Hapi që s’ kthehet pas… ( pjesa e III-IV ) / Prozë poetike nga Majlinda Mema

 

Bright colourful background with textural paste and the dried flowers

Prozë poetike nga Majlinda Mema

 

 

 Hapi që s’ kthehet pas…

( pjesa e III )

 

Ndalu, vështro gjithçka që të shfaqet, fajtor pa faj në shtegëtimin  e nisur, diku , nëpër  këtë vjeshtë të nisur. Era i mori të fundit gjethe, duke rënkuar ikjen e tyre udhëve të pashkelura, me frymën e dhënë, ashtu paqtuar. Nisesh drejt meje duke pritur, minutat enden ngadalë padurimit, kufirit të ëndrrës shfaqem papritur. Nuk mund të flasësh dhe zëri të meket, dora e zgjatur mbetet hapësirës zbrazët, nuk mund të të shoh dhe të të prek. Nxitimit nisem udhëve të mia, braktisjen e mbaj si të vetmin kujtim, si mjegull përhapesh dhe mbetesh pas. Nuk ka çlirim prej makthit tënd, rrugët mbeten kryqëzime fatesh, ti hesht dhe nuk mund të rikthehesh dot. Shkretohen qiejt pafundësisë, mbetesh i vetëm me ëndrrën në sy, diku përplasesh kufijve të pritshmërisë. Unë sprapsem e mbetem pika e largët, që humbas projektimit tënd. Herë-herë lodhesh qetësisë tënde, zemërimi yt sytë i mbyll dhe si në delir tundohesh pas pamjes tashmë të fshehur pas kuintave hije të memories përherë e në kërkim….

 

 

 

Hapi që s’ kthehet pas…

(pjesa e IV )

 

Është një hendek i pakapërcyeshëm mes nesh, që ndan gjithçka dhe sjell të pakapshmen, botën ku përhumbim pambarimit. Si në mirazh diçka magjike shfaqet e afërt, mjafton të  zgjatësh duart, është si një rreze që depërton kudo ngrohtësinë e saj dhe e shpërndan njëtrajtësisht. Tek rrimë pranë njëri-tjetrit duke soditur shpërthimin që ndodh brenda nesh, askush s’ mund të jetë i lumtur. Të thërrasin jehonat e maleve, ku zëri yt përplaset i vrarë, ndoshta i gremisur e përthyer honeve më të thella. Më thuaj në cilën portë të trokas, që pas saj të të gjej ty, duke më çelur ditën me të bukurin agim që po rilind.  Nuk di në cilën fushë – pamje ndërrohen dëshirat e heshtura?! Përballë ëndrrash të strukura thellë, të pandërgjegjshme, në pakthyeshmëri, zvarritem rrugës herezi. Ç’ do pikë takimi duket sikur përkufizion rrethin vicioz, i cili të zhyt përherë e më shumë në abstraksion.

 

 

TRADITA TË FSHATIT CURRAJ I EPËRM, PËRMES NJË LIBRI… / Nga:Prof.Murat Gecaj; publicist e studiues

 

TRADITA TË FSHATIT CURRAJ I EPËRM, PËRMES NJË LIBRI…

Nga:Prof.Murat Gecaj

         publicist e studiues

 

 

f 1

Gjatë zhvillimit të veprimtarisë…

 

1.

Fshati Curraj i Epërm është ndër më të njohurit, jo vetëm në krahinën Nikaj-Mërtur, por dhe në tërë Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Ai ka bukuri të rralla natyrore dhe trashëgon tradita shumë të çmuara: atdhetare e historike, kulturore e arsimore etj. Ai shtrihet  në gjirin e Alpeve të Shqipërisë dhe në Veri kufizohet  me Thethin e Luginën e Shalës, me vargmalet  Maja e Boshit, Kakia e Nikajve dhe në verilindje me Luginën e Valbonës. Ndodhet në një lartësi 730-900 m. mbi nivelin e detit dhe ka formën e një amfiteatri gjigand. Përmes tij rrjedhin me ujin e tyre të kaltër, ku notojnë troftat pikaloshe, Lumi i Currajve dhe Lumi i Qereshit. Që nga brigjet e tyre dhe deri në lartësitë alpine, aty rriten  drurë të shumëllojshëm, pyjorë e frutorë. Në to jetojnë mjaft kafshë e shpendë të egër. Pasuri e rrallë e fshatit janë edhe objektet natyrore, si Shpella e Zezë, në Qeresh, shpella e Boshit etj. Në qendër të fshatit janë ndërtesa e shkollës 9-vjeçare (e cila tanimë nuk funksionon, pës shkak të largimit të banorëve), Kisha Katolike, Kulla e Thepit etj.

