Telefoni / Tregim humoristik nga Hamit Taka

 

Telefoni

 

Nr.1…Partia ABCDEFGGJ…Nr. 77…Partia UVXXHYZZH

 

 

 

Hamit Taka

Tregim humoristik nga Hamit Taka

 

Cingëroi me tërsëllimë telefoni i shtëpisë, sikur sillte ndonjë gjëmë.
-Alo! –erdhi përgjigja në anën tjetër.
-Zoti Viktor?
-Jam zonja Vitori, bashkëshortja e Viktorit.
-Desha pak Viktorin, ju lutem.
-Më vjen keq. Për momentin nuk është në shtëpi.
-Jë lutem, është çështje me shumë rëndësi. Është jetike për mua.
-Pse, nuk më besoni për sa ju thashë? Vini në dyshim sinqeritetin tim?
-Oh,Jo, kurrësesi. As më shkon në mëndje. Në asnjë mënyrë. Mos më keqkuptoni. Kam shumë besim tek ju. Derisa jeni gruaja e Viktorit…
-Më falni, u nxitova, flisni, -iu përgjigj Vitoria me politesë.
-Ju lutem shumë, a mund t’i thoni zotit Viktor, sigurisht dhe vetes, se jam numri 1.
Vitoria mbeti pak e hutuar. Një herë mendoi se mos ishte ndonjë debil, që i pëlqente vetja dhe thoshte në telefon se ishte NJESH.
-Nuk të kuptova. The diçka për numrin 1? -Pyeti ajo.
-Po, ashtu thashë, numri 1.
-Prapë nuk po ju kuptoj.
-E thjeshtë fare. Në fletën e votimit për kandidatët e këshilli bashkiak unë jam numri 1. Partia ABCDEFGGJ. Mos harroni, ju lutem!
-Aha, po. Tani e kuptova. Kurrësesi nuk do të harroj.
–Faleminderit, zonjë e nderuar. Tani do t’më falësh, se jam i zënë deri në grykë sot.
-Suksese! –e uroi gruaja mëndjehumbur dhe i mbeti receptori në dorë.

Në dhomën e gjumit cingëroi zilja e celularit të Viktorit. Po ky pse e ke harruar celularin në shtëpi? Pyeti veten. Zilja cingëroi përsëri. Shkoi dhe shtypi butonin.
-Mirëmëngjes! Viktor. Pse nuk ma hap telefonin. Sot s’kam asnjë sekontë për të humbur,-tha zëri në anën tjetër të telefonit.
-Jam e shoqja e Viktorit, -iu përgjigj me përtesë Vitoria.
-Mirëmëngjes, e nderuar! Ju lutem, kujtoje Viktorin… Sigurisht edhe veten: Numri 52.
-E kuptova, por, për siguri, ma e thuaj edhe emrin e partisë, për të cilën kandidon.
-Partia KLMNNJ…
-Suksese! –uroi dhe e hodhi celularin mbi kolltuk.

Prapë cingëroi zilja e celularit të Viktorit. Vitoria vazhdoi punët e shtëpisë indiferente. Zilja cingërronte me këmbëngulje… Nuk të hap, plas! Iu drejtua nikoqirja celularit. Cingërima vazhdoi përsëri e përsëri … Mos është mamaja e Viktorit, mendoi dhe brofi te telefoni. Shtypi butonin dhe nuk arriti të përgjigjej “ Alo!”.
-Viktor, mos harro, numri 33, -tha zëri në anën tjetër..
-Për cilën parti? -pyeti Vitoria.
-Ah, jeni ju, zonja Vitori. Më fal, se nxitoj, e kam kohën flori sot. Partia OPQRSSH, -u përgjigj marrësi dhe e mbylli telefonin.

-Alo!-telefoni i shtëpisë.
– Po.
-Zoti Viktor, mos harro, numri 49. Partia EFGGJHIJ.

Tani cingëriu zilja e derës. Vitoria hoqi përparsen dhe hapi derën. Një djalosh i shkathët i la një zarf në dorë dhe iku. Do ta ketë të shkruar numrin dhe partinë në letër, mendoi Vitoria.

