të dukshme edhe Marisë, nënës së Krishtit. Veproi në këtë mënyrë për shkak se Hyji e zgjodhi Marinë dhe në trupin e saj ngjizi, amëzoi Birin e vet, Jezu Krishtin. Budi jo vetëm e përmend disa herë Marinë, po i kushtoi asaj dy poezi të veçanta. Veproi kështu për faktin se Maria është e pandashme nga Krishti. Në Marinë, Thesarin e Zotit, dhe përmes saj, Hyji “bëri bashkimin e të gjitha hireve”. Vetëm Marisë Hyji i dorëzoi “çelësat e visarit të dashurisë hyjnore dhe i dha fuqinë që të ecë udhëve më të madhërishme dhe më misterioze të përsosjes” ose (sipas Shën Bernardi) “Gjithçka përmes Marisë” nga fakti se Ajo është rruga që mundëson që nëpërmjet saj dhe Krishtit të mbërrihet tek Hyji atë.

Psalmet si tekste letrare poetike paraqesin çelësin për ta kuptuar mirëfilli poezinë e Budit e për të vënë komunikim me të. Them kështu për arsye se pikërisht disa përbërës të poezisë së Budit që nga disa studiues janë marrë si mungesë dhe “proliksitet”, bëjnë ndër qenësitë e saj dhe si e tillë ajo del diçka tjetër nga ç’është pohuar.  Budi me qëllim përsëriti fjalë, pjesë të vargjeve, vargje, po dhe pjesë të tëra të tekstit, siç ndodh edhe në Psalmet. Për t’u bindur në këtë dukuri mjafton të analizohet Psalmi 119 (118), më i gjati ndër 150 psalmet (me 352 vargje). Në procesin e këndimit ose të recitimit – të lutjes së psalmeve – përsëritjet u kanë dhënë atyre bukurinë, ritmin, tingëllimin, i kanë bërë ato më gjallërike, më të përfillshme dhe më njësuese për mesazhin që ia drejtojnë marrësit.

Poezia e Budit ndërlidhet ngushtl edhe me Letrat e Shën Palit dhe me dukuritë që shqiptohen në to me çka përligjet fryma e thellë e Besëlidhjes së re. Ajo që i afron Letrat e Shën Palit me poezinë e Budit janë sidomos dashuria për Hyjin dhe dashuria për njeriun, pasojat e mëkatit dhe domosdoja e pendesës.

Budi i kushtoi kujdesin e dukshëm hartimit të vargut të tij, përkatësisht bëri përpjekje që mesazhet t’i shprehë sa më bukur, që ato të cilësohen me rimë e me ritëm, në mënyrë që të këndohen e të përvetësohen më lehtë, po edhe të bëjnë ndikim më të madh. Në shumë raste në poezitë e veta Budi përdori një gjuhë figurative, ku dëshmohet shumësia kuptimore e mesazheve. Ndonjëherë kjo nuk vërehet në leximin e parë, po del kur thellohemi në tekstin e tij, që dëshmon për një rrafsh të ngritur të shprehimësisë poetike.

Në qenësinë e vet gjithë poezia e Budit është një testament shpirtëror: përmes artit të fjalës vështrohet Fjala e Hyjit, dashuria ndaj Tij dhe ndaj njeriut; domosdoja e besimi në Të, e lavdërimit dhe e madhërimit të Tij dhe shmangia nga mëkati dhe ligësia. Testamenti shpirtëror poetik i Budit për arbënorët – shqiptarët dëshmohet sidomos në poezinë XVII me titull “Për ndimët të gjithë kërshtenimit Arbënit” të botuar në “Doktrinën e krishterë”.

Poezia e Budit përkon (ngjason) me vargun gojor, duke filluar nga elementet e mikrostrukturës së vargut, nga fjalëza e fjalë, frazeologji, pastaj togfjalësha deri te pjesë të tëra të vargut. Përkimet dhe ngjasimet vërehen edhe në ritëm e në theksa ritmikë. Ndryshimi vërehet kryesisht në strofë dhe në rimë. Njëri ndër përbërësit e rëndësishëm të afërsisë e të përkimit të vargut të Budit me vargun gojor është tetërrokëshi. Budi e përdori këtë varg, përmes të cilit te shqiptarët u kënduan këngë të llojeve të ndryshme. Kjo përligjet edhe nga gjuha e tyre, nga strukturën tekstore dhe nga frymësia që i përshkon ato. Disa vargje të Budi mund të futen lirisht në tekstin e ndonjë kënge dhe të mos vërehet ndryshimi ndërmjet tyre dhe vargjeve të tjera.

 

 

II.

 

 

Në fushën e prozës Pjetër Budi na la një trashëgimí të pasur e të rëndësishme, qoftë me tekste origjinale, që përmblidhen në pesë parathëniet dhe pasthëniet që u prijnë ose i përmbyllin veprat “Doktrina e krishterë”, “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali roman”, qoftë me tekste të shqipëruara, ku herë – herë ai bëri shtesa të ndryshme, që nuk janë në veprat nga i përktheu. Me një fjalë, prozat që ai i krijoi, e plotësojnë figurën e Budit si shkrimtar, sidomos për mënyrën si i shtroi dhe i shprehu dukuritë si dhe për gjuhën dhe stilin që përdori, për përsëritjet që janë përbërës i rëndësishëm dhe i qëllimtë i shtjellimit të tekstit, i shprehimësisë, i komunikimit dhe i ndikimit në marrësin. Në to Budi përdori një stil të përpunuar  e të ngritur, një gjuhë shqipe të pasur, shpesh përdori një gjuhë poetike, ku përligjen përbërësit kryesorë të prozës së mirëfilltë poetike e që në studim janë konkretizuar me shembuj të shumtë.

Parathëniet dhe pasthëniet e Budit janë ligjërata, predikime apo homeli të shkruara për priftërinjtë dhe besimtarët e krishterë katolikë, që si qëllim kryesor kanë para së gjithash njohjen e Fjalës së Hyjit dhe rëndësinë e besimit në Të, mënyrën e veprimit dhe detyrat që shtroheshin para barinjve shpirtërorë dhe para besimtarëve. Si të këtilla ato do të mund të përdoreshin në kishë gjatë meshës. Gjatësia e tyre, sidomos Pasthënia e “Pasqyrës” dhe e “Ritualit” dhe të dhënat që jepen në to, sidomos në Parathënien dhe Pasthënien e “Doktrinës”, i largojnë ato nga predikimet ose homelitë e mirëfillta në meshë.

Në këto tekste origjinale në prozë Budi ka dëshmuar një njohje të thellë të teologjisë në përgjithësi dhe të Biblës në veçanti, një shkathtësi në shqyrtimin dhe ndriçimin e një varg dukurish, jo vetëm të rrafshit doktrinor, teorik, por edhe të zbatimit të tyre në jetën konkrete – në punën me priftërinjtë dhe me besimtarët. Njëherit ato dëshmojnë mirëfilli për besimin e thellë e të palëkundur të Budit në Fjalën e Hyjit, përkatësisht në Shkrimin e Shenjtë, për përshpirtshmërinë dhe për përvujtërinë e tij të thellë. Pra, gjithçka që bëri dhe krijoi Budi e bëri për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të tij, sidomos barinjve shpirtërorë dhe besimtarëve arbëneshë, të cilën punë e bëri me përkushtim dhe me kënaqësi, nxitur nga Hyji dhe për dashurinë që kishte për Të dhe për shenjtën fe që i përkiste.

Parathëniet dhe pasthëniet e Budit janë të qenësishme për faktin se ato ndihmojnë të kuptohen më thellë edhe poezitë e hartuara nga ai, pastaj të sqarojnë qëllimin pse Budi ia hyri përkthimit në gjuhën shqipe të “Doktrinës”, “Pasqyrës” dhe “Ritualit”.

Në parathënien e “Pasqyrës së të rrëfyemit” Budi thotë se, pos poezive, parathënieve dhe pasthënieve, kishte shkruar dhe lënë në dorëshkrim dhe punime të tjera origjinale në famullitë ku kishte shërbyer dhe shërbente e në vende ku banonte, të gjitha me qëllim ta ndihmojë Atdheun dhe gjuhën shqipe: “[…] jashtë këcosh ende sā të tjera letëra me dorë të shkruome gjindenë mbë sā vise, qi dëshmojënë, se sā i madh kā qenë gjithëherë kujdesi e dëshiri i zemërësë sime për ndihmë të Patriesë e të gjuhusë sanë, qi u vduorrë ende po vdārrenë mā të shumënë e veçëse për letërë e për të mpsuom” (nënvizimi im).

Duke i analizuar mirëfilli poezinë, prozën, parathëniet dhe pasthëniet, po dhe veprat e përkthyera prej Budit, mund të thuhet se është vështirë të gjendet edhe një shembull tjetër në letërsinë tonë të vjetër, e jo vetëm në të, që ato të përafrohen dhe të përplotësojnë njëra – tjetrën, jo vetëm për qëllimin e hartimit, të tematikës e të vlerave si tekste gjuhësore shprehëse, po dhe të komunikimit e të rëndësisë së ndikimit në marrësit e tyre.

Budi i shkroi parathëniet dhe pasthëniet me atë qëllim që i shkroi poezitë dhe i përktheu tri veprat e përmendura: “Doktrinën e krishterë”, “Pasqyrën e të rrëfyerit” dhe “Ritualin roman”: për të përligjur Shkrimin e Shenjtë, përkatësisht Fjalën e Hyjit, rëndësinë e njohjes dhe të përhapjes së saj tek njerëzit ose, siç do të thoshte Nëna jonë Tereze se jeta jonë “është vetë jeta e Zotit në ne”, ose siç thoshte Shën Pali se të gjitha gjërat “[…] e kanë burimin në Hyjin, i cili na paqësoi (pajtoi) me vetvete me anë të Krishtit” (2Kor 5, 18). Budi synoi të ndriçojë e ta sqarojë faktin se “Kush njësohet me Hyjin bën me Të një shpirt të vetëm” (1Kor 6, 7) dhe “Meqenëse është një bukë e vetme, ne, edhe pse jemi shumë, jemi një trup i vetëm: në të vërtetë të gjithë jemi pjesë e një buke” (1Kor 10, 17).

Në veprat “Doktrina e krishterë”, “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali romak” të përkthyera nga Budi e të botuara në vitet 1618 – 1621, ka pjesë tekstesh që nuk gjenden në tekstin origjinal (të veprave të përkthyera prej tij), pra janë shtesa të Budit, të cilat kanë cilësi të prozës poetike. Për të përligjur këtë po sjell vetëm këtë mendim të studiuesit Gunnar Svane që lidhet me veprën “Pasqyra e të rrëfyemit”, i cili thotë: “[…] Pasëqyra e të Rrëfyemit e Budit është përafërsisht katër herë e gjysmë tekst më i gjerë se Specchio di Confessione i de Bonis […] Jo vetëm se Pasëqyra përmban një sasi materiali që nuk gjendet në Specchio […], po edhe në rastet kur Budi i ruan dhe i bart drejtpërdrejt proceset e të menduarit të origjinalit, ai shtie në punë intencë të konsiderueshme për ta dhënë versionin shqip”.

Në fund po theksoj se veprat e përkthyera nga Budi “Doktrina”, “Pasqyra” dhe “Rituali”, 23 poezitë me rreth 3200 vargje dhe 5 parathëniet dhe pasthëniet që janë brenda tyre, nuk do të mund të ishin të atij rrafshi dhe të asaj cilësie sikur Budi të mos ishte mbështetur në një traditë paraprake të shkrimit të shqipes. Këtë gjë e përligj sidomos gjuha e pasur që ai përdori, mënyra e sigurt e të shprehurit, shtjellimi i tekstit, format e ndryshme frazeologjike, fjalë të urta, urime, mallkime etj. Po përkujtoj këtu vetëm katër poezitë origjinale të Gjon Buzukut të botuara në veprën “Meshari” (1555), variantet e ndryshme të përkthimeve që ai i përdori në “Mesharin” si dhe poezitë në dorëshkrim të Atë Palit prej Hasit, të shfrytëzuara nga vetë Budi.

 

 

 

 

TEMA E UJIT, E VERËS DHE E GJAKUT NË TRAGJEDITË SHAKESPEARIANE: MACBETH E KING LEAR.

 

 

Albana Alia

  Nga : Dr. Albana Alia

 

 

…accusatio manifesta

          

 Simbolizmi kompleks i ujit.

 

 

Ndërmjet temave të ndryshme të dramave të tij, Shakespeare, trajtoi edhe temën e ujit që spikat veçanërisht në dy nga tragjeditë e tij të njohura: Macbeth (1606) me efekte të rafinuara iluzioniste dhe King Lear (1605), vepër e veçantë morale, politike, shoqërore, psikologjike dhe filozofike.

Elementi i ujit paraqitet nëpërmjet një simbolizmi kompleks, i cili përfshin, në të njëjtën kohë, kuptime të kundërta e ndërplotësuese. Lidhet me jetën dhe vdekjen, me pjellorinë dhe sterilitetin, me krijimin dhe shkatërrimin, me pastrimin dhe kontaminimin. Fuqia gjenerative e ujit bën që ai të njihet si elementi nënë dhe si elementi femëror. Veç të tjerash, lëngu amniotik është një substancë e ngjashme me qumështin, d.m.th. lënda ushqyese parësore dhe më e kompletuar, e cila mund edhe të konsiderohet, sipas dy studiuesve Gaston Bachelard e Mircea Eliade, një lloj hierofanie (hierophany), një shfaqje e shenjtërimit, ose një simbol i vdekjes, si rezultat i fuqisë shkatërruese në rrethana apokaliptike. Sipas medimeve të shprehura nga Bachelard, uji ka të bëjë edhe me teknikën e vjetër të funeralit, imbarkimin e trupave të vdekur në barka që të sjellin në mend barkën e Karontit. Qartësia e këtij elementi errësohet kur ai përfton konotime fajësie. Si element primordial me origjinë prej Kaosit, uji zhvillon një lloj ambiguiteti që nxit fantazinë dhe, si rrjedhojë, krijon vlera shumësore përmes imagjinatës kolektive.

Duke u përqendruar te tragjedia e parë, Macbeth, vihet re se menjëherë në skenën e parë shfaqen the Weird Sisters (motrat shtriga) që veprojnë përmes shiut dhe mjegullës. Në skenën e dytë plagët e një kapiteni të ushtrisë së mbretit Duncan rrjedhin gjak: […] to bathe in reeking wounds (I,2,98). Në të njëjtën skenë gjejmë të shpërndara shprehjet e lidhura me gjakun: bloody man, bloody execution. Të gjitha këto janë shenja për të përgatitur spektatorët për atë që do të ndodhë më pas.

Imazhi i ujit merr rëndësi të veçantë në këtë tragjedi. Shpesh uji ndërlidhet me lotët, në kuptimin e intimitetit dhe, së bashku, ngjizen dhe i japin formë dëshpërimit. Zakonisht, lotët shprehin një kontekst trishtimi apo dëshpërimi, por edhe të kundërtën, rrethana të një emozioni të fortë pozitiv. Shakespeare i paraqet publikut të tij lotët, të vërtetë por edhe metaforikë. Mbreti Duncan do të derdhë lot metaforikë dëshpërimi për çfarë ndodh në skenën e betejës së rebelëve; vetë Macbeth do të përmendë lotët e trishtimit të nënshtetasve që do të arrijnë të përmbysin edhe erën pas vdekjes së mbretit Duncan.

Në tragjedinë e dytë, King Lear, lotët dhe lëngu amniotik i plaçentës së Gonoril, vajzës së madhe të mbretit, do të bëhen subjekt i mallkimit (anatemës) të dyfishtë nga ana e tij përkundrejt të bijës: lotët e saj do t’i gërryejnë kanale në faqe, fret channels in her cheeks, por i uron edhe sterilitet të plotë, womb sterility, për të ndërprerë procesin e lindjes në qenien e saj plot ligësi. Vetë mbreti do të derdhë lotët e nxehtë të dëshpërimit, veprim që do të vërë në dyshim esencën e tij mashkullore duke shkaktuar fenomenin e vazhdueshëm të femërzimit. Në tragjeditë Macbeth dhe King Lear, vërehen personazhe të ndryshme mashkullorë që derdhin lot e kjo, ndoshta, duhet marrë si projektim i anës së tyre joperfekte femërore.

Lotët e bijës së vogël të mbretit Lear, Cordelia, janë, në kuptimin pozitiv, plot dëshpërim për atë që i ndodh të atit, por ajo përfaqëson edhe të vetmin personazh që derdh lot të gëzueshëm në skenën e pajtimit me të. Edhe lotët e birit të ligjshëm të Gloucester i drejtohen metaforikisht situatës mes tij, Kent dhe të atit. Në dialogun midis Lear dhe Gloucester, Shakespeare do të përdorë një fushë kuptimore komplementare: lot, sy, qarje (tears, eyes, cry, weep, wail, water-pots), sipas një këndvështrimi sinkronik dhe diakronik; pra, njeriu i derdh lotët nga çasti në të cilin lind, për të vazhduar gjatë gjithë jetës, si aktor teatri me role të përcaktuara (stage of fools), por dhe në vdekjen e dikujt tjetër me projektim të pritjes së vdekjes së vet.

Mbreti Lear, i zhytur në një dhimbje intensive, u bën thirrje të katër elementeve të shkatërrojnë gjithçka. Ujërat duhet të vërshojnë e të përmbysin tokën deri në shpërbërjen e plotë të qenieve njerëzore dhe të objekteve materiale, por edhe për një lloj pastrimi të thellë të mëkateve. Më vonë, rënia e shiut do të jetë nxitja kryesore e ripërtëritjes së tij, sepse deri në atë moment ishte i dobët e i sëmurë mendërisht e fizikisht.

Shkrimtari dhe historiani rumen Mircea Eliade shkruan për rolin e veçantë të shiut dhe të përmbytjes si një lloj pastrimi shpirtëror, asorbim dhe shpërbërje, me qëllimin kryesor – lindjen e një jete të re. Era e furishme dhe shiu i mëvonshëm mbi dallgët e egërsuara do të reflektojnë botën e tij të brendshme tashmë të përfshirë në një shtjellë në lëvizje të vazhdueshme që ai vetë do ta përcaktojë me fjalët: this tempest in my mind (Sk. II, 186; kjo shtrëngatë në mendjen time). Kjo shprehje do të shoqërohet me lotët e tij të hidhur gjatë gjithë zhvillimit të tragjedisë. Edhe Gloucester bën një paralelizëm mes detit të furishëm dhe pështjellimit të jashtëzakonshëm në mendjen e mbretit Lear.

Nga ana tjetër, zhurma e tmerrshme e dallgëve do të bëhet e dobishme për Edgar që i shpëton jetën të atit. Gjithë skena është shtjelluar në një izotopi të imagjinatës (dallgët, zhurma). Deti është vend i lindjes, i rritjes dhe i mbrojtjes së krijesave, por edhe vendi i vdekjes dhe i shkatërrimit të plotë. Në King Lear gjendet edhe një imazh i veçantë i qenieve njerëzore që kthehen në grabitqarë për njëri-tjetrin, like the monsters of the deep, si përbindëshat e thellësive.

Figura e Lady Macbeth është paradoksale, si përfaqësuese e dyfishtë e seksit mashkullor dhe femëror; ajo do të akuzojë të shoqin që ka pirë shumë nga qumështi i nënës milk of  human kindness (I,5,111) dhe është kthyer në një qenie tepër të dobët, prandaj, për t’i ndërruar karakterin, në veshin e tij ajo do të derdhë shpirtërat e ligj në formë të lëngshme për të reduktuar efektin e qumështit të lëngshëm. Kështu, gjatë natës së errët do të thërrasë shpirtërat për t’i ngurtësuar gjakun  to make her blood thick (pra, për ta ndihmuar që të pushojë së ekzistuari natyrën e saj njerëzore); për më tepër, është e gatshme të shkëmbejë qumështin e saj, si nënë, me vrerin. Në veprën e tij L’eau et les rêves, Bachelard përcakton qumështin si ushqim primordial arketipik. Lady Macbeth dikur pranon të ketë ushqyer me qumësht një fëmijë, por nuk është e qartë nëse e ka pasur me të vërtetë atë dhe nëse vazhdon të jetojë.

Dyshimi përforcohet nga këshilla e të shoqit, Macbeth; në një dialog me përmbajtje të qetë, ai i kërkon asaj të lindë vetëm meshkuj, në përputhje me karakterin e saj të ashpër. Imazhi i qumështit të ëmbël, që ushqen deri edhe marrëdhëniet njerëzore, i derdhur në Ferr, me qëllim shkatërrimin e paqes universale, përforcohet në fjalët e Malcolm (mbreti i ardhshëm), por, në këtë rast, në mënyrë ironike. Edhe duka Albany do të thirret nga Gonoril njeri i dobët me mëlçinë prej qumështi a milk-liver’d man, ndërsa Macbeth nga e shoqja do të quhet burrë me zemër prej qumështi a man with a milk heart. Ja pra, përsëri gjejmë gjurmët e një ndëlidhjeje të dyfishtë të anës mashkullore dhe asaj femërore që do të sjellë si rrjedhojë frikën dhe impotencën në të dy meshkujt e lartpërmendur.

 

Sibolika e verës dhe e gjakut

 

Vera është një substancë tjetër e lëngshme e lidhur me ujin dhe përfaqëson hapin e parë drejt vrasjes. Dihet se vera është simbol i dyfishtë i jetës së fshehur dhe uji i rinisë. Veç kësaj, qumështi dhe vera janë të lidhur ngushtë me misticizmin.

Në Macbeth gjejmë terma me kuptim të lëngshëm: ujë, lot, shi, mjegull, det, gjak, urinë, qumësht, lëng amniotik, supë ferri e shtrigave (water, tears, rain, fog, sea, blood, wine, urine, milk, amniotic fluid, hell-broth), deri edhe shpirtërat bëhen të rrjedhshëm në prani të Lady Macbeth. Nocioni i fluiditetit përmendet në skena të ndryshme duke grishur gjakun që rrjedh prej betejës në aktin e parë dhe, pasi përshkon gjithë tragjedinë, arrin deri te vdekja e mbretit Macbeth.

Gjaku në konotimin e vet negativ konsiderohet si ujë i errët e i pistë, si element femëror, si kontaminim, si faj, si mëkat, si rënie, si errësirë, si ferr. E njëjta gjë vlen edhe për njollat apo pikat e gjakut por, ndërsa uji del si element negativ, por edhe pastrues për shpirtin, gjaku i përket jetës dhe vdekjes. Pikërisht, nëpërmjet derdhjes së gjakut dhe rrjedhjes së ujit gjatë gjithë tragjedisë do të arrihet të sigurohet vazhdimi i dinastisë dhe mbreti i ri i Skocisë do të kurorëzohet si autoritet i plotfuqishëm.

Në King Lear, gjejmë edhe imazhin e dorës së njollosur me gjak, por vetëm si mëkat i mundshëm, përkundrejt fakteve që ndodhin në Macbeth. Veç kësaj, thika e përgjakur me të cilën Regan vret motrën e vet, Gonoril, përdoret kundër një femre, në vend të një figure mashkullore si Duncan e Macbeth.

Vizioni i thikës me disa njolla gjaku sipër saj, do të trasformohet në një vrasje, një fakt të vërtetë për të dy: Banquo e Duncan. Macbeth është i ndërgjegjshëm se gjithë Oqeani, pronë e Neptunit, nuk do të mund të lajë gjakun prej duarve të tij. Është vrarë mbreti, prandaj mëkati është i dyfishtë dhe aq i thellë sa as uji nuk do të mund të realizojë pastrimin shpirtëror të vrasësit. Mbreti vetë është burimi i gjakut blu, në kuptimin e vazhdimësisë dinastike, tashmë e ndërprerë. Motivi i gjakut përmban edhe një funksion të veçantë në tragjedi. Gjakun e gjejmë ku(r)do: mbi fytyra, mbi thika, mbi trup, në një lloj portretizimi të mëkatit kolektiv.

Vizioni i fantazmës Banquo duke tundur gërshetat e përgjakura, his gory locks, përballë fytyrës së mbretit Macbeth, është i tmerrshëm dhe i plotkuptimshëm. Kjo lëvizje përmban një kuptim bachelardian të fluiditetit të ujit dhe të gjakut, një lloj procesi emblematik i pafund përmes rrugës së përgjakshme të pushtetit dhe autoritetit. Ka qenë, është dhe do të jetë e njëjta gjë: pushteti do të zëvendësohet me një tjetër të të njëjtit lloj, këtë herë, pas vdekjes së mëkatarit Macbeth. Gjakderdhja e gjithë ushtrisë së tij, siç do të ngushëllohet Caithness, do të përmbushë pastrimin shpirtëror të gjithë vendit dhe do të jetë ushqim për lulen e re krejt të ndryshme të pushtetit të ligjshëm të sapolindur.

Excusatio non petita…!

 

 

 

 

 

VEPRA   E  ÇERKIN  ISMAILIT

 

( pjesë nga studimi )

 

 

NJË  VIZION  ARKITEKTONIK

 

 

but

Nga : Prof.dr.sc.But Jaku

 

 

Romani “Ethe të trishta” përfaqëson kronologjikisht veprën e pestë, në përgjithësi, dhe romanin e dytë, në veçanti, të autorit Çerkin Ismajli, me të cilin ai edhe njëherë ka vënë në sprovë individualitetin e vet krijues në zhanrin e  prozës duke i dhuruar lexuesit një  roman modern me tema dhe ide të  trajtuara me invencion të fuqishëm artistik.

Miti i vdekjes me sy hapur që njihet  nga mitologjia  iliro – pellazgjike i cili, mbase ka edhe karakter  biblik, në  romanin,“Ethe të trishta ”të shkrimtarit Çerkin Ismaili paraqet aspiratat e njeriut dhe idenë e sacrificës individuale për liri, shprehur përmes metodave më të avancuara të figuracionit letrar, jo vetëm duke ngacmuar, por edhe duke provokuar situate të makthta nga realiteti i zymtë shoqëror që I relevon metafizika banale e absurdit të subkoshencës që trand fuqishëm dinamikën e jetës reale kur njeriu dënohet jo vetëm t`i përjetojë shpirtërisht, por  t`i  jetojë edhe si realitet ethet që rezultojnë të trishta me posttraumën psikike në jetën e brishtë të pasluftës.

Ka diçka misterioze, mbase edhe magjike, që shëmbëllen midis filozofisë së peshkut të Heminguejit dhe  romanit “ Ethe të trishta”të Ismailit, që lexuesin e rrëmben fuqishëm, e përvetëson me imazhin dhe mesazhin e fuqisë së mendimit  filozofik, përmbajtjen tekstuale dhe  nëntekstin, konceptimin e figuracionit metaforik, koloritin epiko – lirik dhe identifikimin, të mitit me realen.

Miti i vdekjes së njeriut me sy hapur në këtë roman  ndërlidhet me filozofinë e konfrontimit të  mizantropisë dhe filantropisë si dy kahe të kundërta të botës spirituale të njeriut. Heronjtë e romanit të Çerkin Ismailit  e zgjedhin mënyrën e vdekjes me sy  hapur jo pse e gjakojnë mënyrën e tillë  të vdekjes, jo pse nuk e duan apo janë irrituar nga jeta, por pse edhe pas vdekjes duan t`i shohin sa  realizohen përpjekjet dhe aspiratat e  tyre për liri.

Shkrimtari, gradualisht dhe fare vetëdijshëm, figurat  historike i mbërthen dhe i ndërthur me botën  mitike të  vdekjes me sy  hapur.

Sytë hapur për liri i mbeten edhe Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Më sy hapur jep frymën e fundit Dedë Gjon Luli, në Kroaci Filip Latinoviqi, W.Teli në Zvicër. Më shikim kah liqeni i mbeten sytë hapur Oso Kukës. Me sy hapur vdes në qeli burgu edhe Fazli Greiçevcui, me sy hapur vdes edhe Adem Jashari…

Duke i ndërthurur dhe strukturuar ngjarjet dhe  figurat  historike në syzheun e  romanit, autori me invencion dhe zhdërvjelltësi të veçantë artistike e dekompozon figurshmërinë metaforike të nëntekstit dhe  rrëfimit letrar, duke metamorfizuar  mitin  në  absurd  dhe absurdin në  realitetin  tonë historik i cili në  roman  shfaqet jo vetëm si dhimbje individuale  dhe  kolektive por edhe si  trauma fizike e  shpirtërore, si paranojë  morbide e unit të njeriut në përditshmërinë tonë  të pasluftës që rezulton si botë zhgënjimesh  shpirtërore të njeriut të sacrificës individuale apo kolektive, kur;

 

“…paslufta na doli luftë e shkuar luftës  ”.

 

Traumën paranojake të absurdit në realitetin e përditshmërisë tonë, shkrimtari e veneron  këtë bazë me prejardhje mitike që vazhdimisht e përcjell shqiptarin në kontekste historike, duke i tjetërsuar jo vetëm  portretin shpirtëror, karakterin dhe  botën ndjenjore, por edhe portretin fizik, duke e gjykuar  dhe  dënuar të jetojë  në kontestet  historike të identifikuara  si barrë e  mëkatit që mban të zgjuara dhembjet, të cilat  ironikisht  paaftësinë dhe pafajësinë historike individi dhe kolektiviteti ynë i mbajnë gur në qafë. Kështu, njeriu me traumën paranojake të kolektivitetit pushtues në luftën e fundit, shkrimtari e ka parë si qenie  njerëzore të dehumanizuar dhe metamorfizuar në qenie hibride si një lloj kluoni  fantaz – magorik  dhe njeriut të çakërdisur mentalisht dhe moralisht.

 

 

 

EGOJA VRASTARE, SADIZMI DHE FASHIZMI I  USHTRISË  OKUPATORE.

 

 

Kolektiviteti pushtues, pra ushtria pushtuese në romanin “Ethe të trishta ” të Çerkin Ismailit, është një ushtri fantazmë e sakatosur  psikologjikisht, me ndjenja të vrara, ushtri e përbërë nga skizofrenë, skajshmërisht paranojak, nga të burgosur, ekstremisht të kriminalizuar dhe nga gjeneralë të ç`thurur mentalisht, të cilët e nisin luftën pushtuese në emër të “shenjtërisë së Shën Savës ”, duke bërë luftën e tokës së djegur;

 

“Po nuk e dogja këtë qytet si Neroni Romën antike , ose më thënçin gjeneral Gexha …u, betua gjenerali pasi nguli bajonetën në lëdinë ”.