Banorët e këtij fshati, me të drejtë, krenohen për traditat e lashta atdhetare të paraardhësve të tyre, në luftërat e pandërprera për liri e pavarësi dhe për figurat e shquara kombëtare, si Bajram Curri, Gjelosh Rama, Kolë Ademi e të tjerë. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja, që Shoqata “Unioni për vendlindjen, Curraj i Epërm”, krijuar në qershor 2013, organizoi  vitin e kaluar një “Akademi përkujtimore”, kushtuar 100-vjetorit të qendresës së pashoqe të popullit të këtij fshati, kundër pushtuesve serbo-malazezë.

 

 

f 2

Pamje nga salla, ku u organizua përurimi…

 

Veprimtaria e mësipërme dhe punimet, që u paraqitën aty, janë pjesë kryesore e librit të ri “Vjetar:Curraj i Epërm-2015”(Tiranë, 2016), i cili u pëurua dje pasdite, në lokalin “Lëpjeta”të Laprakës.. Ishin të pranishëm pjesëtarë të familjeve të këtij fshati, që jetojnë në Tiranë, Durrës etj., por dhe të ftuar tjerë, nga fshtrat e krahinës Nikaj-Mërtur.

Moderator i kësaj veprimtarie ishte studiuesi Ylli Prebibaj, ndërsa tubimin e hapi kryetari i Shoqatës “Uninioni për vendlindjen, Curraj i Epërm”, Zef Mrishaj. Ndër të tjera, ai tha se shprehë kënaqësinë që kontrata e nënshkruar me bashkësinë e fshatit, është mbajtur, së pari, me respekt e mirënjohje, por edhe në drejtime të tjera. Falë edhe kësaj mbështetjeje është bërë e mundur që të realizohen disa objektiva me vlera, siç ishte dhe botimi i këtij libri e veprimtaria përuruese e tij.

Pjesëmarrësit ndoqën me vëmendje edhe mendimet e shprehura nga Dedë Qokaj e Pashko Gecaj, të cilët treguan përmbajtjen dhe evidenuan vlerat e këtij botimi të ri, i cili është e dobishme të shoqërohet edhe me të tjerë, në të ardhmen.

Për të pranishmit në këtë veprimtari, interpretuan këngë popullore me çifteli, këngatarët Bardhok Prebibaj e Vuksan Pjetri. Pastaj ata morën pjesë në koktejin rastit dhe bënë fotografi, për t’i patur kujtim nga kjo veprimtari mbresëlënëse.

2.

Libri i ri, që u përurua nga Shoqata “Unioni për vendlindjen, Curraj i Epërm”, ka gjithësej 208 faqe dhe përmban mjaft fotografi me ngjyra, kushtuar veprimtarive të banorëve të këtij fshati alpin. Redaktor dhe korrektor letrar është Dedë Qokaj dhe ballinat, ilustrimet e diçiturat janë përgatitur nga Pashko Gecaj.  Libri është mundësuar për botim nga bashkëfshatari i tyre, Skënder Përpepaj.

 

 

f 3

Ballinat e librit të ri, për fshatin Curraj i Epërm…

 

Pas “Hyrjes”, që e ka shkruar Pashko Gecaj, botohen dokumentet e krijimit dhe miratimit të kësaj Shoqate atdhetare e kulturore,në vitin 2013. Në vazhdim, lexuesi njihet me punimet e lexuara në veprimtarinë përkujtimore të luftës së malësorëve të fshatit Curraj i Epërm, kundër sulmit të pabesë të ushtrisë serbo-malazeze, në vitin 1915. Kështu, punime të tilla janë: “Njëqindvjetori i luftës shqiptaro-malazeze të Qafës së Kolçit:1915-2015”, nga studiuesi Ylli Prebibaj, shoqëruar me bibliografinë përkatëse; “Etnologjia dhe etnokultura e fshatit Curraj i Epërm, në 100 vitet e fundit”, nga arsimtari e publicisti Dedë Qokaj, gjithashtu shoqëruar me referimet e nevojshme dhe “Roli i klerit katolik në kultivimin dhe ruajtjen e virtyteve të larta njërëzore, te banorët e fshatit Curraj i Eprm”, nga ing.Martin Gecaj.

