Poezi nga Mimoza Çobo

Mimoza cobo - 1

Poezi nga Mimoza Çobo

 

 

SYRI YT DO MË VDESI MUA…

 

Nën qerpik fshihet syri bajame zhveshur,
herë buzëqesh,herë qan zhytur në faj…
S’di si t’ia bëj,kur hedh vështrime tretur,
do endem pëlhurë,që lotin me të ta thaj …

Ai sy le të më shaj,mua djaloshin beqar,
si fllad do rri qerpikut ,që të ndiesh mall,
netëve do mbjell yje mbi lotin margaritar,
që syri yt i zbehtë të më përpijë të gjallë…

E di,ai sy mëshqerre,do më vdesi mua…
Sa herë e puth esëll,rri gjithë ditën dehur,
aman,o sy njomëzak,si s’më the;”të dua”!
Të gjallë dheut më trete e më le te vdekur…

 

 

ËNDËRRËN MOS E LËR!…

 

Kur ajri përkëdhel faqen pa zhurmë,
e buzëve vërshon si krua mbi zall,
fletët e gjirit ngjyros e bardha shkumë,
se kraharorit lot, një det me tallaz…

Një dridhje s’më të lë të bie në gjumë,
ëmbël troket, përveshur gjer në llërë.
Ky afsh jetësor djepit të tij më përkund,
ëndërrën më thotë,”jetime”, mos e lër!…

 

 

 

BASHKË TË THINJEMI

 

Kur mëngjesi vjen ëmbël,ti buzëqesh,
e unë si pikë vese njomë gishtat e tu.
E ndjen burrë i dashur,jetën si rrëshqet,
ngjyrave agimore e perëndimit të purpurt?!…

Mos numëro orët dhe minutat çdo çast!
Se krahëve derdhem unë,si diell i kuq,
gjirit dal si hëna llamburis natën e gjatë,
nën dritëzën e saj,shpirti yt përhumb…

Syri yt burrërorë të ardhmen projekton,
se e tashmja buzëqeshur shkon kaluar,
t’ia vjelim kënaqësitë jetës që gurgullon,
ujvarë kristalore në shpirtin e dashuruar.

Le të rrjedhin agimet, perëndimeve rozë,
e nesërmja sjelltë,veç puthje dashurish,
zemrën mbama ti,medaljon në kraharorë,
bashkë të thinjemi, nën qiellin e lashtësisë.

 

 

 

S’ DONTE TA QANIN E MBULONIN ME KURORË

 

E gjetën nënëzezën mbi barin e njomë,
si një copëz ylli të fikur nëpër ngricë,
mos vallë prej qiellit u këput e ra përtokë,
me gjoksin të çarë e zemrën të ngrirë?!

Prej syrit të kuq një lot përmallimi gjëmoi,
retë shpërndau qiellit sëpata e dhimbjes,
me tehun e mprehtë errësirën thërrmoi,
e mëngjesi derdhi lotët çasteve të fikjes.

E qan nënëzezën përmbi barin e njomë,
por lotët të mjerën prej dheut se ngritën,
as zemrën s’ia zgjuan lulet e akullta borë,
e vdekjes duke qeshur thonjtë i kërcitën.

E qan nënëzezën e zbukuruan me lotë,
atë mëngjes shkurti,të lagësht,të trishtë,
s’donte ta qanin e hidhnin kurorë mbi koke,
të birin kërkoi,po ku t’ia gjenin djalëzinë?!…

 

 

 

DASHURI CIGANE

 

Nën dridhjet e harmonikës shpërtheve lulëzuar,
duke flladitur lehtë faqet e verdha të hënës,
flluturimthi hoqe vallen,me linjat lakuriqësuar,
duke e ditur,se zjarr do ndizej cigani i këngës.

Sehirë bëra unë,sehirë dhe yjet zënë befasuar,
se ti nuk pyete për zararin,që do ti bëje syrit,
tek kundron prej frëngjisë se qiellit të vezulluar,
bukurinë femërore që çmëndi dritën e yllit.

Kur harkove trupin gjysmëhënë mbi zjarre,
me majat e gishtërinjëve rrotullove gjithësinë,
ç’e solle vërdallë ciganin,sikur rrotulloje zare,
se ja njihje prej kohësh shijet dhe dobësinë…

Por djaloshi e di sekretin e magjisë së valles,
që luhet mbi mbulesën ngjyruese prej zjarrit,
kur cigania lodron me kërcimet e sorkadhes,
dhe flokët kacurrela derdhen si ujërat e zallit.

Mos je gje shtojzavalle,që më fanitesh çastit,
ezmerkë e bukur që përdridhesh,si gjethore?!.
Ia theve durimin e i vure kemben ne gjoks ciganit,
sa,la tutje djalërinë e u bë burrë ashtu siç doje…

Natës i ranë djersë, kur ai fluturoi marrëzive,
mbi lëkurën e zbuluar u tretë gjer në shkrirje
puthëroi anormal gjithë lastarin që përdridhej,
duke rrahur krahët si pëllumb nëpër trille.

Buzë-mjaltën puthi për herë të parë ,cigani,
dhe prej cepave tringëlliu celur një trëndafil,
aromë e pjalmit rrëshqiti nga cdo qelizë petali,
e nëpër shtegun e gushës,me ngjyrë u harlis.

Sakaq hëna dhe yjet hodhën tisin e mëndafshit,
kurse unë mora pak vrull,prej vrullit të ciganisë,
t’ia jepja ushqim shpirtërorë, pasionit dhe afshit,
që dashuria t’i ngjaj kësaj në inspirimin e mrekullisë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s