 

Përmes realizimit artistik të personazheve që udhëheqin ushtrinë okupatore, duke përdorur një metodë të veçantë psikologjike të vetëzbulimit të karaktereve, shkrimtari shpalos botën  ndjenjore, egot vrastarë, sadizmin dhe fashizmin e ushtrisë okupatore, në një kohë kur jo vetëm  njeriu, por edhe  natyra; mushkonjat, galat, shiu, balta edhe NATO-ja  janë kundër  saj. Gjeneralët e ushtrisë okupatore në vend të turpërohen dhe të pendohen me krimet e kryera, mburren me krimin, sillen si heronj ngase krimi u është ngulitur thellë në  labirintet e errëta të jetës dhe qenies së  tyre morbide. Pa sensin e krimit të  cilin shkrimtari e kërkon  dhe e gjen jo vetëm në  karakteret, por edhe genin e tyre kombëtar në kontekstin historik, këto personazhe nuk do të  tipizoheshin dot.

Kështu, personazhi i  gjeneral  Gexhës dhe major Zhugës janë  portretizuar si prototipe të  njerëzve të zhveshur plotësisht nga bota sensuale që e  karakterizon njeriun.

Një meritë e veçantë e autorit në romanin “Ethe të trishta ” është individualizimi i gjuhës së personazheve, nëpërmjet të cilit ai satirizon dhe ironizon portretin moral dhe psikologjik të tyre. Gjuha e gjeneralëve okupatorë vlon nga sharjet, fyerjet, kërcënimet, namatisjet, shantazhet, etiketimet për njëri-tjetrin, sidomos në episodet kur paraqiten skena të tmerrshme të ikjes nga lufta. Ata  shajnë  Shën Savën në emër të  të cilit  janë nisur në luftë, fyejnë e mallkojnë patrikun që i ka  bekuar kur janë nisur në luftën e tretë  pushtuese, shajnë  “shtetin e Stalinit” që në momentet vendimtare u lë “ këmbët e arushës në dorë ”. Finalja e luftës e thyen moralisht, e zhgënjen, e demoralizon, e përul këtë kope gjeneralësh, të cilët misionin e “shenjtë” të pushtimit të tokave e shndërrojnë në vjedhje, abuzim moral dhe  plaçkitje. Ata vjedhin e plaçkitin ç`gjejnë përpara;

 

 

“ Ju vidhni kufoma sa të mundeni. Dhjetë maune me kufoma  i  kam premtuar gjeneral Çiklopit kur jam nisur në luftën e shenjtë. Kur të  kthehemi do mburremi me vjedhjen e kufomave. A ka  ushtri në  historinë e përbotshme  të ketë  vjedhur kufoma si ne… Pastaj eshtrat e këtyre futzinjve do  t`u shesim familjeve të tyre fatzeza… Kështu,vetë do bëhemi  milionerë edhe shtetin e bëjmë  milioner. Kështu, i humbim përgjithmonë  edhe gjurmët e  krimit. Shikoni. Këtë qafore e vodha  t`i  var në qafë  kurvës  time gjarpërushë sapo të arrij në  kryeqytetin e shtetit tonë ”, mburrej para batalonit gjeneral Gexha.

 

 

 

RENEGATËT  E  LUFTËS,  KUR  E  DO MOMENTI,  DINË TË  KOVERTOHEN

 

 

Edhe  falanga e “Mëhallës së  Xhehenenit ” e paraqitur në  roman nëpërmes një galerie të tërë personazhes siç janë Lugati, Akun Bishti, Harun Bixhozxhia, Ziban Ziu, Zebek Zabuni, Haram Harambashi, Rahiala etj, janë aleatë të luftës dhe të pasluftës me okupatorin. Ata janë portretizuar injorantë, intrigantë, mendjeshprishur, idiotë dhe atdheshitës të mbytur në pellgun e  krimit barabar me okupatorin. Renegatët e djeshëm të  luftës janë paraqitur  finokë që  kur e do momenti dinë të  konvertohen në  “ çlirimtarë” të pasluftës, shfaqen si elite e re politike dhe ushtarake.

Ushtrinë e NATO – s , e presin me lule, duke pozuar si  viktima. Përsëri merren me organizimin e krimit. Nxisin dukuri devijante në shoqërinë e sfilitur të sapodalë nga lufta. Abuzojnë  me moralin shoqëror. Organizojnë bixhozin, trafikimin e femrave, organizojnë atentate, vrasje, dosjet e të  cilave i mbyllin si misterioze.Vlerat shoqërore  i servirin si kundërvlera, kurse shundin, kiçin, sakatosjen intelektuale  e servirin si vlerë  moderne. Ata abuzojnë  me vlerat  individuale dhe  kolektive të luftës.  Ai që  tradhton një herë  ka prirje të tradhtojë  shumë herë, sikur do të  thotë  autori, duke  lozur me karakterin  dhe  psikologjinë  e tyre prej  injorantësh e deri në vrasës  ordinerë. Kundër kësaj kaste renegatësh  shkrimtari paraqet  figurën  e atdhetarit  të  devotshëm, Lush Rebeli, personazhit  qendror të  romanit. Përpjekjet e këtij  personazhi, që  në roman del si më i  admiruari nga  lexuesi, për të  ndryshuar  rrjedhën  e ngjarjeve në  periudhën e pasluftës rezultojnë të  dëshmuara, edhe pse përpjekjet si ndal dot. Heroi  i  burgjeve, i organizimit të rezistencës kundër pushtuesit, heroi  i luftës  dhe  sacrificës sublime, heroi që lë  gjymtyrët e trupit duke rrëzuar  gurin e kufirit shndërrohet në hero të paepur  kundër fundërrinave  shoqërore që në  shoqërinë  dhe  realitetin tonë  të  pasluftës njeriut i  imponojnë jetë jetë  me  trauma të reja në rrethanat e  pasluftës akoma pa u  mbyllur plagët e  luftës. Përpjekjet e tij për  t`u   vënë gjoksin  përpara dukurive devijante të  pasluftës  i  përngjajnë  asaj filozofisë  lasgushiane të lundërtarit në detin e trazuar që “ hepohet… anohet…valon…por luftën  se  ndal  kursesi ”. Renegatët saktësisht i  masin pulsin dhe ritmin e jetës shoqërore, ndaj tani ndërrojnë strategjinë e tyre të veprimit. Përveç  nxitjes së  dukurive devijante në  shoqëri, ata  organizojnë rrjetin mafioz të pëfitimit nga mashtrimi i familjarëve që në luftë kanë humbur të dashurit e tyre duke ndrydhur më  ashpër se lufta ndjenjat  sublime të  prindit ndaj fëmijës që nuk ka as varr për ta qarë. Një nënë  dhe një grua e mashtruar, nga dhembjet e së cilës për të  birin dhe të shoqin përfitojnë mafiozët  e  pasluftës,  është  Xixëlonja, heroina e romanit që  bie pre  e  renegatëve Ziban Ziu  e  Akun Bishti.

 

“Jo  more  edhe Gëzimi edhe Rama janë gjallë në burgun e kolonel Xhungalliqit. Më gojën time kam folur me Gëzimin e Ramën. Më veshët  e mi  i  kam dëgjuar. Mirë  jam nëna Zhizhë, po  nëna  Razhë si është …Dhimbja e  Plaga si po ia  kalojnë  me dhimbjet  e pasluftës, më tha Gëzimi im. Hallall i paçin dhjetë mijë market Ziban Ziu e Akun Bishti  i  kryeqytetit që  më  mundësuan  t`u  dëgjoj në telefon zërin Gëzimit e Ramës. Por….diç, po druaj. Të  keqen nëna, Gëzimit  tim si  t`u   kishte  trashur ashtu zëri  e gjuha. Nuk mundi të më  thërrasë nëna  Xixë, por më thirri Zhizhë . Edhe nënë  Razën  e thirri nëna  Razhë. ”

 

Ky citat është vetëm  një  dromcë  e trishtë e traumës, paranojake që përjeton viktima e shpërfillur e luftës në lirinë e brishtë të pasluftës në  romanin “Ethe të trishta ” të Çerkin Ismailit.

 

 

 

 

 

 

 

ME SHPIRTIN PËRHERË NË FLUTURIM.

 

Referim estetik rreth poezisë së Frederik Rreshpjes –  Shkëputur nga Libri “Ngjyrime Universale (Ese-I ) ” .

 

 

AgronShele 2

Nga : Agron Shele

 

 

 

Ndodh shpesh që mungesën e një miku e përjeton trishtshëm, ndërsa atë të një personaliteti e përjeton tronditshëm, të pazakontë dhe absurde për ikjen e beftë, gati të zbrazët për boshllëkun që krijon, por dhe shumë reflektive për gjurmët e ndritshme që ka lënë pas. Shumë vite më përpara vdekjen e poetit të madh Frederik Rreshpja, këtij bohemi që kishte për zemër dhe shpirt lirinë e pakufi njerëzore, këtij disidenti dhe humbësi që lulëzoi mbi gërmadhat e kohezionit më të egër të shqiptarëve, të krijuar nga diktatura, do e përjetoja poetikisht :

 

Ti ike ashtu, krejt papritur

me mallin vjeshtëror në gji.

Me zemrën mbetur peng atje

tek i shenjti,

liqen turfullim.

 

Ti humbe rrugëtimës pa kthim,

me të vetmin ëndërrim në shpirt,

me të vetmen pasuri që kishe,

Dorëshkrime

dhe copëza poezish.

 

Ti ike larg, si era,

në të përjetshmen paqe,

ngadhënjim.

Me sytë e shpresës tek e nesërmja,

me shpirtin, përherë në fluturim.

 

Koha dhe pas koha sjell tjetër sugjestion dhe një vështrim estetik do të ishte ndoshta shumë më pranë ndjesisë dhe plotësimit të aspiratës letrare për të depërtuar, lançuar, por dhe kuptuar diafragmën estetike dhe filozofike të këtij modeli dhe inspiruesi të ndryshimeve të mëdha artistike në Ballkan dhe më gjerë. Kaq impresionues dhe kaq tronditës ka trokitur vepra e tij në artin e madh bashkëkohor sa korifenj të kritikës botërore do e cilësonin, si art i një mjeshtërie që u mungon autorëve të mëdhenj botërorë, ose të qënit krenar për këtë Pushkin shqiptar. E gjithë poezia e tij vjen si një flakërimë që përskuq yjet e ndezur të qiellit, vjen si pasthirrmë e ndërgjegjies qytetare për reminishencat e kohëve gri të atdheut , vjen si dhimbje e sublimitetit njeri, vjen si muzë e mbrëmjeve të ngrysura dhe përthyerjeve të agimeve zbardhësi, vjen si meditim dhe fuqi të pakufi shprehëse, vjen si konfiguracion i pakrahasueshëm dhe metaforikë deri në magji. Ndërthurja e elementëve figurativë me mesazhin filozofik janë komponentët bazë të poezisë së këtij autori, i cili krejt natyrshëm ideon dhe percepeton si individualitet i përmasave dhe hapësirës universale të mendimit, si mëshirues i aspiratave etike dhe përparimtare, si ndjesi përjetuese dhe tronditje shpirti. Kaq ngjyruese është telajua e penelatës së tij poetike sa befasohesh dhe inspirohesh, prekesh dhe hyjnizohesh dhe kështu si në majat e olimpit letrar shqiptar ndjek fluturimin e muzave dhe zotave të tij të frymëzimit, ndjek largësitë kryqëzuese të mistizmit, ndjek vezullimin e dritës që tejçon nga përtej kozmosi i areolës krijuese.

 

” Duke ecur në ajër, atëherë kur vdesin ngjyrat

Mbi gjunjtë e muzgut;

Duke ecur mbi retë atëherë kur vdesin shirat,

Duke ecur mbi ujëra kur vdes anija e bardhë.”

 

Vargje tronditëse, vargje që shkelin nëpër rrugëtimin eremi poeti, aty ku prizmat nuk përthyejnë më kolorite ngjyrash, por kuadratojnë gjysmëdritën e përftuar nga syprina e tavolinës së heshtur, mendime haluçionalë, re dhe shira të vdekur, pa ndjesi, pa sëmbimin e xhamave kristalinë ku bulëzat jetë shtrijnë gjymtyrët përmallim, pa vela të bardha, por si në humbëtirën e pamatë të ngjirizeve thellësi ku qënësia humbet shkëlqim dhe kuptimësi. Diçka ka ndodhur atje mes qiellit dhe ngjyrimeve, mes reve dhe shiut, mes ujërave dhe anijeve të bardha. Zemra e poetit është krisur por jo thyer, dhe ashtu i endur në zanafillën e gjithë këtij misticizmi, gati si në metamorfozë, ai rend me gjunjë muzgu, për të rrëfyer të parrëfyerën, për të drejtuar gishtin e drejtësisë mbi pretorët e komunizmit dhe për të vrarë monstruozitetin e memecërisë.

 

” Këndoi bilbili i vetmuar deri në dhembje,

Por askush nuk e dëgjoi zërin e tij,

Sepse i mungonte kafazi.

Mbi një piedestal heshtjeje

Dergjet profili im që në lindjen e gurit. ”

 

Shtjellimi i idesë, e cila në mënyrë metaforike profilizon që me epokën e gurit, gati në përjetësi (kuptim shumëdimesional i profilit njerëzor), epiqendërzon qëndrimin e hapur dhe gjithë botën ideore të autorit, i cili i vetmuar (ose i veçuar për mendësinë dhe mentalitetin krejt tjetër nga ai i shoqërisë së tij bashkëudhëtare) shpreh dhimbjen për fatkeqësinë e madhe që përjeton vendi (diktatura), por dhe dëshpërimin nga indoktrinimi i një populli të tërë ( metastazat e të cilit nuk i shërojnë as dekada të tëra) dhe i ngritur mbi piedestalin e heshtjes rrebelon me akcent bilibili zërin e arsyes, si zë i së vërtetës, drejtësisë hyjnore dhe lirisë aq të munguar. Aspekti i këtyre vargjeve nga pikëpamja filozofike por dhe psikologjike mbart një mesazh shumë më të gjerë, atë të referimit dhe funksionimit të qënies si natyrë njerëzore (arsye+ndërgjegje), i cili është krijuar për të aspiruar dhe manifestuar vlera dhe në thelb të gjithë këtij karakteri qëndron vullneti dhe konseguenca për parashtrimin por dhe mbrojtjen e qëllimeve të shenjta dhe ideve.

 

” Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri

nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin

Ave, nëna ime!

Vetëm tek ti kam besuar

Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen! ”

 

Humbjen e nënës poeti e përjeton në mënyrën më drastike, më të prekshme, më të dhimbshme se vetë dhimbja, nën një shi mermeri, të projektuar nga arkeologjia e perëndive mitike gati të paprekshme dhe përjetshme, por që po rrëzohen dhe po shemben, për të ringritur tjetër idhull, tjetër shtatore më e lartë se të gjithë orakujt e mbledhur bashkë, atë të krijueses së jetës, Zotit të vetëm që e ka patur udhërrëfyes në jetë : Ave, nëna ime!

Poezia e Frederik Rreshpjes ka pezëm dhe larmi stilistikore, ajo vjen jo vetëm si strukturë e lirë shpërthyese, por dhe me vargje strofike dhe rimime të puthitura, ku njësoj si Pushkini të beftëson me fuqinë shprehëse, bukurinë dhe kumbimin e fjalës poetike, të mahnit me elokuencën dhe ndjeshmërinë e shpirtit dhe të magjeps me figuracionin e krijuar.

 

” Noton në përrua me gjethet mbështjellë

Një ditë e vdekur vjeshte

Dhe shtergët e fundit shkuan të ngrirë

Mbi syte e verdhë në heshtje. ”

 

Harmonizimi perfekt i elementëve natyrë me elementët jetësorë e bën vjeshtën më simbolike, më platonike, më adhuruse për iluzionitetin që sjell kjo stinë në memorien e njeriut, si stinë e shirave të sigmatizuar nga lotët e vajzës, për gjethen dhimbje që humbet nëpër erë, si dhe për ngjyrën e trishtë që përkon me shpirtrat e trazuar.

 

” Lulëzoi druri i portës së vjetër.

Ah, druri i vdekur çeli lule!

Ti këputi dhe me to bëj kurorë,

për mua që të prita deri në vdekje. ”

 

Me të njëjtën stilistikë vjen edhe poezia ” Druri i portës ” , dru i cili kish mbetë i shkretë nga vitet e pritjes së poetit, dhe kur kërcëllima gati e humbur e hapi atë, ai çeli si në profeci lulet më të bukura të jetës.

 

” O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.

Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det

Dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në stere.

Shkoj dhe shirat po i lë të kyçura

Por do të ktherm përsëri në çdo stinë që të dua.

Unë kam qënë trishtimi i botës.

O ajr i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri. ”

 

Poezia “Përgjithmonë” ka një domethënie dhe kuptim gati universal, e cila ngre paratezat e jetës dhe të vdekjes, dy gjendjeve ekstreme, të cilat nuk maksimilizojnë me dramatizëm por me afektivitetin përjetësues edhe pse kjo vjen e dozuar nga përditësia e tij pesimiste (Unë kam qënë trishtimi i botës). Vdekjen poeti e parafytyron pa kujë dhe bujë, edhe pse deti me gjithe mistizmin dhe madhështinë e tij nuk do të mund të trazojë më me valët shkumëzuese, pa dhimbje, edhe pse lotët e natyrës do kenë ngrirë, por ashtu të thjeshtë, si një çast humbimi të përkohshëm dhe të mbështjellë nga ajri i mbrëmjes së rilindjes së frymimit të muzave të tij.

Frederik Rreshpja është rikthyer edhe më rrëzëllues, ka rilindur edhe më madhërishëm në të katër stinët e vitit, në pranverën e luleve dhe verën mahnitëse të Bunës, në vjeshtën e dhimbjes dhe dimrin e akullnajëzuar, si frymë dhe model, si simbol i dlirësisë dhe shpirtit përherë në fluturim, si poet i gjithë dimesioneve dhe mbret i metaforikës shqiptare, si vlerë që theu tabutë e kohës dhe diell që shkëlqen përmbi qiejtë poetikë, për të sotmen dhe të nesërmen e Letërsisë sonë Kombëtare.

 

 

 

 

GJAMË ALETHEIKE PËR ATDHEUN E KTHYER NË FERR

 

-Për librin e Kolec Traboinit “Orakujt kanë zbritur në ferr” 

Poemë,  Tiranë 2015.

 

 

anton

Nga : Anton Gojçaj

 

 

Poema “Orakujt kanë zbritur në ferr” është një gjamë e thekshme dhe e dhimbshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Tentakulat e saj prekin poezitë e njohura satirike të Fishtës, Ali Asllanit, Nolit, Çajupit, poezinë dhe prozën e Migjenit, por edhe vargjet dhe personalitetin e “bitnikut” amerikan Alen Ginsberg, etj. Në sensin e komunikimit “intertekstual”, jo imitues. Në krahasim me të gjithë ata, Traboini është një grim më i ngrohtë, më i mëshirshëm. Ai edhe kur godet, (vetë) nuk ndjen më pak dhembje sesa i godituri. Nuk shkruan si dikush që i gëzohet të keqes së tjetrit, po si njeri zemërplasur, me durim dhe shpresë të humbur, që tregon me gisht plagët e shoqërisë, por edhe shkaktarin e tyre.

Është zëri i ndërgjegjes dhe krenarisë (kombëtare), që pa marrë parasysh sedrën e lënduar, ende mbahet dhe inkurajon vetveten. Të keqen e lufton me gjilpëra ironike që ngulen thellë. Nganjëherë, me objektivin për t’ia kthyer me të njëjtën monedhë palës që merret në shënjestër, si përgjigje për poshtërsitë që ajo ia bën, përdoret sarkazmi:

 

Të jesh shqiptar e të kapërcesh

kufinjtë e shteteve

është si të ngjitësh në mal

Gurin e Sizifit.

(……………………….)

Eja e dashur të vemi në krevat.

Jemi të vdekur.

T’i tregojmë për herë të fundit

Pasaportat njëri-tjetrit

E pastaj na dërgofshin në djall.

(Gjama 10)

 

Lënë përshtypje të mirë figurat e realizuara stilistike, që nganjëherë dalin të shumëfishta, si në sekuencën strofike: “për lepurin që struket në një guvë / si të ish fëmijëria jonë / e nëpërkëmbur” (GJAMA 13), ku brenda një imazhi të thjeshtë gërshetohen metafora, simboli, krahasimi dhe alegoria.

Në trevën e Malësisë së Madhe, nga i ka rrënjët poeti, burrat nuk qajnë. Por kur vdes një mashkull, vajtori bën gjamë! Si njëfarë rekuiemi epik! Po kujt i bën gjamën Kolec Traboini? Kush qenka i vdekuri që poetin e detyron t’i bëjë jo më pak se 17 gjamë? Askush tjetër veç “Atdheu si trup prostitute”!

 

E quajnë mbretëreshë

të denjë për kurorë

për fron e oborr

për pajë e për prikë

të tjerë, që edhe ata

duan ta rrjepin

e duan seks-nudo

Republikë!

(Koralja e Orakujve 5 )

 

Gjendjen e keqe të bashkëkombasve autori e pikturon si me penel në një tabllo metaforike plot dramacitet dhe tepër shprehëse:

 

Gomone e shpuar, e zhvirgjëruar

në mëshirën e pamëshirë të dallgëve

frymët njerëzore tallazitur e përhumbur

në katakombet ogurzeza të Otrantos.

Narkotikë në borseta grash

e bagazhe artistësh

me “Monologët e Vaginës” nën sqetull

(Gjama 4)

 

Nga vjen gjithë kjo namë e ky mallkim për shqiptarët? Kush është fajtor pse Shqipëria është shndërruar në një serial horrori “live”, ku çdo ditë zhvillohen skena tragjike përmasash shekspiriane, në “salla koncertesh me kufoma shëtitëse”? Poeti fajtorët i identifikon dhe i lëçit me të vetmin mjet që ka – me fjalën e fuqishme poetike:

 

Parlamentarë mediokër të zbritur prej

guvash si njerëz të lashtë a majmunë

afrikanë para megafonësh modernë.

Me një Parlament

ku çligjërohen ligjet

e ligjërohen antiligjet

e në Foltoren e Popullit

ujqërit u bëjnë moral

qytetarëve të ndershëm.

(Gjama 7)

 

Një term që ndoshta e shpreh mjaft mirë frymën e kësaj poeme është aletheia (Aλήθεια), fjalë që në greqishte ka domethënien e “zbulimit të diçkaje të fshehur”, zbardhjen, nxjerrjen në dritë të së vërtetës lidhur me ndonjë dukuri a çështje jo të qartë. Ky orakull “aletheian” predikon zhveshjen, demaskimin, deri në lëkurë, të botës, pa rroba dhe pa grim, ashtu siç e ka falë Zoti:

 

…e me çdo kusht

metaforave hermetike u hiqni

brekët.

O Zot, sa e bukur kjo botë poetike

lakuriq!

(Interlud 3)

 

Nëna e të gjitha të këqijave për popullin shqiptar është politika! Në vend që njerëzve t’ua bëjë më të lehtë jetën, politika shqiptare kontribuon për nëpërkëmbjen e vlerave humane dhe morale. Dyluftimi i poezisë (artit) dhe politikës nuk është diçka e re në shoqërinë shqiptare. Ky konflikt ka një vazhdimësi historike qindvjeçare dhe këtu përsëri i kujtojmë “Anzat e Parnasit” të  Fishtës, “Hakërrimin“ e Ali Asllanit, poezinë e Nolit dhe poezinë e novelat e Migjenit, etj.

Lidhja me atdheun është anteike, e prek në palcë poetin, i cili edhe kur kritikon, mundohet të reflektojë për arsyet, shkaqet, duke shtruar pyetje dhe duke kërkuar analogji… Vargjet e disa “gjamëve”, mëse një herë, megjithëse lidhjet mund të jenë tepër të largëta dhe të imëta, më kujtuan një fragment nga Ungjilli sipas Lukës (13:34 – “Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e me gurë i mbyt ata që të dërgohen”), sidomos në çastet kur subjekti lirik i drejtohet drejtpërdrejt Atdheut, i zhgënjyer për mosmirënjohjen dhe vrazhdësinë që i vjen prej tij:

 

… Shqipëri, vendi im, deri kur do të

vazhdojnë këto mundime njerëzore?

Deri kur do t`i lësh pjellat e tua

të bredhin nëpër botë për ca

euro-dollarë që mezi ua shtyjnë rrojtjen

të lajë pjata për bukë një poet a doktor?

(Gjama 2)

 

Shqipëria e Traboinit sillet më shumë si njerkë sesa si nënë ndaj bijve të vet më të virtytshëm dhe më të talentuar. Kur mediton për arratisjet e përmasave “biblike” të bashkëkombasve ai gjen një ngjashmëri te populli i Izraelit, që po ashtu, për shumë shekuj, endej gjithandej nëpër botë, pa atdhe… Për ndryshim nga Izraeli, këtu atdheu ekziston, por është kthyer në ferr të vërtetë, prandaj poeti/orakulli është “në fund të fundit të durimit dhe shpresës” dhe i revoltuar i drejtohet (atdheut) me një – antigjamë:

 

Atdhe ka ardhur koha të dhjesim!

Pëlhura me një shqiponjë të çapëlyer

Kacavjerrur në gjysëm shtizë.

Një kokë klith, tjetra rënkon.

Sqepat e varur si zorrë varfanjaku

këndojnë me ulërima:

Është ora finale – vendimtare mbi dhe.

Inter-fekale – do të jetë bota e re.

(Interlud 2)

 

Atmosfera e zymtë që mbizotëron shkon deri në fillin e fatalizmit – “qenërisht na rrahën të ardhmen / prej së djeshmes vijmë të rraskapitur / lindëm e po vdesim në vuajtje” (Zëra ikanakësh përtej mjegullave). Fatmirësisht, “zbulimi aletheian” nuk është i njëjtë me “zbulesën” (apokalipsën) e Gjonit dhe mbetet shpresa se bota shqiptare (dhe jo veç ajo) megjithëse ka rënë shumë poshtë moralisht, mund të ndodhë lustrimi dhe vetëndërgjegjësimi.

Libri mbyllet me elegjinë satirike semantikisht dhe muzikalisht mjaft koherente “Ma vodhën atdheun”, e cila brenda vetes ka aq shumë mllef të akumuluar sa përngjan sikur është shkruar me llavë.

Poema, me kritikën që i bën politikës zyrtare dhe atyre që mbajnë frerët e pushtetit, manifeston tipare të theksuara satirike.

E veçanta e saj është mungesa e humorit dhe prania e melankolisë.

E kam ditur se Kolec Traboini e shkruan bukur poezinë e dashurisë. Me të lexuar dorëshkrimin “Orakujt kanë zbritur në ferr“, u binda se ai e “qan” edhe poezinë satirike. Këto vargje janë më shumë sesa thjesht satirike. Është lirikë polemike par excellence.

 

 

 

 

MAGJIA E PËRKTHIMIT TË NJË MATRICE POETIKE.

 

(Refleksione për librin ” Striptizë poetike në Washington D.C. ” të Moikom Zeqos, botim i Aparkeas – Abraxas Tiranë 2014).

 

 

Fatmir-Minguli

Nga : Fatmit Minguli

 

 

Një libër, një antologji e poetëve modernë amerikanë, një përkthim magjik i 73 poetëve  të përzgjedhur nga poeti Moikom Zeqo.

Përkthime të poezisë anglosaksone e veçanërisht të asaj amerikano veriore.

Të përkthesh një poezi të poetit të huaj do të thotë te përkthesh vetë poetin. Atëhere përkthimi nuk është më një përkthim. Eshtë diçka tjetër që vetë Moikomi e quan “striptizë poetike”  e që mund të thuhet dhe “striptizë shpirti”.

“Këta poetë janë brenda meje. Ose unë isha brenda tyre” – kështu shprehet Moikom Zeqo për këtë liber që është më tepër se antologjik.

Kur e pyetën një njeri të ditur se ç’është poezia, ai u përgjigj:- Eshtë një mister i pashprehur-.

Po përkthimi i poezisë ? – do shtoja unë. Përgjigjen e gjej pikërisht në këtë libër ku janë përkthyer poetët më të mirë të Amerikës.

 

***

Letërsia anglosaksone ka ardhur relativisht vonë ne Shqipëri. Fan Noli e hapi portën e saj me Shekspirin dhe me Longfelloun. Pastaj erdhën ” Fijet e barit” të Walt Witman- it  nga Skënder Luarasi dhe “Parajsa e humbur” e Xhon Miltonit përkthyer nga Alqi Kristo.

Por poezia moderne kishte boshllëk në vazhdimësi deri kur Gentian Çoçoli botoi të përkthyer kolanën komplete me dhjetë poetë amerikanë. Nje plotësim boshllëku i ndjeshëm jo vetëm për poetët dhe studiuesit shqiptarë.

 

***

Moikom Zeqo e filloi këtë punë madhore që në vitin 1997, në Washington D.C. , ku ” ethet ” e para u shprehën të botuara në librin e tij “Shtatë ditë të zbulimit të Amerikës” dhe me vonë në librin ” Çfarë i thotë nata varkës së zbrazët” të poetit bashkohës amerikan Wayne Miller.

Ndërsa në librin e parë i dha një dritë inteligjente poetëve të “Beat generation”, shoqëruar me rrezatimin profetik të Wallt Witmanit, në librin e dytë Moikomi na fut në botën e poezisë urbane të ditëve tona në Amerikë.

Po këto nuk mjaftonin për xhveshjen e plotë të shpirtit poetik të tij prandaj solli këtë vepër të papërsëritshme duke u futur në rrymat përçuese të  ideve të poezisë së Botës së re moderne.

Një rrugë e gjatë përkthimi, një aventurë elegante në tokat e pazbuluara poetike. Por rrugëtimi i gjatë nuk është e vetmja veshtirësi. Poezia moderne amerikane përveç përzgjedhjes së autorëve ngërthen në vetvete mistere të reja, mistere ndryshe nga ato të poezisë eurocentriste.

Umberto Eko thotë: ” Përkthimi është një nga gjërat më të vështira por që e bën të njohur letërsinë në botë”.

Moikom Zeqo është shumë kërkues në këtë fluks vështirësie, fluks që tani, me këtë libër të poezisë amerikane, është kthyer në një përmendore kuptimplote.

 

***

Le të kthehem në boshllëkun që ekzistoi në Shqipëri, mungesën dhe largësinë e poezisë anglo – saksone në Shqipëri. Përse ky fenomen ?

– Në Shqipëri u krijua matrica e eurocentrizmit, ngadalë por e plotësuar.

– Poezia  e poetëve amerikanë nuk mund të përkthehet nga  mjeshtrit e mediokritetit.

