Poezi nga Fatbardha Xhani Myslimaj
ÇDO DITË SË PAKU
Çdo ditë
me vdesin së paku një ëndërr
Me sy të pagjumë, të vrenjtur, të egërsuar
të shuar…
Çdo ditë
se paku me vdesin një mendim
E unë pa mendime eci e heshtur
pa kuptim…
Por…
Çdo ditë
se paku unë vras një demon
Me duar gjakosur përkedhel lule maji
Në ngashërime vaji…
Çdo ditë
së paku mbarsem e pjalmohem
Vazhdimësisë së jetës i besoj
e i gëzohem…
Dhe… oh sa bukur
Çdo ditë së paku duke më joshur
çfare flladi jetësor më përkedhel zemrën
dhe fytyrën time të pasosur…
ÇASTE
Më thuaj
prej bukurisë së fjalës
sa kohë peng i saj kam me mbetë…
Mos ndoshta
në çarkun e tyre, pak nga pak
si nektar a si vesë, kam me u tretë…
Më thith
në thellësira përjetimi
prekja jote që dridhet si fletë…
Nën këmishë
të bardha skuqet dëshirimi
kështu një ëndërr, nis e merr jetë…
KUR S’ KAM GJUMË
Kur s’ kam gjumë
Marr e ngjyros errësirën me dritë
Pastaj i heq vitet e tepërta kohës
Vendos bojën mbi thinjat e bardha
Çel ca lule shprese në kopshtin e ëndërrt
Çliroj frymëmarrjen nga pamundësia
Pastaj nis e u shkruaj letra të pagjumëve
Për disa petale pranvere që çelin; i them
Të gëzojnë e të mendojnë aromën e njomë
Për hojet me mjaltë e për verën e kuqe:
Për gëzimin e jetës e për dashurinë…
Kur me del gjumi u flas të zgjuarve
Për gjëra që i kanë harruar!