Ra sërish zilja e celularit të Viktorit.
-Tungjatjeta! Viktor. Numri 57, mos harro. Partia SSHPEPTH.
Vitoria e mbajti në dorë celularin. Pastaj e hodhi në divan dhe mori të vetin. Sa bëri të formonte numrin e Viktorit, cingëroi zilja e saj. Shtypi butonin dhe e njohu menjëherë zërin e Kozetës.
-Si më je gdhirë sot, mikja ime?…Mos harron numrin, ë!
-Ma përsërit edhe një herë se na është bërë mëndja numra dhe emra partishë sot.
-Hahaha!… Ke shumë miq të aftë, moj mike… Po 6, moj, 6. Mbahet mend lehtë numri im. Ti ke edhe ditëlindjen në atë datë!
-Po Partia? –i tha Vitoria instinktivisht.
-PUFQRS. –I erdhi shpejt përgjigja dhe u mbyll telefoni.
Kur vihen në listën e këshilltarëve edhe injorante si ti, pse të mos tallesh me mua, tha me vete Vitoria e zemëruar dhe mori celularin e Viktorit. Shkoi në sallon, ku ishte telefoni i shtëpisë. Sa bëri të ulej në një kolltuk, të rehatohej pak, ra zilja e derës. E hapi derën. Para saj rrinte në pritje një adoleshente simpatike. Vitoria i buzëqeshi.
Teta Vitori, brenda është xhaxhi Viktori? –pyeti vajza.
-Jo, të keqen, ka dalë, për të marrë gazetat.
-Jepi këtë zarfin, -tha vajza. Vitoria, e mori zarfin në dorë. Nuk u përmbajt dot nga kureshtja. Brenda ishte një fletushkë me ngjyra e vizime. Mendoi ndonjë ftesë për fejesë a martesë… Nuk e hapi fare. Deri sa është për Viktorin, le ta hapë vetë, mendoi. Ngriti kokën, por vajza kishte fluturuar. Sigurisht me krahë gëzimi, se babi do të zgjdhej anëtar i këshillit bashkiak.
Vitoria zuri vend në kolltuk, këmbë mbi këmbë(duhej thënë hapi këmbët, se kishte punë atë ditë) me celularin në dorën e majtë dhe telefonin fiks në krahun e djathtë.

Nuk vonoi zilja e celularit. Vitoria shtypi butonin.
-Numri? –tha ajo në telefon.
-65, Partia RPSTDEF.
Ra zilja e telefonit fiks. E ngriti menjëherë.
-Numri? –pyeti ajo në telefon.
-27, partia EDCBA.
Ra zilja e derës. Vitoria u ngrit me nxitim. Hapi derën. Para rrinte një djalosh me trup atleti.
-Jam djali i Albinës, -u prezantua ai me pak ndrojë, por buzëqeshur.
-Numri? –pyeti Vitoria. Djali u step pak. Hapi një letër dhe lexoi: 61. Partia SHSRQPO. Pastaj i dorëzoi fletën… Vitoria u kujtua se ishte djali i shoqes së punës.

Që nga ora 8.00 deri në orën 18.00 Vitorisë nuk i zunë këmbët dhe. Vrap te dera, vrap te celulari, vrap të telefoni i shtëpisë. Biseda u automatizua. I ngjante vetja si një instrument i programuar: Numri?… Partia?… Numri? … Partia?… Zarfi?…

Boboooo! Sa parti! –tha një çast me vete. Bëri përpjekje t’i numëronte. Ishte ora 2.30 kur filloi. Në çdo faqe blloku ishte një numër e një parti. Të tjerat ishin në zarfa pak të trashë për një fletushkë. Por kush ua kishte ngenë t’i hapte. Ndërkohë ra zilja e derës. Vitoria e hapi instinktivisht. Në dorë kishte si zakonisht bllokun dhe stilon. Hapi automatikisht fletën e radhës, pastaj hapi derën. Pa ngritur kokën, pyeti: Numri?… Partia?…Nuk mori asnjë përgjigje. Ngriti kokën dhe mbeti e shastisur. Ishte nëna e Viktorit. Ajo kishte qënë disa ditë në fshat për klimë. Ishte kthyer për të votuar. Edhe vjehrra kishte shqyer sytë nga veprimet e Vitorisë. Ajo u merakos. E kapi për krahësh dhe i tha me shqetësim e dhembshuri:
-Nuse, je mirë?… Kur dëgjoi zërin e njohur, Vitoria ngriti kokën dhe pa vjehrrën. Iu hodh në qafë.
-Mirë jam, nënë, mirë. Jam pak e lodhur. E përqafoi vjehrën dhe nisi t’i bënte një kafe. Sa mori xhezven, cingërroi celulari. E kapi me inat sikur do ta përplaste në tokë, shtypi butonin dhe filloi shprehinë:
-Numri? …
-65.
– Partia?…
-Kishte emër të gjatë e kam harruar.
Vitoria shënoi ABCD…YZZH
Rifilloi kafen. Cingërroi zilja e telefonit fiks. Ngriti receptorin:
Numri?…
-Asos, 31, -bëri shaka kandidati në krahun tjetër…
-Partia?…
-Eshtë ajo partia e kryetariiiiit…me mustaqe.
Pa mbritur te aneksi, ra celulari.
-Lere kafen, se kam pirë, -i tha vjehra.