Dhe me të vërtetë Ezra Pound, një nga poetët  e mirë  amerikanë që guxoi, ndërmjet të tjerash, të përkthente poetët e mëdhej të Kinës e  të  Japonisë thotë fare thjeshtë:” Poetët e mëdhenj, përkthehen vetëm nga poetë të mëdhenj”.

Por nuk mjafton me kaq vështirësia e nxjerrjes në drite të një antologjie, kur është fjala për poezinë moderne amerikane. Dana Gioia, kritik dhe studjues i letërsise amerikane bashkohëse shkruan:

” Shumëfishimi i poezisë së re dhe i programeve të poezisë ka arritur dimensione të habitshme që kapërcejnë çdo masë historike. Gati njëmijë përmbledhje të reja me vjersha botohen çdo vit, përveç asaj mizërie me poezi të reja që botohen nëpër revista të vogla dhe të mëdha. Askush s’e di se sa recitale poetike organizohen çdo vit, por me siguri numri total i tyre duhet të jetë dhjetra mijra. Konkretisht tani në  Sh.B.A.  ka rreth dyqind programe  pasuniversitare për artin e të shkruarit, dhe më shumë se njëmije programe të tilla të nivelit universitar. Duke marrë një mesatare prej dhjetë studentësh që studiojnë për poezi në çdo seksion pasuniversitar, në dhjetëvjeçarin e ardhshëm vetëm këto programe do të nxjerrin rreth njëzet mijë poetë profesionistë me diplomë. Nga statistika të tilla  një vëzhgues mund të arrijë lehtë në përfundimin se jetojmë në epokën e artë të poezisë amerikane.”

Përse kjo pasqyrë e botës poetike amerikane? Sepse duhet kuptuar edhe shumëfishimi i botëve poetike në një rrezatim të reflektuar me  thyerje prizmash, thyerje gjeometrike simetrike dhe thyerje pa përcaktueshmëri.

I ndodhur në dhomën e mistereve të poezisë amerikane të kohës sonë, Moikom Zeqo ka ditur të orientohet me shqisën e shtatë, duke hedhur tej format konvencionale të studimit të poezisë.

Antologjia me përkthime të poetëve moderne amerikanë “Striptizë poetike në Washington D.C.”,  nën ankthin e së vërtetës jepet me shumë perparesi të cilat po i paraqes të radhitura më poshtë:

– Eshtë nje komplet i madh poetik me 73 poetë që nga Witmani.

– Janë poezi që janë përkthyer vetëm nga Moikomi, çka përbën një veçanti madhore në botën  e përkthimeve.

– Eshtë përdorur teknika e kuptueshmërisë së vargjeve me formën e vargjeve te paraqitura në prozë. Kjo është forma e jashtme por që i jep krahë brendësisë për të kapur idenë në mënyrën më të plotë që poeti kërkon të shprehë.

– Ka sensin e estetikës në përkthim, gjë që në shumë përkthyes mungon. Nëse kjo estetikë nuk ekziston, atëhere një poet i madh i huaj duket tepër i rëndomtë.

 

***

Po të shohim historikisht një nga faktorët e mësipërm, pikërisht  përdorimin e  teknikës  të paraqitjes së poezisë në formë proze, gjejmë si paraardhës Faik Konicën që përktheu disa poetë të mëdhenj.

Natyrisht që realizimi me art i kësaj eksperience nga ana e Moikom Zeqos, bazohet në përsosje të vazhdueshme të një pune të madhe edhe si poet origjinal. Ndryshe nuk do të gjendej kjo përshtatje kaq natyrale e përkthimit të poetëve modernë amerikane.

Moikom Zeqo sjell poetë të tillë të njohur në gjuhën shqipe si William Blake, Walt Whitman,William Butler Yeats, Thomas Eliot, Ezra Pound, Wallas Stevens, Silvia Plath, Gregory Corso, etj. Ai ka ditur të përzgjedhë poetët midis detit të madh të poetëve amerikanë, ata poetë që   na afrohen me shumë si mesdhetarë por edhe si temperament prej shqiptari.

Nga është nisur Moikomi ka bërë këtë përzgjedhje?

Në radhë të parë ka qëmtuar vetëm pak poetë dhe në radhë të dytë nga krijimtaria e çdo poeti ka marrë vetëm pak poezi. Qindra vëllime qarkullojnë nëpër botën amerikane me poezi të këtyre poetëve por në antologjinë delikate të Moikom Zeqos “ Striptizë poetike në Washington D.C.”,  do të gjejmë botën e shkuar të mpleksur me të tanishmen konkrete dhe me të ardhmen abstrakte.

Për shembull poeti Charles Simiç në poezinë “ Njeriu i padukshëm” duket sikur e përgjum të tanishmen dëftore dhe e trondit nga e ardhmja e foljeve qiellore.

Vetë Moikomi në parathënien e librit të tij tjetër më të ri “Tri meduzat” – Mischellanea 8 – shkruan: “ Ekzistenca e poezisë është përherë e fshehur, për të mos u zbuluar asnjëherë plotësisht. Eshtë përherë përgjysmë. Edhe në dritë, edhe në errësirë, simbolizmi i një grafike enigmash…”

Dhe me të vërtetë, ai është zbatues i rreptë i këtij përcaktimi perlë. Eshtë kjo që tregon dhe sekretin e suksesit të një antologjie poetike të përkthyer. Ai kthehet në magun e kërkimit të shpirtrave poetikë të ndjeshëm e të ngjashëm. Ai përdor lëngun alkimik përmes makthit të përkthimit jo sintetik, por frymor.

 

***

Në këtë antologji lexuesi shqiptar do të gjejë kënaqësinë e intersektimit të botës së sotme amerikane me botët e lashtësisë europiane, me Biblën dhe me Odiseun, me Roterdamin dhe më Afërditën e Luvrit. Poeti nobelist Derek Walcot sjell në poezinë e tij “Odiseu”  një Odise tjetër, tepër të dëshiruar, por të kohëve tona. Metafora është e qartë.

Moikomi realizon kështu një tabllo të munguar në Shqipëri, atë të pasqyrimit të poetëve amerikanë të Botës së Vjetër. Pikërisht  këto rikthime të poetëve modernë amerikanë në botën europiane të rrugëve romake, Pompeit, Francisco Goja-s, Paulo Uccelon, Jeruzalemit, Bizantit, Dantes e Karontit, etj  e bëjnë antologjinë që po analizoj me vlera të jashtëzakonshme.

Në këtë prurje poetike mund të gjejmë përgjigjen në teorinë e “kujtesës së drurit”. Kujtesa e drurit nuk është thjeshtë teknika e kthimit të pemës në letër tipografike, është shumë më tepër. Është kujtesa e kohës, kujtesa e pemëve jetë gjata që ruajnë në lëngun e tyre ngjarjet e jetës. Eshtë një teori që Moikomi e ka shpalosur gjërë e gjatë në një festën e fshatit të Nivicë – Bubarit, aty nën fëshfërimën e gjetheve të rrapit shekullor. Çdo pranverë bashkë me çeljen e sytheve të para të gjetheve bëhen dhe emetimet e historisë.

Janë pikërisht këto simptoma të kujtesës së pemëve, që poetët amerikanë nga më të shquarit sjellin në këtë antologji.

Një nga poetët  në këtë antologji Gregry Corso në poezinë “ Roterdam” shkruan: ”Shtator 1957- në Roterdam vjen Gregry Corso- i ftuar nga një telegram prej barkut- nga një agjent i padukshëm- për vizione- me shpresë për punë letrare- ah, me dy valixhe dëshpërim- arriti poeti i vetmuar.”

Ose Carl Sandburg në poemën e tij të shkurtër me titull ”Kalimshmëria’ na fut në botën e metaforave moderne me nëkuptimet që sjellin sfinksi, pagodat, tempujt e Greqisë, katedralet gotike të mesjetës për të përfunduar psikologjikisht në grataçielet e Manhatanit dhe Detroitit.

Ndërsa  Patriach Column ka shkruar një poemë për Skënderbeun , ku dëshiroj të përmend vetëm tre reshtat e fundit të poemës:

“ Dyqind vite luftrash në Europë,/por nën emrin e Skënderbeut / Ja, ç’mendova ndërsa krilla më fluturoi përmbi krye!

Gati gjysma e poetëve në këtë antologji i janë kushtuar Europës.

 

***

Një vend të posaçëm zë në këtë libër edhe poeti i sotëm Wayne Miller. Përkthyes i poezive të Moikom Zeqos nga shqipja, ky poet është konsideruar një e ardhme e poezisë amerikane. Përkthimet e para të poezisë së tij u bënë nga Moikomi në vitin 2010 dhe tani e kemi përsëri në grup me poetët e tjerë modern amerikanë.

Poezia e tij është një skaner i jetës së qytetit amerikan të sotëm, ku lëvizja në dukje turbulente qetësohet nëpërmjet tre personazheve fëmijë Justinës, Klarensit dhe Andit. Udhëtimet e tyre imagjinare nën figuracionin poetik  tejet modern të Millerit të kujtojnë “Lizën në botën e çudirave”.

Një skenë e çuditshme paraqitet në poezinë “Festival rruge” , poezi e cila është xhirimi i kamerës lëvizëse nëpër rrugët e qytetit: ‘Ku kulmet e palmave janë elektrizuar në flokë-/Ku fishekzjarret bëhen hi nga terri-/ ku dritaret janë copëza muzgu mbi rrugë-/ ku tingulli I dritës i jep zhurma lumit-.”

Wayne Milleri vjen i plotë në këtë libër striptize të poezisë. Duhet ta lexosh që të ndjesh frymëmarrjen e shpirtit të poetit, e bashkë me të do ndjesh dhe tingujt e rrugës, ditën dhe natë, do ndjesh lëvizjen kaotike të njerëzve në trotuaret e Nju Jorkut e në fund do të kuptosh se vetëm kaos nuk ka. Rregullsi jete, po!

 

***

Libri poetik me poezi amerikane “Striptizë poetike në Washington D.C.” mund të jetë dhe një tekst i mirfilltë shkolle, që nga arsimi i mesëm e deri te ai pasuniversitar. Dhe kjo nuk është thjeshtë një dëshirë, dhe as një propozim. Eshtë një domosdoshmëri për të thyer ato koraca të ngurtësuara të teksteve  të letërsisë ku vetëm frymëmarrje shpërthyese të poezisë  hapësinore nuk ka.

 

 

 

 

 

ËNGJËLL I BERISHA: KRIJIMTARI E PASUR NË POEZI DHE HISTORI.

 

 

PeterTase

Nga : Peter Tase

 

 

Ëngjëll I. Berisha, u lind më 17 qershor 1962 në Korenicë të Gjakovës. Gjatë studimeve në Gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë boton në periodikun letrar prej viteve 1980 dhe vazhdon të botojë mbi tema të ndryshme të kulturës dhe epopesë së luftës për pavarësi të Kosovës.  Libri i parë i autorit Berisha u botua më 1989 duke vazhduar pastaj edhe me disa përmbledhje poezish dhe shkrime të tjera publicistike. Në vitin 1993 themeloi revistën letrare “Gazeta letrare” duke qenë dhe kryeredaktor i saj. Gati në të gjitha gazetat e botuara në Kosovë ka bashkëpunuar në faqet e kulturës, ndërsa gjatë viteve 1995-1999, ka punuar si gazetarë në të përditshmen “Bota sot” dhe të përjavshmen “ Eurozëri”. Në vitin 2000, fillon të punojë e ta drejtojë Bibliotekën Publike në Gjakovë, ku vazhdon edhe sot.  Themelon dhe është kryeredaktor  i gazetës për të zhdukur “27 prilli”.

Prej vitit 2005-2009 është kryetar i Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë.

Vazhdoi studimet pas universitare në Universitetin e Zarës në Kroaci, ku mori titullin magjistër në shkencat e bibliotekarisë.

Njëri prej vëllimeve me poezi të autorit është “Kujtesë e Dehur” (2003), për të cilin Halil Haxhosaj, një nga kritikët letrar më të njohur në Ballkan, do ta quante si “udhëtim real dhe udhëtim poetik.”

Kritiku Haxhosaj e shtjellon studimin e tij mbi veprën e poetit Berisha me një gjuhë shumë objektive dhe realiste:

“Ky udhëtim, nga autori shënohet, përveç me figura poetike, edhe me emra konkretë gjeografikë, biblikë e mitologjikë, ku secili në dimension ka kuptimin dhe fuknsionin e vet. Kalvari i udhëtimit shtrihet edhe nëpër ciklet poetike të veprës duke u nominuar kuptimisht sepse fillon me një “Kartëpostale të bronztë” dhe kalon nëpër krajata tragjike me “Anije të dehur” duke u përbiruar “flakës së natës” një “shenjtëror i zi” andej kah “Hala e shqipes” e për t’u sosur më 23 Maj 2003 në rivarrimin e Mejes në Lëndinën e Lotve.

Krajatat e këtij udhëtimi duken se shpesh, me qëllim e pa qëllim, bashkohen nëpër kthesat e historisë, për t’u kalitur dhe për t’u skalitur si dhembje lotësh, por edhe si krenari dhe dëshmi brezash që këtu denbabaden kanë jetuar shqiptarë që përpara janë identifikuar me emrin kombëtar e pastaj kanë treguar për përcaktimet e tyre fetare. Kjo duket se është ngirur në piedestalin e vetëdijes sonë sidomos në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa sa herë që duhej luftuar për liri a vdekje ringjallej dhe marshonte vatrave e trojeve tona. Kjo aromë hetohet edhe në vargjet e veprës “Kujtesë e dehur” të Engjëll i. Berishës: /ja pra sot në përbashkësi/ ju o njerëz të Zotit/ pushoni në përjetësi/ dy konfeksione e një gjak/ dy besime e një fat/ dy besime e një motiv lirie/ dy besime e vetëm një mënyrë e vdekjes/.

Përfundimin e udhëtimit real, apo kalvarit të zhbirjes e të zhdukjes të shqiptarëve nga agresorët serbë, autori e sheh të bashkëdyzuar me fatin tragjik të vdekjes e cila është e pamëshirshme, është e ftohtë, është e dhembshme, është përfundimtare. Kështu poeti vdekjen e zbut duke i dërguar të rivarrosurit në përjetësi për të mos e zbehur dhe për të mos e harruar kurrë kujtimin për ta, e sidomos kujtimin për vdekjen e tyre të përbashkët e cila në atë moment nuk kishte bërë kurrfarë zgjedhjeje as faljeje.”

“Kthesat e historisë, për t’u kalitur dhe për t’u skalitur si dhembje lotësh” janë një pjesë integrale në krijimtarinë e publicistit dhe historianit Engjëll Berisha në tërësi.  Në të gjithë veprat e tij, Engjëll Berisha ka mundur të hedh dritë mbi sakrificat e kombit të tij, dhuna e ushtruar ndaj Kosovës së përgjakur dhe fjalët e tij janë më të mprehta se bajoneta e ushtrisë sërbe drejtuar ndaj Kosovës.  Engjëll Berisha dhe familja e tij kanë dhënë shumë për Kosovën dhe mbrojtjen e interesave të saj nëpërmjet penës së tij të mbushur plotë me ngjyrat e vuajtjes, metaforat e sakrifices dhe telajot e përgjakura.

Për kontributin e tij letrar, Berisha ka marrë këto vlerësime: Në vitin 1997 në takimet tradicionale të “Takimet e Gjeçovit” në Zym, fiton shpërblimin e vitit për poezinë më të mirë; Në vitin 2002, fiton çmimin e Mitingut të poezisë me librin më të mirë të botuar në mes dy mitingjeve “Çati eshtrash”; Në dhjetor 2006 nga Art-Club Laç, fiton  çmimin  letrar “Serembe” për poezi me librin “Kujtesë  e dehur”.  Engjëll Berisha është përfshirë në antologjinë “I kujt je Atdhe” përpiluar nga Ali Podrimja.

Engjëll Berisha ka botuar keto libra:

“Dita me hënë e me nuse” poezi “Buzuku”. Prishtinë, 1991.

“Avenytë e muzgut”, poezi, Agjencia e autorëve”. Prishtinë ,1994.

“Diaspora shqiptare”, tregime “Pjetër Bogdani”, Has, 1993.

“Gjarpëri  në shishe”, poezi “Rozafa” , Prishtinë,2000.

“Masakra e Mejës e Korenicës”, publicistikë, “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë.

“Çati eshtrash”, poezi, “Rozafa”. Prishtinë ,2003.

“Kujtesë e dehur”, poezi “Rozafa”. Prishtinë,2003.

“Dyert e qiellit”, rrëfenja-publicistikë, “Rozafa”. Prishtinë ,2005.

“Rikrijimi i librit”, përmbledhje të opusit. Klubi letrar “Gj. N. Kazazi”. Gjakovë 2006.

“Roli edukativ i bibliotekave shkollore dhe publike në Kosovë”, Botues: Biblioteka “Ibrahim Rugova”, Gjakovë, 2011.

“How Much Times for an age” poezi të përkthyera në gjuhë angleze. USA, Botoi “LULU”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, viti 2010.

“Martirët e Korenicës”, Monografi. Botoi, Klubi letrar “Gjon N. Kazazi,” 2013,Gjakovë.

 

 

 

 

 

 

 

 

   DISA PËRVIJIME PËRSHKRIMORE.

 

Mbi romanin “Vajza e Agamemnonit” – Ismail Kadare 

 

 

zejnepe -2

 Nga : Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

 

 

Tipike për stilin Kadarean është rikthimi në kohë të shkuara, rishikimi i miteve dhe ndërlidhja e tyre si koncepte të domosdoshme teoriko – komparative, brenda rrëfimit letrar. Temat mitike, idetë largpërçuese, identifikimet e ndërsjella kulturore që pleksin kombëtaren me mitologjinë botërore, bindshëm kanë kode mitike.

Ngjarja në romanin “Vajza e Agamemnonit” rrezonon dukshëm me histori të tjera, të njohura epokave, shekujve…, ndonëse thelbi i tyre është vetë mitologjia, gjegjësisht Zoti dhe favoret e tij. Autori, lë përshtypjen sikur niset nga një frymë universale e mitit për t’i dhënë më pas rrëfimit dhe personazheve një lloj ndërgjegje estetike.

Rituali i flijimit të Suzanës, shpreh një lloj figuracioni grotesk, po me prejardhje mitike, veçse në rastin konkret lindën dilema: nëse vajza ishte heroina apo viktima e shoqërisë?

Në këtë hamendje, na shpie edhe hapësira e kohës, pra shtrirja në kohë e vetë ngjarjes, me tjetërsimin e Suzanës, në një figurë të dyzuar veprimi, pa depërtuar në thelb të karakterit të saj (ku ndodh mbase një betejë psikologjike), e cila vjen si një ngarkesë polisemantike. Identiteti kulturor përbëhet nga nuanca diferencimesh relative, të prira nga: pasiguria shoqërore, drama sociale, shthurja e rendit shoqëror. Të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejtë në përcaktimin e identitetit.

Imanenca e shkrimtarit nuk krijohet atypëraty, ajo dukshëm është ngjizur nga njohjet e ngjarjeve të hershme. Ky është një koncept i njohur Shopenhauerian mbi vullnetin hyjnor që ngre paradigma mbi tërë shoqërinë e kohës. Kjo shpjegohet me faktin që autori, sado që synon ikjen nga konformizmi, ai vë në spikamë virgjërinë e Suzanës, mbi të cilën lë shijen e një dashurie të sinqertë, më pas dyzimin e karakterit të saj – në përuljen para të atit…, dhe ca veprime të ngjashme, shkrimtari, përmes personazhit i ruan të paprekshme disa raporte të ngulita në njeriun, si peng i traditës.

Këtu mund të gjejmë gërshetimin e botës së dikurshme të miteve e legjendave, me botën e sotme të artit e simboleve që skalisin realitetin. Çdo shkrimtar gjatë frymëzimit të tij, sikur përgjon brenda së kaluarës, pikturon traditat e madhështisë kombëtare, zgjon ndërgjegjen e tij të fjetur, josh përsiatjet e shpirtit…, mbase historia (kombëtare) njerëzore, do të mbetej e përthyer! Kjo, pa mëdyshje, na vë përpara dilemash të reja.

Me qëndrimin e Suzanës, si kryeprotagoniste, jepen tablo të jetës shqiptare, skicohet mjeshtërisht realiteti, ndonëse Kadare shkruan me një tis koloriti artistik, pa e banalizuar skajshmërisht këtë realitet tronditës.

Qëndrimi i Suzanës bëhet trajtim i një teme të ndishme e delikate që plotësohet nga mozaiqe ideore e estetike. Këtu, sikur ruhet dialektika e traditës. Aty – këtu, jepen edhe dogma, kallëpe, stereotipe, me ç’rast ajo bie pre e nocionit “paragjykim” dhe “përmbushje”, ku simbolika e fustanit të kuq, nuk është vetëm sajesë e realizimit më të mirë artistik, por një sajesë e fenomenit të konvertimit.

Duke pikasur lidhjen e pashmangshme midis: tezës, antitezës dhe sintezës, të përqëndruara brenda një boshti tematik, Suzana si personazh qendror, pozicionohet në dy shtrirje: natyrshëm zë vendin e viktimës, po të merret nga spektri i universales së percepientit, gjegjësisht solidarizimit me të, dhe në këndvështrimin e individuales – mbetet heroinë e viktimizuar për ideale më të larta, të të atit dhe hierarkisë ku ai synon të mbetet. Ideologjitë shquhen për flijime që nga antikiteti. Agamemnoni, gjithashtu, na vë përpara sfidash të këtilla, me flijimin e së bijës.

Mos vallë, kjo sjell në njëlloj detabuizmi tematik?

Kur ndodhemi përpara sfidash, s’e di a kemi kohë për t’u pyetur nëse jemi të gatshëm të flijojmë një gjë të çmuar, për të shpëtuar diç edhe më esenciale?! Kjo mbase e shtyn Suzanën që të bëhet mishërim i sakrificës familjare e shoqërore.

Natyrisht, çdo vepër artistike është një lloj dëshmie, nga e cila merr një vërtetësi, për t’iu qasur me një vërtetësi tjetër. Është si të thuash një lloj bashkëbisedimi i një triniteti të pashmangshëm: autor – vepër – lexues.

Në të gjitha ngjyrimet e rrëfimit, studiesi të paktën, kërkon tejdukshmërinë e synimeve autoriale, për të arritur një qëndrim të rëndësishëm mbi veprën dhe mesazhin përçues të saj dhe jo vetëm të jetë ndërmjetësim letrar. Me këtë, edhe kritika krijon një imazh të ekuilibruar mjaftueshëm.

 

 

 

 

 

 

NJË MENDIM I HAPUR PËR LIRIKËN SHQIPE

 

 

rami kamberi

Nga : Rami Kamberi

 

 

Fenomeni i komunikimit tërësor i lirikës në letërsinë shqipe nuk vjen tani më si kërkesë e vetme e kohës sonë, por, ajo është një detyrë e posaçme e shkencës së letërsisë, që ka zgjuar një interesim të madh nëpër etapa kohore. Edhe pse në vetëdijen tonë gjithmonë ka gjakuar një lirikë kombëtare e cila shkruhej dhe studiohej si lirikë andej e këndej botës e më pas si lirikë e këtij apo e ati krahu, kuptohet, ngase gjeografia shqiptare ishte një gjeografi ku shkrimi shqip akuzohej si mëkat dhe, shpejt poeti mund të ulej në bankën e akuzës, e më pas, si fajtor kujdestarë qoftë në kuptimin ideologjik qoftë në atë politik, si sot, e ndarë sipas kufijve politik.

Një mënyrë e këtillë e shkrimit dhe e studimit të lirikës shqipe, për fat të keq ka sjellë mes nesh një pasqyrë joreale të lirikës shqipe e në veçanti edhe një dhunë mbi lirikën shqipe kur robëria rëndonte këtë truall e më pas ideologjia politike ishte i vetmi shteg nga duhej të ecte edhe lirika.  Dhe, nëse kemi pasur mundësi që të kemi të dhëna të shumta dhe sqarime për traditën e lirikës shqipe gjatë shekujve, duke bërë edhe periodizime të ndryshme nga shkenca e letërsisë, është folur dhe stërfolur për shtigjet, drejtimet dhe metodat letrare, kuptohet, gjatë shekujve, duke sajuar natyrë ku fjalën do ta kishte vetëm lirika ku do të dukeshin vetëm letrarët e betejës së vrazhdë, që kultivoheshin nga paria e kohës, duke përjashtuar poezi të rralla të ndonjë poeti si bije fjala të Zef Serembes apo ndonjë poezi tjetër në kohën e romantizmit ose të realizmit si dhe të poetëve të letërsisë së realizmit social e në veçanti të poezisë bashkëkohore.

Kështu në vetëdijen e shumë poetëve apo më mirë thënë lirikëve të poezisë shqipe andej e këndej kufijve që si zakonisht i emëruam pena të atdheut më se një shekull u krijua dhe, u sforcua si një dritë vizuale e mbështjellë me pëlhurën e simbolizmit, për të shpaluar ngjyrën dhe dritën e kohës. E, kjo na detyron të themi se lirika shqipe u kultivua sipas temave:

  • Të vdekjes,
  • Qëndresës,
  • Lirisë,
  • Atdheut dhe,
  • Të kaluarës historike.

Pra, nëse pajtohemi me mendimin se një poet apo një poezi shfaqet në një kohë dhe në një vend të caktuar, për të lënë një shenjë që të shënjojë diçka më se të nevojshme për njerëzimin apo kohën si bie fjala për rasën, rrënjët, dheun e më shumë se kaq dhe, nëse jemi të mendimit se gjeografia e poezisë – lirikës nuk ka vendbanim dhe, sa herë që ta kërkojmë ajo na ofrohet, kudo qofshim, duke mos dashur që të pajtohemi me thënien se: fjala e fisme nuk mbërinë ta kaloj kufirin e buzëve, ajo mbetet e pa thënë, atëherë duhet edhe lirikën në letërsinë shqipe ta shohim me syrin e një lirike, që rritej dhe hidhte shtat mes një gjeografie ku fjalën e kishte plaga, që e lindnin motet nëpër shekuj duke i ikur lirikës që e lindte shpirti për një lindje lirike, që fjalën do ta kishte të theksuar: Unë dua, unë dashuroj etj.

Duke u njohur me këto marrëdhënie të gjithanshme në letërsinë shqipe, zbulojmë edhe forma dhe drejtime të shumta të temave dhe motiveve të lirikës. Lirikë, e cila në anën tjetër na lejon mundësi kërkimi për të përmbushur horizontin e pikëpamjeve dhe strukturën e vetëdijes sonë letrare.

Kjo do të thotë se lirika në letërsinë shqipe ka kaluar shumë shtigje për të arritur deri te njohja dhe veçoritë moderne e pse jo edhe deri te avangarda dhe ndikimet e saj karshi letërsisë botërore.

Shumë letrarë e studiues mbi lirikën në letërsinë shqipe kanë studiuar dhe vepruar brenda kësaj gjeografie letrare, andaj, edhe ndikimet kanë qenë të preferuara. Duke mos dashur që të paraqes në detaje historinë e lirikës në letërsinë shqipe ngase po që se zgjerohemi thellë e më thellë ajo ka një zhvillim dhe jetë të gjatë deri në apstaraktim të lashtësisë së saj.

Pra, po t’i bënim një studim të mirëfilltë lirikës shqipe fillet e para ndeshen qysh te fiset dhe dialektet dhe në ecje që në librat që trajtonin studime mbi lirikën shqipe gojore, këto gjurmë shërbejnë si bazë fondamenti gjuhësor të zhvillimit të lirikës në letërsinë shqipe.

Ato shkrime dhe vepra të së kaluarës së lashtë kanë mbetur si forma dhe veçori dalluese dhe si fakte për të treguar historinë, dallueshmëritë e burimeve lirike që janë zhvilluar më vonë.

Kthesa e madhe e lirikës shqipe do të bëhet në dy shekujt e fundit duke mos e harruar shekullin e rilindjes, shekull, që sjellë shumëllojshmërinë e veçantisë së poetëve, që kane prekur stile dhe metoda të ndryshme.

Dhuna mbi shqiptarët dhe dashuria për liri, e në veçanti kryengritjet për pavarësi dhe vrasjet në masë, pastrimet etnike dhe gjenocidi mbi shqiptarët në Çamëri, Kosovë e më gjënë gjatë shekullit të XX, dëbimi masiv, kanë qenë imazhe dhe frymëzime të shumta e tronditëse, që kanë ngritur e zhvilluar pikëpamje e qasje, stile të ndryshme të veprimit dhe krijimit të poetëve, autorëve.

Dalja nga shekujt e përgjakur kërkonte dritare të reja, dritë shkëlqimi, për të kaluar shikimin e njëanshëm nëpër fushën e gjënë dhe të shkretuar nga dhuna dhe padrejtësitë e kohës. Gjetjen e rrugës së vërtet, në shekullin e ri, bota shqiptare e kishte të vështirë. Andaj u bënë përpjekje të madha për ta gjallëruar dhe mbjellë me kujdes atë copë toke, hapësirë të djegur e të shëmtuar nga dhuna e krimi, me një fryt të ri, si kërkesë e madhe e kohës. Pra, fjalën e kishte shekulli i shpresës.

Njeriu i shekullit të ri, siç u mësuam të dëgjojmë, njeriu modern duhej orientuar dhe analizuar drejtë për të hyrë në portën e vërtetë të vlerave njerëzore.

Gjithsesi se, kjo betejë e lashtë që zhvillohej nga krijuesit e kohës, është bërë me sakrifica të mëdha dhe në të shumtën e rasteve shumë poet kanë përfunduar edhe tragjikisht.

Shkrimtarë ose poet shqiptarë duke e parë atdheun e tyre pikë e pesë në të dy krahët nëse mundemi t’i themi, duke mos e harruar as edhe Çamërinë, situata me burgime, vrasje, terrorizime, pastrime etnike dhe gjenocid, për ta thënë fjalën e tyre, morën botën në sy.

Nga ato vende ku kishin një gjysmë liri, trashëguan edhe drejtime, stile e tendenca të theksuara letrare.

Fryma e re letrare vinte nga qytetet e botës ku fjala e lirë nuk dënohej, kështu në vetëdijen e shumë poetëve shqiptarë u forcua si dritë vezulluese lirika atdhetare, lirikë, që u shërbeu poetëve për të shpaluar ngjyrën dhe dritën e kohës.

Ndoshta kjo dritë e diellit të lirisë e përmbushur dhe e plotësuar me ngjyra të llojllojshme do të ndikonte në krijimin e njeriut të ri në tokën shqiptare.

Ndoshta gjatë kësaj kohe patën ndikime të mëdha edhe lëvizjet botërore për liri dhe pavarësi apo ideologjia komuniste si një premtim për liritë e popujve dhe barazi mes njerëzve.