Në vazhdim, në këtë libër lexuesi do të gjejë fjalët përshëndetëse, që u mbajtën në Akdeminë përkutimore, të cilën e përmendëm më lart, nga: kryetari i Bashkisë së qytetit “B.Curri”, Besnik Dushaj; nga zv.kryetari i Shoqatës “Nikaj-Mërtur”, Agron Qokaj; nga emigranti Skëndr Përpepaj dhe nga Zef Mrishaj.

Një vend me rëndësi zë në këtë libër veprmtaria e Shoqatës “Unioni për vendlindjen, Curraj i Eprm”, në gusht 2015, organizuarr pikërisht në atë fshat të largët, ku nuk ka as rrugë makine!? Më tej, Pashko Gecaj ka botuar punimin e tij me vlera, “Curraj i Epërm, studim dmografik”, shoqëruar me pasqyrën e trungjeve familjare të këtij fshati.

Lexuesi njihet edhe me vargjet e poezisë së Ndue Vatnikajt, “Djepi i thyer” dhe në mbyllje të tërë librit flitet për “Potencialet turistike, në fshatin Curraj i Epërm”.

…Si për organizimin  e kësaj veprimtarie përuruese dhe botimin e këtij libri të parë, e përgëzojmë Shoqatën “Unioni për vendlindjen, Curraj i Eprm”, duke shpresuar se veprimtari e botime të tilla do të jënë në vazhdimësi edhe në të ardhmen!Ashtu siç u njoftua në këtë tubim, një e tillë do të jetë edhe më 6 gusht 2016, pikërisht në vendlindjen e anëtarëve të kësaj Shoqate, atje pranë bukurive të mrekullueshme natyrore alpine.

 

Tiranë, 13 korrik 2016

 

 

Poezi nga Lumo Kolleshi

lumo kolleshi

Poezi nga Lumo Kolleshi

 

 

KOHË PASTHIRRMASH

 

Të drejtën e Zotit e ke me vete,

Të më shash,të më thuash hiç,

Në asnjë verë të kësaj jete

S’të çova plazheve të Miami Beach.

 

Dhe ku? Atje edhe në ëndërr

Do të na zbonin pa mëshirë,

Do të na shihnin jahtet vëngër,

Hotelet do na vinin pranga e zinxhirë

 

Sa të na lexonin pashaportat,

Rojet do na flaknin tej në det,

Mbiemri ynë i ka të mbyllur portat,

Mbiemri ynë s’ka pikë gjaku në pushtet.

 

Eh,sa pasthirrma kokën thyejnë

Në shkëmbinjtë e murmë të gjoksit tim.

Një skutë me zor të madh e gjejmë

Edhe në Vlorë, Durrës a Shëngjin.

 

 

 

 

Ndalesa nr.11067

 

Në pritje të tramit që po vonohet,

E ndeza dhe cigarin e dytë.

Dy të rinj në puthje po mjaltohen,

Një plak s’ di pse përdhe po ul sytë.

Një djalë pak me tej fotografon vetveten,

Dy të tjere thonjtë po hanë me dhëmbë…

Qiell korriku dhe retë s’ po shqepen,

Në të gjatat pritje ka meny për të tërë.

 

 

 

Vdekja

 

Një gjellë për të gjithë të gjallët.

E shijshme?

S’ besoj të jetë kurrë,

Ndërron veç kamarieret

Dhe tepsitë në furrë.

 

 

 

NË PARKUN E LËNË PAS DORE

 

Me përtesë nisa këmbët në parkun e vjetër,

Në parkun e lënë pas dore ku s’gjen një fill bari,

Gjithçka përreth kthyer në gjendje të egër,

Veç taksën për gjelbërim bashkiakët ta marrin.

 

Trishtohem dhe sytë më mbushen me plagë

Dhe thellë, thellë qenies trazohet një revoltë,

Një kalë të hirtë shalon kujtesa si në baladë,

Po prapë si Doruntinë pëlcet te kjo portë.

 

Qetësinë e kërkuar e humbas papritur

Dhe hapat më bindeshin me zor.

Për ta bërë mërzitjen dhe më të mërzitur,

M’u deshën dhe gjinkallat e shpifura në kor.