Zilja cingëronte pa pushim në të dy telefonat.
Ç’është kështu?! –tha vjehra e habitur.
Vitorja shkonte te dera, merrte zarfin ose shkruante në bllok. Kthehej në sallon, ngrinte celularin e receptorin pa puashuar. Numri?… Partia?…Zarfi…

Në orën 18.00 fiks tringëlloi zilja e derës. Robotikisht Vitoria mori bllokun, stilon, hapi derën dhe filloi.
-Numri?… Partia?…
-Mos ke lajthitur, gruaja ime e bukur? –dëgjoi zërin e Viktorit. Ajo ngriti kokën, i rodhën rrëke lotësh dhe e qëlloi me të dy grushtat në gjoks.
-Pse ike e më le vetëm sot?… Pse e le celularin në shtëpi?… Gjithë ditën cërr-cërr telefonat…Numri…Partia… Zarfin… Nuk kishte fjalë e punë tjetër…M’u bë shtëpia ferr e zeher..
-Telefonin qëllimisht e lashë në shtëpi. Kur e pe keq, pse nuk e mbylle?
-Nuk më vlejnë tani këto këshilla e mësime. U bëra telef gjithë ditën, sikur kam vrapuar në Maratonën olimpike.

Ndërsa Vitoria përgatiste darken, Viktori filloi bisedën me nënën. Zilet e telefonave kishin pushuar. Me sa kuptohej ishin lodhur dhe ata. Nikoqirja e përgatiste gjellën me duar, ndërsa në vesh i tringëllinin zilet. Ajo vazhdonte përgjigjet automatike: Numri?… Partia?…Zarfi…

Pas darkës bënë një llogari. Ishin 47 parti në bllok dhe 30 zarfa, domethënë 77 parti. Pastaj u bënë kureshtarë se për sa këshilltarë votohej. Llogaria e përafërt u dilte 9999 kandidatë. Pastaj filluan të hapnin zarfat, për të selektuar cilat parti do të votonin. Gjithsej, si familje, kishin katër vota: nëna, Viktori, Vitoria dhe vajza, se djali nuk donte të votonte. Do të kënaqnin vetëm katë kandidatë. Punë e vështirë të ndaje shapin nga sheqeri. Por, kur filluan të hapnin zarfat, nëna dhe Vitoria desh i ranë murit me kokë, duke parë karmonedhat 50 ose 100 mijë lekëshe shqiptare, 50 ose 100 Euroshe. Kishte edhe me vlera më të mëdha, por ato ishin më të pakta. Viktorit i ndrisnin sytë dhe heshtaz fërkonte gishtat. Kush paguan më shumë, bluan i pari, mërmëriti me vete. Por Vitoria nuk e dëgjoi atë mërmërimë. Ashtu siç ishte, me fytyrë të zymtë, mbështetur në kolltuk, e zuri gjumi. Vjehra e zgjoi dhe e shoqëroi te dhoma e gjumit. Deshi diçka t’i thoshte, por nusja ishte e kapitur nga lodhja. Viktori plot entusiazëm, hyri lehtë në shtrat, për të mos e zgjuar bashkëshorten. Ende s’e kishte zënë gjumi, kur dëgjoi gruan që filloi të fliste si inçizim kasete: Numri…Partia…Numri…Partia… 38…2… 33… 77… ABCDEËFGGJ… HIJKLMN…. OPQRSSH… UVXXHYZZH….

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s