Edhe pse emërues i përbashkët i zhvillimit të tyre gjatë kësaj kohe ishte thyerja radikale e mbizotërimeve të forta të pikëpamjeve estetike dhe brenda saj inkarnohej vendosja e kuptimit të ri, ndërmjet perandorisë së artit të shekujve dhe përditshmërisë së jetës.

Dhe, tërë ky varg ndryshimi u bë në frymën e revolucionit Dadaist dhe kërcimeve radikale gjatë luftërave dhe pas tyre. Apo mos vallë lirika në letërsinë shqipe u zhvillua ose më mirë thënë mes poetëve shqiptarë ndikoi teoria e Vagnerit, se arti është kënaqësi individuale.

Sot, mund të mburremi me lirikën atdhetare të letërsisë shqipe, lirikë e shekujve të ikur, dhe, gjithsesi se edhe në letërsinë moderne kemi një numër të madh poetësh, të mos i përmendi emrat, e në veçanti gjenerata më e re, duke mos dashur që të bëjë ndarje gjeneratash, lirshëm mund të themi se koncepti i saj ka shumë domethënie të madhe dhe është mjaftë esencial për studimin e letërsisë.

Është thjeshtë bindja, kur kthejmë kujtesën tonë, që në kohën e njohur të rilindjes kombëtare, e deri te poezia e sotme, që quhet moderne.

Pra, në lirikën moderne edhe sot dominon koncepti i kompozimit të ndryshimeve, kthimeve, kërcimeve. Natyrisht se te teknika e lirikës moderne ndikon akoma edhe sot lirika e traditës.

Sido qoftë, sot, si mjeshtër të mëdhenj të lirikës shqipe dhe fjalës së zgjedhur shqipe, që përdorin gjuhën si fushë për veprim janë ata autorë, që shkojnë me guxim në eksperimentimin e tyre derri në rrëpirën më të lartë e të vetmuar të artit.

Ata poet me të drejtën e tyre ngjiten deri aty, sa që edhe thonë se në shikim të fundit poezia është një lojë fjalësh.

Andaj në të shumtën e rasteve, disa poezi janë më shumë grafike, se sa gjuhësore, veçanërisht ato poezi apo mëzirë thënë lirika ku shihen qartë lojna të shumta shprehjesh e fjalësh të dramatizuar sipas nevojës së tyre që sjellin efekt.

Parimisht poetët e kohës sonë, modernen mund ta definojnë si rebelim estetik kundrejt vulgarizimit të artit dhe tiranisë së procesit kreativ realist.

Kështu që me modernen shija e lirikës fillon të subjektivizohet.

Ndjenja shpirtërore mbushet me një shprehje kolorite dhe ekzotike.

Ndaj, sot lirshëm mund të themi se poetët shqiptarë lirikën e tyre e latojnë me elemente stilistike të reja, dhe kërkojnë një bukuri absolute, kundrejt mendimit dhe gjuhës së zakonshme të rrethit ku jetojnë.

 

 

 

 

 

 

pik 2

 

 PROZË

 

 

 

 

HIRI HYJNOR

 

 Fragmente të shkëputura nga romani : “HIRI HYJNOR  ”

 

 

hasije

Nga Hasije Selishta Kryeziu

 

 

***

 

Ndërkohë,  para  Teatrit  Kombëtar  ishte  mbledhur  turma  e njerëzve, edhe ata prisnin. Jehona mendoi se kishte demonstratë dhe u afrua që të protestonte edhe ajo.

Nga kostumet që mbanin njerëzit veshur, kuptoi se aty bëhej fjalë për diçka tjetër. Festë?! E paimagjinueshme për trurin e saj të trullosur nga fryma e djallit që tmerron…! Shpirtrrëmbyer sikurse ishte, filloi të gjente fillin e përbotshëm. Skenat që afroheshin drejt saj, zhvendosnin  rreth tokës, e herë-herë rreth natyrës ambientale. Ishte mësuar tërë jetën që të shihte në Kosovë protesta.

Nga kjo pamje mbeti e stepur. Ndoshta e habitën sytë e ndritshëm gri të Yllkës, e cila në fjongon e flokëve kishte vënë një kordhele festive dhe e tëra shndriste nga  kënaqësia?!

Ajo kërcente në mënyrë të pakontrolluar. Buzët e njoma i shkëlqenin nga dielli dhe pasqyrimi reflektohej mbi buzëkuqin e saj.

Ajo, Yllka e saj e dashur, që vite të tëra nuk kishte mundur ta qetësonte, tani nga aparenca e jashtme dukej si e dehur.

Një ndjesi e lehtë i përfshiu  shpirtin. Ajo e kishte çuar  pranë të vërtetës. Mendimet e dikurshme sikur kishin fshehur  misterin e tyre, ishin stërholluar gjymtyrëve dhe  këmbëve të stërzgjatura, tashmë  të rrëmbyera nga shpirti i përpjesëtuar me mëkatin. Në momentin kur po shikonte ambientin festiv, pyeti dikë nga turma, se ç’farë feste ishte.

Pyetjes së saj iu përgjigj një djalë simpatik:

– Presim grupin shqiptar që vjen nga Franca.

Pa u menduar gjatë, pyeti prapë:

– Sa veta janë në atë grup?

– 181.

– 181?!

U habit. A thua tërë kjo përgjigje ishte dëshmi e asaj dite që kishte filluar të tkurrej nga një ankth i gjatë nate?

– Vallë, kaq pak shqiptarë paska në Francë? Ajo njihte më shumë njerëz.

Pyeti prapë me një përskuqje të fytyrës dhe jashtë ç’do konteksti heshtjeje, e cila çdo ditë e vriste nga pak.

– Jo, tha djaloshi. Ka më shumë, por këta janë lindur dhe vdekur  si  shqiptarë dhe  të rritur si francezë.

– Ha, ha, ha! Qeshi me zë.

Ju duk një përgjigje shumë e çuditshme. Nuk mund ta kuptonte e as ta shtjellonte kurrsesi. Vallë, lind një njeri, vdes dhe ekziston përsëri?! Dhe, sidomos, si nuk mund të dallonte një njeri nëse ishte shqiptar ose francez!

Nuk luante rol kjo. As i bëri përshtypje, ishte shqiptar a francez, por e breu ajo që nuk mund të përcaktonte përse bëhej fjalë.

Nga përhitja e tyre do të mbetej vetëm shpirti që shpall të vërtetën e tabornakut.

Djaloshi, sapo vërejti shikimin e syve të saj të habitur, pyeti:

– A nuk ke dëgjuar për 181- shin që do të vijë sot?

– Jo. Janë vajza apo djem? – Pyeti me një zë të qetë – dhe  përnjëherë ra në mendime:

“ Vallë, ç’paskam humbur sot në këtë ditë të bukur e të madhe? Ç’është e rëndësishme kjo? A nuk mjafton të thuhet tabornak? E ai njeri, a nuk e ka ndjenjën e njëjtë?  Sigurisht që këtë ditë do ta përjetoj një tabornak. Bukuria e saj do të ndriçojë nën hijen e shtrirë dhe të shthurur.”

I habitur nga kjo pyetje, djaloshi  lëshoi një buzëqeshje dhe sytë e tij të mprehtë sikur i jepnin fytyrës një sharm, që përhumbej në bukurinë e tij.

Në momentin kur ajo stisi një buzëqeshje, e bëri atë të qeshte edhe më shumë.

Kishte menduar se buzëqeshja e saj ishte përjetësisht e trishtuar dhe se nuk do të mund të vinte në vete kurrë, madje në asnjë kohë. Për tetëmbëdhjetë vite nuk kishte përjetuar ndonjë moment të tillë, që ashtu papritur të pulësonte zemrën e ta mbante nën pushtetin e saj.

 

***

 

Shpresa donte që para syve të kishte vetëm një portret të Furtunës së saj të dashur. Ndoshta kjo do ta qetësonte, por nuk arrinte gjithsesi. Gjithçka ishte shndërruar në furtunë. Furtunë brenda, furtunë jashtë.

Shpresa zgjaste duart në mënyrë krejt instiktive dhe të pakontrolluar, sikur  donte diçka të prekte.

Po më kot. Tani nuk lutej më, por mundohej diçka të arrinte.

– Furtuna!

Në mendjen e Shpresës aq shumë ishte fanitur ajo natë e tmerrshme, sa e kishte ndjekur pas për tërë jetën.

Në thellësinë e gjendjes së saj patologjike po ringjallej një Furtunë, që kaherë kishte vdekur, por që fatkeqësisht nuk i kishte lënë asnjë kujtim, që së paku ta kishte si shenjë që të ndante së paku ndonjë çast me të.

Ajo i kishte lënë vetëm një natë kujtimi, të lidhur ngushtë me tërbimin e motit dhe më pas hijet e imagjinatës me pikëllimin e thellë. Ndoshta kishte ardhur në këtë botë si hije për të rrethuar dhe trazuar botën e saj dhe më pas asnjë gjurmë egzistence.  Hije që ishte mishëruar me të, po rikthehej edhe më tronditshëm.

Furtuna ia mori Furtunën dhe e  barti diku larg. Në zemrën e saj mbeti tërë jetën një plagë e përbindshme që digjej brenda e heshtur si qiri duke ia zbehur ditët që kishte lënë pas. Dhimbja e vjetër e pushtonte të tërën. Ajo dhimbje vegimi zgjaste dhe mbartej vit pas viti. Asgjë s’ka më të vështirë në botë për një nënë, e cila plot nëntë muaj përgatitet për të qënë e tillë, ëndërron fëmijën, dashurinë që ndjen për të, dëshirën për ta rrethuar me gjithë ngrohtësinë dhe në fund  mbetet me bosh.

Të ktheheshe në shtëpi duarbosh dhe të flakësh tërë atë dashuri të madhe që ke ndërtuar për një kohë të gjatë nuk është e lehtë. Dashuria më e madhe në botë, më e fuqishmja, më e pazëvendësueshmja është ajo e nënës ndaj fëmijës.

Shpresa kishte pritur vite të tëra që të bëhej nënë dhe për gjithë atë kohë kishte ndërtuar një dashuri të pathyer dhe cënuar nga askush, por jeta kishte ardhur e tillë, sa i kishte lënduar zemrën dhe i kishte thyer krenarinë e nënës.

Ajo kishte lindur katër fëmijë. Sa herë që e pyeste dikush : “se sa fëmijë ke?”, ajo përgjigjej se kishte pesë, por një është në jetën tjetër. Ajo thoshte  pesë, sepse mendonte se një ditë në  botën tjetër, kur edhe ajo do të vdiste, do të mund ta takonte Furtunën e saj të vogël. Sa herë që shkonte në spital për të lindur fëmijën, ishte e pamundur që ajo të mos kalonte në një ankth të pashpjegueshëm e të paqartë.

Ajo përherë mendonte se prapë do t’i vdiste fëmija. Përjetonte sindromën e lindjes së parë.

Por kur era nuk frynte, ajo qetësohej pak. Kishte bindjen se sa herë të frynte era, asaj do t’i ndodhte prapë tragjedi. Kjo bindje e kishte përcjellur gjithë jetën.

Në një rast, në lindjen e fëmijës ishte përhumbur kaq shumë, sa që bashkëpunimi i personelit mjekësor ishte bërë shumë i vështirë. Mendja i rrihte si zemrek për furtunën e asaj nate dhe për foshnjën e humbur bashkë me stuhinë. Kishte rënë në një humbim prej disa ditësh dhe së fundmi pas shumë injeksionesh dhe përkujdesjeje kishte ardhur në vete.

Mjekët nuk e dinin se sa furtunë frynte brenda shpirtit të saj. Ata nuk mund të  kuptonin  se furtuna e kishte marrë me vete dhe e mbartte në ajrin gri sa andej – këtej. Ajo luhatej si gjethja e rrëzuar nga era e vjeshtës. Gjethja binte në tokë, e alivanosur dhe e vetmuar, për t’ u  përlyer më pas  nga shirat e rrëmbyer.  Si e çmendur luftonte pas gjithë këtij rrënimi. Mundohej të ndalte hovin e këtij largimi të beftë dhe kaq të pazakontë.

Furtuna e saj ikte fluturimthi. Herë i shfaqej e herë i ikte nga sytë. Kur plagosej në shpirt nga rënia e gjethes, zhurma e qelqit të thyer vinte edhe më e fortë. I dukej sikur donin ta shurdhonin, ndërsa tjegullat nga lart i binin mbi kokë. I binte me aq fuqi, sa që kokën ia shponte më shumë se shigjeta. Pastaj riniste   dhimbja e dalldisur… Buzët i thaheshin. Ndjehej e etur, më shumë se kurrë, por nuk kishte fuqi të kërkonte ujë.

Në një rast, një infermiere  kishte vërejtur buzët e saj të thara në ngjyrë blu dhe i kishte vënë garzën e lagur me ujë. Shpresa e kishte vështruar  me  shikimin e syve të zemrës.

Kur ajo e pa se kjo mënyrë e sillte në vete pacienten  e kishte lagur prapë garzën me ujë dhe e kishte vendosur sërish mbi buzët e saj, ato buzë që shprehnin shumë më tepër nga makthet e lindjes. Befas sytë e saj të butë shkrepëtinë egërsi. Dukej sikur në atë moment ajo ishte trashëgimtare e një race të çuditshme dhe të zhdukur prej kohësh.

Veshët i dukeshin normalë, pa ndonjë formë shndërrimi, por në brendësi të tyre dëgjohej  përplasja e qelqit, i cili thyhej gjer në imtësinë më të vogël. Mbeteshin vetëm grimca të vogla  dhe  të thërmuara. Më pas i krijohej ndjesia sikur ndodhej në stacione trenash, ku fishkëllimat e tyre krijonin zhurma therëse dhe shumë grishëse. Asnjë tren nuk vinte, por të gjithë  shkonin. Era i shtynte tuje, gjithmonë e më larg.  Shkonin drejt  perëndimit…

Shpresa përpiqej që të hipte në ndonjë tren, por nuk mundte. Ajo qëndronte atje, në stacion, në mes të njerëzve, me një fustan të hollë e të tejdukshëm, të  gjerë e të bardhë, si një pizhamë lehonie dhe përlyer me gjak. Njollat e kuqërremt e damkosnin trasparencën e velit bardhësi dhe dukej sikur zgjateshin deri në kupë të qiellit, ndërsa asaj i dukej se me këtë pamje u ngjallte njerëzve neveri.

U ul në tokë, e cila ishte e shtruar me çimento. Fryjti një erë drejt saj, e cila i valëzoi dhe i fluturoi flokët nga supi. Më pas u shndërrua në uragan dhe filloi t’ i tërhiqte më me forcë. Por kurrsesi ti shkulte. Ato ishin  ngulitur  mirë në kokë, aq thellë ishin rrënjosur, sa  dashuria e një nëne që mbetet në zemër për jetë.

Ajo erë e tronditi Shpresën. Një pikë loti rrodhi faqeve të saj të purpurta dhe u shpërnda në tokë. Aq i madh ishte, sa që  njerëzit filluan të iknin tmerruar.  Ishte loti i nënës që mallkonte gjithkënd që i prek dhe i bën keq foshnjës së saj. Vendi përreth ishte boshatisur, aty mbeti vetëm Slavica. Ajo i përulej Shpresës. Lutej dhe përgjërohej para saj. Shpresa nuk kishte fuqi që ta falte, por as të hakmerrej. Vetëm e shikonte me vështrim mëshirues.

 

***

 

Kujtime të trishta i vinin në kokë. Një sindromë e fshehtë i afrohej dhe tejkalonte ç’do gjë që kishte përmbajtje emocioni. Dukej i menduar. Ende ndiqte parandjenjën që e kishte përcjellur tërë kohën dhe kishte qenë emocion-ndjellëse. Kishte një vendosmëri që shkonte deri në kokëfortësi. Ylli u mbështet tek muri. Qetësia që rrethonte atë mjedis nuk i pëlqeu. Ai filloi ta ndjente këtë dhomë edhe më të huaj. Hodhi disa hapa brenda saj duke përjetuar braktisjen. Kurrsesi nuk mund të shqiste nga mendja foton e parë të Elizabetës. Në veshë i oshëtinte ende zëri i saj.

E kujtoi nga fillimi, gjerë te fotoja e saj e fundit. Vazhdimisht lidhshmëria e tij me Elizabetën po sfilonte. Ishte bërë i padurueshëm për takimin që e priste. Lumturohej  kur e mendonte të bijën në krahët e tij.

Vetëm atëherë mund të niste jetën që aq shumë e kishte dëshiruar. Qielli u err dhe më pas u bë hënor.

“Ky qiell i bukur, do të jetë një natë e ëmbël hënore bashkë me Elizabetën” – mendoi ai dhe i’u duk se ende jetonte me ëndrrën e tij të kahershme.

– A thua tingulli i Zërit do të ndryshojë?- pyeti veten dhe prapë po vetë u përgjigj :

– Jo, ndjenja me të cilën kam jetuar është e veçantë.

Gjethet edhe pse të zverdhura dukej sikur lëshonin aromën e tyre pranë dritares. Kalimtarët filluan të endeshin rrallë e më rrallë. Ndërsa kafeteritë po mbylleshin.

Ylli ishte njeri me pak kulturë, s’dinte shumë për jetën, por ishte i drejtë në veprimet e tij.

Tërheqja që ndjente për zërin, nuk do të shuhej edhe në momentin kur Elizabeta do të ishte aty. Ishte mishëruar me të kaherë. Mundësia ekzistuese ishte endur për kohë të tëra brenda vetes së tij.

Ana e jashtme, edhe pse i shfaqej disi më e errët, arrinte të plotësonte më së miri gjithë vizionin e portretizimit të vajzës së tij. Ai kishte besuar, se një ditë do të ndihej i lumtur. E dinte dhe e kuptonte fare mirë se kishte arritur momenti final. Duke menduar takimin përfundimtar  u ndie edhe më i lumtur. Pamja e saj e jashtme kishte dhënë shumë shpresë dhe shpjegonte shumë detaje nga takimi i tyre i afërt. Imagjinonte, por nuk arrinte dot ta zbërthente. Ai shqetësohej se si ajo nuk e kishte kuptuar kaherë të vërtetën. I dukej sikur ajo ndihej e përbuzur nga të tjerët. Ndonjëherë shpirtërat e njerëzve bëhen më të ndjeshëm se kurrë. Atëherë ata shndërrohen në paqësorë. Nga delikatesa krijojnë sharmin e vet, i cili ekziston diku në këtë botë të shpërfillur e të pikëlluar. Shpirti i tij i lidhur me qënien e Elizabetës fshehtësisht fërgëllonte. Largonte pikat e dyshimit, e cila më së shumti ngatërronte dhe shkatërronte gjithë botën e tij.

Vitet e përmbytjeve i kishte lënë pas shpine.

Qëllimi i tij i vetëm ishte të fillonte jeta aty ku kishte mbetur kaherë… Kujtimet e hidhura, urrejtja për atë ç’farë i kishte ndodhur, si dhe ankthi do të zhdukeshin me ardhjen e Elizabetës. Influencimet ndaj asaj pjese jete që kishte shkuar zhurmshëm ndoshta do  të largoheshin. Por sytë e vëmendshëm që shquajnë gjithçka, sigurisht që do ta kenë vështirë.

Akrepat e orës shënonin 24:00. Ai vazhdonte të dehej pas  mrekullisë së ndodhur dhe ashtu i lumturuar u shtri për gjumë. Të tjerët sigurisht që flinin, ndërsa ai i jepte krah  imagjinatës dhe e shikonte jetën  si një dukuri motivuese. Pastaj në qendër të dhomës u përgjunj.

 

***

 

Zhaku ndjeu se kishte ethe.

Bashkë me Zhanën vazhdonte të ishte i shqetësuar përballë gjithë kësaj situate të krijuar.

Trupi i tij për një moment nuk arriti të lëvizte dot. Gjithçka i bëhej gjithnjë e më e errët. Askush nuk shikonte nga ai. Në realitet nuk ishte tjetër kush, përveç  Zhanës. Ai kishte menduar se nuk do të kishte asnjë dëshmitar që do të tregonte atë që kishte ndodhur shumë vite më parë, por ja që tani ishte gjetur regjistri.

“Shumë e çuditshme…” –  mendoi Zhaku duke u thelluar, por dhe duke kuptuar se asgjë e fshehtë nuk mbetet kurrë pa u zbuluar. Qoftë edhe pas shumë  kohësh, sikurse kishte ndodhur me atë. Mjaftonte vetëm një detaj i vogël, gati i parëndësishëm, që gjithçka të zbardhej dhe të dilte në mes të dritës. Zhaku ende dyshonte tek përgjigjia e vajzës, e cila në këto momente i dukej edhe më e paqartë. Tani kishte arritur çasti vendimtar.

Dera ishte akoma hapur. Pa se mbrëmja kishte rënë. Hapi dritaren dhe vështroi jashtë. Sado që përpiqej të kurajonte veten, prapë përfshihej nga pasiguria. Preku me dorë rrudhat e fytyrës, pastaj rrëshqiti duart në faqe dhe vuri re lotët e stërgjatur. Ndjente dhimbje. Atij iu duk se dëgjonte një mërmëritje shpirtërash në errësirë, kulmet e të cilave shfaqeshin dhe makthonin.  Ai nuk e mendoi arsyen, sepse nuk ia kishte treguar ankthin e tij askujt. Por, arsyeja nuk funksiononte shumë. Mbajti frymën lehtësisht kur një erë e lehtë lëvizi derën. Pati idenë se mund t’ia lexonte mendimet Elizabetës. Ai kishte  vënë re tek vetja një përqendrim të çuditshëm, i cili e bënte  të akullt dhe të pafuqishëm për t’u shkëputur nga trysnia që e shtyente. Nuk donte ta besonte gjithë këtë ndodhi, që çuditërisht kishte ndodhur dhe s’kishte më kthim. Mbi të gjitha, ai kishte respektuar dëshirën e saj. Vërtet kishte bërë mirë. Çdo fshehtësi është e trishtë dhe e keqe. Zhaku mendonte se ç’farë mund të shpëtonte nga gjithë kjo ngjarje që po ndodhte. Kjo tingëllonte më shumë me një shenjë lutjeje për falje. Sinqerisht, ishte i lëkundur. Psherëtiu thellë dhe paramendoi ç’do mundësi për të ndihmuar  vajzën e vet.

“Ja diçka që kemi të përbashkët…” – mendoi për të qetësuar veten dhe ndjenjën e tij, prej së cilës shprehej një domethënie në dukje pa kuptim, por që do të kishte nevojë për kohë.

 

 

***

 

Një ditë para se të nisej Elizabeta për në Kosovë, kishte dalë për shëtitje. Ishte shumë e lumtur. Mrekullohej. Zemra i këndonte nga gëzimi. Ajo mendoi Shpresën.  Sa shumë prekës kishte qenë takimi me të. Me gjithë përpjekjen e sforcuar ajo nuk kishte mundur ta përmbante veten, por dukej sikur kishte derdhur dertin e mbledhur të gjithë viteve që kishte kaluar.

“Zemër nëne” – mendoi me vete – dhe eci më përpara. U ul në një stol dhe filloi të shikonte parkun, sikur të ish aty për herë të parë. Ashtu sikurse ishte në çaste meditimi, shijonte bukurinë e papërshkruar të tij. Lulet kishin çelur si kurrë më parë. Pranvera kishte ardhur me gjithë magjepsjen e vet. Edhe gjethet tejçonin një shkëlqim më të ndezur të ngjyrës së tyre. Ju duk vetja si hirushja. Shpirti i ndrinte si një xixëllonjë. Çuditej dhe lodronte përbrenda gjithë kësaj habie shpërthyese. Të gjithë njerëzit që shëtitnin i dukeshin më të gëzuar dhe të lumtur. Kjo i ndodhte ndoshta ngaqë ajo ngatërronte botën e tyre shpirtërore me të sajën. Edhe lisi i vjetër dhe vetmuar i dukej krejt ndryshe. Ai hapëronte drejt qiellit dhe përpiqej të fshihte plagët e vjetra pa përtim.

U ngrit në këmbë dhe filloi të ecte me hapa të lehtë. Nisi të mendonte për takimin e ardhshëm që e priste. Flokët e saj të gjatë i rrëmbente flladi i lehtë pranveror dhe i përkundëte në ajër.

“Sado që të dish, përherë duhet të kërkosh dhe kuptosh  më tepër. Çdo përpjekje sjell diçka të re dhe ç’do e re të beftëson dhe mrekullon ”- mendoi ajo.

Para syve ju rishfaq Leoni.

“I bukur është…” –  dhe një buzëqeshje i depërtoi gjer në thellësi.

Hodhi  disa hapa të tjerë përpara.

Ajo, jo vetëm që kishte zbuluar të vërtetën, por ishte bërë e njohur për të gjithë. Kishte akoma dhe disa punë të tjera për të bërë. Duhej të vazhdonte studimet. Duhej që raportet mes dy familjeve, t’ i harmonizonte dhe shkrinte në një.  Duke vështruar përreth kujtoi edhe 180 bashkëqytetarë të tjerë, që të nesërmen do të udhëtonin së bashku. Ata të gjithë kishin pasur fatin e Elizabetës.

Kosova dhe Franca kishin bënë një marrëveshje të re, që përmes ambasadave të tyre, të rinjtë kosovarë kishin të drejtën e hulumtimit të prejardhjes. Franca zyrtarisht kishte përgatitur dokumentacionin për gjithsecilin rast dhe vazhdonte të merrej me identifikimin e plotë të tyre, si: numrin real të regjistrit themeltar, ditëlindjet, qytetet se prej nga vinin, etj.

Ngjarja e saj kishte ndikuar drejtëpërdrejtë në vendimin më të fundit dhe kjo nismë e ndërmarrë e kishte vendosur atë në qendër të vëmendjes. Ajo nuk e admironte zhurmën dhe shpesh herë u ishte shmangur fotoreporterëve të ndryshëm, por për hir të së vërtetës ishte presioni i tyre, që i detyroi autoritetet vendase të bashkëpunonin dhe ndihmonin qindra familje kosovare. Hodhi vështrimin përreth dhe ndjeu qetësi të thellë. Vetmia e rrugicave të parkut tretej së bashku me shpirtin e saj fluid dhe përhumbte tutje regëtimash të zogjve fluturim.

 

 

 

 

 

 

DJALLI  QË PAGOVA PËR KËSHILLË

 

( Fragmente të shkëputura nga romani : “ DJALLI  QË PAGOVA PËR KËSHILLË” )

 

 

jeta Vojkollari

Nga Jeta Vojkollari

 

 

SABRINA

 

Mbrëmje tirane. Kafene moderne. Drita. Luks. Taka të larta e zëra të lartë. Të qeshura. Vajza me dekolte. Lëkurëlëmuara. Djem me flokë të prera shkurt e të rregulluara me xhel. Si kafenetë, të rinjtë vinin era luks e kohë moderne.

E vështirë të ecje lirisht në rrugët e Tiranës pa u përplasur me të tjerët. Njerëz të huaj që flisnin gjuhën tënde. Sabrina i futi krahun Tomit. Iu ngjit sikur të mbrohej.

Por Tomi dukej i zënë. Sytë e tij vraponin. Majtas. Djathtas. Skanonin adoleshentet bukuroshe. Shkëlqenin nga dëshira. Sy gjahtari. Dinakë, të pabesë. Gati për sulm. Sabrina kapi një buzëqeshje sigurie që iu vijëzua Tomit në buzë. Tom Xhoxha ishte i gjatë, muskulor, simpatik, i vetëkënaqur. Sy të mëdhenj blu, dhëmbë të bardhë si rruaza, kokë të rrumbullakët, flokë të zeza me shkëlqim, tipare sikur vinte nga ndonjë racë princërore. I veshur shik. “Tom”, ua kujtonte ai të njohurve të Sabrinës. “Më quajnë Tom, jo Tomi”. Emra modernë. Sjellje moderne.

Një çift po puthej egërsisht para syve të tyre. Gojë të etura. Gjuhë që kapërtheheshin me njëra-tjetrën. Aty në trotuar. Dhjetë centimetra larg teje. Puthjen s’e dalloje dot nga kafshimi, festën nga lufta, lindjen nga vrasja, dashurinë nga përdhunimi, bashkëshortin nga armiku. Sabrina nuk ishte e sigurt ç’emër t’i vinte puthjes së atij çiftit. Dashuri apo forcërim? Dashuria duhet të ishte e butë, si trupi i Tomit.

Tirana ishte kthyer në një vorbull ekstremesh. Jeta në Tiranë ishte shumë sociale dhe shumë izoluese. Tirana vetë ishte shumë e madhe dhe shumë e vogël. E ngjeshur. Të merrej fryma. Në qoshen e pallatit, era ndjellëse e misrave dhe gështenjave të pjekura përzihej me erën e urinës së tharë. Këpucët e shtrenjta italiane kërcisnin mbi pllakat e thyera të trotuareve. Veshur me rroba që binin në sy, pronarët e butikëve modernë dilnin jashtë herë-herë e i përzinin me fjalë të ashpra lypësit, që zgjidhnin të kryenin aktivitetin e tyre prej lypësi para derës së dyqanit. Sabrina kishte dëgjuar që pronaret e butikëve bënin biznes dhe me ata të “Gabit”. Një zot e merrte vesh në ishe ti e para që i gëzoheshe një fustani të blerë, le të themi 350 Euro.

Ç’po ndodhte me Tiranën?

“Tiranën time, Tiranën time që e adhuroj, ma kanë bërë si Mumbain e Indisë”, i kishte thënë një nga klientët e saj.

Shqipëria po kalonte kohë të çoroditura. Tirana po kalonte kohë të çoroditura. Vëllai vriste vëllanë për 50.000 lekë të vjetra; gra, nëpunëse të qeverisë, qëlloheshin me grusht në stomak e zvarriteshin për flokësh; fëmijë lakuriq flinin nëpër kuti kartoni në trotuarin anash “Bulevardit të Madh”; policët ishin indiferentë ndaj krimit; ligjet ishin të vonuar; ligje mbeteshin të pazbatuar; vajza të parritura ëndërronin të visheshin si prostituta; studente prostituonin. Zgjedhje të ashpra në jetë, bardhë e zi; dashuri të egra; puthje të egra; gropa të errëta në rrugë; gropa të errëta në shpirtrat e njerëzve. Numri i klientëve të Sabrinës, të cilët kishin nevojë për psikoterapi, po rritej.

Njerëzit jetonin ashtu, rrëmujë. Por vinte shpejt një ditë dhe ata përfundonin në divanin e psikoterapistes. Shkonin aty të zhvarrosnin. Të rihapnin gropat brenda vetes. Gropa që i kishin mbyllur keq e keq në rrëmujë e sipër.

