
Poezi nga Rudina Muharremi Beja
STRUKUR ËNDRRËS
Mes zërit të fjetur të yjeve t’ humbur
e plagëve të erës,
çadra ngre lëndinës akullt
brenda një ëndrre qëndroj strukur!
Atje ku shpresa nuk varet në mur
trëndafili s’ rri mbyllur trishtimit,
as zemra kyçur nuk rri në gur…
Përtej të pamundurës zgjat vështrimin.
Shirat atje s’ vijnë pa ylberë…
Hëna paqtë i zë vëndin diellit.
Dimrat një ditë mbarojnë.
Lot nuk ka çdo pranverë…
Shpirti im muzgjeve rri,
vetja përbri.
GJURMË…
Gjurmë avionësh kryqëzohen kaltërsish,
udhëtarë që shkojnë e vijnë,
nga mol i braktisur vështrimin zgjat,
anijeve velëbardha që detin shkruajnë,
të tjerë njerëz, mbajnë mbi shpinë.
Udhëtojnë bashkë me ta;
frika, dashuria, ngashërimi,
malli që zemra pik, loti fik.
Ca fjalë kurrë pa thënë,
dhurata pa dhënë…,
miqësi të shtrenjta,
ashte plot heshta…
Mes tyre,
gjithmonë të huj…
Në teh,
një grusht eshtrash
strukur…
Mbi suprinën e detit
të bardhat dallgë,
ditënetëve shkumbojnë…
Në gji meteorësh,
avionë duhanpirës
qiejt vizatojnë…
GRAFIKË
Ulur nën pemën e madhe të mesditës
ajrit ia thith butësinë,
diellit ngrohtësinë…
Vjeshtës,
gërshet derdhur dritares
ja marr dashurinë.
Flladi i erës flokët më përkëdhel
zëri bilbilit, si ninullë më përkund,
gjethe të verdha bien mbi shpirt.
Botën larg, kilometra vetmi
dorën e paqtë, fatit shtrij.
Tërfil i reve,
qiejve që hua morëm,
shtyhet ngadalë
Me të dhe dielli…
Dita gremiset bregut tjetër
jeta s’ ka dallgë në kurbet,
Muzgu i mbrëmjes mes degësh përmbysur,
shtegut të vjetër, pret.
Hënën e një nate tjetër.
NOKTURN
Buzëmbrëmjeve të fundtetorit
shpirtzbrazur kundroj,
fustanin shumëngjyrësh të natyrës tek i jepet natës,
draprin e hënës,
bosh dhe ajo,
papërfillshëm
rrëshqet përtej vështrimit.
Freskia më deh me ajër të freskët…
S ’ka zhurmë, asgjë s’ lëviz …
Vetëm një ujvarë aty afër,
si në përrallë.
Gjoksin shtrëngoj
më jep ndjesinë e viteve,
që furishëm rrjedhin
e moshën kafshojnë.
Gjithçka venitet para syve të mi
ngulitur në boshllëk…
Tek drita e mugët thyher në ujë,
mbush orët e vrara
që s’kanë mbarim.
S’ mund ta ndaj me askënd
natën e plogësht…
Ca gjethe udhëtojnë mbi lundrën e vetmisë,
e humbasin në rrjedhë motesh…
Zemra sëmbon nga një melodi e vjetër
ardhur kaq beftas bregut tjetër.