Poezi nga Lumo Kolleshi

lumo kolleshi

Poezi nga Lumo Kolleshi

 

 

KOHË PASTHIRRMASH

 

Të drejtën e Zotit e ke me vete,

Të më shash,të më thuash hiç,

Në asnjë verë të kësaj jete

S’të çova plazheve të Miami Beach.

 

Dhe ku? Atje edhe në ëndërr

Do të na zbonin pa mëshirë,

Do të na shihnin jahtet vëngër,

Hotelet do na vinin pranga e zinxhirë

 

Sa të na lexonin pashaportat,

Rojet do na flaknin tej në det,

Mbiemri ynë i ka të mbyllur portat,

Mbiemri ynë s’ka pikë gjaku në pushtet.

 

Eh,sa pasthirrma kokën thyejnë

Në shkëmbinjtë e murmë të gjoksit tim.

Një skutë me zor të madh e gjejmë

Edhe në Vlorë, Durrës a Shëngjin.

 

 

 

 

Ndalesa nr.11067

 

Në pritje të tramit që po vonohet,

E ndeza dhe cigarin e dytë.

Dy të rinj në puthje po mjaltohen,

Një plak s’ di pse përdhe po ul sytë.

Një djalë pak me tej fotografon vetveten,

Dy të tjere thonjtë po hanë me dhëmbë…

Qiell korriku dhe retë s’ po shqepen,

Në të gjatat pritje ka meny për të tërë.

 

 

 

Vdekja

 

Një gjellë për të gjithë të gjallët.

E shijshme?

S’ besoj të jetë kurrë,

Ndërron veç kamarieret

Dhe tepsitë në furrë.

 

 

 

NË PARKUN E LËNË PAS DORE

 

Me përtesë nisa këmbët në parkun e vjetër,

Në parkun e lënë pas dore ku s’gjen një fill bari,

Gjithçka përreth kthyer në gjendje të egër,

Veç taksën për gjelbërim bashkiakët ta marrin.

 

Trishtohem dhe sytë më mbushen me plagë

Dhe thellë, thellë qenies trazohet një revoltë,

Një kalë të hirtë shalon kujtesa si në baladë,

Po prapë si Doruntinë pëlcet te kjo portë.

 

Qetësinë e kërkuar e humbas papritur

Dhe hapat më bindeshin me zor.

Për ta bërë mërzitjen dhe më të mërzitur,

M’u deshën dhe gjinkallat e shpifura në kor.

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s