Sabrina ishte si Zoti. Shikonte, kuptonte, zhbironte në jetën e tyre. Zbulonte sekretet e tyre, sekrete që ata i kishin fshehur thellë e kujtonin se i kishin harruar. Sabrina ishte e mençur, super e mençur. Mençuria e saj iu shkaktonte të dridhura njerëzve. Punë dreqi dhe kjo! Të dije dhe atë që mendonin njerëzit. Ta kuptoje nga picërrima e syve; nga një re e errët që shfaqej befas në sy e pastaj zhdukej me një shpejtësi të rrufeshme; nga një nënqeshje pothuaj e padukshme.

Sabrina shikonte ato që s’i shihnin të tjerët. Shpesh, shikonte me shumë nga sa duhej. Dinte më shumë nga sa duhej. Jo gjithmonë e ndihmonte ky fakt, i shkaktonte dhe mjerim shumë herë. Se ajo vetë ishte si ata. Si klientët e saj. Me lot të humbura…

 

RAKELA

 

Ata kishin xhiruar për dhjetë orë rresht dhe Rakela ishte e lodhur për vdekje. Regjisori kishte ngulur këmbë ta përfundonin sot skenën e mbytjes. E kishte dërmuar ajo skenë. Luante rolin e një nëne të re, që kishte marrë rrugën për në Itali të bashkohej me të shoqin. I shoqi, që kishte emigruar atje ndonjë vit më parë, kish kërkuar të shikonte vajzën e tyre të vogël. “Po vdes nga malli”, i kishte thënë dhe ajo s’ishte menduar gjatë. Kish mbyllur sytë e kish marrë anijen bashkë me të tjerët. Rryma gjigante e ujit kishte rrëmbyer të bijën në fillim. Ajo ishte sulur pas saj. Luftonte me ujin si e çmendur, po s’e kishte arritur dot vajzën. Regjisori i bashkoi nënë e bijë vetëm pas vdekjes. Të dyja flinin në paqe të plotë në krahët e njëra-tjetrës. Adriatiku i qetësuar, si një djep gjigant, i lëkundte ato butë në një gjumë të përjetshëm.

Edhe ajo ishte në gjumë tani. Gjumë i shqetësuar. Dy duar e kishin mbërthyer në fyt dhe po e shtrëngonin fort. Duart e Markut? Nuk ishte mirë që ai po e mbyste kur ajo flinte. Në mëngjes ai do pendohej e do ulërinte nga dhimbja. Por ajo s’do ishte më. Ajo do flinte e qetë, si personazhi që luante në film. Duart e Markut e shtrëngonin fort, fort dhe asaj po i mbaronte fryma. Ndjente ujin ta përkëdhelte në shpatulla, në mjekër. Uji iu ngjit deri në nivelin e gojës. Kur, më në fund, Marku ia hoqi duart nga fyti dhe ajo hapi gojën të merrte frymë, uji iu fut brenda trupit me forcë. Ajo përpiqej të notonte. Përpëlitej si e çmendur. Nxori kokën mbi ujë. Pa sytë zhbirues të Markut.

– Çfarë po bën, Mark?

– Ty të kishte zënë gjumi, vogëlushe, – i tha Marku dhe zgjati dorën ta përkëdhelte në faqe. Rakela kërceu mbi ujë që t’i shmangej dorës së tij. U tërhoq prapa e nxori me forcë ujin që i kishte mbushur gojën. Çfarë po ndodhte me atë, vallë? S’ishte fare ide e mirë të mbyllte sytë kur futej në vaskë. Rakela Kato u çua ngadalë e u mbështoll në robdëshambrin e bardhë e të butë që e kishte blerë në një sallon bukurie në Paris. Ashtu, pjesërisht e qullur, ajo lëvizi nëpër shtëpi e kërkoi për Markun. U kujtua që sot ishte e martë dhe Marku kishte mësim deri në dhjetë. Marku se si ishte bërë kohët e fundit…

 

MOZA

 

Ishte mëngjes herët. Njerëzit që bënin jetë normale s’kishin punë jashtë në këtë orë. Duhet të ishin ende të strukur nëpër krevatet e tyre të ngrohtë, krevate me erë të njohura. Era e burrit, era e gruas. Një krevat kishte erën e vajzës së porsalindur, e cila flinte si qengj. Nga dhoma tjetër, krevati mbante erën e gjyshes pastërtore. Gjyshi gërhiste shumë. Kishte krevat më vete. Familjet shqiptare! Ishin prapë të forta aty-këtu. Malli për atë jetë i mblidhte një lëmsh në fyt Mozës. Ndonjëherë e bënte të vinte buzën në gaz. Por buzëqeshjet e saj ishin të rralla shumë dhe jetëshkurtra.

Qendra e Tiranës ishte e shkretë. Ora e madhe trokiti tre herë. Sureale. Qyteti jetonte një kohë tjetër. Kohën e të tjerëve. Kohën e vampirëve e viktimave të tyre.

Takat e Mozës kërcisnin në trotuar. Ajo kishte veshur një fund roze të ndezur tejet të shkurtër. Dikur përpiqej ta zgjaste me duar. E tërhiqte fort nga poshtë. Kot që lodhej. Njollat e murrme nëpër kofshët e saj dukeshin prapë. Ato njolla ishin vula të përleshjeve me burra me erë të huaj, të panjohur. Erë mbytëse. Mozës i vinte për të vjellë nga era e tyre. Nën bluzën rozë pa rripa, që mbahej me një llastik tek gjoksi, dukeshin një pale reçipeta të zeza me dantellë. Reçipeta ishin të vogla për masën e saj. I shtynin gjoksin lart me forcë. Rrobat e saj ishin të lira, joshëse për burra pa shije. Ajo s’kishte mbushur gjashtëmbëdhjetë, por krahët e kofshët e saj ishin të squllura. E kishin mbaruar ciklin e lulëzimit, ose, më mirë, e kishin anashkaluar ciklin e lulëzimit. Dy rrathë të verdhë metalikë i lëkundeshin në vesh. Flokët e verdha dukeshin të lyera shkel e shko. Ndoshta, të lyera nga një dorë që donte t’i shëmtonte. Ndoshta, dikush ia kishte sjellë bojën dhe e kishte urdhëruar t’i lyente vetë.

Moza përtypte çamçakëz. Sforcohej të dukej e shkujdesur. Sytë e saj ishin laps i zi, lodhje, trishtim, adoleshencë që po vdiste me shpejtësi. Truri i saj i lodhur punonte ngadalë.

Çfarë ishte ky emër? Moza. Mimoza. Emër luleje. Ajo, lule?! I vinte për të qeshur. Më mirë ta ndërronte emrin. Duhet ta ndërronte. Për shembull, sikur të quhej Klaudia. S’ishte shumë e sigurt. U mendua për ndonjë emër tjetër italian. Jo, jo, se ashtu prapë do kuptohej që ishte shqiptare. Kishte shumë shqiptarë me emra italiane. Asaj i duhej ndonjë emër i çuditshëm, i pa dëgjuar këtu. Ndonjë emër rus ose bullgar.

Mimoza. Ka pemë mimozash në Përrenjas? O Zot, sa e lodhur ishte. I flihej. Zgjohu, Moza. Zgjohu. Apo grek? Grek do ishte më mirë. Të bënte sikur ishte greke. Po ajo s’dinte asnjë fjalë greqisht. Sa mirë do ishte të dinte ndonjë fjalë greqisht e të thoshte që ishte greke. Të mos e merrte vesh kush që ishte shqiptare.

Moza ndjeu hapat e vampirit pas saj. Ktheu kokën. Dori nxitonte. Kishte veshur një palë xhinse të ngushta, këpucë me majë dhe një xhup të hollë ngjitur pas trupit. Duart në xhepa. Kokështrembër e sy ftohtë ishte ai. Ato sy të bënin të dridheshe. Sy të palexueshëm. Xham i patejdukshëm. Sy që s’kishin marrë kurrë dashuri. Sy që s’dinin të jepnin dashuri. Sy gjakpirësi. Dhëmbë gjakpirësi. Dhëmbët e tij të syrit ishin të dalë, të gjatë, të verdhë. “Dhëmbë qeni”, ishte zgërdhirë ai kur e kishte takuar Mozën për herë të parë. Mozës s’i kishte pëlqyer krahasimi. Moza kishte një qen në fshat. Ishte femër. I kishte dhënë Mozës kaq shumë dashuri e ëmbëlsi dikur. Një shoqe klase e saj, poete, e kishte quajtur “Berjozë”. Berjoza e saj e kishte trupin me lara, si trungu i berjozës. Për një moment, Mozës iu njomën sytë nga ai kujtim. Përtypi çamçakëzin fort e thirri në skenë mendimin e mëparshëm. Dori do ishte i nderuar të kishte dhëmbë qeni në gojë, po ai nuk i meritonte. Dhëmbët e tij ishin dhëmbë vampiri. Dhëmbë gjakpirësi.

 

 

 

 

DERBI

 

 

Vladimir Myrtezai

 

Tregim nga Vladimir Myrtezai

 

 

Ka momente që njeriu kërkon të verifikohet me stimujt, tërheqjet apo pasionet e harruara. Në panoramën e gjërave që do rreshtoja, ndofta sporti, ose thjesht futbolli do dilte jashtë vëmendjes, pasi për mua ishte një shans dashurie i humbur. Jo për shkakun se nuk më tërheq, por për faktin që robëron me mijëra e mijëra mendje njerëzish – në të shumtë është një lloj hakmarrjeje ndaj kësaj marrakotjeje të nevojshme, që dukej se nuk  hynte në punë. Nuk doja të hetoja te kandari i mijëra e mijëra njerëzve, për të cilët sporti është motiv, ose shtysë, ose dashuri për të jetuar; madje së largu duket që jeta e njeriut mund të përkufizohet nga radha e kampionateve ciklike botërore që luhen mbi tokën e rrumbullt. Më shkoi mendja te ky krahasim ngaqë kohë më parë, kur isha krejt i mpirë përgjatë e në mesin e heronjve të futbollit, stisur e tharë në kohëra, që më shumë ngjanin si personazhe që më bënin për vete nga gjestet, ose nga pikimet pikante për të cilat edhe shënjohen e mbahen mend. Kështu që, dashuria për futbollin ekzistonte, por në një mënyrë refuzuese, si ngatërresë e pashpjegueshme, e armiqësuar; ose si një dimension që konkurronte pjesë zgjedhjesh të personalizuara, që në raport me këtë ngërç ndiheshin si në minorancë e në një raport krejtësisht të zhdrejtë.

Të gjithë artistët snobojnë duke e radhitur produktin e tyre në tasta elitare, që nuk se kanë nevojën e një stadiumi për të vetëdimensionuar largësinë e tyre. Por, gjithsesi, shkarazi, më mundonte qoftë edhe në rrafshin e diskursit, – i humbur tashmë – se pse ky lloj sporti thithte dhe mbante të burgosur gjithë atë masiv njerëzish, që tashmë janë të riprodhuar në linearitetin dixhital të shpërndarjes, por edhe në një joshje të kapluar pa kthim të lojës me këtë makineri evolutive, që në të gjitha rastet konkurrohej gjer në humbje ekuilibri nga e gjithë njerëzia. Nuk do mund ta përcaktoja a përktheja në një marrëzi, pasi do ishte e pabesueshme për nga pjesëmarrja në këtë aventurë të një numri kaq masiv. Por, jeta, ashtu siç e mbjell këtë tërheqje, të afron sfidat e saja e të bën herazi pjesë të lojës, dashje e padashje. Megjithëse jo larg lojës sharmante që ky lloj sporti mund të të japë pretekste të mjafta për të shëtitur apo për të të justifikuar një lloj jetëzimi në histeri, në kolektiv, kur ndonjëherë si terapi ndihet dehëse dhe e nevojshme.

Gjithsesi nuk mendoj se bëhesh interesant se nuk sheh futboll, por si specie antikonformiste, preferoj të mos jem në një kor të stërmadh që vuan nga kjo varësi.

Qetësinë e refuzimit tim të abstraguar gjatë e prishi një ish-student i imi, Vini fotografi, pasi më ftoi të shkonim në derbin e njohur kryeqytetas, që luhej në “Qemal Stafa”. Si fillim e refuzova, duke i thënë se nuk do doja të çfokusohesha në këtë moment, ku të gjithë kohën e zbuluar ia kisha kushtuar shkrimësisë – një lloj zakoni a muzë e re për të shpëtuar nga koha e keqkaluar,  që në njëfarë mënyre ishte shndërruar në një angështi topitëse, për ta lëshuar jetën në mes të shalëve apo edhe më keq, në një harxh të pamotivuar. Por, edhe si një lloj marrëveshjeje për të risjellë fjalën si lojë e hedhur, e provokuar, në një komunikim më të gjerë e të përditshëm. Vini ngulte këmbë se duhej të zhdërvilloja komunikimin edhe në hapësira alternative, se më bënte mirë, gjithsesi, por edhe në qejfin e tij, për t’ia dashuruar ngjitazi atdheun e tij të lartë – futbollin. Më përmendi djalin tim Bores dhe më këshilloi që dhe atij do i bënte mirë një takim live në fushën e blertë. Më theu kjo ide e tij, dhe si i papërcaktuar përfytyrova të jem në këtë ndeshje. Kisha gati dyzet vite pa shkelur në atë stadium, dhe ky fakt më afrohej dhimbshëm, pasi kisha një histori që nuk e harroja dot, si takimi i fundit – me sa kujtoj – me një vend publik me prani turmash. E shihja nga larg, përmes TV-së, dhe nganjëherë kisha mall për grupime të tilla, sidoqë këso grumbullimesh më linin nga pas një shije jo të mirë.

Ishte viti 1975. Im atë më propozoi të shkonim në stadium, luante  Tirana me Partizanin. Një atmosferë e jashtëzakonshme me gardhime policësh; një radhë e madhe njerëzish për t’u argëtuar në këtë ndeshje. Nuk më kujtohet rezultati, por një incident në hyrje me një polic  – një fytyrë që nuk do e harroja kurrë, për fatin e keq të tij dhe timin njëfarësoj. Polici ishte shtatlartë, eshtak e nofullan, si i skalitur në egërsinë e tij për të qenë pikërisht krejt i përputhur me një makineri dhune. Hamendësoja të ishte ose nga Skrapari, ose nga Mallakastra. Më bëhej me hije se ishte kjo e dyta. Shkallarja ku po hynim ishte krejt në ballë, karshi tribunës qendrore, te zona D. Një gropë e zezë njerëzish radhë e pa radhë që shtyheshin drejt hyrjes, duke hungëruar nën zë. Për një moment shkava nga rreshtimi me babain  për shkak të turmës, dhe po përpiqesha të rikthehesha në radhë. Aty për aty më bënë sytë xixa, dhe më flakëroi një shkelm në aks të trupit nga prapa, tamam në kërbisht, dhe fluturova në ajër rreth dhjetë shkallë përposhtë. Në atë çast do  kisha vrarë këdo që do më rezultonte shkaktari i dhembjes së madhe që pësova, edhe pse ai ishte një dhogë e gjatë dhe e veshur me rrobën e pushtetit. Më shkonin lotët rrëke nga një inat i verbër, dhe sapo më pikasi im atë u lebetit. – Ç’ndodhi? – me pyeti. Nuk pata kohë t’i shpjegohesha, se nuk më linin lotët. Më qetësoi disi edhe turma që nuk na linte rehat duke na shtyrë sërish drejt hyrjes. Gjatë gjithë ndeshjes çoja nëpër mend me dhjetëra skenarë se si do e kisha masakruar agresorin, që pa asnjë arsye më kish plandosur si një rreckë në fund të shkallëve. Hamendësimet më vinin të qarta dhe tanimë atë figurë e kisha në sy të hakut të masakruar në dhjetëra mënyra. Ndeshja mbaroi dhe në dalje i thashë tim eti që nuk largohem pa e kapur atë policin, pa e parë në sy e pa e sqaruar. Ashtu bëmë. Pritëm sa të rralloheshin turmat dhe e pikasa. Iu afrova. Im atë e mori veç dhe e pyeti se pse kishte goditur. U mblodhën edhe një tufë policësh dhe një shef i tyre. Bashkë me tim atë ishte edhe Riza Qorri, një kushëri i yni. Që të tre u pozicionuam në një kënd, dhe harqet e trupave tanë ishin pikëpyetja më tentuese dhe agresive në atë fundndeshje. Polici kërkoi falje duke thënë se nuk e mbante mend si incident, për shkak të numrit të madh të njerëzve. Më dukej si një kafshë, tamam polic, vetëm muskuj dhe mish i shtrirë në një formë të shkëlqyer. Dy sy akull të ftohtë në një ndërprerje të beftë, që dukej se nuk funksiononte mirë lidhja organike mes arsyes dhe forcës. Iu afrova, e pashë në sy dhe i drejtova gishtin duke i thënë: – Ruaju gjithë jetën!

Isha një shkaraman kërthi, kthyer i gjithi në nerv. Nuk i lëvizi asnjë tipar. Çudi, sepse gjithë jetën e mbajta mend atë fytyrë. Inati më zgjati shumë, deri edhe sot që po hedh këto radhë. Përpos këtij aksidenti, qëndrimi në stadium ishte një parehati totale për mua, pasi nuk ambientohesha dot me njerëzinë e mbështetur trup më trup, dhe halucinacionet e mia që sugjestionohesha më shumë nga piskamat dhe derdhjet e papritura të emocioneve sesa nga një analizë skemash futbolli. Herë ndihesha mirë me emocionin për të qenë me të humburit sesa me fitimtarët; apo raportet që më krijoheshin nga ndonjë shfaqje individualiste, sesa arena e një manipulimi kolektiv. Kohët kishin kaluar tashmë dhe do më duhej sërish – i shtyrë nga një ndjesi e re për djalin tim Bores – që të mund të ravijëzoja përvojën e tij fëminore në kondita krejt të tjera. Por, edhe për shkakun e largët për të qenë në të njëjtin vend, përsëritur në kohë me tim bir, si një ngjarje gati e përputhur. Me thënë të drejtën kisha emocionin e vjedhur tashmë nga brenda për t’u përballur në një rrethanë të njëjtë, pothuaj dyzet vite më pas. Një kuriozitet që në njëfarë mënyre më duhej ta përballja. Të para nga larg, fushëbetejat e futbollit dukeshin spektakolare, të ngjyrta, por nga afër është krejt tjetër gjë.

Pas kaq vitesh nuk isha i kthjellët se si mund të ishte gjendja në stadium, dhe kur miku im fotograf më tha se të kam siguruar biletat për ndeshjen, i thashë dakord, pa menduar detaje, sepse më erdhi si natyrshëm ngjitja në shkallët e një ndeshjeje. Nuk e pyeta as se ku e as se si, por mora biletat duke e falenderuar. Pastaj thirra djalin dhe gjyshi Mishën dhe u nisëm drejt stadiumit. Ndjeva se nuk mund të kishte një hapësirë të favorshme për të shkuar në orar, kështu që vajta shumë më përpara, për t’u akomoduar e zgjedhur vendin. Në fakt, nuk kishte ndryshuar pothuaj asgjë, përveç rrethimit të stadiumit dhe tabelës elektronike. U afruam nga pjesa verilindore dhe kërkuam zonën D – ishte përputhshmërisht i njëjti vend si vite më parë. E njëjta qasje, qoftë në hyrje, qoftë në radhët e policisë, qoftë edhe në atmosferën e shtrënguar në hyrjen e stadiumit, ku kontrolloheshin një e nga një të gjithë. Shtrëngoja djalin për dore dhe me pak mundime arritëm në brezin ndarës të policisë. Njëri nga policët më tha të hiqja kapelen, dhe po e pengonte Boresin që të kalonte. – Bëj kujdes! – i thashë nga afër, se ky që sheh poshtë nesër mund të jetë presidenti yt. Më nguli sytë një çast dhe u thye në vështrim, por ndërkohë e kuptoi shakanë time dhe më ndau disi anash, duke i dhënë udhë dhe një tjetër shtëllunge njerëzish që shpërtheu në hyrje. Kaluam dhe dolëm në sipërfaqe, kundruall tribunës qendrore. Dukej se diçka nuk shkonte, pasi që të gjithë sa hynin kishin nga një objekt të kaltër e të bardhë, si tifozë të Tiranës, ndërsa ne të tre nuk kishim asnjë njollë, përveç të kuqes, që ishte harruar në shallin tim të qafës. Një pakujdesi që tregonte se ishim zhvendosur si alienë në një pjesë skene të organizuar si tifozeri e bardh e bluve, dhe përkundruall vura re të ndarë qartazi të kuqtë, ose guerrilasit, siç quheshin. Që në vendosje ishim gabim, sepse turma ishte në një eufori skizofrenike kundër çdo shenje të kuqe. – Zot! – thashë me veten, kam edhe djalin. Për një moment i bërtita një djali të ri që kisha mu përpara, që të anohej e të mos më pengonte. M’u duk sikur vura një shenjë kufiri për të treguar se askush nuk do e kishte të lehtë të kalonte sinorët e mi. Turma ishte si një qenie e stërmadhe, që shfrynte me ca slogane të zbrazëta sharjesh nga më vulgaret. Belbëzova me veten se ç’mu desh kjo punë. Të gjithë, rreth pesëmijë vetë, shanin në kor me emra, dhe të gjithë shkriheshin nën çirrjen: – O Nexhip, o morr i kuq! T’q… motrën!

Po ashtu, nga ana tjetër vinin shtrëngatat e tjera si një jehonë shurdhuese. S’e kisha imagjinuar që befas gjendesha në një front të kundërt – stuhi sharjesh dhe mërie kolektive në një egërsi alarmante. Nuk po më rrihej qetë. Si me magnet, rreth meje u hap një boshllëk i mpakur, ku u vendos një çift të rinjsh nga zonat e reja informale, – me sa dukej – që më shumë putheshin se shihnin ndeshjen, dhe gjatë gjithë kohës rrinin të pickuar nga mosrealizimi i tyre i pamundur. I hodha një copë gazete vajzës, sa për t’u mbrojtur nga pisllëku i ndenjëses ku nuk shihej më veçse baltë e fara lulesh, që kishin krijuar një shtresë të re mbi stol. U fjalosëm dy tre herë me një grumbull djemsh, që të uleshin, por pozicioni ku gjendeshim kish kuriozitetin që, përveç fushës, të shihnim edhe tifozerinë lart, dhe një gjest i tillë i dyfishtë nuk na la të uleshim.

Im bir ka një natyrë të hapur dhe gjithë kohën më pyeste për të gjitha gjërat që ndodhnin në atë moment në stadium. Miku im nga brenda fushës më dërgonte sms se si ndihesha, dhe pata turp t’i tregoja të vërtetën se si.

Ndërkaq shënoi pjesa e kundërshtarëve të kuq ku gjendeshim ne, dhe ndjemë një tërmet të paimagjinueshëm zjarri dhe zhurmash. Një përskuqje që shumëfishohej si me shkop magjik nga pishtarë të ndezur fishekzjarrësh. Një pamje apokaliptike. U shtanga, pasi mendova se të gjitha ato kontrolle në hyrje, deri në heqjen e kapeles, kishin qenë kot. Por, asgjë nuk qe e mundur. Skenarët e tifozerive ishin të kopsitura. Shumë shpejt erdhi goli i dytë dhe unë mezi po prisja që të mbaronte pjesa e parë, pasi m’u duk e padurueshme, e dhunshme dhe armiqësore e gjithë ngjarja. Për çudi, kur e shihja nga larg kisha përshtypjen e ekzaltuar të dekorit të helmët e iluziv, por, në fakt, ishte një ferr i vërtetë, edhe për efektin se ne ishim të vendosur gabim, në një front të pakuptimtë e aspak miqësor.

Çdo gjë që rikujtova ishte më e parehatshme dhe më agresive se kohë më parë, kur më kish qëlluar ai polici i tmerrshëm. Por, edhe sot, nga një pozicionim i shtyrë në kohë, nuk pata as më të voglën mundësi miqësie me të tilla vende turmash në harbim; një format që më përjashtonte e më linte në një pakuptimësi të dyfishuar afrie. – Larg, – thashë me veten; valëvitje që nuk më bënte as të gëzohesha e as të shkrehesha në vaj për arsye të dekompozimit të shprehjes si emocion i hapur njerëzor. Asgjë nuk ndodhi, përveç frikës nga ndonjë kokëkrisur, që mund ta aksidentonte atë pasdite të organizuar si dëfrim. Nuk dija as si të sillesha me djalin tim, që nuk pushonte së pyeturi për gjëra që i haste për herë të parë, dhe që do i nguliteshin në memorie si aksidenti i parë në një turmë shumë harbute.

Megjithëse ndjehej i lumtur, sepse më pohonte se kishte jetuar live një ndeshje, gjë që do ia transmetonte shokëve të tij të klasës.

Nuk e dija a kisha bërë mirë apo jo, por sërish mora në avancë një armiqësi të re dhe të papajtueshme me grumbullimet – m’u duk se nuk isha unë që e shtyja këtë raport që të mos më pranonte, por ishte thjesht turma që më bënte të papranueshëm në mungesën e zgjedhjeve për të shpikur një kundërshtar, apo një armik të ndarë prerazi. Ndoshta ishte dobësia ime që ndihte arratitë për të qenë në një ndarje të tillë. Isha si vetmitar në ndarjen e këtij antagonizmi, që shpesh më dukej si humbje kohe, apo diç më shumë – si një budallallëk i cili qe shpikur për shfryrje të pashpjegueshme njerëzore. S’e di. Apo mos ndoshta në cytjen e mijëra njerëzve të tërhequr në masë, unë isha vendosur gabim – jashtë loje? Mundet. Si përfundim, ripërforcova një ndarje në kohë të rivlerësuar të re si të pakthyeshme në një dashuri të humbur tashmë.

 

 

 

pik 3

 Gjuha e shenjave @ Irina Hysa

 

 

 

 

 POEZI

 

 

 

enertin_dhaskali_943629379

 

Poezi nga Enertin Dheskali

 

 

Pikëz gjaku në univers

 

 

Lëndinat e pritjeve i mbollën yjet

Si kurora ëndrrash në vazo galaktikash,

Muza e jetës, e dehur ëmbëlsisht nga pritjet,

Ëndërronte në fluturim përmbi re planetësh.

 

Jam aty, në grimcat që ecin pafundësisht,

Jam aty, në transformimet e fillesave mbi asgjë,

Në diejt që lindin, në sfinksin që hesht,

Jam aty, pikëz gjaku,

Aq i vogël, e i madh, sa universi s’më nxë…

 

 

 

 

Nëse do të fluturosh…

 

Nëse do të fluturosh përtej qiejve,

Atje ku vetëtimat zemrat çajnë,

Mos harro, puthjen time merre me vete,

Që të tregojë udhën kur të kesh nevojë.

 

Unë qiej s’kam, as gjerdanë yjesh s’gjej dot,

Për t’i bërë dhuratë për gushën tënde,

Kam vetëm një zemër të brishtë e të ngrohtë

Që mbi detin e lotit ka ngritur çerdhe.

 

Mos e harro kraharorin ku gjumi të merrte,

Mes nanuritjeve dhe duarve të mia – fole,

Ëndrrën tonë, në vesën e vështrimit trete,

Nëse do të fluturosh përtej qiejve…

 

 

 

 

Shekull që fle në boshësi

 

Kuturisen matrapazët e shekullit të ri

Nëpër dyqanet e mbushura me drita,

Në vend të zemrës kanë qymyr të zi,

Në vend të shpirtit, prona dhe makina.

 

Paraja pështyn mbi kalldrëmet e jetës,

Male plehërash i flenë përbri,

Humbi ëndrra përtej honeve të skëterrës,

Ishim njerëz, u kthyem në ujq, lukuni…

 

Në vend të dijes skërmitet hipokrizia,

Bima Grande na mbiu në kokë,

Vdiqën idealet, të na rrojë djallëzia,

Mbretëresha e njerëzve të mjerë mbi tokë.

 

Shekulli i ri lundron mbi dallgët e kohës,

Dielli njerëzor u tret në pafundësi,

Paraja pështyn mbi kalldrëmet e jetës

Që mbart mbi shpinë veç boshësi…

 

 

 

 

Kosova ime

 

Predhat na i pluguan trojet,

Na e nxorrën zemrën e dhimbjeve

Nga gurët e themeleve.

Pragjet na i përmbysën,

Djepet na i thyen,

Ëndrrat na i dogjën…

 

Era e vdekjes

Erdhi nga veriu

E na i shkërrmoqi gurët e varreve,

Ku flenë me njërin sy hapur,

Eshtrat e të parëve.

 

Mos ikni,

Mbajini këmbët,

Shkulini brinjët

E bëjini armë,

T’ja ngulim hasmit

Në fyt e në brinjë.

Zjarri na i dogji shpirtrat,

Por ne nuk ikim,

Do presim lirinë…

 

 

 

 

Vjeshtë e heshtur…

 

Vjeshtë e heshtur, vjeshtë e zhurmtë,

Zbret ngadalë me buzëqeshje frutash,

Ja gris fustanet ushtrisë së drunjtë,

Zoqtë i tremb në horizonte ikjesh.

 

Vjeshtë e heshtur me krahë të brishtë,

Fëshfërin dhe shtron përtokë arin e gjetheve,

Në xhamat e dritareve troket me lotë zemrash,

Të dashuruarve ua tremb gjumin mëngjeseve.

 

Vjeshtë e zhurmtë, mbushur me vetëtima,

Piskama ndarjesh, dhimbje që fle në kujtime,

Rrebeshe ndjenjash që i mbledh harresa,

Në përroin e stinës mbushur plot rrugëtime…

 

 

 

 

 

Mërzi vere

 

Boshësia e nxehtë pushton ditët e mia

Këtë verë të mbushur me mallkime,

Nëpër damarët e shpirtit rrjedh mërzia

Si amazonë që ha ngadalë zemrën time.

 

Ujku i pushtetit ma kafshoi lirinë,

M’i veshi me zgjyrë këto ditë vere,

Ëndrra e kaçurreltë vetëm më ka lënë,

Të notoj mes pagjumësisë, natë pas nate.

 

Palmat e heshtjes m’u rritën në gjoks,

S’kam fjalë, m’i rrëmbeu kjo dhimbje,

Nëpër damarët e shpirtit rrjedh mërzia

Si amazonë që ha ngadalë zemrën time.

 

 

 

 

Sa shumë heshtje

 

Ti mund të heshtësh mikja ime,

Shpeshherë heshtja flet më shumë,

Por mos harro se më shkakton dhimbje,

Se më le të tretem, i pagjumë.

 

Dhe kështu, mbi mua heshtja bën fole,

Dhe mbi qerpikë më var lotët e trishtimit,

Dhe më përmbytet shpirti nën dyshime,

Me dallgë ndjenjash në rrugën e kthimit.

 

Çdo të thuash o heshtje tinzare

Me këto klithma vështrimesh pa jetë,

Në cilën skutë ëndrrat i humbe,

Ku vallë ylli i ndjenjave t’u tret?!

 

E brishtë endesh nëpër endje,

Humbet mes joshjesh vrastare pa fund,

Aroma lulesh që zgjojnë përgjumje,

Gjumë që ëndrrat e vdekjes m’i përkund.

 

Kaq larg dhe afër, si një zog përjetësie

Që flatrat e brishta m’i përplas në fytyrë,

Trembem mos era e kohës të vret dhe bie

Në vorbullën e dhimbjes, nën qiellin humnerë.

 

Sot nuk paskam lotë në sytë e lagur,

Vetëm kripa e kujtimeve më mbeti mbi ta,

Në purgator ma çuan zemrën e etur,

Mbi lumin e zjarrtë, zemra fatkeqe më ra.

 

O zot, sa shumë heshtje më solli,

Kjo vetëtimë ndjenjash mbi shpirt,

Në këto ditë të zhurmshme më kryqëzoi,

Ma gjakosi zemrën si një Krisht…

 

 

 

 

Kush je ti?

 

Kush je ti o ëngjëll i kristaltë,

Të njoha sot, apo ke jetuar brenda meje,

Je nimfë që vrapon nëpër botë,

Apo ëndërr që më rrjedh nëpër deje?!

 

Në sytë e mi ti dridhesh ngadalë

Si një petale e brishtë trëndafili,

Rrezja e mëngjesit mbi ty u ndal

Dhe mijëra copëza ndjenjash të fali.

 

Mendimi noton ëndrraprishur

Në liqenin ndjellës të syve të tu,

Klith nën emocione ndjenja e fshehur,

Mbytet zemra ime në qiellin blu.

 

Unë fluturoj përmes vështrimeve të tua,

Aty ku akulli me zjarrin bëjnë dashuri,

Dhe trembem mos digjem, trembem mos ngrij,

Kam frikë se më tretesh si ylberi në shi…

 

 

 

 

eva kacanja

 

 

Poezi  nga Eva Kacanja

 

 

Veç të isha unë një farë

 

Po të isha unë një farë,

Brenda teje do të mbija,

Nëpër gjak do të levrija,

Rrënjët shtruar ëndje-ëndje,

Do të lulëzoja në gojën tënde,

Në veshin tënd do të kumboja,

Do të vesoja në dritë të syve,

Vec të isha unë një farë,

Pa  të vinte vjeshtë e verdhë,

E të na korrte bashkë të dyve!

 

 

 

 

Iku gjumi bashkë me gushtin

 

Përpëlitem ta puth vargun,

Që ta bind të rri me mua,

Por ai ma ndez gjakun,

Vec kur del nga buz’t e tua.

 

E tërheq brenda vetes,

E përkëdhel me dashuri,

si damar i blertë i gjethes,

Ai fryhet,çel te ty.

 

Iku gjumi bashkë me gushtin,

Vjeshta rrjedh në uj’ të ri,

Buz’t e mia presin mushtin,

Të ma kthesh ne poezi!

 

 

 

 

 

Betuar në Sarisalltik

 

Unë mund të vdes në parfumin tënd,

Në erën tënde mund të mpihem e tëra,

Si koral të skuqem kur frymen të më zërë,

Të lind përsëri e te mos them “cfarë bëra!”

 

Nën lëkurën tende si gjaku lëvrij,

Lotin e gëlltis t’ mos qaj para teje,

cigarja harruar digjet në gishtrinj,

C’ishte kjo mërzi si shkreptimë rrufeje?!

 

Unë qaj e pihem në kristal të gdhendur,

Aty ku më ngrite ti në piedestal,

Zemra ngadalëson,shpirti më është mekur,

Endrra po dridhet si lulja në mal.

 

Unë mund të vdes në parfumin tënd,

Në lëkurën tënde të ngjallem përsëri,

Se ne u betuam,atje brenda n’shkëmb,

Ti je Unë e Unë jam vec Ti.

 

 

 

 

N’prag…

 

Kur e shkel at’prag

e kurrizin kthen,

Tmerri më hedh lak

Fjalën ma mbërthen.

 

Hapat kur i zbret

një nga një ndër shkallë,

Nata gazin vret,

dhoma bëhet varr.

 

A s’jam une jotja erë,

Fryma qe te ngroh?!

Si shkon,si më le,

S’më sheh e s’te shoh.

 

Ku shkon,a s’më thua

a s’jam gjaku yt,

Kocka që të ther,

brenga që te mbyt?!

 

Ku shkon,a s’mëthua

Zemra si të thotë?

Këmba si të shkel

mbi ëndrra e lot?!

 

Kur e shkel at’prag

gati për të ikur,

ora pikon gjak,

shpirti mbetet fikur!

 

 

 

 

Mall…

 

Me tragetin e reve nisem jashtë orarit,

Të prek atë dorë që më fton drejt qiellit,

Gulcoj si zgalem në stuhinë e mallit,

S’po mundem të mberrij në bregun e diellit.

 

Nuk i trembem udhës,enigmës a dyshimit,

Direku i zemrës më prin nga e mbara,

Në sy më rrëzellen drit’e besimit,

Me etjen per Ty ia nis nga e para!

 

 

 

 

Muza ime

 

Në gishtrinjtë e natës rruazoj mendimet,

Ngadalë tek e tek ,e mencur si muzë,

Por në fund ngatërrohem me fjalët e kujtimet,

E rendi i nisur më bëhet terkuzë.

Puthjet e tua rruazoj mes lotëve,

Ngadalë tek e tek, si perlat në det,

Urë të fildishtë ndërtoj mes dy botëve,

Me vargje e thur dëshiren që djeg.

Vesën rruazoj pik-pik mbi qerpik,

Nëpër maja gjethesh kur zbardhet mëngjesi,

Toka ngrohet këmbës nën hapin lirik.

Dielli flokët në të artë m’i ndezi.

Ditët rruazoj në pritje pa fund,

Muza dhe shkatrrimi vallëzojnë me mua,

Mëkati i ëmbël kufijtë m’i lëkund,

Se në botën time vetëm Ty të dua!

 

 

 

 

Kur ti shkon

 

Unë dhemb,

Në dorën tënde kur dridhem si flutur,

Në puthjet e nxehta kur digjen pendesat,

Në syrin tënd kur ndihem e bukur.

Unë dhemb,

Kur fjala gjilpon si hala në pishë,

Kur trupi drithëron në përqafimin tënd,

Kur porja ngrohur celet nën këmishë.

Unë dhemb,

Kur shtrëngimit kercasin gjymtyrët e mia,

Kur floku ngatërrohet në fill  të dashurisë,

Kur Mëkati pushton më fort se Perëndia,

Kur si jele e bardhë flladitem Lirisë.

Unë dhemb,

Më shumë dhemb,

Kur nata  kurrizin tinëzisht ma kthen,

Kur ti shkon më shpejt se sa vjen!

 

 

 

 

 Kolec Traboini 2012  Pantheon Studio

 

 

Poezi  nga Kolec Traboini

 

 

 

Këpucët e mia të vogla

 

 

Dita e madhe e Shën Valentinit

nuk e di, si mundi të vishte këpucët e mia

të vogla

ditën kur linda, kur zbrita prej një reje në qiell

e rashë mbi një fletë trëndafili.

 

Nuk e di, si mundi kjo ditë

të mbështillej në shpërgenjtë e mi

derisa erdhi ora të vishte

pantallonat e mia të shkurtra në rritje

 

nuk e di si mundi

të pushohej Shën Valentini në faqen time

adoleshencës t’i thoshte: – Eja,

prej teje do të dalë një burrë në ikje

nuk e di pse u ngjiz jeta ime në atë ditë

pse lule mbolla aq shumë në kopshtin tim

dhe pse petalet e buzëve aq shumë i dua

 

duke ikur nga një qiell në një tjetër

nuk e di, pse nga pas më ndjekin dashuritë

e pse vargje pafund për to rri e shkruaj.

 

Nuk e di, nuk e di

pse dashuria më shfaqet si Dielli

që del e më ngroh bash atë çast

kur shpatullat i kam më të ngrira.

 

 

 

 

 

E kam atdheun tek porta

 

Unë e kam Atdheun tek porta

tek porta kam hyrjen e daljen

valixhen e vogël dhe letrat

e bardha për të shkruar

të zezat e jetës dhe hallet.

 

Sapo dal

i vë kyçin derës

e marr udhët e botës

bekimin – a mallkimin e të parëve

nëse marrosem, harrohem

dhe lutjen e Nënë Terezës

për kthimin.

 

Unë e kam Atdheun tek porta

tek porta i shkrova këto vargje.

 

 

 

 

Pallate pa diell

 

Para pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe

ngritën një ndërtesë të stërmadhe gri

që të kujton dinosaurët

e lartë, hijerëndë e të egër.

 

Tani nuk kam më veç një përçik qiell

e një çarçaf të verdhë

varur në ballkon si diell…

 

 

 

 

E pakryer

 

…Na u kthye jeta

paçka se në tërë aeroportet e botës njeri-tjetrin

kërkuam

kurrkund nuk më pe e kurrkund nuk të gjeta.

 

Për ne të dy kjo jetë qenka e mbushur me pengje

pasione endacake metamorfuar në brenga

që do na mbijnë si shkurre mbi varr

fole për zogjtë mardhacakë

që pa dashuri u shkon jeta.

 

…Edhe në u takofshim edhe mos u takofshim

tanimë që u thinjëm, është barabar!

 

 

 

 

Vetja tek të tjerët

 

Një ëndërr që fle në qerpik

s’është vetëm një ëndërr që fle

është edhe një pikë vesë që thotë

se diku pas malit dielli është në ardhje.

 

Një fëmijë i vogël që ecën

që rrëzohet, qesh dhe i lumtur vrapon

është diç më shumë se një vogëlush

është një djalë, një burrë, një gjysh që gëzon.

 

Një vajzë që kalon në rrugë si pranverë

s’është vetëm një vajzë që kalon

është edhe një dallëndyshe në qiell

që na thotë se kjo stinë do ketë dashuri.

 

Gjithçka që vjen, që shohim, që kalon

është vetja jonë mishëruar tek të tjerë

nuk mund të shohësh, as ta njohësh dashurinë

nëse në shpirt nuk ke një zog që këndon

 

…për të tjerët që kalojnë para teje.

 

 

 

 

Drurët dhe njerëzit

 

Vetmia – trishtimi i drurëve pa gjeth

për njerëz që kanë humbur lumturinë.

 

Vjen acari e dimri shpirtin krejt ta zhvesh,

por nuk humbet shpresa ta gjesh në tjetër stinë

 

… edhe drurët edhe njerëzit:

gjethet, lulet dhe dashurinë!

 

 

 

 

Fajin e ka Hekuba

 

Perënditë nuk e mbrojtën dot Trojën

se grekët ishin dinakë, i mashtruan hyjnitë

që ndiznin marihuanë a flinin.

Po ka njerëz që shkaqet i gjejnë diku tjetër

tek Hekuba, bija e Cezeut, gruaja e Priamit

që lindi plot 19 fëmijë – edhe Paridin.

E thonë se Paridi ishte shkaku

se shkoi rrëmbeu Helenën e bukur

e të mos kish lindur Paridi

rrëmbimi nuk do kish ndodhur.

Të gjitha i thonë me hamendje – përralla

por Troja prapë se prapë është djegur.

 

Legjendat mbetën gërmadhash

kur në botë u shpall dita ime

kësisoj e kam dhe unë një Iliadë

dhe një Trojë e kam – shtëpinë time

kthyer dhe ajo në gërmadhë.

 

Për gjithë këto gjëra që ndodhën

në jetën time – fajin e ka Hekuba

e me Hekubën nënkuptoj Nënën time.

Sepse po të mos kish lindur shumë fëmijë

unë do të isha i vetëm

nuk do ta ndanim kafshatën e bukës

në shtatë gojë të çapëlyera në fëmijëri

dhe një motër e vogël s’do kish vdekur.

Po të mos kishte lindur Paridi

po të mos kisha lindur dhe unë

gjërat do të ishin ndryshe

s’do përjetoja këtë kalvar mundimesh

ku jeta më tërheq përdhuni.

 

Fajin e ka Hekuba

Hekuba dhe Nëna ime.

 

http://traboinipoezi.blogspot.com

 

 

 

 

 

 

 

 

bilall

 

Poezi nga Bilall Maliqi

 

 

 

Udhës së kujtimeve

 

E lash shpresën

Të pushojë një trohë

Në shuplakë të dorës

Mandej të marrë hov

Drejt udhës së kujtimeve

Para portës një ngrehinë

E veshur me këmishë vetmie

E malli sërish rri zgjuar

Para ëndrrës së kësaj dite

 

 

 

 

Korsisë së mallit

 

Korsisë së mallit

Zura thu në një kujtesë të gurtë

Herët banon në mua

Mbështjellur me lëkurë vetmie

Kudo në çdo pikë

Zhvesh nga një këmishë kohe

Prapë zura thu në cep të kujtesës

Seç më shkrepi një episod i dashuri

 

 

 

 

Kur s’ të kam pranë .

 

Kur s’të kam pranë

Më kaplon trupin një drithërimë

Krejt me ethe e zjarrmi

Pushtohet lëkura e shtratit të butësisë

Në mes psherëtimave

Më humb diku zëri thirrës për dashuri

Kur s’të kam pranë

Edhe ëndrrat pështillen në palët e natës

E kur zgjohem në shuplakë të agimit

Me vesë e shpërlaj fytyrën e përgjumur

 

 

 

 

Portret

 

Rri i zgjuar

Pranë portretit tënd

 

Shtrihet

Heshtasi në shikimin tim

 

Natës ia vari në ballë

Dashurinë e (ri)lindur

 

Si një portret i shkrirë

Brenda syve të mi…

 

 

 

 

Pritje

 

Fill pas mbarimit të vargut të parë

Të dytin e futa në sinkopë

 

Derisa të më shkrep

Një shkrepëtimë malli për dashuri

 

Pritje…sa tri ofshama

Brenda korsisë së kujtimeve…

 

 

 

 

(Pa) Shpresë

 

Lërmë ta vizatoj me hukamë

Pak shpresë në faqe të pasqyrës

 

E me gishtin tregues

T’i preki pikat ku dëgjohen ofshama

 

Pas zhbërjes së mjegullës

Ta shoh fytyrën tënde të harruar

 

Lërmë t’i kaloj shtigjet e mbyllura

Me të zezat hendeqe

 

Për të gjetur të buzëqeshur

Diku nëpër korsi të shpresës

 

 

 

 

Në stacionin e monotonisë

 

Si t’i kuroj fletët e shprishura të dhembjes

Në mbarim të kësaj bardhësie

 

Kur ngricat e ngrira cepave të shpirtit

Pikojnë strehëve të mallëngjimit

 

S’i të pres në stacionin e monotonisë

Si anonim mes hijesh të ngatërruara

 

Kujtesa për një çast e mundi harrimin

Një shpresë e vetmuar u var në ballë të pritjes

 

Të pres siç të prita brenda lëkurës së vetmisë

Derisa të shkrihet e gjithë kjo bardhësi

 

E t’i zbulojë gjurmët tuaja të humbura.

 

 

 

 

  

Fija e humbur

 

Fijen e lëmshit të ngatërruar

S’e gjenë dot as ngatërruesi

 

Humbur e ka fillin

Në humbëtirën e zezë

 

Futur në rreth

Ka kreshta lisa e plisa

 

Ç’lëmsh i ngatërruar

Nga Pari e ngarkuar …

 

 

 

 

Kur më del përpara

 

Më humb zemra

Kur më del përpara

 

Si nëpër vrimë gërfyelli

Zëri e përbinë tingullin

 

Më laget shikimi

Si me qenë në thellësi deti

 

Kur më del përpara

 

Shpirti më dridhet

S’e gjenë dot qetësinë

 

Për një çast

Heshtja e zgjon heshtjen

 

Pastaj  i tëri tretem

Nëpër sumbulla djersësh

Më kërko

 

 

Zdirgju ngadalë ngrehinës së mallit

Si loti nëpër hullit e faqeve të ndara

 

Më kërko në thellësi të pyjeve të heshtura

Shtrirë nën hijen e fletës së gjethit

Duke i shpaluar një nga një kujtimet

 

I rrëfehem qetas secilës kujtesë

Nga palët e shpirtit shpalosi tënden mungesë

 

Më kërko në çdo skaj të malit shpeshtak

Me nurin në ballë ma dritëso pak shikimin

 

E do të më gjesh m’u në atë vend

Ku me puthje e lidhëm në kërthizë bashkimin.

 

 

 

 

 

 

 

 

Poezi nga Lirije  Mikeli

 

 Cikli poetik:  Kënga ime s’ ka psherëtimë

 

 

 

Poezi romaneske

 

1.

Të  marten kam arritur

Para  buzëve të bëlbëzuara

Me vajin e syrit të majtë

 

Për  mua s` ka dhembje

… askund

 

 

Në ethe

Është ngritur temperaturë

Fusha  e varreve

Lakmohet në puthje

 

 

Njësoj është e rëndomtë

Rruga e shikimeve të ura.

 

2

Mjekërgjati  në gjumë

Artisti është sëmuar

Kur e kujtojnë Dedë Gjon  Lulin

Në arë

 

Të kaltëria të turbullta

 

Ka ura pa kalorës

E pyet

Të përqesh në luftë

 

Sonte

Loja e ikur

Pagëzon dhembjet

 

Në bukurinë e vonshme

Flaka e tymi

Verboi sytë

 

S` ka rrugë për ty

 

 

Hijet muratojnë ethe

 

Deri të unë

Ademi, Zahiri, Agimi

 

Ja  edhe këtej  mali

Dikush çirret në  çmendinë time

 

S` do mend

Se kjo paraqitet

Si  një  lloj

donkishotizmi  specifik

 

3

Por,

Çajupi edhe atë e merr si diçka

Krejt relevante për luftë

 

Larg shumë larg

Atje larg

Numrat nuk mund

Të arrijnë

 

Pa  u shumëzuar në mes veti

Pa u pjesëtuar në mes veti

Pa u mbledhë në mes veti

 

Numrat nuk mund

–               të arrijnë

 

As në njëqindkilometërishin e parë

As në dyqindkilometërishin e dytë

 

Pa dyshim

Çështja është  e madhe

Larg shumë larg

Atje larg

 

 

 

 

Pyetja – që pret përgjigjen

 

Unë di pse flas

Para sezonës memece

Me buzë në vesh

 

Unë di pse qeshi

Në mesin e thanave të lulëzuara

Edhe pse semaforit  i  mungon drita e tretë

 

Unë di pse  gërvishti me thonj

Aty kah ora  shtatë

Para fillimit të mbremjes  e zhdukjes së territ

 

Unë di pse pyes derën me dritare

E flas në ëndërr para mbarimit

Në lojën e ringishpillit

 

Unë di pse akordoi mandolinën

Akuatinet pse etjen e zhepojnë

Në rrugë kah Ti.

 

 

 

 

Në kalanë e Uqinit

 

Në Kalanë e Ulqinit

Edhe tani jetojnë  Balshat

S`ka njeri  të tepërt

Aty zbërthen qëndrimi

Përcakton  vlerën

 

 

 

 

 Dashuria ime

1

 

Te  këngët dashurohen athet

Mallkojnë lindjen

Përpara  dhembjes

 

Të gjithë i të gjithëve

I urtë është syri

Në lojën e ringishpillit

 

Te ikjet janë hijet

Në vezë mishi i klukur

 

Secila lindje

Pushon të  bukurën

Jeton në ëndrra

2

 

Heshtja e dikujt

Është  mimosa ime

Edhe pse ai nuk e kupton

 

Era lemon gjethet

Përgatiten për vjeshtë

 

Nuk vdes fërkëllima

E gjakut

Zhurmat e pagëzojnë te armët

 

Nën  bli

E vraftë dashuria ime

 

Të gjithë i të gjithëve

Flokët

E hijeshojnë kokën

 

 

 

 

 

1-raimonda 

Poezi  nga Raimonda Moisiu

 

(Shkëputur nga Vëllimi Poetik “Lulëkuqja e egër “ )

 

 

 

Unë… e… Ti… mëkatarë

 

Të gjithë mëkatojmë,

Të gjithë e dëshirojnë atë,

si Unë edhe Ti…

 

Vështrojmë bahçen,

ka veshur fustanin e blertë,

në mes të saj lartësohen pemët me mollë.

 

Unë e Ti,

të harlisur nga delikatesa e perëndeshës dashuri,

vrapojmë drejt tyre,

të këpusim mollë.

Jo një mollë,

sa këputën e mëkatuan,

Eva me Adamin,

por më tej se një,

më shumë,

shuuumëshuuuumëshuuuumëëëë.

Vetëm do të mëkatojmë sot mes mollëve!

 

Të gjithë mëkatarët frikësohen,

por jo…

Unë e Ti…!

Ne nuk kemi frikë;

se na ndrit një kandil,

pasqyra në ujët e burimit.

 

Vështrohemi mbi burim,

duke përkëdhelur kaçurrelat e njëri-tjetrit,

mes burbuqeve të përflakura,

të puthjeve të nxehta.

 

Si dy nimfa të çmendura,

si luspat e midhjeve në ujë…

– nëpër përvëlimin e lakuriqësisë.

 

Dashuria,

vjen

si një këngë në muzg,

si gjinkalla në agim,

që e këndon simfoninë,

me gjuhën e lepujve të egër,

në livadhin e praruar nga blerimi.

 

Unë e Ti,

shpupurishur në krahët e njëri-tjetrit,

si dy nimfa të pafaj,

vështrojmë bardhësinë,

kaltërsinë qiellore,

që na fton për të mëkatuar.

Diku pas reve po na kundrojnë Eva me Adamin,

që nga parajsa

duke pritur me nostalgji se si

ne mëkatojmë si ata.

Dikur…

Atëherë…

Unë e Ti,

si dy oqeane të stuhishëm,

të valëzuar,

të përflakur,

që nuk ngurrojnë më, por…

përleshen me njëri-tjetrin,

lakuriqësinë e ujërave

 

Dallgët e zjarrta bien në qetësi,

flenë…

si një çun arrakat,

që ka hipur tërë ditën majë mollëve,

dhe, ja, e ka zënë gjumi,

nënë njërën prej tyre,

ndërsa agimi po zbret nga kurora e mollëve,

për ta zgjuar nga gjumi.

 

Unë e Ti… mëkatarë… të Perëndeshës

Dashuri!

 

 

 

 

Shpërthimi im

 

Qenia ime, jo më

– në varkën e vetmisë.

Ankthi im në sytë e jetës –

i shtangur dhe i mashtruar nga

vështrimi dhe ngushëllimi i verbër i

frikës poshtë këmbëve të mija. Atje

– ftohtësirë… frikë… frikë shumë.

I ndiej si vijnë

lulet e përgjumura të venitjes së dëshirave.

Qenia ime kërkon një strehë, ku

me gishtërinjtë e butë, të

zgjojë dremitjen e mbretërisë; atje

ku nuk ka diell e hënë por

vetëm lumturi.

Qenia ime kërkon t’u japë frymë,

aromës së luleve të çasteve të dashurisë,

pasi të gjejë rrugën e kopshtit të tyre.

Shpërthimi im dëshiron

të vallëzojë, në

blerimin e pyllit,

në valët e detit,

të flasë me guacat,

të flasë me tokën,

të përkulë kërcellin e qiparisit,

pas frymëmarrjes së tufës të dafinave.

 

Qenia ime dëshiron të mëkatojë,

nën dritën e hënës. Të

mëkatojë duke bërë dashuri me

lakuriqësinë e dëlirësisë, mbuluar me

vellon e shiut të lotëve.

 

 

 

 

 

 

…grua e vetmuar…

 

Një ditë e di që do marr rrugën,

për në brigjet e përjetësisë,

në botën e qetë, të heshtur, ku

do të më përkundin lehtë,

në një krevat të argjendtë…

duke thurur kujtimet…

 

Dëshpërimi më ka kapluar sonte,

me dëlirësinë e sinqeritetit tim,

është i egër, i lirë dhe…

vërshon në kapilarët e ishullit të pabanuar,

si një mikrob topolak.

 

Kërkoj dritë, dritë,

të më ndriçojë rrugën,

drejt qiellit të kujtimeve, por…

është… errët… tmerrësisht i errët.

 

Unë një grua e vetmuar,

e zbehtë, e me sytë e trishtuar, ec

me lot të shteruar.

Sytë

më jam bërë njësh me errësirën,

si dridhja para vdekjes,

në strehën e dëshpërimit.

 

Kështu kapërcej ditët, netët…

Përtej është oqeani që më ndan nga atdheu.

 

Kërkoj një strehë, të ngopem me

dashuri, ngrohtësi, sinqeritet, brishtësi,

vetmi,

frymë,

por…

ndjehem e braktisur,

si një kufomë e leckosur mbi ujë…

 

Simfonia e kukuvajkës,

si joshjet e një epshëlliu plak

strukur thellë,

në molepsjen e intimiteteve të mia…

 

Ëndërroj… dikush… po vjen…

 

Drita e hënës që më bie si një fasho,

mbi ballin tim të përvëluar nga temperatura.

Hëna është e dëshpëruar si unë…

Sonte!

 

 

 

 

10460463_904332742930570_7851907401953275219_n

 

 

Poezi nga Menduh Leka

 

 

Metaforë shprese

 

 

Do të jemi më fatlumë se sa ishim

Kodin e Rikrijimit do ta zbulojmë

Me libret flijimi do të udhëtojmë

Për hir të Dashurisë

 

E nesërmja të mos jetë e vona e jonë

 

 

Tepër herët ishte për hidhërim

Sintaksës së zhgënjimit ia mbyllim gojën

 

Do të gëzojmë para se të vijë gëzimi

Do të shtegtojmë para se të trokasë pikëllimi

 

Shumëfishin e shpejtësisë së dritës  ta shijojmë

Të përjetojmë pafundësinë

 

Vetëm të jemi

Atje…

Atje ku as fundi nuk do të na arrijë.

 

 

 

 

TiUnë 

 

( Ti dhe Unë)

 

Që atëherë kur gjithçka ishte Dashuri

Ti ishe parafjalë që më mbështillje me emër

Doje të më mbiemroje për hirë Zotit

 

Ai ishte Aureolë për një Krijim të Madh

Ne ishim dy kuante të  ngjizjes

 

Unë dhe Ti ishim dy kuante të ngjizjes

Që na shumfishonte Harmonia

Ne ishim Esencë

Një çiftëzim i pritshëm për ta krijuar Përmasën

 

Për t’i dhënë nxitim Kohës

Drejt Hapësirës me e tejzgjatë  Dashurinë

 

Ne ishim Dashuria atëherë të kujtohet?

Kur  diçka Mjegullimë Zjarrmore

Përndriti si Ekstazë e Madhe.

 

Atëherë ishte Zanafilla si për të Shtatat krijuese

Kur iu hodhëm dashurisht pakufishmërisë

 

Dhe gjithçka u krijua si një Dëshirë e Madhe

Filluan lëvizjet dhe imitimi i Lojës në vals engjëjsh

 

E tërë vijëpërkulura Esencë ishte Dashuri

Unë dhe Ti

 

TiUnë

 

Dhe buzëqeshja e Zotit.

 

 

 

 

Pasthirrma e lotit

 

Të mos mbushesh me Ty

është si mos të ketë mbetur asnjë pikë uji në hapësirë

sa as për një gjallesë të vetme

sa as për një lulekaktus që harxhon qelizën e fundit

shkretëtirë gjithëkah e tej mendimit të etshëm

 

një kozmos trishtim

në një çast të vetëm

 

Marramendje e tundim

imazh  zjarrmues e  Vrimash të Zeza

nën çatinë e paragjykuar Asila e të gjitha dashurive

të dhuroj  të vetmin pikë loti që mbajta në sirtar dashurie

 

Për hirë të Trinisë

ekuilibrin Ringjale

duke risjellë veten  të rifrymojnë edhe të tjerët

bota e çudirave le të zhbëhet

 

për një çast të vetëm…

fatamorganë a mistral le të vie

së paku një pasthirmë ujore

le te bie

le te bie

të Rilindemi dashurisht në një realitet tjetër.

 

 

 

 

Pasqyrim pa frymë

 

Ti i mbanë iso psalmeve diellore

Ai tjetri gërbush eks e pi lotin

Nga të pasmet e budallenjve

Puth egon me ritual fërkimi

 

Ti ind metaforik që klith nga prangosja

Ai tjetri cerber i çalë me dhëmballë të tjetrit

Thimth gjarpri galan e gungaç në fron

Sinor i damkosur

Në ditën e Zemërimit

 

Ti mozaik parajse e gatim yjesh

Ai tjetri regëtimë në pesëkëndëshin e Solomonit

Shkumë e pasioneve të shëllirës

Në kolltukun e bishtit e të gishtit

 

Nuk jam oshënar i tredhur

E di se dashuria fiton mbi çdo zhbërje

Ishte Onani ai zbulues i kënaqur

Nuk jam as unë as ti

Lojë gjësendesh të buta

Perverse në kuadrantet e pasqyrimit.

 

 

 

 

E para ishte Dashuria

 

Atëherë kur gjithçka ishte Dashuri

Harmonia ishte po aty e këtu

Në një kuvertë shpirti pafundësisht shpërndarë

Zoti ishte më i njerëzishëm

Njeriu ishte më hyjnor

Atëbotë shkrepi diçka rituale

Rëndë goditi mbretëria e pasigurisë

Zhbërjet u bënë Esencë

Esenca mërgoi te Thoti

Ishte diçka si një pikëllim i madh

Për çdo zemër

Që iso i mbanin harmonisë

Ishte njëfarë kumt i shtrydhur

Që pihej si shelbim e si ndrojtje

Nuk e përballuan as Sibilat me shkas

Asnjë pasthirrmë ujore nuk e joshi

Diç e lënë peng si mit trinie

Tjetra deri te një përndritje

Dendësi e mbarsur vuajtje

Vetmi e madhe

Për dashurinë që na la

Tevona si shtëllungë zilie

Perandoria e dëshirës zuri boshësinë

Ndërruan ciklet e ligjet në univers

Derisa u përmend Dashuria

Perëndia u bë përsëri Hyjnor

Njeriu mbeti duke kërkuar Dashurinë.

 

 

 

 

Nirvanë e shpejtësisë së dritës

 

Si orakull nga piramidë e lajthitjeve

Solemnisht jepja shpejtësisë së dytë kozmike

Sa për lojën e radhës në sfond huqesh

Ndeshtrashën si alegori

Magjinë si pre në hellin ironik

Kur të namatisë Haleluja në eklips

Në ato sekonda liturgjike pa qirinj

Luaj bisht me Antikrishtin

Si morti me esencën e frymës së shenjtë

Nirvanë e lakuar në shumë nyje

Si lakmi e prerë në teh apologjishë

Ka kaluar ai ters për të mirët

Kreshmë e fshehtë u lodh në trupin e trapit tënd

Zbrazi tërë pritjen në sofër butakësh

Ndjellmirë e paktit tonë të dëlirë

 

 

 

 

Prekje mëngjesore

 

Aurorë ndjesore dhuratën e ëndrrës e pranoi

Të të prekë pak si tufzë rrezesh atje

Dhe një dorë bekimi si dëshmi premtimi

Rrugëve magjepse engjëjt dëshirat i dërgojnë tutje

Pak si gërshet dashurishë puhia i perkëdhel

Herë valë deti e herë valvitje lulbliri

Nga ai zjarrmim ëndrrimtar që në ekstaza vezullonte

Dhe jehonat afshrore loznin nëpër vargmale shpirti

Mjegullbardha engjëjt i veshë bukur

Dhe kulmojnë ylberore nuancat dashurore

Pas mbetet përfytyrimi në qepalla strukur

Dhe një kujtim kurorë mrekullie hyjnore

 

 

 

 

 Luan Maloku

 

 

Poezi nga Luan Maloku

 

 

 

EUTERPA

 

Kur zbardh dita

Euterpa më zgjon

 

Më fut në kujtime

M’i trazon ëndrrat

 

Dhe vargu troket

Në portën e mallit

 

Lundroj në detin

E madh shpirtëror

 

Si në ditët me shi

Të lagura deri në palcë

 

 

 

 

NJË MBRËMJE

 

Një mbrëmje

E bukur ndër yje

 

Një aromë parfumi

Më joshte shpirtin

 

Ti ishe si një lule

E bukur në lulëzim

 

U mbuluam me puthje

E përqafime plot mall

 

E lotët rrëshqitëshin

Fytyrës si rrjedhë

 

Po dashuria të bënë

Të jetosh i lumtur

 

Një mbrëmje

E bukur ndër yje

 

Pranë teje e ndjeva

Veten si një yll

 

 

 

 

S`DI PSE

 

Si rrufe u fute

Nën pjergullën time

 

Vetëm kujtimi

Endet në hapsirë

 

Mbrëmë ledhatova

Qiellin tënd deri vonë

 

S`di pse kaq shpejt

Lindi dashuria në mua

 

Një lot i brisht

Më rrodhi nga syri

 

Një të tillë dashuri

Vështirë është ta gjesh

 

Të gëzojmë jetën

Deri në p

 

 

 

 

NËNË

 

Je ajri im

E dashura

Më e shtrenjta

Në botë

Nënë

 

Mungesa jote

Më djeg si gacë

 

Të dua

Përjetësisht

Sa frik jeta ikë

E ti më mungon

 

 

 

 

 

ME TË VETMEN FJALË

 

E shiqova gjatë

Në sytë kaltërosh

 

E ajo e ndrojtur

E brishtë si vesë

Më shiqon mua

 

Si pranverë me lule

Ah, e bukura bukuri

 

Ndjenjat më bëhen det

E poetët kanë botën e vet

 

Ata ndryshe dashurojnë

Ata vehten ta falin

 

Me një të vetmen fjalë

 

 

 

 

TE KODRA E UKËS

 

Te Kodra Ukës

Bukë i thonë bukës

 

Vend i bukur zabel

Tokë e vjetër Ilire

 

E vjetër

Sa dielli

Toka

Qielli

 

Aty e vizatoj shpirtin

Me duar dashurie

 

Aty dasmat kurrë s`ndalen

Lodrat deri në qiell dëgjohen

 

Aty hiri shndërrohet

Në jetë sikur feniksi

 

Tek ti toka e ime e bukur

E njoh vehten time

Aty më pushon shpirti

 

Kodra e Ukës madhështi

Pa ty do të isha jetim

 

 

 

 

DASHURIA IME

 

Dashuria ime

Është zabel

Ku më kullotën

Kafshët e egra

Edhe të zitë

Më shkelën shpesh

E më kositën

Me mija herë

Stoik në këmbët e mia

 

 

 

 

NE TË DY

 

Ne të dy u plakëm

Dukemi si dy gurë mulliri

 

Koha po ecën shpejt

Korsive të hapura

 

Dhembja ngelet

 

Në pellgun e lotëve

Një ditë s`do të zgjohemi

Do t’i shtrihemi përjetësisë

 

E ndoshta kështu

Do të ishte më së miri

 

 

 

 

TE VENDI IM I BUKUR

 

Tek vendi im i bukur

Ëndrrat të çmendin

Varfëria prek qiellin e zi

 

Buzëqeshje ironike

Nga  hije

Hijenash bishtëngrehur

 

Vendi im

Me liri duarlidhur

 

Spektakël i vërtetë

I ftohtë akullnajë

 

Të rinjtë po arratisen

Nga burgu në burg

Me atentate shpirtërore

 

Lojë e majme satane

Varfëria…

 

 

 

 

 

Poezi nga Merita Hoxha

 

 

 

Pranë përmendores

 

Përmendore e lartë madhështore

Përse ballin e mërrolur e ke

Ndoshta të kujtohen gjakderdhjet

E martirëve që ranë për Atdhe?

 

Apo ndoshta i numëron kufomat

E bijve të panjohur, të tu

Apo ndoshta të kujtohet

Gjoksi i përgjakur

Dhe zëri rënkues i të riut, fli

Nga plumbi i një pushke të krisur?

 

E ti krenare qëndron para nesh

Pëmbushur me kurora trëndafilash

Në çdo petale nëshkruan një emër

Në çdo flakërimë përndrin lirinë.

 

 

 

 

Duke lënë atdheun.

 

Me trishtim shikoja

Shtëpinë time boshe

Vargjet e pikëlluara

Këngët e harruara.

 

Po loti e lagu

Vargun e fundit

 

Dhimbje, e dhimbje

Lamtumirë?! … kurrë  Atdheu im.

 

 

 

Pranë përmendores së Skënderbeut

 

Mirëdita lapidar

Je n’çdo pishë shkrep, e  m’shkrep

Je një rrufe që shemb furtunat.

 

Dhe u drodh njeriu nga guri

Në gjurmën që gjoku i Gjergjit la

U dridh dhe gjithë gjaku

Që shkëmbi erë përpinte.

 

U dridhën edhe lotët

Që toka i mblidhte përbrenda

Zemrën thonë:

Me kockë e kishte

Brenda gjoksit rrihnin

Krahët e shqiponjës.

 

 

 

 

Kujtimi për bonjakun  Xheni

 

 

Jam shqetësuar jo nga dashuria

Dhe zemra më rreh damarët

Më ngrin fytyrën

Me flakën e qiriut të ndezur.

 

Kam mbetur në mesnatë

Siç mbesin yjet dhe lisat

Lotët më derdhen nën qepallë

Kur  kujtoj bonjakun Xheni

Këpucët e përbaltura, të shqyera.

 

Ai me butësi sikur thotë

Pse të martën më dhe 70 cent?

…, dhe sot  30 cent !

 

 

 

 

 

Liria

 

Kënga përtej maleve dëgjohet

Për liri vdesin trimat

Gjaku juaj mbetet për jetë peng

I dashurisë dhe lirisë

Për dasmën e madhe

Të Arbërisë.

 

 

 

 

Dimri po vjen

 

Në pyllin e vetmuar

Ende  bie borë

Harabelat e ngrirë po ikin

Diku për t’u strukur.

 

Atij lisi t’thatë përbrenda

Milingonat i bëjnë shoqëri

Por edhe lumit përskaj

Akulli ftohtë i shndrin bardhësi.

 

Pulëbardhat e shpirtit

Po ikin ,

Po ikin fluturim në largësi.

 

 

 

 

MËRGIMTARI

 

Mos  pyet për  kohën,

që kaq ngadalë kalon.

E në të  s’kemi fjalë.

 

Ëndrra ime mbetet,

atje tek vendlindja e largët

Në shtëpinë e vjetër të  nënës.

 

Do rikthehem një ditë…!

 

Do ndërtoj  pallatin më të bukur

…, dhe me copëza fjalësh

Do rishkruaj

plagën  e rëndë të mërgimtarit.

 

 

 

 

TË  KËRKOJ

 

Të kërkoj

Në vesën e trëndëfilit të kuq

Në kaltërinë e liqenit

Dhe në pranverën e hershme.

 

Të kërkoj

Në detrat e largëta

Në dhomë të zbrazët

…, dhe në ëndrrat e mia

 

Të kërkoj

Në pikat e ftohta të shiut

Në çdo ditë të re

Që përthyen kristalet e shpirtit.

 

 

 

 

SAUNA

 

Nën mjegullën e saunës

sytë e shikimit humbasin tek ty,

kur rastësisht u takuam

dhe ne u dashuruam.

 

…, por sot,

ç’ fare mbeti prej nesh

Kujtimi i vetëm

Se u deshëm një ditë.

 

Muzika dëgjohet n’labirinth

Këndon vetëm për mua

Me lotin e ngrirë në fytyrë

dhe mallin e tretur

 

Ti prapë sjell si dikur

Kafenë e vonuar

E  unë gëdhend prapë emrin tënd

Të dua!

 

 

 

 

 

pik 4

 

 

 Asi i qiellit.@ Irina Hysi

 

 

 

 

  PËRKTHIME

 

Anglezët e lumnueshëm

 

Nga Reto Rossetti

 

 

Bardhyl Selimi

 

Përktheu nga anglishtja Bardhyl Selimi

 

 

Siç dihet, anglezët banojnë në Angli. Ata i ndan nga Evropa një ngushticë prej 40 km dhe një mal i lartë i vetëvlerësimit. Sipas pikëpamjes angleze njerëzit flasin dy gjuhë: anglisht dhe gjuhë të huaj. Të huajt e mësojnë anglishten pak e nga pak, gjuhë për të cilën gjuhët e tjera janë një surogato dhe në fund të fundit njerëzit do zotërojnë gjuhën e vetme që mund të përfytyrohet për një njëri të saktë. Ajo është gjithashtu gjuha e vetme, që e shkruan “unë “ me shkronjë të madhe.

Kjo gjuhë vetëkuptohet është e përsosur. Ndër cilësitë e vyeshme të saj është fakti që pasi ke dëgjuar një fjalë të re duhet ta kërkosh në fjalor se si drejtshkruhet ajo, pasi ke parë një fjalë të re duhet të kërkosh në fjalor se si shkruhet ajo. Kjo gjuhë nuk ka as përemër vetvetor, as lidhore dhe e ardhmja dhe kushtorja kanë nga dy forma, që dinë t’i përdorin anglezët e jugut, por jo ata të veriut, as skocezët, as ndonjë tjetër. Mungon në të fjala për “njeriun” dhe “për të lindur” por si shpërblim, gjenden shtatëmbëdhjetë mënyra për të thënë “a mos?” Gjuha përmban 22 tinguj, fjalia ka një rend fjalësh fiks dhe e njëjta fjalë mund të jetë emër, mbiemër apo folje, sipas logjikës së fjalisë. Kjo të çon në shumë keqkuptime gazmore dhe mundësi të pafund për loja fjalësh.

Për gjuhët e tjera, që janë fonetike, me thekse të rregullta, që kanë pavetorin etj, anglezët ndjejnë keqardhje, në se gjithsesi dinë diçka për to. Disa anglezë, që mësojnë gjuhë të huaja, e ndjejnë veten renegatë, por fajin e tyre e pakësojnë duke përmirësuar gjuhën e huaj me anë të shqiptimit anglez dhe gramatikës angleze.

Kaosit piktoresk të gjuhës së vet anglezët u shtojnë kaose të tjera të bukura. Mund të thuhet në tërësi, se anglezët kanë një talent të veçantë për kaose. Te paratë, katër obole bëjnë një penc, dymbëdhjetë pence bëjnë një shilingë dhe njëzetë shilinga bëjnë një paund; por artikuj më të kushtueshëm paguhen me gine, monedha këto që nuk ekzistojnë. Nderimin për një zotëri e tregojnë me titullin Eskuir, që gjithashtu nuk ekziston, sepse ai vetëm se shkruhet por asnjëherë nuk thuhet. Sistemet e matjes së vëllimit, peshës dhe gjatësisë janë kaq të komplikuara sa çdo anglez, pasi ka mbaruar shkollën i ka harruar ato dhe përdor tabelat llogaritëse.

Në mënyrë të ngjashme edhe fusha e edukimit anglez është një farë labirinti, që përfshin njëzetë e nëntë lloje shkollash. Këtë e quajnë “sistem edukativ” dhe , me një logjike më të lartë, shkollat private i quajnë “publike”.

Anglezët i duan kafshët dhe para së gjithash qentë. Kur rusët dërguan lart me sputnik një qenush , mijëra anglezë protestuan me tërbim në gazetat, deputetët dhe ambasadën ruse; por. kur ameriaknët dërguan lart një majmun. ata nuk u ndjenë sepse majmuni i ngjan shumë njeriut. Amerikanët megjithatë rrezikuan pakëz dhe në të ardhmen ata do sillen më të matur, duke dërguar atje një pigmen ose një jetim.

Dihet që anglezët janë lakonikë dhe modestë. Ata të sqarojnë me elokuencë dhe të informojnë me zell për modestinë e tyre. Ata janë edhe të ftohtë, por eksitohen shumë, në se ti nuk don ta besosh këtë.

Ata pëlqejnë gatimin e thjeshtë anglez, që e hanë shumë shpejt, sepse është pak si jo e hijshme të harxhosh shumë kohë në të ngrënë. Ata nxitojnë gjithashtu nëpër rrugë me një qëllim të ngutshëm, psh për në zyrë apo kinoteatër, dhe nuk mund ta përfytyrojnë që rruga mund të jetë një vend takimi, restoranti një vend bisedimi apo lidhjet ndërnjerëzore një punë e rëndësishme e ditës. Edhe restorantet kanë shenjën e ngutësisë; ushqimi hahet shpejt e shpejt dhe karrigia i lëshohet e ngrohtë atij që vjen pas teje. Këtë e bëjnë me shumë dëshirë sepse bëhet fjalë për gatimin e thjeshtë anglez.

Megjithatë mos mendo që anglezët nuk e duan Evropën. Ata udhëtojnë gjithnjë e më masivisht nëpër të, duke marrë me vete në falangë mjedisin e vet gjuhësor dhe duke u prirë drejt hotelesh që garantojnë gatimin e thjeshtë anglez. Shumë anglezë, ç’është e vërteta, hidhen edhe në aventura për artin e gatimit kontinental, e shijojnë atë me miratim, madje bien në ujdi të kalojnë me të më shumë se pesëmbëdhjetë minuta, por kjo kuptohet është koha e lirë, dhe pas kësaj çmëndurie ata kthehen sërish në rutinën e përkorë angleze apo siç e thonë me mprehtësi ata në “mënyrën e jetesës”.

Kjo mënyrë jetese është e organizuar më mirë, sepse ata hanë në një vend dhe pinë në një vend tjetër, në vend që të dyja t’i kryejnë në të njëjtin vend.

Është për t’u pasur zili në organizimin anglez edhe fakti që të gjithë dyqanet mbyllen në ora pesë, sepse edhe shitëset duhet të bëjnë pazar, dhe të gjitha pijetoret dhe vendet e dëfrimit mbyllen në orën dhjetë të mbrëmjes, sepse komisionierët e tyre duan edhe ata të dëfrehen. Se si e bëjnë këtë ky është një sekret anglez i thellë.

Një zakon tjetër anglez i bukur është mbyllja e të gjitha pijetoreve midis orës dy e tridhjetë dhe 6 çdo ditë. Kjo mbase do të na bezdiste në se Anglia do kishte një klimë të ngrohtë, por lumturisht sikurse na informon çdo anglez, ata kanë një klimë të moderuar. Për shkak të kësaj klime të moderuar burrat anglezë shëtisin verës pa kapele dhe marrin rreze dielli. Dhe, për shkak të po kësaj klime të moderuar të gjitha shtëpitë angleze i mbajnë ulluqet e ujrave të shkarkimit të shiut nga jashtë, ku ata çahen nga ngrica në dimër. Klima e butë e bën gjithashtu të panevojshme ngrohjen qendrore dhe mjafton të djegësh qymyr në një vatër të vetme në çdo dhomë të shtëpisë për të krijuar një ngrohtësi të përgjithshme, veçanërisht po që se je ulur pranë saj ose i mban duart mbi oxhak qè shkon në çati.

Ka një aksiomë angleze që ajo që bëhet në vende të tjera, realisht nuk ekziston. Për rrjedhojë ajo nuk ndihmon në problemet angleze, për shembull a është diçka praktike edukimi i gejeve. Fakti që ky edukim prej kohësh është bërë i përgjithshëm në Skoci nuk do të thotë asgjë, sepse Skocia është pjesë e vendeve të huaja. Madje edhe diçka e bërë në Angli nga joanglezët nuk ka ndonjë rëndësi të madhe.

Romakët në shekujt I-IV ndërtuan atje rrugë të drejta, por ata duket qartë se nuk e kuptuan shpirtin e indigjenëve, sepse këta të gjitha rrugët e mëpastajshme i bënë me zigzage dhe gjarpërushe edhe kur ato kalonin mbi sipërfaqe të rrafshëta. Vetëm kur anglezët vetë bëjnë diçka, vetëm atëherë kjo hyn në realitet. Pranë Prestonit sapo është ndërtuar një autostradë në vijë të bukur. Ajo është e gjatë 15 km. Pa dyshim gazetat botërore kanë raportuar në faqe të parë për këtë përparësi sensacionale.

Por edhe anglezi lëshon pe, e para dhe e fundit. Prandaj unë mund ta shkruaj këtë artikull pa u dënuar. Anglezët, që do e lexojnë atë, vetëm do qeshin të patrazuar, sepse ata e pëlqejnë që komplimenti të bëhet temë e artikullit, dhe përmbajtja kulmore ata nuk i prek, sepse kjo është një llastim i zakonshëm i humoristit. Dhe ata e kuptojnë që edhe humoristët duhet të jenë, sikurse të huajt, autostrada të drejta, sistem metrik dhe gjëra të ngjashme ekzotike si këto . E gjitha kjo ndihmon në bujën e jetës, duke krijuar një kuadër dekorativ për realitetin e ngurtë të anglezëve në Anglinë e tyre.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Pjesë nga Libri”Betoveni dhe revolucioni frëng” i autorit Theofan stilian Noli.

 

 

MeriLalaj 

 

Përktheu nga anglishtja  Meri Lalaj

 

 

 

“Fidelio” opera e vetme që kompozoi Betoveni, së pari ishte një Himn i Lirisë dhe vetëm rastësisht lirikë triumfi për dashurinë bashkëshortore. Florestani është martir i ideve të reja, i së Vërtetës të re:

 

Wahrheit wagt` ich kühn zu sagen

Und die Ketten sind mein Lohn!

 

(Unë guxova të them të Vërtetën

Dhe zinxhirët janë shpërblimi im!)

 

Të burgosurit, të lejuar për herë të parë për të marrë pak ajër të pastër, i këndojnë Himn Lirisë:

 

O Himmel! Rettung! Welch` ein Glück!

O Freheit! O Freiheit! Kehrst du zurück!

 

(O Qiell! Shpëtim! Çfarë Lumturi!

O liri! O liri!  Kthehesh prapë!)

 

Kur Florestani shikon Leonorën, mendon se ajo është Engjëll i Lirisë:

 

Ein Engel, Lenoren, der Gattin so gleich,

Der führt mich zur Freiheit, ins himmlische Reich!

 

(O engjëll, Leonorë bashkëshorte menjëherë,

Ajo më shpie mua në gëzimin e mbretërisë qiellore!)

 

Fernandoja, i lajmëruar nga trumbetat, është Çlirimtari. Ai nuk i lejon të burgosurit që të gjunjëzohen para tij, ai është miku i tyre, vëllai i tyre:

 

Nicht knien länger sklavish!

Tyrannenstrenge sei mir fern.

Es sucht der Brüder seine Brüder

Und kann er helfen, hilft er gern.

 

(Të mos jemi më skllevër!

Tutje rreptësia e tiranëve.

Vëllai kërkon vëllezërit

Dhe në qoftë se mund të ndihmojë e bën me qejf.)

 

Në Simfoninë e Nëntë gjejmë një Himn të Vëllazërimit Botëror. Në origjinal Kënga e Gëzimit ka qenë Kënga e Lirisë1 dhe Betoveni pat filluar të punonte për këtë këngë që në vitin 1793. Kur Shileri e ndryshoi në Himn Gëzimit, vëllazërimit të Racës Njerëzore, u bë tema kryesore e vargjeve të famshme:

Alle Menschen werden Brüder…

Seid umschlungen Millionen

Diesem Kuss der ganzen Welt!

 

Të gjithë njerëzit bëhen vëllezër…

Të jesh i përqafuar prej milionave

Me një puthje përqafim!

 

Betoveni merakosej që mesazhin e tij ta bënte përsosurisht të qartë kësaj here dhe, porsi pasardhësi i tij i madh Vagneri, u vuri tituj temave muzikore. Kjo ishte absolutisht e domosdoshme. Ai donte të afrohej me masat dhe t`u shpaloste atyre idetë e reja të Revolucionit Frëng me një gjuhë që ato ta kuptonin dhe ta admironin, me gjuhën e Shilerit, poetit të Kontratës së Re të Rusoit. Revolucionar në pikëpamjet e tij politike, Betoveni ishte revolucionar edhe në artin e vet: Ai futi muzikë korale dhe solo vokale në pjesën e fundit të Simfonisë të Nëntë. Po, e bëri këtë për masat e budallallepsura, të cilat nuk do të mundnin ta kuptonin fjalimin e tij muzikor. Ai u foli masave me zhargonin e tyre!

Mirë, po a ishte e mundur që t`i ngrinte këto masa vjeneze, të mefshta, të përgjumura, të painteresuara? Oh, këto turma të mjera të Vjenës! “Verflucht, verdammt, vermaledeites, elendes, Wienerpack!”1 Ato nuk dinin të bënin gjë tjetër veçse të hanin salçiçe dhe të pinin birrë të zezë. Dhe kur dikush e pyeti Betovenin nëse revolucioni mund të shpërthejë në Vjenë, ai përgjigjet me tallje:”Gjersa austriaku të ketë birrë të zezë për të pirë dhe salçiçe për të ngrënë as që ia fillon revolucionit.”2

Është e vërtetë se masat austriake ishin të qullëta, por mjeshtri me to kaq mund të bënte. U mundua shumë me njerëzit e mëdhenj, por ata i dolën më keq se mizëria. Medet! “Nuk ka gjë më të vogël sesa të mëdhenjtë!”3 Apo, siç e thotë Betoveni në frëngjisht: “Parceque les grands sont le plus faibles.” (Sepse të mëdhenjtë janë më të dobëtit),4 kështu nuk mbetej gjë tjetër veçse të ngriheshin masat. Pikërisht kjo i duhej kohës së tij. Ai e shprehu fare mirë këtë teksa i shkroi atij vagabondit të vogël Karlit:

“Koha jonë kërkon shpirtra të fuqishëm për të futur në veprim këto masa njerëzore, burracake, tradhtare të fundërrinave.”5

Karli i tij e kuptoi më së miri. Ai dinte greqisht.

Po, Betoveni e ndiente se ai ishte një nga ata shpirtra të fuqishëm, të cilët Fati ka paracaktuar për detyra herkuliane. Tani Fati i troket tek dera dhe e urdhëron që të përmbushë misionin e vet të shenjtë. Është gati për të marrë detyrën më të madhe të jetës së tij. Ai do t`i bëjë sopranot të bërtasin, të klithin, të çirren me triumf deri në kupë të qiellit, sikurse prostitutat e pazareve të Parisit kur panë se gijotina këputi kokën e Marie Antonetës dhe Luigjit XVI:

Sic semper tyrannis! (Ashtu si gjithmonë tiranëve!)

Po, vritini të gjithë, varini të gjithë mbretërit, princat dhe aristokratët.

 

Ah! Ça ira, ça ira, ça ira!

Les aristocrat` à la lanterne:

Ah! Ça ira, ça ira, ça ira!

Les aristocrat` on les pendra.

 

Ah! Do kalojë, do kalojë, do kalojë!

Aristokratët te shtyll` e fenerit;

Ah! Do kalojë, do kalojë, do kalojë!

Aristokratët do t`i varin.

 

Më kot sopranot e shkreta i luteshin mjeshtrit që të ndryshonte ato nota të larta të pamundura për t`i arritur. Betoveni ngulmoi në të tijën. Ato thanë se do të tingëllonte e egër. Por ai pikërisht këtë donte, sepse vetëm atëhere masat do të mund ta kuptonin idenë e saj. Dhe ai pati të drejtë. Më 7 maj 1824 u dha shfaqja e parë e Meshës Solemne në Re dhe Simfonia e Nëntë. Baron Zmeskalli vajti të dëgjonte Simfoninë, e cila kishte si nëntekst zhdukjen e klasës së tij, por çdo gjë që bënte mjeshtri ishte e mirë për të. Baroni urdhëroi shërbëtorët që ta shpinin në Teatrin Karntnertor të ulur në një karrocë-vig, sepse u ngrit i sëmurë nga dysheku.1

Suksesi ishte i mahnitshëm: përshëndetja e publikut ndaj shfaqjes pati një karakter kryengritës, kur doli Betoveni në skenë brohoritjet shoqëruar me duartrokitje u përsëritën pesë herë, ndërsa sipas etiketës së rreptë të qytetit, ishte zakon të jepeshin tri përshëndetje vetëm kur hynte Familja Perandorake. Policia u detyrua të ndërhynte për t`u dhënë fund manifestimeve. Simfonia shkaktoi një entuziazëm të papërmbajtur. Shumë vetë qanin. Betovenit pas koncertit i ra të fikët nga emocionet; e shpunë në shtëpinë e Shindlerit ku humbi në gjumë dhe mezi u përmend pas njëzet e katër orësh, me rroba në trup, pa ngrënë dhe pa pirë asgjë.2

 

Po, kësaj here Betoveni u afrua me masat jo vetëm me ato të Vjenës, por me masat popullore të të gjithë botës edhe për të gjitha kohërat me Simfoninë Jakobine të Lirisë, Barazisë dhe Vëllazërimit. Disa kritikë thonë se muzika e Simfonisë së Nëntë nuk është aq e mirë sa ajo e Simfonisë së Tretë dhe të Pestë. Ndoshta. De gustibus non disputandum. (Shijet nuk diskutohen). Por, gjëja më e rëndësishme për Betovenin në këtë rast ishte kumti dhe ai diti tua shpërndante këtë kumt revolucionar masave në një gjuhë aq të qartë sa ishte e mundur në rrethanat e epokës së Meternikut. Teksti nuk do të mundte të fliste kurrë më shkoqur. Censura e Meternikut nuk do ta kishte lejuar.

Betoveni ia përshkruan situatën shumë mirë poetit Kufner:

”Fjalët janë të lidhura me zinxhira, por lumturisht tingujt janë ende të lirë.”3

Dhe ai përdori tingujt muzikorë që të plotësonte tekstin poetik. Masat e pëlqyen dhe ende e pëlqejnë bashkimin e tij mjeshtëror dhe dramatik të poezisë me muzikën.

 

 

1 Thajer, Botimi anglisht, III, f. 152.

1 I mallkuar, i dënuar, i nëmur, popull maskara i Vjenës! Letër Bernardit, 15 shtator 1819, Kastner-Kapp f. 521.

2 “So lange der Oseterreicher noch braunes Bier und Würstel hat, revoltiert er nicht.” Letër Simrokut, 2 gusht 1794, Kastner-Kap, f. 177.

3   “Etwas kleineres als unsere Grossen gibt`s nicht.”-Letër Brajtkopfit dhe Hartelit, verë, 1810, Kastner-Kapp f. 177.

4 Letër Skotit, 22 janar 1825, Hull, f. 338.

5 “Unser Zeitalter bedarf kräftiger Geister, die diese kleinsüchtigen, heimtückischen, elenden Schufte von Menschenseelen geisseln.”-Letër Karl van Betovenit, 1825, Kastner-Kapp f. 785.

1 Thajer, botimi anglisht III, f. 165

2 Romen Rolan, Betoven, f. 46-47

3 Romen Rolan, Betoven, f. 49

 

 

 

 

 

 

muhammad Shanaza -1

 

 Poezi  nga Muhammad Shanazar.

 

 

Përktheu nga anglishtja Dr. Albana Alia

 

 

 

Për sa kohë akoma

 

 

Për sa kohë akoma do të vazhdojmë

të shtojmë radhët e varreve?

Për sa kohë akoma do të vazhdojmë

të zgjerojmë kufijtë e varrezave?

Për sa kohë akoma do të vazhdojmë

të zgjasim listën e martirëve?

Për sa kohë akoma do të vazhdojnë

të vuajnë fëmijtë tanë nga mjetet luftarake?

Për sa kohë akoma do të vazhdojmë

të vajtojmë të dashurit tanë?

Për sa kohë akoma do të vazhdojmë

të djegim fshatra e lugina?

Për sa kohë akoma do të vazhdojmë

të ngremë në kurriz trupat e shokëve tanë?

Për sa kohë akoma do të vazhdojnë

të shumëfishohen radhët e jetimëve dhe vejushave?

Për sa kohë akoma do të vazhdojmë

të dëgjojmë sirenat e ambulancave nëpër rrugë?

 

Arsyeja është se mendja jote dhe imja nuk përputhen.

Arsyeja është se sytë e tu nuk shikojnë njësoj si të mitë.

Arsyeja është se unë kam lënë mjekrën e gjatë,

ndërsa ti ke fytyrën të pastër e nuk pyet.

Arsyeja është se lëkura jote është e bardhë, e zezë e imja.

Arsyeja është se ti shkon nëpër tempuj e kisha,

ndërsa unë përkulem përpara Zotit në xhamia.

Arsyeja është se ti vesh xhinse të ngushta,

ndërsa unë shalwar dhe qameez të gjerë.

Arsyeja është se unë ndjek disa parime të drejta,

ndërsa ti je i lirë të sillesh si të duash.

 

Oh, armiku im!

Nuk jam burracak,

pasi jam i zoti të luftoj papushim

për t’u kundërvënë kam forcë të dyfishtë goditëse,

por nuk dua të luftoj më kundër teje.

Ja pra, këtu hedh armët e mia dhe

hap krahët për të të përqafuar, ndonëse

është peshë e rëndë në egon time, ndonëse

nuk më intereson nëse shpon gjoksin tim.

 

Oh, armiku im!

Veç ki durim,

më lejo e të mundësoj të marrim frymë lirisht

nën qiellin e kaltër, mbi Tokën e mirë.

Të dy jemi të destinuar të vdesim, herët a vone,

por nga një vdekje natyrale, secili më vete.

Prandaj, mos më drejto armën mua,

mos mprih thikën apo heshtën tënde

mos sulmo me kamë apo me dron për të më vrarë,

një vdekje që, ndërkaq, mund të vijë nga natyra.

 

Oh, armiku im!

Tani e tutje do të të thërras vëlla.

Ki kujdes! Ne jemi bij

të të njëjtës nënë, të të njëjtit atë,

zemra dhe mendje të njëjta kemi,

dhe gjak të njëjtë.

Oh, vëllai im!

 

 

 

 

Planeti i Njerkës

 

Bota është e zënë me aktivitete sportive,

stadiumet janë mbushur plot me tifozë,

britmat e tyre dëgjohen deri në kupë të qiellit,

fituesve u shpërndahen medaljet.

Bashkatdhetarët e mi nuk kanë kohë

për të parë nëpërmjet vuajtjeve të të tjerëve.

Kanalet televisive shfaqin seminare e receta gatimi,

këngë e valle për kombin e uritur,

Pikërisht tani, njëri prej tyre na tregonte që në një enë me ujë

veza e freskët është më e rëndë se ajo e prishur.

Në një kanal tjetër i bëjnë reklamë një pajisjeje të vogël

që me kujdes tërheq qimet e panevojshme nga lëkura…

 

Politikanët dihet, vrapojnë si zakonisht pas pushtetit

pas poltronës së autoritetit,

të mjerëve nuk u mbetet tjetër

veçse të mbledhin vepra bamirësie dhe lëmosha.

 

Kryeministri im është larguar

me një avion të ngarkuar me arka të mbushura

me mango për Mbretin e Arabisë Saudite

dhe personazhe të tjerë mbretërorë,

për një pelegrinazh të tipit umrah.

Duke dhënë shfaqje bashkë me familjen,

për hir të Zotit dhe për të lypur

bekimet e tij, duke lënë pas të varfërit.

Duke gulcuar për bukë kombi është i zënë,

me vepra sa për sy e faqe, nëpër festa e darka.

Xhamitë dhe vendet e shenjta frekuentohen

nga njerëz devotë të veshur me stofa fëshfëritëse.

Misione këtu, misione aty, misione

gjithandej, duke vrarë, vrarë e vetëm duke vrarë.

Kanë në dorë karburantin dhe mineralet e tokës.

Bota është kthyer në një sallë operimi…

Ebrenjtë shfrytëzojnë rastin.

Ata vrasin e vrasin Palestinezët me bijtë e tyre

Qëllojnë vendbanimet e tyre me predha të fuqishme

retë e tymit ngrihen deri lart në qiell.

Ndoshta edhe Vetë Zoti me ëngjëjt thith

tymrat e eksplozivit, por edhe Ai hesht si të tjerët.

NATO-ja, po ashtu, shikon interesat e veta,

OKB-ja si njerka gërrhet në gjumë,

si zakonisht, nuk dëgjon kurrë intelektualët, ndonëse

e ka të qartë fare mirë çfarë duhet e çfarë nuk duhet bërë.

 

Kur do vijë koha për t’u zgjuar nga gjumi,

nuk besoj që bota do të bëhet një vend më i mirë,

i përshtatshëm për brezat tanë, pasi Toka tashmë

është e destinuar të kthehet në një planet të njerkës,

Oh! Lexues, vëlla, mos u kënaq me shpresa të kota!

 

 

 

 

Në kujtim të bletëve të shkrumbosura

 

Ishte muaji dhjetor,

Një mori bletësh u grumbulluan te degët e manit

krejt afër banesës sime.

Ishin me mijëra, gati

për të filluar përsëri punën.

Gumëzhisnin përreth ndërsa zbardhte dielli

e punonin gjithë ditën.

Pastaj pushonin të tëra bashkë në perëndim të diellit,

zukatnin kur dikush u afrohej.

Derisa një natë, nja dy javë pasi kishin zënë vend,

një grup njerëzish u afrua

për të vjelë mjaltë nga hoje,

që nuk u përkisnin.

I këshillova të mos luanin lojë djallëzore

por ata bënë si deshën vetë.

Njerëzorë në dukje, por shtazarakë brenda.

Për të shmangur thumbat,

zgjodhën rrugën më të lehtë,

Ndezën një flakadan pikërisht poshtë tyre.

Në fillim zukatën,

më pas filluan të bien poshtë të shkrumbosura.

Disa u përpoqën të fluturonin,

shpëtuan nga kurora e krijimit,

Por, në fund, u dëmtuan të gjitha,

shumica e tyre i humbën flatrat.

Ata njerëz nuk mundën të vjelin mjaltë,

nga hojet e papjekura.

Pak më vonë, ca re të bardha u shfaqën në qiell,

Filluan të pluskojnë duke fshehur fytyrën e hënës,

sytë e yjeve,

Pastaj një erë e ashpër e akullt filloi të fryjë,

Filloi të bjerë një shi i imët.

Dhe njerëzia u kthyen të flenë rehatshëm

nëpër shtëpitë e ngrohta të tyre.

 

Herët në mëngjes, kur u zgjova, u gjenda përballë

një pamjeje rrënqethëse dhe zemra m’u rëndua

nga pesha e dhimbjes,

Bletët e djegura ishin shpërndarë përreth.

Toka ndërkaq u kthye në rërë.

Bletë të panumërta, të shtrira njëra pranë tjetrës,

të palëvizshme, të gjitha me flatra të shkrumbuara.

Zemra po më qante për fatkeqësinë e madhe,

pasi nuk mbeti asgjë përtej degëve.

E m’u kujtuan shpërthimet bërthamore

në Hiroshima e Nagasaki, kur trupa njerëzish të shkrumbuar

shtriheshin nëpër rrugë, njësoj.

Kuptova frikën e luftës së ardhshme,

kur krerët e fuqive të mëdha,

do të zihen çmendurisht dhe do të përdorin armë bërthamore.

Bota do të shikojë fundin e saj katastrofik,

pa asnjë pushtues për të festuar fitoren,

dhe asnjë të pushtuar për të vajtuar situatën e rëndë,

veç një amfiteatri të trishtuar e të heshtur kufomash të shkrumbuara.

Disa prej bletëve të palëvizshme atje tej

mbi tokën e lagur dukeshin të gjalla,

në mënyrë të pakontrollueshme lëviznin gjymtyrët

por pa shpresë. I ngrita me kujdes të gjitha

dhe i vendosa pranë ngrohësit,

Shumë prej tyre morën veten,

të tjerat madje morën fluturimin.

Zemra ime ndjeu një lumturi që kurrë më parë s’e kish provuar.

Por ato që fluturuan dhe ato që sikur po shëroheshin,

që të gjitha morën fund disa orë më vonë,

si për efekt të mëvonshëm të radiacionit.

Ligështimi errësoi qenien time.

Më vinte veç të qaja për fatin e tyre të zi.

Njerëzit nëpër botë u treguan indiferentë,

kishin të tjera halle dhe shqetësime për të përballuar.

U ula e mendja më shkonte te trupat e karbonizuar,

të bletëve që na kishin dhënë mjaltin.

Ndërsa ne u dhamë vdekjen, madje tepër të tmerrshme.

Një vdekje të llahtarshme, një vdekje ku hoqën shpirt dhimbshëm.

Njerëzit e Zotit i dogjën me zjarr, por Zoti Vetë

shtiu mbi to ujin e ftohtë të shiut…

Ah! Sa e hidhërueshme ishte! Ah! Sa sa e dhimbshme!

 

 

 

 

 

APOKALIPS

 

Natyra njerëzore nuk mund të durojë pa përgatitur

armë djallëzore,

Çdo komb merr pjesë në garën

e shpikjes së mjeteve dhe pajisjeve fatale,

që çojnë drejt fundit katastrofik.

Armë të zakonshme, bërthamore, kimike.

Disa të tjerë janë bërë mjeshtra për përgatitjen

e bombës antimaterie.

 

E kam të qartë që një ditë

ndonjë i çmendur, i ashtuquajtur nismëtar

i paqes, do të shtypë tastin

me dorën lebroze.

Një breshëri raketash do të derdhë,

Toka do t’i durojë plagët

si kratere të mëdha e të thella.

Tymi do të mbysë planetin,

jeta biologjike do të rrezikojë shfarosjen.

Vetëm pak kundërshtarë të furishëm

do të mbijetojnë, duke luftuar pareshtur,

me gurë, shkopinj, dhëmbë dhe thonj.

Do të vijë një kohë kur dy luftëtarë rivalë

do të mbeten pas të tjerëve.

Në përleshje me njëri-tjetrin,

njeri do të vritet, tjetri pas do të mbetet,

do të shikojë veten me fodullëk.

Ai, luftëtari i madh, heroi, triumfatori,

duke ecur fill vetëm, i pashoqëruar.

Vetmia e stërzgjatur do ta bëjë më të vrazhdë

dhe si një dem i tërbuar do të thyejë

kokën pas një shkëmbi duke i dhënë fund jetës.

Asnjë kafshë, asnjë zog saprofag nuk do të dojë

të merret me kufomat në faqen e pajetë të Tokës.

 

 

 

 

 

Poezi nga Giovanni Pascoli

 

 

sinan

 

Përktheu nga italishtja Sinan Vaka

 

 

 

Zemër dhe qiell

 

Në zemër ku çdo vizion mijëzohet

dhe boshi mes qiellit e tokës bën shtesë,

ndonjëherë shuhet një dëshirë,

por zgjohet një shpresë.

 

Si në qiell, oqean i madh  dhe i stërthellë

duke ecur mendimi ynë zhvesh tekat,

perëndon një Alfa, por rilind më e vlerë

një  Omega.

 

 

 

Qarje

 

Më e bukur lulja ku shiu i verës

një sumbull lë dhe dielli s’e përthan,

më e bukur puthja me ankthin brejtës

te syri që qan .

 

 

 

 

Në zemrën njerëzore

 

Mos  u habit nëse në një zemër të paqartë,

se cilës i drejtohesh për provë  ndjen të cëmbuar;

pas çdo guri që  kthehet anës së mbraptë

ka një sfurk të helmuar.

 

Mos u habit nëse në një zemër të keqes shitur

degjon ngazëllim,  një ritëm të shenjtë që  vret…

Çdo qipariz  me kurorën drejt qiellit të  ngritur

ka folenë e vet.

 

 

 

 

Fides

 

Kur krahët hapte i gjaktë perëndimi

dhe selvia përflakej prej tramontit,

i thoshte nëna vogëlushit se ; “shkëlqimi,

është  i njëjtë  me lulishtet pranë  zotit.”

 

Fëmija fle dhe ëndërron gjithçka të praruar

pemët, pyjet e zbukuruar me flori,

por qiparizi nëpër natën e tmerruar,

fishkëllen prej erës e përthyhet me lemeri.

 

 

 

 

Jetimi

 

Fluturzon dëbora dhe bie…bie…bie…

Një  zanë përkund djepin lehtë…lehtë…lehtë….

Gugurit një fëmijë  dhe gishtin puth me shije,

Këndon një plakë,  shikimin hedh të zbehtë .

 

Plaka këndon:”…rreth djepit tënd  me mijra

lule dhe zambakë,  si një Eden i qetë…”

Në kopshtin e perëndive sytë  mbyll fëmija

dëbora fluturzon dhe bie lehtë…lehtë….

 

 

 

Vesa

 

Atje poshtë, nëpër natë, të ngutur,

tinguj zilesh dhe një shkrofëtimë .

Ende…ende nuk janë  përskuqur

malet eremitë.

 

Në qiellin me agullimë  të  flashkët

Yjet rrëzëllijne si të  lodhur,

Ndihet një  fëshfërimë e zvargët

në  ajrin e ngopur.

 

Kush kalon nëpër rrugët me hije ?

Kush bëzan nëpër pragjet e ngrata ?

Askush.  -Është vesa e bollshme që bie

mbi gjethet e thata.

 

Ka nisur dhe ende s’është ditë.

Duke shqyer qepallat e zbardhëllimit

fillon midis një koloriti të  hirtë

pika e vesimit.

 

Në mes të mugëtirave qielli

ndonjë vrimë reve rindez e ndërkaq

reflekton tufeë rrezesh . Ah, dielli

pastaj mbyllet. Vetëm kaq.

 

 

 

 

 

Një  vashë

 

Mos thuaj ” unë  e dashuroj atë  këngëtar ”

të paktën mërmërit ” atë këngë e dua “.

Edhe të gjëmbaçit dëshiro lulen zjarr

por se shkurrja të  josh, kurrë  mos e thua.

Ajo vetë përligjet ‘ jam gjeja e trishtuar “,

pra merr trëndafilin  shmang ferrën me duar.

 

 

2

 

Ju si qerpiket e mbrëmjes, të  lodhur

Picëroni sytë  me shpresën që ruan

në netët e trazuara duke ngrohur

zemrën që  vuan .

 

 

 

 

 

 

pik 5

 

  “All You Need Is Love” @Irina Hysi Pen.

 

 

 

 

 

 

 INTERVISTA

 

 

 

inva Mula

 

Inva Mula: Dikur kam menduar se karriera ishte gjëja më e rëndësishme ne jetë.

 

Intervistë ekskluzive nga Raimonda Moisiu

 

Bota e operës është një piramidë gjigante, ku shumë pak arrijnë të kapin majën e saj. Madhështore po aq edhe magjepsëse, të interpretuarit në stilin klasik, madhështia e talentit dhe kredencialeve të arritjeve dhe sukseseve të saj, e kanë rradhitur artisten e shquar shqiptare, sopranon lirike operestike, Inva Mula, në krye të epokës së artë të sopranove të shquara me famë botërore. Kritikët e artit dhe të operas në Shqipëri dhe në mbarë botën e kanë vlerësuar teknikën, vokalin, zërin dhe interpretimet dramatike të saj, si nga më të talentuarit e profesionalë. Repertori i artistes shqiptare me famë botërore shkon nga veprat klasike të Verdi-t dhe Pucini-it, George Bizet, etj. E lindur, rritur dhe edukuar nga dy prindër artistë dhe muzikantë, Inva Mula e filloi karrierën si soprano që në moshë fare të re. Në lidhje me teknikën e zërit që në moshën 16-vjeçare, ajo ka marrë mësime në piano dhe ka studiuar muzikën seriozisht. Në vitin 1987, ajo fitoi konkursin e Cantante d’Albania në Tiranë dhe në 1988-ën fitoi kompeticionin George Enescu në Bukuresht. Në vitin 1992 ajo fitoi një tjetër kompeticion Butterfly në Barcelonë, duke u vlerësuar me Çmimin të Placido Domingo në Operalia International Opera në Paris, 1993. Në vitet më pas Inva Mula debuton krahas tenorëve të famshëm në Opera Bastille në Paris, në Bruksel për Europalia Mexico, në Mynih dhe në Oslo. Në 1996-ën, ajo interpretoi në Opera Médée, të Luigi Cherubini-dhe ju rikthye operës së George Bizet, La Jolie fille de Perth, dhe në vitin 1998 ajo incizoi La RONDINE të Pucini-t, së bashku me Angela Gheorghiu për EMI, dhe në 2005-ën, ajo mori rolin kryesor atë të Magda-s, gjatë shfaqjeve në Tuluzë dhe Paris. Artistja shqiptare do të interpretonte versionin klasik të Ivan IV-t të George Bizet- me debutimin e saj recital, në Salle Pleyel në Paris. Më pas ajo debuton në Itali, duke performuar Falstaff të Verdi-t në Teatro Alla Scala dhe Rigoletto në Verona Arena. Inva Mula ka interpretuar në Lucia di Lammermoor, La Boheme, dhe Manon, ndër të tjera. Ajo është shumë e njohur dhe e famshme si Violetta në La Traviata, jo vetëm si roli i parë në TOB, por do të ishte ky rol që i hapi dyert e shumë teatrove botërore dhe për shumë vite unë ka interpretuar Violettën, sikur të isha e destinuar për këtë kryevepër të repertorit operistik të saj, duke e interpretuar këtë rol në shumë qytete e shtete në mbarë botën, duke përfshirë Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto, por që i dha edhe famën artistes shqiptare. Në vitin 2007, ajo interpretoi Adina në operën L’elisir d’amore në Tuluz, dhe në 2009 ajo interpretoi rolin kryesor të Mireille e Gounod-së në Opera e Parisit, Palais Garnier. Ajo gjithashtu është e njohur duke performuar zërin e Diva Plavalaguna në film Fifth Element. Artistja shqiptare nuk ndalet! Ajo vazhdon të debutojë në skenat prestigjioze botërore. Talenti i saj muzikor, i kanë dhënë asaj vlerësimin në botë si La DIVINA-Hyjnore! Në këtë intervistë, që unë e quaj veten me fat e të privilegjuar të intervistoj një artiste të shquar me përmasa botërore, Inva na rrëfen se cilat janë dashuritë dhe sukseset e saj. Për më shumë ndiqni intervistën.

 

Përshëndetje, më pëlqen të jem e drejtpërdrejtë me Ju. Ju jeni tashmë një prej sopranove me popullaritet botëror dhe më të mira shqiptare, që po debutoni me shumë sukses në skenat europiane, botërore dhe sigurisht ato të origjinës, shqiptare. A është karriera gjëja më e rëndësishme në jetën tuaj?

 

Edhe unë për të qenë e drejtpërdrejtë, dëshiroj të them se dikur kam menduar që karriera ishte gjëja më e rëndësishme për mua. Unë nuk ekzistoja si person, por ajo që unë ndërtoja artistikisht ishte, qenia ime etj, etj. Kur mendoj tashmë sa larg të vërtetës sime kam qenë, më vjen të buzëqesh me veten. Në fakt një artist në vitet e para të suksesit duhet t’i kaloj këto faza, por ka kolegë, që nuk e kalojnë asnjëherë këtë fazë, ndërsa unë jam e çliruar nga kjo ndjenjë narciziste, e cila i ka lënë vendin ekzistencës time personale dhe përparësive që unë kam zgjedhur në jetë.

 

Na tregoni diçka për historinë e zërit tuaj dhe kush mendoni se një soprano e bën të jetë e vetëdijshme, se si ka qenë zëri i saj, dhe kur keni filluar të këndoni?

 

Historia ime ka qenë e ndryshme, duke qenë se edhe prindërit e mi, ishin këngëtarë operistikë. Fillimisht doja të bëja si nëna ime dhe si gjithë fëmijët, të cilët kanë dëshirë të imitojnë. Bëja të njëjtat ushtrime dhe pjesë nga arjet që këndonte mamaja deri në momentin kur një ditë ata më thanë nëse do vërtetë të bëhesh këngëtare lirike duhet të mësosh teknikën vokale. Nëse jo, do ngelesh në nivel amator dhe kjo nuk mjafton për t’u bërë dikushi në jetë!

 

 

Ju keni bërë debutimin e rolit kryesor të një prej operave më të famshme Violetta në TOB dhe në disa shtete të Europës e gjetiu në botë. Si do t’i krahasonit këto eksperienca të jetës suaj?

 

Në fakt roli im i parë në TOB ka qenë Violetta në La Traviata dhe po ky rol më ka hapur dyert e shumë teatrove botërore dhe për shumë vite unë interpretoja Violettën, sikur të isha e destinuar për këtë kryevepër të repertorit operistik. Nëse nuk do t’i kisha hedhur këto hapa të parë të ndrojtura, por me entuziazmin e një 22-vjeçare në TOB, nuk besoj se do kisha sigurinë ta interpretoj këtë rol në Scala të Milanos, në Arenën e Veronës, në operën e Parisit në Coven Garden të Londrës etj. Dhe besoj se po të këndosh në këto maja të teatrove operistike, e kupton që sa afër dhe sa larg është suksesi. Larg kur nuk e ke akoma, afër kur e përjeton, por gjithmonë me dyshimin nëse je në një ëndërr, të paktën kështu kanë qenë përjetimet e mija. Për një kohë të gjatë ka qenë roli i Violettës roli im i preferuar për forcën e madhe dramatike dhe faqet e shkëlqyera muzikore që Giuseppe Verdi i ka gdhendur këtij personazhi.

 

Kush janë disa nga sopranot e shquara nga epoka e artë e operistikës botërore, në regjistrimet e të cilave ju gjeni veten?

 

Unë dëgjoj shumë dhe mundohem të frymëzohem nga shembujt më të mirë. Kur jam përpara një roli të ri, e dëgjoj në shumë variante dhe nxjerr mësime nga të gjithë. Kam shumë këngëtarë të preferuar. Por ajo që të mëson vetëm nga mënyra se si këndon pa e parë, është Mirella Freni dhe e kam patur gjithnjë si një pikë referimi.

 

Mekanizmi tuaj debutues është mbresëlënës. Në çfarë moshe keni filluar të mendoni në lidhje me teknikën, si ta përmirësoni atë, dhe cila nga këto mekanizma në kulturën tuaj muzikore është më e vështirë për Ju?

 

Në lidhje me teknikën e zërit kam filluar në moshën 16-vjeçare, por që e vogël kam marrë mësime në piano dhe kam studiuar muzikën seriozisht. Nëna ime ka qenë shumë rigoroze dhe si një profesioniste nuk mund të linte që unë të edukohesha muzikalisht vetëm për argëtim. Ka patur momente kur dëgjoja zërat e shoqeve të mija që luanin në oborr dhe unë duhet të luaja ushtrimet e pianos pa lëvizur nga vendi. Po ju them se kjo nuk është aspak e lehtë për një fëmijë, por vendimtare për një artist të ardhshëm.

 

Dhe gjatë kësaj karriere mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoze apo e lodhur?

 

 

Të ndjehesh nervoze apo e lodhur është pjesë e lojës dhe nuk mbaron vetëm me kaq!

 

Është e vërtetë se të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri për muzikën dhe të njëjtin motivim për punën e tyre? Sa individualizëm mund të përballojnë orkestrantët? A ju motivojnë ata? Si e gjeni ekuilibrin e duhur mes performancës individuale dhe performancës të orkestrës?

 

Nuk di të them nëse të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri dhe pasion. Kjo varet nga individi, ashtu si dhe në jetë nuk jemi njësoj mendoj. Njerëzit e një profesioni nuk mund të jenë të tillë. Kur jam në skenë mendoj gjithnjë: Ç’e shtyn një artist të përballojë sfidën e përgjithësisë dhe kush ja jep këtë forcë për të përballuar sytë dhe veshët e mijëra spektatorëve, të cilët fokusohen në një “trim të vetëm në fushën e betejës”, ndërsa muzikantët e orkestrës ndajnë përgjithësinë e grupit dhe ekspozimi i tyre nuk është i kësaj përgjithësie natyrisht.

 

Një nga aspektet më interesante të punës tuaj duhet të jetë me siguri sfida e koordinuar mes këngëtarëve të operës dhe aktorëve. Cili është sekreti i komunikimit të ideve tuaja me ta në një vepër operistike?

 

Një këngëtar operistik duhet të jetë dhe një aktor i mirë. Sot nuk mjafton vetëm një zë i bukur, por një artist i kompletuar. Gjithnjë e më shumë kërkohet nga regjisorët një “aktor që këndon bukur” dhe jo një këngëtar që aktron, pasi janë kërkesat e tilla. Madje kërkohen dhe këngëtarë operistik me fizik të mirë, nuk mjafton vetëm zëri i bukur në një botë arti kaq kompetitiv .

 

Si arrini ju të krijoni rolin me partnerët meshkuj në një skenë dashurie? A ka ndonjë mënyrë për të vepruar natyrshëm, që të vazhdoni ta mbani atë në nivelin profesional?

 

Pyetje që më bëhet për herë të parë në një intervistë, por që është shumë interesante për t’u shtjelluar. Më ka qëlluar të interpretoj një skenë dashurie me partnerin dhe nëse provat kanë filluar më përpara dhe të kem ardhur me vonesë, të mos di as emrin e personit në fjalë. Në fakt kësaj i thonë të jesh në “pozitë të vështirë”. Por, qëllon të kesh partner një koleg, shok me të cilin ke interpretuar më parë dhe ti kalosh këto momente në mënyrë sportive. Vërtet vjen një moment që ti harron se kush je dhe futesh në petkun e personazhit, kështu kalon dhe momenti i ndrojtjes, duke i lënë vendin profesionalizmit. Është vërtetë gjuha e trupit dhe personazhi që rilind në personin tënd, i cili futet në kontakt me ngjarjen dhe raportin me të tjerët, të bën të harrosh kush je dhe cilën epokë apo ngjarje je duke përjetuar.

 

Do doja t’iu pyesja se në ç’raport është lidershipi i sopranos me muzikën simfonike kundrejt asaj operistike? A keni më shumë liri në interpretim?

 

Të interpretosh një personazh operistik dhe të jesh në skenë ne versionin koncertal janë dy këndvështrime të ndryshme. Sigurisht në versionin e dytë ke lirinë, për të krijuar një spektakël pa petkun e personazhit, kështu ti krijon dhe jep në njëfarë mënyre më shumë nga vetvetja.

 

Ç’mund të na thoni në lidhje me kulturën muzikore dhe atmosferën artistike në Shqipëri? Çfarë do të dëshironit të kishte bota shqiptare nga kultura muzikore e atyre vendeve të huaja ku ju keni debutuar, veçmas e Parisit?

 

Arti dhe kultura i një kombi shkon paralel me zhvillimin e tij ekonomik. Kur sot në Shqipëri akoma diskutohen dritat, uji, rrugët nuk mund të pretendojmë që lulëzon arti. Fatkeqësisht ne diskutojmë sot për probleme ekzistenciale, për shumicën e popullsisë, por nuk mund të mohojmë arritje të individëve të talentuar, të cilët nuk i kanë munguar dhe i mungojnë kombit tonë. Sot të jesh artist në Shqipëri dhe të paguhesh si i tillë, është shumë larg asaj që duhet, prandaj dhe shumë syresh i janë kthyer artit komercial, që është për të mbushur mbi të gjitha barkun. Problemet janë të ndryshme dhe në të gjitha fushat e artit, të diskutosh për to, nuk ke nga ta fillosh, pasi dhe zinxhiri i funksionimit të dikurshëm të institucioneve artistike është prishur. Ajo që dhemb më shumë është se shteti nuk e ka në listën prioriteteve të tij mbështetjen e artit e anash kalon për t’i lënë vendin zhvillimit kaotik që po merr çdo hallkë e zinxhirit artistik. Nuk e di deri kur do vazhdojë kjo, por frytet e kësaj gjendje do t’i paguajnë brezat që do vijnë dhe do të jenë të pariparueshme konsekuencat.

 

Sipas mendimit tuaj, çfarë është qëllimi maksimal i artit?

 

Definicioni im për artin është: Liri e shpirtit për ta shprehur atë në formën me sublime të krijimit të formës artistike.

 

A jeni duke punuar në ndonjë projekt tani-për –tani? A mund të na jepni ndonjë informacion në lidhje me të?

 

Projektet janë të shumta në fushën e interpretimit, por ajo që për mua është tepër interesante dhe e veçantë është një bashkëpunim që do të kem në muajin maj me TOB për të interpretuar dhe vënë në skenë operën Pagliacci të kompozitorit italian Leoncavallo. Unë vij për herë të parë si regjisore e spektaklit, por e kam thënë dhe më parë, jo për të filluar një karrierë të re, atë si regjisore, por për të realizuar dhe konceptuar një produksion, i cili është frut i eksperiencës dhe vizionit tim të spektaklit nga fillimi në fund. Kjo do jetë një sfidë e re në karrierën time dhe jam duke punuar fort për t’ia arritur qëllimit .

 

Kur jeni ndjerë krenare për punën tuaj? Dhe pse?

 

Kur realizova koncertin Rrugëtimi i Kombit në 28 Nëntor 2012, në Pallatin e Kongreseve, për rëndësinë e ngjarjes, por mbi të gjitha kushtet e vështira të realizimit të këtij projekti.

 

 

Çfarë është dashuria për ju, dhe kur e ndjen një grua se është e dashuruar!

 

Dashuria për mua është përjetim, i cili nuk përkthehet me fjalë. Nuk pres të ma japin dashurinë të tjerët, për ta ndjerë atë, si dhuratë, por jap në çdo moment dashuri nga e imja, për ta ndjerë që ajo ekziston dhe atë që ti jep, të kthehet e shumëfishuar.

 

Çfarë ju lidh me Kosovën, veçmas me Gjakovën? Po me Rusinë?

 

Kosova dhe Rusia janë dy vendet ky u lindën prindërit e mi dhe sigurisht unë si fëmijë jam rritur dhe me imagjinatën e këtyre dy vendeve të kulturave dhe gjuhëve të ndryshme dhe pa patur mundësinë për t’i vizituar në ato kohë. Thënë kjo në ambientin ku unë jam rritur, ëshët folur për gjithçka dhe ka patur gjithnjë shumë hyrje dalje, shumë shoqëri, shumë miq, shumë festa. Kështu unë u rrita si një vajzë kryeqyteti, ku dhe nëna ime e donte pafund Tiranën megjithëse erdhi në moshën 28-vjeçare, për mos folur për babain që ishte 16-vjeçar kur zbarkoi në Tiranë. Kur mendoj që edhe unë u largova nga Tirana në moshën 28-vjeçare dhe vazhdoj të udhëtoj pafund nëpër botë pa gjetur akoma vend-qëndrimin ideal, e kam vështirë të përkufizoj çfarë kam marrë dhe çfarë kam lënë nga “rrënjët e mija”.

Përsa i përket formimit tim artistik këtë ja dedikoj prindërve të mi, që më dhanë në radhë të parë dashurinë për artin, dijen për artin, sakrificën për artin, seriozitetin dhe profesionalizmin për artin dhe bënë që jeta ime falë artit të ishte më bukur dhe një ëndërr që jetohet çdo ditë.

 

Sa ju mbështet familja në karrierën tuaj artistike?

 

ARTI është përkushtim. Shumë herë jam ndjerë në faj për kohën që nuk mjaftonte për t’u kujdesur për familjen dhe fëmijët e mi, por një gjë e di që përkushtimi im shpirtëror për familjen time është në të njëjtin intensitet, për atë që në jetë quhet ART.

 

 

irina hysi

 

Pikturat dhe arti grafik : Irina  Hysi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s